Friday, 30 December 2011

NË VEND TË KARTOLINËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 DHJETOR 2011

Një kujtim i brishtë për 2011-ën

Nga veturat superluksoze me sirena kaltër e kuq, të veshur me kostume blu e gri, vrullshëm po merrnin hapat ministra e zëvendësministra, këshilltarë e zyrtarë. Nga ftohti i rëndë e qielli i zymtë i dimrit kosovar, të gjithë ngutnin drejt dhomave të ngrohta për finalen e madhe. Ata po renditnin para kosovarëve të bëmat e një viti; para se të iknin për pushime disa javore gjithsesi larg zymtësisë kosovare. Të paktën pagat e benefitet e të qenit shërbyes publik u lejonin një luks të tillë. I pari lajmëronte punësim, i dyti prosperitet, i treti fuqi, i katërti zhvillim, i pesti rekord, i gjashti kujdes, i shtati arsim, i fundit bindje për më shumë nga këto në vitin vijues. Secili më mirë se tjetri! Nën hijen e perandorisë së politikanëve, aty ku pushtetari bën mbretin e zymtësia bën rregullin, çdo i dyti kosovar bredhte rrugët e rrëshqitshme me duar në xhepa si i papunë. Nuk dua të prish rehatinë e këtij fundviti; nuk dua të çrregullojë ritmin e vallëzimit, nuancat e qeshjeve apo dhe rutinën e shpërthimeve anarkike që bëjnë ndërrimin e moteve tek ne. Dua vetëm të ndaloj për pak e të kujtoj të vërtetën e një vitit të tërë; jo ashtu siç na e thanë ministrat, jo ashtu siç na e bënë pushtetarët, por të vërtetën ashtu siç ju dhe unë e pamë për dymbëdhjetë muaj të plotë. E, e vërteta jonë është se ka diçka që nuk shkon me këtë vend. Diçka është ngatërruar shumë keq.

Kur filluam 2011, na u thanë shumë. Me të njëjtin stil si përmbylljet, hapjet (të paktën në fjalë) krijuan pritje e shpresë përtej përvojave tona dëshpëruese. Na u tha se vendi do të ndjekë një model zhvillimor proseprues me rritje rekorde, se kosovarët më në fund do të fillojnë të kenë punë, se varfanjakët do të kenë një jetë disi më ndryshe, se pensionistët do marrin pak dinjitet, se bizneset do të rriteshin, prodhimi do të gufonte, investimet do të bënin mrekulli, se korrupsioni do të shteret, informaliteti do të çrrënjoset, e getoizmi i të fundit të Evropës do të merrte fund. Na u dha me fjalë një model mbresëlënës.

Një vit më pas, rritja ekonomike e ndërtuar nga ky model jep tmerrin e mundësisë prosperuese. Për një vend që ka nevojë për rritje ekonomike jo më të ulët se 10% (Banka Botërore 2010), për një vend që planifikon rritje 8% (Plani Bullgar 2011), të bërit vetëm 5% (FMN 2011)  me një shpërndarje tmerrësisht destruktive për ambientin biznesor (Raporti i Progresit 2011) dhe rrjedhimisht moskrijimin e vendeve të reja të punës (UNDP 2011), gjetja e suksesit në numra si këto është fyese. Rritja jonë, jo vetëm se është e pamjaftueshme, jo vetëm që nuk zbutë papunësinë, por e njëjta stimulon bizneset fantome të lidhura ngushtë me grupe të interesit në kurriz të reproduktimit logjik ekonomik. Pothuajse çdo euro e shpenzuar nga sektori publik humbet pa prodhuar ndonjë impakt multiplikatorial ekonomik. Ajo euro fshehët, shpërlahet dhe largohet nga vendi duke tharë e rrënuar atë pak shpresë tonën për rimëkëmbje.

Një vit më pas, Kosova ka rënduar si asnjëherë më parë marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare. Përveç se nuk arriti të anëtarësohet në EBRD, bankën më të fuqishme zhvillimore në rajon, nga ku kreditë do të ishin zgjidhje e kontratave multimiliardëshe të autostradave, vendi denigroj dhe më shumë pozicionin e saj në FMN duke kaluar nga një marrëveshje formale në një joformale. Kjo aventurë na nxori nga xhepi plot 150 milionë euro të sigurta në fillim të vitit. Një premtim i pamatur elektoral, një investim i ngutshëm në një rrugë, dhe një kryeneçësi në politikë, kishte ngufatur mundësitë financuese të vendit. Por këtu kostot nuk mbarojnë. Të gjendur në panik nga disbalanci financiar, në nevojë urgjente për para, Qeveria shtroj duart drejt bizneseve. Ajo çfarë më vonë nga vet ndërmarrësit u quajt “haraç institucional” së pari filloj me detyrime për parapagime të tatimeve, më pas vazhdoj me vonesa në kryerje të obligimeve ndaj kontraktorëve privat për punë publike, e kur këto nuk mjaftuan, përfundoj me dënime absurde. Në vend se të luftohet informaliteti e evazioni fiskal, u zgjodh më e lehta, rëndesa e të rregulltve. Dhe kjo në një kohë kur evazioni fiskal arrin rekordin e post-pavarësisë; jo më pak se 40% e shitjeve nuk deklarohen fare për obligime tatimore. Kjo aspak e habitshme kur vetëm 13 mijë biznese nga 50 mijë sa janë aktiv sot bartin pajisje fiskale (ATK 2011). E në vend se të rriten numri i inspektorëve tatimorë, këtë vit rritëm zëvendësministra e këshilltarë politikë; në vend të mbledhësve ne rrisim harxhuesit.

Një stil i tillë ekonomik natyrshëm se jep rangime skandaloze në  vlerësimet e Bankës Botërore (2011). Vendi ynë jo vetëm që nuk bën progres këtë vit, por në shtatë vlerësime shënoj regres thelbësor. E kur jemi tek regresi, skam se si të mos përmend rangimin skandaloz të Kosovës në mbrojtjen e investitorëve. Ne jemi në vijë të njëjtë me Venezuelën e Afganistanin sa i përket krijimit të një ambienti investiv (vendi 174 nga 182). Pa çudi se kemi rënie drastike në investimet e jashtme nga 414 milionë euro sa ishin në 2007 në jo më shumë se 70 milionë këtë vit (BQK 2011). Kemi tmerruar çdokënd serioz. Përjashto disa tuxharë oriental, shokë të kryeministrit, që morën e duan të marrin aty këtu  ndërmarrjet e mbetura publike me çmime absurde, as edhe një emër i njohur biznesi nuk ka menduar për ne. E sa për ndërmarrjet e shkreta publike ato vazhdojnë të zhvlerësohen në përpjekje për të ngirë apetitet e militantëve partiakë. Të njëjtat presin shpatën e kasapit për tu falur e financuar kilometrat hiper të shtrenjtë të autostradave me kontrata të mbyllura për financuesit e tyre, taksapaguesit kosovar. Ato, bashkë me borxhet e reja do të bëjnë shpëtimin e kolapsit financiar.

Korrupsioni vazhdon të bëjë barrierën kryesore të zhvillimit ekonomik. Retorikat e gjoja një angazhimi për të ndalë vjedhjen janë bërë tanimë bajate, madje aq bajate sa askush si merr seriozisht. Është pak e bindshme që ata që shkaktuan dje hajninë të bëjnë sot luftën e hajnisë. Vlerësimi regresiv për dy vende krahasuar me një vit më parë i Transparancy International (nga 110 në 112) na përmblodhi me mjeshtri “angazhimin” tonë në këtë drejtim; sipas tyre këtë vit është vjedhur më shumë se një vit më parë. Tenderët publikë vazhdojnë të jenë pre e një strukture kriminalet organizuar mirë përbrenda prokurimit publik. Gjykatat në anën tjetër, vazhdojnë të jenë objekt i ndikimeve politike, duke bërë vetën të dobishme vetëm në zgjidhjen e gjobave të ngatërresave në trafik. E misioni i EULX-it, i thirrur si bartës i këtij angazhimi, vazhdon të sillet si turist. Në një strukturë korruptive me plot balena ata peshkojnë me rrjeta për gilca!

