Monday 31 August 2015

MBI ASOCIACIONIN DHE POSTASOCIACIONIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 GUSHT 2015

Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor - me shërbyes civil e aspak joqeveritarë, me Kuvend, Kryetar e identitet të veçantë - Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti autonom.


-1-

Paralajmërimi mbi nënshkrimin e katër marrëveshjeve ekonomike e politike me Serbinë të natës së 25 gushtit, u përcoll me një shpërthim histerik të masës gjithandej. Ndonëse nuk ishte publikuar as edhe një shkronjë e vetme nga teksti i marrëveshjeve, shumë kosovarë të parapërcaktuar për gjykim – pa lexim – veçse kishin nxjerrë në shesh makinat e tyre të panikut; të akuzave për tradhti, plot nervozizëm.

Një reagim kolektiv si ky tregonte e dëshmonte sërish nivelin diskutues tonin. Mendimet jepen këndej pa lexuar as edhe një gjë prej gjëje. Ato janë të parapërcaktuara e të paragjykuara kaherë. Koha, ka rëndësi për ta, se kur duhet të jepen ato – sapo të përfundonte takimi.

Kësaj histerie kolektive i frynte natyrshëm një reagim festiv në Beograd, i diplomatëve e udhëheqësve të tjerë politik nga Serbia, që nëpërmjet gjuhës mundjes, zotërimit e vet sportit po shpërfaqnin fitore bindëse në një proces kompromisi të dyanshëm gjithsesi. Festa ishte përcjellë dhe në Kosovë, në Veri më shumë se tjetërkah; shqiptarët ndërsa bënë gjumin me zymtësi.

Do të kishte qenë mirë sikur natën e 25 gushtit politikanët nënshkrues të marrëveshjes – dhe një makineri e tërë publike pas – të shpërfaqte publikisht të mirat (nëse kishte) të marrëveshjes në fjalë; gjithsesi përtej patetizmave të përsëritur tashmë se “... me këtë marrëveshje Serbia ka njohur Kosovën”. Për asociacionin, natyrisht, as edhe një fjalë. Do të kishte qenë mirë, që për pak, pjesë të tekstit tu jepeshin si garancë kosovarëve që po ndanin mendjen mbi bazën e informacioneve e percepcioneve nga Vuçiq, Daçiq e Gjuriq – secili më i kotë e zi se tjetri. Por nuk e bënë. Nata e 25 gushtit, shënoj dëshpërimin kosovar.

-2-

Mëngjesi i 26 gushtit kishte sjellë për kosovarët marrëveshjet e nënshkruar në Bruksel. Natyrisht, rëndësinë e tyre nuk e përbënin heqja e një barrikade në veri, marrja e një numri telefonik apo krijimi i distribucionit të dytë në veri – herë të kuptuara si pjesë të shtetësisë e herë të mirëkuptuara për integrim – por rëndësinë e tyre e përbënte teksti mbi Asociacionin.

Teksti i publikuar në pesë faqe kishte 22 pika; tri për bazën ligjore, dy për objektivat, dy të tjera për strukturën organizative, gjashtë për relacionet me nivelin qendror, dy për kapacitetin ligjor, tri për buxhet e të tjerat ishin gjenerale – pak a shumë kishin përfshirë parimet e organizimit për gjithçka.

Lexuar tekstin si të tillë, dilte gjithëpërfshirja, pa detaje natyrisht (sepse ishte vetëm marrëveshje parimesh, statuti i Asociacionit do të bëhej më vonë), dhe me plot dykuptimësi. Qëllimisht, dhe jo ndryshe, dokumenti ishte ndërtuar për të shërbyer si interpretues fitoreje për të dyja palët njëtrajtësisht.

Elementi i parë, dhe më i rëndësishmi për ne, ishte se marrëveshja (në vazhdimësi e me repeticion) specifikonte ankorimin dhe përputhshmërinë me ligjet e Kosovës – dhe me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese mbi organizimin që del nga ajo. Si e tillë, marrëveshja, dhe secili trup pas saj, do të rregullohej me kornizën e tanishme Kushtetuese.

Elementi i dytë, ndërsa, ishte se Asociacioni, si produkt i marrëveshjes pra, kërkonte trajtim të veçantë, duke pasur parasysh “karakterin dallues të tij”. Pra, Qeveria e Kosovës, do të aprovojë një dekret të veçantë – i cili duhet të validohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, dekret i cili do të shërbejë si bazë ligjore e integruese e Asociacionit në rendin juridik të Kosovës – duke pasur parasysh natyrën e veçantë të tij.

Në këtë pikë, bëhet e qartë se Asociacioni nuk do të jetë një trup i zakonshëm sikurse asociacioni ekzistues i komunave me shumicë shqiptare – sepse ka karakter të veçantë dhe se do të rregullohet me dekret të veçantë; e edhe më pak, se do të jet ënjë OJQ, çfarrë marrëzisht kishin guxuar me indiferencë e plot injorancë të deklaronin disa promovues të marrëveshjes. Kjo veçanti, rrjedhimisht, përbën dhe shkëputjen e parë nga pushteti lokal – nisjen për ndërtimin e një pushteti të tretë; natyrisht të ndërlidhur me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës – me pushtetin qendror. Në këtë pikë lindë dhe autonomia. Në fund të fundit, edhe autonomia ankorohet në Kushtetutë; në të kundërtën bëhet shtet në veti.

-3-

Nga leximi i pikave të marrëveshjes, shihet se Asociacioni do të ketë kompetenca të plota në pothuajse secilën sferë të organizimit të jetës, duke dobësuar pushtetet lokale dhe duke rritur angazhimin e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Asociacioni, si organizim me karakter të veçantë e me dekret të veçantë do të ketë edhe një strukturë të veçantë, që do të suprimojë fuqitë komunale të komunave me shumicë serbe. Kjo strukturë do ti ngjasojë shumë strukturave paralele qendrore; por nuk do të jetë e tillë. Pra, Asociacioni do të ketë një Kuvend të tij, me deputetë jo të zgjedhur drejtpërdrejtë por nëpërmjet zgjedhjeve lokale e delegimit nga andej. Forma e zgjedhjes humbë këtu rëndësinë. Ky Kuvend do të zgjedhë një kryetar – i cili do të paraqitet si përfaqësues real i serbëve në Kosovë, dhe do të zgjedhë një shef administrate – i barabartë me një ekzekutues të kompetencave që Asociacioni ka; një lloj kryeministri për ta. Punëtorët e Asociacionit, ndërsa, do të kenë status të shërbyesve civil – që edhe bën gjithë këtë trup tërësisht publik; aspak joqeveritarë. Asociacioni do të ketë edhe buxhetin e vet, fondin, territorin e vet, pronat e veta dhe kompetenca gjithandej.

Me kompetenca të plota e të pavarura në ekonomi, shëndetësi, edukim, dogana, polici, gjyqësor, buxhet e territor - me shërbyes civil e aspak joqeveritarë, me Kuvend, Kryetar e identitet të veçantë – Asociacioni ka të gjitha elemente e një entiteti autonom. Asociacioni pra, është, në versionin më të thjeshtë, një model i autonomisë së gjerë në Kosovë. Së paku është modeluar për të funksionuar si i tillë; dhe kështu ai, padyshim, kalon Pakon e Ahtisaarit. Asociacioni nuk është “Republikë Srpska” siç na paraqitet nga disa këndej, por është një autonomi e zgjeruar me kompetenca të ekzekutimit, përfaqësimit, organizimit e qëndrueshëmrisë.

Përputhja me ligjet e Kosovës, sado lajm i mirë, nuk e zbutë shumë këtë fakt. Është përmbajtja dhe qëllimi çfarë ka rëndësi. E sikur Asociacioni të kishte qëllime të pro-Republikës e pro-pavarësisë, atëherë ndoshta dhe do të bënte kuptim. Por nuk ka. Ka qëllime të varësësisë së saj, të pengimit të saj, të refuzimit të saj - prandaj dhe bën një lajm jo të mirë për vendin. Me Asociacion, Republika nuk i ka afruar refuzuesit e saj, ajo veçse i ka fuqizuar ata.

Pra si kthim, shqiptarët shumicë të Kosovës nuk marrin bashkëpunimin e bashkëqytetarëve të tyre serb – për një Republikë të përbashkët, por marrin një strukturë paralele qeverisëse, autonome e destruktive për Republikën. Mbi të gjitha, marrin një ndërlidhmëni politike me një shtet tjetër – që, dhe kjo ka shumë rëndësi, shpërfaqë vazhdimisht qëllime rrënimi të shtetësisë sonë.

Kalimi i Pakos së Ahtisaarit vazhdon do të përbëjë dëmin më të madh të Republikës. Do të jetë një barrë me të cilën ky vend ka për tu marrë në vazhdimësi. Në bërthamë, ky formacion do të bëjë të kundërtën e interesave shtetërore tonat. Si për kthim, ne kemi marrë asgjë; madje as konfirmim se politika e tolerancës e durimit bën punë. Bllokuesit, barrikaduest, kryeneçët andej, janë shpërblyer shumë.

-4-

Dhe natyrisht, në kohë të paqartësive politike lindin kushtet për panikë. Në këtë panikë mbizotëron kërcënimi me dhunë. Pavarësisht shqetësimeve rreth Asociacionit, të cilat i ndajmë përndryshe të gjithë (nuk ka pronë mbi to askush), formimi i tij nuk i jep të drejtë askujt të kërcënoj me dhunë e me "të gjitha mjetet"; asnjëherë. Madje krahasimet e dëmeve mes njërës e tjetrës – si arsyetim i dhunës – janë bërë patetike tashmë.

Kosova është shtet (po është shtet); dhe ka institucionet e veta. Shumica politike e zgjedhur me votë (e pranuar nga të gjithë) vendosë për rrjedhat e vendit. Kjo vendosje, nëse konsiderohet si kundër-kushtetuese, mund të kontestohet në institucionet tjera – ato që ky shtet i ka pra. Nëse nuk pajtohesh me mendimin e tyre, ofron alternativë, del në zgjedhje, i fiton ato (po pate të drejtë) – bën kështu politikë. Protesta ndaj pushtetit në shtetin tënd ka shumë kuptim. Dhuna kurrë. Sidomos kur edhe njëra edhe tjetra janë vullnete e organizime partiake e jo qytetare. 

Prandaj jam kundër dhunës e kalimit nga një ekstrem në tjetrin; që të dy të dëmshëm. Dhe dhuna – nëse bëhet siç promovohet - ka për të shndërruar sërish një temë me interes për secilin, në fushëbeteje të disave; sërish në humbje. E nëse dhuna është alternativa e vetme e opozitës ndaj pushtetit, atëherë ky pushtet e ka gjatë.

Monday 24 August 2015

MBI SERBËT DHE REPUBLIKËN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 21 GUSHT 2015

Mospranimi i Republikës së përbashkët, multientike, devalvon më tej konceptin funksional të shtetësisë së Kosovës. Pra, vendet e privelegjeuara në Parlament, dhe e drejta e pakicës serbe, nuk janë dhënë si garancë të pengimit të Republikës, por janë dhënë si garancë të mbrojtjes së pakicës brenda Republikës.



-1-

Kur Kosova ishte projektuar për t’u bërë shtet, nga forcat e brendshme dhe të jashtme njëtrajtësisht, integrimi i pakicave serbe në të kishte zënë pjesën më të madhe të projektit shtet, të njohur mbarësisht si Pakoja e Ahtisaarit. Ky projekt nisej mbi tre elemente bazë. I pari, dhe më i rëndësishmi, ishte se palët e projektit, në këtë rast pra shqiptarët dhe serbët e Kosovës, do të pranonin projektin barabartësisht.

I dyti, dhe po aq i rëndësishëm, ishte se për të bërë të pranueshëm projektin për pakicën, dhe rrjedhimisht për të gjitha forcat perëndimore e përcaktuese të shtetësisë sonë, shumica shqiptare duhej të hiqte dorë nga elementet identifikuese monoetnike dhe të trajtonte Republikën si multietnike. Në këtë vijë, minoritarët dhe mazhoritarët do të kishin një flamur të ri, një himn të ri, shumëgjuhësi dhe në fund decentralizim; pra do të kishin simbolet dhe përfaqësimin e ri që përfshinte të gjithë në barazi.

Dhe elementi i tretë, jo më pak i rëndësishëm, ishte se meqë projekti avanconte në kufijtë e së njohurës evropiane të drejtat minoritare, pra ecte në kufijtë e tolerancës të funksionimit si një shtet unik, vazhdimësitë shtesë negociuese ishin të pamundura pa kaluar kufijtë tolerues të vet shtetësisë. Pra, secili avancim i mëtutjeshëm i  balancave në mes të mazhoritarëve dhe minoritarëve, zhbënte dhe vet shtetësinë. Nëse bëhej si favor në anën e shumicës, degradonte kontratën e njohjes dhe mirënjohjes me forcat përcaktuese perëndimore; dhe nëse bëhej si favor në anën e pakicës, degradonte funksionimin unitar të Republikës.

-2-

Elementet në fjalë ishin marrë si të mirëqena deri në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ato, rrjedhimisht, ishin inkorporuar në ndryshimet e fundit kushtetuese pas përfundimit tre vjeçar të mbikëqyrjes së pavarësisë. Bëheshin pra si garancë e trajtimit të shtetësisë për vite shumë. Në këtë garancë ishte përfshirë dhe privilegji kushtetues i vendeve të pakicës, pa pëlqimin e dy të tretave të së cilëve, ndryshimet tjera kushtetuese ishin të pamundura. Anën e sigurisë pro-shumicë e merrnim si të mirëqenë. Së paku projeksioni shtetëror i Kosovës, në Pakon e Ahtisaarit pra, nuk paramendonte një shumicë shqiptare që mund të vepronte, me ose pa dije, në kundërshtim të vet Republikës; një paramendim jo shumë i saktë ç’është e vërteta.

Gjatë gjithë kohës, për fatkeqësinë e vendit tonë, vendorët dhe ndërkombëtarët bashkërisht, nuk kishin pranuar t’i bënin vetes të qartë se elementet supozuese të projeksionit shtetëror të Kosovës, që të trijat pra, nuk ishin as për së afërmi të përmbushura.

Për fillim, projekti nuk ishte pranuar nga të dyja palët. Në lokacionet minoritare serbe, flamuri dhe shtetësia e Kosovës shiheshin si sinonime të mbizotërimit shqiptar. Këtu, megjithatë, deri në parafillimin e dialogut, Republika kishte prezencën institucionale e të sigurisë – ani pse simbolika refuzohej apriori. Në Veri, ndërsa, përveç mospranimit, Republika nuk kishte as mekanizma implementues të saj; pra nuk ishte prezente asnjëherë – as si shtet e as me simbolikë.

Pra, në vijimësi, përderisa shqiptarët kishin hequr dorë nga simbolet nacionale, nga idetë një-kombëtare, madje kishin pranuar dhe riorganizim territorial – të gjitha në këmbim të shtetësisë, multietniciteti dhe bashkësia reprezentuese nuk ishte pranuar nga serbët asnjëherë. Republika multietnike refuzohej – dhe vazhdon edhe më tej të refuzohet – me të njëjtin ngulm sa edhe gjithçka tjetër shqiptare. Kështu forcat politike serbe vazhdojnë të ushtrojnë përfaqësimin e tyre parlamentar në kundërshtim të Republikës. Dhe në këtë pikë humbet dhe rezoni i ndërtimit të Republikës së përbashkët e multietnike. Sepse ajo nuk shihet si e tillë nga serbët. Po të shihej si e tillë, votimi i ushtrisë, anëtarësimeve ndërkombëtare e vet mbrojtjes së shtetësisë – së përbashkët pra – do të duhej të ishte i mirëkuptuar dhe me interes shtetëror edhe për bashkësinë minoriate serbe këtej.

Mospranimi i Republikës së përbashkët, multientike, devalvon më tej konceptin funksional të shtetësisë së Kosovës. Pra, vendet e privelegjeuara në Parlament dhe e drejta e vetos e pakicës serbe, nuk janë dhënë si garancë të pengimit të Republikës, por janë dhënë si garancë të mbrojtjes së pakicës serbe brenda Republikës. Refuzimi i Republikës nëpërmjet tjetërsimit të të drejtave të privilegjuara , zhbën qëllimin kushtetues të prezencës së tyre në këtë Parlament. Nëse ky vend ka një mendësi që promovon anti-Republikanizmin – me gjithë elementet shtetërore të tij – kundërshton pra gjithçka nga ushtria tek përfaqësimi e tek uniteti territorial, atëherë nuk bëhet fjalë më për një qëndrim politik, por për një qëndrim kundër-kushtetues e kundër-parlamentar; kundër-republikan. Si i tillë, ai nuk guxon të jetë as në Parlament e as në shtet.

-3-

Në vend të korrigjimit të një keqpërdorimi të tillë, ky vend, i shtyrë kryesisht nga individë të bashkësisë ndërkombëtare që qëllim kanë kalimin e shpejtë dhe të qetë të ngjarjeve në gjithë rajonin (dhe jo domosdo vetëm në Republikën tonë), ka bërë të kundërtën e pritshmërisë normale; ka shkelur elementin e tretë të Pakos së Ahtisaarit – prishjen e balancës funksionuese të shtetësisë duke detyruar Kosovën të kalojë kufirin e tolerancës dhe balancës ndëretnike.

Në momentin e parë të hapjes së negociatave teknike me Beogradin, dhe pranimin e diskutimit politik e të brendshëm për Kosovën, ky vend ka rrezikuar funksionimin territorial e shtetëror si tërësi. Përveç pra mospranimit të brendshëm të shtetësisë, përveç tolerimit të përdorimit të privilegjeve për bllokim e rrënim të shtetësisë, ky vend ka vendosur të kalojë kufirin e fundit të shtetësisë, për t’i dhënë privilegje dhe më tutje – dhe këtu fillon problemi – grupeve që sërish nuk kanë për qëllim njohjen e shtetësisë e Republikës, por kanë për qëllim rrënimin e saj.

Dhe këtu fillon gabimi i fundit i vendit tonë. Jo në idenë se a duhet apo jo të negociojmë – mund ta kishim bërë këtë me më shumë stil, mend e unitet – por në idenë se në çfarë modeli do të përfundojmë. Pra, nëse grupeve refuzuese të Republikës, identitetit, territorit e simbolikës shtetërore, u ofrojmë më shumë kompetencë nacionale (dhe jo lokale më), atëherë ecja jonë gjithë-shtetërore, e përbashkët pra, do të ngecë. Sepse, këtë qëllim ka pala tjetër; të ndalë ecjen e një shteti që nuk e dëshirojnë dhe nuk e pranojnë. Në këtë pikë nuk ka më kuptim as atraksioni i ofertës për një grup refuzues. Ky atraksion vetëm se shndërrohet në mjet më të fuqishëm pengues të Republikës. Republika pra, duke i dhënë kompetenca më shumë refuzuesve, nuk i dobëson ata; përkundrazi i fuqizon. Kjo entropi vetë-ushqyese e sistemit të Republikës sonë, mbetet e dëmshme në secilën formë të saj.

-4-

E kuptoj nevojën për zgjidhje kur nuk kontrollon 17% të territorit tënd për 16 vjet. Në fund të fundit, territoret nuk kontrollohen me letër, por me forcë të vendosjes së institucioneve – forcë të cilën Kosova nuk e kishte asnjëherë. Por ama, secili formalizim e institucionalizim i forcave tjera (anti-Republikane) dhe jo tona (multietnike pra) në këtë pjesë – dhe pjesë të tjera nëpër Kosovë – nuk është se përmirëson qëndrueshmërinë tonë si shtet; përkundrazi.

Asociacioni me kompetenca të pushtetit të tretë, si hap i ardhshëm pra, do të shërbejë edhe më tutje si mekanizëm i ndërprerjes së bërjes ndërkombëtare të shtetësisë sonë. Asociacioni do të shërbejë edhe më tutje jo për avancimin e të drejtave serbe brenda rendit Kushtetues tonit, por për rrënim të këtij rendi. Asociacioni, si formacion institucional e aspak joqeveritarë, do të refuzojë Republikën tonë të përbashkët. Atëherë çfarë po fitojmë?

Në secilën rrethanë, institucionet tona duhet të provojnë secilin implementim të ligjeve e normave të avancuara brenda Kushtetutës sonë, që, për njërën arsye apo tjetër, kanë mbetur vetëm ligje – këtë dhe duhet të bëjmë. Secili kalim i kufirit të funksionimit të shtetësisë sonë, të përcaktuar e përmbledhur në një Kushtetutë bukur të avancuar e demokratike, ndonjëherë dhe në përmasën e diskriminimit të shumicës, përbën lindjen e një gjymë-Republike të re, e cila nuk ka për të funksionuar mirë e mbarë asnjëherë – jo si e pavarur pra. 

Në mëshirë të vendimmarrjes së një pakice të ndërlidhur me një shtet tjetër, kjo gjysmë-Republikë do të varësohet institucionalisht; dhe këtë varësisë do ta dorëzojë me dorë të vet. Në këmbim, nuk do të marrë asgjë. Veriu do të mbetet po aq i pakontrolluar sa më parë; madje edhe me forcë më të madhe refuzuese pas pavarësisë financiare (me fond), territoriale (me dogana), politike (me Asociacion) e ligjore (me gjykata).


Monday 17 August 2015

KULTURA DHE SPORTI SI BIZNES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 GUSHT 2015

Dokufesti përveç se është shndërruar në simbol kulturor të Prizrenit, është bërë dhe model i suksesit kosovar; tërësisht kosovar, dhe tërësisht jopublik. Këtë vit, ai u përdor mjeshtërisht për të shpërfaqur edhe pakënaqësinë kosovare ndaj regjimit të vizave, pra u bë një transmetues kreativ i mesazheve politike e qytetare të vendit tonë.



-1-

Verën e ngadaltë të sivjetshme, siç dhe ndodhë rëndom tashmë secilin vjet, e gjallëzojë organizimi – pa dyshim – më i mirë që ka prodhuar ky vend ndonjëherë, Dokufesti pra. Origjinal, kreativ, atraktiv dhe në fund ekonomikisht përfitues, për veten dhe rrethin njëtrajtësisht, Dokufesti përveç se është shndërruar në simbol kulturor të Prizrenit, është bërë dhe model i suksesit kosovar; tërësisht kosovar, dhe tërësisht jopublik. Këtë vit, ai u përdor mjeshtërisht për të shpërfaqur edhe pakënaqësinë kosovare ndaj regjimit të vizave, pra u bë një transmetues kreativ i mesazheve politike e qytetare të vendit tonë.

Në të vërtetë,  janë mu storiet e suksesit si këto, që pa fije përkrahje publike, me iniciativë tërësisht individuale dhe private, ofrojnë diçka origjinale; ofrojnë një vend mbledhës të vendorëve e ndërkombëtarëve; në rritje shumë të ndërkombëtarëve. Kështu, një nismë kulturore e artistike, i ofron qytetit të vet një input ekonomik e biznesor bukur gjithëpërfshirës. Sepse, përgjatë muajit të shfaqjeve, Prizreni bëhet atraksion turistik, tërheqës i parasë për bizneset lokale, nga marketet e tek kafeteritë e bujtinat – një multiplikator i gjithandejshëm ekonomik.

Fatkeqësia, megjithatë, qëndron në idenë se sa pak përkrahje publike – financiare pra – merr një ngjarje që gjeneron kaq shumë të hyra për secilin vit. Vetëm 15 mijë euro janë dhënë për një gjenerues kaq të madh të kulturës, identitetit e vet parasë – nga komuna e Prizrenit (që shpenzon përndryshe dyfish më shumë se kaq në dreka e darka); dhe vetëm 25 mijë të tjera nga niveli qendror. Ne pra japim për një sezonë të Dokufestit sa tërësia e shumës ditore që japim në mbështetje të televizionit të kapur publik – RTK-së. Një ditë e RTK-së sa një vit i Dokufestit.

Dokufesti do të duhej në secilën rrethanë të shihej si burim i mirëthemeluar, me përvojë, emër e me establishment të njohur mbarësisht, pra do të duhej të njihej si investim i lehtë për t’u bërë dhe me kthim shumë Dokufesti do të duhej, në frymën e të bërit biznes, të shihej si mundësi e mirë e investimit publik; për ta ngritur atë në nivel tjetër – dhe më të lartë, dhe më përfitues për Prizrenin e Kosovën.

Në të vërtetë, të gjithë shembujt e tjerë të investimeve e nismave private në kulturë, do të duhej të ishin modele të mira të investimeve publike. Këto të fundit marrin arsyetim sepse injektohen në ngjarje që jo vetëm kanë vetë-qëndrueshmëri financiare, por përbëjnë mundësi të përfitimeve dhe për të tjerët; sidomos për tërheqjen e turistëve të huaj e të pakët që vizitojnë vendin tonë. Është kthim i madh për investim pak.

-2-

Dhe krahas bërjes së kulturës biznes, përfitues për shumë natyrisht, Kosova ka mundësi dhe shndërrimin e sportit në resurs të tillë. Ecja e fundit e ekipit futbollistik nga Korça, Skënderbeu pra, për në Ligën e Kampionëve – dhe gjithë kompensimet e marra si njohje për përparim, japin modelin tipik të një zhvillimi potencial që gjeneron kthim. Dhe kthimi natyrisht se ka rëndësi. Është parakusht edhe i vazhdimit, por edhe i rritjes së bizneseve që kërkojnë shumë investim.

Për dallim nga ngjarjet kulturore, këto sportive kanë interes madje dhe më të madh në Kosovë. Ato ndiqen dhe bëhen nga të rinj e të reja nga rrugicat e vogla e deri tek fushat publike e private. Ato pra kanë probabilitet më të lartë të suksesit sepse kanë edhe konsumatorë – nëpërmjet ndjekjes dhe shikueshmërisë, por edhe “lëndë të parë”, sportistë pra – nëpërmjet vetëpjesëmarrjes. Dhe për dallim nga shumë industri të tjera, ato jo vetëm se shërbejnë si marketing i mirë nacional, por edhe përbëjnë edhe një formë briliante të eksporteve – të shitjes së lojtarëve, ndër të tjerash.

Kosova është në prag të pranimit ndërkombëtar për në garat evropiane, por nuk ka qenë kurrë më larg nga të qenit gati për të. Nga mungesa e terreneve e deri tek mungesa e shkollave sportive, nga strukturat udhëheqëse joenergjetike e deri tek mungesa e iniciativave publike, Kosova shumë lehtë mund të humbasë shanse të shumta për të shndërruar dhe sportin në biznes.

E modelet e sukseseve të tilla biznesore, që po ndërtohen së fundmi edhe në Shqipëri, kanë qenë të mirëthemeluara e mirëfunksionalizuara nëpër gjithë rajonin; me kulmim në Kroaci. Ekipet e futbollit, ndër sportet e tjera natyrisht, nga Zagrebi, kanë krijuar e shitur lojtarë me vlera sa 10% e gjithë eksportit të sotshëm kosovar – për secilin vit. Modelet e suksesit i kemi afër pra. Ato kërkojnë vetëm replikim.

-3-

Sporti, pra, merr kuptim biznesi në Kosovë me ecjen e shtetit në mekanizmat ndërkombëtarë, dhe kështu rritjes së shpërblimit e mundësisë së kthimit të investimeve proporcionalisht. Njëtrajtësisht, ngjarjet kulturore marrin kuptim biznesi në Kosovë, me rritjen e qëndrueshmërisë së tyre, domosdoshmërish nëpërmjet ndërkombëtarizimit eventual. Është mëkat mosshfrytëzimi i mundësive si këto.

Në të dyja rastet, politikat tona publike nuk ofrojnë as para si mbështetjen direkte, por as lehtwsime politikash, si mbështetje alternative – të themi të politikave fiskale Ne nuk krijojmë as ambient që stimulon bizneset e nismat si këto, e as nuk japim mjete për t’i mbështetur ato.

E pasiviteti si ky, pak a shumë përshkruan edhe gjithë politikëbërjen ekonomike në Kosovë tash e sa vjet. Pra ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të krijojmë politika ekonomike e pro-biznesore përtej shablloneve gjenerale, të uniformitetit e gjeneralizimit. Ne nuk kemi qenë asnjëherë në gjendje të reagojmë me kohë përballë rasteve që kanë shpërfaqur mundësi shndritje gjithandej.

