Friday 31 July 2015

LUKSI I NJË VENDI TË VARFËR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 KORRIK 2015

Jam në pritje ende të një bindje politike që sulmon publiken në rrënjët e kalbura të saj. Që tkurrë gjithë luksin publik për të ofruar një qeveri të vogël, pa alamet vetura, pa alamet mëditje e pa alamet shpërdorime anonimësh.




-1-

Plot 50 milionë ishte vlera e kursimeve të shtesave nga rishikimet buxhetore ketë vit. Kaq u kursyen me një vendim të vetëm. Dhe sado i hairit një kursim i tillë mund të jetë, pyetja e vërtetë që duhet bërë është se pse nuk ishin bërë kaherë shkurtime të tilla. Shtesat ishin kompenzime financiare për punët publike në Kosovë. Pra, një nëpunës publik, për një punë publike, të qartësuar e definuar mbarë e mirë me kontratën e tij publike, kishte marrë shtesë financiare – ani pse nuk kishte bërë asnjë punë tjetër shtesë jashta kontratës e përshkrimit kontraktual që kishte. I jepnin, dhe këtu vjen ironia, për motivim. Në botën moderne, paga përmbledhë motivin.

Shtesë pas shtese ishin bërë 50 milionë në vit; rrafsh sa 625 mijë pensione kosovare, apo 294 mijë paga mesatare, apo përafërsisht njëjtë sa i gjithë buxheti i shëndetësisë këndej. Pra, ky vend, ka mundur tash e shtatë vjet të dyfishojë buxhetin e shëndetësisë me një shkurtim të thjeshtë financiare prej 50 milionëve. Shëndetin tonë po e merrnin si motiv nëpunësit publik tash e shtatë vjet.

Në të njëjtën logjikë, sikurse shtesat, koekzistojnë me publiken edhe mëditjet. Ato, për vizitat në Shqipëri e Maqedoni këndej paguhen plot 209 euro për një kosovar në shërbim publik. Pra një ditë qëndrimi, një apo dy orë larg zyrës, për një zyrtar publik kosovar, kompenzohet me plot 209 euro. Përveç se absurd ky superkompenzim, ai mbetet pothuajse i njëjtë me kompenzimet për një ditë vizite në New York, Dubai apo dhe Londër – tre qytetet më të shtrenjta në botë .

Arsyeja pse sheikët tanë publik vendosin të mbikompenzojnë veten për vizita në Shqipëri e Maqedoni kaq lartë, është sepse i kanë afër, mund të shkojnë shpesh – mbi të gjitha, të shpenzojnë pak e kursejnë shumë. Pothuajse pjesa më e madhe e buxheteve publike mbajnë mëditje të bollshme; ato tanimë janë bërë burime të zakonshme financimi – janë bërë paga shtesë. Një zyrtar publik nuk llogaritë vetëm në rrogën publike kur merr punë, por llogaritë dhe në shtesa, dhe në mëditje – i merr të gjitha pa përjashtim.

-2-

Luksi publik këndej u simbolizua më së miri këtë javë me përcaktimin e plot 28 zëvendësministrave, pa përfshirë ata të komuniteteve e të tjerëve që do të vijnë. Këta 28 zëvendësministra do të kenë nga një shofer, një asistent dhe një zyre shtesë. Dhe sado që Kosova do të mbetej gjeneroze në përmbushjen e disa mija eurove shtesë për ta – sikur t’i kishim njëmend profesional – caktimi i anonimëve e të papërdorshmëve (kryesisht) në poste të rëndësishme publike është deklaratë e keqpërdorimit tipik të parasë publike.

Pra, në këtë formë, kjo qeveri tregon qartë intencën për të përdorur publiken për rahatim. Zëvendësministrat anonim, nuk shërbejnë për zëvendësim të ministrave, shërbejnë për rahatim. Ata nuk shërbejnë për plotësim të ministrave, shërbejnë për rahatim. Rahatimi dhe jo angazhimi, është përpjekja, rrjedhimisht keqmenaxhimi dhe jooptimizimi janë outputet.

Ky stil qeverisës është tashmë mirë i themeluar dhe shërben si model i plaçkës për të gjithë pretenduesit e udhëheqjes publike – të niveleve të ulëta gjithsesi. Kjo plaçkë ofrohet pra si kompensim i gjithë angazhimit partiak nëpër vite. Pra është paga, janë shtesat, janë meditjet. Është edhe pushimi për ditë me lidhje e palidhje, janë veturat, asistentët e këshilltarët – janë të gjitha.
                                                                                                        
Problemi është se një institucion publik nuk guxon të përdoret si plaçkë kompensuese për angazhim partiak. Sepse, qytetarët këndej nuk paguajnë taksa për të kompensuar kontributet partiake, por për të marrë shërbim. Pra sado ligjore dhe e rregullt një politikë e tillë mund të jetë, ajo mbetet e mjerë. Mbetet moralisht e papranueshme. Dhe kjo shoqëri e ky vend, do të përparojë kur politika të përfundojë ofrimin e politikave pa përgjegjësi morale e minimalisht korrekte. Mbetet fukarallëk intelektual një veprim i tillë.

-3-

Jam në pritje ende të një bindje politike që sulmon publiken në rrënjët e kalbura të saj. Që tkurrë gjithë luksin publik për të ofruar një qeveri të vogël, pa alamet vetura, pa alamet mëditje e pa alamet shpërdorime anonimësh. Jam në pritje të një bindje politike të djathtë njëmend, që vendosë sensin e funksionalizimit para kapjes e kompensimit të ulët partiak. Pra jam në pritje të një bindje politike që ka identitet djathtizmin njëmend; jo si këta që nuk kanë ide se çfarë bëjnë.

Dhe nuk po flas për mjerim politik, për paga të ulëta në publiken. Publikja dhe pozitat kyçe këndej meritojnë kompensime të bollshme. Problemi me to është se për kompensimet e bollshme duhet gjetur profile të kënaqshme, njerëz të zot e individë profesional – që dinë çfarë bëjnë e që shtojnë njëmend vlerë.

Nuk po flas as për shkurtim të beneficioneve publike në fushat ekzistenciale për qytetarët taksapagues kosovarë dhe bashkëqytetarët e tyre të pabarabartë. Po flas për efiçencë dhe mirëmenazhim – për qëndrueshmëri. Natyrisht se djathtizmi politik e administrativ do të ofrojë shumë kushte më të mira e më të qëndrueshme për nevojtarët në krahasim me secilin sistem politik të ekstremit të majtë e neokomunist. Ka ofruar gjithandej nëpër botë, do ta bëj edhe këtu. Sepse i njëjti ndërtohet mbi parime të qëndrueshme, jo mbi përralla ideologjike që s’realizohen kurrë. Ndërtohet mbi logjikën e ekzistencës, jo mbi varfërimin e të tjerëve. Ndërtohet mbi motivin e arsyeshmërisë ekonomike.

Pres pra një ide politike që krijon sisteme financiare mirë të qëndrueshme e të vetëqëndrushme në shëndetësi – fillimisht – nga ku marrin të drejtën bazike për kurim e kujdes secili qytetar i Republikës, dhe për edukim – ku mësohen e zhvillohen gjeneratat e ardhshme të vendit. Po flas për sisteme financiare që krijojnë qëndrueshmëri dhe për gjyqësor e për rregullatorë nëpër monopole. Pra po flas për përdorimin e parasë publike jo për lukse e rahatime partiake, por për investim në forcimin e institucioneve që garantojnë më pas lirinë ekonomike, të tregut, të pasjes e të bërjes.
Për të financuar këtë nismë, ky vend duhet të shkurtojë luksin publik. Të heqë shpejtë e lehtë – sikurse hoqi 50 milionë për një ditë – gjithë tjetërsimet publike nga plaçkitës publik e partiak. Pres – për fillim – një plan kursimi nga një vend i varfër sa s’bëhet më. Pres rregull në shfrytëzimin e veturave zyrtare, telefonave zyrtarë, darkave e drekave zyrtare – të nisim nga më të voglat pra. Pres kursime në punë të mëdha publike, ku shpenzohet taksa njëmend. Pres, mbi të gjitha, reformim e shkurtim të aparatit publik i cili në vend se të përdoret si strehimore sociale e rahatim partiak, duhet të transformohet në mekanizëm nxitës të zhvillimit. Puna, në fund të fundit, duhet të krijohet vetëm në sektorin privat.




Monday 27 July 2015

RRUGA PËR NË THEQAFJE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 KORRIK 2015

Tregimi për një vend të nxënë keq në lëmshin e vet


-1-

Truku më i madh që kapsit e shteti kanë nxjerrë nga mangët ndonjëherë, është mosvotimi  Gjykatës Speciale dhe marrja e duartrokitjes opozitare për këtë. Do ta kenë menduar gjatë e mirë – siç rëndom i mendojnë gjërat mbrapshtë këta – për të provuar bindjen e gjithandejme se ndërvarësit e SHIK-ut, shërbëtorët e pakontestueshëm tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, na u paskan bërë me një copë integritet, për të dalë faktorë në mosbërjen e obligimit më të përfolur ndërkombëtarë të Kosovës; Gjykatës Speciale pra. E secili që beson se kjo Gjykatë nuk është votuar për shkak të ndonjë fitoreje opozitare, të shikojë refuzuesit e saj nga pushteti njëherë. Shihni njerëzit që refuzojnë, të nënshtruar e dëgjues të pakontestueshëm ndonjëhërë; me përvojë ndaj të njëjtëve që bëhen sikur të dëshpëruar nga mosvotimi – dirigjentët e vetëm në gjithë këtë tregim.

Kështu, siç dhe ndodhë rëndom tash e sa kohë, relacionet kosovare me perëndimin vazhdojnë të mbesin peng i kërcënimeve për stabilitet nga një grusht zaptuesish, të cilët, në përpjekje dëshpëruese, por me plot durim, vazhdojnë të ngrenë pazarin lartë për veten e vet.

Gjykata do të bëhet, s’ka se si të mos bëhet sinqerisht, por formësimi i saj, sot për sot, mbetet ekskluzivisht në qejfet e zaptuesve; të duartrokitur natyrisht nga një opozitë gjysmë axhami, gjysmë idhnake. Këta zaptues do të rifaktorizojnë vetën sërish, si përcaktues të vetëm të mundshëm të proceseve politike në vend. Sërish, të njëjtit, do të arrijnë që nëpërmjet kërcënimit e bllokimit të gjithë vendit, të shpërfaqin veten si shpëtimtarë të tij. Fuqizimi i tyre, ndërsa, përbën lajmin më të keq për vendin. Ky fuqizim veçse zgjatë për më shumë gjithë ngecjen tonë.

-2-

Se mbetemi të varur nga pazaret individuale të kapësve, kjo më nuk bën risi. Ngecja si produkt i kapjes është më se evidente tashmë. Këtë javë, në këtë formë, u dha edhe Raporti i Progresit, i cili, nëse asgjë tjetër, për një vit matje konfirmoj status-quo-në. Ngecje në ekonomi, ngecje në gjyqësor, ngecje në demokraci e ngecje në ecjen Evropiane.

Një vit i tërë për të bërë asgjë, është pikërisht qëllimi i kapësve të sotshëm. Sepse kapësit, nisë nga pozicioni që kanë, nuk kanë as më të voglin motiv e nxitje për të ndryshuar gjërat; as për mirë e as për mbrapshtë. Janë mirë të akomoduar, bëjnë të vetmën gjë dinë të bëjnë – pra kapjen; rahatojnë fmailjarë, miq e militantë; pasurohen e ndërtojnë perandori biznesesh që sot qëndrojnë mirë në këmbë – dhe nuk i japin as edhe pesë pare për ecjen e Kosovës në, dhe për, Evropë.

Kapësit, ç’është e vërteta, mund ta mbajnë Kosovën në këtë formë për vite të tëra, siç dhe kanë mbajtur tash e sa kohë. Përveç nëse, ka një reaksion.

-3-

Reaksion evolutiv, jo revolucion, siç mund të ngazëllehen revolucionarët neo-komunistë që kemi këndej shpeshheërë. Por i cili megjithatë nuk vjen. Nuk vjen sepse në këtë vend ende festohet me valle, këngë e hallakamë për një copë asfalt, e bëhet lajm nacional vënia e semaforëve në qytetin e pestë më të madh në vend, të dytin mesiguri për nga aktiviteti ekonomik. Këtë nivel të mjerimit shoqëror, vështirë mund ta shpjegoj – sinqerisht. Me reagues të tillë, natyrisht se kapësit ndjejnë komfort për të mos dhënë gjë e për të mbajtur vendin në status-quo.

Ata, si këmbim ndaj kotësisë gjithë-shoqërore që feston për Asfalt e semaforë në shekullin 21, do të japin edhe një Universitet. Sërish kapësit i servojnë vëzhguesve të kapjes menynë standarde tashmë, pak gurë, pak rrugë, edhe një Universitet për secilën mëhallë. Kjo menye pashijshme duartrokitet e merret si e qenë. Kështu, kualitetit të dobët arsimor në vend, i shtohet dhe sasia. E një kuantitet pa kualitet natyrisht se nuk sjellë progres. Sjellë pra ngufatjen shoqërore në kozmetikë e në sipërfaqësore; kjo ngufatje këndej shihet si pasuri, jashtë nga ky vend mbetet e pavlerë.

Shkollat, që ta dinë këta, nuk bëhen me hapje të parvjetshme të universiteteve në një vend që nuk mund të bëjë as edhe një siç duhet – me plot katërdhjetë e kusur vjet përvojë – e as me infrastrukturë tenderësh; prej të cilëve, meqë ra fjala, ndërtohen perandoritë e kapësve sërish. Shkolla, që ta dinë këta, ka një mjeshtëri, i thonë mend. Ajo bëhet me njerëz, profesionistë e të dalluar në kategori më të larta se muhabeteve me apo pa semaforë. Dhe këso njerëz, jo që nuk kemi mjaftueshëm, por as që mërzitemi t’i ndërtojmë ndonjëherë.

-4-

E kur ngecja në aksion të kapësve e reaksion të të kapurve është çfarë ky vend prodhon, atëherë njerëz me maska e më një flamur të zi, në një liqen uji të pijshëm dhjetë kilometra nga Prishtina shpërfaqen lehtësisht. Ekstremizmi individual e grupor i bindjeve të keqkuptuara fetare ka kohë që po shënon fitore këndej.

Ishte për marre e turp anulimi i festimeve në shesh nga frika e sulmeve si këto; tregon se ky vend është në mbrojtje e defanzivë; terroristët ndërsa kanë marrë shembull se mund të triumfojnë. Dhe kështu nuk bën. Ky vend që krenohet me forcën më kredibil policore në rajon, me inteligjencë të re e me përkushtim për aksion, të reagojë për të dhënë siguri; alternativisht të lëshojë rrugë për dikë që një gjë të tillë mund të bëjë.

Në ndërkohë, mbetet fakt se Kosova, me gjithë fukarallëkun e vet shoqëror që ka, do të prodhojë – jo vetëm strehojë – ekstremistë të tillë e terroristë. Do të shfaqen trushpëlarët e pistë në mendje që besojnë se xhirimet e prerjeve të kokave, e skllavërimeve e masakrimeve janë veçse shpikje hollivudiane. Të njëjtit do të shëtisin rrugëve e lagjeve tona, do të kalojnë për ditë nga shkollat e fëmijëve tanë, e do të marrin një ditë udhë për të vrarë civilë. Me të tillët kompromisi është i paarritshëm; por ama, për të parandaluar nismat e tjera, ky shtet duhet të ecë fillimisht. Duhet të krijojë punë e mirëqenie, duhet të krijojë progres, që fëmijët e së sotshmes i largon nga bindjet ekstreme religjioze. Fatkeqësisht, as progresi e as puna nuk kanë për tu bërë asnjëherë me këta kapës e zaptues që kemi këndej. Sepse, siç dhe kemi parë kaherë, këta vetëm ngecjen dinë të bëjnë.


Monday 20 July 2015

NUMRAT QË NUK I DIMË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 KORRIK 2015

Kështu, sikur Kosova të kishte një normë joaktiviteti aq sa të regjionit, pra 46.8% në vend të 58.4%; plot 12 pikë përqindje më pak, atëherë ne nuk do t’i kishim forcë aktive vetëm 500 mijë, por plot 639,724 kosovarë. Rrjedhimisht, me vetëm 323,508 kosovarë të punësuar, papunësia nuk do të ishte më 35.1%, por plot 50.1%. E në bërjen e politikave ekonomike, dallimi në mes të një të dytës e një të tretës – si të papunë – është enorm.

-1-

Numrat këndej kanë pak vlerë. Numrat socio-ekonomik dhe më pak. Në të vërtetë, kjo shoqëri është në gjendje të flasë dy javë rresht – ditë për ditë pandërprerë – për eshtra e rivarime eshtrash të heronjve të një shekulli më parë, por s’është në gjendje të japë as edhe një orë diskutim mbi problemet bazike ekonomike; nisë nga numrat e bërë publik pra.

Debatet e pabëra ekonomike në shoqëri, nga ekonomistë që ky vend prodhon me nga pesë-gjashtëqind në vit, dëshmojnë dhe fukarallëkun e aktivizmit intelektual këndej. Nuk arrij të kuptojë sinqerisht se nga fshihen të tillët në këtë pak vend. Si mund të rrinë të tillë; të fshehur pra?

Dhe, ndonëse në plot fatkeqësi, përveç se ky fukarallëk është i mirëdëshmuar tashmë, mungesa e tij në politikat publike bëhet dyfish fatkeqësi. Sepse as për pak nuk arrij të pranojë nivelin e futkotizmit që politikëbërësit e vendimarrësit tanë, oratorë sipërfaqësorë, militantë patetik, e – apo –  së fundmi dhe xharrahë masiv, mund t’i bëjnë trajtimeve ekonomike qendrore, rajonale apo lokale, pa përjashtim. Politikanë e vendimmarrës që marrin vendime politike me tahmin, nuk janë udhëheqës të denjë për vetveten  – jo për më shumë. Ata, si të tillë pra, janë vetëm bastvënës, të ligë gjithsesi. Sepse, secili vendim i bërë pa numra bazik, me tahmin, s’është gjë tjetër veçse aventurë basti amatoresk. Edhe në bastvënie ka një parasupozim.

Pra na është bërë tashmë e zakonshme trajtimi i zgjidhjeve të papunësisë me premtime për dy-treqind mijë vende pune; na është bërë edhe më e zakonshme shtruarja e muhabeteve se “gjermanët po vijnë”; e gjithsesi, na është bërë plotësisht e zakonshme, dhe e gërditshme gjithsesi, diskutimi i investimeve të vet votëkërkuesve; nuk e din njeriu a promovojnë të njëjtit mbretëri apo demokraci. Në qendër të kësaj zakonshmërie të pazakontë në princip, unë argumentoj, mbetet sipërfaqësorja e trajtimit të temave me rëndësi. Dhe arsyeja kryesore e trajtimit sipërfaqësor të temave këndej, mbetet kufizimi ynë i madh rreth numrave; rreth numrave që nuk i dimë.

-2-

Ky vend, për të nisur thjeshtë, nuk di se sa banorë i ka njëherë. Regjistrimi i fundit i bërë në Kosovë kishte shpërfaqur barazinë e votuesve mbi 18 vjet, me gjithë banorët – nga zero deri në njëqind e kusur vjeç. Thuajse se jemi alamet vend për të pasur një diskrepancë të tillë.

Ta marrim se listat e votuesve i kemi gabim (dhe sërish nuk e dimë sa votues kemi), se diferenca e pritur mbulohet nga diaspora votuese, e se proporcionalisht gabimi i regjistrimit është po i njëjti me secilin regjistrim – e të themi se jemi 1.8 milionë; aq sa na thuhet pra zyrtarisht. Çfarë tjetër nuk dimë ne pas kësaj, është – e para dhe më e rëndësishmja – se sa të punësuar e sa të papunë janë këndej.

Plot shtatë vjet shtet nuk na kanë mjaftuar për të bërë një llogaritje të denjë punësimi, rrjedhimisht, ndërtimin e një baze informatë-dhënëse që ushqen vendimet politike. Mënyra e llogaritjes së parvjetshme, praktikisht, mbështetet në adoptimin e një metodologjie standarde – dhe këtu përfundon argumentimi mbështetës – që vazhdon të na nxjerrë rezultate jostandarde. Në një rast të tillë, një vend normal do të trajtonte mundësinë e ndryshimit të metodologjisë, për të marrë numra sa më kredibil.

Në llogaritjen e tanishme, dhe të bërë publike javë më parë, Kosova ka plot 1,202,489 njerëz në moshë pune. Prej tyre, rreth 702,238 apo 58.4% janë jo aktiv. Joaktiviteti, në përshkrimin më të thjeshtë, nënkupton tërësinë e individëve të aftë për punë, që nuk kërkojnë punë. Pjesa e mbetur prej 500,251 kosovarëve, llogariten sot si forcë aktive. Nga ta, të punësuar, formal e joformal, janë rreth 323,508 kosovarë. Një krahasim me regjistrat e Trustit Pensional të Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ku paguhen pra pensionet dhe taksat e të regjistruarve formal, del se Kosova i ka rreth 70-80 mijë të punësuar si joformal; gati një të tretën e të punësuarve formal.

Për t’iu kthyer llogaritjeve të punësimit, pjesa e mbetur përfundimisht, prej 176,743 kosovarëve, përbën numrin e të papunëve në Kosovë. Ky 176 mijësh, përpjesëtuar me pjesën aktive prej 500 mijë, jep 35% e papunësisë – të bërë publik si numër zyrtar.

-3-

Në këtë formë llogaritjeje, Kosova lehtësisht mund t’i ketë normat më të ulëta të papuënsisë. E tëra cfarë duhet është shtimi i joaktivëve – i atyre që nuk kërkojnë punë. Pra janë plot 58.4 % të fuqisë punëtore në Kosovë, që përjashtohen nga llogaritjet e punësimit këndej.

Duke ju referuar të dhënave të Bankës Botërore nga vitit 2014, vura re se me këtë normë të joaktivitetit, Kosova do të renditej në vendin e 5-të nga 182 shtete (Me të dhëna të disponueshme) në botë. Kosova do të barazonte Jordaninë me këtë normë joaktiviteti, e do të renditej lehtësisht pas Timorit Lindor (62%), Moldavisë (59.3%), Bregut Perëndimor e Gazas (58,8%) dhe Ishujve Samoa (58.5%). Kosova, do t’i linte pasme joaktivitet një listë të gjerë vendesh nga Lindja e Mesme, dhe më shumë shtete afrikane, ku nga pengesat herë religjioze e herë zhvillimore, gjysme e popullsisë – gratë pra – me automatizëm përjashtohen nga aktiviteti i punës. Dhe nuk ka gjasa që Kosova të ketë një normë kaq të lartë joaktiviteti.

Sa për krahasim, duke ju referuar të dhënave të Eurostatit (viti 2014), vërejta se mesatarja e shteteve nga Bashkimi Evropian është vetëm 27.9% (Italia ka normën më të lartë të joaktivitetit, 36.1%, ndërsa Suedia ka më të ulëtën, 18.5%). Ta themi se nuk jemi Evropë. Për këtë, ju referova sërish të dhënave nga Banka Botërore, për të nxjerrë një mesatare regjionale. Nëse nuk jemi Evropë, mesiguri jemi aq sa fqinjët tanë – Mali i Zi, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia. E mesatarja rajonale për joaktivitet, është vetëm 46.8%.

Kështu, sikur Kosova të kishte një normë joaktiviteti aq sa të regjionit, pra 46.8% në vend të 58.4%; plot 12 pikë përqindje më pak, atëherë ne nuk do t’i kishim forcë aktive vetëm 500 mijë, por plot 639,724 kosovarë. Rrjedhimisht, me vetëm 323,508 kosovarë të punësuar, papunësia nuk do të ishte më 35.1%, por plot 50.1%. E në bërjen e politikave ekonomike, dallimi në mes të një të dytës e një të tretës – si të papunë – është enorm. Nuk mund të kesh politika të njëjta në të dyja rastet; çfarë mund të kesh, dhe siç dhe ka gjasa të jetë, është se ke politika tejet sipërfaqësore që nuk mërzitet për numra hiç. U bën të gjithave (sic).

-4-

Kosova, përvec se nuk din numrin e banorëve, numrin e të punësuarve e atyre të papunë, nuk ka as idenë më të vogël për aktivitetin ekonomik këndej. Ne kemi jo më shumë se 60 mijë biznese aktive, por nuk kemi idenë e as regjistrin më të vogël për të dhënat bazike të tyre – nisur nga adresa e deri tek sasia e investimeve, fushë e zezë për ne.

Rrjedhimisht, ne nuk dimë as numrin e vendeve të reja që krijohen në sektorin privat, pagat e tyre, profilet e kërkesat e ardhshme; të cilat, potencialisht, do të mund t’i plotësonim me një sistem edukativ që reflekton.

Një nga numrat më të diskutueshëm ekonomik këto ditë, është ai i rritjes ekonomike. Në njërën anë është shfaqur Banka Qendrore e Kosovës, e në anën tjetër Agjencia e Statistikave të Kosovës. E para me një vlerësim të rritjes nga viti i shkuar prej 2.7%, e fundit me vetëm 0.9%.

Ç’është e vërteta, as 2.7% e hiç se hiç 0.9%, nuk janë numra impresiv. Siç dhe e kamë thënë dhe më parë, me këtë trend të rritjes e zhvillimit, vendit tonë do t’i duhen plot 30 vjet për të arritur standardin e sotshëm (jo të 30 viteve më pas) të Kroacisë; vendit të fundit në Bashkimin Evropian. Por ama, impresive (për së mbrapshti) mbetet mosballafaqimi i këtyre matjeve. Sepse, ka rëndësi shumë kuptimi i rritjes ekonomike këndej. Ka rëndësi shumë se a anë ndërtuar politikat e projeksionet tona mbi vlerësimet e 0.9% apo të atyre prej 2.7%; apo janë sërish gjenerale, sipërfaqësore – një për të gjithë. Mungesa e një debati bazik, mbi numrat më të rëndësishëm ekonomik, është vetëshpjegues mjaftueshëm; dhe i trishtë gjithsesi.

E për bindjen time, them se 2.7% i prezantuar mbanë më tepër kredibilitet. Jo sepse është më optimist, por sepse supozimet dhe llogaritejt e bëra mbi të, për dallim nga 0.9% janë më reale. Për shembull, përderisa rritja prej 2.7% argumenton në rënien e investimeve dhe rritjen e konsumit, kjo e 0.9% argumenton në të kundërtën. E nëse asgjë tjetër, përgjatë vitit 2014, vetëm rritje të investimeve nuk kishim. Nuk shpjegohet me asnjë parametër madje. Për këtë, për mua, humbë kredibilitet.


Monday 13 July 2015

NJË KRIZË PËR TË MËSUAR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 KORRIK 2015

Mbetet domosdoshmëri trajtimi i publikës dhe mbështetjes masive në shtet edhe tek ne. Është jofunksional, joefiçient, i kushtueshëm, dhe para së gjithash, siç mund ta kem kuptuar kaherë i predestinuar për ngritje borxhesh e për dështim.


-1-

Saktë 952,625 ishte numri i të punësuarve në administratën publike greke një vit para krizës. Përpjesëtuar me forcën e gjithmbarshme punëtore të asaj kohe, pra 5 milionë, i binte se çdo i pesti grek ka qenë – dhe përafërsisht njëjtë vazhdon të jetë ende – i punësuar në punë shteti. Çdo i pesti pra – relacion i pakuptueshëm për asnjë vend tjetër evropian.

Sa për të mos mjaftuar sasia, grekët i kishin shtuar dhe cilësinë. Pagat e të punësuarve në sektorin publik deri para krizës së fundit ishin një herë e gjysmë më të larta se sa ato në sektorin privat. Ato jepeshin dhe si herë e trembëdhjetë, katërmbëdhjetë e një herë ishin dhënë edhe si pagë e pesëmbëdhjetë. Beneficionet publike (përfshirë dhe pensionet) kompleksonin vendet më të zhvilluara evropiane; përfitonte secilin gjithandej.

Në librin e publikuar së fundmi nga James Angelos: “The Full Catastrophe: Travels Among the Neë Greek Ruins” jepen përshkrimet më absurde të një disfunkcionaliteti të predestinuar për dështim, në mes të publikes dhe beneficioneve individuale të saj. Angelos, i biri i një emigranti grek në Amerikë, kishte vendosur të udhëtojë në Greqi në fund të vitit 2009, vetëm pak muaj para shpërthimit të krizës financiare. Në të vërtetë, vizita e tij për atje ishte shtyrë nga thashethemet për “ishullin e të verbërve”. Angelos kishte dëgjuar se në ishullin Zakynthos pjesa më e madhe e banorëve ishin të verbër. Megjithatë, siç dhe kishte kuptuar nga vizita, nga 680 rastet e shënuara, 498 nuk kishin pasur asnjëherë problem me shikim. Ishin beneficionet nga 724 euro të paguara për çdo dy muaj që kishin përhapur epideminë e regjistrimit masiv si të verbër.

Ishulli i Angelosit, shpërfaqë vetëm njërën anë të sistemit së shthurur grek; të mungesës së kontrollit, përfitimeve publike e rehatisë gjtihënacionale – në kurriz të borxhit gjithsesi. Evidentimet e tjera të bëra pas krizës, kishën dëshmuar se mbi 36 mijë invalid – në beneficion invalidor – nuk kishin pasur asnjëherë probleme të tilla, se Greqia, si asnjë vend tjetër në botë, kishte numrin më të madh të personave mbi moshën 100 vjeç (plot 8,500 të tillë) – askush nuk i ç’regjistronte përfituesit pas vdekjes. Në verifikime dhe më të afërta, rreth 40 mijë pensione – çdo muaj pra – u jepeshin njerëzve të vdekur. Greqia pra, përbënte një piramidë të destinuar për rënie. Dhe, natyrisht, ishte rasti i një zyrtari publik, që merrte pagë përgjatë gjithë kohës sa ishte në burg. Asgjë e re për ne – jo një por plot të tillë kemi ne.

-2-

Në vitin 2014, një analizë e Komisionit Evropian e bërë në Greqi, kishte regjistruar se qytetarët grek – që nga periudha e para krizës e deri më sot – përbëjnë evazionistët më të mëdhenj në kontinent. Kështu, sipas raportit në fjalë, rreth 10 miliardë euro humbeshin çdo vit nga evazioni i taksave mbi konsum. Mbi 28 miliardë euro – taksa të tjera - nuk ishin paguar nga të vetëpunësuarit e tjerë grek. Greqia, në fakt, që nga viti 2010, ka humbur gjithë borxhin e tanishëm publik që ka, në evazion fiskal.

Atëherë çfarë ndodhë me një vend që nuk paguan taksa, mbështetë pothuajse secilën familje në beneficione publike, dhe financon këtë luks e rahati me borxh? Falimentimi është vetëm fillimi i një kohe të vështirë.

Natyrisht se popujt e tjerë evropian nuk do të pranonin borxh-dhënie për fqinjët që mban luks të tillë. Në secilin rast, kredidhënia si garancë për qëndrim në lagje të njëjtë, kushtëzohej me reduktime drastike të këtyre përfitimeve, me rritje të efikasitetit të mbledhjes së taksave – dhe mbi të gjitha, me reforma strukturore ekonomike – mbështetja në jopubliken ishte parakusht.

Pesë vite më pas, të gjitha këto reforma mbahen nga njëra anë si jo të plota – rrjedhimisht të pamjaftueshme – dhe të gjitha masat e shtrëngimit – nga ana tjetër – si fajtore për moskthim borxhi e rëndesë më tutje. Greqia sot vazhdon ti ketë plot 260 miliardë euro borxh, por borxhi është problemi më i vogël në ditët në vijim. Është likuiditeti i bankave komerciale që kërkon vëmendje të shpejtë, para se bankomatët që japin nga 60 euro në ditë të shterën krejt. Dhe, pavarësisht rrugës që popujt evropian – njëra palë borxhdhënës e tjetra borxhmarrës pa kredibilitet – vendosin të ndjekin në vijim, ditët e mira për Greqinë në disa vjet duken të pamundura.

-3-

Kosova – në princip e trend – ka pak dallim me Greqinë. Ne nuk i kemi 900 e kusur mijë të punësuar në sektorin publik, por i kemi 90 e kusur mijë të tillë; njëtrajtësisht, çdo të pestin në punë shteti nga forca aktive punëtore; çdo të dhjetin nga forca e gjithmbëarhsme. Për më keq se në Greqi, ne nuk i paguajmë të punësuarit publik me një herë e gjysmë më shumë pagë se ata në sektorin privat, por gati dy. Evazioni fiskal e informaliteti këndej nuk arrin miliardat e Greqisë, por arrijnë plot 35% (së paku nga bizneset e regjistruara) të vlerës vjetore të buxhetit. Ne nuk kemi ishuj të të verbërve, por ama kemi përfitues e rrogëtarë publik nga më të ndryshmit – komandantë e veteranë me shumicë; lista të privilegjuarish gjithandej. Mbi të gjitha, ne financojmë, sikurse atje, gjithë këtë diferencë të natyrshme me – pa befasi – borxh.

Borxhi publik i Kosovës vazhdon të jetë vetëm 11% e Bruto Produktit Vendor tonit. Ai grek sot është plot 176%. Por ama, trendi i borxhit tonë publik është rritës, në mesatare nga 12% në vit në pesë vitet e fundit. Shumë shpejtë, po mbajtëm këtë trend, ne do të dyfishojmë këtë normë. Borxhi ynë, pa habi, po rritet më shpejtë se sa niveli ynë ekonomik.

Pra mbetet domosdoshmëri trajtimi i publikes dhe mbështetjes masive në shtet edhe tek ne. Është jofunksional, joefiçient, i kushtueshëm, dhe para së gjithash, siç mund ta kem kuptuar kaherë i predestinuar për ngritje borxhesh e për dështim.

-4-

Efekti grek në Kosovë ka dy rrugë. Ai direkt ka gjasë më të vogël të përhapjes për shkak të mosintegrimit të bollshëm të kapitalit grek në Kosovë. Maqedonia, Shqipëria e Serbia, ndërsa, mund të marrin goditje më të rënda në rast të dështimeve në bisedimet e ardhshme në eurozonë. Atje, për dallim nga ne, sektori financiar, i ndërtimit, naftës e telekomit – në Shqipëri madje dhe remitancat e diasporës – janë të ndërlidhura ngushtë me zhvillimin grek.

Efekti i dytë, ndërsa, për ne, mbetet ai jo i drejtpërdrejtë; nëpërmjet eurozonës. Si përdorues të euros, secili zhvlerësim i saj do të replikohet me rritje të çmimeve – për aq sa zhvlerësohet pra, nëse zhvlerësohet gjithsesi. Kosova sot importon pjesën më të madhe të produkteve nga shtetet e rajonit, të cilat – për dallim nga ne – nuk janë përdorues të eurove; kanë valutat nacionale pra. Zhvlerësimi i euros në relacion me to (sërish nën supozimet se do të ndodhë) i bën importet nga atje më të kushtueshme për ne. Në periudhë afatmesme e afatgjatë, ne do të përfitonim nëpërmjet eksporteve – deri sa tregu mjaftueshëm të adoptohej në rrethana të reja pra.

Gjithsesi, në rast të një rëndese në tregjet evropiane, rreziku më i lartë na ndërlidhet me kursimet tona pensionale të investuara në tregje ndërkombëtare. Diversifikimi i tyre në burime të ndryshme, mbetet komfort i mirë; por në komfort nuk duhet të rrimë në ditët në vijim. Skenarët e tragjedisë greke mbesin të papërcaktuara, me alternativa të mundshme nga më të ndryshmet. Sado që vështirë e parashikueshme mbetet e ardhmja, të themi se jemi të sigurtë – dhe në vetëmjaftim – nuk është çfarë na duhet tani.



Monday 6 July 2015

MITET RRETH ANTI-SPECIALES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 KORRIK 2015

Ky vend mund të kalojë dhe pjesën tjetër të kohës në sharje e ofshamje për mundësitë e humbura, të bëhet pra pishman, të çirret e dridhet deri në çmendi – për çfarë dhe mund të ketë të drejtë – por nuk do të mund asnjëherë të ndryshojë gjë prej gjëje nga fati që e pret. Ky fat është i thjeshtë. Për të bërë edhe një hap të vetëm para, duhet të adresojë pretendimet botërore për krime në radhët e veta. Këtë adresim, s’mund ta bëj vet – sepse ka humbur të drejtën pra kaherë – por do ta bëjnë të tjerët për të.


-1-

Kosova, për fatin tonë të keq, vazhdon të prodhojë momente e ditë kur vendimet e marra zgjedhin ecjen zi ose gri; asnjëherë bardh. Kosova vazhdon të krijojë realitete të mbrapshta; trajtimi dhe më i mbrapshtë i të cilave mund të përcaktojë dhe më shumë mbrapshti – mund të përcaktojë pra, për së mbrapshti, fatin e një gjenerate të tanë. Për këtë, faj dhe përgjegjësi plot, pa dallim, bartin të gjithë ngasësit e pushtetit këndej. Një vend normal do të duhej kaherë t’i largonte e poshtëronte me refuzim secilin që sjellë vendimmarrjen në dy rezultate, zi ose gri.

Për fatin tonë dhe më të keq, në këto realitetet të reja të zgjedhjeve jo të mira, do të shfaqen gjithnjë individë, grupe, sekte e parti që do të mendojnë jashtë realitetit – për të përfunduar natyrisht në zi e më zi. Kështu ata do të prodhojnë utopi; patetizëm deri në fyt gjithsesi – dhe në fund, pra, zi. Një realitet i ri ishte edhe Gjykata Speciale. Një mbrapshti trajtuese ishte edhe adresimi çështjeve rreth saj. Në këtë fushë u gjendën edhe partitë e sektet opozitare këtë javë.
                                                                                                           
Ato, në kombinim të çuditshëm me deputetët më kontrovers e më zaptues të pushtetit, prodhuan skenën më të rrezikshme të Kosovës – refuzuan trajtimin gjykues, përgjithësuan individët e akuzuar me gjithë shoqërinë, dhe për fund nuk dhanë alternativë – natyrisht se gjatë gjithë kohës shanë e fyen gjithë ndërkombëtarët në Kosovë – dhe jashtë saj. Konspiracione sa të habitshme aq edhe të gërditshme. Paradoksalisht, këta i bënë të duken mirë fajtorët e vetëm të gjithë rëndesës sonë – arsyen e parë të Speciales dhe derexhesë sonë kolektive. Ky kombinim i çuditshëm, prodhoj mite. Ti trajtojmë këto mite një nga një.

-3-

Miti i parë, i krijuar nga refuzuesit e Speciales pra, mbështetë pafajësinë absolute të palës sonë, rrjedhimisht, refuzimin absolut të gjyqësisë ndaj neve. Pra, sipas kësaj logjike, secili shqiptar në periudhën e luftës dhe pas luftës, është i pastër në tërësi, dhe, për më tepër, secila tendencë e gjykimit të shqiptarëve është përlyerje e gjithë luftës çlirimtare.

Në këtë pikë kundërshtuesit kanë krijuar katër premisa. E para, se shqiptarët, të gjithë pra, qenkan popull engjëllor, tërësisht i pastër – gjynah sa s’bëhet më. Natyrisht se nuk është e vërtetë. Jemi si çdo popull tjetër. Në mesin tonë kemi njerëz të mirë, të ligë, të hairit e kriminelë – për këtë madje, kemi brumë deri në fyt për këto gjashtëmbëdhjetë vjet liri. Dhe, si në çdo popull tjetër, dhe në mesin tonë, mund të gjejmë lehtë individë të padrejtë, mendjeprishtë, johumanë – kriminelë; që vranë civilë – serb e shqiptarë. Për këtë, natyrisht se do të bëhet gjyqësi. Mu për këtë është bërë dhe shteti.

Premisa e dytë, që ndërtuan këta, është se secili gjykim potencial i ndonjë shqiptari në Kosovë për krime gjatë dhe pas luftës, ndynë gjithë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë pikë, të njëjtit ndërlidhin individin me gjithë lëvizjen e përpjekjen kosovare për liri. Për ta pra, individët janë vet lëvizja. Natyrisht se nuk janë. Lëvizjet profetike kanë mbaruar kaherë, e heroizmat të superfuqive individuale – si mbrojtje e përfaqësim të tërësisë –  i gjenë vetëm në filmat e “Marvelit”. Ç’është e vërteta, në asnjë proces, në asnjë rast të vetëm UÇK nuk është vënë në kandar të matjes së krimit as si organizatë e as si lëvizje – dhe kjo s’ka për të ndodhur asnjëherë. Është thënë madje nga vet ngritësit e akuzës – po kujt t’i thuhet se. Individë ndërsa, për vepra krejtësisht vetanake po akuzohen e gjykohen këtu. Natyrisht se ndërlidhja e individit me gjithë organizatën është e qëllimshme, dhe bëhet nga të njëjtit të vënë në kandar matjeje. Kështu, ua merr mendja atyre, mund të shpëtojnë disi.

Premisa e tretë ndërlidhej me selektivitetin e  gjyqësisë – si parim pra. U tha se gjykimi ishte selektiv e etnik, dhe mbi të gjitha jo-proporcional. Ç’është e vërteta, selektivja – pra Specialja – ishte bërë për të adresuar një raport ndërkombëtar që kërkonte hetimin e çështjeve të pahetuara deri më tani. Ky raport, dhe hetueshmëria e thirrjeve të tij, nuk përjashtonte hetimet tjerat; por ama specifikonte trajtimin e këtyre. Pra, sistemi gjyqësor i joni mund ende të ngrisë padi, të kërkojë kriminelë; të bëjë drejtësinë kuantitative deri në fundin e saj. Pse nuk e bëjnë pra?!

Premisa e katërt, ndërsa, ishte se krimet e bëra këndej ishin joproporcionale, rrjedhimisht trajtimi i çfarëdo krimi tonë ishte i pavend. Natyrisht se krimet ishin joproporcionale. Nuk kemi nevojë për asnjë rikujtim. Joproporcionalja është pikërisht motivi i intervenimit humanitar ndërkombëtar në Kosovë. Por ama, joproporcionalja nuk nënkupton amnistimin e krimeve të palës së rënduar. Sepse nuk ka krime të tilla; ka vetëm një krimbërës dhe një viktimë – fotografia e madhe, në trajtimin individual të tyre, humbë pastaj. Edhe nëse mijëra krimet ç’njerëzore të bëra ndaj nesh mbesin padrejtësisht të paadresuara, adresimi i krimit tonë – nëse e dimë se është bërë dhe mund ta bëjmë gjyqësinë – duhet bërë. Dhe kjo, për gjithë ata me shpirt në fyt, nuk do të thotë se ne duhet hequr dorë në ndjekjen e krimeve ndaj nesh. Ndërlidhja, madje, është paradoksalisht e gërditshme. Sikur të thuhet, nuk gjykoj këtë vrasës për një vrasje, sepse është një tjetër i lirë i pagjykuar për dy a tri.

-5-

Miti i tretë mbetet ai i ekzistencës së alternativës. U tha se Gjykata Speciale ka alternativë; duke aluduar kryesisht tek sistemi vendor, i cila edhe sot e kësaj dite vazhdon ti mbajë të burgosurit herë në spitale e herë në restorante – pjesën më të madhe natyrisht se të lirë. Pra alternativë e saj u bë pikërisht burimi i Speciales; arsyeja e vet imponimit të saj.

Formimi i Gjykatës Speciale nuk ka qenë asnjëherë i lehtë; as edhe i drejtë. Në të vërtetë, me gjithë formatin e prezantuar, ka qenë një ndër ngjarjet më të rënda të shtetësisë së Kosovës në këto pak vjet. Dhe sado që fajësinë e ngjyrosjen me përgjegjësi mund ta ndajmë lehtë, me gisht drejt dhe pa hezitim tek zaptuesit e pas-luftës që nuk gjykuan krimbërësit rreth vetës asnjëherë, ardhja e një platforme të tillë nuk kishte më alternativë. Ishte vonë tashmë. Koha pra, që ta kuptojnë refuzuesit e saj, me ligjet e këtij universi nuk kthehet pas.

Në këtë frymë do të duhej të trajtohej edhe Gjykata Speciale; në të tashmen pra. Ky vend kishte shpenzuar kohë shumë, sikurse në gjithçka tjetër, për të mos dhënë asgjë në gjyqësi. Rrjedhimisht, e drejta e adresimit të të bërave që megjithatë nuk fshihen sikurse mundësitë nga koha, na ishte marrë. Ne ishim vënë në zgjidhje aspak të mirë; paradoksalisht nga njerëzit e njëjtë që na mbajnë ligjërime për drejtësi sot.

Ky vend mund të kalojë dhe pjesën tjetër të kohës në sharje e ofshamje për mundësitë e humbura, të bëhet pra pishman, të çirret e dridhet deri në çmendi – për çfarë dhe mund të ketë të drejtë – por nuk do të mund asnjëherë të ndryshojë gjë prej gjëje nga fati që e pret. Ky fat është i thjeshtë. Për të bërë edhe një hap të vetëm para, duhet të adresojë pretendimet botërore për krime në radhët e veta. Këtë adresim, s’mund ta bëj vet – sepse ka humbur të drejtën pra kaherë – por do ta bëjnë të tjerët për të.

Humbja e të drejtës pra, dhe krijimi i një realiteti të ri, nuk është asgjë e re për Kosovën. Është pikërisht baza mbi të cilën ka lindur dhe shtetësia e Kosovës; së paku e argumentuar kështu në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjatë interpretimit të pavarësisë sonë. Serbia, siç argumentonte GJND, për shkak të ndërmarrjeve e mosndërmarrjeve të së shkuarës kishte humbur të drejtën qeverisëse e pronësore mbi Kosovë – prandaj dhe pavarësia. Ne ndërsa, kemi humbur të drejtën për gjykim, prandaj dhe Specialja. Dhe në të njëjtën logjikë, humbja e mëtejme e të drejtave për të ndërmarrë, do të krijojë realitete të reja; gjithmonë më të rënda se këto të tanishmet pra.

-6-

Miti i fundit, dhe më i rrezikshmi, ishte i ndërlidhjes së partneritetit ndërkombëtar në automatizëm me servilitet; rrjedhimisht në nevojë për refuzim me krenari. Këtu frynë natyrisht më së shumti sekte politike që në fundament kanë koncepte anti-ndërkombëtare të tipit të NATO-s dhe vendeve përcjellëse pas saj. Këto lëvizje ekstreme, herë supermajtiste, herë nacionaliste, shpeshherë fashiste – siç ishte rasti i kërcënimit të 2 milionë maqedonasve me ngufatje në fyt nga 7 milionë tanët javë më parë – kanë problem me modelin e Republikës sonë dhe ndërlidhjen e saj strategjike me partnerët aktual ndërkombëtarë. Këta hipokritë që në njërën anë nuk njohin Kushtetutën e Kosovës, që proklamojnë zhbërjen e Republikës, ofendojnë e përlyejnë simbolet e shtetit – thirren në anën tjetër si gardianë të Republikës, shpëtimtarë nga, siç e thonë të shkretët, serviliteti i pushtimit ndërkombëtar. Refuzohen me urrejtje plot, të njëjtit që kanë ndihmuar, për fatin tonë të madh, ndërtimin e pjesës më të madhe të themeleve tona shtetërore – të vet kësaj Republike. Ishte ky momenti i shpërthimit dhe ndryshimit të percepcionit kosovar ndaj një aleance ekzistenciale – publikisht, me gëzim. Paradoksalisht, garantuesit e sovranitetit, u kritikuan nga mosnjohësit e këtij sovraniteti, si pengues të sovranitetit.

Kosova nuk e ka për të fshehtë relacionin ndërkombëtar. E ka publik madje. Dhe me mburrje madje. Sepse, është vetëm falë një relacioni të tillë, të drejtë e të mençur, që ky vend ka ndërtuar shpëtimin – lirinë pra. Dhe është fakt, se vetëm falë kësaj lidhje Kosova sot ruan sovranitetin e vet. Janë mu këta ndërkombëtarë e forca ndërkombëtare që garantojnë për këtë vend të vogël sigurinë ushtarake, mbështetjen ndërkombëtare, e shpeshherë dhe ndihmën financiare.

Natyrisht se kjo nuk i jep të drejtë zaptuesve të thirren në përkrahje blanko në përjetësi; as edhe sjelljeve për dëgjueshmëri servile të tipit “mos shko në toalet”. Hiq se hiq amnistimit të korrupsionit, hajnisë e mjerimit politik të bërë shpeshherë nën këtë ombrellë mbështetëse. Por nuk i jep të drejtë as supersovranëve fallco – që s’respektojnë e s’njohin sovranitetin pra – të kalojnë në ekstremin tjetër; shkëputjen e plotë pra. Në të vërtetë, përtej bindjeve filozofike të mbrapshta, një propozim i ecjes solo, pra tërësisht sovran dhe pa brengë ndaj lëvizjeve ndërkombëtare, është amatorizëm politik – axhami e fëmijë janë këta.

Shtete shumë më të mëdha, më ekonomikisht të fuqishme e më pak të rrezikuara ekzistencialisht, veprojnë në vullnet të plotë në përputhje me aleancat strategjike – i ndjekin ato pa u pyetur fare madje. Lundrimi i anijeve në kah të njëjtë përbën pikërisht mjeshtërinë e ngritjes nacionale.

-7-

Unë nuk pres nga individë që kërkojnë doeomos protagonizëm – pavarësisht kostove – të reflektojnë. Për mua, këta kanë humbur shansin duke dëshmuar me kokëfortësi se janë veçse një sekt i pandryshueshëm, i rrezikshëm në skajshmëri, që, siç e thanë dhe vet, nuk mërziten për konsekuenca edhe sikur “ato të sillnin fundin e botës”. E mendojnë pra kështu. E përderisa ata nuk mërziten as për fundin e botës, e as për fundin e Kosovës, siç e thanë dhe vet, pres të tjerët të ndërtojnë mërzinë për rrugën tonë.

Pres megjithatë, që Kosova të tregojë maturi në konsolidimin e dëmit të madh. Jo nëpërmjet kokëfortësisë e futjes në qorrsokak, as nëpërmjet shpërthimeve kundër ambasadave e lëvizjeve ndërkombëtare këndej, por nëpërmjet largimit nga skena politike e të gjithë atyrëve që kanë sjellë këtë vend të zgjidhje të rënda – të pakthyeshme; dhe të tjerëve që nga këto zgjidhje të pakthyeshme zgjedhin theqafjen dhe “fundin e botës”. Pra të nisen nga të njëjtit që sot na shpërfaqen si pro-perëndimorë e problem-zgjidhës, arsyeja e parë e gjithë kësaj hallakame, e të përfundojnë tek të fundit, rrezikuesit e mëtejshëm pra.

Pres që kosovarët t’i japin fund marrive që zanafillë kanë në ballafaqimet e 1999-ës; betejave personale për kush kishte të drejtë; kush ka ende. Pres që kosovarët të nisen nga sot, për të dhënë zgjidhje jo vajtuese, as çirrëse – ta bëjnë pallavaragjitë këtë – por të japin vizione të ecjes sonë nga sot për nesër. Sepse, si të ngecur në këtë gjendje limbo, e tëra çfarë po bëjmë e prodhojmë është mbrapshti – deri në theqafje.