Monday, 18 November 2013

MËSIME ZGJEDHORE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 15 NËNTOR 2013

Mbi nevojën e reflektimit partiak për të gjithë


Tash kur pas zgjedhjeve të para gulfojnë martesat e çoroditura partiake, kur të papriturit priten në krah partish, kur aleancat e koalicionet politike befasojnë dhe militantët më të devotshëm, tash kur gjithçka është e mundur sepse votat dhe vetëm votat kanë rëndësi, është mirë që partiak-bërësit kosovarë nga gjithandej, të ulen pak, marrin frymë thellë dhe të rishfletojnë shënimet e marra nga ligjërata popullore e 3 nëntorit.

Në të vërtetë, sikur Kosova të kishte në vete parti me më pak inat se që kanë sot, politikanë me më shumë vetë-kritikë se sa bëjnë sot, e votues edhe më kërkues se sa që janë sot, shënimet e tilla do të shndërroheshin në reflektime mandatore e jo teke qejfesh rreth e në mes të jaranisë partiake – ku rëndom përfundon çdo kërkesë popullore sot.

Gjithsesi se niveli i ulët i demokracisë dhe i papërgjegjësisë partiake – dhe sëkëndejmi mosshtytja për reflektim – bashkëjetojnë me nivelin e ulët të demokracisë në vend; pa ditur se cila bën cilën. Por në frymë të besimit se megjithatë ka vullnet për të ndërtuar mbi punën e deritanishme partiake dhe rrjedhimisht politike, them se partitë do të kenë vullnet për të reflektuar në pesë mësimet e marra nga zgjedhjet.

Mësimi i parë ndërlidhet me thyerjen e tabuve zgjedhore, sidomos e atyre lokalizmave e regjionalizmave militanteske partiake – që na i quanin “bastione”. Kjo thyerje, kam përshtypjen, përbën ndërmarrjen më inovative dhe më të rëndësishme politike që votuesi kosovar mund ta ketë krijuar këtë herë. Ndoshta sepse ai po rinohet në vazhdimësi, madje nga mbi 30 e ca mijë votues të rinj çdo vit, apo ndoshta sepse ka marrë një mësim (rrugës së vështirë) se zhvillimi nuk do politikë mahallash por megjithatë do vizion e krijim. Pavarësisht të gjithave, shpërbërja e rënia e pothuajse secilës parti politike në regjionet e saj më të forta është tregues i mjaftueshëm i shpërbërjes së këtyre “bastioneve” dhe rrjedhimisht sigurisë së tepruar e shndërruar në komfort papërgjegjshmërie. Vetëm pak vite më parë do të ishte pak e mendueshme se PDK do rritej në Podujevë, LDK në Pejë apo VV në shtresë urbane.    

Mësimi i dytë ka të bëjë me arrogancën e pushteteve lokale, e cila na del e sanksionuar në pothuajse të gjithë Kosovën. Përjashto komunën e Hanit të Elezit dhe kandidatit të pavarur atje, secila komunë tjetër që në raundin e parë ka mbajtur të pandryshuar qeverisjen lokale ka shënuar rënie (madje të konsiderueshme) të votave në krahasim me zgjedhjet paraprake; të tjerat komuna madje kanë ndryshuar gjithë konstalacionin e fuqive politike. Mesazhi i dhënë qytetar është se kosovarët megjithatë kërkojnë përkushtim, ide të reja dhe mbi të gjitha respekt; se politikëbërja komunale e qendrore nuk është punë konservimi kapitali, por punë e krijimit të pandërprerë. Partitë politike këtë herë duhet të ndihen të paralajmëruara se gafat publike bashkë me gjithë ato skenat e trishtueshme parlamentare të individëve pjesëmarrës aksidentalë, do të reflektohen eventualisht në votë.

Mësimi i tretë është se kosovarët kërkojnë megjithatë kualitet nga klasa politike. Fytyrat e reja që dalin fituese në pozicion apo margjinë ngritje, në pothuajse qendrat më të mëdha në vend – e që ndoshta dhe jorastësisht përbëjnë qendrat  që mbajnë një nivel më të sofistikuar të kërkesës politike – tregojnë për trendet e së ardhmes së afërt në politikën tonë. Ndoshta sepse janë ngopur me klasën pasive e në tendencë riciklimi, apo sepse rinimi (jo në moshë por në pjesëmarrje) edhe sjellë freski e thyerje të monotonisë politike, kosovarët këtë herë në masë të madhe kanë përkrahur regjenerimin. Në vijë me ketë, është po aq mandatore që partitë politike të hapin dyert për mysafirë të rinj për ti zëvendësuar të vjetrit; në fund të fundit secila parti do të duhej ti shihte pjesëmarrësit e saj si mysafir, asnjërin si zot shtëpie. Punë demokracie.

Mësimi i katërt lidhet me hartën e re politike që këto zgjedhje krijojnë. Kjo hartë lë vend për tri pole politike, e të cilat kam përshtypjen se do të formësohen shpejtë; pak para zgjedhjeve nacionale. Poli i parë politik ka të bëjë me tradicionalen e pacifizmit dhe republikanizmit brenda LDK-së. Rreth këtij koncepti do të grumbullohen satelitë të tjerë, individë me të kaluar të ndërlidhur me të (sa për të kërkuar trashëgiminë) por që nuk sjellin freski të mjaftueshme; në fakt sjellin vetëm refuzim refleksiv. Është çështje tjetër se a do të pastrojë LDK shtëpinë nga të tillët për të dhënë vend për të tjerët. Gjithsesi se potenca për rritje kërkon rifreskim; lajmi i mirë për ta është se ata kanë këtë mundësi të rifreskimi në dorë të vet. Poli i dytë politik do të formësohet rreth krahut – që na jepet si – i luftës; e në të cilin PDK na jepet si pritëse e AAK-së. Në të vërtetë, AAK është veçse me një këmbë në koalicionin e ri; ndoshta për të pushuar kështu dhimbjen e humbjeve të fundit komunale e për ti siguruar kështu PDK-së komfortin e tretë në qeverisje. Gjithsesi se potenca e një martese të tillë është e destinuar për shterje; një mandat më se shumti para se të mobilizohet krahu tjetër; por për të dy palët është e vetmja formulë mbijetese në një trend rënës. Poli i tretë, dhe i fundit, do të rrumbullakohet rreth VV-së, një forcë që sot mund të ndodhet në krizë identiteti – pasi ka humbur çuditërisht masën popullore por ka fituar elitën urbane; por se në vete mbanë një potencë të jashtëzakonshme intelektuale. Kjo potencë natyrshëm se do të zhbëhet nëse ky pol nuk ndryshon radikalisht në mënyrën e promovimit të alternativës opozitare, e që është një mision bukur i rëndë për ta.

Mësimi i pestë, dhe i fundit, është se Kosova ka një problem serioz në Veri, e të cilin nuk ka arritur ta amortizojë as pas gjithë atyre sakrificave joproduktive, takimeve të vonshme të pasuara me deklarata ofenduese prej një rreshti, apo provokimeve rrugore të përfaqësuesve beogradas me uniformë paramilitare të cilët nderojnë veteranët e luftës së Kosovës. Nderojnë të njëjtit, që këtë javë më parë, u shpërfaqën si ndërtues të llambave elektrike me kafka kokësh të ziera shqiptare; bastardë të sëmurë. Pavarësisht kësaj, zgjedhjet e dështuara dhe huliganizmi i lazdruar atje do të duhet të shërbejnë si burim reflektues për secilën parti apo pol politik që do të trashëgojë qeverisjen në zgjedhjet e afërta nacionale. Për të marrë veriun sërish nën kontroll do të duhet diçka më ndryshe se sa vajtje-ardhjet në Bruksel.




No comments: