Reciprociteti duhet të jetë baza e rregullave të marrëdhënieve tregtare (Nicolas Sarkozy, 8 Dhjetor 2011). Reciprociteti është gjest fëmijor (Francois Fitou, 9 Dhjetor 2011).
I nderuari ambasador,
I habitur dhe i fyer nga komentet e tua mbi një mocion të kaluar nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, marr mundin të ju shkruaj këtë letër të hapur me shpresë se do të gjeni kohë për të reflektuar në opinionin tuaj të bërë publik kohë më parë; me të cilin ju fyeni jo vetëm vullnetin e kosovarëve të shprehur nëpërmjet Parlamentit të Republikës, por dhe promovuesit e drejtësisë dhe tregtisë së barabartë, ku bëj pjesë dhe unë.
Këtë javë, Parlamenti i Republikës së Kosovës me shumicë votash, në një proces votues të rregullt, transparent e pa presion, kishte kaluar mocionin mbi marrëdhënie reciproke me fqinjin tonë verior, Serbinë. Deputetët e Parlamentit kishin nxjerrë këtë mocion si refleksion ndaj bllokadës trevjeçare serbe mbi qytetarët e Kosovës, bizneset e tyre dhe produktet e prodhuara në Kosovë. Ka pothuajse tre vite që kur kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm në e nëpër fqinjin tonë verior. Ka pothuajse tre vite që bizneset kosovare humbin konkurrueshmërinë rajonale duke u rënduar me kosto shtesë, gjithmonë në përpjekje për të ringjallë ekonominë më të varfër evropiane. Ka pothuajse tre vite që kur mallrat dhe shërbimet tona refuzohen në plotni nga politika bllokuese serbe. Siç e dini, fqinji ynë verior nuk ka njohur dhe nuk njeh dokumentet identifikuese, pasaportat dhe gjithë dokumentet tjera të Republikës së Kosovës, pa të cilat tregtia e lirë dhe e barabartë nuk është fare e mundshme. Në tre vite diskriminimi, shkelje të principeve më bazike të tregtisë, durimi ynë kishte dhënë shembullin e bashkëpunimit rajonal e tendencës për fqinjësi të mirë. Verën që shkoi, Qeveria kosovare me plot të drejtë vendosi marrëdhënie të njëjta, pra reciproke, me Serbinë. Fatkeqësisht për objektivin e vënies së drejtësisë, vendimi u tërhoq në ngutim vetëm pasi qeveria serbe kishte njohur një nga shumë elementet përbërëse të tregtisë, pra vulat. Shpresa se politika serbe do të ofronte fqinjësi të mirë e tregti të lirë u humb në katër muaj durim. Thënë këtë, vendimi për të rivënë reciprocitet ishte i pritshëm.
Këtë javë, para se të arrihej marrëveshja historike e BE-se, e propozuar nga pakti franko-gjerman, presidenti juaj, miku i vendit tim, Sarkozy po ngriste me ngulm vëmendjen e nevojës për një marrëveshje. Në përpjekje epike për të bindur anëtarët evropian, dhe në tentativë ultime të ofrimit të përgjigjes për qëndrimin refuzues anglez, Presidenti thoshte: “Reciprociteti duhet të jetë baza e rregullave të marrëdhënieve tregtare”. Si për inat të tij, ende pa u mbushur një ditë e plotë, një ambasador francez disa mijë kilometra më larg po e quante konceptin e reciprocitetit si gjest fëmijor. Ky ambasador ishit ju. “Është fëmijërore për tu fokusuar në diçka që nuk ka asnjë rëndësi për Kosovën. Kosova është shtet i pavarur. Ka territor dhe sovranitet të garantuar. Kosova sot shpërblehet nga BE-ja me diçka që për të paren herë ndodhë në historinë e Kosovës dhe vërtetë është e arritur e madhe. Mendoj se me kthimin prapa ne tregimet e vjetra apo me tendencat për ta rishkruar historinë, nuk është mënyra e duhur që të çon drejt BE-së” kishit thënë ju më 9 Dhjetor 2011. Them si për inat ndaj Presidentit Sarkozy, meqë atë çfarë ju e quanit hap prapa, Presidenti e quante domosdoshmëri. Ajo çfarë për ju ishte fëmijore, për Presidentin ishte bazament i tregtisë; reciprociteti për të ishte thelbi i gjithë konceptit negociues në Bruksel.
Deklarata si kjo, nuk është e para e as e fundit e Presidentit tuaj. Në vizitën e tij të parë në Bruksel, më 24 Maj 2007, Presidenti kishte refuzuar “ti shiste” (siç thoshte ai) interesat e bujqësisë franceze gjatë negociatave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Për të rifreskuar memorien tuaj, fjalët e presidentit ishin mu kështu: "Je veux de la réciprocité...Vous voulez libéraliser? Sans problème, seulement il vous faudra faire de même" (Unë dua reciprocitet... doni që ne të hapemi? Pa problem, por ju duhet të bëni të njëjtën gjë). Disa muaj më vonë, më 10 Tetor 2007, gjatë vizitës së tij në Kremlin, Presidenti juaj po shprehte pakënaqësinë mbi diskriminimin e vazhdueshëm të bizneseve franceze në Rusi. Presidenti, në konferencë të përbashkët me presidentin e atëhershëm Putin, kërkonte me plot ngulm që investitorët francez të trajtoheshin nga institucionet ruse njëjtë sikurse investitorët rus trajtohen nga autoritetet franceze. Fjalët e tij ishin kështu: “Politika franceze është e vendosur mbi transparencë dhe reciprocitet”. Dy muaj më vonë, më 7 Dhjetor 2010, gjatë vizitës së tij në Mumbai, Presidenti Sarkozy po kërkonte nga shteti Indian të hapte tregun për kompanitë franceze. “Nuk jemi këtu për të marrë kontrata, por për të ndërtuar partneritet të barabartë. Janë disa gjëra që ne nuk i kuptojmë. Janë disa vende që nuk hapen mjaftueshëm, por India duhet patjetër të ndjekë principin e reciprocitetit ndaj Francës!”. Zoti ambasador, sikur ju të kishit më tepër vëmendje mbi politikën franceze gjatë mandati Sarkozian, do të kishit të qartë se reciprociteti i kërkuar nga ai ka qenë pjesë thelbësore e çdo vizite, nga Parisi në Bruksel, nga Moska e gjer në Mumbai. Fjalimi i tij në Paris, i datës 23 Qershor 2007 përmbante thirrje reciprociteti në relacion me marrëdhëniet tregtare me SHBA-të. Sipas Srakozy “...konkurrenca e mirë është e thjeshtë, është konkurrencë e dyanshme. Unë vazhdimisht u them partnerëve tanë nëpër botë: Doni ti hapim tregjet tona? Mirë, ne do ti hapim minutën e parë që ju i hapni tuajat”. Fjalimi përfundonte mu me këto rreshta: “Le të jem i qartë. Naiviteti ka marrë fund. Reciprociteti po fillon!”. Vëmendje ambasador, naiviteti ka marrë fund, reciprociteti po fillon! Deklaratat e Presidentit nuk ma do mendja se i takojnë të shkuarës. Ato ende ekojnë nëpër korridoret e kryeqyteteve botërore.
Na thoni zoti ambasador, a është gjest fëmijor ideja e reciprocitetit e thënë e stërthënë nga Presidenti Sarkozy? A është fëmijor Presidenti juaj? Apo është naivitet mosreciprokimi dhe ky naivitet duhet të marrë fund? Cila është naive e cila është fëmijore? Kush e ka me vend, ju apo Presidenti? Na thoni zoti ambasador, a duhet të shihet reciprociteti si “bazë e marrëdhënieve tregtare”, siç tha Presidenti një ditë para deklaratës tuaj skandaloze, dhe siç votuan deputetët e Parlamentit të Republikës sime, apo duhet të shihet si gjest që na kthen prapa, siç pretendoni ju? Na thoni zoti ambasador, kë përfaqësoni ju këtu? Qëndrimet e popullit francez të shprehur nëpërmjet Presidenti tuaj, apo keni dhënë mendime personale që nuk duhet ti marrim fort në zemër? Nëse është kjo e fundit është mirë që ti sqaroni këtij vendi se politika franceze është më ndryshe se çfarë mendon një diplomat diku në një vend të vogël; se para së gjithash, për Francën flet Presidenti. Si diplomat me përvojë që jeni, besoj se e dini mirë që gafa e cilësime të tilla jo vetëm se devijojnë nga misioni i drejtë që keni për obligim të ndiqni, por se të njëjtat fyejnë thellësisht qëndrimet e francezëve të shprehura botërisht nga Presidenti Sarkozy, dhe të kosovarëve të shprehura me vullnet të lirë në arenën parlamentare.
Në frymë të politikës franceze, në vijë me qëndrimet e drejta të mikut tonë e Presidentit tuaj Sarkozy, zoti ambasador kërkoni falje për cilësime përbuzëse, të ngutshme e politikisht jo korrekte. Standardet e dyfishta nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e nomenklaturës politike franceze. Përkundrazi, promovimi i drejtësisë, nxitja e lëvizjes së lirë, mbrojtja e vullnetit të lirë kanë qenë shtyllat e demokracisë së vendit tuaj. Fyerja e shumicës shqiptare në Parlamentin e Republikës së Kosovës, që nxorën një akt konform filozofisë që vendi juaj ndjek e promovon botërisht, është një ecje prapa në imazhin e respektuar që ju keni ndërtuar në Kosovë. Zoti ambasador, ju dini më mirë se kaq.
Lumir Abdixhiku
No comments:
Post a Comment