Friday 30 September 2016

SI TË NISIM EKONOMINË NË TRI HAPA

Letra nga limbo
30 SHTATOR, 2016

Parashikimet e Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Ballkan, tregojnë për një rrugëtim të ngadalshëm të Kosovës në vitet në vijim. Në të vërtetë, Kosovës do t’i duhen hiq më pak se 32 vite për të arritur Kroacinë, e plot 72 për të arritur një mesatare evropiane. Kosovës, pra, i duhet një rrugë krejt tjetër. Dhe nisja e kësaj rruge, kërkon marrjen e tri hapave makro.

-1-

E para, të ç’varemi nga konsumi; të varemi nga investimet. Shoqëria jonë është konsumuese. Blejmë gjithçka, investojmë pak. Sot, e gjithë ecja jonë ekonomike, varet nga konsumi. Rrija jonë ekonomike, ajo rritje e vogël prej 2-3%, nxitet prej konsumit. Konsumi, që kjo shoqëri bartë, është barrë. Barrë derisa s’bartim ecjen në investime.

Në tri ciklet e fundit qeveritare, Kosova ka pasur rritje prej konsumi, rënie prej investimeve. Për sa herë rrisnim pagat para zgjedhjeve, për sa herë shumëfishonim përfitimet nga publiku, për sa herë nxirrnim mëditje e paga për grupe të privilegjuara, ne rrisnim konsumin.

Investimet, në anën tjetër, ishin rrumbullakuar vetëm rreth atyre publike. Dhe, për të keqen tonë, përreth rrumbullakimit publik, ato mbaheshin për një projekt të vetëm – për një rrugë të dhënë, një autostradë. Autostrada s’kishte për të multiplikuar rritjen. Investimet private, ndërsa, ishin në rënie. Në rënie më të madhe mbesin ato të jashtmet të cilat janë përgjysmuar nga plot 400 milionë sa i kishim në vitin 2008, në veç 200 milionë në vit sa i kemi sot.

Dhe cikli duhet të nisë nga e kundërta. Pra të nisim me rritjen e investimeve të jashtme. Jo duke kundërshtuar secilën ide që na vjen në vend – siç bëjmë tani; por as duke sjellë secilën ide këndej – siç ka ndodhë deri më tani. Kjo shoqëri ka prirje për të kërkuar investitorë humanitarë – jo ndërmarrës që duan profit; dhe ka prirje për të sjellë tugjarë, jo ide që sjellin vlerë e punë. Shihni për pak skepticizmin që na shoqëron përpara secilës iniciativë investuese. Jemi në gjendje të plakemi mbi thëngjill, por mos të pranojmë asnjë nismë që shfrytëzon thëngjillin.

E njëtrajtësisht duhet nisur ciklin e investimeve individuale. Për të bërë këtë na duhet ulja e normave të interesit – jo për veç për biznese ekzistuese siç ndodhë tani, por për ide të reja, e inovative. Për të ulë normat e interesit na duhet të funkcionalizojmë gjykatat. Sepse siguria e tregut mbetet arsyeja kryesore prapa normave të larta. Për të funksionalizuar gjykatat e sjellë siguri në treg, na duhet çkapja. Për çkapjen dhe domosdoshmërinë e saj, kam shkruar më shumë se për gjithçka tjetër; s’do të marr hapësirë më shumë këtu. Pra çkapja, sjellë gjykata, gjykatat sjellin siguri, siguria ulë koston e kapitalit, ulja e kostos së kapitalit sjellë invesitme, investimet sjellin rritjen e kërkuar që rrugën e gjatë për një standard normal, në rastin më të mirë, e përgjysmon.

-2-

E dyta, të ç’varemi nga importi, të varemi në eksport e zëvendësim importi. Shoqëria jonë, secilin vit, importon plot 2.5 miliardë euro. Eksporton, hiç më shumë se 300 milionë. Një disbalanc i tillë, ku ekpsortojmë vetëm sa një e dhjeta e asaj që imporotjmë, është paralizues.

Ne s’mbajmë paranë në vend. Një euro qëndron shumë më pak kohë në Kosovë se sa në secilin vend tjetër në rajon. Një euro e njëjtë në Kosovë do të duhej të përdorej nga shumë akterë; por s’ndodh ashtu sepse përfundon shpejtë jashtë – tek origjina e produkteve që i konsumojmë. Në të vërtetë, edhe paratë që ne marrim nga diaspora, ato 700 milionë remitenca që i marrim për vit, i kanalizojmë nëpër të njëjtat rrugë që na vjen importi. Marrim nga Gjermania e Zvicra, i përcjellim për në Serbi e Maqedoni.

Dhe cikli i zgjidhjes së problemit duhet të nisë nga dekonstruktimi i strukturës së tanishme ekonomike; nga sektorët e tanishëm pra. Sepse kjo strukturë s’ka potencial për të ndryshuar ngërçin ekonomik në të cilën jemi futur tash e tetë vjet.

E struktura e tanishme dekompozohet, po u fillua të mbështetet një pltaformë, që krijon e stimulon industri – le të themi – krejtësisht të reja për tregun tonë. Pra Kosovës i duhet një “silicon valley” ku infrastruktura, bankat, financierët, bizneset e mëdha, ideaotrët e kreatorët bëhen në një vend dhe krijojnë ide e biznese të reja. Ky krijim më pas shitet jashtë. Kjo shitje jashtë krijon eksport. Eksporti sjell paranë brenda. Paraja brenda sjell brumë për më shumë investim.

-3-

E treta, të ç’varemi nga analfabetizmi e “diplomo-mania”, për të kaluar në aftësim. Pra të punojmë në anën e ofertës. Të rinjtë e rejat tona seç kanë një mani për të marrë një copë letre që – në fund të ditës – nuk sjell punë. Por s’kanë asnjë lloj tendence që të marrin aftësi, sepse aftësi nuk prodhon sistemi jonë i arsimit.

Sistemi i arsimit, në të vërtetë, është platformë për mbajtjen e të papunëve, si të papunë në shkollë, për një kohë pak më të gjatë. Ky sistem, madje, në defektin e tij më të madh është jashtë secilës rrjedhë rajonale.

Shihni për pak industritë e reja që po marrin formë nëpër Evropën Juglindore; industri të nisura nga një super transformim i sistemit edukativ në vende si këto. Rumania e Bullgaria janë bërë shembuj të një shpërthimi masiv të inxhinierisë softuerike dhe eksportit të produkteve si këto. I thonë “in-source” – meqë bëhet nga Evropa; një formë e zëvendësimit të “out-source” që bëhej deri vonë nga India e Kina. Kosova ka secilën predispozitë të bëjë një gjë të tillë.

Në të vërtetë, bizneset e karrierat me potencialin më të madh rritës tek ne janë pikërisht në fushën e programimit edhe sot. Pagat më të larta janë mu në këtë sektor. Kërkesa më e lartë për punë lind mu në këtë sektor. Por Kosova s’ka shkolla, e as universitete, që ofrojnë në masë programerë e inxhinierë të softuerikes. Ka, sërish, kurrikula të vjetra, mësimdhënës – konsideratë për përjashtimet – të paditur, e vizion zero në këtë drejtim. Ne ende mbesim të ngërthyer nga drejtime e degë që mbushin tregun përlot.

Dhe aftësimi nuk kërkon domosdoshmërish nxitjet tek, siç morra veç një shembull, programimi. Aftësimi kërkon edhe saldues profesional, teknikë të tjerë, zdrukthëtarë e përpunues të zot; pra edhe për industri me vlerë më të ulët të shtuar.

Monday 26 September 2016

DALLDI KOLEKTIVE

Letra nga limbo
23 SHTATOR 2016

Sikur pleqtë tanë të merrnin pensione të dinjitetshme; familjet tona të shëroheshin në spitale moderne; të rinjtë tanë të udhëtonin pa viza; studentët të edukoheshin mirë për punë; sikur fëmijët tanë të ishin të sigurt nga plumbat që fluturojnë nëpër rrugë e sheshe – ndoshta dhe do të kishim luksin e trajtimit të simbolikës; të kishës me tulla e luftës paranoike. Por se kemi ama. Sepse pleqtë tanë marrin lëmoshë; spitalet i kemi pa penj; shkollat me analfabetë përplot; të izoluar jemi gjithandej - e sheshet e lira që i mbajmë si të tillë janë bërë arena gangsterësh e horrash përditë.


-1-

Ky vend ka afinitet të merret me gjëra të parëndësishme; të bëjë pra temë kolektive ide e çështje që në mënyrë periferike, në raste të rralla madje, zënë vendin në tryezën diskutuese të një familjeje mesatare kosovare. Dhe në magjiken e vendit tonë për të prodhuar sentimente mbi simbolika, u shtrua dhe trajtua edhe çështja e Kishës në kampusin universitar.

Në këtë trajtim, si gjithmonë, nuk munguan zërat ultranacionalistë që nivelin e lartë të hormoneve të pubertetit të vonuar të tyre e shpërfaqin me gulçima e klithma neveritëse. Dhe neveritëse do të ishte ideja e rrënimit të kësaj kishe – në idenë klasike rrënuese pra, ku makineri të rënda para turmave ekzaltuese turbofolkësh aktivistë, rrënojnë një objekt prej tullash me një kryq sipër. I paimagjinueshëm dhe i parikuperueshëm do të ishte dëmi i pamjeve të rrënimit të një kishe, nga një vend me shumicë myslimane, që dërgon – siç po na e thonë – për kokë banori më së shumti luftëtarë në ISIS në vit. Secili shpjegim mbi sentimentin e drejtë që kosovarët kanë ndaj këtij objekti, si rikutim i shtypjes së Millosheviqit, do të bëhej i parëndësishëm. E rëndësishme, dhe primare, do të mbetej thirrja e Serbisë, dhe aleatit të saj kryesoj Rusisë, se Kosova është vend i terrorit dhe terroristëve, dhe se përpjekja shqiptare, është religjioze e jo kombëtare – apo në fund të ditës nuk është njerëzore e qytetare.

Kosova fatkeqësisht nuk ka zgjidhje të mirë të largimit të trashëgimisë së Millosheviqit. Por ka, megjithatë, ide që i afrohen mjaftueshëm mirësisë së trajtimit të kësaj problematike. E para, dhe më e rëndësishmja, do të ishte mos marrja me këtë çështje fare tani. As që kemi rend e as që kemi pozicion imazhi për ta trajtuar atë tani. E dyta, jo më pak e largët, është transformimi i kishës në një objekt që rikujton periudhën e shtypjes së Millosheviqit. Dikush i kishte vënë emrin muze. E treta, dhe jo më pak e mundshmja, është bartja e objektit, tullë më tullë, në një lokacion tjetër.

Në të gjitha rastet, duhet pasur parasysh se thirrjet e Kishës Serbe se prona në kampus është e saja, duhet trajtuar mbi bazën ligjore të Ahtisaarit dhe Kushtetuetës së Kosovës, ku të gjitha vendimet e transformime të periudhës së Millosheviqit, trajtohen nën parimin e diskriminimit – rrjedhimisht nuk merren për bazë. Në të njëjtin parim Kosova kishte refuzuar dhe borxhin ndërkombëtar të marrë nga regjimi serb  në emër të Kosovës; në të njëjtën logjikë mund të refuzojë transferimin e pronës së Universitetit në pronë Kishe.

-2-

Diskutimi kolektiv mbi kishën – e temat e ngjashme si kjo – ka kohë që po eklipsojnë problemet bazike të kosovarëve. Sikur pleqtë tanë të merrnin pensione të dinjitetshme; familjet tona të shëroheshin në spitale moderne; të rinjtë tanë të udhëtonin pa viza; studentët të edukoheshin mirë për punë; sikur fëmijët tanë të ishin të sigurt nga plumbat që fluturojnë nëpër rrugë e sheshe – ndoshta dhe do të kishim luksin e trajtimit të simbolikës; të kishës me tulla e luftës paranoike. Por se kemi ama. Sepse pleqtë tanë marrin lëmoshë; spitalet i kemi pa penj; shkollat me analfabetë përplot; të izoluar jemi gjithandej - e sheshet e lira që i mbajmë si të tillë janë bërë arena gangsterësh e horrash përditë.

Dhe në vend të diskutimit e angazhimit për tema si këtë, fukarallëku ynë i ideve plotësohet me muhabete koti. Muhabet koti ishte dhe paralajmërimi për luftë i liderit nën hije të “Lëvizjes Vetëvendosje”, Kurtit.

Nuk kam asgjë kundër idesë së përgatitjes ushtarake të Kosovës. E bën secili shtet sot nëpër botë; do të duhej ta bënim dhe ne, konform kapaciteteve tona financiare e nevojave për siguri. Buxhetet ushtarake të plot vendeve zënë vendin më të lartë në shpërndarjen e parasë publike. Por ama, janë shtetet që bëjnë këtë gjë. Shtetet pra, jo individët. Dhe diskutimi i luftës në cilësimet e individëve e jo të shtetit – pra kur ke shtet, ushtri, polici, inteligjencë e forca të tjera të sigurisë – ato që i kemi e ato që po këta anëtarë Parlamenti i kanë ndërtuar nëpër vite – mbesim diskutime të huqura e të vonuara për hiq më pak se 17 vjet. Është e pakuptimtë të mbajmë në një anë shtet, e të presim në anën tjetër mobilizime civilësh. Shteti nuk është lojë; si lojë fatkeqësisht po trajtohet nga të gjithë.

Një mendësi e tillë vjen mesiguri nga bindja refuzuese e shtetësisë së Kosovës, dhe mospranimit të idesë se Kosova është shtet. Së këndejmi, Kosova provohet të shihet siç është parë 17 vjet më parë; kur s’kishim shtet; kur pritjet ishin mbi kushdo që mundet; çfarë të mundet. Në rrethana si këto, lufta e Kosovës konceptohet si luftë regjionesh e mahallash; jo luftë e shtetit. Sepse lufta e shtetit nuk pranon qetësi në Prishtinë e përballje në Dukagjin. Lufta e Kosovës, shtet e Republikë, nënkupton mobilizim të organizuar, për aq sa vlenë organizimi në luftë. Lufta e Kosovës, mbi të gjitha, nuk nisë për një mëhallë. Në emër të Kosovës, si shtet për luftë, do të flasin të gjithë qytetarët e saj, jo vetëm disa.

Mbi të gjitha, diskutimi i sotshëm për luftë para tw gjitha temave tw tjera, është tregues se sa keq është e ngatërruar një pjesë e opozitës në vete. Dhe ky ngatërrim bëhet edhe më i rëndë kur një pjesë e madhe e individëve brenda opozitës, rreshtohen me automatizëm pas çdo deklaratë të liderit të tyre – suprem. Është e pabesueshme se si mendje intelektuale, të ngritura e mjaftueshëm kritike (që dalin se s’janë), ndryshojnë brenda natës bindjet që kanë dhe bëhen mbrojtës të ideve që as s’i kanë menduar, as s’i kanë besuar – e s’kanë për t’i besuar asnjëherë. Gadishmëria e militantëve për të ndjekur liderin për çdo deklarim, mund dhe të pritet. Por mendjet e pavarura kur ndjekin një rrugë të tillë tregojnë se sa të trushpëlarë po bëhen për secilën ditë.



Monday 19 September 2016

KORRUPSIONI SI PERCEPSION DHE FAKT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 SHTATOR 2016

Percepsioni i qytetarëve nuk është fantashkencë. Qytetarët megjithatë reflektojnë. Shohin teksa fëmijët e familjarët e tyre mbesin të papunë sepse s’kanë të afërm që sistemojnë pa “kunkuru”. Studentët e studentet më të mirë në vend përfundojnë të papunë, përderisa fëmijët e politikanëve shëtisin nga një vend pune në tjetrin pa asnjë problem.

