Friday, 23 December 2011

GODITJA SHQIPTARE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 DHJETOR 2011

Pas Serbisë, Bosnjës e Maqedonisë, tash dhe Shqipëria na trajton si hiçgjë. Bllokada unilaterale e disa produkteve kosovare është treguesi i fundit i indiferencës së Tiranës drejt bashkimit potencial ekonomik aq të kërkuar në Prishtinë


Retorika e bashkimit ekonomik shqiptar edhe një herë mori formë. Shqipëria, për të dytën herë në dy vite vendos marrëdhënie unilaterale ekonomike në dëm të prodhuesve kosovar. Këtë vit, çdo prodhues patateje apo vere merr trajtim bllokues nga Tirana. Qeveria shqiptare pa ndonjë njoftim paraprak, pa brengën më të vogël dhe me arrogancën më të madhe të mundshme duke mos na hesapuar fare, vendos çmime reference (prej 18 cent) ndaj patateve kosovare si dhe kuotime sasiore për verën. Për të parën, i bie që Shqipëria do të taksojë kilogramin e patates me çmim shumëherë më të lartë se ai real (i prodhimit), duke e bërë të njëjtën më të kushtueshme dhe rrjedhimisht fare të konkurueshme në tregun shqiptar. Për të dytën, masat kuotuese kufizojnë sasinë që Kosova ka të drejtë të eksportojë në Shqipëri, duke shkaktuar kështu tepricë vere tek prodhuesit që paraparaksiht kishin llogaritur një treg të tërë. Të dy masat vijnë pas një sërë marrëveshjesh të përbashkëta me qëllim të unifikimit të tregu.

Në kohë kur kryeministri Berisha shterë zë e shëndet për të ngopur urinë e shqiptarëve të Kosovës rreth patriotizmin aq të kërkuar këndej, promovon autostradën e kombit dhjetëra herë sa herë që shtrohet një copë asfalti, jep vulë, gisht e nënshkrim në çdo marrëveshje tregtare, në kohë kur turistët politik kosovar marrin rrahje shpine në vizitat zyrtare për bashkim ekonomik, në kohë kur potencialet për unifikim të tregut kanë arritur rekorded si asnjëherë më parë, në kohë si sot, goditje si këto janë tërësisht të panevojshme, tërësisht turpëruese dhe për më tepër tërësisht befasuese. Të marrësh marrëdhënie bllokuese nga Serbia, Bosnja e besa dhe Maqedonia për Kosovën është dhe e pritshme. Do të kemi punë reciprokuese me vende si këto në shumë mot. Por një kosovar i shkretë që jep mund e djersë për të mbjellë, rritë e mbledhë pak patate apo rrush, të marr trajtim të tillë nga një vend që në probabilitetin më të madh e sheh dhe si të vetin, është po se po befasuese e denigruese.

Tirana mund dhe mos të ketë vullnetin e gatishmërinë për të parë tregun kosovar si pjesëmarrës të barabartë të një tregu unik. Politikanët e Shqipërisë mund dhe të kenë parë Kosovën vetëm si një treg potencial për të shitur, e jo dhe anasjelltas, pra për të blerë. Në të dy rastet, pavarësisht konceptimit të gabuar të tyre, Kosova për Shqipërinë nuk është eksluzivisht një blerës. Përkundrazi, potencialet bujqësore këndej janë shumëherë më të avancuara e konsoliduara se andej dhe në çfarëdo skenari të barabartë konkurrueshmërie, produktet kosovare do të jenë më të mira e më të lira. Mirësia e lirshmëria do ti bëjnë ato domosdo më atraktive e më të kërkuara. Vetëm me ndërhyrje të njëanshme si këto, bilanci konkurrues do të zhbëhet. Por ndërhyrje të tilla zhbëjnë dhe tendencat unifikuese të tregut që na mbajnë gojën plot. Nëse Tirana ka tendenca bllokuese ndaj Kosovës, ashtu siç ka Serbia, Bosnja e së fundi dhe Maqedonia, atëherë ku qëndron rëndësia e të mërziturit për të pasur marrëdhënie të veçanta me tregun shqiptar? Për më tepër, nëse qëndrimi i një unifikimi ekonomik vullnetar është vetëm retorike e paraqitjeve politike, dhe nëse Shqipëria nuk trajton prodhuesin kosovar as mendësisht si të tregut të saj, atëherë çfarë është përgjegjësia e Tiranës drejt marrëveshjeve bilaterale e besa dhe ndërkombëtare si ajo e CEFTA-s? A mbet vend pa shkelur këtë marrëveshje ndaj nesh?

Tirana mund dhe të arsyetohet me skandalet e vitit të kaluar, kur disa prodhues kosovar kreativ për së mbrapshti kishin importuar produkte serbe për ti shituar ato më pas në kuota shumëherë më profitabile në Shqipëri; gjithmonë falë gatishmërisë stimuluese fiskale të imponuar në produktet tona. Por ja që të njëjtat defekte ka kohë që janë trajtuar e shëruar, e pas marrëveshjeve të verës së shkuar, ato tashmë janë të harruara. Kosova mund dhe është duke dokumentuar origjinën e patateve (për bllokimin e verës, arsyet, çfarëdo qofshin ato, janë sigurt të pakuptimta; tipike protektive). Por edhe në një rasst hipotetik, edhe sikur të kishte keqpërdorim të lirsë, them se para arrogancës së treguar nga Shqipëria, do të ishte e udhës sikur si dy vende që flasim gjuhë të njëjtë, të komunikomjë problemin (nëse evident) para se të japim outpute të njëanshme bllokuese. Shumëherë më e pëlqyeshme do të ishte një adresim tërësisht miqësor, për një hall.

Kosova nuk ka luksin të trajtoj në veçanti çdo masë bllokuese nga shtetet fqinje, sidomos kur tashti ato bëhen mjaft të shpeshta. Herën e fundit me Maqedoninë neve humbëm plot katër muaj për të hapur tregun e miellit, dhe atë vetëm pasi maqedonët ishin ngopur me miell të brendshëm dhe ky i yni pas hapjes nuk u hynte në punë. Me Serbinë e Bosnjën, për argumentet e stërtjerrura tanimë, vazhdojmë të sillemi të paaftë. Me Shqipërinë, them të shpejtojmë. Nëse Qeveria e Tiranës bëhet e shurdhër ndaj problemeve si këto, them ti japim kuotime në të gjitha produktet që Kosova importon nga atje. Po nuk na lënë të shesim lirshëm verë, pse ti lëmë ne të shesin këtu jo vetëm verë, por çdo produkt tjetër. Ja bëjmë tregti siç duhet ja hiç! Për gjysmakë të mos na marrin. Madje, për masa si këto nuk besoj se na duhen paralajmërime e as konferenca për shtyp. Përderisa jemi blerës sa herë bllokojmë, hall hapim te shitësi. Kur maunat shqiptare do të ishin kthyer andej, jam i bindur se me emergjencën e paparë, kryeministri Berisha do mblidhte Qeverinë e “Ipad-ëve” për të zhbërë bllokadën e bërë nga doganierët e tij. Ndoshta Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një vendim gjithëpërfshirës reciprokues ndaj çdo vendi. Në një kornizë të tillë ligjore, doganat kosovare do të kishin autoritet të plotë reciprokues dhe atë pa humbur shumë kohë. Moshumbja e kohës sjell presion të menjëhershëm në palën unilaterale, dhe zgjidhje po aq të shpejtë për ne.

Deri atëherë, Shqipëria le të mbledhë më shumë mend. Në vend se të ndihmojë bashkëkombësit e fundit të Evropës, që pas dymbëdhjetë vitesh arrin kundër çdo gjase të prodhojnë, ajo i mbyllë e i kuoton. Në vend se ti heq gjithë barrierat mes dy vendeve, më shumë se me çdo vend tjetër, të nxisë bashkëpunim ndër-biznesor, të krijojë vlerë të shtuar për shkak të homogjeniteteve gjuhësore, kulturore e historike, e pse jo dhe të jetë shembull, lider e mësues i storieve të suksesit (e dështimit), ajo bën mu të kundërtën, shfaqë mbyllje, kuotim, e indiferencë në komunikim. E ne, deri sa sillemi me tolerancë ndaj çdokujt që na merr si hiç, do mbesim me verë plot e patate dhe më shumë.


No comments: