Monday 31 October 2016

SHFAQJA E FUNDIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 TETOR 2016

Dhe kështu, shtatëmbëdhjetë vjet më pas, për shkak se klasa jonë politike e korruptuar ka qenë e zënë me krim e jo shtetndërtim, sepse primare ka qenë pasurimi i të vetëve, fëmijëve, motrave, vëllezërve e kushërinjve me akraba, ne kemi lënë kriminelët serb të lirë, pa u përndjekur asnjëherë, dhe kemi përfunduar me trajtimin disproporcional të krimeve në vend.

-1-

I paprecedentë është rasti i organizimit të seancave parlamentare për të diskutuar vendimet e gjyqësorit. Ndërhyrja e njërit pushtet, në tjetrin, në frymë apo dhe me qëndrim deklarativ mbetet praktikë e rëndë për sistemin demokratik tonin – për aq demokraci sa mund të ketë këndej.

Konfirmimi i dënimit për grupin më të rëndësishëm politik brenda PDK-së, atë të Drenicës, duket se ka nisur një përplasje të re brendapartiake. Përplasja duhet të jetë shkaktuar nga besimi i njërës palë se pasja e pushtetit nënkupton dhe paprekshmëri – ose në rastin më të drejtë të mundshëm korrektësi në trajtim – diçka që të dënuarit provojnë se s’kanë pasur në proces; dhe nga qëndrimi i palës tjetër që ka flirtuar me mbështetjen private për të dënuarit por ka abstenuar në secilin qëndrim publik. Deri më sot. Sot ky nivel i reagueshmërisë ngritet në nivel Parlamenti.

Në esencë qëndrimi parlamentar është shfryrje publike – për përkrahje partiake – ndaj gjyqësisë që kanë ndërtuar vet tash e 17 vjet. Në esencë, qëndrimi parlamentar është blof, por i kushtueshëm shumë. Blof sepse nuk ka asnjë mekanizëm demokratik në dorë të Parlamentit që mund të interferojë me një vendim prej gjyqi; i kushtueshëm sepse intenca tregon fukarallëkun demokratik të kapësve këndej.

E as që dua ta paramendojë një situatë, kur një Parlament i një shtetit, do të nxirrte rezolutë e qëndrim që interferon me gjyqësinë. Për aq sa kanë gatishmëri, dije e vullnet të njëjtit, rezoluta s’do të ishte larg mendsh. Për aq sa kanë frikë nga pasojat ndërkombëtare, të rrimë të qetë.

-2-

Politizimi i proceseve gjyqësore do të jetë temë e vazhdueshme në muajt në vijim. Në të vërtetë, me afrimin e Gjykatës Speciale dhe rasteve që e njëjta do të trajtojë Kosova do të përballet me tri reagime.

Në të parën do të jenë përkrahësit militant, shenjtëruesit e gjithçkaje që ka qenë e luftës – të gjithçkaje pra pa përjashtim, absolutizëm hyjnorë - budallaki. Do të akuzojnë kuzhina të ndryshme shërbimesh, do të akuzojnë media e mendues të pavarur, do të kthehen në termat e tradhtarëve e patriotëve e do të përfundojnë me kuzhina sërish. Të njëjtit sot janë ndarë në tabore të ndryshme partiake, përfshirë dhe në rritje madje edhe nacionalistët në opozitë; por në masë të madhe janë të rrumbullakuar rreth PDK-së dhe partive të krahut të luftës. Kapaciteti i tyre për të prodhuar trazira, megjithatë, është minimal. Çështja e arrestimeve të komandantëve nuk ka ngjallur asnjëherë reagueshmëri qytetare; tregues i mjaftueshëm i aversionit që të njëjtit kanë krijuar nëpër kohë.

