Friday 27 May 2011

KA ME, KA THEE


Reciprociteti i propozuar nga Qeveria është gjithçka tjetër veçse reciprocitet. Është më tepër një klithmë e një vendi që tregohet i pafuqishëm. I njëjti akt ngjanë më tepër në tendencë për të mbuluar hendekun buxhetor se sa në një masë që synon reciprocitetin

“Ka me, ka thee” është një proverb i vjetër në dialektin Suffolkian të shekullit XVI që në esencë shpreh idenë se një e mirë meriton kthim të mirë dhe rrjedhimisht një e ligë meriton dozë të njëjtë ligësie. Shprehje të njëjta ka në çdo kulturë, komb e religjion. Anglo-amerikanët kanë thënien “më kruaj shpinën të kruaj tënden”, meksikanët e kanë “më gudulis, të gudulis”, afrikano jugorët e kanë “zjarr jep, zjarr të jap”, hebrenjtë në Talmud kanë “middah k'neged middah” apo “masë për masë”, Kurani e thotë “jetë për jetë, sy për sy, dhëmb për dhëmb e plagë për plagë ”, derisa Bibla “bë çfarë të bëjnë”. Janë të gjitha këto shprehje të idesë së reciprocitetit i mbështetur mbarësisht në kohë të ndryshme nga ide të ndryshme. Jo se këta popuj, këto fe e këto kultura kanë qenë destruktive e qëllimkëqija, por se principi i tyre mbështeste logjikën se ndaj presionit të njëtrajtshëm palët eventualisht bien në një situatë kur trajtojnë njëri tjetrin me korrektësi gjithnjë e më optimale. 

Në kohët e vjetra të fiseve mongole, plaçkitja ishte bërë akt i zakonshëm në mes të tregti-bërësve. Frika nga plaçkitje vinte këmbimin në zhdukje. Të gjendur para një kolapsi epik e shkatërrues për dy anët, fiset filluan të ri-dizajnojnë mënyrën e këmbimit. Ato filluan të vendosen në brigje të largëta nga njëri tjetri nga ku njëra palë bënte hapin e parë duke dërguar ca të mira në mes. Pala tjetër sillte me vete të mirat e veta e merrte ato tjerat; dhe kështu me radhë deri sa të dy akterët shprehnin satisfakcion dhe ndanin rrugët. Me kalimin e kohës, me shtimin e besimit e bashkimin e interesave, kuantiteti i produkteve të shkëmbyera rritej ndërsa largësia e fiseve zvogëlohej, për të përfunduar dikur në një pazar tipik si të sodit ku këmbimi s’kishte më kufij.

Këtë javë kosovarët mësuan një shprehje të re nga Qeveria mbi reciprocitetin. Ky reciprocitet i ri nënkupton marrjen e ngurtësimit të plotë e dhënien e një klithme. Klithmë më duket ideja e propozuar për kinse reciprocitet ndaj produkteve të Serbisë, Bosnjës dhe Moldavisë, vende këto që nëpër vite kanë ndalë çdo tendencë të bizneseve nga Kosova për të eksportuar apo kaluar transit nëpër tregjet e tyre. Ndonëse dua të përkrah idenë e re të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vënien e një takse doganore mbi produktet e bllokuesve, nuk kam se si të shpreh dëshpërimin ndaj aftësisë tonë për të vepruar me fuqi të mirëfilltë reciprociteti.

Thënë të drejtën, dëshpërim të plotë duhet shprehë në të tre nivelet e konsumimit të produkteve të tilla në vendin tim. Jo se kam ndjenja nacionaliste, jo se s’duhet bërë tregti plotësisht të lirë me të gjitha vendet, por se reciprociteti në periudhë afatgjate, unë argumentoj, shtynë vendet të vijnë në një ekuilibër optimal për të gjithë, në një liberalizëm tregtar të mirëfilltë. Dëshpërimi i parë më buron nga ndjenja e indiferencës së kosovarëve në këtë drejtim. Ne nuk pamë asnjëherë të udhës që nëpërmjet uljes së konsumit tonë të dënojmë ata që na dënojnë. Dukemi patriotë e atdhedashës në këngë, valle e britma në publik por ja që asnjëherë nuk ditëm ti sillemi mirëfilli si të tillë. Hallka e dytë dëshpëruese u adresohet gjithë bizneseve që importojnë produkte të tilla pa fije turpi. Mundohem të kuptoj nevojën e tyre për profit, por nëse hebrenjtë ende ndihen të rezervuar ndaj vozitjes së Mercedesit pse bash ne duhet të jemi promotorë të një konsumi të tillë, sidomos kur jemi të fyer e bllokuar nga të njëjtit. Dëshpërimi i fundit dhe më i plotë më vihet ndaj  institucioneve tona të cilat pa asnjë arsye të vetme nëpër vite nuk arritën të sillen të denja për të forcuar legjitimitetin, fuqinë dhe dinjitetin e një shteti. Filluam me akuza ndaj UNMIK-ut e harruam se ku duhet të përfundojmë. Sot kur çdo e drejtë morale e garantuar me shtet-pasje dhe çdo e drejtë ligjore e garantuar me CEFTA mbeten të pashfrytëzuara, vendi ynë vazhdon të jetë inferior e i urtë, si një të mallkuar që mund ta rrah kush do. Besoj se meritojmë më mirë.

Le ta kemi të qartë idenë e reciprocitetit. Thelbi i thirrjeve të tilla ndërtohet mbi bazën e bllokimit të plotë, kur Serbia dhe Bosnja do të humbnin pak mbi 400 milion euro vlerë vjetore (formale). Humbje si këto do të derivonin kërkesa nga vet bizneset serbe dhe boshnjake ndaj qeverive të tyre respektive për të rihapë kufijtë. Nën presionin e bizneseve vendase, qeveritë bllokuese do të ishin pa alternativa tjera veçse liberalizmit të plotë. Në fund të fundit këto vende to të trishtoheshin vetëm nga ideja e humbjes së qindra milionëve; në një rast më ekstrem hapja do të vinte brenda disa javëve. 

Tash le ta kemi të qartë planin Qeveritar. Masat e propozuara nga Qeveria, e që ngjyrosen padrejtësisht si masa reciprociteti nënkuptojnë vënien e një takse doganore 10% mbi produktet buruese nga këto vende, gjithmonë me qëllim të bartjes së presionit në vendet bllokuese. E para,  Serbia dhe Bosnja as që lejojnë kalimin e produkteve tona nëpër rrugët e tyre. Nëse ne në shenjë “reciprociteti” paskemi vendosur të vëmë një taksë doganore atëherë si mund  të prodhojmë barazi trajtuese?! E vërteta e hidhur është se një taksë e tillë do të ketë shumë pak efekt në tregtinë e Serbisë dhe Bosnjës ndaj Kosovës. Kjo meqë importi i produkteve serbe dhe boshnjake bëhet kryesisht nga biznese kosovare. Një taksë e tillë vetëm se do të rëndojë bizneset e Kosovës, e të cilat më pas do të ngrinin çmimet për të kompensuar këtë humbje. Rrjedhimisht ngritja e çmimit do të bartet tek konsumatorët final, e që s’janë kush tjetër veçse kosovarët. Produktet serbe dhe boshnjake do të bëhen më të shtrenjta në Kosovë, por ky fak nuk do të ndalë konsumin e tyre në periudhë afatshkurta. Mos-ndalja e konsumit të tyre nuk prodhon asnjë presion në Serbi e Bosnje.
E vërtetë se bllokimi reciprok eventual mund dhe të rrisë çmimet tona, mund dhe të lë ofertë të mangët në disa produkte bazike dhe kështu të dënojë prapë kosovarët me kosto më të lartë jetese, por të paktën në një skenario të tillë kostoja jonë do të shoqërohej me një kosto enorme monetare në Serbi dhe Bosnje, të cilat nuk kanë se si të kalojnë të pavërejtura dhe të pa-adresuara. Adresimi i tyre do ti shtynte palët të gjejnë zgjidhje, si ato fiset mongole kur menduan për ri-dizajnim tregtar. Do ti ulte palët si të barabarta në tavolinë e do të jepte rezultate të barabarta për të gjithë, ato çfarë neve na takon e se marrim sot dot. 

Vënia e një takse, për mendimin tim, është më tepër mjet i mbushjes së hendekut buxhetor që po na mbetët i zbrazët nga hipershpenzimet se sa masë reciprociteti. Jo se duhet pasur hezitim në këtë drejtim, por them se duhet shkuar dhe më tej, deri në bllokim të plotë. E nëse Qeveria bash ka qejf të na testojë inteligjencën, le ta bëjë të paktën me stil e jo me përdhunim intelektual si kjo e reciprocitetit të gjysmuar. Të marrësh bllokim total e të japësh taksë që në fund bën ngritje të çmimeve e asgjë tjetër është më së paku reciprocitet. Ndoshta dhe kaq mundemi, ndoshta dhe kaq dimë, ndoshta ne dhe kaq jemi shtet.

KOHA DITORE, 27 MAJ 2011
LETRA NGA LIMBO

Saturday 21 May 2011

KONTRATA, AUTOSTRADA DHE PANIKU QEVERITAR

Mundohem të kuptoj panikun që e ka kapluar Qeverinë këto ditë. Kontrata e prezantuar është mjaft informative dhe domosdo djersit projektuesit tanë. Por them se e vërteta nuk ka çmim dhe të njëjtën duhet mbrojtur si të shenjtë. Në fund të fundit e vërteta nëse është e drejtë nuk duhet ta trembë askënd

Autostrada sërish bëri lajmin. Asfalti i njomë i saj këtë herë nuk po ndiente gomat e veturave superluksoze që bartnin zyrtarë publikë të veshur me kostume uniforme e kapela ngjyrë portokalli. Të njëjtit sa herë kishin marrë kritika për punën e tyre zgjidhnin të njëjtin vend për të bërë paradë e shprehur glorifikimin e projektit si hiperkombëtar dhe kolorifikimin e kundërshtarëve si antiatdhedashës. Në rreshta si këta fillonte e përfundonte i gjithë argumenti publik, dija e punëditëve dhe mundi i kritikëve. Këtë herë autostrada po bënte lajmin se “Vetëvendosja” bëri atë çfarë, për mendimin tim, Qeveria është dashur të bëjë kaherë, transparencën e kontratës më të madhe në historinë e vendit; atë që mbushë një të katërtën e bruto prodhimit vendor të Kosovës për një vit. “Vetëvendosja” mund ta ketë huqur gjithë konsistencën e politikës së saj kur bën protestë e dëmton pronën publike për një vizitë, por rri indiferente në ditën e punës kur ka çdo të dytin bashkëqytetar të papunë, megjithatë këtë herë guximi, artikulimi i argumenteve dhe kontributi në ndërtimin e demokracisë, transparencës dhe përgjegjësisë ka qenë i përsosur.

Autostrada u nis me këngë e me valle, me entuziazëm të pafund nacionalist. Tupanët qeveritarë po murosnin idenë e diskutimit madje ende pa filluar gërmimi i metrit të parë. Qysh në fillim u tha se projekti ishte mbarëkombëtar, se nuk duhej kundërshtuar, ndalë e dyshuar. Disa javë më parë, në kuadër të Forumit 2015, ne patëm një tryezë ku torëm çështjen e autostradës. Kritikuam koston, transparencën, mungesën e analizës, financimin e pasigurt dhe efiçencën. Përgjigjet vijuese të udhëheqësve dhe ndjekësve qeveritarë ishin sa shokuese, aq edhe bajate “kush është kundër autostradës është kundër vendit”. Po të mundja, do t’ua vizatoja në ballë se nuk ka as një shqipdashës të vetëm që kundërshton nevojën për rrugë si kjo  jona. Burra e gra kanë dhënë jetë, mend e pasuri që një ditë të kemi një rrugë të tillë. Kush jemi ne që të mos japim paratë e taksat tona të brishta. Megjithatë, të njëjtët burra e gra bënë të njëjtat sakrifica që ne një ditë të kemi të drejtën e mundësinë ta duam e mbrojmë vendin e tyre e tonin; e si ka mënyrë më të mirë se të duash e mbrosh vendin nga korrupsioni, ligjthyerja e keqpërdorimi?!

Them korrupsion, ligjthyerje e keqpërdorim meqë në ditën kur u bë prezantimi i kontratës u dhanë mu këto tri elemente që kam frikën se tiparizojnë për së keqi projektin tonë më madhor. Në këto tri argumente, njeriu gjen indinjatë, fyerje të inteligjencës e mllef. Elementi i parë buron nga observimet e “Vetëvendosjes” mbi çmimin e metrit kub të betonit, e që ishte 2.5 herë më i lartë se ai që njeriu me pak mund e gjen në treg. Nuk ka shumë rëndësi se a është çmimi i betonit, zallit apo gurit që vendi i paguan punëkryesit, ka rëndësi se kontrata e prezantuar si më e mira në Ballkan mund të ketë afera të rënda korruptive brenda saj. Jo se duhet habitur. Nëse dikush mendon se në Kosovën që zë vendin e 110-të në Transparency International për korrupsion ka zero aferë korruptive në një projekt qindramilionësh, them se ka humbur keq rrugën. Korrupsion ka, që ç’ke me të; por se sa është shkalla e fryrjes së çmimeve e mbipagesës është mister i pathënë. Nëse observimet e “Vetëvendosjes” janë të vërteta, gjë që unë nuk dyshoj, atëherë dikush dikur duhet dhënë një përgjegjësi.
Elementi i dytë ndërlidhet me kahun e autostradës dhe atë devijim të famshëm. Jo se ka shumë rëndësi ekonomike nga shkon autostrada në një vend që skaj më skaj ka pak më shumë se 80 kilometra, por një tunelizim i përmbajtjes së projektit është falsifikim i rëndë dhe luajte patetike me institucionet e vendit, përfaqësuesit e qytetarëve dhe vetë qytetarët. Sipas hartës që ishte pjesë e kontratës, traseja e autostradës ka qenë e parapërcaktuar madje para dërgimit të projektit në Parlament. Thënë ndryshe, deputetet, përfaqësuesit e popullit, jo vetëm se kanë votuar diçka krejtësisht tjetër nga ajo çfarë është nënshkruar, por kanë votuar kot së koti, meqë në fund traseja ishte parapërcaktuar në kontratë para votimit të tyre. Në një vend demokratik një manipulim e falsifikim i tillë bën një varg dorëheqjesh. Në Kosovë jam i bindur se kalon me një të qeshur prapa shpinës së institucioneve nën kërcëllimet irrituese të dhëmbëve dhe shprehjes “punë e madhe”.

E vërteta e hidhur është se befasia nuk më erdhi shumë nga këto keqpërdorime masive; qershia në tortë vinte nga elementi i tretë, reagueshmëria e institucioneve të vendit ndaj publikimit dhe argumenteve të nxjerra. I dalë në një stil diktatoresk, por si gjynah, me një tekst të tmerrshëm, pa të drejtën e pyetjeve, ministri i Infrastrukturës në vend se të japë kundërargumente ndaj thënieve të ngritura, zgjodhi ta quajë publikimin e kontratës si “sulm ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës” dhe “tendencë për ndalur zhvillimin ekonomik shqiptar”. Sa e mjeruar kjo! Pyes veten nga kur u bë informimi i qytetarëve, i garantuar me Kushtetutë, sulm ndaj institucioneve shtetërore? Prej kur kosovarët nuk kanë të drejtë të dinë se ku shkojnë paratë e tyre? Sikur ato qindra miliona të ishin lënë pasuri e trashëguar bartëseve të projektit as që do të çanim kokën për to, por ja që janë paratë tona, të aseteve të sotme e ato që do t’i fitojmë nesër. E argumenti “kundërshqiptar” nuk është gjë tjetër veçse një arsyetim i gjorë, i përsëritur dhe i thatë për të mbuluar çdo të zezë të projektit, i cili nga fillimi nisi mbrapshtë. Ore zotërinj, të mos paguash dy-tri herë më shtrenjtë, të mos luash me Parlament, të mos mashtrosh me milet nuk është “antikombëtar”, është thelbi i ruajtjes së vlerave më bazike të një kombi e shteti.

Garda e arsyetimeve patetike vazhdoi të nesërmen nëpërmjet ministrit të Kulturës, i cili argumentonte se publikimet e tilla largojnë investitorët e huaj. Dorën në zemër investitorët vetëm mund të inkurajohen kur shohin fitime të tilla të majme. Nëse Qeveria brengoset aq shumë për investime le të kujdeset për korrupsionin e vet, ambientin biznesor e krimin e organizuar që ka tmerruar investitorët e huaj e jo për një sistem transparent e mbarinformativ qytetar. Thënë të drejtën për rrjepje të tilla nuk kemi nevojë për investitorë fare, rrimë kështu si jemi.

Mundohem të kuptoj panikun që ka marrë Qeverinë këto ditë. Kontrata e prezantuar është mjaft voluminoze e informative dhe domosdo djersit projektuesit vendorë. Për më tepër ajo do të nxjerrë në dritë të dhëna të reja, befasi të reja e gjithsesi edhe vizita të shumta në Vërmicë për të treguar se ky është projekt kombëtar dhe çdo kundërshtim është antishqiptar. Por them se e vërteta nuk ka çmim dhe të njëjtën duhet mbrojtur si të shenjtë. Në fund të fundit e vërteta nëse është e drejtë nuk duhet të trembë askënd. Në anën tjetër, keqpërdorimi i disponimit tonë për projekte që stimulojnë ngritjen kombëtare dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në rajon nuk guxon të merret si ombrellë e pasurimeve personale, shkeljes së ligjeve e institucioneve apo për më tepër mjet i ushqimit të egove korruptive. Kontrata e publikuar shërben skajshmërisht transparencën, përgjegjësinë dhe demokracinë e vendit.

KOHA DITORE, 20 MAJ 2011
LETRA NGA LIMBO

Friday 13 May 2011

PËRTEJ RETORIKËS SË BASHKIMIT EKONOMIK

Një vlerësim post-tranzitor në Kosovë dhe Shqipëri të bën të kuptosh se tregjet respektive vazhdojnë të mbajnë fundin e listave të konkurueshmërisë dhe si të ndara kanë pak gjasa të impresionojnë

“Tani, i shtoni Kosovën kësaj toke të 1913-ës. Puna nderon menjëherë dhe qindpërqind. Kosova është krejt një fushë pjellore me bjeshkë të blerta, siç thotë vjershëtori. Klima krejt e favorshme për bujqësi. Lartësia e tokës 900 metra. Lumenjtë nuk i mbytin me ujë tokat. Grurë, misër e drithëra të tjera prodhohen shumë. Bujqësia është më e përparuar sesa tek ne. Njerëzit janë të shëndoshë, të fortë dhe punëtorë. Këtu ne e bëjmë hesap prodhimin me tagar, me qese e me karroqe. S’ia kemi arritur akoma kuintalit si masë. Në Kosovë e bëjnë hesap me vagon!” Janë këto rreshtat e Nebil Çekës, të shkruara më 1942 në një ese impresionuese që tjerr mirë nevojën e bashkimit ekonomik shqiptar, ndryshe nga ngjyrimet nacionaliste çfarë ne dëgjojmë në vazhdimësi, e përtej retorikave të panumërta që na çajnë kokën ditë e më shumë. Ndonëse tokat e Kosovës që atëherë mund të kenë harruar se çfarë është gruri e misri, se njerëzit e kësaj toke mund dhe mos të jenë aq të fortë e punëtorë, parimet e kësaj ideje 70 vite më pas mbesin plotësisht valide. Çeka vë bashkimin e tregjeve nën llupën e argumenteve të pastra ekonomike mbi principet e një tregu të përbashkët shqiptar e që në thelb jep një sinergji nga theksimi i përparësive krahasuese të dy vendeve, një kulmim i ndërlidhjeve të dijes, teknologjisë e fuqisë punëtore.
Përtej nacionalizmit shkumues, shkrepjeve pas këngëve me sharki, ndërtimit të vendit në tingëllimat e çajit rus, e ndjenjës të superioritetit nacional të shqiptarëve të Kosovës ndaj atyre të Shqipërisë; dhe përtej një indiference nacionaliste të mbrapshtë, përtej një mbi-vetëvlerësimit të gabuar në dije, keqardhjes së paarsyeshme dhe tendencës mbizotëruese të shqiptarëve nga Shqipëria ndaj atyre të Kosovës, fokusi i Çekes ka mbetur i virgjër e asnjëherë i mbështetur apo nisur nga cilado anë. Sa për rekord, në logjikën e lirisë dhe liberalizmit tregtar nuk duhet pasur as edhe një arsye e argument valid në nxitjen e shkëmbimit të mallrave, lëvizjes së kapitalit e njerëzve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më shumë se në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, Serbisë, Bullgarisë apo Indonezisë. Në fund të fundit liria e lëvizjes është domosdoshmëri e një funksionimi ekonomik logjik, efiçent e zhvillues dhe si i tillë duhet të formësohet pavarësisht orientimeve të diktuara nga qeveritë apo shtetet. Bizneset gjejnë profitin aty ku shohin arsyen e asesi aty ku i thuhet se duhet kërkuar një. Megjithatë, brenda kornizave liberale të tregtisë në mes të vendeve ka hapësirë për argumentim ekonomik, dhe ky argumentim nënvizon rezonin se dy vendet duhet orientuar drejt një tregu më uniform, më përqafues dhe më të fuqishëm ekonomik, meqë të njëjtit, si një, janë më konkurrues, më zhvillimor dhe më fitimprurës. Në fund të fundit, të dy tregjet kanë shumë tipare të përbashkëta dhe herët a vonë bashkimi i tyre ekonomik është i pashmangshëm, jo për arsye politike, as nacionaliste, as vullnetare, por thjeshtë për shkak të eficencës dhe sinergjisë.
Gjuha, kultura, vullneti dhe në fund miqësia e dy tregjeve janë disa nga elementet parësore në këtë argumentim. Bizneset nga të dy anët do të kishin barriera socio-demografike pothuajse nul në krahasim me çdo treg tjetër potencial në rast të një kohezioni. Në anën tjetër, vullneti dhe gatishmëria për bashkëveprim vetëm se do të materializonte këtë potencial, për të dhënë në fund produkte dhe shërbime më kualitative dhe më të lira, e me këtë dhe më konkurrente në tregjet tjera rajonale.
Por ja që ndjenja dhe shpresat për një treg të vetëm shqiptar si duket kanë ngecë dukshëm. Bilancet tregtare në mes të vendeve janë tmerruese përballë potencialeve; të dyja tregjet duken larg njëra-tjetrës. Përpjekjet institucionale ndërkohë kanë përfunduar në një asfalt të shtruar mirë e bukur, thuajse kështu na jepen zgjidhjet për kohezion ekonomik; ndonëse duhet thënë se ky asfalt është vepra më bazike e çfarëdo këmbimi të pritur, krahas nevojës për një hekurudhë të re apo linja ajrore më të shpeshta. Këtu nuk duhet hyrë në hak as gjenerozitetit të Shqipërisë për portin e Shën Gjinit, por ja që funksionalizmi i tij kërkon para që Kosova nuk ka ku ti marrë e si ti bëjë.
Miliardat e dhëna nga të dy anët duket se nuk përkojnë me vullnetin real të vendeve. Për të pasur fotografinë e qartë se nga shkojmë, kujtoj lëvizjen e fundit të Shqipërisë për të vendosur një strukturë të re tarifore ndaj të gjitha shteteve nënshkruese të marrëveshjes së lirë tregtare, CEFTA-s, me përjashtim të Kosovës.  Me fjalë të tjera, përveç ndaj Kosovës, Shqipëria do të aplikojë zero tarifë doganore ndaj çdo biznesi nga ky vend që importon në tregun shqiptar produkte industriale. Mund të kuptoj arsyet politike brenda CEFTA-s që potencialisht ndalojnë participimin e Kosovës në këtë rang vendesh, por në fund të fundit Kosova dhe Shqipëria mund të lidhin marrëveshje tregtare mbi kuotat, tarifat e taksat tjera pa pyetur askënd, me një vullnet të vetëm dypalësh. Ndërkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është edhe më i rëndë kur shihen kuotimet nga të dy palët, por me theks të veçantë ato të Shqipërisë për bizneset kosovare. Në vend të një unifikimi tregtar, heqjes së barrierave jo-tarifore dhe vënies në dukje të përparësive krahasuse në mes të vendeve, shqiptarët në të dy anët e kufirit vendosin kufij. Ky kufi bëri që vitin e kaluar të kemi kalbjen e patateve kosovare vetëm për shkak të ndalesës në eksport të vënë nga Shqipëria. Mu atëherë kur bizneset e shkreta të Kosovës arritën pak aftësi eksportuese, Doganat e Shqipërisë u dhanë një shuplakë duke u vënë kufizime në sasinë që mund të importohej në tregun e tyre.
Bizneset duket se hezitojnë të provojnë tregjet respektive. Të pakta janë rastet e tilla, ndonëse Shqipëria duket se ka një prezencë lehtësisht më të madhe në tregun kosovar. Ndërmarrjet nga Shqipëria në fushën e IT-së, ndërtimtarisë, medias dhe së fundi në tregun financiar janë mirë të themeluara në Kosovë. Ndërkohë shumë më të pakta janë bashkëpunimet në investime të përbashkëta kapitale. Më duhet të mendoj gjatë që të gjejë një ndërmarrje në bashkëpronësi të shqiptarëve nga dy vendet, edhe pse një bashkëpronësi e tillë do të duhej të ishte një formulë suksesi. Besoj se barrierat e shumta në shtruarjen e veprimtarisë, pabarazitë fiskale si dhe kostot tjera burokratike në të dyja vendet për palën tjetër, janë shkaqet prapa një ngecje të tillë. Përveç kësaj risku që dy vendet krijojnë për investitorët e huaj është mbytës. Kujtoni avullimin nga 30 në 3% të aksioneve të PTK-së në operatorin e telefonisë mobile të Shqipërisë dhe çfarë sinjale dërgon një avullim i tillë tek investitorët tjerë nga Kosova. As më e mirë nuk është sjellja e konsumuesve ndaj produkteve të kundërta. Duket se dy palët kanë tendencë tejet të rezervuar.
Këmbimi tregtar i sodit dhe politikat në këtë drejtim mund të jetë një goditje e rëndë për potencialet e një tregu të përbashkët, por edhe më keq ka qenë dhe është tregu energjetik. Kujtoj se Kosova dhe Shqipëria kanë pasur në vazhdimësi probleme enorme energjetike përgjatë dekadës së fundit. Përkundër kësaj ato nguruan të ndërtojnë një “autostradë energjetike”, transmetuesin ndër-shtetëror, që kushtonte jo më shumë se dyzet milionë euro por kursente miliona të tjera. I njëjti do të jetësonte shkëlqyeshëm idealizimin e idesë së përparësive krahasuese, kur gjatë dimrit Kosova do të merrte tepricën e Shqipërisë e gjatë verës Shqipëria do të pranonte me po aq dëshirë tepricën e Kosovës, për të cilën shpeshherë kjo e fundit ka paguar dënime meqë po e plasonte në rrejt rajonal përkundër kërkesës së ulët. Në vend të kësaj ne kemi vendosur ndryshe. Kujtoni sa para i jep në vit Kosova fqinjit të saj verior, Serbisë, për blerjen e energjisë elektrike, madje e paguan atë dhe me TVSH meqë i njëjti e konsideron Kosovën si pjesë integrale të saj. Projekti i “autostradës energjetike” fatmirësisht morri hovin javën që shkoi, por them sinqerisht të humbura koti janë dhjetë vite të plota; ndërkohë skam se si mos të shpreh pesimizmin kur mendoj në neglizhencën e zakonshme që kanë gjasa të tregojnë të dy vendet.
Vullneti për liberalizim ekonomik mund të jetë ose jo në të dyja anët. Unë besoj se i ai duhet dhe do të ndodhë herët a vonë. Përtej deklarimeve dhe fryrjeve nacionaliste, që një mik i imi dhe juaji, z. Halil Matoshi, i quante me të drejtë “turbofolkizëm”, them se është domosdoshmëri materializimi i potencialeve ekonomike nga ndërveprimi i dy vende. Për këtë është imperative heqja e të gjitha barrierave mes dy tregjeve dhe unifikimi i tyre në emër të një liberalizmi që liderët politik nga të dy vendet e promovojnë me plot gojë ndaj tregjeve tjera por asnjëherë ndaj njëri tjetrit.
KOHA DITORE, 13 MAJ 2011
LETRA NGA LIMBO

Friday 6 May 2011

LEOT E KOSOVES

Ne mund të mos dimë se çfarë bën, por e dimë mirë se çfarë nuk bën; dhe nuk bën një tavë mishmashe e ideve, filozofive, projekteve e akteve tjera ndihmuese në kohë të rindërtimit ekonomik. I tilli jo vetëm se prodhon ngecje, por për më tepër dëmton çdo shpresë dhe bazë për rimëkëmbje

Leo është emri i një zyrtari të lartë administrativ të misionit EULEX, i bërë i famshëm për së mbrapshti javë më parë. Ky far Leo thuhet të ketë abuzuar me stafin lokal, të ketë fyer në baza raciste shqiptarët, flamurin e tyre të ketë përdorur për pastrimin e nevojave fiziologjike, të ketë shfaqur kënaqësi me vrasjet e tyre nëpër kohë, e të ketë kërcënuar me largim nga puna të gjithë ata që kanë menduar ndonjëherë të thonë atë që kanë dëgjuar nga ai. Leo nuk më brengosë! Mund të jetë një emër random, një parazit që vazhdon të ushqehet me paaftësinë tonë për të mbajt shtet. Leo mund të jetë një i paaftë që në kampionatin e të paaftëve do të zinte vendin e fundit meqë aq i paaftë është. Mund të jetë një kacabu që shëtit në batakun e problemeve tona; e meqë mban titull jo impresiv fatmirësisht mund të jetë një hiç që nuk ka pasur ndonjë fuqi vendimmarrëse për vendin. Leo është thjeshtë një vajtues melankolik që si ka në hatër shqiptarët. Të tillë ka mjaft, kjo nuk duhet të më brengosë. Më brengos ideja se ky dhe Leo’t tjerë, ndonjëherë, nga fatkeqësia jonë e të pasurit fatin e djeshmit e të sodit, mund të kenë pasur dje e sot rastin për të vendosur për ne. E kur dikush si Leo vendos për këtë vend timin të shkretë atëherë kjo më brengosë.
Jo se mërzitem nga prezenca ndërkombëtare në Kosovë. Leo asesi nuk mund të thirret si surrogat i tyre, është thjeshtë një defekt i kontributit ndërkombëtar në vend, në kohë kur mbijetonim për ekzitencë e në kohë kur jetojmë për shtet. Prezenca ndërkombëtare është dhe ka qenë domosdoshmëri për ne, ata ishin dado e rritjes sonë. Jo se mërzitem shumë as për reputacionin e EULEX-it. Ata ashtu kështu kanë thyer rekordin e a-disponueshmërisë së kosovarëve; ndonëse ende nuk arrij të kuptoj se si një mision aq i pëlqyer fillimisht të amortizojë këtë disponim më thellë e më keq se që e kishte bërë UNMIK-u. Paaftësia e tyre për të prodhuar rezultate është kthyer në fabrike pesimizmi në sytë e kosovarëve. Mërzitem vetëm për fuqitë e të tillëve si Leo për të vendosur madje edhe për fatin më të vogël tonin. 
Ky far Leo më ktheu filmin bukur mbrapa, në kohën kur ndërkombëtarët morën timonin e zhvillimit tonë politik, ekonomik e kulturor. Për të satën herë, jo se duhet bërë ndryshe. Vaj halli për ne po të mos ishin ata. Por nëse çdo fis ka një pis, në fluksin e ndërkombëtarëve ne patëm me bollëk. Kompleksiteti i misioneve ndërkombëtare në emër të një uniteti “balerinash” mbi nevojën për përfaqësim gjithë kontinental, racor, religjioz, kulturor, fushor, kodrinor e Zoti e di çfarë tjetër bëri që Kosova të mbante në vete nga idetë më të ndryshme filozofike zhvillimore të prodhuara prej Marksit e deri te Smithi, nga Muhamedi e deri te Krishti, prej Aleksandrit të Madh e deri te Xhingis Khan-i, për tu përzier të gjitha më pas në një vorbull të administratorëve “unmikez” e rezultuar në politika zhvillimore absurde dhe objektiva edhe më absurde, diçka si ato 8 standardet që as shteti më utopik në mijëvjeçarin e largët prej sot nuk do të mund ti përmbushë. Mu kjo përzierje e filozofisë ndërtuese, me theks të veçantë e qasjes ekonomike në një treg të virgjër, natyrshëm u bë sherr i vetës, barrierë serioze me pasoja epike. Sado e dhimbshme të duket kjo praktikë e jona, ajo sot mund ti shërbejë bashkësisë ndërkombëtare në misionet e saja të ardhme, në Irak sot, e në Libi nesër. Ne mund të mos dimë se çfarë bën, por definitivisht e dimë se çfarë nuk bën; dhe nuk bën një tavë mishmashe e ideve, filozofive, projekteve e akteve tjera ndihmuese. Rindërtimi ekonomik i tillë i jo vetëm se jep ngecje, por për më tepër dëmton çdo shpresë dhe bazë për rimëkëmbje.
