Saturday 15 August 2009

Destinacioni Kosovë - Kjo Parajsë Bankare

Nuk guxon të ketë asnjë argument mbi lartësinë e kthimit të investimeve që një subjekt mund të ketë përderisa ky subjekt ka për qëllim maksimizimin e fitimit, por për hir të logjikës analitike pyetja që unë shtroj është se mos koncentrim i sistemit bankar në një numër të vogël institucionesh po e shpie këtë sektor në një status-quo oligopolistik? A mundet tregu dhe qeveria të sjell sistemin bankar në një situatë më optimale?


Roli i sektorit bankar në ekonomi është thelbësor në të gjitha zhvillimet socio-ekonomike. Ne dimë se ato janë shtytësit kryesorë të rritjes ekonomike meqë japin kontribut të pakrahasueshëm drejt zhvillimit lokal e nacional. Ne dimë se sektori bankar global po kalon kohë të turbulencave i prekur thellë nga efektet recesive. Dimë për borxhet e këqija dhe për brengosjet mbi strukturën e bilancit të gjendjes së tyre.  Dimë se sistemi jonë bankar mbetet fatmirësisht i paprekur nga vala e krizës globale. Dimë nga përvojat e vendeve tjera se  institucionet financiare mbajnë përgjegjësi sociale nën ombrellën e parimeve të OECD-së. Dimë se ato hapin vende të reja pune, se ofrojnë kredi me kushte të volitshme, se i paraprijnë proceseve inovative financiare, se ndihmojnë në rritjen e bizneseve, hulumtim dhe zhvillim mbarëkombëtar. Megjithatë, ne tani gjithashtu dimë se bankat në ekonominë më të varfër evropiane, atë të Kosovës, realizojnë kthimin më të lartë të aseteve dhe kapitalit aksionar përkundër normave dy-trefish më të larta se të tregjeve ndërkombëtare. Kjo është pasqyra e sistemit tonë financiar karshi atij evropian.

Para se ti japim medaljen e krenarisë sistemit të ri bankar në shtetin e ri kosovar, le ti japim fillimisht një vështrim më të sheshtë. I krijuar tërësisht i ri pas luftës, sistemi bankar ballafaqohej me ankthin më të tmerrshëm që bankat mund të kenë ndonjëherë: besimin. Kosovarët në fillim të viteve 90-ta kishin humbur pasuritë e tyre në bankat e atëhershme dhe pothuajse 10 vite më vonë sistemi modern me kapital plotësisht të huaj po vinte themelet mbi të atij popullist që me vite kishte thyer rregullat e operimit logjik financiar. Të ballafaquar me hezitim për të depozituar kursimet e kosovarëve bankat po vazhdonin marshin e tyre në një treg plotësisht të paeksploruar financiarisht. Kërkesa për burime financiare në një vend rindërtues ishte e pafund përkundër ofertës së pakët kreditore. Dhjetë vite pas këtij fillimi të vështirë secili prej nesh renditet në vargun e lëvdatave për qëndrueshmërinë financiare të sektorit bankar, një ndër komponentët kyç për zhvillim të mëtutjeshëm ekonomik të vendit. Këto banka rindërtuan një sistem nga zeroja, kthyen besimin, vendosën kritere të operimit korporativ që dallonin shumë nga ato operime familjare me të cilat ishim mësuar kaherë. U bënë institucione të respektuara dhe ëndrra e karrieristëve bankarë.

Sot bankat në Kosovë po kalojnë një periudhë ekspansive dhe mjaft të qëndrueshme. Stabiliteti dhe qëndrueshmëria e tyre garantohet me sjelljen e kosovarëve karshi këtyre institucioneve. Të ju kujtojmë se këtë vit depozitat në këto institucione kanë arritur 1.7 miliard euro duke shënuar kështu një rritje prej rreth 25% në krahasim me vitin e kaluar Ky 25% tregon shumë. Tregon se bankat kanë besimin e qytetarëve, tregon se këto institucione në kohë të krizës globale financiare janë të qëndrueshme, por jo vetëm aq, ato madje shënojnë edhe rritje marramendëse. Matjet e normave të kthimit të aseteve dhe kthimit të kapitalit aksionar tregojnë se sistemi bankar në Kosovë shënon performancën më të mirë në tërë regjionin.

Në Prill të këtij viti,  Riinvest i mbështetur nga Cipe në Washington publikoj rezultatet e një hulumtimi mbi “Qeverisjen Korporative dhe Transparenca në Institucionet Financiare në Kosovë” si pjesë e projektit mbi Qeverisjen Korporative në Kosovë. Raporti u paraqit para një audience plotësisht njohëse e fushës financiare dhe morri përkrahje mjaft të gjerë për gjetjet e tij. Gjetjet ishin bërë nga analiza përmbledhëse gjithmonë me referencë drejt raporteve të shumta të autoriteteve financiare në vend. Ishte një përmbledhje e fakteve dhe një rishqyrtim i tyre nën spektrin e Qeverisjes Korporative të këtyre institucioneve. Nga të gjitha elementet e qeverisjes së mirë njëri bëri përshtypje më tepër, ai i relacionit në mes institucioneve dhe shoqërisë si hisenikët parësorë të tyre. Bëri përshtypje meqë disa nga treguesit ishin mjaft befasues. Ishte befasues raporti në mes kredive të dhëna dhe bruto produktit vendor raport ky më i ulëti në rajon madje 4 herë më i ulët se i atij të Malit të Zi. Ishte befasues kthimi i kapitalit të investuar që arrinte 22% pas një rritje mjaft impresive në të gjitha vitet e operimit, kthim ky më i larti në rajon pothuajse dy herë më i lartë se ai i bankave që realizonin në Shqipëri. Ishin befasuese normat e interesit që pandërprerë kishin shënuar rritje nëpër vite dhe tani në 2009 po mbanin primatin e normave më të larta në tërë Evropën. Dhe mbi të gjitha, ishte befasues mburoja e vetme e arsyeve të bankave në Kosovë, kthimi jo i sigurt i mjeteve, ku pavarësisht argumenteve të këtyre bankave Kosova po printe për së mbari me kreditë më të ulëta të këqija në rajon dhe më gjerë. Një lidhje logjike dhe aspak analitike e këtyre treguesve bënte Kosovën parajsë financiare. Norma të interesit prej 14%, kredi të këqija prej vetëm 3.7%, kthim të kapitalit akcionar prej 22% në një sistem kredidhënës tradicional ku kreditohet vetëm dhe vetëm në proporcion të depozitave të krijuara nga i njëjti treg bënin që Kosova të jetë  ëndërr e çdo banke.

Por mbi të gjithë treguesit e përmendur, njëri bëri përshtypje më tepër. Ishte koncentrimi i tërë sistemit bankar në vetëm tri institucione. Rreth 90% e aseteve të gjithmbarshme në Kosovë, rreth 88% e depozitave dhe rreth 82% e kredive ishin të koncentruara në vetëm tre institucione financiare.

Supozimi për sjellje oligopolistike rrjedh nga ngurtësia e normave të interesit. Nëse një numër i vogël i subjekteve kontrollon 90% të aseteve, depozitave dhe kredive me norma të interesit nga më të lartat në Evropë dhe realizon kthim në kapital akcionar prej 22% atëherë çfarë është motivimi i këtyre institucioneve të hynë në konkurrencë në mes veti? Konkurrenca potenciale do të bënte që këto banka të rrisin ofertën kreditore. Rritja e ofertës kreditore do të bëhej vetëm me importimin e kapitalit të tyre nga tregjet e huaja. Përfundimisht, rritja e ofertës do të ulte normat e interesit derisa kthimi në kapitalin aksionar do të mbetej i njëjtë. Atëherë pse duhet të presim që këto subjekte të bëjnë një gjë të tillë nëse përfitimet e tyre mbesin konstante. Dikush mund të argumentojë përgjegjësinë sociale si pjesë të Qeverisjes Korporative, por kjo përgjegjësi përveç rrezatimit moral që jep nuk mund dhe nuk duhet të ketë ndonjë qëndrueshmëri logjike biznesore për asnjë investitor.

Mbetet konkurrenca dhe institucionet qeveritare në Kosovë. E para është e dobët karshi një fuqie prej 90% të tregut. Ndonëse Banka Qendrore ka bërë çdo gjë që është e mundur të liberalizojë licencat për operim situata e krijuar më tepër është pasojë e vonesave në liberalizim. Sot është pothuajse e pamundur që një subjekt i ri të bëjë ndonjë konkurrencë të denjë për shkak të barrierave joligjore të hyrjes në tregun financiar. Në anën tjetër institucionet qeveritare nuk kanë bërë as të vetmen lëvizje për të përdorur mekanizmat që do të rrisnin ofertën kreditore e që më pas do të ndikonte drejtpërsëdrejti në uljen e normave të interesit. Këto mekanizma mbajnë emrin e gjygjësorit, regjistrimit kadastral, të ligjit mbi letrat me vlerë që do ti mundësonte qeverisë lëshimin e fletobligacioneve. Ato mbajnë emrin e 1 miliard eurosh të deponuara në banka ndërkombëtare. Ky 1 miliardësh përbën 70% të depozitave në vend dhe kureshtja jonë lidhet me mosbesimin që institucionet tona kanë ndaj bankave vendore. Nëse kosovarët ndjehen plotësisht të sigurt për të depozituar kursimet e veta në këto institucione atëherë çfarë pengese kanë institucionet tona që të ndjekin të njëjtën vijë të besimit. Arsyet financiare janë më tepër një farsë figurative. E vërtetë se këto fonde do të sigurojnë disa miliona euro në emër të interesit që marrin por paramendoni efektin e tyre sikur këto fonde nëpërmjet linjave kreditore tu ofroheshin bizneseve? Efekti primar do të ishte në rritjen e bizneseve dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Së dyti, rritja e ofertës monetare do të ndikonte normat e interesit si alternativë e depozitave ekzistuese. Së treti një infuzion 1 miliardësh në ekonomi nëpërmjet efekteve të multiplikatorit do të ringjallte tregun kosovar duke ndikuar drejtpërsëdrejti në mirëqenien e kosovarëve. Mekanizëm tjetër mund të ishte edhe nxitja e rritjes së fondeve të huaja nga të gjitha bankat në Kosovë, fonde këto që rrjedhimisht do të rrisnin ofertën monetare.

Si do që të jetë, ne nuk presim që bankat në Kosovë të ulin profitet e tyre për hir të zhvillimit të bizneseve. Ato kanë strategji të rezervuar në një treg pa gjygjësor të ndërtuar mirë dhe në një treg që mbi të gjitha ju siguron qetësi në aspektet konkurrenciale. Megjithatë, është natyralisht e pritshme që institucionet tona të ndërtojnë një sistem ligjor që trajton më shpejtë çështjet bankare, të pfillojë e përfundojë regjistrimin kadastral që jep një skanim më optimal të pasurisë së secilit, të aprovojnë sa më shpejtë ligjin për letra me vlerë, të konsiderojnë seriozisht kthimin e fondeve të taksapaguesve kosovar që nëpërmjet sistemit bankar tu servohet bizneseve. Presim që të ketë lëvizje të koordinuara në mes Qeverisë, Parlamentit dhe Bankës Qendrore që do të ndikonin indirekt në uljen e normave të interesit në vend, norma të cila me të madhe po i ngufatin bizneset dhe që për 10 vite me radhë paraqesin barrierën kryesore të zhvillimit të tyre.