Saturday 31 October 2015

MBI MARRËVESHJEN E STABILIZIM-ASOCIIMIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 TETOR 2015

Një relacion i tregtisë së lirë me BE-në nuk ka alternativë; jo nëse mendojmë se integrimi evropian është cak përfundimtar. Çështja është se ne kemi një orë kohe që po ecën mbrapshtë, dhe përfundimi i kësaj kohe nuk guxon të na gjejë siç jemi sot.


-1-

Këndej as nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk u kalua pa ngjyrosje partiake. Këndej gjithçka tashmë është bërë parti-politikë; natyrisht përcjellë me një dozë të padurueshme polarizimi. Së këndejmi, as edhe një marrëveshje politiko-ekonomike nuk u trajtua në debatet shoqërore politike brenda kornizave të argumenteve e gjetjeve – pse jo – edhe të ndryshme. U trajtua më tepër si një fotografi pompoziteti nga nënshkruesit, dhe si një zhvlerësim patetik nga kundërshtarët e tyre.

Këta të fundit madje, nga inati më tepër se sa mosdija, argumentuan se marrëveshja na sjellë dëme, se qenka jo e plotë e se – sepse nuk na njeh dikush – edhe nuk qenkemi shtet. Argumente të njëjta, ç’është e vërteta dëgjojmë secilën ditë nga fqinjët tanë në veri. Të njëjtit na thonë se deri sa nuk na njohin ata dhe disa miq të tyre, ne nuk jemi shtet. Kosova është shtet. Njohjet, që nuk i kontrollojmë dot, nuk e zhbëjnë këtë fakt.

Për secilin qëndrim politik në Kosovë që shprehë pretendime të anëtarësimit në BE, nënshkrimi i MSA-së si proces nuk ka alternativë. Prandaj dhe kundërshtimet e marrëveshjes mbesin të pakuptimta. Kundërshtimet e humbjeve tregtare, të dëmeve financiare, të humbjeve buxhetore (që u shtruan ndër të tjerash) si argumente kundërshtuese të nënshkrimit së marrëveshjes, janë bukur hipokrite. Përderisa në njërën anë pretendon anëtarësim në BE, e në anën tjetër kundërshton marrëveshjen duke theksuar humbjet – nuk është se ke ide çfarë bën.

Në argumentin tjetër, plotnia e shtetësia, sado të rëndësishme në politikën tonë të brendshme, mbesin sinqerisht me shumë më pak relevancë në procese që nuk arrijmë ti kontrollojmë dot. Tani më nuk është risi refuzimi i njohjes së Kosovës nga pesë shtete të BE-së; dhe për habinë tonë të madhe – habi që buronte nga një mbi-optimizëm i ditëve të para të pas-pavarësisë – ngurtësimi i mosnjohësve është megjithatë serioz e në rritje. Kosova, me gjithë mekanizmat e veta shoqërore, politike, kulturore e çka tjetër, ka gjasa të vogla – për të mos thënë fare – të ndikojë në bindjet e, le të themi, Spanjës rreth njohjes tonë ose jo. Secili amator politik që ndjekë sipërfaqësisht ngjarjet atje dhe hiç më shumë, kupton se të gjitha rrjedhat separatiste në Spanjë, që po fuqizohen e jo zhbëhen, kanë larguar njohjen e Kosovës nga ta edhe më shumë. Dhe përderisa ka vetëm një vend anëtar i BE-së që nuk njeh vendin tonë si shtet, atëherë – dhe fatkeqësisht – anëtarësimi ynë në BE e njohja jonë si shtet nga BE – do të jetë e pamundur. Kjo është fakt.

Fakt gjithashtu është se mosnjohja e Kosovës si shtet nga BE nuk do të thotë se ne duhet të refuzojmë secilin proces – secilën shkallë pra – të anëtarësimit eventual atje. E fakt është gjithashtu se kapërcimi i pengesave si këto, blerja e kohës pra, nuk na ndalon neve, e as përkrahësve tanë, të ndërtojmë një shtet të zhvillimit, drejtësisë e mbarësisë – një shtet evropian pra, që nesër do të bindte edhe një refuzues këmbëngulës si Spanja.

-2-

Përderisa skena politike u morr me argumentime sipërfaqësore, debatet e njëmendta për MSA-në megjithatë morën trajtë në diskutimet mediatike. Në përgjithësi, pjesa më e madhe e argumentuesve, MSA-në e kuptonte si një hap politik – të rëndësishëm madje – në rrugën e integrimit e formësimit të Kosovës drejt BE-së, dhe – natyrisht – si një hap ekonomik që po nuk u shfrytëzua mençur mund dhe të jetë i padobishëm.

MSA, për pjesën më të madhe të saj, mbetet një marrëveshje tregtare; e tregtisë së lirë – siç dhe kemi me secilin vend tjetër në rajon. Kosova, ç’është e vërteta, ka pasur deri më tani relacione të tregtisë së lirë – të njëanshme pra – me vendet e BE-së. Por nuk ka pasur asnjëherë formalizim afatgjatë e të dyanshëm të tregtisë së lirë. Përderisa produktet e Kosovës kanë mundur të eksportohen lirshëm për në BE, ato të BE-së janë obliguar tu nënshtrohen tarifave doganore në Kosovë.

Një nënshtrim i tillë ka pasur dy efekte. I pari, se nëpërmjet doganimeve të produkteve e shërbimeve nga BE, Kosova ka gjeneruar të hyra buxhetore. I dyti, se duke shtuar një tarifë shtesë doganore mbi këto produkte evropiane, ato janë bërë më të shtrenjta në Kosovë. Janë bërë pra më të shtrenjta për aq sa është paguar doganë mbi to. Fakti se me MSA, Kosova dhe BE do të heqin këto tarifa, nënkupton – natyrshëm – se Kosova, lidhur me argumentin e parë, do të inkasojë më pak të hyra doganore; dhe se, lidhur me argumentin e dytë, do të ketë produkte më të lira evropiane për qytetarët e saj.

Një relacion i tillë, i ndikimit të drejtpërdrejtë e të tejthjeshtuar, nënkupton se paratë e mbledhura si doganë për këto produkte e të mira, nuk do të qëndrojnë në buxhet, por në xhepin e kosovarëve. Në fund të fundit, koston e doganave e paguanin qytetarët kosovarë. Për të amortizuar një rënie drastike të të hyrave buxhetore, negociatorët tanë kanë paraparë masa përjashtuese për disa produkte. Për shembull, jo të gjitha veturat do të lirohen nga doganat. Lirimi doganorë për veturat që vijnë nga BE (pak a shumë për të gjitha veturat që vijnë në Kosovë) do të bëhet nëpër faza e vite. Në vitin e parë – për shembull – do të lirohen vetëm veturat e reja, të sapoprodhuara. Nëpër vitet tjera do të lirohen edhe ato të mbetura – gradualisht, sipas viteve të prodhimit. Ky programim i jep mundësi Kosovës që të zëvendësojë të hyrat buxhetore të painkasuara për shkak të këtij ndryshimi me burime alternative.

Një relacion i tillë gjithashtu nënkupton se produktet evropiane do tu bëjnë konkurrencë të gjitha produkteve regjionale, nga ku Kosova sot importon pjesën më të madhe të produkteve. Në radhë të parë, produktet nga Serbia e Maqedonia, që deri dje ishin më të lira e më konkurruese se sa ato evropiane (për shkak të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që Kosova kishte me këto dy vende e jo me BE) do të përballen me konkurrencë më të rëndë. Pas marrëveshjes, edhe produktet nga BE do të jenë pa shtesa doganore. Në kuptim të cilësisë së produkteve që kosovarët konsumojnë, kjo bën një lajm të mirë. Sepse ne do të marrim produkte e shërbime evropiane – që supozohen si më të mira se këto rajonale – për çmime më të lira se sa i merrnim më parë.

MSA gjithashtu do të vazhdojë të mbajë të hapur tregun evropian për prodhuesit kosovarë; siç dhe ka mbajtur deri më tani; dhe në këtë drejtim do të hiqen e zvogëlohen kuotimet për disa produkte që kanë pasur kufizime në sasi. Për bizneset që tashmë kanë ndërtuar relacione të mirë eksporti për në BE, një hapje e tillë përbën lajm jashtëzakonisht të mirë.

-3-

Por MSA nuk vjen si një dhuratë pa bisht. Bishti i saj nënkupton edhe rritjen e konkurrencës së prodhuesve vendorë, nga një treg shumë më i fuqishëm e shumë më i mirë. E vërtetë se konsumatorët kosovarë do të marrin pra produkte më të mira e më të lira nga një treg evropian, por prodhuesit e tyre, prodhimet vendore pra, do të marrin para e konsumatorë më pak. Për një ekonomi si kjo e jona që ka dëshmuar në vazhdimësi se pa një ndryshim pozitiv të bilancit tregtar nuk do të ketë rimëkëmbje të mjaftueshme, një relacion i tillë nuk mbetet fare i mirë.

Për këtë arsye, është e domosdoshme që marrëveshja të përcillet me politika adekuate që stimulojnë prodhimin e krijimin vendor. Lajmi i keq është se me politikat ekonomike të deritanishme, të asfaltit e pagave publike, një rritje e tillë e prodhimit e krijimit vendor ka qenë e pamundur. Serish, me vet kornizën e marrëveshjes, disa produkte kosovare mbesin të mbrojtura, por në masë të madhe, pjesa tjetër e tregut është e ekspozuar tërësisht. Për më tepër, nëpërmjet fondeve të BE-së, rreth 650 milionë sosh, për disa vite të ardhshme do të provohet rritja e kapaciteteve të brendshme në mënyrë që prodhimi e krijimi vendor të jetë sa më konkurrent me atë evropian. Pra MSA provon që me mekanizmat e vet e me financimet përcjellëse të barazojë sa më shumë të jetë e mundur efektet në periudhën afatshkurtë – për të shpresuar gjithsesi, se gjatë kësaj kohe, kosovarët do të jenë mjaftueshëm të mençur që të gjejnë politika afatgjate që krijojnë prodhim e krijim konkurrues.

Sërish, një relacion i tregtisë së lirë me BE-në nuk ka alternativë; jo nëse mendojmë se integrimi evropian është cak përfundimtar. Çështja është se ne kemi një orë kohe që po ecën mbrapshtë, dhe përfundimi i kësaj kohe nuk guxon të na gjejë siç jemi sot.

-4-

Për mendimin tim, studimi më domethënës i bërë në Kosovë për relacionet tregtare të Kosovës me BE-në, ku edhe bie ndikimi i MSA-së është ai i dy miqve dhe kolegëve të mi, ekonomistëve Petrit Gashi dhe Geoffrey Pugh. Në vitin 2013 e 2014, të dy duke përdorur të dhënat tregtare të Kosovës me BE-në për tetë vitet e fundit, kishin ndërtuar një model ekonometrik të “gravitetit” për të parë efektet eventuale të MSA-së. Punimi empirik i publikuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur ishte prezantuar në Kosovë muaj më parë – shumë më herët se sa MSA të merrte hapësirat qendrore të diskutimeve publike këtu.

Në këtë punim, autorët kishin gjetur të pritshmen. Marrëveshja përveç se do të hapë një treg të ri për 90% të produkteve kosovare, ajo do të shpërfaqë Kosovën për investitorët e huaj si një vend me gjasa atraktive më të mëdha. Në fund të fundit, e drejta për të eksportuar lirshëm dhe pa kosto doganore për në BE për të gjitha produktet e krijuara këndej, është mundësi e mirë për shumë investitorë. Një mundësi të tillë e kishim dhe më parë, me masat preferenciale pra, por gjithsesi, rritja e afatit aplikues e bën këtë mundësi më të garantuar. Në të njëjtin studim, autorët theksojnë se barrierat kryesore për bizneset kosovare pas nënshkrimit të MSA-së mbeten ato teknike – më të rëndësishmet, ato të ndërlidhura me kualitetin e produkteve. Pra, në fjalë të tjera, përputhja në kualitet dhe standarde evropiane është parakusht për secilin eksport potencial. Jo gjithçka që do të prodhohet këtu mund të eksportohet për në BE. Mbi të gjitha, autorët gjejnë se me bazën e tanishme të prodhimit, me një sektor privat të nënzhvilluar, me aktivitet të ulët ndërmarrësisë – pra me determinantët kryesor të eksporteve e konkurrueshmërisë në nivele jo të mira – Kosova nuk mund të përfitojë mjaftueshëm vetëm me aktin e nënshkrimit.

Modeli i tyre i gravitetit, që ndërlidhë rrjedhat tregtare me madhësinë e ekonomisë (të matur me Bruto Produktin Vendor) dhe në mënyrë inverse me kostot e tregtisë (për shembull distancën) kishte gjetur disa elemente të zakonshme e të pritshme në rrugën e tregtisë së lirë ndërkombëtare.

Së pari, sipas studimit, historia e marrëdhënieve tregtare ka rëndësi shumë. Trendi dhe modeli i tanishëm i eksporteve të Kosovës ka gjasa të vazhdojë njëtrajtësisht pas nënshkrimit të MSA-së. Me fjalë të tjera, tregjet e tanishme si destinacione të produkteve kosovare do të forcohen më shumë, përderisa kyçja në tregje të reja në BE do të jetë më e vështirë.Së dyti, në përpjekjen për të matur efektet e të ardhurave evropiane në eksportet kosovare – nëpërmjet aplikimit të “Dynamic Poisson Model” – autorët argumentojnë se rritja e të ardhurave kombëtare nuk korrespondon me rritje të lartë të kapaciteteve eksportuese. Pra ka – dhe duhet të ketë – elemente të tjera që nxisin eksportet tona përtej rritjes së të ardhurave në BE. Së treti, ka një gjetje të forcuar mirë se distanca e tregjeve luan rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për eksportet e Kosovës në EU. Vendet më të largëta në distancë gjeografike kanë gjasë më të ulët të ndërlidhjes tregtare me Kosovë. Së katërti, efekti i diasporës kosovare është jashtëzakonisht i rëndësishëm për eksportet e Kosovës. Shtetet e BE-së me prezencë të madhe të diasporës kosovare kanë tendencë të pranojnë më shumë produkte e shërbime nga Kosova.

Në vija si këto, them se do të jenë dhe pritjet e relacioneve të reja ekonomike në mes të Kosovës dhe BE-së.



Monday 26 October 2015

NË BETEJË ME ANALFABETËT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 TETOR 2015

Sot nuk mund të ketë kompromis në mes të plagjiatit e origjinalitetit, kualitetit e kapërcimit, intervneimit e meritës. Nuk mund të ketë kompromis me analfabetët e uzurpatorët. Ka vetëm një përfundim për ta – është largimi.      


-1-

Në ditën që Kosova duhej të shënonte arritjen më të madhe ndërkombëtare sivjet, hapin e parafundit për anëtarësim në organizatën e parë të Kombeve të Bashkuara – UNESCO, analfabetë e uzurpatorë u bënë bashkë për t’i dhënë goditjen, siç ua merr mendja të shkretëve, përfundimtare UP-së; kthimin në kapje.

Do të ketë qenë mesiguri vendimi më skandaloz, më i turpshëm, dhe gjithsesi më irritues që ka marrë dikush në Kosovë tash e sa kohë. Anëtarët votues të Këshillit Drejtues, një përzierje e individëve të deleguar nga pushteti dhe parapushteti, kishin votuar – gjashtë sosh – me bindje të plotë dhe pa hezitim, në favor të shkarkimit të Rektorit. Për bazë po merrnin pretendimet e disa “pro-e-sorëve” skandalozë, avancimi shkel e shko i të cilëve ishte ndërprerë me kohë nga i njëjti Rektor. Dhe po, për bazë merreshin edhe thirrjet e një grupi parapolitik e parapartiak studentor, të cilët në dy-tri shfaqjet e vogla që i kishin publikisht, as gjuhë shqipe mirë nuk dinin; kërkonin, të shkretët e të mjerët – medet për ne – afate shtesë të provimeve.

Reaksioni publik i qytetarëve këndej ishte masiv. Ndoshta për të parën herë pati një shpërthim të tillë mllefi e dëshpërimi njëkohësisht. Së paku kështu e kanalizuan këtë ndjenjë kolektive kosovarët në rrjete sociale dhe të nesërmen në rrugë. Një reagim i tillë, unik pra, duket të ketë zgjuar menjëherë vendimmarrësit këndej; hapat e parë të të cilëve bënë rikuperimin e asaj çfarë kishte mbetur për t’u rikuperuar.

-2-

Përpjekja e Rektorit nuk ka qenë asnjëherë ekskluzivisht e lidhur me përpjekjen për një institucion arsimor në Kosovë; ka qenë shumë më tepër se kaq. Përpjekja e tij ka simbolizuar të mundurën në këtë vend – pra përpjekjen për transformim shoqëror në dëm të uzurpatorëve e analfabetëve që na kapin e mbajnë të kapur tash e sa vjet.

Këtë kapje, të njëjtit uzurpatorë, e ushtrojnë me procedura tërësisht demokratike (në libra e teori) – por pa demokraci në pikat kyçe të procesit; aty ku edhe kurorëzohet mbrapshtia. Kështu, të njëjtit, duke u thirrur në procese demokratike e të paradefinuara, rrënojnë secilin princip kyç të demokracisë. E bëjnë këtë duke zhveshur këto procese nga të gjitha karakteristikat morale, etike e të mbarësisë – pa të cilat demokracia nuk ka dhe kuptim.

Kështu, në momentin e parë që vendimmarrës të një këshilli apo trupi gjyqësor janë njerëz që aktivisht janë provuar në parti politike, kanë shfaqur publikisht e vazhdojnë të shfaqin ende preferenca partiake, atëherë më nuk bëhet fjalë për përpjekje të drejtë – pavarësisht se cilën procedurë ndjekë e cilën letër mbushë me “tika”, por për bëhet fjalë për ndikim të interesave grupore a klanore – me motive e implikime partiake e politike. Procedurat e tilla janë të replikuara gjithandej sot. Në borde, agjenci, trupa quasi të pavarur politik. Thuajse Kosova nuk ka mjaftueshëm individë të papërfshirë, të ditur e me integritet, që në fund mund dhe të japin një mendim të drejtë. Të drejtë për interesin e këtyre taksapaguesve, të rëndë për gjithë uzurpatorët aty.

-3-

Universiteti i Prishtinës merr çdo vjet rreth 30 milionë euro para të taksapaguesve kosovarë; nga të cilat, 22 milionë janë vetëm paga. Për këtë fakt, ai mbetet dhe interes i grupeve të ndryshme që përtej plotësimit të defekteve intelektuale që i kanë, provojnë që me kapjen e këtij institucioni të sigurojnë edhe një të ardhme të qetë financiare – për veten natyrisht.

Për të siguruar këtë qetësi, individë ish-politikë të akomoduar si udhëheqës departamentesh e fakultetesh – që në paraqitjet e tyre as shqip nuk shkruajnë mirë (kujtoni emërtimet “dekanë” që i bëjnë vetës), ndërtojnë grupe ndjekësish përreth. Këta janë rëndom studentë të përjetshëm, me probleme serioze në mësimnxënje. Studentët e tillë, që arritjen më të madhe në karrierë e kanë daljen në foto me një figurë mediokre të partisë, organizohen në grupe studentore, jo më për të shërbyer ndonjë qëllimi për kualitet, por për të mbrojtur të njëjtit “pro-e-sorë” që i mbajnë si padron e shembull të arritjes eventuale të tyre karrieriste. Kaq ua kapë mendja.

Kështu, të dy grupet bashkë, përbëjnë dhe një Senat. Të dy grupet bashkë, promovojnë edhe avancime e tituj akademikë pa fije kriteresh, pa fije përpjekjesh, pa fije angazhimi akademik apo kontributi shkencor. Të dy grupet bashkë provojnë dhe provime shtesë, regjistrime shtesë, lista shtesë – falje shtesë. Të dy grupet bashkë tregojnë se qëllimi nuk është më dija e mësimnxënja, por është kapërcimi sa më i shpejtë i disa procedurave – që për ta mbesin krejtësisht teknike – për të marrë një privilegj. Mësimdhënësit për të marrë titullin “pro-e-sorë” e mësimnxënësit për të marrë titullin “të diplomuar Mr.Sc.Ing.Bsc - futjakot”; për t’i shtuar shkronja emrave përpara – pa asnjë peshe mbi to. Nuk mërziten asnjëri. E tëra çfarë kanë në mend, të gjorët, është marrja e privilegjit e shitja e autoritetit mbi ato pak grupe familjare e shoqërore që i rrethojnë, kur të ju vjen rendi për fjalë në ndonjë odë.

-4-

Proces i tolerimit dhe promovimit të uzurpatorëve, tregon se Kosova është në një krizë intelektuale – dhe në një theqafje politike. Në krizë intelektuale sepse përpjekjet e individëve për të bërë mbarësi, eventualisht do të pengohen nga një sistem i tërë individësh pa integritet e pa guxim për të menduar drejtë e barabartë për të gjithë. Përtej të gjithave, humbja e rektorit, qoftë edhe si formë e përkohshme, dëshmon se sa i vetmuar mbetet secili që provon të ndryshoj diçka këtej. Të lënë vet;  politika, intelektualët, taksapaguesit, secili vetëm për veti. Një shoqëri pasive e pranuese e mbrapshtisë nuk prodhon shpresë – prodhon dëshpërim.

Por mbi të gjitha, dëmi më i madh i kësaj shoqërie nuk vjen nga uzurpatorët e mbrojtësit e tyre. Dëmi më i madh i kësaj shoqërie vjen nga mosreagueshmëria e një gjenerate të tërë studentësh, rreth gjashtëdhjetë mijë sosh, të shurdhër e të painteresuar për të mbrojtur veten. Kështu e kupton se ky vend nuk ka më puls që bën reagimin. Se janë të topitur të gjithë, edhe atëherë kur bëhet fjalë për fatin e tyre jetësor – dijen. Ç’është e vërteta, këta dhjetëra mijëra spektatorë të fatit të tyre, të tillët që tolerojnë një grusht analfabetësh mësimdhënës e rrahagjoksësh t’i dërgojnë për në theqafje, nuk meritojnë as ato copë letra që i thirrin diplomë. Padituria e përjetshme nga “fabrika e paditurisë” është shpërblimi më meritor i tyre. Të rrinë të padije e të papunë!

Por në këtë fat nuk guxojmë t’i lëmë gjeneratet e tjera; fëmijë të shkollave që nesër përfundojnë si lëndë e parë në këtë “fabrikë paditurie”. Për hir të tyre sot duhet marrë anë. Anë për një ide që promovon reformën; e ky promovim më nuk ka mes. Sepse, nuk mund të ketë kompromis në mes të plagjiatit e origjinalitetit, kualitetit e kapërcimit, intervneimit e meritës. Nuk mund të ketë kompromis me analfabetët e uzurpatorët. Ka vetëm një përfundim për ta – është largimi.  

Prandaj, betejës për reformë duhet shkuar deri në fund. Nuk mjafton më vetëm rikuperimi i një gabimi, dhe me këtë edhe tërheqja e vërejtjes se mund të shkarkojmë sa herë që prishë pazare politike. Por duhet shkuar deri në fund; deri në largimin përfundimtar të uzurpatorëve të arsimit.

Ky largim do të hapte rrugë për njerëz të rinj, individë me integritet e dije, që do të promovonin mjetet më moderne shkencore sot – jo më doktoratat me luftëra për një grykë diku në Kosovë – por me një kulturë të re arsimore, kërkimore e shkencore këndej. Kjo kulturë e re arsimore do të niste një cikël të ri perceptimi mbi arsimin, ku puna e jo pjesëmarrja ka rëndësi. Në këtë rrjedhë, ky vend do të mund të nxirrte gjenerata të reja që nuk kërkojnë më status-quo e shkel e shko, por kërkojnë ngritje e përmirësime të vazhdueshme. Nga ta do të lindë një brez i ri reformatorësh në secilën sferë tjetër të organizimit tonë shoqëror.   

Kjo klasë politike nuk ka vetëm obligim moral, por edhe ligjor e institucional – para së gjithash, kërkesë qytetetare  –ç’kapjen e arsimit dhe largimin e të padobishmëve nga aty. Rektori i tanishëm është një fillim i mirë në këtë drejtim; të tjerët do të vijnë pas tij.



Monday 19 October 2015

NJË OPOZITË E HUMBUR, NJË POZITË E NDARË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 TETOR 2015

Pavarësisht të gjithave, ndonëse argumentet mund të mbesin të qëndrueshme, promovimi i anarkisë në demokraci mbetet i papranueshëm. Për këtë zgjedhje argumentuese opozita meriton refuzim. Ky refuzim nuk nënkupton përkrahje për pushtetin – siç mund ta interpretojnë fantazitë e trishta të komisarëve – por nënkupton mendim ndryshe që ushqen mbrojtjen e Republikës; për aq sa mund të mbrohet nga anomalitë politike.


-1-

Gëzimi e shpërthimi kolektiv rreth kualifikimit të parë të Kombëtares shqiptare për në Evropian, nuk do të zgjaste shumë; por për aq sa zgjati, megjithatë i rikujtoj qytetarëve këndej faqen tjetër prapa zymtësisë. Ishte e mahnitshme. E ky vend ka kohë që merr pak ose fare lajme të mira. Ato të paktat, që vijnë rrallë e për mallë, munden nga të tjera ndodhi të rënda, secila më e rëndë se tjetra. Kjo vazhdimësi e marrjes konsekutive të ndodhive e goditjeve të rënda – të vogla e të mëdha pa dallim – duket se ka amortizuar secilin reaksion tonin; në përmasën sa që ky vend mund të prodhonte secilën marri publike, e të mos merrte asnjë reagim moral apo fizik. Mbesim të topitur të gjithë.

Dhe kur reaksioni ndodhi, ai u bë – dhe vazhdon të bëhet – në formën më të rrezikshme të mundshme – me dhunë. Kjo dhunë, pavarësisht arsyeve e motiveve, ka vendosur gjithë vendin tonë në një spirale teposhtëze, ku asgjë s’mbetet më e sigurt. Rrjedhimisht, të gjitha çështjet me interes për Republikën janë vënë në rend të fundit; parësore mbesin fjalimet e paraqitjet patetike, hipokrite e gjithsesi paranoike herë të njërës palë e herë të tjetrës.

E fakti se kjo Republikë sillet në kufij të një shpërthimi – për motive tërësisht partiake e të pushtetit – tregon mjaft për derexhenë tonë. Jemi në duar të një grusht politikanësh në pozitë e opozitë; kemi mbetur veçse spektatorë. Madje dhe na flasin në emrin tonë – populli thonë don kështu. Cili popull? Shumë shpejtë mund të jetë tepër vonë për të përcaktuar fijen e fillimit, se kush e nisi e kush jo; shumë vonë për të përcaktuar të fajshmin. Shumë shpejtë mund të merremi me pasojat e humbjes së gjithë ëndrrës kolektive që kishim si shoqëri për shumë kohë. E do të jetë tepër vonë.

-2-

Ngjarjet e javëve të fundit tregojnë për dy fotografi të çoroditura që pengojnë rrjedhën institucionale këndej. Në rend të parë të këtij pengimi mbetet opozita. Dy partitë më të vogla opozitare tashmë kanë shkrirë gjithë identitetin partiak – aq sa kishin – tek partia e madhe opozitare, tek Lëvizja Vetëvendosje pra. Kjo, në anën tjetër, ka bërë disa vite hapa pas, për tu kthyer tek mjetet dhe metodat e politikëbërjes që e kishin mbajtur atë të parëndësishme për shumë kohë. Ka hequr dorë nga transformimi e hapja ndaj aktualitetit politik në vend dhe jashtë, ka hequr dorë nga konsolidimi i brendshëm me ide të reja, e ka hequr dorë nga argumentimi faktik. Ka zgjedhur, në vend të kësaj, konfrontimin; fizik, me armë e vezë nuk ka më dallim.

Lëvizja Vetëvendosje, rrjedhimisht, është transformuar në një grup të margjinalizuar, e vetme kundër të gjithëve – dhe e projektuar në përputhje të plotë me dëshirat perverse të disa axhamive revolucionarë e të komisarëve filozofikë (nga Shqipëria) që, thënë të drejtën, kanë për të marrë në qafë gjithë këtë grup individësh që megjithatë – në kohën sa bënin argumente – kishin sens shumë. Në këtë transformim ata kanë gjetur të nevojshme e të domosdoshme edhe konfrontimin me secilin tjetër që nuk pajtohet me ta. Për mendjet e tyre konfrontuese e margjinalizuese, secili kritikues i formave të tyre mbetet i ndërlidhur me pushtetin disi. Në mënyrë të organizuar e sistematikisht, ata futen në paranoja, në ndërtime tregimesh e supozimesh – në skenarë sa të frikshëm aq edhe të mjaftueshëm për ndonjë skeç fiktiv; gjithsesi pa shije. Natyrisht në këtë vijë u vendosën të gjithë. Miq e mbështetës të vjetër, që deri dje bënin betejën publike kundër pushtetit bashkë me ta, u bënë të ligë, tradhtarë dhe natyrisht – në përputhje me skeçin që kishin – me pushtetin. Nuk u mbet më askush i mirë.

Ç’është e vërteta, njerëzit e njëjtë që sot nuk pajtohen me formën e adresimit të problemeve nga opozita, mbesin njerëzit më aktiv që kjo shoqëri ka pasur ndonjëherë në ndërtimin e masës kritike – dhe opozitare – këndej. Janë të vetmit kritikues e kundërshtues me rezon (në formë e argumente) kundër pushtetit. E nëse asgjë tjetër, ndryshim për ndryshim qëndrimi e mendimi, kanë bërë pikërisht të njëjtit gulçues revolucionarë që sot na renditen me të njëjtit që kishin – bashkë me këta kontribuues jopartiak – betejën publike para disa kohe; rreth buxhetit, autostradës, nepotizmit, krimit, hajnisë e tenderave. Dymbëdhjetë muaj më pas, të njëjtit kontribuues mbajnë të njëjtat qëndrime për ta; çfarë nuk mund të thuhet për gulçuesit që i mbajnë në krah.

-3-

Mospajtueshmëria me të tjerët mendues ndryshe, një imitim pra i pushtetit e i pushteteve më parë, ka për t’i kushtuar shumë opozitës. Por, për grupet revolucionare që kanë kapur opozitën këto ditë – e me këtë kanë tërhequr edhe individë që presupozohen si të ndritur e ditur për sens e logjikë – kjo ka pak rëndësi. Grupet e tilla vetëmjaftohen me viktimizim e përballje, sado që zvogëluese në përkrahje mund të jetë ajo. Kështu ata mobilizojnë disa aktivistë në zyre, e disa të tjerë në rrjete sociale; por asnjëherë masën qytetare.

Prandaj dhe masa qytetare nuk u doli asnjëherë në krah. As atëherë kur i ftuan para Parlamentit, as këtë javë para stacionit policorë në Prishtinë. Ftesa e bërë, që provohet të minimizohet (sepse nuk u përkrah) u refuzua. Në krah këtyre thirrjeve dolën vetëm disa militantë – dhe atë të tri partive opozitare.

Grupet militante, natyrisht, janë të mjaftueshme për të ushqyer dhunë e anarki ndaj secilit institucion publik në vend. Mjaftojnë disa dhjetëra individë për të trazuar një qytet. Dhe ky aktivizim, në kthim, mund të nxjerrë në pah një reagim tjetër dhunues nesër nga pushteti. Dhe kur dhuna parëzohet me dhunë, pasojat me jetë ose jo mbesin në fatin e probabilitetit.

Pavarësisht të gjithave, ndonëse argumentet mund të mbesin të qëndrueshme, promovimi i anarkisë në demokraci mbetet i papranueshëm. Për këtë zgjedhje argumentuese opozita meriton refuzim. Ky refuzim nuk nënkupton përkrahje për pushtetin – siç mund ta interpretojnë fantazitë e trishta të komisarëve – por nënkupton mendim ndryshe që ushqen mbrojtjen e Republikës; për aq sa mund të mbrohet nga anomalitë politike.

Sepse ky vend megjithatë duhet të mbajë nivelin e diskutimit në kornizat e vijave të kuqe. Kjo kornizë nënkupton marrjen e vendimeve me shumicë. E marrja e vendimeve me shumicë nënkupton pranimin e vendimeve edhe kur nuk pajtohesh me to. Siç dhe argumenton Keneth Arroë në “teoremën e pamundësisë” të tij, nuk do të ketë asnjë sistem votues që do të kënaqë secilën preferencë të secilit individ. Por mund të ketë një sistem që kënaqë shumicën e preferencave të shumicës. Është detyrë e opozitës që shtrojë kundër-argumente e bindë qytetarët deri në ciklin tjetër zgjedhor; kur matet me votë. Nëse argumentimi ka qenë i mirë dhe i mjaftueshëm, merr pozitën dhe bën ndryshimin.

Nëse pritja për sistem zgjedhor është e vonshme, le të thirren qytetarët në përkrahje. Jo për të hedhur gurë, djegur vetura e krijuar anarki, por për të treguar sa individë janë të gatshëm të mbështesin kërkesat e tilla. Nëse, të njëjtit mbesin të pamjaftueshëm, pra jo të interesuar për aktivizim, atëherë opozita nuk ka asnjë argument për kundërshtim.

Ndërlidhja e të drejtës së pakicës me luftën çlirimtare të zhvilluar këndej, është sa patetike aq edhe e trishtë. Kjo paralele që ndërlidhë institucionet e vetë-zgjedhura të Kosovës me institucionet e imponuara të regjimit të Millosheviqit thërret drejtpërsëdrejti për konfrontim lufte civile; për çfarë shumë të etur sot pas pushtetit edhe janë në nevojë. Në rrethana të ndryshme kohore trajtimi i të drejtës së pakicës mbetet jo i njëjtë. Një pakicë e okupuar nga një i huaj nuk mund të argumenotjë njëtrajtësisht të drejtën e saj sikurse një pakicë e një sistemi demokratik e votimit në liri.

Dhe mbi të gjitha, e drejta e vetëdhënë për krijimin e dëmeve, nën arsyetimin se dëmet e mija janë për motive të mira – apo dhe se janë më pak të dëmshme se të atij tjetrit – mbetet e drejtë diktatoriale. Në këtë logjikë, nëse dikush ka bërë tri vrasje, ty të lejohet një – sepse, mbetet më pak e dëmshme se sa paraprakja; dhe sepse ti mendon se ke të drejtë. Pra, gjithkujt i lejohet të bëjë gjithçka, përderisa arsyeton këtë bërje me kundërshtimin e bërjes së parë. Kjo menu alternativash, e dëmeve pra dhe jo e ndërprerjes së tyre, është pikërisht motivi refuzues qytetar këndej. Sepse kur djegë një veturë të prokurorisë, pavarësisht arsyeve perverse që ushqen veten me to, ti i ke bërë një dëm të rëndë publik që pre supozohet si shërbim i qytetarëve. Vetëm të tillët që konsiderojnë se gjithçka e Kosovës është kundër Kosovës, mund të arsyetojnë një veprim të tillë – pavarësisht barazisë me dëmet e mëdha që mund të krijohen ose jo. Të tillë, që bëjnë këtë arsyetim, janë sërish një grusht sosh.

-4-

Aspak më mirë nuk është sot as pozita. Përtej gjithë sjelljeve arrogante që kjo pozitë kishte shpërfaqur në vazhdimësi – që nga dita e parë e punës pra – ajo po tregohet edhe e paaftë që të mbajë institucionet e vendit të sigurta. Kjo paaftësi buron, natyrshëm dhe siç është pritur, nga jonatyraliteti i koalicionit qeverisës. Pikërisht për shkak të këtij jonatyraliteti, pozita vazhdon të ketë qëndrime të kundërta në lidhje me ecjen e mëtutjeshme dhe daljen nga kriza.

Madje, për pjesën më të madhe të kohës, duket se partneri i madh qeverisës PDK, ai që ka shumicën e votuesve këndej por nuk ka qeverinë, është i interesuar që të tolerojë gjendjen e tanishme në vazhdimësi. Nga pozita e vlerësimeve partiake, të ndodhur në rend të dytë, PDK është shumë komfort me një ballafaqim në mes të kundërshtarëve partiak. Për aq sa këta kundërshtarë kanë shpërfaqur qëndrime e vepra muajve të fundit, PDK ka veçse të sigurt fitoren në zgjedhjet e ardhshme – kurdo që të mbahen ato.

LDK në anën tjetër mbetet e pafuqishme për të diktuar këto rrjedha. Madje në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit ajo arrit të japë vetëm lutje e përgjërime drejt Kryetarit të Kuvendit për të bërë një zgjidhje. Kjo çarje e ideve se si të ecët tutje, pra me një LDK që kërkon veprim e një PDK që nuk ndërmerr asgjë, përveç se tregon jounitetin e pozitës tregon edhe fuqinë reale e ekzekutive këndej; dorën në zemër, siç edhe ka qenë e njohur gjithherë.

Dhe në kohë të këtyre paqartësive të pozitës, prodhohen edhe incidente të rastit që nuk mbajnë sens procedural – siç ishte edhe rasti i arrestimit/ndalimit të një deputeti pa një urdhër të shkruar. Motivet për një incident të tillë mund të jenë të çfardoshme, por urdhëresat telefonike e pa shkrim japin sinqerisht një imazh të frikshëm të shtetësisë këndej – jo pak e njohur natyrisht për këto gjashtëmbëdhjetë vjet. E nëse duhet të ketë ndonjë arrestim, për çfardo arsye e ndaj kujdo qoftë, atëherë i njëjti – minimalisht – duhet t’i respektojë procedurat e rregullta; për të dhënë sado pak shpresë e sinjale se megjithatë në kohë të përplasjeve politike ka institcuione që mendojnë drejtë e barabartë për të dyja anët.

-5-

Pavarësisht të gjithave, një mbetet e sigurt. Përderisa pozita vazhdon të thërrasë seanca, dhe nuk është e gatshme (për motive të brendshme) t’i siguroja ato, do të ketë bllokim institucional dhe përplasje. Kjo përplasje mund të kalojë dhe në rrugë; ndonëse, sërish, për bindjet e mija, në të do të marrin pjesë vetëm militantët e rendit të parë të partive opozitare. Gjithsesi mjaftueshëm për të bllokuar gjithçka.

Në këtë vijë mbesin tri alternativa. E para, dhe më e pranueshmja, do të ishte zgjedhja e problemeve të ngritura në dialog. Dialogimi do të thoshte natyrisht dhe heqje dorë nga qëndrimet e pozitës – pra kompromis me kërkesat e opozitës e jo bindje e mendimeve të opozitës. Sado i duhur të jetë si mjet në këto kohë të rënda, nuk shoh as gatishmëri e as pranueshmëri vendore e ndërkombëtare për një trajtim të tillë.         Së paku jo në këtë kohë. Sepse opozita refuzon uljen pa tërheqje të nënshkrimit, e pozita refuzon negocimin e nënshkrimit.

E dyta,            më e rrezikshmja, që pozita të provojë sigurimin e deputetëve në Parlament, dhe me këtë të nisë një ballafaqim edhe fizik me opozitën. Ky ballafaqim do të kalonte në rrugë; përfundimi i të cilit natyrisht se mbetet ti padefinuar. Në një rast ekstrem, në përkrahje të pozitës , si reagim ndaj grupeve të opozitës, mund të dilnin dhe grupet militante të tyre – e që janë shumicë. Pjesa tjetër e tregimit do të mbetej e rëndë.

E treta, jo larg mundësive, që populli të flet. Ky zë mund të jepet në dy forma. E para, nëpërmjet zgjedhjeve, dhe e dyta nëpërmjet referendumit. Legjitimimi i një vendimi nga shumica, nuk do të ishte fare jodemokratik, e edhe më pak i pamundshëm. Fatkeqësisht, shkuarja në zgjedhje apo dalja në referendum, mund t’i shtyjë e vonojë proceset integruese të Kosovës; por, ç’është e vërteta, edhe me rrjedhat e tanishme politike, një vonesë e tillë është pothuajse e garantuar.


Monday 12 October 2015

UZURPATORËT E ARSIMIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 TETOR 2015

Ky sistem uzurpuesish nuk duron ndryshimin. Sepse ndryshimi, ç’është e vërteta, nënkupton krijimin e vlerës. E në vlerë, këta uzurpatorë, nuk kanë më vend. Sepse ata aty nuk janë për vlerë. Janë për shkak të fuqive uzurpuese që sistemi i gjashtëmbëdhjetë viteve të fundit ka pasur për parim. Prandaj dhe kërkojnë ta mbajnë e mbrojnë këtë sistem.

-1-

Do të jetë mesiguri ndër rastet më të rralla – për mos të thënë të vetmet – ku një fushë e bërë lëmsh provohet të ringritet sot në Kosovë; e kam fjalën për Universitetin e Prishtinës pra. Dhe ky rast, njëkohësisht, përbën modelin më të zakonshëm të përballjes mes së mirës kosovare dhe gjithçkaje tjetër uzurpuese e rrënuese në Kosovë. Është një maketë në miniaturë e gjithë përpjekjes në shoqërinë tonë; një test laboratori siç do ta thonin shkencëtaret.

E në rast se e mira, në këtë model, triumfon ndaj uzurpatorëve, atëherë triumfi i Kosovës ndaj të shkuarës së saj së hidhur bëhet i mundur. Eksperimenti do të rezultonte me sukses. Ky triumf natyrisht se nuk ka për të qenë i lehtë; në të vërtetë, gjasat e triumfit ndaj kapësve e gjithë sistemit defektoz të tyre që ka prekur e kontaminuar secilën pjesë tjetër, janë minimale. Prandaj dhe sot njeriu gjenë pak përballje si kjo. Sepse, alternativa e përballjes së tillë është flirtimi me uzurpatorët – rrjedhimisht shpërblimi për flirtim. Këtë rrugë të dytë kanë zgjedhur të ditur e të paditur tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht.

Por këtë rrugë nuk kishte zgjedhur Ramadan Zejnullahu ditën që ishte vënë si Rektor. Këtë rrugë nuk kishin zgjedhur as anëtarët shumicë të Këshillit Drejtues ditën që bënë Zejnullahun Rektor. Kjo pakicë kishte zgjedhur konfrontimin me uzurpatorët shumicë. Dhe kjo zgjedhje nuk kishte për të qenë e lehtë. Dhe në vijim, asnjërit nga anëtarët e Këshillit Drejtues përkrahës të Rektorit në fjalë, nuk u ishte vazhduar mandati. Mandati u ishte vazhduar vetëm kundërshtuesve të tij. Të njëjtin fat largues e linçues do ta kishin edhe ata pak akademikë universitarë që kishin zgjedhur përballjen në fjalë.

-2-

Trajtimi e largimi i tillë është rezultat tipik i modelit uzurpues në fjalë. Uzurpatorët e arsimit, sikurse në secilin sistem tjetër, kërkojnë nënshtrim; kërkojnë mosndryshim, pra kërkojnë statu-quo. Sepse ky mosndryshim u jep atyre qëndrim të qetë, përfitime mjaft e fuqi plot – punë e madhe, për ta, që nuk ecë asgjë në edukim. Punë e madhe, për ta, që prodhojmë të papunë me nga një copë letre në dorë. Punë e madhe, pra, që gjenerata të tëra mbesin analfabetë modernë.

Ky sistem uzurpuesish nuk duron ndryshimin. Sepse ndryshimi, ç’është e vërteta, nënkupton krijimin e vlerës. E në vlerë, këta uzurpatorë, nuk kanë më vend. Sepse ata aty nuk janë për vlerë. Janë për shkak të fuqive uzurpuese që sistemi i gjashtëmbëdhjetë viteve të fundit ka pasur për parim. Prandaj dhe kërkojnë ta mbajnë e mbrojnë këtë sistem.

Dhe rrjedhimisht, për secilën rezistencë me kompetencë, ata kanë një antidot idiot. Kanë studentë, politikanë e akademikë – në u thoshin ashtu – që, sërish për shkak të shpërblimit për flirtim, zgjedhin bërjen e argatit për dreqin e të birin.

-3-

Më të veçuarit janë studentët dhëmb-kërcëllues që kërkojnë ulje të kritereve. Këta margaritarë të absurditetit është mirë t’i lësh të flasin vet. Tregojnë mjerimin e qëndrimeve që shtrojnë. E mendoni dot? Kërkojnë kritere më të ulëta, mundësi kalimi e kapërcimi më shumë, vlerë testuese më pak – e në fund, kinse për kritere – kushte mësimi më shumë. Dhe gjithë këtë kërkesë e paketojnë – e këtu përfundon mjeshtëria e tyre – me parime Evropiane. Për çfarë Evrope flasin këta?

Evropa nuk ka afate provimesh çdo muaj vetëm pse je absolvent. Evropa nuk ka lotari testimi e gjetje përgjigjes vetëm pse i je nënshtruar të njëjtit provim 20 e kusur herë. Në 20 e kusur herë edhe gjasat e probabilitetit të futkotizimit të favorizojnë kalimin. Evropa matë testin me një e dy herë; po je për dije ecë tutje, nuk je për të, nuk përfundon me domosdo në diplomë. Diploma nuk është letër e garantuar vetëm pse ndjekë ligjërata tre vjet. Diploma është certifikim i dijes. Po nuk e pate dijen, nuk e merr. Po e more pa dije, s’të bën punë hiç. Në fund sërish mbetesh i pa punë sepse ka një autoritet tjetër që megjithatë kërkon dije – i thonë shef e i thonë punë.

Mbi të gjitha, nuk ka asnjë universitet në botë, nuk ka pasur asnjë shoqëri ndonjëherë, dhe s’do të ketë asnjë njeri me minimalisht dy-tri mend, që ka kërkuar ulje të kritereve në arsyetimin e plotësimit të cilësisë.  Ka të mjerë e individë të paditur sa të duash e gjithandej, ka dallavergjinjë e përfitues defektesh – por ama ata këtë punë e bëjnë fshehtë. Nuk shfaqin gjithë marrinë publikisht.

-4-

Studentët protestues të kritereve më pak janë vetëm mjet. Drejtues janë uzurpatorët akademikë – në u thoshin ashtu – që kanë kapur njësitë akademike gjithandej. Këta individë, të mbështetur nga politika, kërkojnë kthimin në gjendjen e mëparshme, ku plagjiatura, vjedhja e mashtrimi ishin vlera. Sepse në vlera e valuta si këto, në plagjiat, vjedhje e mashtrim, uzurpatorët mund të shesin mend.

Ç’është e vërteta, pjesa më e madhe e drejtuesve të tillë – sikur të kishte pak shtet këndej – do të duhej të ishin nëpër banka gjyqësore sot, për të dhënë përgjegjësi për lëmshet ekonomike të bëra në kohën e ushtrimeve të posteve ministrore. Pjesa më e madhe e tyre, ish-politikanë të përjashtuar nga votuesit por të mbajtur nga sistemi kapës këndej, janë të ndërlidhur ngushtë me proceset më të dëmshme të bëra ndonjëherë në vend. Dëmin, që duket se e kanë pjesë integrale të angazhimit të tyre, e kanë përcjellë për shumë kohë edhe në Universitet.

Këta rrënues e pengues të secilës reformë, do të provojnë tregimin e muskujve e nxitjen e treguesve të tjerë muskujsh në vazhdimësi. Këtë praktikë e kanë treguar në vazhdimësi e sistematikisht në secilën ngritje kundër Rektorit dhe ekipit të tij që nga dita e parë e ardhës së tij. Kishin nisur me organizata të dala nga lufta, me veteranë e komandantë të tjerë – me studentë nënshtrues të uzurpatorëve të tillë, e në fund me akademikë universitarë të transformuar në shërbëtorë pa integritet. Nga shitësit e listave e deri tek analfabetët e tjerë, të gjithë përbëjnë një ushtri uzurpatorësh që muiltiplikohet gjithandej; në secilin sistem.

-4-

Në kohë të marrive e marrëzive kolektive, rastet e individëve që i vihen përballë së keqes janë veçse mrekulli. Ndodhin rrallë. I tillë është edhe qëndrimi i Rektor Zejnullahut përballë analfabetëve, kapësve e trushpëlarëve universitarë tash e sa kohë. I ka lodhë. Dhe mu për këtë, e për të saten herë, ai është vënë nën sulmin e po të njëjtëve analfabetë që kanë mbetur pa fuqi e janë zënë në siklet.

Nëse kjo shoqëri ka një fije respekti për veten sot dhe një fije vullneti për të tjerët nesër, atëherë ajo duhet të rreshtohet në krah të individëve që i vinë si mrekulli; në krah të Rektorit këtë herë. Ai s'bën të lihet vetë. Jo se ka rëndësi një çështje dite e tij, por se ka rëndësi kauza që një individ si ai simbolizon. E nuk ka kauzë më të madhe për këtë vend se sa bërja e shembullit se e keqja është e mundshme të mundet. Përballja e Rektorit, me të tillët, është një rast i mirë për këtë.

Sot, intelektualë, akademikë universitarë me integritet, taksapagues e qytetarë të thjeshtë duhet të rreshtohen kundër uzurpatorëve dhe muskujve të tyre fizik e politik që provojnë të tregojnë. Ata duhet të mbrojnë universitetin fillimisht, dhe me këtë Republikën përfundimisht. Ky vend nuk ka luksin e humbjes së kësaj beteje. Sepse po e humbi, do të humbasë edhe guximin e motivin për të nisur e përfunduar të tjera. Sot në edukim, nesër në gjyqësor, polici, ushtri, shëndetësi – e përfundimisht në politikë.

Mbi të gjitha, sot, mijëra studentët e UP-së, duhet të ngrihen kundër pakicës që i uzurpon. Nëse këta studentë duan që e nesërmja të sjellë një vlerë për mundin që kalojnë, për kohën e vitet që i kapërcejnë sot, atëherë ata duhet të refuzojnë e dënojnë uzurpimet e thirrjet për devalvim. Në të kundërtën, nëse të njëjtin tolerojnë dhe humbasin një mundësi të mirë për reformë, atëherë le t’i grisin e humbin gjithçka që marrin nga aty – natyrisht, përfshirë dhe vet diplomën. Nuk ju vlen as për vlerë pune, e as për të arsyetuar emrin student.



Monday 5 October 2015

MBI DOMOSDOSHMËRINË E TRANFORMIMIT ORGANIZATIV TË BIZNESEVE KOSOVARE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 TETOR 2015

Për Kosovën, dhe karakteristikat e moshës së bizneseve këndej, vitet në vijim janë esenciale për të determinuar vazhdimësinë e bizneseve të mëdha. Për shkak se këto biznese, pra pjesa më e madhe e tyre, kanë arritur kufirin biologjik të gjeneratës së parë të themeluesve, ato do të ndodhen përballë domosdoshmërisë së transformimit para trashëgimit. Me nivelin e ulët të interesimit për qeverisje korporative në biznese si këto, me gjithë kulturën e këndejme për bërje të biznesit, dhe mbi të gjitha me një ambient të rëndë biznesi, ky transformim mbetet i vështirë.


-1-

Për shumë vende të zhvilluara e në zhvillim, bizneset familjare përbëjnë formën më të zakonshme e më të rëndësishme të bërjes së biznesit. Për pjesën më të madhe të vendeve nëpër botë, kontributi ekonomik i bizneseve familjare arrin deri në 90% të vlerës së Bruto Prodhimit Vendor. Të njëjtat biznese krijojnë deri në 80% të vendeve të punës në sektorin privat; përfaqësojnë deri në 95% të bizneseve të gjithmbarshme; e rreth 85% e bizneseve fillestare nisin punën me para e kontribut familjarë. Pra, bizneset familjare, në formë e kontribut, janë ekzistencialisht të lidhura me zhvillimin e sektorit privat.

Do të duhej të ishte njëjtë edhe për Kosovën. Në numra dhe është. Rreth 85% e aktiviteteve ekonomike në sektorin privat, ushtrohet sot pikërisht nga bizneset familjare. Dallimi, megjithatë, në mes të Kosovës dhe vendeve të zhvilluara e në zhvillim është në masën e krijimit dhe ushtrimit të strukturave të mirëfillta korporative tek këto biznese, të njohura mbarësisht si parimet e qeverisjes korporative. Pra, përderisa për shumicën e vendeve të zhvilluara, bizneset familjare ndërtojnë struktura të pavarura korporative, ndjekin parime të përcaktuara korporative, tregojnë pra njëmend besim në struktura korporative, në Kosovë, qeverisja e tillë shihet si e dorës së dytë.

Dhe ka një problem me këtë trajtim. Të kujtojmë se bizneset familjare, sado të mëdha e të vogla të jenë ato, reflektojnë përgjatë gjithë kohës motivimin dhe përkushtimin e familjes për rritje. Rrjedhimisht, ato edhe mund të rriten shpejtë mu për shkak të këtij dedikimi – dhe për faktin se mbajnë gjithë profitin për veten; për familjen pra. Por, pavarësisht rritjes së shpejtë të tyre në fazat e para të zhvillimit, vetëm një pjesë e vogël e bizneseve familjare – jo më shumë se 15% – i mbijetojnë transformimit së trashëgimisë tek gjeneratat e ardhshme. Dhe këtu fillon problemi. Gati 8 nga 10 biznese familjare qe trashëgohen tek gjeneratat e tjera, nuk mbijetojnë. Sipas një punimi të publikuar në vitin 2012, nga autorët Gilzar dhe Wang, pjesa më e madhe a bizneseve familjare shuhen apo zvogëlohen rrënjësisht në kalimin tek gjenerata e dytë apo e tretë e themeluesve. Trashëgimia e biznesit rezulton me zvogëlim e mbyllje të biznesit pikërisht për shkak të mungesës së një sistemi efektiv korporativ, që bizneset familjare nuk e instalojnë asnjëherë.

-2-

Ka shumë arsye prapa mos instalimit të sistemit korporativ në biznese familjare. E para, dhe më e rëndësishmja, një sistem i tillë kërkon burokraci. Për natyrën e lehtë operuese të bizneseve të tilla, ndjekja e procedurave e parimeve mund të shihet si humbje kohe. E dyta, po aq e rëndësishme, sistemi korporativ pavarëson ndërmarrjen nga themeluesi e pronari. E bën pra pronarin, më pak të involvuar në punët e vendimet ditore të biznesit. Për shumë pronarë tradicionalë, ndarja nga biznesi është e vështirë, e frikshme dhe e pasigurt; rrjedhimisht e padëshiruar. E treta, ka pak njohuri – sidomos në Kosovë – për rëndësinë e qeverisjes korporative edhe në biznese familjare. Kjo mungesë njohurie është gjithsesi e ndërlidhur me kulturën e gjithëmbarshme të të bërit biznes këndej.

Gjithsesi, një regjim e një kornizë e qeverisjes korporative, siç dhe ka dëshmuar pra jetëgjatësia e bizneseve familjare nëpër botë, është i domosdoshëm poqesë pronarët e sotshëm mendojnë të ndërtojnë një krijesë afatgjate; shumë më të madhe se sa ta, me jetë shumë më të gjatë se ta. Sepse, përfitimet nga një trajtim i tillë janë të mëdha. Së pari, parimet e qeverisjes së tillë ndihmojnë thellësisht në planifikimin për menaxherë e pronarë. Me pensionimin apo vdekjen e pronarit të parë, biznesi transferohet tek trashëgimtarët. E nuk ka goditje më të rëndë për një biznes se sa ikja apo largimi i themeluesit. Bizneset kanë dëshmuar rëndom mbijetesën ndaj ndryshimeve tekonologjike e të tregut, por jo edhe aq të trashëgimisë. Siç dhe argumentova më parë, për pjesën më të madhe të bizneseve nëpër botë, rreth 85%, kjo ikje është fatale. Transferi në gjeneratën tjetër e humbet vizionin, e humbet konceptin e biznesbërjes, si dhe e humbet linjën e qartë të autoritetit. Në këtë frymë, është e domosdoshme ndërtimi i mekanizmave që menaxhojnë ndërmarrjen për kohën sa pronari themelues është i involvuar në biznesin familjar. Këto struktura, të pavarura e mirë të themeluara, trashëgojnë më pas konceptin, vizionin e autoritetin në vazhdimësi.

E dyta, një qeverisje e mirë korporative ndanë pronarin prej menaxhmentit. Kjo ndarje nënkupton përfshirjen e njerëzve të rinj – pa konflikte interesi me themeluesit – që marrin kompetenca ekzektuive të ndërmarrjes. U thonë menaxherë profesionistë. Se a ka të tillë apo jo në Kosovë mjaftueshëm është çështje tjetër. Se janë të domosdoshëm, gjithsesi. Sepse, me një ndarje të tillë nuk lidhet më fati e kapaciteti i ndërmarrjes me fatin apo kapacitetin e pronarit, por ndërlidhet me fatin e kapacitetin e shumë njerëzve. Ky organizim natyrisht se nuk e përjashton pronarin e themeluesin nga procesi i vendimmrarjres, por e bën vendimmarrjen një proces të organizuar e afatgjatë.

E treta, vendosja e një strukture korporative në biznese familjare, shmangë konfliktet e interesit brenda anëtarëve të familjes; sidomos brenda atyre që pretendojnë në mënyrë të barabartë menaxhimin e biznesit. Konflikte të interesit në mes të anëtarëve të familjes lindin sidomos kur disa janë të angazhuar në aktivitetet ditore të biznesit, e të tjerët vetëm në marrjen e dividentës.

E katërta, dhe jo më pak e rëndësishmja, rritja e bizneseve kërkon përmirësim të proceseve menaxhuese. Kërkon definim të procedurave e politikave, të vendeve të punës, e organizimit kompleks, të marrjes në punë e largimit nga puna. Ky përmirësim natyrisht se arrihet me instalimin e parimeve të qeverisjes korporative.

-3-

Përgjatë vitit 2015, si pjesë e angazhimit të Qendrës për Ndërmarrësi Private Ndërkombëtare (CIPE) dhe Riinvest, kishim zhvilluar një anketë me 50 biznese të mëdha të Kosovës; të cilat ishin përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga një listë prej 200 bizneset më të mëdha në vend – në pronësi familjare pra. Qëllimi i intervistimit të tyre ishte skanimi mbi implementimin e parimeve të qeverisjes korporative tek to.

Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve të përzgjedhura, rreth 44%, kishin qarkullim vjetor nga 1 deri në 5 milionë euro; rreth 13% kishin qarkullim nga 5 deri në 10 milionë, ndërsa rreth 28% e tyre kishin qarkullim mbi 10 milionë. Pjesa e mbetur kishte më pak se 1 milionë euro qarkullim vjetor. Gjysma e bizneseve të përzgjedhura eksportonte jashtë; madje rreth një e treta e të hyrave të tyre vinin nga tregjet e jashtme. Numri mesatar i të punësuarve në këto biznese ishte 198 punëtorë.

Të dhënat e intervistimeve me pronarët e top menaxherët e këtyre ndërmarrjeve, tregonin se rreth 70% e këtyre bizneseve familjare (më të mëdhajat në vend) kishin një Bord të Drejtorëve. Sa për rikujtim, jo të gjitha bizneset familjare – të mëdha – janë të obliguara me ligj në Kosovë të kenë një Bord. Gjithsesi, të gjitha ndërmarrjet me përgjegjësi të kufizuara obligohen për një gjë të tillë. Rezultatet e anketës tregonin se rreth 14% e bizneseve familjare me përgjegjësi të kufizuara, ani pse të parapërcaktuara me ligj, nuk kishin Bord të Drejtorëve apo ndonjë strukturë të ngjashme me të.

Pjesa më e madhe e të anketuarve, rreth 48% sosh, kishin borde me 1 deri 3 anëtarë, 40 të tjerë me 4 deri në 6 anëtarë; pjesa e mbetur nga 6-7. Në mesatare, një biznes familjar i madh në Kosovë ka Bord me vetëm 3.5 anëtarë. Sipas një punimi të publikuar në vitin 2014 nga Russell Reynolds Associates, bizneset e njëjta, nëpër vendet e Bashkimit Evropian kanë mesatare shumëherë më të lartë të anëtarëve. Kështu, në Gjermani, mesatarja është 8.9 anëtarë, në Francë 8.8 e në Spanjë rreth 6.9 anëtarë. Mesatarja e BE-së është 7.4 anëtarë, përafërsisht 4 anëtarë më shumë se sa tek ne. Meqë bëhet fjala për top bizneset kosovare, motivet financiare të angazhimit të anëtarëve nuk mund të qëndrojnë. Janë kryesisht motivet e mosinteresimit për strukturë korporative që bën një diskrepancë të tillë.

Rezultatet e intervistimit tregonin se për 44% të rasteve në bzineset familjare në Kosovë, Drejtori Ekzekutiv – apo menaxheri kryesor i ndërmarrjes – është vet pronari. Në 40% të rasteve të tjera, Drejtori Ekzekutiv nuk ishtë anëtar i familjes. Në disa raste të dhëna, madje, kishte dhe ngatërrim të kompetencave. Kryetari i Bordit ishte Drejtori Ekzekutiv – që rëndom mbetej pronari. Pra kishte një komplikim të roleve mbikëqyrëse, ku i mbikëqyruri mbikëqyrte veten, Pasojat e një dualiteti të tillë janë të detajizuara në Studimet e Jensen (1993), Pi dhe Timme (1993), dhe Goyal dhe Park (2002).

Praktikat evropiane e ndërkombëtare tregojnë gjithashtu se me rritjen e konkurrencës, mbledhjet e bordit duhet të mbahen një herë në muaj. Në këtë formë, anëtarët e bordit – pra individë të pavarur dhe pa konflikte interesi – do të kenë informacione të sakta për rrjedhat e ndërmarrjes. Rezultatet e studimit në fjalë, tregonin se bizneset familjare kosovare qëndrojnë mirë në këtë drejtim. Rreth 66% prej tyre i mbajnë takimet një herë në muaj, 26% çdo 3 muaj, e 3% dy herë në vjet; pjesa e mbetur më pak se aq.

Gjithsesi, sipas vështrimeve të të intervistuarve, këto takime ishin më tepër informale e shpeshherë edhe sa për sy e faqe. Këto zakonisht ndodhin sepse pjesa më e madhe e anëtarëve të Bordit kanë kompetenca ekzekutive në ndërmarrje.

-4-

Trashëgimia e biznesit mbetet një çështje esenciale në trajtimin e bizneseve familjare. Dhe në këtë temë, pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha në Kosovë duket se janë në pikë kritike. Sipas vetëdeklarimit të tyre, nga të gjitha bizneset e intervistuara, rreth 65% kanë menaxhment të gjeneratës së parë (35% të gjeneratës së dytë). Pjesa më e madhe nga ta janë në treg për mbi 20 vite, e se menaxhmenti i tanishëm është afër pikës së pensionimit; që rrjedhimisht nisë fazën e transformimit. Dhe në këtë pikë, rreth dy të tretat e bizneseve të intervistuara tregojnë se ndonëse kanë intencë të trashëgimisë tek gjenerata tjetër – kryesisht tek familjarët e tyre – ata nuk kanë asnjë plan të përgatitur (apo dhe të shkruar) për një transferim të tillë. Pra nuk dinë se si do t ëbëhet trashëgimia, dhe çfarë do të ndodhë me biznesin e tyre pas trashëgimisë. E gjitha mbetet pjesë e një diskutimi të përgjithësuar; gjithsesi të lidhur ngushtë me ndjenjën emocionale për trashëgimi, dhe rrezikun e frikën nga një hap i tillë.

Në përgjithësi, pjesa më e madhe e pronarëve e themeluesve të këtyre bizneseve nuk kanë njohuri të mjaftueshme as për vështirësitë e transformitit e as për rëndësinë e qeverisjes korporative. Ata problemin e transformimit e rangojnë me notë 3.8, nga gjithsjetë 10 (ku 10 është shumë e vështirë), e që është konsiderueshëm – dy herë – më ulët se sa vlerëismi i njëjtë nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

-5-

Për Kosovën, dhe karakteristikat e moshës së bizneseve këndej, vitet në vijim janë esenciale për të determinuar vazhdimësinë e bizneseve të mëdha. Për shkak se këto biznese, pra pjesa më e madhe e tyre, kanë arritur kufirin biologjik të gjeneratës së parë të themeluesve, ato do të ndodhen përballë domosdoshmërisë së transformimit para trashëgimit. Me nivelin e ulët të interesimit për qeverisje korporative në biznese si këto, me gjithë kulturën e këndejme për bërje të biznesit, dhe mbi të gjitha me një ambient të rëndë biznesi, ky transformim mbetet i vështirë.

Kjo vështirësi natyrisht se nuk bën lajm të mirë as për vendin, i cili, megjithatë ka nevojë për biznese të mëdha që u bëjnë garë e konkurrence bizneseve tjera të mëdha nga jashtë; sidomos kur një pjesë e madhe e këtyre bizneseve janë edhe biznese eksportuese. Në këtë vijë, është esenciale që bizneset e mëdha e familjare këndej, të kuptojnë rëndësinë e qeverisjes korporative dhe ndërtimit të strukturave që krijojnë një vijimësi e jetëgjatësi për bizneset e tyre; për t’iu shmangur natyrisht numrave të dështimeve pas trashëgimisë.

Sepse, nëse 85% e bizneseve familjare nëpër botë zvogëlohen e shuhen pas trashëgimisë – veçanërisht tek gjenerata e tretë – atëherë nuk ka si e pse të jetë më ndryshe këndej. Për t’i ikur një gjase të madhe si kjo, është i domosdoshëm transformimi në kohën kur pronarët themelues janë aktiv në biznes. Së paku kështu, ata mund të trashëgojnë dijen, motivin, autoritetin e kulturën e biznesit tek trupat e mirë-organizuar e institucionalizuar të biznesit – që i japin rrjedhimisht biznesit më shumë jetë.