Leo kishim edhe në kohën kur procesi i privatizimit të vendit, në vlugun e tij më të lartë, në pikun e tërheqjes së investimeve të huaja, u ndërpre nga një grua me emrin Marie Fucci që thirrej në jo-pronësinë e kosovarëve në asetet e tyre, gjithmonë për të favorizuar thirrjet e Beogradit. Ishte koha kur Kosova kishte vëmendjen e investitorëve të huaj e kur kapitali po vërshonte regjionin. Në kohë të paqartësive mbi statusin final të vendit, ndërprerjet e tilla kishin trembur çdo tendencë investive. Marie Fucci është vetëm një femër e zgjedhur rëndom nga një masë destruktive vendimmarrëse ndërkombëtarë të kohës. Aspak më të mirë nuk ishin të tjerët në Shtyllën e IV, njerëz që silleshin si Zot të ekonomisë kosovare.
Leo të shumtë e të shurdhur ndaj thirrjeve tona kishte deri në vitin 2006, në marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje. Kujtoni se na u deshtë të presim plot 7 vite për të vënë reciprocitet ndaj Maqedonisë që vinte akciza 26% në çdo produkt kosovar, deri sa ne për produktet e tyre venim marrëzisht vetëm 1%.  Dhe ky trajtim i pabarabartë është shkaku kryesor pse ne sot kemi disbalanc enorm në relacione tregtare me vend; ne i kemi mbytur bizneset tona, natyrshëm që tash duhet kohë dhe mund për ti rifunkcionalizuar ato.  
Leo të shumtë kemi pasur në KEK me milionat e shumta të fshehura në bankat e Gjibraltarit. Ju Kujtohet gjermani Jo Trutschler, një nga menaxherët e lartë të KEK-ut, e që sot vuan burgun për paratë e vjedhura në vitin 2003? Për fatin tonë të mirë, Jo ishte kapur, po sa Jo të tjerë kanë ikur? Leo të shumtë kishim edhe në menaxhimin e PTK-ës; me Ronnen Sorensen e Norway Invest i dënuar për keqpërdorime të majme të parasë së asetit më të famshëm publik në vend. Sorensen më pas kishte hapë një ueb të tij me arsye se pse nuk duhet investuar në Kosovë.
Leo të shumtë kemi sot në menaxhimin e CEFTA-s, ata që thirren neutral ndaj statusit tonë politik e me këtë edhe ndaj mundësisë për prosperitet ekonomik, njerëzit e “unmikistanit”. Janë të njëjtit që për vite të tëra mbajtën zhvillimin ekonomik të Kosovës në status-quo e që sot bëhen barrierë serioze (për fajin tonë) në vazhdimin e kësaj gjendje në pafundësi. Leo kishim atëherë kur të gjitha paratë e privatizimit i larguam nga tregu i brendshëm për ti bllokuar diku në bodrumet e bankave evropiane me norma interesi komike. Leo kemi sot në Veri të vendit që vazhdojnë të jenë të verbër përball informalitetit më ashiqar në mbarë Evropën. Kishim edhe Leo rumun që vranë protestuesit tanë pa pikën e brengës për tu larguar më pas pa një therrë në këmbë. Leo kemi dhe sot në të gjitha projektet e mëdha kapitale të vendit. Kujtoni deklaratën e fundit të ish-Ministres Shiroka-Pula që skicoi bukur interesat e këshilltarëve ndërkombëtarë me bizneset potenciale investuese në vend, gjithmonë në dëm të kosovarëve. Nuk dyshoj se të tillë do të kemi nesër në privatizimin e PTK-së e pasnesër në atë të Trepçës. Madje për këtë të fundit tashmë është vonë. Caktimi i administratorëve ndërkombëtar dhe ideja për komercializim të pjesshëm pa ndonjë bazë analitike është një hap që hapë më shumë dyshime se sa optimizëm; sidomos në kohë kur vendi ka institucione vetanake.
Kosova ka pasur dhe do të ketë plot Leo. Kemi pasur e kemi meqë nuk dimë më mirë, se duhet të na mësojë dikush si të sillemi si patriot ndaj vendit, vizionarë ndaj nevojave ekonomike, e jo-lakmitarë ndaj parasë publike në benefit të egos së tmerrshme korruptive. E deri sa nuk dimë të bëjmë më mirë, atëherë kacabu si Leo do të kenë shanse të fshijnë mbeturinat fiziologjike me flamurin tonë.

KOHA DITORE, 6 MAJ 2011
LETRA NGA LIMBO