Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 DHJETOR 2011
Diplomacia donkishotiane dhe shpresa nga aksidenti parlamentar
Besoj se të gjithë u zumë si të habitur nga lajmi se Parlamenti i vendit kishte nxjerrë një rezolutë të sponsorizuar nga opozita. Mbivotimet e deputetëve militantë që s’guxuan asnjëherë të mendojnë vetë, këtë herë nuk u panë; ndoshta pse shefi nuk ishte në Kosovë. Do të kenë punë me të për të shpjeguar mosprezencën në sallë gjatë votimit (mjerë ta). Në vend të saj, me një unifikim të ri e befasues opozitar, Parlamenti i vendit kishte vendosur të bënte aktin më të drejtë, më real e më të pritshëm, atë të vënies së relacioneve reciproke me Serbinë. Ju lumtë! Relacionet si këto nuk janë sjellje agresiviteti, as dhune e as padrejtësie, janë vetëm marrëdhënie reflektuese. Çdo palë që ankon mbi tretman të tillë realisht ankon në vete. Ne vetëm japim atë që marrim. Prandaj të gjithë ata që kanë votuar kundër për një marrëdhënie reciproke realisht promovojnë e pajtohen me marrëdhënie të pabarabarta e jo të drejta. Pas votimeve si këto, pra pas mbështetjes ndaj jobarazisë, nuk kuptoj si mund ta shohin vetën kontribuues të shtetit?!
Reagimi i parë i mbështetësve qeveritarë ishte paradoksal. U munduan të zhbëjnë votimin nëpërmjet presioneve patetike. Ndoshta protokoli i shtetit duhet mbledhë mend që herëve tjera sallat e Parlamentit të jenë të mbyllura për outsiderë sa herë që ka votim. Ky është Parlament i Republikës jo pazar i kerreve për atë Zot. Më pas, kur presionet nuk pinë unë, filluan zëvendëskryeministrat. Ishte Kusari-Lila e cila duke fyer në skajshmëri inteligjencën e kosovarëve po arsyetohej se “në një farë mënyre ne kemi reciprocitet me Serbi” se “Serbia pranon dokumentacionin e Kosovës” dhe se për fakte si këto “nuk e ka shumë të qartë mocionin e votuar” prandaj “kjo çështje duhet të rikthehet në Kuvend për votim”. Po shpresoj që me pak fjalë, se nuk do shumë mund e mend, “ti qartësojë” zëvendëskryeministres problemin me Serbi dhe konceptin e rezolutës. Së pari, as në ‘një-far-mënyre’, as në ‘dy-far-mënyre’ e as në ‘treqind-far-mënyre’ Kosova nuk ka marrëdhënie reciprociteti me Serbinë. Mimoza nuk di ose nuk do të dijë se tregtia e lirë nuk bëhet pa lëvizje të lirë; ku ka në botë tregti të lirë pa lëvizje të lirë?! Ajo nuk e kupton ose nuk do ta kuptojë se vetëm pranimi i vulave nuk hap barrierat tregtare me Serbinë, se pa zgjidhjen e problemeve të dokumentacionit të udhëtimit, lejeve të vozitjes, targave të veturave, e dokumentacioneve tjetra shtetërore të Republikës nuk ka mundur dje, e nuk mundet as sot, as edhe një biznes i vetëm kosovar të kalojë kufirin me Serbi. Prandaj kur thotë se “Serbia pranon dokumentacionin e Kosovës” ja futë kot. Tendenca për tu bërë se s’kuptojmë mocionin e hajde tash ta qartësojmë është tendencë për të kthyer çështjen edhe një herë në Parlament, mbledhë votat e hedhur poshtë mocionin. Kjo nuk bën punë.
Mocioni është i qartë shumë. Madje, po nuk kuptuat këtë mocion kristal të qartë çfarë lypni në Qeveri e Parlament? Po ju na paskeni marrë në qafë me dokumente tjera ma të komplikuara! Mocioni thotë se vendi duhet të ketë marrëdhënie të njëjta me Serbinë në spektrin politik, ekonomik e tregtar. Me fjalë të tjera, shkurt e shqip, nëse Serbia nuk njeh Kosovën, Kosova nuk njeh Serbinë, nëse Serbia nuk njeh pasaportat e Kosovës, Kosova nuk njeh të Serbisë, nëse nuk njohin lejet e vozitjes, nuk ju njohim të tyre, nëse nuk njohin dokumentet biznesore, nuk ju njohim prapa; reciprociteti politik, ekonomik e tregtar nënkupton se çfarëdo që na japim/marrin ju japim/marrim. Pastër, thjeshtë, drejtë.
Qeveria e vendit ka një obligim kushtetues para veti. Tendencat për tjetërsim janë simbole të para të një mini-diktature ku Qeveria do të lindë mbi Parlament. Nëse kjo Qeveri refuzon vullnetin e popullit të shprehur nëpërmjet Parlamentit, atëherë ne nesër duhet të mbyllim në mëngjes dyert e Parlamentit meqë nuk na hynë në punë më. Të paktën i kursejmë nja 10 milionë euro shpenzime vjetore sa i ka ky institucion. Po që se shkelet organi më i lartë në vend, do të japim precedentin më të rëndë në historinë moderne të Kosovës dhe fillimit e shtetrrënimit. Veprimi befasues i Parlamentit ishte hapi i parë shtetndërtues që kam parë unë në Kosovë. Qeveri, zbatoje këtë obligim!
***
E deri sa Parlamenti bën shtëpi, Qeveria prishë atë e bën hajat. Një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes me palën serbe dukej se gjasat e kosovarëve si të një topi bore në ferr, kishin kthyer anën drejt një probabiliteti masiv të së mundshmes dhe, për herë të parë në procesin dialogues të Brukselit, ato po ecnin me ne. Kjo jo se kishim bërë ndonjë mjeshtri politike, jo se dinim diplomaci, hiç se hiç se negocionim me ndonjë plan, por se Serbia po refuzonte pajtueshmëri me propozimet për një kontroll kufitar të përbashkët me shtetin kosovar. Nën duartrokitjet ritmike të Parlamentit gjerman, kancelaria Merkel po reflektonte bindshëm refuzim mu ndaj mospajtueshmërisë serbe. U duk sikur tashti Kosova ishte bërë barrikadë e pakapërcyeshme për Serbinë. Nuk di se çfarë ndodhi, nuk di si e pse ndodhi, por kur gjermanët, austriakët e britanikët kishin dhënë qartazi refuzimin e tyre publik ndaj Serbisë, në një triumf donkishotian kryenegociatorja jonë kishte kthyer në lojë palën tjetër; atëherë kur s’pritej, atëherë kur s’duhej. Thënë të drejtën, titullin e dhënë nga mediat elektronike se kemi marrëveshje po e përktheja në një triumf vërtetë domethënës, se për të humbë lojë në avantazh bindës duhesh të kesh marrë diçka domosdo dhe më bindëse. Po ja që prapa titullit befasues, e prapa buzëqeshjes vesh-në-vesh të buzëkuqes kosovare, ndodheshin copat e para të një shtet-rrënimi tipik, një shkelje e vlerave kushtetuese të vendit, një turpërim i mundit e sakrificës së gjeneratave të tëra. Ishte një hap budallesk, i pamatur, i ngutur e aspak i nevojshëm. Ishte një autogol nga më të çuditshmit.
Pajtueshmëria jonë kishte lënë si në habi dhe forcat mbështetëse që i kishim në krah. Të njëjtat tani po rishqyrtonin si me nguti qëndrimin ndaj Serbisë meqë raportet e bisedimeve vinin si lule; u zbukuruan sa s’bëhet më. Teksti i konkluzioneve të bisedimeve për shembull thotë se “...Serbia tashmë është rikthyer në dialog dhe është duke lëvizur me shpejtësi në implementimin me vullnet të mirë të marrëveshjeve të arritura”. Nuk di cilës shpejtësi ky tekst i referohet, nuk di se çfarë vullneti të mirë një vend që terrorizon forcat paqeruajtëse ka, e edhe më pak di për cilat marrëveshje bëhet fjalë meqë asnjëra përveç vulave doganore nuk është implementuar deri më tani. Në vend të ultimatumeve e qortimeve, BE i jep Serbisë trajtim super të butë. Por, lëvdata si këto i faturuam vet ne. Ne bëmë që ata përkundër dhunës, vrasjeve e represionit pas 25 Korrikut të duken bashkëpunëtorë. Toleruam kur nuk u dashtë, kur kapëm serbët ngushtë e kur mund të nxirrnim çdo lloj marrëveshje nga ta. Kryeministri i vendit në fillim i quante qesharake pretendimet se po negociohet për kufi, por teksti i marrëveshjes jep mu të kundërtën. Ne, për herë të parë, me një marrëveshje ndërkombëtare legjitimuam dyshimet për vijën kufitare të Kosovës, madje për këtë kemi garant dhe BE-në. Në një tekst të nënshkruar nga ne, të vulosur nga BE, ne pranuam se kufiri jonë kushtetues mund të konsiderohet edhe si vijë administrative. Dhe ky legjitimim duhet të shihet mu si shkelje me dy këmbë e kushtetutës së vendit.
Përveç kësaj, vet ideja e Menaxhimit të Integruar Kufitar ishte mosvet artificiale. Së pari, nuk ka e s’do të ketë askund në botë, dy vende me probleme ekzistenciale, nga ku njëri ka pretendime territoriale ndaj tjetrit, të ndërtojnë kontrolle të përbashkëta kufitare. Kontrolle të tilla kanë qenë, janë dhe do të jenë vetëm shenjë e miqësisë ultra të mirë në mes të shteteve. Arsyetimet bajate se ky na qenka model evropian mund ti shiten vetëm fanatikëve e militantëve partiakë që edhe po tua servosh kontrollin e huaj kufitar do ta pranonin pa diskutim. Së dyti, mungesa e simboleve shtetërore në këto pika kufitare/pika kalimi, si dhe trajtimi i veçantë i dy pikave veriore, i heq plotësisht sovranitetin Kosovës nga ajo që më parë, të paktën të njohur ndërkombëtarisht, i është garantuar vendit tonë.
Qasja evropiane ndaj problemit tonë është fare e padrejtë, por dhe më e padrajtë është kompromisi ynë në kurriz të shtetndërtimit. Thuhet se për të akomoduar problemet në Serbi duhet shpërblyer reformuesit serb. Me fjalë të tjera, po u bëmë dhe ne problematik, qasja e tyre ndaj nesh do të ishte shpërblyese. Tashti kur kemi treguar pajtueshmëri të plotë në gjithçka që na është seruar nga ndërmjetësuesit evropianë, marrim një pëlqim për hapje të dialogut për liberalizim, pa afate, me shumë kritere dhe gjithsesi pa shumë mbështetje; sikur na dhanë një ‘asht’ sa për të mbyllë gojë. E për të vazhduar bisedimet, shpresa e vetme e jona do të mbetet nëse Serbia merr kandidaturën e kushtëzuar deri në Mars. Në rast të tillë, vendi do të duhej më mjeshtëri të vendosë urgjentisht implementimin e të gishta marrëveshjeve të arritura deri më tani, me theks të veçantë atë të lëvizjes së lirë, duhet të fillojë zgjidhjen e problemeve të energjetikës e telekomunikacionit, dhe më e rëndësishmja tendencën për shtrirje të sovranitetit në gjithë vendit. Një Serbi pranë fillimit të rrugës për BE, ka pak gjasa të kundërshtojë shtrirje të tilla. Nxitja e rebelimeve në Veri është alternative nule për serbët dhe ky ngurtësim i tyre duhet të shërbejë për ne si nxitës i veprimit dhe tendencës për sovranitet. Në të kundërtën, me marrëveshje të tilla anti shtetndërtuese, ne veçse thellojmë rrugën e filluar të shtetrrënimit.
No comments:
Post a Comment