Por trazira mund të krijojë reaguesit e dytë, politikanët e votuar nga militantët e tillë pra, të njëjtit që në njërën anë janë të painformuar mbi rrjedhat e Gjykatës dhe subjektet që ajo do t’i trajtojë (përfshirë dhe disa nga ta vet); e në anën tjetër të pajisur mjaftueshëm me material negociuues përballë ndërkombëtarëve e faktorëve të tjerë vendimmarrës në Gjykatë. Në ditën e nisjes së arrestimeve, do të fillojë dhe kërcënimi i tyre. Nëpërmjet kërcënimit do të provohet delegjitimimi i funksionit të Gjykatës; i trajtimit të saj si diçka e antiluftës çlirimtare; ani pse me të trajtohen disa individë e jo një organizatë e tërë. Tjetër çka që të njëjtin shohin veten sa gjithë Kosova.

Reagimi i tretë do të jetë ai ndërkombëtar. Tregimet e padëgjuara këndej, herë sepse i kemi konsideruar si të pavërteta e herë sepse njëmend s’kemi besuar se do të ketë të tilla ndonjëherë, do t’i japin Kosovës një faqe të tmerrshme.  

-3-

Në Kosovë, në fund të ditës janë vrarë dhe serb. Familjarë, civil, të pafajshëm – bujq, mësues, ekonomistë, juristë, inxhinierë. Vrasja e tyre, për veçse ishin serb, është animalistike. E barabartë me vrasjet e bëra ndaj nesh. Dhe, sado që të duket joproporcionale trajtimi i krimeve për shqiptarë e serb – dukje plotësisht e drejtë – ato megjithatë do të trajtohen sepse s’janë trajtuar asnjëherë. E trajtimi i tyre sërish në vitin 2017, do të bëjë Kosovën e Evropianëve të rinj vend të horrorit e tmerrit.

Dhe kështu, shtatëmbëdhjetë vjet më pas, për shkak se klasa jonë politike e korruptuar ka qenë e zënë me krim e jo shtetndërtim, sepse primare ka qenë pasurimi i të vetëve, fëmijëve, motrave, vëllezërve e kushërinjve me akraba, ne kemi lënë kriminelët serb të lirë, pa u përndjekur asnjëherë, dhe kemi përfunduar me trajtimin disproporcional të krimeve në vend.

-4-

E zënë nga reagimi i brendshëm dhe nga imazhi i jashtëm, Kosova  e qytetarët e sajë do të përfundojnë në zgjedhje. Zgjedhjet mbesin përfundimi më logjik në gjithë këtë rrjedhë alogjike.

E para, sepse Qeveria – dhe Parlamenti – janë në pozitë të palëvizshmërisë. Çështja e fundit e madhe e trajtuar në vend, në rrethanat e tanishme, do të jetë Trepça. Ligji i Veteranëve, Asociacioni, Demarkacioni kanë gjasën për trajtim sa të një topi bore në ferr. Në një status-quo të tillë, ekzistenca e koalicionit të tanishëm është e pakuptueshme dhe, dorën në zemër, e panevojshme.

E dyta, sepse do të ishte e paimagjinueshme që PDK të lejojë partnerin e saj qeverisës LDK-në, të mbajë pushtet gjatë kohës së arrestimeve të para të Gjykatës Speciale. Fillimisht sepse duan të jenë në pushtet kur kriza të ndodhë njëmend. Më pas sepse “meritat” e funksionalizimit e largimit të bazës së vet nuk do t’i lë tek kundërshtari tradicional i saj. Dhe kështu zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme, karakteristikë për secilin pushtet që nga shpallja e pavarësisë, kthehen si opsion real sot. Në këtë realitet vijnë dhe paralajmërimet e kreut të PDK-së.

Për Kosovën e qytetarët ka veç një kosto. Procesi i liberalizimit të vizave do të shtyhet; me të dhe funksionalizimi i MSA-së, një dokument i nënshkruar por i harruar kaherë. Të dyja bashkë, standardi i jetës dhe lëvizja e lirë e qytetarëve, përbëjnë çmimin e fundit që kosovarët do ta paguajnë për pazaret e kërcënimeve të kapësve.

Monday 24 October 2016

PROJEKTI YNË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 TETOR 2016

"Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, i integruar në strukturat euroatlantike e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës" - mbetet projekti më i sigurtë, më real e më shqiptar i mundshëm sot.


-1-

Skandaloze, në secilën vlerësim të mundshëm, nga secili këndvështrim i mundshëm, mbetet nënshkrimi i marrëveshjes në mes të ministres për Zhvillim Ekonomik të Shqipërisë, Brunilda Paskali, dhe sekretarit të shtetit në Ministrinë e Tregtisë së Serbisë, Stevan Nikçeviq, mbi ndërtimin e linjës hekurudhore Beograd-Rudnicë-Prishtinë-Prizren-Morin-Milot.

Për secilin që merr pak erë në zhvillimet politike rajonale ku ka Serbi, erë që duket qartë politika e Shqipërisë zyrtare se merr hiç, anashkalimi i Republikës së Kosovës, në një projekt që përfshinë, në masën më të madhe vet Republikën e Kosovës, është pranim i mosegzistencës së saj; qëllim përfundimtar i Serbisë. Në të vërtetë, nënshkrimi në fjalë pranon se sovraniteti i Serbisë mbi territorin e Kosovës është faktik; se për pjesën Prishtinë-Prizren të hekurudhës, vendosë shteti serb.

Kështu, marrëveshja në fjalë, merr epitetin e marrëveshjes së parë rajonale, në mes të dy shteteve Ballkanike, që përfshinë Kosovën si pjesë të Serbisë. Shqipëria zyrtare, në kërkesë absurde për promovim rajonal, bën një akt që – në tetë vitet e fundit të paspavarësisë, s’e ka bërë as Maqedonia, as Mali i Zi, e as Bosnja e Hercegovina që s’ka njohur madje ende pavarësinë tonë. Shqipëria zyrtare, tregon edhe një herë maninë për abuzim nga politika e Beogradit; e tëra për një fotografi që shitet mirë në Berlin. E kushtueshme shumë.

-2-

Dhe për shkak të veprimeve si këto, pra për shkak të mos bërjes hesapë të shtetit të Kosovës e qytetarëve të saj – që kanë zgjedhë një vend sovran e një qeveri sovrane t’i përfaqësojë – lindi dhe debati përplasës në mes të dy palëve. Shkrimi im i javë së shkuar, si kritikë ndaj paternitetit të Shqipërisë e elitave intelektuale atje mbi Kosovë, u shpërnda dhe në Tiranë. Reagimet, për fatin e keq, ishin, siç po bëhen gjithmonë, jo kundër argumenteve të ngritura aty, por kundër flamurit “sari e mavi”; si provë e dëshmimit të patriotizmit andej; mungesës këndej. E kam thënë dhe më parë, Kosova s’ka cka t’i dëshmojë askujt përbërjen patriotike; e mbanë këtë epitet me plot meritë. Kosova ka nevojë t’i tregojë gjithkujt se është e pavarur dhe e barabartë me secilin tjetër.

Dhe në nivelet e përgjithësimit dhe ekstremizmit, karakteristikë tipike e diskutimeve shqiptare andej e këndej, përballja u shndërrua në përballje në mes shqiptarizëm kundrejt kosovarizmit. Sikur duhet të zgjedhësh njërën nga këto.

U bë e qëllimtë kjo përballje; kundërshtarët e Kosovës e pretenduesit e aneksimit donin t’i jepnin karakter jo-shqiptar Kosovës dhe kosovarizmit. Kështu mund ta mundnin. E vërteta është se, për kohën, kosovarizmi është cilësim gjeografik i shqiptarëve. Të jesh kosovar është plotësisht e barabartë me të qenurit shqiptar. Nuk ka zgjedhje mes shqiptarit dhe kosovarit; janë të njëjta. Njëjtësia nuk vjen e as nuk tjetërsohet në formë deklarative. Ka karakteristika individuale, të gjuhës, kulturës, historisë e çka jo tjetër që bën dikë pjesë të një etnie; shqiptarë pra.

-3-

Shqiptarët e Kosovës – kosovarët pra – kanë zgjedhur të kenë një shtet të vetin. Këtë zgjedhje e kanë bërë me vullnet të mirë – madje edhe me referendum. Shqiptarët e Kosovës, kanë bërë dhe përpjekje dekadash për pavarësim. Kanë artikuluar vullnetin politik me përfaqësues politik që kanë promovuar pavarësinë. Janë zgjedhur të njëjtit bindshëm. Kurorëzimi i pavarësisë është festuar e shënuar gjithandej – si fitore përfundimtare e shqiptarëve të Kosovës. Së këndejmi, të jeshë pro Kososovës së pavarur e shtet sovran, është ekuivalente me të qenurit shqiptar e atdhedashës.

Por kështu s’mendojnë patriotët part-time; e as anarkistët revolucionarë, komisarë të papunë në Shqipëri, ders-mbajtës së trushpëlarjes në Kosovë. Njëri prej tyre, këtë javë kishte cilësuar pavarësinë e Kosovës si të barabartë me atëzimin e Serbisë. E kishte thënë, shkurt, se kush do për nënë Kosovën, ka për babë Serbinë; se, logjika e të shkretit e thoshte, projekti i pavarësisë së Kosovës është derivat i ndërhyrjes së Serbisë.

Dhe kështu, e gjithë përpjekja e patriotëve të kohës, të Ibrahim Rugovës, Fehmi Aganit, intelektualëve të tjerë partiak e apartiak, të 99% që kanalizonte në kohë pavarësinë e Kosovës me vullnet politik e reprezentativ – të mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, të punëve e të papunëve, luftëtarëve e bartësve të tyre që vendosën për pavarësi – u bë argatizëm i Serbisë. Pavarësia e Kosovës, arritja më e madhe shqiptare në 100 vitet e fundit, u trajtua si pro-serbe.

Një qëndrim që megjithatë është politik e jo individual (është shkollë e mendimit në Lëvizjen Vetëvendosje) nuk është i rastësishëm. Është metodë e teknikë e njëjtë që – për shembull e ndër të tjerash – ekstremistët religjioz e përdornin kohë më parë në Kosovë. Edhe ata, si këtë, sulmojnë gjënë më të pranueshme të mundshme në një shoqëri. Ekstremistët sulmonin Skënderbeun e Nënë Terezën (njërin duke e quajtur vrasës shqiptar, tjetrën prostitutë ferri) me qëllim të provokimit të masës në gjënë më të ndjeshme të tyre; dhe kështu, mobilizimit të ndjekësve trushpëlarë. Më pas, secili sulm tjetër bëhet i lehtë. E rëndësishme që niveli i sulmit është vënë lartë.

Njëjtë, projektuesit e rrënimit të Republikës, kanë nisur të sulmojnë pavarësinë e shtetit tonë për të bërë një standard të serbizimit të saj dhe refuzimit rrjedhimisht. Prandaj dhe sulmojnë në të njëjtën vijë gjithë përpjekjen dekadëshe të gjeneratave të tëra për liri e pavarësi. Në një ditë, të tanët pra, shqiptarë që i thonë vetit, e trajtuan gjënë më të çmuar tonën – lirinë e shtetin – si proserbe.

-4-

"Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, i integruar në strukturat euroatlantike e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës" - mbetet projekti më i sigurt, më real e më shqiptar i mundshëm sot.

Sot, secili devijim nga ky mision, s'është tjetër veçse kumbari e Serbisë. Bashkimi Kombëtar sot është muhabet prej ëndërrimtari. Është i pamundur tani për tani, rrjedhimisht i kotë për diskutim. I pamundur sepse, një, nuk ka asnjë qëndrim politik në Shqipëri që do ta kanalizonte atë; dy, sepse nuk ka artikulim shumicë në Kosovë që do të merrte rrugën e rrezikut të këmbimit të pavarësisë me një projekt të pambështetur ndërkombëtarisht; dhe tre, sepse, rrethanat gjeopolitike nuk lejojnë as për së afërmi ndjekjen e projekteve të ndryshimit të kufinjëve në Ballkan. Këto forca, që kanë peshë shumë, për fatin tonë të mirë qëndrojnë, si rrallëherë në histori, në anën tonë. Përballja me ta do të ishte humbje e madhe.

E ardhmja mund të sjellë gjithçka; e tashmja po konsumon jetërat e gjeneratës sonë. Kjo gjeneratë mbetet me shërbime tmerri në shëndetësi, me analfabetizëm në arsim, me padrejtësi në gjyqësi, me refuzim të lirisë jashtë e kontestim të pavarësisë mjaftueshëm. E tashmja ka nevojë për përgjigje – përgjigje që ushqyesit e “temave të mëdha” si kanë.



Friday 14 October 2016

NGA TIRANA, ME PËRÇMIM

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 TETOR 2016

Duhet thënë, gjithsesi, se sinqeriteti i Shqipërisë, së paku elitës që kanalizon zërat nga atje, për bashkim është i mjerë. Në gjithë këto vite ekzistencë si shtet, nuk ka mbajtur e as shpërfaqur një qëndrim të vetëm politik për bashkim. As kërkesë për referendum, as kërkesë në ecjet ndërkombëtare, e as pozicion politik. Asnjëherë. Shqipëria, dhe politika zyrtare e saj, bashkimin e kanë parë si temë për flirtim. Elita intelektuale, ndërsa, si çështje trendi.

-1-

Çmenduria e elitës së Tiranës ndaj Kosovës vazhdon. E filluan, kohë më parë, me thirrjet mbi tradhti e kërkesën poshtëruese për lënien e Kosovës anash në futboll; thanë forcojeni veç shtetin tonë, turpëroni këtë tuajin. Po s'bëtë këtë s'jeni patriotë, jeni tradhtarë. Ishte hera e parë që forcimi i pavarësisë po projektohej si anti-shqiptare tek ne. Inferiorët këndej i aplauduan - shumica u dha përgjigje në stadium dhe jashtë tij. 

Por s'u mjaftuan. Këtë javë, të njëjtit nga diskutimi sportiv kaluan në thirrje për aneksim. Jo për bashkim, por për aneksim. Na thanë jeni veçse krahinë e jona; hiç më shumë. Ata që duan njëmend bashkimin do të na shihnin si të barabartë - dy shtete plotësisht të barabarta pra, të cilat nën kushtet e afrimit eventual do të ndërtonin një trup që mbron interesat e dy palëve barbarisht. Në këtë trajtim të barabartë, po të ndodhte ndonjëherë, nëse duhet të ndodhë ndonjëherë, përfundimi mbi ombrellën nuk do të anonte mbi njërën palë veç pse emri i shtetit u fillon me “Shqip”; sepse shqiptarë, po qenë të barabartë, janë të dy palët pra. Por hobigjinjtë e nacionalizmit veç të barabartë s'mund të na shohin. Krahina e tyre, e projektuar dhe publikuar pa marre së fundmi, s'është bashkim; është nënshtrim.

Aventura përfundon, po këtë javë, në Beograd, në normalizimin e relacioneve shqiptaro-serbe. E vërteta është se problemet me Serbinë s'kanë qenë kurrë në mes të Tiranës e Beogradit; prandaj Tirana s'ka çka të normalizojë atje. Beteja e shqiptarëve me serbët është bërë në Kosovë. Politika e Tiranës, për protagonizëm individual, po bie me vetëdije në kurthin e Beogradit, që s'do Kosovën ta trajtojë si subjekt - dhe problemin e shqiptarëve ta kalojë në përballje mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kosova shtet, është tmerr në Beograd. Tirana po i asiston serbëve për mrekulli.

-2-

Shqiptarët e Kosovës – dhe Shqipërisë natyrisht – duhet të kuptojnë se çështja shqiptare s'ka një qendër rreth të cilës shqiptarët duhet të gravitojnë. S'mund të ketë një të tillë sepse shqiptarizimi nuk është ndërtuar veç në Tiranë; përkundrazi, më së shumti është ndërtuar - dhe dorën në zemër mbrojtur - në Kosovë. Dhe Kosova, është shqiptare sa gjithçka tjetër shqiptare. Madje, Kosova sot është produkti kryesor i shqiptarizmit; në një model modern shtetndërtues. Si e tillë ajo ka të drejtë të thirret në çështjen shqiptare po aq, në mos dhe më shumë, sa Shqipëria. Simbolika shqiptare, që rastësisë për shkak të rrethanave gjeopolitike të jetë zyrtare në Shqipëri se bën atë më shqiptare se sa Kosovën. Prandaj si kemi borxh askujt, as ekip futbolli, as eksluzivitetin e shqiptarizmit, as fatin me Beogradin  - e edhe më pak pavarësinë e shtetin që megjithatë do ta bëjmë. 

-3-

Duhet thënë, gjithsesi, se sinqeriteti i Shqipërisë, së paku elitës që kanalizon zërat nga atje, për bashkim është i mjerë. Në gjithë këto vite ekzistencë si shtet, nuk ka mbajtur e as shpërfaqur një qëndrim të vetëm politik për bashkim. As kërkesë për referendum, as kërkesë në ecjet ndërkombëtare, e as pozicion politik. Asnjëherë. Shqipëria, dhe politika zyrtare e saj, bashkimin e kanë parë si temë për flirtim. Elita intelektuale, ndërsa, si çështje trendi. Të njëjtit që sot na llafazojnë për patriotizëm, janë shitur e shpëlarë publikisht e shumëherë si ultrainternacionalë. Tash, kur filluam sukseset tona si shtet, na u bënë brenda natës patriot. Unë i them kësaj inat; mos përbirje e suksesit të atyre që i kanë parë si të pabarabartë.

Nëse njëmend ka një kërkesë e vullnet për bashkim, nëse qytetarët e atjeshëm shqiptarë duan të bashkohen me Kosovë, atëherë le ta shtrojnë publikisht. Tua thonë partnerëve në BE, tua thonë anëtarëve në NATO. Të shohim, për pak, çfarë përgjigje kanë për të marrë njëherë. Të kuptojmë se a janë të gatshëm, qytetarët e Shqipërisë, ti ndërmarrin sakrificat – eventuale – nga ndjekja e një rruge tjetër jashta BE-së e NATO-s. Do t’i ndjekim hap më hap.

Flirtimi i tanishëm, ku shqiptarët e Kosovës shihen si obligatorë e marrës së barrës e bashkimit, është punë hobi për elitën e Shqipërisë. Punë argëtimi televiziv; të çartjes artificiale për diçka që kanë bërë minimalisht angazhim. Zero. Hiç. Asgjë.

-4-

Shqiptarët e Kosovës, ndërsa, duhet të lirohen e çlirohen nga ndjenja e inferioritetit sa më parë. Duhet të kuptojnë, njëtrajtësisht, se shteti i tyre që kanë, pavarësisht ngjyrave me të cilat del jashtë, është shtet shqiptar. I definuar me Kushtetutë si shtet i shqiptarëve. Ata duhet të kuptojnë se aventurat argëtuese të elitave tallëse në Tiranë (konsideratë shumë për përjashtimet) mund të jenë të kushtueshme. Arritja jonë si shtet i pavarur, në rrethanat e tanishme, është e rrallë, e shtrenjtë, e pahumbshme – mëkat prej idioti po e humbëm këtë.

Gjithashtu, shqiptarët e Kosovës duhet të kuptojnë se s’ka asgjë të keqe në konsolidimin e shtetit tonë. Dhe konsolidimi i shtetit tonë nënkupton pasjen e gjërave tona; siç i ka Tirana të sajat pra. Sepse, është e pakuptimtë që progresin e shtetit tonë ta trajtojmë nën fajin e anti-shqiptarizmit. Ta refuzojmë këtë mendësi që e ushqejnë ata. Kjo logjikë s’ka pse të instalohet. Edhe s’kemi për ta instaluar gjithësi. Siç dhe kam thënë më parë, Kosova ka djem e vajza mjaftueshëm që i dalin zot – për ta bërë shtet, të pavarur e sovran, të hapur ndaj secilit; të nënshtruar ndaj asnjërit. Republika do të jetojë.