-1-

Sa herë që flitet për matjen dhe vlerësimin e korrupsionit, duhet bërë qartë një vijë ndarëse në mes të percepcionet dhe përvojës me të. Ndonëse të dyja dallojnë ndërmjet vete në gjetjen e vlerës aktuale të aktiviteteve korruptive në një vend, ato kanë – megjithatë – pasojë të njëjtë; rrënimin e relacionit me sistem. Për shumë kë, për të thënë gjërat drejtë, percepsioni nuk amplifikon aktivitetin korruptiv. Për shumë kë, percepsioni është matës korrekt i korrupsionit në një vend. Qytetarët, në fund të ditës, nga përvoja vetanake apo komunikimi me të tjerë, ndërtojnë vlerësimet dhe bindjet mbi shëndetin e sistemit të tyre. Dhe në vija si këto, ndërtohet dhe indikatori më i njohur botëror, prodhuar nga “Transparancy International” e njohur si “Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit”. Pra perceptimi është element i rëndësishëm llogaritës në luftën anti-korrupsion.

Këtë javë, në kuadër të Institutit Riinvest, si pjesë e një aktiviteti rajonal, prezantuam të dhënat e një ankete me 1000 qytetarë kosovarë, mbi percepcionet, praktikat dhe pritshmërinë e tyre rreth korrupsionit. E njëjta anketë, me të njëjtën metodologji, ishte zhvilluar edhe në njëmbëdhjetë shtete të tjera; në Bosnje, Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi, Turqi, Moldavi dhe Rumani. Mbi të gjitha, e njëjta anketë ishte zhvilluar dhe në vitin 2014 – çfarë bënte të mundur krahasimin në një trend kohorë. Anketa në fjalë ishte zhvilluar gjatë muajve shkurt-mars të këtij viti; pra, në pritshmërinë e secilit llogaritës, nuk merrte parasysh skandalin e fundit “Pronto 2”. Rezultatet e reja, po të mateshin sot, domosdo do të jepnin një pasqyrë dhe më të rëndë.

-2-

Dhe rezultatet ishin të trishta. Fillimisht, në krahasim me vitin 2014, qytetarët e Kosovës raportonin se ishin përfshirë më shumë në aktivitete korruptive – se kishin dhënë pra ryshfet më shumë. Përderisa në vitin 2014, rreth 20.4% e kosovarëve ishin dhënë ryshfet, në vitin 2016 kjo përqindje ishte rritur në 21.9%. Proporcionalisht më shumë ishte rritur dhe presioni – apo kërkesa – për ryshfet. Derisa në vitin 2014, rreth 23.4% e kosovarëve kishin deklaruar se nga ta ishte kërkuar ryshfet, në vitin 2016 plot 27.4% raportonin një gjë të tillë. Pjesa më e madhe e atyre që kanë pranuar se kanë dhënë ryshfet, rreth 14.3% kanë deklaruar se këtë gjë e kanë bërë në formë të të hollave. Rreth 12.8% kanë deklaruar se kanë bërë dhurata; e rreth 13.3% se kanë kthyer favore të ngjashme.   

Një trend si ky dëshmon një pasqyrë tjetër; krejt ndryshe nga percepsioni pra që merr sot aq shumë kritikë. Tregon se çdo i pesti kosovar, brenda një viti, në një rast të dhënë jep ryshfet. Tregon gjithashtu, se kërkesa për ryshfet po bëhet e zakonshme. Se korrupsioni po bëhet normë shoqërore në Kosovë; qoftë brenda institucioneve që sistematikisht kërkojnë e bëjnë presion për korrupsion, si brenda qytetarëve që janë të gatshëm të japin për korrupsion. Pra ka një kërkesë për ryshfet, dhe ka një gadishmëri për ofertë të ryshfetdhënies.

Dhe fakti më i trishtë në këtë relacion qëndron në gatishmërinë e kosovarëve për të qenë të ndërlidhur në aktivitete korruptive. Rreth 48% e kosovarëve, sipas rezultateve në fjalë, kanë deklaruar se do të pranonin ndonjë lloj të praktikës korruptive – po qe e domosdoshme dhe formë e vetme e marrjes së qëllimeve. Sa për krahasim, kjo përqindje është rritur nga 42% sa ishte dy vite më parë. Një krahasim mes vendeve tregon se pranueshmëria e kor­rupsionit në Kosovë është e lartë në krahasim me pran­ueshmërinë e korrupsionit në vendet e tjera të Evropës Juglindore. Të renditura në bazë të përqindjes së popullsisë që pranojnë forma të ndryshme të korrupsionit, Kosova renditet si vendi i dytë me popullsinë më tolerante ndaj korrupsionit, me vetëm Shqipërinë e cila rendit një pozitë më lartë.   

-3-

Pjesa thelbëësore e të dhënave ndërlidhej me vlerësimin e mjedisit të korruposionot – pra me perceptimet e qytetarëve rreth mendimit politik dhe besimit të tyre në praktikat qeveritare. Dhe në këtë renditje, pozitën më të rëndë sa i përket percepcionet mbi korrupsion e barte Qeveria e Kosovës; pasuar nga Kuvendi, Gjykatat, Prokuroria, Qeveria Komunale e Hetuesia. Institcuionet më pak të korruptueshme – siç i shihnin qytetarët pra – ishin Forca e Sigurisë, Presidenca (anketa ishte zvilluar në kohën e Presidentes Jahjaga), Banka Qendrore e Kosovës, Policia dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kosovarët besoni se Ministrat, zyrtarët nëpër ministri, deputetët e Parlamentit, Gjykatësit – si dhe zyrtarë te lartë të partive politike në vend – janë njerëzit më të korruptuar në Kosovë. Sipas rezultateve të anketës, më shumë se 60 për qind e të anketuarve besojnë që korrupsioni është i përhapur mes të gjithë ose shumicës së zyrtarëve publik.

Pra, ka një thyerje enorme të besueshmërisë, nga qytetarët në relacion me pothuajse të gjitha institcuionet vendimmarrëse, ekzekutive e ligjore në vend. Dhe është mu kjo thyerje që shkakton dhe distanicmin e kosovarëve nga shtetit i tyre. Është e pamundur që në nivele të tilla besuehsmërie të lindë shpresa, bashkëpunimi e sinergjia në këtë vend. Dhe për të krijuar një cikël të ri besimi, për të nisur një cikël të ri ngritjeje, hapi i parë që duhet bërë është në mbajtjne përgjegjegjës të figurave më të larta politike në vend – të atyre që konsiderohen si të paprekshëm.

Percepsioni i qytetarëve nuk është fantashkencë. Qytetarët megjithatë reflektojnë. Shohin teksa fëmijët e familjarët e tyre mbesin të papunë sepse s’kanë të afërm që sistemojnë pa “kunkuru”. Studentët e studentet më të mirë në vend përfundojnë të papunë, përderisa fëmijët e politikanëve shëtisin nga një vend pune në tjetrin pa asnjë problem. Kosovarët shohin dhe kuptojnë mirë nevojën për ryshfet në administratë e shëndetësi. Kuptojnë domosdoshmërinë e korruptimit po qenë në biznes. Percepsioni pra para se të hudhet poshtë tërësiht duhet të pranohet si i qenë. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, e përgjigja e parë duhet të jetë arrestimi e mbajtja përgjegjës e tallësve publik. Tek atëherë do të nisë një rend i ri besimi; një rilindje e Republikës për të cilën kemi nevojë aq shumë.

Monday 12 September 2016

NË MËSHIRË TË KAPËSVE DHE REFUZUESVE REPUBLIKANË

Letra nga Limbo
KOHA DITORE, 9 SHTATOR 2016

Duket se Lëvizja është futur në një rrugë që s’di nga të dalë. Sepse s’arrinë të kuptojë një fakt tërësisht të thjeshtë – se Kosova është e kosovarëve. Se kosovarët s’e shohin Republikën e tyre si imponim, por si produkt të vetin – madje më të suksesshmin.


-1-

Mjaftoj një ndeshje futbolli, e Kombëtares së Kosovës, për të kuptuar madhësinë e urrejtjes ndaj Republikës nga projektuesit anti-republikanë. Në ditën më të rëndësishme të historisë së futbollit kosovar, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në kualifikimet për Botëror, lideri i partisë më të madhe opozitare në vend, i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte zgjedhur ndasinë dhe provokimin. Kishte nisur me injorimin e tërësishëm të ngjarjes, kishte vazhduar me trajtimin e pavarësisë së Kosovës si diçka provinciale, e kishte përfunduar në vogëlsinë e axhamillëkut – e gjitha për t’i ushqyer pak militantë revolucionarë; për të hidhëruar përplot votues potencial. Një vetëvrasje e tillë politike ishte munduar të përmbyset shpejtë nga bashkëpartiakët, kryesisht ish FER-istë që provonim megjithatë të shfaqnin të natyrshëm – gëzimin dhe ndjenjën e triumfit për shumë gjenerata kosovarësh.

Në esencë, reagimi futbollistik do të mbetej tërësisht i parëndësishëm, sikur pas këtij reagimi të mos ndodhej një platformë shpërbërëse e Republikës që artikulohet nga një kanal opozitar; pra një ide që pavarësinë e Kosovës, të vetmen gjë që na bën krenarë sot, e sheh si diçka provinciale.

-2-

Dhe ka diçka të tmerrshme në këtë llogaritje hesapesh nga projektuesit anti-Republikanë; të cilën do ta provojë ta dekonstruktojë në disa hapa. E para, në strukturën logjike të mendimit, u promovua ideja e bashkëngjitjes së lojtarëve kosovarë në Kombëtaren e Shqipërisë; dhe si rrjedhojë lënien në mëshirë të Kombëtares së Kosovës. U tha, më mirë një fitore se sa dy barazime. Në të vërtetë, më mirë do të ishte dy fitore se sa një; por, poqese, në logjiken e ndarjes, maksimumi do të ishte vetëm një fitore – sepse jemi të ndarë – atëherë sërish s’bëhet mirë. Më mirë se një fitore e një humbje janë dy barazime. Këtë s’po e them unë, e ka thënë John Nash. I thonë “Nash Equilibrium”. Për këtë është nderuar me Çmimin Nobel e autorit që nga atëherë i kanë vënë emërtimin “mendja e bukur”. Pra, në ekuilibrin “Nash” për të dy pjesëmarrësit bashkë, po që se u panë të dy të barabartë, zgjidhja optimale është përbashkësia e grupit – ndaras – e jo përfitimi veç i njërës palë.

Por këtu, e dyta pra, dhe qëndron problemi. Sepse në idenë e bashkimit të anti-Republikanëve tanë, nuk qëndron trajtimi i pabarabartë me Kosovës dhe Shqipërisë. Komisarët trushpëlarës nga Tirana e eurokrem patriotat axhami tanë edhe i kuptoj – ani se nuk i mirëkuptoj. Të parët vuajnë nga domosdoshmëria e nënshtrimit kosovar; të fundit nga nevoja për t’u nënshtruar nga llafazanë që flasin bukur shqip. Por ama, pabarazia në bashkim s’është rrugë për bashkim. Është rrugë për aneksim. Këta pra promovojnë aneksimin e Kosovës. Bashkimi do të nënkuptonte afrim të barabartë në mes të ndarëve. E barazia do të nënkuptonte se të dy palët kanë të drejtë të thirren në patriotizimin e përfaqësimit. Pra, në rast të barazisë, do të ishte shumë normale dhe thirrja për bashkëngjitje të lojtarëve nga Shqipëria në Kombëtaren e Kosovës.

E treta, kush nuk donë Kosovën s’mund t’i dojë shqiptarët. Arritjet e Kosovës plotësojnë arritjet e shqiptarëve. Nuk ka zgjedhje në mes të Kosovës dhe shqiptarëve – janë sinonime; janë të njëjta. Përgjatë gjithë diskursit politik në vend thuajse bëhet garë në mes të “kuq e zi” e “verdh e kaltër”; se po qe me njërën nuk je me tjetrën. Shoqëria jonë ka treguar në vazhdimësi aftësinë e lundrimit nëpër ekstreme – ja me njërin ja me tjetrit. Por rasti i Kosovës dhe flamurit “kuq e zi” s’mund të trajtohen si përjashtuese. Kjo sepse themelet e Kosovës janë mu mbi ngjyrimet “kuq e zi”. Se Kosova, nëse asgjë tjetër edhe me rregullim Kushtetues të mëparshëm, të vitit 1974 ka pasur flamurin “kuq e zi” si të vetin. Se edhe në Kushtetutën e sotshme, definohet si shtet i shqiptarëve - dhe komuniteteve të tjera. Pra, Kosova është shtet i shqiptarëve. Shqiptarët kanë simbolet e tyre kombëtare. Por shqiptarët kanë dhe dy shtete. Rrjedhimisht dhe dy identitete shtetërore. Në këtë vijë, identiteti shtetëror “verdh e kaltër” është pronësi e “kuq e zi”. Pra është derivat i tjetrës; e zgjedhje në mes derivatesh s’mund të ketë.

E katërta, një parti serioze, inkurajon të rinjtë e të rejat që të bëjnë sa më shumë për vendin e vet. U thotë triumfoni; punoni; bëhuni më të mirët – s’u thotë mos luani për shtetin tuaj. Kërkesa për braktisje të përfaqësuesen sonë e lëshimin e saj në mëshirë të kundërshtarëve të jashtëm, të hurit e të konopit, është sa e trishtë aq edhe e pamend. Fatmirësisht Kosova ka vajza e djem që s’lejojnë një gjë të tillë të ndodhë asnjëherë. Mbi të gjitha, sot është akt patriotik forcimi i shtetit të Kosovës; jo kërkimi për zhbërje të tij. Ky shtet sot po luftohet mjaftueshëm nga kundërshtarë shumë më të fortë se ne – nga brenda e jashtë padallim. Sot shteti ynë nuk njihet nga pesë vende të BE-së, e refuzohet nga dhjetëra të tjera. Për këtë arsye është e rëndësishme dalja jonë në arenën ndërkombëtare sa më shpesh e sa më mirë.

E pesta, disa ditë pas skandalit të parë, një zyrtarë i lartë i kësaj partie, po përdorte, besoni ose jo, argumentin e njëjtë që regjimi i Millosheviqit kishte përdorur kundër idesë fillestare të pavarësisë së Kosovës. Ky zyrtarë, në të njëjtën logjikë, argumentonte se Kosova nuk mundë të mbijetojë ekonomikisht si e pavarur; se nuk ka bukë e ujë për vete po qe e pavarur. Dhe se, sipas të njëjtës logjikë mbytëse, ajo do të përfundojë ose nën Serbi ose nën Shqipëri. Një ide e tillë, kaq e prishtë, kaq e ndyrë e kaq e pavërtetë, mbi të gjitha kaq asociuese me idetë e Millosheviqit duhet sot të luftohet nga secili intelektual, patriot e secili dashamirë i Republikës, pavarësisë e përpjekjes së gjeneratave të tëra për shtet.  Sepse s’ka asgjë më të pavërtetë se sa paqëndrueshmëria ekonomike e Kosovës. Nëse asgjë tjetër, Kosova ka secilin resurs e mjet të mundshëm për të ekzistuar e pavarur.

-3-

Projekti i zhbërjes së Republikës do të jetë pengesa kryesore në mes të qytetarëve kosovarë dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Pa definim e pajtim në këtë drejtim, s’do të ketë kurrë afrim e ngritje të tyre për në vendimmarrje. Rasti i fundit, dhe reagimi kolektiv, ishte dëshmi e pastër për secilin që ka sy e mend pak – e që s’është ultra-militant.

Përkundrazi, sepse identiteti i Kosovës shtet është i joni, sentimenti pro Republikan veçse po rritet. Shihni trendet e tetë viteve të fundit. Shiheni dashurinë e përkushtimin për këtë shtet, për pavarësi – që Lëvizja e sheh mjerueshëm si provinciale – nga të rinj e të rejat kosovare. Sa më shumë që internacionalizohet ky identitet, me pjesëmarrje e me medalje, aq më shumë ka për t’u rritur ky sentiment. Pra ka një lundrim në kah të kundërt me sukseset që më të mirët e këtij vendi po synojmë sot. Suksesi i këtyre të mirëve është në korrelacion negativ me platformën e Lëvizjes. Është formulë që destinon dështimin për Lëvizjen; sepse në secilën rrethanë ky vend do të prodhojë sukses. Dhe duket se Lëvizja është futur në një rrugë që s’di nga të dalë. Sepse s’arrinë të kuptojë një fakt tërësisht të thjeshtë – se Kosova është e kosovarëve. Se kosovarët s’e shohin Republikën e tyre si imponim, por si produkt të vetin – madje më të suksesshmin.

Jam plotësisht i vetëdijshëm se në kohë të aferës “Pronto”, në kohë të mbytjes së shtetit nga kapja, krimi e amoraliteti politik, në kohë të mbylljes sonë me jashtë, është luksoze dhe në veçanti e padrejtë trajtimi i një lëvizjeje opozitare. Dhe me të drejtë pjesëmarrësit e saj mund dhe të ndihen të frustruar. Njëkohësisht, jam po aq i bindur – siç dhe kam shkruar tash e gjashtë vjet rresht – se zgjidhja politike për Republikën time e tonën, nuk është në vazhdimin e stilit qeverisës të tanishëm. Është në krijimin enjë opozite e alternative funksionale dhe pro-Republikane. Kjo alternativë, ka gjasën më të madhe të krijohet – siç dhe e pret mendja – në opozitë. Pra s’mund të presësh që pozita të transformojë veten. E përderisa opozita mbanë diskrepancë me dëshirat e qytetarëve, përderisa opozita bën betejën e mullinjve “donkishotianë”, përderisa ajo nuk artikulon zërat e qytetarëve në vend por artikulon bindjet filozofike të individëve, atëherë ne s’kemi opozitë. Dhe rrjedhimisht, kapja e “prontoizimi”, si padyshim e keqja më e madhe dhe më e domosdoshmja për t’u luftuar nga të gjithë, do të vazhdojë.

Opozitarët mund të vazhdojnë avazin e vjetër, të deritanishëm, të pasuksesshëm. Dhe, sërish, sikurse herëve të tjera, do të mbahen përgjegjës nga qytetarët e vet. Do të mbahen sërish në opozitë. Ata mund dhe të vazhdojnë, përkundër këtij verdikti, të ecin në rrugë të njëjtë, siç kanë ecur deri më tani, siç pra s’kanë dëgjuar qytetarët tanë. Mund të vazhdojnë me njerëz të njëjtë, me ide të njëjta, me politika të njëjta. Por kanë për të mbetur përherë të vegjël e në opozitë, s’kanë për të arritur asgjë. Ata mund dhe të nisin beteja me kritikët e jashtëm, sikurse atëherë kur bënë koalicion me hajnat e 80 milionëve e shisnin moral për anti-korrupsion (ku mbetën hajnat tash?) nën arsyetimin e interesave “më të mëdha”. Mund pra të vetëkënaqen në ciklet e tyre inceste të mendimit sa herë të donë. Por, nëse brenda këtyre zërave ka pak logjikë, nëse ka pak sens e vullnet për ndryshim të vendit, atëherë duhet t ëketë dhe vullnet për ndryshim rrënjësor të vetes.

Në thelb të këtij ndryshimi, është pranimi i Republikës me gjithë historinë e saj. Është gëzimi për pavarësi si diçka thelbësore e jo trajtimi i saj si ide provinciale. Është pranimi i simboleve e rendit Kushtetues, përderisa të njëjtat janë votuar nga përfaqësuesit shumicë – përderisa s’ka ndryshim tjetër, përderisa s’bëjmë ndryshim tjetër. Për të bërë një gjë të tillë nuk pres që liderët e deritanishëm të Lëvizjes të ndryshojnë mendje. S’ka për të ndodhur asnjëherë. Pres, megjithatë, të ndërrohen këta liderë. Koha e tyre s’është më.

abdixhiku@facebook.com


Monday 5 September 2016

TË PA AFTË DHE TË RREZIKSHËM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 SHTATOR 2016

Në këtë pikë, më s’di as cila e vërtetë do të jetë e mirë. Ajo, që s’është larg mendsh, se kemi një shtet inskenues e diktatorial, apo tjetra, sërish jo larg mendsh, se s’kemi një opozitë më – se e njëjta është shndërruar në SHIK të ri, në të njëjtin SHIK që vite më parë me zolla, granata e armë kërcënonte jetën e kundërshtarëve politik njësoj.

-1-

Tashmë është e qartë se Kosova po futet në një cikël të ri dhune. Kjo vjeshtë e hershme, zëvendësuese e nisjes së shkollës, është vjeshtë e paralajmërimeve të përplasjeve. Dhe ky paralajmërim vjen për shkak të pamaturisë së palëve në proces; të të dyjave pa përjashtim – ndonëse me intensitet të ndryshëm përgjegjësie. Në njërën anë, Kosova ka një qeveri arrogante dhe të paaftë për të bashkuar e afruar ide. Në të vërtetë është mu për shkak të arrogancës së tyre se pse Kosova ka përfunduar në rend të parë në këtë gjendje. I gjithë procesi do të mund të udhëhiqej me shumë qetësi e rezon sikur kundërshtarët e demarkimit të dëgjoheshin qysh në fillim. Por s’u dëgjuan; u injoruan.

Në anën tjetër, Kosova ka një opozitë që ka apetit të pashpjegueshëm për dhunë e përplasje. Ky apetit shtohet e formohet në veçanti nga komisarë ideologjikë nga Tirana, qëllimi i së cilëve është dobësimi i Republikës e rrënimi i gjithçkaje që kemi provuar të ndërtojmë tash e sa kohë. Ata, në fund të ditës, kanë dhe një atdhe të parë. Në këtë agjendë të tyre, mirë e gjejnë vetën ideologët revolucionarë dhe naivët liberalë.

Dhe në mes të dyve janë “prontoistët”, konvertuesit më të mëdhenj të benefiteve të dhunës e përplasjes në favore të vete. Nën hijen e një Gjykate që po afron, të njëjtit janë në zonën e tyre të konfortit – në paqartësi e rrezik. Është ambient perfekt për notimin e tyre.

-2-

Pra, Kosova në njërën anë ka njerëz të paaftë për shtyrë përpara interesat nacionale, dhe në anën tjetër ka të paaftë për ta mbrojtur atë nga të paaftët e parë. Çfarë Kosova ka është një klasë politike tërësisht e papërgjegjshme dhe tërësisht jokokëçarëse për pasojat që përplasja e tyre mund të japë. Një klasë të rrezikshme pra. Problemi është se të dyja palët mendojnë se bëjnë mirë; se kanë qëllime të mira. Qëllimet e mira të tyre, po qese merren si të mirëqena, po japin rezultate të theqafjes. Sot, nëse asgjë tjetër, s’ka gjë për t’u mburrur me rezultate si këto; përkundrazi, secili që ndahet nga flakavënësit e Republikës është në rrugë të mbarë. Dhe në këtë rrugë vendosën të jenë qytetarët e Kosovës këtë javë kur refuzuan pjesëmarrjen në skenarët e dhunës dhe përçarjes nga politikanët e papërgjegjshëm.

Por përtej idesë se frikshme se fati i Kosovës sot është në duar të arrogantëve, revolucionarëve e prontoistëve, ka dhe një element shtesë që bën gjithë skenën tonë dhe më të tmerrshme. Sot, pothuajse në të gjitha proceset politike e nacionale, fati përfundimtarë varet nga vullneti politik i Beogradit dhe politikës anti-republikane serbe, të shtyrë nëpërmjet Listës Serbe.

Në këtë vijë kishte rënë dhe çështja e demarkacionit. Pra, në një përplasje ndër-shqiptare, janë politikat e Beogradit ato që vendosin për rrugëtimin e vendit tonë. De në këtë pazar shantazhi pra, ka një çmim për t’u paguar. Në kthim të mbështetjes së tyre Kosova duhet të japë diça kundër-republikane. Kjo pagesë është e mundshme vetëm pse shqiptarët e Kosovës janë të ndarë për çështjet me interes nacional. Se nuk janë të aftë të merren vesh për një çështje që duhet të ketë vetëm një të vërtetë.

Kosova sot, në secilin vendim të madh të saj, nisur nga demarkimi e deri tek formimi i ushtrisë, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare – apo dhe vet zgjedhjen e Presidentit – është e varur nga vullneti politik i Beogradit. Ky fakt s’është për festë; është për vajtim e trishtim.

-3-

Në gjithë këtë përplasje mbi demarkacionin, s’ka se si të mos ndalemi në çështjen e sulmit ndaj Kuvendit dhe arrestimet e ndodhura këtë javë. Pra ka një element thelbësor që duhet zbardhur sa më parë. Sepse, në këtë rast, ne kemi dy qëndrime, mirë të theksuara, të palëve të përfshira. Të parët, janë zyrtarët policorë që këmbëngulin, me fakte ende ta pathemeluar mirë, se sulmi terrorist ndaj institucioneve të Republikës ka qenë sulm i organizimit partiak. Të dytët ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, qëndroje në gjithë kapacitetin e tyre politik se sulmi është pjesë e një inskenimi.

Përgjimet kanë dëshmuar se në Kosovë ka një shtet të kapur. Ky shtet i kapur, që prekë prokurori e polici, mund dhe të inskenojë ndaj të pafajshmëve. Mund pra, të shfrytëzojë të gjithë strukturën institucionale për të dëmtuar kundërshtarë politik. E inskenimi ndaj të pafajshmëve kalon secilin parashikim rrezikshmërie në Kosovë; i jep fund shpresës – nëse ka mbetur diçka prej saj më. Inskenimi, po qe i tillë, e shndërron pa asnjë mëdyshje më, Kosovën në një vend diktatorial, të tipit të Putinit në Rusi e Erdoganit në Turqi.

Por ama, fundi i shpresës është i garantuar edhe sikur të arrestuarit të dalin njëmend të fajshëm. Sikur, pra, Lëvizja Vetëvendosje, njëmend të ketë organizuar sulmet terroriste në fjalë. Jo se shpresa është e rrumbullakuar vetëm rreth Lëvizjes Vetëvendosje, por se rrënimi i opozitës – e me terrorizëm ky rrënim është i garantuar – forcon “Pronton”. Pra, aktet terroriste të zollave e bombave nga struktura paramilitare partiake, po qenë të vërteta, veçse kanë për të forcuar e zgjatur jetën e kapësve këndej. Në mes kapësve e granatahedhësve, kosovari do të zgjedh asnjërin, dhe duhet të zgjedhë asnjërin.

Në këtë pikë, më s’di as cila e vërtetë do të jetë e mirë. Ajo, që s’është larg mendsh, se kemi një shtet inskenues e diktatorial, apo tjetra, sërish jo larg mendsh, se s’kemi një opozitë më – se e njëjta është shndërruar në SHIK të ri, në të njëjtin SHIK që vite më parë me zolla, granata e armë kërcënonte jetën e kundërshtarëve politik njësoj. Është gjithsesi e domosdoshme që kosovarët të kërkojnë zbardhjen e secilit argument.