Sunday 30 November 2014

NË IKJE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 NËNTOR 2014

Migrimi masiv i kosovarëve - në përmasa të njëjta si njëzet vite më parë - është prova më e qartë, gjithsesi më e trishtë, e derexhesë sonë kolektive, ekonomike, sociale e politike që ka marrë hov tash e sa kohë. Jeta në këtë vend, për fatin tonë të keq, është e papërballueshme në kërkesat e saja minimale.

-1-

Kam pasur gjithmonë një habi kur shikoja numrat e remitencave që vinin në Kosovë; ato vazhdimisht rriteshin. Madje, në kohën e një krize gjithë-evropiane, në vend të rënies e stagnimit, ato megjithatë rriteshin. Kishte dy shpjegime në këtë drejtim; i pari, se vendet evropiane nga ku vinte pjesa më e madhe e diasporës sonë megjithatë ishin më pak të prekura nga kriza. Për dallim nga Kosova, Shqipëria – për shembull – që kishte diasporën e saj në Greqi e Itali, dy vendet më së shumti të prekura nga kjo krizë, kishte pranuar më rëndë efektin. I dyti, ndonëse më pak i pritshëm, ndërlidhej me thyerjen e mitit të mëhershëm, se gjenerata e tretë e diasporës kosovare në bërje e sipër po i humbiste lidhjet me Kosovën dhe rrënjët familjare në Kosovë. Në vend të kësaj teze – mjaft logjike në thelb – Kosova po përjetonte të kundërtën; rritjen e diasporës sonë pra; një rritje që ushqehej nga migrimet e vazhdueshme të kosovarëve që ndodhin edhe sot.

Pamjet televizive që morën hov këtë javë, të të rinjve kosovarë që me autobusë plot po merrnin rrugën e padefinuar për në “ku me ditë ku” në Evropë, dëshmonin, trishtueshëm, por gjithsesi mjaftueshëm këtë të dytën – ikjen e kosovarëve pra. Kjo ikje nuk është fenomen i ri, por vala e re – e mijërave që ikin për një vit – është diçka më ndryshe se ikjet e tjera. Është kthim prapa në autobusët e viteve 90-ta, e lëshimit masiv të Kosovës për shkak të mungesës së shpresës. Ne sapo kemi nisur kështu krijimin e një diaspore të re nga mungesa e një shprese të re; çfarë dëshpërimi.

-2-

Kjo valë, që duket të ketë nisur që nga fillimviti, sa për të dëshmuar kështu pa dyshim edhe ngecjen tonë në krizë ekonomike pas gjithë akrobacioneve politike të dy mandateve të shkuara, arrin një kulminacion të pamenduar vetëm kohë më parë – arrin në plot 14.000 kosovarë të ikur brenda një viti të vetëm.

Ky kontingjent i të rinjve që largohen në masë, përbën pak a shumë edhe kontingjentin neto të forcës punëtore që çdo vit do të duhej të gjente punë në Kosovë. Kaq janë vendet e punës që ky vend i vogël me ide por i madh me mbrapshtësi duhet t’i krijojë për një vit të vetëm. E në pamundësi të bërjes së vendeve të reja të punës, ky vend ka zgjedhur një rrugë tjetër të uljes së papunësisë e zhbërjes së varfërisë – ikjen pra. Prandaj, pak me studentë të përjetshëm, pak me rritje të pagave në sektorin publik (thuajse sektori publik na qenka problemi) e shumë me ikje masive të të rinjve nga Kosova, është blerë dhe paqja sociale në vend. Duke zbrazur e larguar nga tregu i punës një kontingjent të tërë të fuqisë vjetore të punës, ky vend njëmend do të ulë papunësinë në zero.

Ikja dhe largimi nga vendi yt, për një jetë minimalisht dinjitoze, është kufiri i fundit i durimit të njerëzores; dhe në këtë kufi, në skajet e tij, është shtyrë sot një kosovar mu nga vendi i tij. Kjo ikje është përgjigja më e plotë – gjithmonë e trishtë dhe fatkeqe – ndaj gjithë pretendimeve patetike e të lodhshme të militantëve e partiakëve oportunistë se në Kosovë punët po ecin mbarë. Gjithë ato thirrje e mburrje për punë, angazhim, investim, përmirësim, e integrim marrin përgjigje nga 14.000 kosovarë që kanë lëshuar Kosovën sivjet.

-3-

Migrimi masiv i kosovarëve - në përmasa të njëjta si njëzet vite më parë - është prova më e qartë, gjithsesi më e trishtë, e derexhesë sonë kolektive, ekonomike, sociale e politike që ka marrë hov tash e sa kohë. Jeta në këtë vend, për fatin tonë të keq, është e papërballueshme në kërkesat e saja minimale.

Sepse sot, në Kosovën e shtrenjtë, plot 500.000 kosovarë jetojnë me vetëm 1.72 euro në ditë; rreth 70% të rinj janë të papunë e pashpresë, e ata pak të punësuar të tjerë me mezi arrijnë të kalojnë një muaj minimalisht dinjitoz – po patën fat të qëndrojnë shëndosh e të pasëmurë; sepse përndryshe penj, fashë e ujë duhet blerë vet. E kur ecën në cep të pasigurisë e zhgënjimit, ikja – fatkeqësisht – bëhet fare e lehtë. Sot të gjithë jemi të pasigurtë.

-4-

Një analizë hulumtuese e bërë këtë vit nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, kontribut në të cilën kisha dhënë dhe unë, kishte shpërfaqur të gjitha karakteristikat – nga ku dhe motivet – e migruesve kosovarë. Hulumtimi, duke intervistuar migruesit e riatdhesuar, gjente – si arsye të pakontestueshme të ikjes – standardin ekonomik e social të migruesve. Pra, janë motivet socio-ekonomike, saktësisht, niveli i lartë i papunësisë, të ardhurat e pamjaftueshme e kushtet e jetesës në familje, faktorët e arsyes (së vetëdeklaruar) për ikje të 70% të emigrantëve. Pjesa më e madhe e migruesve ishin kryesisht individë të papunë ose në rastin më të mirë si të punësuarit e vetëm në familje.

Përballë një gjendje të tillë të rëndesës sociale, institucionet kosovare kishin zgjedhur, besoni ose jo, trajtimin e migrimit me spote televizive – reklama gjithsesi patetike ku “migrimi ilegal nuk ja vlente”; tregojuni atyre që e kalojnë ditën me 1.72 euro në ditë se sa ja vlen migrimi. Dhe kur ikja kishte shpërthyer me autobusë, ky vend kishte vendosur qw me forcw policore disi t’i mbante brenda. Një akt sinqerisht i pakuptueshëm edhe si responsivitet ndaj problemit por edhe si masë preventive ndaj ikjes.

Por kjo pra është niveli i përgjegjësisë shtetërore përballë një krize të gjithëmbarshme të cilën e paralajmëronim tash e sa kohë. Kjo, lexues, është kriza, me vet trishtimin e saj. E fatkeqësisht, spotet e aksionet policore është edhe sanimi që provohet t’i bëhet pasojave të shkaktuara nëpër vite pandërprerë. Kaq dinë, kaq munden, kaq mërziten.
  
Ne e kemi humbur betejën me të ligën kaherë. E kemi humbur kur në vend të shtetit kemi krijuar perandori politikanësh pa takt, në vend të punës kemi shpenzuar në asfalt miliardash por me bark të thatë, në vend të vlerës kemi falë e zhvatë gjithë pasurinë publike e private, dhe në fund - si për rrumbullakim - të pagdhendurve u kemi lënë rend sa gjithandej. Tash veçse jemi në rënie të lirë.



Monday 24 November 2014

KUR IDEALIZMI VDES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 NËNTOR 2014

E vështirë, miq e bashkëpërpjekës që nga dje zgjodhët të lehtën, ka qenë gjithmonë udha e mbarë për shtet, për vet Republikën, për përmbysjen e së ligës, së mbrapshtës, së frikshmes. Sepse, e drejta dhe e mbara nuk kanë për të qenë të lehta asnjëherë. E drejta dhe e mbara kërkojnë integritet, dinjitet, kredibilitet, qëndrueshmëri e besë; pra kërkojnë vlerë. Dhe vlera, e asgjë tjetër, është valuta e vetme e njerëzores, për çfarë secili përfundimisht do të mbahet në mend.

-1-

Ka qenë gjithmonë i lehtë bashkëudhëtimi me të ligin e të keqin; ka qenë jashtëzakonisht lehtë. Pa kokëçarje, pa mund, pa përpjekje – gjithsesi pa ideal – por i lehtë. Ka qenë gjithmonë e lehtë dhe mbytja e idealizmit e ecja individuale nëpërmjet veshshurdhjes e ç’thurjes së unitetit shoqëror për përmbysje. Largimi e nënshtrimi janë gjithmonë të lehta; ato kërkojnë vetëm përulje – përulja pra është fare e lehtë. Në katër vite të shkuara mund ta kishte bërë secili; lehtë, shumë lehtë pra. Por nuk e bënë.

E vështirë, miq e bashkëpërpjekës që nga dje zgjodhët të lehtën, ka qenë gjithmonë udha e mbarë për shtet, për vet Republikën, për përmbysjen e së ligës, së mbrapshtës, së frikshmes. Sepse, e drejta dhe e mbara nuk kanë për të qenë të lehta asnjëherë. E drejta dhe e mbara kërkojnë integritet, dinjitet, kredibilitet, qëndrueshmëri e besë; pra kërkojnë vlerë. Dhe vlera, e asgjë tjetër, është valuta e vetme e njerëzores, për çfarë secili përfundimisht do të mbahet në mend.

Këtë javë na mbytën idealizmin. Këtë javë, zgjedhësit e të zgjedhurit, na treguan se individualja e oportunizmi janë valuta të reja të sjelljes sonë dhe se mbi këto vlera ne duhet të ndërtojmë dhe të përbashkëtën tonë; shtetin e Republikën tonë. Për këtë sikur na kërkoni mirëkuptim; ta përtypim edhe këtë disi.

E këtë nuk mund ta bëjmë. Sepse, nëse e përbashkëta jonë, shteti e Republika jonë, duhet të ndërtohet mbi themelet e të padinjitetshmës e të papërtypshmes, atëherë ajo nuk na duhet më; nuk mbetet Republikë më. Prandaj dhe nuk do të përtypim asgjë, përveç mllefit e post-dëshpërimit tonë që sot ndërtohet mbi një shpresë të tërë të vdekur. Mbi këtë naivitet tonin që na shpërfaqet pas dëshpërimit e rrënimit, ne do të gjejmë megjithatë forcë të re; me kaq nuk ka mbaruar asgjë.

-2-

Nga një situatë statike politike që morri pesë muaj të plotë, shoqëria jonë, për më pak se një natë, shndërrohet në një vorbull dinamike me alternativa nga më të ndryshmet. Në këtë grumbull alternativash, skenarë të bukur e të trishtë të gjithë në një, marrin formë njëtrajtësisht; për të përfunduar kështu në skenarin më të frikshëm, më të dëshpërueshmin, e më të paarsyeshmin, - të thënë nga të gjithë, përfshirë dhe vet protagonistët – bashkimin e dy forcave kryesore politike në një; PDK-së dhe LDK-së. Sa hap e mbyllë sytë, e gjithë përpjekja katërvjeçare e rrumbullakuar rreth alternativës më të madhe opozitare zhbëhet për një natë. Çfarë dëshpërimi.

Një ecje të tillë nuk do ta arsyetojë e pranojë askush; përveç militantëve – në çka dhe ka mbetur sot baza e një lëvizje të tërë intelektuale e shoqërore që provohej të riniste katër vite më parë. Militantët pra, natyrisht se do të gjejnë arsye për veprimet e idhujve të tyre, pa kuptuar dëmin afatgjatë që një bashkim i tillë do t’u sjellë të gjithëve; atyre, lëvizjes, neve e gjithë vendit. Sepse bashkimi me të ligun, si arsyetim për largimin e të ligut, është forma e fundit dhe më e pasinqerta e pranimit të jorracionalitetit – dhe si e tillë nuk do të shitet kurrë. Sepse, secila prezencë e të ligut në pushtet do të forcojë ligësinë, do të dobësojë mirësinë e do të shndërrojë besën dhe shpresën në anti-vlera të ekzistencës politike. Çfarë shteti ndërtojnë kështu?

Natyrisht se kontribut në gjithë këtë bashkim kanë pasur dhe forcat ndërkombëtare në vend që nuk mërzitën shumë për mbajtjen përgjegjës të shkaktarëve të regresit tonë. Në secilin rrethanë do t’i mbajnë afër për të shuar secilin rrezik nga destabilitetit eventual i vendit përballë proceseve të reja që po na vijnë. Kjo në fund të fundit ka qenë dhe mjeti i vetëm me të cilën zaptuesit kanë shantazhuar secilin – kërcënimi pra. Por them se përballë një insistimi të tillë, më e udhës, më e dinjitetshme, më me shpresë, do të mbetej gjithmonë – dhe pa hesapim – largimi me dinjitet. Më mirë do të ishte një opozitë e re e dinjitetshme se sa një pushtet pa dinjitet.

-3-

Kosova për një kohë të gjatë nuk do të jetë më e njëjtë. Bërja e të pabërës, të deklaruar e stërdeklaruar nga të gjithë akterët pjesëmarrës në bërje deri më tash, pra koalicioni i super-shumicës, i rivalëve të përjetshëm, i alternativës me zaptimin, ka kthyer vendin tonë prapa në vitin 2007; dhe nga aty, rruga e njëjtë e bërë deri më sot do të ndiqet njëtrajtësisht. Veçse këtë herë, për LDK-në, përkrahja shoqërore nuk do të jetë më; jo dy herë rend.

Kështu, duke bërë secilin hap që nuk duhej bërë, LDK, çuditërisht, shndërrohet e zvogëlohet nga irracionaliteti i vetvetes. Pas katër viteve në opozitëbërje, të kamuflimit e pretendimit për ndryshim, LDK me shumicë jo-kritike dhe me një pakicë të dinjitetshme, shpërfaqet publikisht si ajo e vjetra, e amortizuara dhe e konsumuara pa fije kredibiliteti; ndoshta sepse kështu ka qenë gjithmonë.

Por kjo më së paku pritet nga një parti e madhe, me një kontribut enorm nëpër vite e me shpresë të grumbulluar rreth saj për ndryshim tash e sa kohë. Jodinjiteti e trajtimi i tillë mund të jetë karakteristikë e partive të vogla, atyre që shfrytëzojnë për pak mundësinë e të qenit lartë – por që gjithsesi, dhe pa pardon – dënohen në zhbërje siç dhe ka ndodhur deri më tani rëndom.

PDK në anën tjetër, pas një vdekje disa mujore, kthehet e ringjallet e plotfuqishme, me një mundësi të re, dhe mbi të gjitha, me rivalin e saj të vetëm – besoni ose jo – në bashkëqeverisje. Ky bashkërendim i tyre u jep atyre mundësi të re  për të ndarë bashkërisht të gjitha të bëmat e rënda, dhe kështu, për të ruajtur diferencën mes tyre deri në status-quo. PDK, nëpërmjet një bashkimi të tillë, i ka zgjatur vetes prezencën në pushtet për shumë kohë. E me ta, me arrogancën e tyre që nuk njeh opozitë – nga ku dhe refleksioni – Kosova s’ka për ndryshuar fare.

-4-

Kosova sot e gjen vetën me një përmbledhje të tmerrshme të sfidave; nga rimëkëmbja ekonomike, integrimi evropian, gjykata speciale, e deri tek luftimi i ekstremizmit e integriteti territorial përballë Serbisë. Qeveria e re, me bashkëpërbërje me të njëjtit që kanë sjellë vendin në këtë gjendje, ka gjasën e një topi bore në ferr për të ndryshuar e bërë mbarë gjithçka. Kjo sepse zaptuesit do të vazhdojnë të mbajnë në kontroll të gjitha burimet financiare të publikes, akomodimet personale të agjensioneve e bordeve, e sistemin përndjekës e të sigurisë – që për ta nuk ka për të funksionuar kurrë. Pra do të jetë pothuajse e pamundur zhbërja e zaptimit të Kosovës me zaptuesit në fuqi. Ky korrelacion rrjedhimisht humbë dhe vet rezonin e bashkimit.           

Dy procese ndërkaq, kanë për të marrë udhë; dhe për këtë janë përkujdesur po të njëjtit miq ndërkombëtarë. E para është dialogimi me Serbinë dhe përfundimi i transformimit të Veriut; dhe e dyta, dërgimi i secilit të kërkuar – me burim nga PDK-ja – për në Gjykatën Speciale. Për të bërë këto dy procese realitet, ndërkombëtarëve – pavarësisht kostove – u është dashur një shumicë dërmuese shqiptare e cila në vete përmban të përndjekurit dhe alternativën vet. Kështu, duke ndarë fajin dhe benefitet për të gjithë, ata shpresojnë të shohin përgjatë disa viteve të ardhshme një stabilitet së paku politik në vend. Në këtë rrugë do të ketë dhe shpërblesa; diçka si liberalizimi i vizave (si të fundit e Evropës) apo ndonjë investim kapital aty këtu. Për ta, ndërkombëtarët pra, do të jetë lehtë. Për ne, ecjen tonë dhe bërjen e alternativës së re, do të jetë rrugë nëpër ferr.


E ndaj ferrit ne megjithatë kishim alternativa të tjera të cilat nuk u bënë kurrë. Këto alternativa mund të ishin me plot defekte, por së paku ciklin normal të ndryshimeve politike në vend do ta mbanin gjallë. Kështu siç u bë tani, ky cikël është i zhbërë; dhe nuk kam idenë se sa kohë e çfarë angazhimi do të duhet për të normalizuar atë. Do të duhet një mrekulli që nga joparimorja e kundërintegriteti të dalë e mbara disi. 



Monday 17 November 2014

PËR NJË EKONOMI MË NDRYSHE

Letra nga limbo
KOHA DITORE 14 NENTOR 2014

Me trendin e tanishëm të rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duhen pesë dekada të tjera për të arritur një mesatare rajonale e evropiane.

-1-

Përgjatë viteve të shkuara, ekonomia e vendit tonë është ballafaquar në vazhdimësi me barriera institucionale, financiare, informale, fiskale, ligjore e të fuqisë punëtore. Rrjedhimisht, në tre vitet e fundit, përfshirë dhe të sivjetshmin, rritja ekonomike e jona ka qenë – në mesatare – jo më e lartë se 2.5%; katër herë më e ulët se për çfarë vendi ynë ka nevojë. Me trendin e tanishëm të rritjes ekonomike, Kosovës do t’i duhen pesë dekada të tjera për të arritur një mesatare rajonale e evropiane. Për më tepër, bruto produkti ynë vendor – për kokë banori – vazhdon të mbetet më i ulëti në rajon e Evropë. Të ardhurat tona për kokë banori janë dy herë më të ulëta se ato në Mal të Zi, dhe disproporcionalisht më të pakta se ato në Maqedoni, Shqipëri e Serbi.

Vendi ynë ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë. Nga 1.2 milionë forcë punëtore, Kosova ka të punësuar vetëm 300.000 sosh; pjesa e mbetur janë ose të papunë ose joaktivë. Këto norma alarmante të papunësisë prekin sidomos popullsinë e re të Kosovës, të cilët të dekurajuar synojnë vazhdimisht largimin nga vendi. Mbi të gjitha, Kosova ka mbi 12.1% të popullsisë së saj që jeton në varfëri të skajshme me më pak se 1 euro në ditë. Janë plot 217.000 kosovarë që jetojnë sot me më pak se 1 euro në ditë.

Në fushën e tregtisë, Kosova ka vazhduar trendin e rëndesës së varësisë në importe, duke shënuar kështu një deficit të lartë tregtar prej plot 2.1 miliardë eurove. Katër vite më parë ky deficit tregtar ishte jo më i lartë se 1.8 miliardë. Pra, përveç se ballafaqohemi sot me një disproporcion enrom të eksporteve tona me importe, ne vazhdojmë të thellojmë hendekun tregtar nëpër vite. Kosova vazhdon të importojë më së shumti nga Serbia  – mbi 12% të importeve vijnë nga atje; përderisa eksporton më së shumti në Itali – rreth 35% e eksporteve tona janë drejtë Italisë.

Investimet e Jashtme në vend, pas një rekordi prej 440 milionë eurove në vitin 2007, kanë shënuar rënie të vazhdueshme nëpër vite, për t’u rrumbullakuar në rreth 250 milionë euro në vitin e fundit. Përgjatë viteve të fundit Kosova nuk ka arritur të shndërrohet asnjëherë në vend atraktiv për investime. Remitancat në anën tjetër kanë shënuar rritje të vazhdueshme; sot ato arrijnë në plot 600 milionë euro në vit. Këto shuma shërbejnë në uljen e deficiti të llogarive rrjedhëse; dhe shërbejnë si input i rëndësishëm i stabilitetit social në vend. Fatkeqësisht, një pjesë shumë e vogël e tyre përfundon në investime. Kosova gjithsesi dhe fatmirësisht, ka arritur të ruaj një stabilitet financiar. Borxhi publik ndonëse në rritje vazhdon të mbetet brenda kornizave të pranuara; përderisa disiplina jonë financiare e siguruar me deficite buxhetore të pranueshme jep një komfort të përgjithshëm.

-2-

Por nuk ka dyshim tashmë se ekonomia e vendit tonë – sipas gjithë treguesve të saj makroekonomik – nuk po arrin të marrë veten. Dhe nuk ka asnjë dyshim se ky stagnim i yni ekonomik buron nga një nënperformancë e sektorit privat në vend; subjektit të diskutimit të këtij shkrimi pra.

Sektori privat i Kosovës, si gjenerator e forcë motorike e zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror, është në gjendje kritike. Kosova ka një densitet shumë të ulët të krijimit të bizneseve të reja, dhe në shumicën e rasteve, këto biznese të reja dështojnë e mbyllen shpejtë. Për krahasim, sipas Bankës Botërore, numri i bizneseve të reja që krijohen në 1000 banorë është vetëm 1.2; tri herë më i ulët se sa në Maqedoni, Serbi e Shqipëri.

Kosova ka sot plot 120.000 biznese të regjistruara, por vetëm gjysma e tyre, pra rreth 60.000 sosh janë aktivë. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 92% sosh, janë mikro-ndërmarrje, kryesisht familjare, me 1 deri në 9 punëtorë. Shpërndarja gjeografike e bizneseve kosovare është jashtëzakonisht e pabarabartë; me një koncentrim enrom në regjionin e Prishtinës – rreth 1/3 e tyre – dhe me një përqendrim minimal nëpër vendet rurale.

Të dhënat tona në Riinvest kanë shpjeguar vazhdimisht se Kosova është duke hequr shumë për të krijuar një klimë të favorshme biznesore. Politikat tona ekonomike kanë mbajtur në dorë të dytë interesin e sektorit privat; në të vërtetë, bizneset dhe i gjithë sektori privat janë parë vetëm si gjenerues të taksave. Me aq ka përfunduar relacioni shtet-biznes. Rrjedhimisht, anomali me moszbatimin e ligjit, konkurrencën e pabarabartë, informalitetin, evazionin, korrupsionin, burokracinë, koston e lartë të financimit e vet fuqinë punëtore kanë marrë formë në vazhdimësi.

-3-

Dhe klimës së rëndë biznesore dhe ekonomike në vend nuk i ka kontribuar aspak as situata e fundit politike në relacion me mosthemelimin e institucioneve të reja për gjashtë muaj rresht. Natyrisht se gjendja e rëndë ekonomike nuk është pasojë e një ngecje politike, por se sigurisht kjo ngecje rëndon dhe më tutje situatën ekonomike në vend – ashtu kështu të rënduar. Në radhë të parë, ngërçi politik prodhon katër konsekuenca ekonomike.

E para ndërlidhet me mungesën dhe vonesën e projekteve të mëdha kapitale në energjetikë, telekomunikacion e miniera, vonesë kjo që konsumon kohën e domosdoshme ekonomike të Kosovës për investime madhore. E dyta ndërlidhet me riskun politik që një situatë e tillë prodhon përballë aktiviteteve biznesore e investitorëve; veçanërisht atyre të jashtëm. Konsekuenca e tretë ndërlidhet me ç’thurrjen qeverisëse, me shërbimet publike, agjensionet e pavarura e me prokurimin publik të cilat në kohë të paqartësive politike përfundojnë drejt keqperformancës. Dhe e fundit, ndërlidhet me paranë publike, me buxhetin e shtetit. Jo vetëm se rrezikojmë nënperformancë të mjeteve të arkëtuara, porse nga ngecja politike ne rrezikojmë edhe mbylljen financiare të shtetit. Ne duhet të aprovojmë buxhetin e ri para datës 31 Janar të vitit 2015 për të shmangur një gjendje të tillë.

Të gjitha këto elemente natyrisht se kanë ndikuar negativisht dhe në ambientin biznesor ashtu kështu të rënduar. Sektori privat natyrisht se do të absorbojë si barriera – së bashku me të gjitha anomalitë tradicionale në vend – edhe këto politike.

-4-

Për të studiuar e kuptuar ambientin biznesor në Kosovë, Instituti Riinvest, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përgjatë vitit 2014 ka zhvilluar një anketë me plot 1000 biznese. Rezultatet e kësaj ankete – dhe të raportit hulumtues në përgjithësi – i prezantuam dje në një konferencë që mori vëmendje të madhe. Konferenca ishte transmetuar drejtpërdrejtë dhe në KTV – me qëllim të përcjelljes së mesazhit ekonomik tonin nëpër secilën shtëpi kosovare.

E veçanta e studimit tonë ishte se për herë të parë në Kosovë anketoheshin një numër kaq i madh i bizneseve, dhe se shpërndarja e tyre ishte proporcionale në pesë regjionet e Kosovës. Kjo shpërndarje proporcionale nëpër regjione na jepte mundësinë për të kuptuar edhe karakteristikat e sektorit privat jo vetëm si tërësi për gjithë vendin, por edhe diferencat regjionale e diskrepancat eventuale.

E veçanta tjetër e raportit ishte edhe matja e performancës së bizneseve – në formë retrospektive – për katër vitet e shkuara; si dhe matja e percepcionet të ndërmarrësve për katër vitet e ardhshme. Në formë të përgjithësuar, disa nga rezultatet e studimit tregojnë se rreth 23% e bizneseve kosovare kanë shënuar rritje përgjatë katër viteve të shkuara, përderisa plot 44% kanë deklaruar rënie; të tjerat kishin shënuar stagnim. Paga mesatare në sektorin privat del të jetë rreth 230 euro; shumë më e ulët se sa ajo e sektorit publik. Pjesa më e madhe e bizneseve kosovare kanë deklaruar se nuk parashohin rritje të pagave në të ardhmen e afërt.

Barrierat kryesore të sektorit privat, të deklaruara nga vet ndërmarrësit pra, ndërlidhen me a) koston e lartë të financimit; b) nivelin e lartë të korrupsionit; c) mungesën e përkrahjes shtetërore; d) konkurencën jo fer (e shtyrë nga informaliteti e evazioni fiskal) dhe e) mosfunksionimi i sistemit gjyqësor. Në përgjithësi, përgjatë katër viteve të shkuara shihet se ka një përmirësim të dukshëm në furnizim me energji elektrike e infrastrukurë; përderisa pjesa më e madhe e barrierave e të bërit biznes kanë shënuar stagnim apo përmirësim të pavërejtshëm. Gjithsesi, ka një optimizëm të shpërfaqur gjithandej nga bizneset kosovare për të ardhmen; të gjithë besojnë në ditë më të ira.

-5-

Pra është esenciale që të ndërtojmë në këtë optimizëm të bizneseve private, të atyre që kanë potencial për të dërguar përpara standardin tonë ekonomik. Për të bërë ekonominë më ndryshe, politikëbërja e re duhet të niset mu nga ta. Sepse neve na duhet një ekonomi më ndryshe; kjo nuk është më zgjidhje është domosdoshmëri.        

Vendi ynë nuk e ka më luksin e pritjes, të rritjeve të ngadalta e të pallavrave politike të ranglistave e shirit-prerjeve. Vendi ynë ka nevojë për krijim, për vlerë, për prodhim e për punë – për punë shumë dhe ata. Vendi ynë ka nevojë të adresojë barrierat ligjore që sigurojnë ambient fer e të barabartë për të gjithë; për ndalje të korrupsionit e zhbërje të burokracisë; për rritje të mekanizmave mbledhës e për luftim të pakompromisë ndaj evazionit e informalititet; për projekte të mëdha në energjetikë, miniera e telekomunikacion që na sjellin investitorë e brende të fuqishme; për siguri politike, të kredibilitetit e garancisë për bërje; dhe në fund, për mbrojtje dhe shtytje të vet sektorit privat, të secilit biznes që sot mezi mbijeton në një klimë të tmerrshme biznesore.



Monday 10 November 2014

MBI TË MUNDSHMEN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 NENTOR 2014

Për të bërë një zgjidhje si kjo, të pritshmen pra, më logjiken pra, atë të rekomanduarën tash e sa muaj – të njëjtën që muaj më parë dukej fare e lehtë e tash bëhet peng, Blloku duhet të marrë mbështetjen publike, të ndërkombëtarëve e Presidentes. Kjo mbështetje do të siguronte se kompromisi i kërkuar në mes të palëve nuk ka të bëjë me afrimin partiak e kështu bërjen e institucioneve të përbashkëta, por me kompromisin e pranimit të së pranueshmes pra, të dy vendimeve të Kushtetueses. I pari që i jep Qeverinë Bllokut dhe i dyti që i jep Kryeparlamentarin partisë fituese të zgjedhjeve.



-1-

Problemi i konsolidimit institucional të Kosovës duket se ka marrë rrugë të mbrapshtë; në atë nivel mbrapshtie sa që durimi i partnerëve tanë ndërkombëtar që provojnë të mbajnë vendin tonë të vogël në korridoret e agjendave të mëdha po merr fund; dhe me këtë marrje fundi përfundon edhe toleranca e shprehjeve diplomatike ndaj klasës sonë politike që gjithsesi se mbetet e çuditshme.

Jo se janë të gjithë fajtorë; por janë të gjithë pjesëmarrës në prodhimin e ngufatjes – andaj si pjesëmarrës me apo pa faj, të gjithë trajtohen barabartë për faj. Kështu një sistem zaptimi i përhapur nëpër të gjitha institucionet vendimmarrëse të vendit që prodhon një vendim jologjik por gjithsesi institucional dhe domosdo të respektueshëm – sepse mosrespektimi bëhet dhe më jologjik – bëhet pikë mbështetje e zaptuesve të partisë fituese të zgjedhjeve, pra PDK-së. Këtë mundësi mbështetje padyshim u dhuron atyre kokëfortësia e Bllokut tash e sa muaj, të cilët të thirrur në të drejtë logjike – por të pakonfirmuara institucionalisht – prodhojnë karta jologjike kundër vetës; diçka si mbajtja peng e formimit të qeverisë për një pozitë kryeparlamentari.

Kjo kokëfortësi e forcuar dhe më tepër në dy muaj rresht – që kur përfundojnë interpretimet Kushtetuese në vend – ka sjellë Bllokun në një situatë edhe më pak të lakmueshme se sa paraprakja, për çka dhe paralajmëroheshin vazhdimisht. Sepse, në këto dy muaj pritjeje e takime sterile, herë thirrje për rrugë e herë për tavolinë, Blloku ka arritur të forcojë edhe faktorizojë vetëm PDK-në. Për veten ka ruajtur ngacmimet e kërcënimet për ndarje e zhbërje. Pra duke bërë betejën mu në fushën që PDK ka dashur gjithmonë, Blloku ka vënë në rend të dytë diskutimin për Qeveri; për fitoren e pastër dhe të sigurt – kushtetuese madje – që këta kanë marrë muaj më parë.

-2-

Natyrisht se në këtë forcim e faktorizim kontribut të pashmangshëm kanë dhënë Presidentja dhe Gjykata Kushtetuese të cilët duket se mbajnë anë. Me vet faktin që kërkojnë pajtueshmëri e kompromis palësh ata mbajnë pra anë. Dhe kjo mbajtje e anëve nga ta – mbështetur e forcuar dhe më shumë nga ndërkombëtarët tanë – do të duhej të shihej jo si dritare e bërjes së drejtësisë, por si mundësi e marrjes së të mundshmes. Sepse, në të kundërtën, për çdo ditë vonese në mosbërje të institucioneve, PDK do të ngrihet si alternativë e bërjes së institucioneve nga ndërmjetësuesit – vendorë e ndërkombëtarë të cilët megjithatë do të duhet të prodhojnë zgjidhje sepse nuk kemi si shtet e vend shumë kohë.

Dhe në këtë insistim të vendimmarrësve, institucionalë apo partnershipi, duhet kërkuar dhe zgjidhjet – në rast se të gjithë nuk pranojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme pra. Kështu, Blloku, si fituesi më i madh i zgjidhjes politike, duhet të shtrojë para vetes letrat e që i bëjnë rrugë. Në këtë shtrim blloku duhet të sheh dy vendime kushtetuese, një insistim presidenteje dhe një mbipërkrahje ndërkombëtare – të gjitha që kërkojnë pra kompromis. Të drejtën, logjikën a të mbarësinë ta kërkojnë e korrigjojnë atëherë kur të marrin fuqinë e shtetit. Tashti nuk kanë kohë e luks për të.

Natyrisht se ky kompromis – i thirrur nga ndërkombëtarët e të tjerët përcjellës vendorë – do të jetë plotësisht kushtetues dhe mbi të gjitha, i pacenueshëm nga secili pretendim tjetër partiak. Thënë ndryshe, nëse Blloku pranon vendimin (jologjik) të Kushtetueses dhe kalon pozitën e Kryeparlamentarit tek PDK – duke bërë kështu kompromisin – atëherë të njëjtit hapin rrugën e vetë për bërjen e Qeverisë sipas interpretimit të parë kushtetues; gjithashtu i mbështetur e përkrahur nga të gjithë ata që kërkojnë kompromis. Dhe secili pretendim tjetër partiak nga PDK e zaptuesit e tjerë në shërbim, do të mbetet tërësisht jokushtetues dhe ekskluzivisht ballafaques me vullnetin qytetar e atë ndërkombëtar.

