Friday 27 April 2012

DY TRI FJALË PËR GAZETARËT

LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 27 PRILL 2012

Nëse asgjë tjetër, guximi gazetaresk në Kosovë ka qenë shembull i patriotizmit më tipik shtetndërtues. Mbytja e lirisë së tyre është mbytje e demokracisë ashtu-kështu të brishtë dhe lindje e një sistemi dhe e një politike të rrezikshme minidiktatoriale

“Natyrisht se ka të tillë që nuk duan që ne të flasim. Pse? Sepse derisa shkopi mund të përdoret në vend të bisedës, fjalët do të marrin gjithmonë forcën nga ta. Fjalët ofrojnë mjete për kuptimin, e për ata që dëgjojnë, shpalljen e së vërtetës; dhe e vërteta është se ka diçka tmerrësisht të gabuar me këtë vend! Kur ju njëherë kishit fuqinë për të kundërshtuar, për të menduar dhe për të  folur siç e patë ju të drejtë, tani keni censurën e sistemet e mbikëqyrjes që shtrëngojnë komfortin tuaj dhe joshin aprovimin nga ju”. Është ky një paragraf i marrë nga një ndër filmat më të preferuar të mi: “V for Vendetta”, shkruar nga gjeniu britanik Alan Moore. Sa herë e lexoj e shoh fjalimin në fjalë më bëhet të kuptoj peshën e lirisë së mendimit, fuqinë e fjalës dhe tmerrin që e vërteta mund të rëndojë mbi supet e tmerruesve. Këtë javë vendosa të shkruaj për ata që shkruajnë për ne; vendosa të shkruaj për gazetarët. Jo për ata që ndajnë shtratin me fuqinë e shtetit, jo me ata që sillen e pështillen nëpër kafe e llafe sa për t’u bërë nesër një me tmerruesit, por për guximtarët e vetëm antidiktatorial, idealistë të paparë, djem e vajza që bëjnë pengesën e fundit të një regjimi mbytës të demokracisë. Ata të cilët i lexojmë, shohim e dëgjojmë kur e vërteta flet. Pa ta Kosova do të ishte një vend që noton në zi, ku matrapazllëqet, dallaveret e vjedhjet do të kalonin pa kuptuar ju e unë as fijen më të vogël.

Nëse asgjë tjetër, guximi gazetaresk në Kosovë ka qenë shembull i patriotizmit më tipik shtetndërtues. Të pambrojtur, të sharë e të fyer nga çdokush rahatia e të cilit është ngatërruar, gazetarët kosovarë kanë shtyrë çdo kufi të imagjinatës në kërkim të së vërtetës. Nuk është lehtë në një Kosovë krimi e shantazhi të shkruash e të flasësh për milionat e vjedhura, as për nepotizëm as për krim ordiner e as për anomali korruptuese publike. Lehtë është të bëhesh pjesë e anomalive, e ledhatimit e rrahjeshpindjes. Për fatin tonë të zi, institucionet tona “shtetndërtuese” të paafta për t’i bërë ballë bumerangut informativ që zbardhte çdo paaftësi, mjerim e çmenduri politike, kanë zgjedhur mbylljen e gojës së gazetarëve. Për miratimin e Kodit të ri Penal u tha mjaft. Komentuesit, juristët e njohësit e tjerë vënë një sërë argumentesh logjike që bënë miratimin tonë një rast të rrallë për një vend demokratik. Në esencë të gjitha mendimet logjike kishin emërues të përbashkët frikën shumë legjitime se obligimi për të zbuluar burimin do të thotë dhe fund i informacionit dhe të vërtetës. Nën perspektivën e të zbuluarit, informatorët e guximshëm nuk do të japin as edhe një gram lajmi; ata do të struken dhe më shumë. Kodi mund të ketë lënë të lirë gazetarët të thirren si të tillë, por i njëjti u ndal atyre burimin e punës së tyre. Është njëjtë si t’u thuash futbollistëve të luajnë e shënojnë pa top. Në fund të fundit një gazetar pa burim është thjesht një spekulator. Thënë shkurt, kodi në fjalë mbyt çdo gazetari hulumtuese në vend, dhe mbytja e hulumtimit gazetaresk në esencë është mbytje e së vërtetës. Po kush ka frikë nga e vërteta?

Marrë fotografinë ku vendi ndodhet sot, frikacakët e së vërtetës janë në krye të vendit. Mbyllja e gojës së gazetarëve, për mendimin tim, është hapi i fundit i vendosjes së një mikroregjimi diktatorial, i cili shfrytëzon çdo pikë fuqie që ka për të shtyrë filozofinë provinciale të politikëbërjes ku dominimi i shkopit merr formë e ku liria e të menduarit shkrihet. Them hapi i fundit meqë sistemi i sotëm antidemokratik kosovar çalon nga mungesa e çdo mekanizmi mbikëqyrës në vend, madje mbikëqyrësit e vetëm në Kosovë kanë mbetur grupet kriminale informative në shërbime partiake. Janë po të njëjtët mbikëqyrës që bëjnë kontrollin e çdo kanali të parasë në vend, kontrollin e çdo institucioni publik filluar nga edukimi, shëndetësia, policia e administrata publike, bëjnë kontrollin e votës, zgjedhjes e zgjidhjes. Janë këta spiunë e militantë partiakë që dinë saktë e mirë sasinë tënde “të suxhukut e havjarit”, “dinë” dhe për politikë, filozofi, diplomaci e demokraci, “dinë” dhe për shtetndërtim; ata “dinë” në vend tëndin. Janë ushtarët e parë të një sistemi censurial dhe të mbikëqyrjes që hapin frikë e tmerr nga vetë prezenca e tyre. Hapi i dytë i miniregjimit diktatorial është formësuar me zhbërjen totale të rolit të Parlamentit, institucionit të vetëm mbikëqyrës dhe kontrollues të Qeverisë. Pa Parlament dhe pa autonomi vendimmarrëse në Parlament duart e Qeverisë dhe të provincialistëve në mendje janë tërësisht të lira. Sot arena e fjalës së popullit është një teatër i lodhtë. Kështu ndodh kur Qeveria zgjedh njerëzit që duhet qenë në Parlament kështu ndodh kur vendimet e Parlamentit i merr si rekomandime kur nuk i duhen e obligative kur ka nevojë, kështu ndodh kur marrësit e vendimit e shohin veten si mbret.

Me mbytjen e lirisë gazetareske fillon dhe hapi i fundit, ai i verbërimit të qytetarëve nga anomalitë. Në vend të ofrimit të mbrojtjes e partneritetit për zbardhësit e së vërtetës, institucionet tona si për inat kërkojnë mbylljen e tyre. Kjo tregon se sa shumë të njëjtët mërziten për shtetndërtim. Ata mërziten vetëm që egot e tyre korruptuese e anomalitë politike të mos dalin në shesh. E në mungesë të shprehjes së lirë, politika e miniregjimit diktatorial do të mundohet të shfrytëzojë ato pak medie nën grushtin e vet. Nëpërmjet tyre ju e unë do të dëgjojmë hiperheroizma, punë epike e suksese të pareshtura të sistemit. Me kontroll të tillë, kur gjenet e mendjes kontrolluese dalin në pah herët a vonë ne do të fillojmë të besojmë se e kemi gabim.

Relacioni që institucionet tona kanë krijuar me mediet është një vazhdimësi e prishjesh së marrëdhënieve dhe konsensusit të brendshëm në çdo temë të mundshme me çdo palë të mundshme. Jo vetëm se i tradhtuan gazetarët me miratim pavarësisht memorandumeve e marrëveshjeve paraprake, por një sjellje e tillë tregon se sa pak mërziten vendimmarrësit tanë për marrjen e mendimeve të tjera. E për “filozofët” institucionalë, mërzitja për marrje të mendimeve të tjera është mu thelbi i demokracisë që ata e mbajnë në gojë ditë e natë. Nuk arrij dot të kujtoj një fushë të vetme ku vendimmarrësit, opozita, shoqëria civile e kushdo tjetër ishin një; as edhe një fushë të vetme. Aq keq e rëndë i kanë katandisur relacionet sa që kam përshtypjen se kushdo që nesër merr timonin e vendit do ta ketë fare të lehtë të fitojë simpati e mbështetje; krejt çfarë duhet të bëjë është të zhbëjë bërjen e tyre.

E për gazetarët e pavarur, një gjë është e sigurt. Çmenduritë kontrolluese e tendencat minidiktatoriale nuk kanë as gjasën më të vogël përballë idealizmit e fuqisë së të vërtetës. Për kosovarët e tjerë ecje të tilla janë produkt i qetësisë sonë dhe i durimit të padurueshëm. Për t’u kthyer edhe një herë te rreshtat e Alan Moore, paragrafi i Vendettës përfundon me fjalë që thonë shumë: “Si ndodhi kjo? Kë duhet fajësuar? Sigurisht ka nga ata që janë më përgjegjës se të tjerët, dhe ata do të japin llogari një ditë për këtë, por thënë të drejtën, nëse jeni duke kërkuar fajtorin e vërtetë, atëherë ju vetëm duhet të shiheni në pasqyrë.”

Friday 20 April 2012

PIKË E PESË

LETRA NGA LIMBO
Koha Ditore, 20 Prill 2012

Java që lamë pas tregoj sa keq shqiptarët i kanë punët, në vete dhe në mes vete. Nga mungesa e reagushmërisë në mbrojtje e deri te mungesa e pasionit për të ngritë kombin bashkë, renditen argumentet se pse shqiptarët sot janë pikë e pesë. Do të mbesim të tillë sa herë që nuk ndjekim një ideal, një frymë e një doktrinë shtetformuese e kombforcuese.


Edhe këtë javë reagimi i institucioneve tona ishte i lodhtë, pa substancë dhe pa një ide se si të shkohet më tutje në problemin më të rëndë kosovar që nga paslufta, Veriun. Një parazitizëm i tillë tregon se kosovarët nuk mendojnë fare vet, nuk besojnë se duhet të gjenerojnë politikë e hiç më shumë se duhet të mbajnë shtet; ata arrinë dëlirin politik me lëshime të deklaratave e stilizim të tyre. Cili duket e tingëllon më bukur ndezë më shumë në vota. Kosovarët sot janë tërësisht të varur nga “miqtë ndërkombëtarë”, nga politika rajonale e nga preferencat e huaja. Mendja e tyre funksionon se si duhet përshtatur më mirë preferencave të të huajve. Kush përshtatet më shumë ka gjasa të ecë më lehtë në shkallët politike që megjithatë janë të vetmet që i ngrenë në jetë. Përtej beneficioneve personale, një ndjekje e tillë sjell asgjë. Në një lojë kur ti pret e nuk krijon, goli herët a vonë do të vije. Do të vije meqë të tjerët nga ana tjetër krijojnë, mendojnë e prodhojnë; ashtu siç bëri dje Serbia e ashtu siç bën sot. Dhe në fund, ‘miqtë’ që deri dje të jepnin udhëzuesin e lëvizjes sate, do ti rrahin shpinën asaj. Të paditurit tanë, të shkretit e të mjerët, nuk kanë se si të kuptojnë se politika jonë formon dhe qasjen ndërkombëtare ndaj nesh. Kur ne rrimë, ndërkombëtarët rrinë, kur ne nuk bëjmë, ata do të bëjnë.

Mungesa e mendjes dhe dijes në institucionet tona bën që ne të përfundojmë me outpute sui generis, pa ndonjë progres domethënës, e në raste si Veriu pa reagim fare (diçka më ndryshe se ai deklarativ). Shpresa e mbetur në Parlament, u shua në pesë minutat e parë të seancës. Aty njeriu kupton se Parlamenti është bërë një arenë e shpëlarjeve të mëkateve nga gabuesit, e mundësi e artë për të gozhduar nga pretenduesit. Një tempull që para së gjithash duhej të ishte i fuqisë, rendit e mendjes, sot është asgjë më shumë se një mbrojtës televiziv i veprimeve të Qeverisë dhe një mundësi opozitare për të fituar poena politik në çdo hallakamë qeveritare. Në vend se institucioni i popullit të dalë me rezolutë të qartë e kërkesë për mbrojtje të pakontestueshme ndaj kosovarëve të ngujuar, i njëjti bëhet hiç më shumë se një vend ku nuk prodhohet asgjë, ku atraksioni më i madh është ironizomi politik e ku paratë qohen poshtë (me plot kuptimin e fjalës).

Për zhvlerësimin e Parlamentit fajet i kemi vet. Degradimi filloi atëherë kur lejuam hyrjet e daljet si në kopsht publik të çdo ndërkombëtari, kur konsideruam vendimet e tij si këshilluese, e kur koncentruam angazhimin e deputetëve proqeveritarë në mbrojtje të çdo aktiviteti të qeverisë, pa menduar as për një grimë me mendjen, logjikën e sensin e vet. E derisa Parlamenti është shndërruar në arenë cirku, fyerjesh e sharjesh në baza partiake, Veriu i vendit vazhdon të mbetet pa zot shtëpie. Dalngadal i njëjti po na rrëshqet nga duart, nëse e kemi pasur ndonjëherë. Nesër, mbrojtja e kosovarëve do të jetë e pamundur. Nesër, njëjtë siç arsyetohemi sot, do të themi se problemin kemi trashëguar, ani pse secili që trashëgoj i dha pak kilogram neglizhencë, problem e inferioritet.

***
Veriu i dhimbshëm tregon se si shqiptarët sillen ndaj pretenduesve territorial të tyre. Skandali i energjisë me Shqipërinë në anën tjetër tregon se si ata sillen në mes vete. Jo se ky skandal është i ri, por se më në fund mediat tona vendosën ta vënë atë nën spektrin e dritës. Sipas mediave kosovare, vonesat në ndërtimin e lidhjes në fjalë bëheshin për pasurime individuale të liderëve nga Tirana, madje, për të keqën tonë në llogari të biznesmenëve nga Serbia. Nuk dua të bëj avokatin e asnjërës palë, në këtë gjendje ku janë shqiptarët gjithçka është e mundshme; dua vetëm të them se pavarësisht arsyeve është turp i madh për dy palët që në 13 vite nuk arritën të ndërtojnë një linjë të përbashkët energjetike; turp i turpit. Kujtoj se problemi energjetik daton që nga paslufta, se neglizhenca jonë e inferioritetit i paparë ka bërë që Kosova në plot 13 vite jo vetëm të pasurojë Serbinë por të blejë energji edhe më shtrenjtë, kjo sepse Serbia obligon Kosovën të paguaj dhe TVSH-në, gjithmonë duke e konsideruar Kosovën si pjesë të saj.

Mungesa një linje energjetike me Shqipërinë ka bërë që dy vendet të humbasin dukshëm nga mosshfrytëzimi i përparësive krahasuese. Kujtoni se shumë lehtë do mund të zgjidheshin mungesat e energjisë elektrike në dimër për Kosovën e në verë për Shqipërinë sikur dy sistemet të unifikoheshin e nëpërmjet kësaj linje të dërgoni tepricat e tyre gjatë ujërave të shumtë në Shqipëri gjatë dimrit për në Kosovë, dhe thëngjillit gjatë verës nga Kosova për në Shqipëri. Nuk ka as edhe një arsye të vetme logjike prapa shtyrjeve në vazhdimësi për këtë linjë; as edhe një. Shkasi i vetëm është neglizhenca. Pavarësisht kësaj, nëse pretendimet e mediave kosovare dalin të vërteta, atëherë përgjegjësia duhet ti rëndojë shpatullat e dikujt në Tiranë.

Por një relacion i tillë jep më shumë dhimbje se sa vetëm kostoja financiare. Një trajtim i tillë tregon se gjërat me zor nuk bëhen. Në të njëjtën logjikë u trajtuan edhe patatet kosovare gjatë gjithë verës, kur me absurditetin më të madh atyre ju dha çmimi referencë nga Qeveria shqiptare, vetëm për tu zhbërë referencimi pasi u kalbën. Për gjithë ata me dije modeste mbi tregtinë ndërkombëtare, çmimi referencë është një çmim që një vend i vë një produkti nga nj vend tjetër, mbi të cilën më pas vendosen obligimet doganore e tatimore. Këtë verë, ‘nëna Shqipëri’ kishte referencuar patatet kosovare me plot 24 cent për kilogram, ani pse një kilogram patateje kosovar kushtonte hiç më shumë se 8 cent. Pra në vend se bujku kosovar të tatimohej për kilogram patateje mbi bazën 8 cent, ai u tatimua me plot trefishin e çmimit të saj real; rrjedhimisht paguante obligime tatimore më shumë duke bërë çmimin e patates më pak të konkurrueshme e fare të shijshme. Për të bërë inatin dhe më të rëndë, “nëna Shqipëri” kishte referencuar pataten nga Serbinë në 8 cent,atë të Malit të Zi me 10 cent, e të Maqedonisë me 14 cent. Si duket parimi ka qenë ku ka më shumë shqiptarë më shtrenjtë.

Vitin e kaluar kisha shkruar se për Shqipërinë Kosova shihet vetëm si një treg shitës e assesi blerës; pra Tirana zyrtare do të thirret në patriotizëm, bashkim ekonomik e një varg fjalësh turbo-folklorike vetëm kur të sheh mundësinë për të marrë para nga Kosova, assesi për të dhënë atje. Kur bujku kosovar, pas plot 13 viteve heqje t’zirit të ullirit arriti të prodhojë patate madje më mirë e më lirë se në rajon (si duket gjetëm një produkt ku mund të bëjmë më mirë), “nëna Shqipëri” i tha të njëjtit bujk se patatja e tij nuk mund të shitet atje, ani pse çdo ditë të lumë i mban ligjërata për bashkim ekonomik e forcim të kuqezinjve.

E me sjellje indiferente që shqiptarët kanë ndaj njëri tjetrit, qoftë në vija të mbrojtjes si ën Veri, apo dhe në tregti si në energji e patate, 100 vjetori i mëvetësimit duket si një festë që duhet bërë sa për sy e  faqe. Të paktën në një shekull përpjekjesh për liri e ngritje të shqiptarëve ne mësuam asgjë. Me politikë si kjo, me ego kaq korruptive e kaq individuale asgjë nuk është e mundur; asgjë nuk do të jetë.



Friday 13 April 2012

ASGJË PËR MITROVICËN


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 PRILL 2012 

Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes dhe forcës, por paqja e marrë nga dorëzimi është po aq e njëjtë sa vet nënshtrimi. Ka diçka të madhe që emri shtet mban në vete, e cila, na pëlqeu ose jo, quhet obligim për mbrojtje

Nuk arrij ende të kapërdijë gjithë atë neglizhencë, komfort e mosreagueshmëri të treguar nga institucionet tona pas aktit të fundit terrorist në Mitrovicë dhe për më tepër pas spastrimit etnik të shqiptarëve për në Jug. Nuk mbaj mend të ketë pasur një paralizë totale të vendit ani pse aktet provokative, kriminale e terroriste vinin njëri pas tjetrit sa për të rënduar dhe më shumë dëshpërimin e mllefin e kosovarëve. Një pasqyrë si kjo tregon më së miri se sa pak brengosen “të mëdhenjtë tanë” për “të vegjlit e vet”, sigurinë e tyre dhe perspektivën e çerek territori të vet. Jam i bindur se po të bëhej fjalë për ndonjë tender pak milionësh secili prej tyre, i madh e i vogël, do të renditeshin për të copëtuar një pjesë ashti nga talli i mishit të korruptuar.

Nuk arrij ende të kuptoj se sa patetikë e të gërditshëm u bëmë nga injoranca e treguar pas vrasjes së një shqiptari në gjumë nga kriminelë, terroristë e vandalë serb; banditë të ndyrë që sillen e pështillen si në bahçe të babës. Mund ti parafytyrojë vrasësit teksa ngrenë dolli rakie për ‘burrërinë” e treguar ndaj fëmijëve e të pambrojtur; qyqarë të mjerë. Edhe më pak arrij të kuptoj reagimin tonë ndaj tyre, tolerancën, durimin e pritjen e dhënë; më mirë të mos reagonin fare. Në ditën e parë të vrasjes së Selverit u bëmë thirrje terroristëve për qetësi, në ditën e dytë varrosëm burrin në hije të plotë, në ditën e tretë heshtëm, e në të katërtën dërguam dy policë e një kioskë; çfarë tmerri e dëshpërimi.

Tmerr e dëshpërim meqë gjuha jonë hiper-toleruese po ju jep zemër dhe më shumë qyqarëve terrorist. Sot terrorizmi serb merr fuqi sepse gjuha jonë politike promovon dorëzimin në vend të mbrojtjes. Kur ata vendosën barrikada ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata vranë forcat e rendit ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata dogjën kufijtë ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata kidnapuan policët kufitar ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata ekzekutuan një familjar ne bëmë thirrje për qetësi. Sa herë që ne bëjmë thirrje për qetësi e jo thirrje për mbrojtje, terroristët do të marrin zemër më shumë, vrasin e djegin më shumë. Nuk ka vend në botë që ka zhbërë terrorizmin me thirrje për qetësi por me forcë të rendit dhe forcë të shtetit. Këtë forcë ne nuk po e tregojmë e as që e kem ndërmend ta tregojmë.

Tmerr e dëshpërim meqë trajtuam Selverin e vdekur më zi se kur ishte i gjallë. Paramendoni se  të njëjtit i kishim ndalur kohë më parë asistencën sociale, duke e lënë atë dhe familjen e tij në mëshirë të të pamëshirshmëve. Qeveria jonë mund të thirret si patriotike kur shpenzon 1 miliardë euro në autostradën për Shqipëri, por shumë më patriotike mund të thirrej sikur gjithë ato para ti jepte vetëm për Veri. Nuk ka akt e gjest më patriotik se zotërimi i Veriut; nuk do të ketë asnjëherë për Kosovën. E trajtuam Selverin edhe më zi në vdekje meqë varrimi i tij u bë në heshtjen më të madhe të mundshme, pa ceremoni zyrtare, pa prezencë të përfaqësuesve politik, e pa reagime që do bënin nam. Në vend se Kryeministri i vendit të ndërpriste shëtitjen e tij turistike në universitetet amerikane, ti thoshte botës se ka terroristë në vendin e tij dhe se po kthehej për tu dhënë gjuhën e forcës banditëve qyqar që vënë bomba në shtretërit e fëmijëve, ai zgjodhi heshtjen; as edhe një fjalë. E kur një tjegull e çatisë së një manastiri serb bie rastësisht nga një erë, Serbia dërgon letra e telegrame gjer në OKB.

Tmerr e dëshpërim meqë për ti dhënë zgjidhje dhunës e terrorizmit në Veri ne dërguam, paramendoni ose jo, dy policë në një kioskë. Nuk arrij të kuptoj logjikën e sensin e dikujt prapa një ideje të tillë, nuk arrij të kuptoj se a e bënë se aq dinë apo se nuk duan. Nëse dinë aq, mjerë për ne; do të duhet të paditurit ti bindim se nuk dinë e më pas ti bëjmë që të bëjnë. Nëse nuk duan më shumë, turp për ta e marre për ne në kë jemi mbështet. Sa për të legjitimuar paaftësinë totale tonën, kryetari i Mitrovicës një ditë pas vrasjes i bënte thirrje qytetarëve “të mbrojnë pragun vet”. Një thirrje kaq joinstitucionale nga një njeri institucional tregon se në çfarë gjendje të gjorë Kosova është sot. Po ne taksa e tatime nuk paguajmë që të vetë-mbrohemi, shtet nuk shpallëm që të vetë-mbrohemi, institucione nuk zgjodhëm që të vetë-mbrohemi, por që me punën tonë, paratë e shtetit e institucionet e zgjedhura të krijojmë forcë që i del zot vendit, qytetarëve të sodit e fëmijëve të nesërmes. Edhe më e rëndë e shumë më provokative dukej vizita e radikalit serb Nikoliq i cili mu para hundëve tona, një ditë pas vrasjes, mbante miting partiak. Po të kishim një gram dinjitet të njëjtit do ta arrestonim për hyrje ilegale në Kosovë dhe për nxitje të dhunës e mbështetje të terrorizmit. E nëse nuk kemi kapacitete të arrestojmë le të shpjegojë dikush gjithë këtë marifet shtetndërtues.

Tmerr e dëshpërim edhe për reagimin ndërkombëtar. Shumica heshtën, e ata që folën shkretuan. Bënë thirrje që ngjarja të mos politizohet se Selveri kishte vdekur si njëri i zakonshëm dhe zgjidhja duhet të ishte e zakonshme. Zotërinjtë diplomatë, në vend se të kërkonin nga shtetet e tyre nota proteste për terrorizmin serb, në vend se të reagonin njëjtë siç reagojnë kur terrorizmi prek bashkëqytetarët e tyre, e trajtojnë vendosjen e një bombe tek një familje si diçka të zakonshme. Ata nuk dinë apo nuk duan të dinë se Selveri nuk vdiq si një njeri i zakonshëm por vdiq pse ishte shqiptar; vdiq pse vrasësit e tij ishin po të njëjtit që i dhanë Evropës gjenocidin e fundit trembëdhjetë vjet më parë, e sot po të kishin pak forcë do ribënin të njëjtin gjë. Madje, janë po të njëjtit njerëz që këtë javë detyruan shqiptarët që më në fund të largohen nga shtëpitë e tyre; pastrim modern etnik ky. Jo se pritet ndryshe nga diplomatë që objektiv kanë një karrierë të qetë në një vend me plot mundësi për karrierë. Sikur të njëjtit të instistonin në forcat e tyre paqeruajtëse për zgjidhje njëjtë sikur insistojnë në korridoret e  Parlamentit, Mitrovica do harrohej kaherë. Pavarësisht kësaj,  gjuha e toleranca ndërkombëtare duhet ti shërbej Kosovës e institucioneve tona si kambanë zgjimi se zgjidhja e Veriut nuk do vijë asnjëherë nga të huajt, ashtu siç na u ishte premtuar e thënë vit pas viti që nga 99-ta. Zgjidhja do të vjen vetëm nga ne. Në fund të fundit, po nuk arritëm të mbromë Selverin, ne mund ti mbrojmë të tjerët në Mitrovicë.

Kosova sot duhet të bëj zgjedhje mes mbrojtjes dhe dorëzimit. Paaftësia jonë për të reaguar si shtet, mungesa e vullnetit për të treguar dhëmbë, gjuha e butë dhe zmbrapsja pas çdo kërcënimi serb kam përshtypjen se deri më tani kanë sjellë hiç më shumë se një dorëzim dhe pranim të humbjes. Të dhënë pas pasurimeve individuale nga pushteti, të uritur nga potencialet e plaçkitjes së gjithçkaje publike, politika kosovare nuk ka gjetur asnjëherë rrugën e drejtë shtetndërtuese. E sa herë është vënë në situata sfiduese për Veriun, e njëjta ka zgjedhë rrugën më të lehtë: thirrjen për qetësi, komfortin dhe harresën. Kur Tadiqat e Daciqat u flasin njerëzve të tyre mbi kthimin e Serbisë në Kosovë, e bëjnë këtë ngaqë nga ne dëgjojnë zëra që duan paqe me çdo kusht, duan dialog e negociata para mbrojtjes, duan rahati para mundit; apo si një komentator i kafeve të Qeverisë e kishte thënë “mos pritni nga ne të dërgojmë policinë atje”. E kur Qeveria jonë pranon mungesën e mjeteve për të vënë rend ajo pranon rritjen e guximit të terroristëve, ajo i inkurajon ata për të bërë më shumë. Kur ne pranuam barrikadat pardje, djegien dje, vrasjen sot, ne pranojmë humbjen e Veriut nesër. Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes dhe forcës, por paqja e marrë nga dorëzimi është po aq e njëjtë sa vet nënshtrimi. Ka diçka të madhe që emri shtet mban në vete, e cila, na pëlqeu ose jo, quhet obligim për mbrojtje. Në fjalë të Alexander Hamilton “Një komb që pëlqen turpin ndaj rrezikut është i gatuar për padron, dhe e meriton një”. Selveri mund të jetë vetëm një njeri i lënë në harresë, por Veriu i Kosovës është me plot të tillë. Heronj modern të harruar nga gëlltitësit e mëditjeve, vozitësit e xhipave, e sheikët e politikës kosovare, presin sot e nesër mbrojtjen e shtetit të tyre; jo thirrjen për qetësi, jo dy policë, jo një kioskë e jo solidaritet në fjalë, por mbrojtje. Është koha e fundit për vendosjen e shtetit në Veri.


(Autori është kolumnist i rregullt i ‘Kohës Ditore’)

Friday 6 April 2012

EVAZIONI FISKAL: NË PRITJE TË TAKSËS SË SHESHTË (3)

LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 6 PRILL 2011

Vendi ynë, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar pothuajse një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë emergjente
Në dy shkrimet e fundit provova të argumentojë se niveli alarmant i evazionit fiskal buron (përtej mungesës substanciale në mekanizma mbledhës) nga relacionet shtet-qytetar dhe nga niveli i ulët i moralit fiskal (apo gatishmërisë vullnetare për të paguar tatime). Në këtë shkrim të tretë dhe të fundit do të argumentojë mbi komplikueshmërinë e sistemit fiskal dhe nevojës që Kosova, sikurse gjitha vendet e rajonit, të aplikojë taksen e sheshtë.
Dy javë më parë, revista e famshme Forbes kishte lavdëruar në qiell Shqipërinë për aplikimin e taksës së sheshtë, madje themeluesi i saj bënte thirrje që edhe vendi i tij, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndiqnin përvojën e Shqipërisë; një rast ky mjaft i rrallë kur shqiptarët bëjnë shembull për së miri. Praktikat e një suksesi të tillë them se duhet ti përqafojë dhe Kosova, e cila në fund të fundit nuk do të ishte e vetme në këtë vijë. Ishte Hong Kongu nga vendet e para që qysh në vitin 1947 vendosi sistemin e tatimeve proporcionale prej 16%. Vendet Baltike si Estonia, Lituania dhe Letonia kanë pasur tatime proporcionale prej 24%, 23% dhe 25% që nga mesi i viteve të 90-ta, të pasuara nga Rusia dhe Ukraina me 15% respektivisht 13% në fillim të shekullit 21. Sllovakia është një ndër vendet e rralla që ka aplikuar sistemin proporcional në të gjitha tatimet (në tatime në të ardhura, korporata dhe TVSH) prej 19%. Vendet si Rumania, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Shqipëria (10% nga viti 2008) janë shtetet e fundit që aplikojnë sistemin proporcional, ndërkaq Çekia dhe Greqia janë vendet e radhës që pritet të adoptojnë një sistem të tillë. Mësimet e nxjerra nga këto vende ishin se tatimet u bënë më të lehta dhe më lehtë u administruan, kishte më pak motiv për subjektet për evazion, dhe në fund pati stimulim impresiv të zhvillimit ekonomik. Tatimet proporcionale u treguan aq të suksesshme sa që debate të shumta sot e kësaj dite vazhdojnë të zhvillohen në SHBA dhe Britani. Numëruesi i përbashkët i gjithë reformave artikulohej në tre fusha kryesore: thjeshtësimi i tatimeve, efikasiteti i politikave fiskale dhe drejtësia që sigurohet nga implementimi i këtyre politikave.
Dallimi i sistemit të rrafshët nga ai çfarë tani kemi, në princip është se të gjitha subjektet qofshin ata individë, biznese individuale, korporata, të gjitha grupet e njerëzve të ndarë sipas të ardhurave, të pasur apo të varfër, do ti nënshtroheshin një norme të njëjtë (në përqindje) tatimi për të gjitha llojet e tatimeve qofshin në konsum, të ardhura apo fitim. Ky strukturim, unë argumentojë, do të sjellë thjeshtësi, efiçencë e drejtësi.
***
Sa më i komplikuar të jetë sistemi fiskal në vend aq më tepër i jepet motiv qeverisë për komplikime të tjera, deri në masën kur komplikimet arrijnë limitin e arsyeshmërisë dhe reformat fiskale në drejtim të thjeshtëzimit të tyre janë të domosdoshme. Kosova, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar mbi një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë. Nëse i hedhim një vështrim të lehtë sistemit ekzistues fiskal atëherë fotografia e bërë do të përmbajë procedura të shumta, ligje dhe dokumentacione që rrallëherë mund të kuptohen, administratë tatimore plotësisht injorante ndaj evazionit fiskal, transaksione në kesh e kurrë të regjistruara, frymë rezistuese e pothuajse çdo qytetari ndaj mekanizmave fiskale, për të mos filluar fare me anën distributive të sistemit meqë do të bënte mbledhjen e tatimeve të dukej mjaftë mirë. Megjithatë, ajo për çfarë qytetarët, bizneset, administratorët tatimorë madje edhe vet politikbërësit pajtohen është se sistemi fiskal në Kosovë është thellë i komplikuar. Kosovarët thonë se nuk kanë fare ide se subjekt të të cilit tatim janë për të mos përmendur fare format e pagesës dhe si duhet bërë ato, bizneset kosovare ankohen në mënyrën e pagesave të tatimeve specifike e me theks të veçantë në tatimet mbi konsum, administratorët tatimorë arsyetohen se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme humane, monetare dhe fizike për të monitoruar transaksionet e një sistemi aq të komplikuar dhe në fund institucionet qeveritare vazhdimisht përsëritin faktin se nuk kanë administratorë tatimor të aftë për këtë sistem fiskal të komplikuar. Në këtë sferë të ideve që në pah nxjerr komplikueshmërinë e sistemit lind pyetja se pse vazhdohet me një sistem të tillë?
Sistemi proporcional që eventualisht do të zëvendësonte sistemin e tanishëm fiskal në Kosovë, të tre llojeve të normave tatimore, qindra zbritjeve, beneficioneve, përjashtimeve, ligjeve, urdhëresave, formularëve, etj, do të sillte me vete thjeshtësinë. Thjeshtësia nuk përfshinë vetëm konceptimin e sistemit por gjithashtu edhe shpenzimet e implementimit të tij. Sistemi fiskal i Kosovës jo që konceptualisht është i pakuptueshëm, madje edhe për profesionistët e tatimeve, por sjell me vete edhe shpenzime të mëdha për implementim si në kohë, mund e para. Ndonjëherë këto shpenzime të implementimit janë aq të mëdha sa që implementimi nuk ndodh fare.
Sistemi i tanishëm parimisht është dhe i padrejtë. Në mesin e mendimeve të cilat nuk e vënë në dyshim obligimin qytetar për të paguar tatime, mbizotërojnë dy këndvështrime mbi kuptimin e drejtësisë së tatimeve. Drejtësia nën tatimet proporcionale (flat tax) nënvizon barazinë si: çdonjëri duhet të jetë subjekt i rregullave të njëjta prandaj çdo subjekt duhet të paguaj tatime me norma të njëjta; në anën tjetër, drejtësia nën tatimet progresive e sheh barazinë si: të gjithë subjektet duhet të paguajnë tatime bazuar në aftësinë e tyre për të bërë një gjë të tillë, prandaj sistemi fiskal duhet ti përjashtojë të varfrit dhe të aplikojë tatime të ndryshme për grupe të ndryshme dhe në këtë mënyrë të shpërndajë barrën e tatimeve varësisht prej të ardhurave që subjektet gjenerojnë. Në këtë definim, unë argumentoj se përkrahësit e idesë progresive asnjëherë nuk kanë arritur të provojnë se një euro shtesë vlen më tepër për një të varfër se një të pasur apo anasjelltas. Për më tepër, lënia e parasë më shumë në zotërim të iniciativës private do të thotë më shumë vende të reja pune e më pak nevojë për politika sociale. Krijimi i punës para politikës sociale bën krijimin e efiçencës në shfrytëzimin e parasë, e që në rastin tonë mungesa e efiçencës bën hendikepin e ciklit tatimpagues. Mos të harrojmë se edhe nën sistemin e rrafshët të pasurit paguajnë më shumë se të tjerët. Me fjalë të tjera 10% i një subjekti që gjeneroj fitime 1 milionëshë është shumë më i madh se 10% i dikujt që gjeneron fitime tre shifrore. Me çfarë logjike të drejtësisë duhet një subjekt produktiv trajtuar me norma më të larta tatimore se një subjekt tërësisht më pak produktiv?
Them se për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë, për të krijuar vende të reja pune, për të arritur thjeshtësinë e tatimeve, për të ndjekur drejtësinë, prosperitetin ekonomik, për të ruajtur trajtimin e barabartë të të gjithë taksapaguesve dhe përfundimisht për të rritur vjeljen e tatimeve Kosova mund dhe duhet të fillojë reformat fiskale me fokus në tatimet e sheshta. Për kosovarët, adoptimi i sistemit proporcional do të thoshte se më në fund të gjithë do ti kuptonim tatimet, se formularëve të gjatë e të pafund, pagesave që marrin kohë e rimbursimeve që nuk bëhen kurë me kohë do t’iu vjen fundi, se për biznese pavarësisht qarkullimit, fitimit, kursimit a investimit përjashtime dhe rrjedhimisht komplikime të panevojshme nuk do të ketë, për administratorët tatimorë më në fund implementimi i politikave do të ishte i thjeshtë dhe në fund për institucionet qeverisëse kënaqësia do të vinte nga ideja se politikat e tyre nuk pengojnë tregun, se mbledhja e tatimeve është rritur dhe përfundimisht se ata i trajtojnë të gjithë qytetarët e tyre njëjtë.