Në vend të kësaj, ne kemi zgjedhur të zakonshmen. Kemi financuar me shabllon gjithandej gjithçka, gjithmonë më shumë për kotizmat e publikes dhe luksit të saj; apo dhe ngjarjeve inekzistente të miqve nga politika, por asnjëherë të nismave e mundësive me profitabilitet multiplikatori të lartë.


Monday 10 August 2015

PËRTEJ PATETIZMIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 GUSHT 2015

Kosova do të kthehet paradoksalisht në faqet e historive të vrasjeve e krimeve të luftës gjithandej nëpër botë. Temat tona të brendshme do të mbyten nga diskutime edhe më patetike, të heroizmave e sakrificave, të idealizmave e padrejtësive historike; por s’do të kemi kohë më të flasim për punë, standard, mirëqenie e zhvillim – siç dhe nuk patëm kohë asnjëherë.


-1-

Do të ketë qenë dita më e bajatshme, më e padurueshme, më patetikja dhe gjithsesi më papërmbajtësorja në tërë historinë parlamentare të Kosovës, dita e ripërsëritur e diskutimeve mbi Gjykatën Speciale. Kaq shumë patetizëm e kaq pak argumentim – për dhe kundër Gjykatës pa dallim – vështirë se mund të ketë pasur ndonjëherë. Në të vërtetë, arena e vetme e bukur bëhej jashtë Parlamentit, nëpërmjet një tallje të gjithandejshme qytetare ndaj diskutuesve, tallje e përzier domosdo me shumë dozë habi për nivelin e paditurisë e pagdhendësisë që gjendej aty. Parlamenti ishte bërë interesant jo pse ofronte mend e dije e zgjidhje, por sepse ishte tragjiko-komik.

Përjashto aty këtu individë të rezonit – në numër më pak se gishtat e njërës dorë – që gjetën megjithatë guxim të dilnin nga shabllonet e fiksuara partiake, të tjerët përbënin zinxhirin e gjatë dhe torturues të mendimeve parlamentare, mbi një temë jetike e esenciale për vendin. Nuk ishin në gjendje të diskutonin profesionalisht, pa përzierje të parëndësishme e ngritje të muhabeteve kafeneske.

Në njërën anë ishin promovuesit e Gjykatës, pushteti pra, i cili, siç dhe ndodhë zakonisht deri më tani, ishte i ndarë. Pacifistë, në njërën anë, kishin zgjedhur heshtjen. Nga mosdija apo mosguximi nuk ka rëndësi, ata në momentet më historike për vendin po prodhonin abstenim – siç dhe prodhojnë rëndom të padobishmit. Çlirimtarët në anën tjetër, kishin zgjedhur argumentimin absurd, se Gjykata Speciale ishte një regresi nacional (i sjellë nga ta), por duhej përmbushur regresin për hir të përmbushjes së kushtëzimit, e jo për hir të përmbushjes së drejtësisë apo vërtetësisë.

Dhe si oponencë e një pushteti të bërë për të votuar e kaluar sfidat si këto, ishte një opozitë që me më shumë patetizëm, aktrim e brutalitet argumentues, bënte pushtetin të dukej si të arsyeshëm – para vendorëve e ndërkombëtare njësoj. U nxorën fjalime të parëndësishme, u fol temë e lirë, u shpërndanë sërish mitet për Specialen – të zakonshmet e të replikuarat në bajatizëm tashmë – u çirr e u thirr në të lavdishmen, të paprekshëm, utopiken (anipse më vonë u akuzuan të paprekshmit për krime njëtrajtësisht), pa përfunduar me asnjë argument të vlefshëm gjysmë-oratorik që jepte alternativë të parrezikshme e jo vetëvrasëse. Standard i tyre tashmë.

-2-

Natyrisht se, siç po ndodhë tashmë në secilin diskutim parlamentar, edhe në këtë të tashmin u hap historia e pretendentëve politik – po jepej e vërteta e tyre. Secili bëhej më hero, më atdhedashës, më patriot se tjetri.

Nga idealizmi i gërditshëm se shqiptarët me uniformë nuk bëjnë krim – madje, as nuk zënë banesa (zënë banesa, shtëpi, tokë e shtet besa – u thonë zaptues), e deri tek kush kishte të drejtë në Rambuje; nga kërkesa për luftë të përjetshme, e deri në kundërshtim të gjithçkaje që kemi sot – të kompleksuarit nga renditja e gabuar në të shkuarën në përballje me kapësit e shtetit, të tashmes e të së ardhmes njëtrajtësisht, provonin të jepnin versionin e tyre historik mbi ngjarje që nuk kishin më rëndësi. E gjitha kjo në një ditë diskutimi parlamentar mbi Gjykatën Speciale pra. Kaq dhe mund të bëjnë këta sinqerisht. Në këtë diskutim kohe na mbajnë të gjithë, pushtet e opozitë tash e  gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të gjithë kanë ngecur në vitin 1999.

Dhe mu ky nivel diskutues i opozitës – sepse pozita këtë do – që fokusohet për teke të një individi në histori – duke provuar të përbaltë ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës që kanë ndërtuar mu këtë pavarësi e këtë Republikë – ka sjellë opozitën në gjendjen më të rëndë të mundshme ndonjëherë. Përballë një pushteti aspak të pëlqyeshëm, hiç energjetik, opozita është shndërruar në front të pallavrave munduese, me rima plot – por pa përmbajtje e rezon; të rrezikshme sa s’bëhet më. Opozita do të përfundojë, rrjedhimisht edhe më keq.

Fatkeqësisht, për aq sa kanë treguar në gjithë këto vite, kjo opozitë nuk mërzitet fare sa do të bjerë. Janë fanatikë të ideve (të rrezikshme gjithsesi), dhe djegës briliantë të përkrahjeve publike. Natyrisht, për dallim nga e shkuara, këtë herë do të mbesin edhe pa përkrahje publike edhe pa atë qytetare. Do të kthehen në klube ekstremistësh e shëtitjeve me gomarë – siç mund të kenë qenë të destinuar përjetësisht; ani pse s’kanë për t’u mërizitur asnjëherë.

Fatkeqësia më e madhe mbetet se Kosova dhe kosovarët do të mbesin sërish pa alternativë normale. Ato do të duhen sërish të zgjedhin në më të keqen e vogël, nga një lëmsh i madh politik. E ky nivel politik, kjo gjeneratë politike, nuk ka për të sjellë asnjëherë zgjedhje mes të mirës e së keqes; do të zgjedhim keq ose shumë keq.

-3-

Për dallim nga përkrahësi e gjykatës, dhe kundërshtarët e saj, them se, siç edhe kam argumentuar më parë, themelimi i Gjykatës Speciale është zgjidhja më e mirë – gjithsesi më e vështirë – nga zgjidhjet në tavolinë. Kosova kishte një obligim moral, ligjor dhe ndërkombëtarë trajtimin e pretendimeve për krime. Kosova nuk kishte të drejtën më për të bërë këtë gjykim vet. Të tjerat diskutime nacionaliste, euforike e patetike, në këtë kontekst kohor, dërgojnë vendin vetëm në izolim, e shndërrimin tonë në një Republikë Serbe të Dodikut; frankenshtajn entitet – pikë refuzimi për gjithë Perëndimin. Natyrisht se disa kapës e revolucionarë njëtrajtësisht edhe këtë zgjidhje s’do ta kishin problem, përderisa u vazhdon ideja (e krisur) e pushteti (zaptues) – të dyve pa përjashtim.

Kosovarët e tjerë ndërsa, përtej Gjykatës Speciale, duhet të brengoset më shumë për nivelin politik në vend. Ky nivel politik, i shpërfaqur mbarësisht në parlament, pa fije dallimi në mes të pozitës e opozitës – patetikë e jopërmbajtësorë të gjithë, ka për të sjellë gjithmonë alternativa në mes të së keqes dhe shumë të keqes; mirë nuk dinë.

Dhe në gjithë këtë mundësi zgjedhjeje, Kosova do të heq copa të identitetin e sovranitetit në vazhdimësi. Shkatërruesit e rrënuesit do të duken sërish para forcave përcaktuese politike të jashtme si më të arsyeshmit; ne të tjerët si jomeritorë që dërgojmë të tillë në politikë.

E politika bëhet në kohë reale, jo në kredi të pashpenzuara historike. Alternativat e sotme të pamundura, mund të bëhen fare të lehta në të ardhmen po që se në vazhdimësi ne sjellim para vetes alternativa të këqija dhe shumë të këqija për zgjedhje.

Dhe alternativa të vështira na vijnë në ditët në vijim; gjithsesi. Nuk ka për t’u bërë më lehtë. Kosova do të kthehet paradoksalisht në faqet e historive të vrasjeve e krimeve të luftës gjithandej nëpër botë. Temat tona të brendshme do të mbyten nga diskutime edhe më patetike, të heroizmave e sakrificave, të idealizmave e padrejtësive historike; por s’do të kemi kohë më të flasim për punë, standard, mirëqenie e zhvillim – siç dhe nuk patëm kohë asnjëherë. Peng të kapësve për gjashtëmbëdhjetë vjet, peng të tyre dhe për shumë kohë.

Kosova bën mirë të lirohet sa më parë nga e shkuara e saj; jo duke e harruar atë, por duke menduar për të ardhmen. Sepse e ardhmja jonë, e kapur nga e shkuara – me njerëz e ide njëtrajtësisht – duket hiç shpresëdhënëse; e frikshme madje.