-3-

Për të bërë një zgjidhje si kjo, të pritshmen pra, më logjiken pra, atë të rekomanduarën tash e sa muaj – të njëjtën që muaj më parë dukej fare e lehtë e tash bëhet peng, Blloku duhet të marrë mbështetjen publike, të ndërkombëtarëve e Presidentes. Kjo mbështetje do të siguronte se kompromisi i kërkuar në mes të palëve nuk ka të bëjë me afrimin partiak e kështu bërjen e institucioneve të përbashkëta mes Bllokut e PDK-së, por me kompromisin e pranimit të së pranueshmes pra, të dy vendimeve të Kushtetueses. I pari që i jep Qeverinë Bllokut dhe i dyti që i jep Kryeparlamentarin – spikerin e Parlamentit pra – partisë fituese të zgjedhjeve.

Kjo gatishmëri duhet të niset nga Blloku; sepse është mu Blloku që ka më së shumti për të humbur tani. PDK është veçse e mundur tash e sa kohë; ngritja e saj graduale – nga e pamundura pra – bëhet paradoksalisht e mundshme vetëm falë insistimit të Bllokut për më të parëndësishmën.

Në këtë pikë, Blloku duhet të shtrojë në tavolinën e vet marrëveshjen e nënshkruar muaj më parë e cila duhet të konsiderohet si evolutive. Kanë kaluar plot pesë muaj, janë prodhuar vendime kushtetuese, qëndrime publike e zgjerime aleancash; rrjedhimisht marrëveshja e parë e domosdoshme për besëlidhje e mirëbesim duhet të transformohet në të pritshmen e kuptueshmën e sotshme. Nëse palët e bllokut pajtohen me mbajtjen e saj si ën formën origjinale të bërë, atëeherë gjithçka do të bëhet e lehtë; por nëse për ndonjë arsye duhet të rikonsiderojnë pozicionet brenda vetes pas gjithë këtyre zhvillimeve, atëherë le ta bëjnë në këto takimet e zyreve – të ngushta e të mëdha që nuk kanë prodhuar as program, as plan e as ide funkcionale e të mbështetura ndërkombëtarisht. Të lëvizn pra.

-4-

Kjo lëvizje duhet domosdo të shmangë rrugën dhe protestën. Sepse nuk arrij të kuptoj ndaj kujt duhet të protestohet? Ndaj zaptimit si fenomen? Ndaj Gjykatës Kushtetuese? Ndaj Presidentes? Ndaj ndërkombëtarëve? Cila është adresa e pakënaqësisë së rrugës në fund të fundit? Kosova ka një Qeveri në largim – fuqia financiare e së cilës përfundon në më pak se tre muaj; ka një Gjykatë Kushtetuese që nuk funksionon me protestë; ka një komunitet ndërkombëtar që institucionalisht nuk ka zë; dhe ka një Presidente e cila mund të arsyetohet se nuk po arrin pajtim. Për më tepër, protesta do të bënte të vetmin favor që PDK ka mbetur pa e marrë këto ditë; bërjen e lojës në terren të tyre – të kërcënimit pra – dhe paraqitjen brutale ndaj të tjerëve si alternativë joinstitucionale.

Ka një rrugë më të shpejtë, më të lehtë e më të mençur tani. Kjo rrugë parasheh bërjen e qeverisë dhe kështu nisjen e zhbërjes së zaptimit nga lartë; nga aty ku krijohet tash e shtatë vjet. Kjo rrugë nuk është teatrale, as kërcënuese, por plotësisht kushtetuese. Kjo rrugë do të kursejë Bllokun nga humbja e durimit, nga përplasjet e brendshme e nga idetë e frikshme për të gjithë ne rreth një koalicioni të gjerë kur gjithçka digjet e asgjë nuk  ndërron.

Sepse, nuk do të ketë asnjë skenarë tjetër më të dëmshëm, më jokredibil e më konsumues të shpresës se sa një koalicion i gjerë e gjithëpërfshirës siç dhe mund të ndodhë po që se partiakët nuk arrijnë të shtrojnë zgjidhjen – konfrom Kushtetueses. Ky zgjerim vetëm se do të vë vendin në status-quo e shtangje; përderisa ka hargjuar gjithë alternativën opozitare të ndërtuar në katër vitet e shkuara të jetës politike.

Në fund fare, do të përfundoj këtë kolumne me fjalët e njëjta të përdorura dy muaj më parë në kolumnën time të 12 shtatorit të këtij viti; asgjë nuk ka ndryshuar nga atëherë në të mirë të Bllokut; shumëçka në të mirë të zaptuesve: “...nëse blloku njëmend dëshiron ta zotojë më në fund qeverinë e t’i jap fund gjithë pretendimeve për një qeverisje regresive nga PDK-ja e sotshme, atëherë ka gjithçka në dorë të vet. Në “Ditën B”, ditën e bllokut, të bashkimit apo të rastit të dytë, blloku – si në një lëvizje të mençur shahi – mund të sakrifikojë mbretëreshën për fitore; të jap kryeparlamentarin për një qeveri të tyre. Secili kërkim për më shumë, ndonëse i mundshëm padyshim, hapë rrugë për rreziqe të reja, për ngërç dhe më të thellë e pa fund – deri në zgjedhje të reja”.