Kosova vazhdon të eksportojë 300 milionë përkundër një importi 2.3 miliardësh (Doganat e Kosovës 2011). Një disbalanc trishtues (dhe për më tepër në rritje) prej 2 miliardësh është output i formulës së modelit që mbrojnë e promovojnë ministrat në fundvit. Një pabarazi e tillë bëhet si rezultat i politikave fiskale denigruese për prodhuesit vendor. Shto këtyre dhe një ambient financiar të shtrenjtë, me kredi në rëndesë aty diku rreth 16% (BQK 2011), dhe ke fotografinë e pastër të ngecjes. Ngecja bëhet dhe më tmerruese kur vendi trajtohet e pranon të trajtohet si hiç nga të gjitha vendet fqinje në relacione tregtare. Reciprociteti ekonomik i Kosovës për aq sa zgjati bënte lajmin më të mirë të vitit. Shfuqizimi i tij dhe shtirrja se gjoja jemi reciprok (kur Serbia nuk njeh mbi 90% të dokumenteve tregtare) është dëshpërim në vete dhe humbje e çdo dinjiteti shtet-pasës; nëse kemi pasur një të tillë.

Në fund fare, numra e ngjarje si këto nuk kanë se si të japin një output final impresiv. Njerëzit janë të papunë, të tjerët të frikësuar nga humbja e saj. Në depresionin e 2011-ës, mbi 40% e fuqisë punëtore mbesin të paangazhuar. Gjashtëdhjetë përqindëshi tjetër ka pagë mesatare jo më të lartë se 260 euro. Me inflacionin e këtij viti prej gati 10% (Enti i Statistikave 2011), vlera reale e kësaj page është dukshëm më e ulët se ajo e vitit të kaluar; kosovarët gjatë 2011-ës janë varfëruar për një të dhjetën e pasurisë së tyre – shumë kjo rekorde që nga paslufta. Për më tepër, ju që keni pasur fatin e të ndarit 30 cent për këtë gazetë, duhet të dini se rreth 300.000 bashkëqytetar tanë e kalojnë ditën me më pak se 1 euro. E gjithë kjo euro e tyre shpenzohet vetëm në ushqim. Inflacioni vjetor i produkteve që këta të varfër konsumojnë është shumëfish më i lartë se mesatari. Kujtoni vetëm çmimin e bukës që në më pak se dymbëdhjetë muaj u rrit për plot  30%. Energjia elektrike, ngrohja e kujdesi shëndetësor janë luks për ta. Produkte si këto bëhen luks dhe për pensionistët e shkretë të cilët përkundër një kontributi jetësor në ndërtimin e të sotshmes, marrin përbuzje nga ministra që blejnë vetura sa 1000 pensione të tyre!

Nuk pres që numra si këto të marrin zgjidhje për një vit, por është shqetësuese ideja se ato vazhdojnë të rëndohen. Këtë vit u rëndua numri i të papunëve, inflacioni, korrupsioni, ambienti biznesor, normat e interesit, bilanci tregtar, investimet, deficiti buxhetor e marrëdhëniet ndërkombëtare. Ato u bënë më keq! Dhe përkundër gjithë kësaj fotografie, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët e zyrtarët prapë kanë guximin të dalin me mburrje plot e të lexojnë rreshta prosperues e zhvillimor. E bëjnë këtë meqë na marrin si asgjë. Kosovarë, mësues, doktorë, policë, ushtarë, pensionistë, biznesmenë, punëtorë, të papunë e studentë, nuk besoj se kam nevojë të ju them se gjërat janë keq. Ato janë më keq se keq, janë dëshpëruese. Ne sapo humbëm një vit të tërë, e po nuk mbaruam durim do të humbim dhe shumë të tjera. Do të dëgjojmë fjalë të mëdha në fillim e fund të vitit, por çdo gjë në mes do të mbetet hall i yni; mu si këtë vit. Me shpresë se me 2011-ën i mbledhim gjithë të ligat, gëzuar 2012!

No comments: