Friday 28 February 2014

PA ZOT SHTËPIE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 SHKURT 2014

Mbi të zakonshmen e një jave të pazakonshme kosovare


-1-

Do të duhej të ishte ditë e jashtëzakonshme, dita kur pesë lajme të keqpërdorimit të parasë, pasurisë e interesit publik u shpërfaqën në pesë gazeta ditore të vendit. Por nuk u bë e tillë. Në vend të së jashtëzakonshmes erdhi dita tjetër, e dyta – me pesë lajme të reja, po aq neveritëse, sërish rreth keqpërdorimit të parasë pasurisë e interesit publik. Kosovarët janë bërë rrafsh, keqpërdoruesit edhe më rrafsh. Duhet ta kenë kuptuar mirë këta të fundit potencën e durimit qytetar – qyqar; në atë masë sa që guximi i tyre për të bërë marri bëhet më racional se sa çmenduria jonë për durim. Prandaj dhe do të vazhdojnë njëjte në ditën e tretë.

-2-

Nëse ju ka humbur ritmi i ndjekjes së lajmeve ditore, rrjedha është kështu. Në ditën e parë u raportua se si – me para të taksapgasuesve – një zyrtare e lartë kishte marrë burrin – dhe shoqërinë – për të kaluar momente romance në Paris. Gjeneral Selimi – tani ambasador në Shqipëri – që ndodhej në paraburgim për nëntë muaj të plotë kishte pranuar këto ditë nëntë paga (nga 3700 euro secila; 33.300 gjithsejtë) pa bërë asnjë ditë pune të vetme si ambasador – sepse ishte në burg; disproporcionin e pagës me mesataren kosovare vendosi ta injoroj nga mungesa e aftësisë sime për të racionalizuar një marre të tillë. Ministria e Bujqësisë kishte paguar një traktor të dhënë si subvencion më shtrenjtë se një “Range Rover” 2014-sh, full-ekstra, automatik, panoramaview, e me fellne alumini; plot 52.000 euro ishin dhënë për traktorin që në treg bënte më pak se 20 mijë. Auditori i Brendshëm kishte gjetur kontrata të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës për mirëmbajtjen e rrugëve që nuk ekzistonin fare; ndërkaq Ministria e Industrisë kishte fshehur gjetjet se operatori privat i distribuimit të energjisë KEDS, kishte instaluar orë matëse që shtonin llogaritjen e konsumit elektrik.

Në ditën e dytë, vendpunësimi i balldëskave të politikanëve – përfshirë dhe ato të vet Kryeministrit – pra RTK (jo këtë herë PTK), kishte bërë lajm për dhënien e kontratave milionëshe dy kompanive fantome të cilët ndanin adresën njëra me tjetrën e që pronarë kishin individë që lidhje me bizneset në fjalë nuk kishin. Hekurudha e Kosovës kishte paguar plot 300.000 euro për pajisje të thirrura si të reja, por që ishin të vjetra e të ngjyrosura për tu kontrabanduar si të reja. Komuna e Prishtinës kishte identifikuar një proces shkëmbimi pronash nga qeverisja e 2005-ës, që synonte këmbimin e një parcele komunale në vlerë prej 4 milionëve (pronë ndërtimi 8 katëshe) me një tjetër private me vlerë zero (hapësirë gjelbërimi); gjithmonë milionët në konto të zaptuesve e zeroja në konto të kosovarëve.

-3-

Kosova sot nuk ka zot shtëpie. Ka një Parlament tërësisht jofunkcional, një Qeveri tërësisht pasive për kontroll, shumë aktive për marrjen e tenderëve në “fotofinish” të mandatit, dhe ka një Kryeministër i cili toleron gjithçka. Të zënë me vëmendje pak nga tribunali i ri e në bërje për krime të luftës në Kosovë e pak nga ofensiva e re e EULEX-it për hajni e korrupsion – siç është dashur të ndodhë kaherë – politikanët qeverisës kanë humbur gjithë interesin për mirëqeverisje. Për sa kohë gjylja mund të godet gjithandej, të njëjtit mbeten të pasigurte deri në palcë – prandaj dhe shfrytëzojnë raundin e fundit të vrapimit për të kapur secilin diçka.

Jo se raundi i fundit është më ndryshe se paraprakët – thënë të drejtën lajmet e shpërfaqura këto ditë kanë zanafillë potencialisht që nga dita e parë e qeverisjes së sotme. E mesiguri do të ketë dhe shumë skandale tjera, edhe më të rënda, edhe më të kushtueshme, edhe më të turpshme se sa këto që do të dalin në dritë herë do kurdo. Por të gjitha së bashku, pavarësisht kohës së shpërfaqjes, formojnë një tregim trishtues të degradimit ekonomik të vendit e të uzurpimit e zaptimit institucional në vend nga parapolitika kriminale që jo vetëm se ushqen vetën majmë, por lejon secilin tjetër të marrë copa ashti sa herë që do.  


-4-

E përderisa degradimi ekonomik ka metastazuar përtej çdo shprese për rikuperim, Kryeministri i Kosovës, i parasupozuar si zot i shtëpisë qeverisëse, vazhdon me monolog patetik sa herë që provon të argumentojë një progres – që përveç zyrtaret e gjeneralët e tij nuk e ka parë kush ta sheh tash e sa kohë. Në javën e skandaleve, Kryeministri promovoj ulje të papunësisë, rritje të investimeve të jashtme e përmirësim të situatës ekonomike në vend – për të përfudnuar me paditurinë e tij tipike se rritja ekonomike në vend është 5%, kur në dy vitet e shkuara – sipas ministrive të tij – e njëjta ishte më pak se 2.5%. Sa interesant që nuk ja qëllon asnjërës.

Në kohën e angazhimit kolektiv qeverisës për marri, nga vizitat e Parisit e deri tek pagesat e rrogave gjatë kohës në burg, Kosova ka shënuar regres të paparë. Në tri vitet e fundit, sipas BQK-së, invesitmet e huaja direkte kanë rënë nga 393 milionë në vetëm 255 milionë; deficiti tregtar është rritur nga 1.8 në 2.2 miliardë, përderisa çmimet e produkteve bazike – pa të cilat një familje mesatare nuk mund të jetojë – janë rritur për (mesatarisht) 41%. Në këtë rrjedhë, agjencitë e Kryeministrit kanë provuar të ulin papunësinë duke përjashtuar nga llogaritja 700.000 kosovarë – apo rreth 63% e fuqisë punëtore – por pa shtuar numrin e të punësuarve (që vazhdon të jetë i ngujuar rreth 25% të fuqisë punëtore).

E investimet e huaja zvogëlohen, varësia në import zgjerohet; çmimet rriten e punësimi stagnon sepse kemi njerëz totalisht të paditur dhe tërësisht të papërgjegjshëm; antipatriotë e antimoralistë tipik; zhbërja e të cilëve do të hapë dyert për rimëkëmbje të re. Me të tillët mjerë ata që dhomën e qelisë një ditë do ta ndajnë.



Monday 24 February 2014

MUNDJA E POPULLIZMIT PARALEKTORAL

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 SHKURT 2014


Praktikat e premtimeve palaektorale, si kjo e rritjes së pagave, mund të kenë fuqinë e popullizmit dhe me këtë mund dhe të hendikepojnë oponencën eventuale. Por përfituesit dhe të tjerët taksapagues duhet të kuptojnë se politikat artificiale nuk sjellin zhvillim. Përkundrazi, politikat e blerjes së votave me paga dhe e blerjes së përkrahjes diplomatike me asfalt, sjellin stagnim, në rritje e në secilin shërbim tjetër publik; nga shëndetësia e deri tek edukimi, nga ligjshmëria e deri tek siguria në rrugë.

-1-

Nicholas Kristof, kolumnist i “The New York Times” dhe fitues i dyfishtë i çmimit “Pulitzer”, në një shkrim të publikuar këtë javë, me titull “Professors, We Need You!” – në shqip “Profesorë, kemi nevojë për ju!” – argumentonte mbi defiçencën e debateve ekonomike në SHBA, defiçencë kjo që buronte kryesisht nga irrelevanca publike vis-à-vis mendimeve akademike. Në të vërtetë, kjo irrelevancë kishte lindur jo nga publiku, por nga vetmargjinalizimi akademik i sforcuar mjaftueshëm tash e sa kohë në rrethin akademik gjithandej; aq mjaftueshëm sa që gjithçka e ngjyrosur si “akademike” ishte irrelevante për të gjithë të tjerët. Kristof argumentonte se profesorë e hulumtues të tjerë shkencorë ka kohë që janë mbyllur në një rreth publikimesh të kuptueshme e valide vetëm për një grumbull të vogël akademikësh – dhe se secili publikim i drejtuar kah publiku, pra i thënë në gjuhë të thjeshtë, pa vlerë shtesë (kërkimore) e pa përputhshmëri të mjaftueshme me standardet e publikimeve akademike – ishte i parëndësishëm, i papërdorshëm dhe përfundimisht joserioz; rrjedhimisht, asnjë akademik nuk merrej me punë joserioze, të papërdorshme e të parëndësishme; merreshin me “papers” – gjënë e madhe!

E në një kohë ku puna e akademikëve lexohet nga vet akademikët – gjithsesi nga një pjesë e vogël e tyre, aq sa kanë interes, aq sa marrin vesh – lind një shpërputhje serioze e dijeve që merren e krijohen nga ta me vet publikun; apo pjesën tjetër të joakademikëve që megjithatë është pjesa e vetme që ka rëndësi. Në fund, po nuk u bënë gjërat për publikun, atëherë kujt i duhen akademikët? Në fjalë të Sir Ken Robinson, sistemi edukativo-universitar i sotshëm ka krijuar një cikël ku studentët filtrohen nga dita e parë e shkollës e deri ajo e fundit për të prodhuar staf universitar – një lloj cikli vetushqyes e i dobishëm për institucionet edukative por shumë pak për shoqërinë.
-2-
Diskutimet ekonomike në vend, të përtypura me shumë politikë - dhe atë me politikë të çoroditur, pa takt e pa un – pra pa shije – kanë qenë gjithmonë të vështira; në mos të pamundshme. E para, sepse, përballë një politike zaptuese shumë pak nga akademikët ekonomik kosovarë kanë marrë guximin të prishin komfortin e krijuar për vete nëpër kohë, në vend të kësaj kanë zgjedhur heshtjen dhe aty këtu kundërheshtjen e flirtimin; dhe e dyta, sepse ky vend i vogël ka shumë ekonomistë por pak dijetarë të ekonomisë – të tillë që marrin mundin të japin një analizë ekonomike kredibile mbi secilin vendim ekonomik qeveritar. Pra tek ne ka kohë që akademikët janë lëçitur nga bota e diskutimeve publike – gjithsesi për arsye krejt tjera nga ato të renditura në kolumnen e Kristof.
Në të vërtetë, edhe sikur të kishim mjaftueshëm dijetarë të tillë, analizat e çfardoshme ekonomike kanë gjasë të vogël përballë vendimeve politike – sidomos përballë vendimeve populliste; siç shpesh dinë të jenë këto të fundit. Ato humbasin fushë sa herë që përpjekën me premtime elektorale, me futkotizma euforik e me bërtitma sallash e zhurma tupanësh. Sepse në një vend njëri që kërkon votë bën kot e tjetri që jep votë qesh e duartroket me entuziazëm ndaj kotizmit – duartroket nga shpresa se mos ndoshta dhe bëhet e qesh sepse e din se nuk bëhet – pra në një vend të tillë me relacion të tillë, gjasat e bindjes ndryshe janë sa gjasat e një topi bore në ferr.

-3-
Dhe një relacion i tillë vazhdon të jetë politika jonë ditore përballë analizave ekonomike; në një relacion të tillë vazhdon të jetë edhe praktika e premtimeve elektorale, të pagave e të asfaltit. Nuk di se a mund të ketë popullizëm më të madh – dhe rrjedhimisht sfidë më të rëndë – se sa premtimi për rritje pagash – dhe rrjedhimisht kundërshtimi i rritjes së pagave. Nuk mund të ketë. E sepse nuk ka, dhe sepse Kryeministri e din mirë se nuk ka, premtimet e rritjes së pagave në vend bëhen çdo katër vjet; sa herë që jemi para zgjedhjeve, atëherë kur i duhet atij popullizmi.
Një premtim i rritjes së pagave, për gjithë shërbyesit civil, bëhet teknikisht i pakundërshtueshëm nga rupet opozitare, e bëhet praktikisht i papëlqyeshëm për kundërshtim nga secili tjetër i pavarur – sepse bëhet fjalë për paga, për të ardhurat mujore të potencialisht 80.000 familjeve kosovare që megjithatë presin pa kompromis e me shumë entuziazëm pasurimin e tyre. Por a është vërtetë ashtu? A fitojnë vërtetë kosovarët nga një politikë paga-asfalt-paga?          


-4-
Të diskutojmë një fotografi më gjenerale. Të nisemi nga katër vitet e shkuara kur u dha rritja e parë. Sa janë më mirë përfituesit e rritjes nga atëherë? Inflacioni katër vjeçar është diku rreth 25%, papunësia mbetet ekzaktësisht e njëjtë, kujdesi shëndetësor veçse është amortizuar dhe rënduar, ndërkaq beneficionet publike të gjyqësisë, sigurisë e edukimit janë tërësisht inekzistente. Pra, për shkak të një politike që mbështetet në blerjen e votave me paga dhe në blerjen e përkrahjes diplomatike me asfalt, kosovarët humbin të njëjtën rritje – drejtpërsëdrejti me inflacion – dhe humbin shumë më shumë në secilin shërbim tjetër publik; nga shëndetësia e deri tek edukimi, nga ligjshmëria e deri tek siguria në rrugë. A do të thotë kjo se pagat e tyre nuk do të duhej të rriteshin?

Assesi jo, do të duhej, madje dy a tri herë më shumë se kaq. Por në vend të rritjes artificiale do të duhej të ndodhte investimi në zhvillim dhe më pas rritja; pra rritja të ishte reflektim i një zhvillmi të drejtuar qeveritar. Nëse në këto katër vitet e shkuara, pra që nga viti i parë e këndej i mandatit, të kishte zhvillim, pra paratë e taksapaguesve të drejtoheshin nga krijmi i vlerës e jo nga konsumi devalvues (që humb edhe rritjen), dhe sikur ky zhvillim të prodhonte më shumë vlerë, rrjedhimisht më shumë para në buxhet dhe më shumë potencë për rritje të tjera, atëherë rritja e pagave do të ishte e natyrshme; shumë e natyrshme. Por nëse rrija fillestare e pagave në fillmvit, bashkë me shpenzimet e asfaltit, ngufatin mundësitë zhvillimore dhe nuk lënë vend për rritje të gjtihmbarshme, atëherë e njëjta bëhet politikë koti.
Pra, thelbi i diskutimit nuk duhet të jetë se a gëzohen këta 80.000 shërbyes civil nga një rritje e tillë; gëzohen e shashtrisen. Në të vërtetë ata do të të gëzoheshin edhe sikur i tërë buxheti prej 1.5 miliardëve t’u shpërndahej i gjithi atyre – nga 20.000 euro secilit. Dhe kjo politikë është tërësisht e mundshme (si përgjigje ndaj pyetjeve se a mund të rriten pagat); natyrisht se e mundshme. Problemi është se a është e arsyeshme dhe çfarë realisht prodhon një qasje e tillë.

Dhe mesiguri do të jetë bukur e vështirë bindja e përfituesve se pagat e rritura që marrin vijnë bashkë me njëmijë e një anomali të tjera – se për ato paga që ata marrin aprovohen edhe shpenzimet tjera buxhetore në asfalt, edhe neglizhenca ndaj shëndetësisë, edukimit, gjyqësorit e sektorit privat – e nga këtu prodhohet edhe stagnimi, edhe papunësia edhe varfëria edhe deficiti i lartë tregtar e në fund edhe ngujimi e zaptimi. Natyrisht se vështirë binden përfituesit, sidomos kur meritojnë më shumë se kaq – shumë më shumë se kaq. Porse është fakt dhe mbetet fakt se paga e marrë duhet të jetë reflekcion i një produktiviteti dhe i një zhvillimi të gjithmbarshëm e jo reflektim i dhuratave paraelektorale.
-5-
Sepse nuk ka asnjë logjikë ekonomike që të rrisim pagat kur kemi ngecje ekonomike; nuk ka. Sepse nuk ka asnjë logjikë që këtë rritje të pagave ta financojmë me një buxhet të borxhit – siç edhe ndodh tani. Pakkush mund ta dijë se për shkak të një buxheti të orientuar artificialisht ndaj tekeve paraelektorale, Kosova merr borxh çdo vit për ti financuar kostot e krijuara në vazhdimësi. Një rritje artificiale e pagave si kjo – bashkë me të gjitha shpenzimet e paarsyeshme gjithandej nga institucionet publike – shkakton një defiçencë buxhetore çdo vit që duhet mbuluar me borxh; nuk e mbulojmë dot me produktivitet meqë artificialiteti i shpenzimeve shkakton mu këtë joproduktivitet – pra është një cikël i mbyllur; por e mbulojmë lehtë me borxh.

Dhe borxhi i katër viteve të shkuara ka arritur në plot 500 milionë euro – e sipas planifikimeve buxhetore të Qeverisë, në katër vitet e ardhshme – nëse vazhdohen politikat e njëjta – ai do të arrijë në plot 1 miliardë euro (mesatarisht nga 140-150 milionë çdo vit). Nuk ka asnjë dyshim se ky borxh është i ulët në relacion me kufijtë tanë, sot është 8%, pas katër viteve do të mbërrijë në plot 25% (të GDP-së); dhe nuk do të ndalet. Nuk do të ndalet meqë obligimet e krijuara nga pagat (artificiale) mbesin të përhershme, përderisa burimet e financimit janë të pasigurta; në të vërtetë ato vijnë vetëm nga borxhi.

Pra, ajo çfarë na mbetet pas katër viteve, është një gjendje ekonomike si kjo e tanishmja, me standard të jetesës të njëjtë, pa vende të reja të punës, me shërbime publike të njëjta, potencialisht me inflacion të shtuar – meqë në mungesë të krijimit të vlerës importojmë edhe rritjet e çmimeve, përveç se i krijojmë nga anomalitë ato vet – dhe sa për të mos mjaftuar kjo, përveçse kemi humbur nja 8 vite të jetës e mundësive për jetë më të mirë, kemi futur veten në plot 1 miliardë euro borxh publik; barrë që duhet larë se s’bëhet ndryshe.

E për secilin tjetër që nuk është pjesë e sektorit publik, pra ose është i punësuar në sektorin privat ose i papunë, një rritje e tillë – dhe një politikë e tillë shpenzuese nuk do të iu sell asnjë fije hairi; as edhe një. Në të vërtetë, rritjet artificiale e të joproduktivitetit veçse do të rëndojnë më shumë dhe standardin e jetesës suaj. 


Monday 17 February 2014

MBI VARËSINË E SHTETIT TË PAVARUR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 SHKURT 2014

Nëse duhet të ketë ndonjë akt patriotik që duhet dhuruar një shteti kaq fragjil në ditëlindjen e gjashtë të tij, atëherë nuk ka si të jetë ndryshe veçse pavarësimi nga varësuesit tanë; pavarësimi nga zaptuesit e paditur dhe nga injorantë të tjerë në shërbim të të paditurve e zaptuesve që marrin në qafë një popull të tërë tash e gjashtë vite


-1-

Gashtë vjet kohë janë të mjaftueshme për të bërë një shikim prapa; në gjuhën ekonomike gjashtë vjet kohë është veçse periudhë afatgjate. Gashtë vjet kohë janë shumë më shumë se ç’na duhet për të parë se çfarë shkoi ters e çfarë shkoi mbarë – jo se ka shumë të mbarë gjithsesi. E fakti që nuk gjej dhe mbarësi shumë në këto gjashtë vjet ecje, më bën të ndihem restriktiv në rikujtimet e ditëve historike, jo sepse dita nuk ishte historike – s’ka e s’do të ketë ditë më historike – por se bëj pishman secilën mundësi të humbur përgjatë gjashtë viteve të para sepse nuk u pavarësuam nga varësuesit tanë.

-2-

Do ta kemi menduar shumë më ndryshe perspektivën tonë gjashtë vite më parë. Sepse për nëntë vite të tjera para tyre ne kishim dëgjuar fjalët e njëjta të kompetencave, statusit të padefinuar, imazhit të pasigurtë e prioriteteve politike si arsyetime të ngecjes sonë. Atëherë çfarë ka më pak sot se gjashtë vite më parë?

Varësia ndërkombëtare në secilin hap tonin mbetet po aq e njëjtë; madje kjo varësi e përkthyer në një lloj miqësie profetike është bërë edhe platformë standarde e arsyetimeve çmendarake të secilit “dua të jem lider” të vendit; që në përpjekje për të mbuluar defiçencat e shumta, në shprehje e mendje, përdorë vend e pa vend udhëzimin e miqve ndërkombëtarë, të ambasadorëve, diplomatëve e teknikëve tjerë që kalendarojnë edhe orarin e shkuarjes ose jo në tualet të përfaqësuesve tanë parlamentarë. Miqtë megjithatë mbesin miq, e për telashet që kanë ata vet dhe nuk na bëhen prindër asnjëherë. Rrjedhimisht në vend të ecjes ne pas tyre do të duhej të ecnim vet e ata të ecnin pas nesh.

Po nuk ecëm para hiç; në të vërtetë ecëm shumë pak. Gjashtë vite më pas, pasi kishim shterur çdo argument se nuk do të kalojmë mbi sakrificën e fundit tonën – atë të Pakos së Ahtisaarit – ne gjejmë veten duke kërkuar ndryshime kushtetuese përtej premisave të Pakos, duke ofruar e negociuar autonomi financiare, gjyqësore e territoriale në veri, e duke harruar të zhdukurit, dëmet e luftës, kërkimfaljen e plaçkitjet pensionale të pesëmbëdhjetë viteve më parë.

E për secilin që do të ketë menduar ndryshe procesin – dhe kuantitetin – e njohjeve bashkë me konsolidimin tonë ndërkombëtar, asgjë nuk ka shkuar mbarë. Në të vërtetë, kur përjashton topitjen e marrë gjashtë vite rresht me lajme të njëjta që na humbin dhe sensin e gjykimit të drejtë, e kupton se gjashtë vite më parë sikur të na thonin se do të njihemi me zor nga 106 vende, se rrugëtimi drejt BE-së do të ishte pa fund të qartë, se liberalizmi i vizave nuk do të ndodhte ende, e se ndeshjen e parë miqësore ne futboll do të zhvillonim vetëm gjashtë vite më pas – pasi të kemi marrë pëlqimin nga Serbia gjithsesi – do ti mbesnim në qafë; në qafë shumë. Dhe fatkeqësia më e madhe buron nga ideja se ne i besojmë arsyetimeve të dhëna mbi paaftësinë për të ndikuar politikat e jashtme. Aftësia e ndikimi i politikave të jashtme është humbur në momentin që të jashtmit kanë parë vrullin e të pangopurve politikë tanë për të zaptuar e marrë gjithçka nga shteti ynë në bërje.

-3-

Dert i vogël do të ishin njohjet e ngadalta, sikur standardi social të ishte në rritje të shpejtë; por nuk është. Në të vërtetë, problemet e thella sociale kanë prodhuar tri efekte të tmerrshme në vend e të cilat nuk i kishim gjashtë vite më parë. I pari, dhe më i rëndësishmi, ka të bëjë me emigrimin ilegal të kosovarëve. Në një rreth ku vetëm një nga tre të rinj është i punësuar – dhe atë me një pagë që mbanë atë e familjen e tij pak mbi pragun e varfërisë – ikja është i vetmi përfundim logjik, sado që i dhimbshëm shumë. I dyti, dhe më i rrezikshmi, ka të bëjë me lindjen e përçarjeve fetare në vend, të shtyra jo nga besimtarë shumicë, por nga një pakicë e të çmendurve që – besoni ose jo – adhurojnë organizata terroriste e famëkeqe nëpër botë. Një stad i ri si ky i zhvillimeve sociale do të ketë qenë i paimagjinueshëm vetëm gjashtë vite më parë. I treti, dhe më i përhapuri, ka të bëjë me krimin ordiner nëpër rrugë. Mjafton një vështrim i shpejtë nëpër titujt e gazetave për të parë e kuptuar përhapjen e vrasjeve nëpër shkolla, plaçkave nëpër shtëpi, e gangsterëve nëpër rrugë – të gjitha në rritje; kjo nuk është gjendje paqe, është luftë rrugaçësh që ecin të lirë gjithandej.

-4-

Do ta kemi menduar shumë më ndryshe edhe ecjen tonë ekonomike gjashtë vite më parë; mesiguri me investitorë të shumtë, kompani telefonike me nam botëror, vende të reja pune në termocentralin e ri, apo dhe biznese vendore kreative që kalojnë imagjinatën e pompave të benzinës e pishinave verore – të hapura gjithandej.

Gjashtë vite më pas numrat ekonomik na thonë një storie të tmerrshme, të pabesueshme por të vërtetë. Nëse para gjashtë viteve ne kishim një bilanc në mes të eksportit dhe importit në minus 1.7 miliardë euro në vit; sot të njëjtin e kemi në minus 2.3 miliardë euro në vit. Nëse para gjashtë viteve ne kishim vetëm 25% të kosovarëve të moshës së punës në punë, sot i kemi po aq në punë dhe plot 25.000 të tjerë që na shtohen çdo vit si të papunë. Nëse para gjashtë viteve kishim rritje ekonomike – mesatare – prej 4.8%, sot rritja mesatare e viteve të shkuara është 4.1%. E nëse para gjashtë viteve ne kishim 100 euro para të vlefshme, sot i kemi vetëm 70. Pra në gjashtë vite ecje bizneset tona nuk kane prodhuar, por kanë rënduar më shumë varësinë tregtare; punëtorët tonë nuk janë punësuar por janë zhvlerësuar nëpër kohë; ekonomia jonë nuk është zhvilluar, pro ka nënperformuar në krahasim me ecjen tonë paraprake; dhe në gjithë këtë kohë nëse të ardhurat tona kanë mbetur konstante ne jemi varfëruar për 30% - përveç nëse janë rritur për aq sa për ta na mbajtur në stad të njëjte.

-5-

Sepse në gjashtë vite ecje, të pangopurit zapatues kanë ngufatur gjithçka para tyre. Kanë ngufatur paranë publike nëpërmjet prokurimit publik, duke e bërë Kosovën vendin më të korruptuar në Evropë; kanë ngufatur pasuritë publike nëpërmjet privatizimeve frankenshtajne, duke larguar përfundimisht secilin investitor serioz; kanë ngufatur sistemin gjyqësor nëpërmjet kërcënimit e shantazhit, duke bërë shtetin një minidiktaturë në rritje; kanë ngufatur sistemin e edukimit nëpërmjet politiko-akademikëve të paskrupullt, duke prodhuar kështu gjenerata të tëra të paaftë për punë; kanë ngufatur mediat dhe mendimin pulik nëpërmjet fashistëve klientelistë, duke prodhuar kështu propagandë provinciale dhe pa takt; kanë ngufatur policinë e sigurinë nëpërmjet instalimit të institucioneve para-partiake aty, duke prodhuar kështu një shtet policor në shërbim të ngufatësve. Në gjashtë vite shtet, këta kanë ngufatur gjithçka; kanë varësuar një shtet të pavarur. Sot gjithçka varet nga ta.

Nëse duhet të ketë ndonjë akt patriotik që duhet dhuruar një shteti kaq fragjil në ditëlindjen e gjashtë të tij, atëherë nuk ka si të jetë ndryshe veçse pavarësimi nga varësuesit tanë; pavarësimi nga zaptuesit e paditur dhe nga injorantë të tjerë në shërbim të të paditurve e zaptuesve që marrin në qafë një popull të tërë tash e gjashtë vite. Dhe ky duhet të jetë misioni ynë në vitin e shtatë të shtetësisë, që vitin tjetër të mos kujtojmë simbolikën por edhe procesin e ecjes në tërësi.


abdixhiku@facebook.com

Monday 10 February 2014

DITA E PËRPLASJES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 SHKURT 2014

Sepse protesta është betejë mes gjithkujt tjetër dhe individëve që protestuesin e quajnë me emërtimet nga më të ndyra, konsipracionojnë në përmasat e spiunazhit sa të kompleksojnë edhe Agatha Christie-n, e aktivizohen njëri pas tjetrit vetëm atëherë kur themelet e uzurpimit të tyre dridhen. Disa nga ta janë aq të pamoralshëm e aq destruktiv – në shprehje e mendësi – sa bëjnë dhe Zotin pishman për krijesat e tij.


-1-

Siç edhe mund të rridhte natyrshëm, përplasja rreth UP-së po shndërrohet në fotografi graduale të blloqeve, ideve e vlerave që rëndom kanë shoqëruar Kosovën në këto 14 vitet e fundit; në mos dhe më shumë. E meqenëse i përkas bllokut që mashtrimin, plagjiatin dhe uzurpimin nuk i merr si të pranueshme – pra nuk i sheh si vlerë por si antivlerë – do ti lejoj vetes luksin (madje me shumë kënaqësi) e marrjes me bllokun tjetër, që – dhe këtu fillon djegësia e shijes së pashijshme të tyre – para se të kenë problem me arsyen për protestë kanë problem me zgjidhjet se kush bën pjesë në protestë. Për këtë janë të mjerë.

Akademikë, profesorë, politikanë e aty këtu një grusht studentë – të gjithë servilë, e më servilë se tjetri – aktivizojnë llumin e injorancës sa herë që padroni i tyre kërkon një gjë të tillë. Ata aktivizojnë mu ato vlera që në majën e performancës individuale të tyre, nëse ka pasur një të tillë ndonjëherë, kanë qenë vlera të shitura mirë e bollshëm; të gjitha të zhbëra sot për kosovarin e ri.

-2-

Kosovari i ri po ndryshon. Ai nuk ka kujtim pionerizimin paratranzicional – rrjedhimisht ndjenë më pak barrë për të kaluarën; nuk ka kujtim të freskët luftën – rrjedhimisht ndjenë më pak borxh ndaj vendorëve e të huajve;  dhe nuk ka rekord të përpjekjes shtetndërtuese – rrjedhimisht është i pastër në ecjen e tij postçliruese. Kosovari i ri pra nuk njeh idenë e “udbashizmit”, “lpkizmit”, “farkizmit”, “çlirimtarizmit”, “banesizmit”, “partiakizmit”, “institucionalizimit”, “parlamentarizmit”, “pavarësizmit” apo përpjekjeve tjera (të –izmit), përpjekje të mira, shumë të mira, e të zeza dhe shumë të zeza të ndodhura në vend. Për to mund të ketë dëgjuar vetëm nëpër ballafaqimet dhe tregimet e protagonistëve e komentuesve të tjerë; apo ti ketë përjetuar në kohën e përjetimeve tjera të pubertetit e hipergjykimit. Kosovari i ri njeh vetëm idenë e vlerës, e rezonit, e alternativës dhe e zgjidhjes sepse dikush din diçka jo sepse dikush ka bërë (ose jo) diçka dikur.

Prandaj, kur dikush nga blloku tjetër akuzon dikë që ka kandar modern të vlerave me percepcione të ndyra e të inateve, nuk është se ngjallë ndonjë reagueshmëri reflektuese tek të tjerët; ngjallë vetëm gërditje dhe keqardhje nga një gjuhë e tillë e individë të tillë.

-3-

Për ta vënë rekordin drejt, situata e UP-së meriton trajtim të thjeshtë. Ka një gabim individual të një rektori, që në gjuhën akademike njihet si mashtrim; ka një uzurpim më të gjerë të institucionit nga parapartia, që në gjuhën e politikës njihet si zaptim; dhe ka një betonizim të qëndrimeve të inateve, paditurisë e klientelizmit të bëra në një bllok bashkë, që në gjuhën e secilit tjetër njihet si interes.

E për të zhbërë bllokun e bërë bashkë, për të zhbërë zaptimin institucional, duhet zhbërë fillimisht Rektorin i cili para së gjithash ka bërë një mashtrim. Mashtrimi i tij, pra gabimi i tij individual, është se ai ka publikuar një punim pa vlerë, në një revistë pa vlerë dhe këtë mungesë vlere e ka përdorur për të përmirësuar pozicionin e tij aty. Një akt të tillë, secili pjesëmarrës i botës akademike e gjykon me një përfundim të thjeshtë, largim. Për hir të korrektësisë nuk kam se si të mos them se pjesëmarrës të botës akademike i shoh vetëm të tillët që dikur diku kanë bërë një publikim që kalon kufijtë e lokalizmit, provincialitetit e servilizmit alla-kosovar; pra dikush që është edukuar në frymën e shkencës, edukimit korrekt dhe publikimit me standarde. Pjesa më e madhe e mbrojtësve të Rektorit as që kanë idenë se për çfarë standardi e çfarë kulture shkencore bëhet fjalë; sepse nuk kanë nga ta dinë.

Gabimi i dytë, pra institucional, i Rektorit, është mosaftësia e tij për të parandaluar një skemë skandalesh rreth tij; siç ishte rasti i plagjiatit të qind-për-qind të një punimi ku vetëm titulli ndërronte – në mes të shumë skandaleve tjera që po shpërthejnë gjithandej. E arsyetimi i dhënë se plagjiati kishte ndodhur si një gabim teknik, ose se i njëjti ishte provuar të tërhiqej, më bind më tepër për paditurinë dhe papërgjegjshmërinë e të tillëve. Kur dikush bën një gabim të paqëllimshëm dhe kaq të rendë akademik, e para e punës çfarë duhet bërë është publikimi i distancimit para se ai të shpërthente nga mediet. Porse nuk kanë bërë një gjë të tillë. Sepse nuk kanë gabuar paqëllim.

-4-

E mu atëherë kur shtjerrësh nga imagjinata se çfarë tjetri mund të prodhojë, ata dalin me gjithë arsenalin e paditurisë së tyre në gjyeti inatesh kundrejt akademikëve të tjerë në UP që, siç e do mbarësia, nuk e pranojnë mashtrimin. Në këtë gjyeti ata provojnë ti kontesotjnë (me paditurinë e tyre) edhe punimet – këtu bëhet sërish interesant – të mësimdhënësve shqiptarë që nëpër botë konsiderohen si gjeni; dhe nuk është barcoletë kjo.

Vë bast secilën qindarkë të kursimeve pensionale se pjesa më e madhe e atyre që mbështetin një kundërgjykim si ky, nuk kanë aftësi as të përmbledhin me një paragraf – se jo më shumë – një punim të tillë. Dallimi në anën tjetër është se, një student mesatar i shkollës fillore mund të përmbledhë – në mos të shkruaj më mirë – punimin e famshëm të mineraleve.

-5-

Dhe fajtorët për gjithë këtë përplasje nuk janë në mesin e bllokut mashtrues e atij inatçorë. Janë një grumbull inatçorësh tjerë që me rezistencën e tyre ndaj strukturës së protestës preferojnë mashtruesit para arsyes së protestës. Pra për ta, paradoksalisht, më me rëndësi është inati se kush është në mes të protestës se sa dëmi që vjen nga shkaktari i protestës. Prandaj, jo vetëm që nuk i bashkëngjiten nismës, porse me mish e me shpirt, në imitim të mjeshtërve mashtrues, promovojnë e propagandojnë të kundërtën, pra anti-protestën.

Nëse të njëjtit nuk dëshirojnë të politizojnë nismën, le të provojnë të dalin vet. Nuk di a ka fat më të madh se sa dhënia e një shkëndije civile e mediatike sikurse shkëndija e protestave të fundit. Raste të tilla në Kosovë janë të rralla dhe si të rralla që janë duhet të përdoren si shembull i së mundshmes. Nëse dinë më mirë, nëse mund t ëbëjnë më shumë, nëse munden vet, le ti bëjnë të gjitha – përderisa i bëjnë.

Sepse protesta e nisur për UP-në është bërë më shumë se sa protestë për një individ. Është bërë një mundësi që prodhon shpresë se gjërat, me një përgjegjshmëri kolektive, mundtë ribëhen sërish. Sepse protesta është betejë mes gjithkujt tjetër dhe individëve që protestuesin e quajnë me emërtimet nga më të ndyra, konsipracionojnë në përmasat e spiunazhit sa të kompleksojnë edhe Agatha Christie-n, e aktivizohen njëri pas tjetrit vetëm atëherë kur themelet e uzurpimit të tyre dridhen. Disa nga ta janë aq të pamoralshëm e aq destruktiv – në shprehje e mendësi – sa bëjnë dhe Zotin pishman për krijesat e tij.