Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16.12.11
Tendencat për të amortizuar mocionin e të zgjedhurve të vendit si rekomandim e jo si obligim kushtetues sjell në vete dhe tendencën për të amortizuar vet rolin e Parlamentit. Nëse vendimet e deputetëve të Kosovës janë rekomanduese, atëherë çfarë është roli dhe nevoja e pasjes së vet Parlamentit?
Këtë javë revista amerikane Time shpall “Protestuesin” si personalitet të vitit. Në përpjekje për të arsyetuar zgjedhjen, editori i revistës Rick Stengel argumentonte se njerëzit thjeshtë janë ngopur dhe se kjo ngopje fascilitoj protesta që nga Wall Street e gjer në Pranverën Arabe.“Ata kërkuan e nuk u ndalën. Ata nuk u dëshpëruan, edhe kur përgjigjet erdhën nëpërmjet mjegullës së gazit lotsjellës e breshërisë së plumbave. Ata e përqafuan idenë se aksioni individual mund të sjellë ndryshime globale, kolosale” thoshte Stengel. Sensi përzgjedhës i tij dhe revistës së tij, përqafonte mendimin e nevojës për të shprehë pakënaqësi e frustrim ndaj represioneve politike, ndaj dëshpërimeve ekonomike e ndaj mungesës së demokracisë. Protestuesi i kishte ofruar botës virtytin më të shenjtë të demokracisë, provën se çfarëdo pakënaqësie individuale e shprehur në grup bën ndryshime kolosale.
Në pak mijë metra më larg, protestuesi fiktiv kosovar duron. Ai pranon të ketë gjysmën e të tjerëve hallxhinjë të papunë, pranon varfërinë e skajshme në çdo të pestën familje, pranon vjedhjen si normë shoqërore, pranon fyerjen nga pagat e mëditjet e politikanëve, pranon kontrata miliardëshe të pahapura, pranon tenderë njëburimorë, pranon pensione lëmoshë, pranon shëndetësi morgu, pranon arsimim analfabetësh nga mësimdhënës pensionistë që si rezistojnë pagave 35 herë më të larta se mesatarja e tij; realisht pranonin gjithçka. Përgjigjet që indiferenca e tij merr nuk bëhen asnjëherë më të shëndosha; ato janë dhe më tej regresive. Thënë të drejtën frustrimi i tij (nëse potencial) ushqehet në vazhdimësi nga agonia e egove korruptive të politikëbërjes. Kujtoni vetëm raportin e pak ditëve më parë të Transperency International që degradon rangimin e Kosovës në dy vende më poshtë (nga 110 në 112). Kur më 2010 Kosova kishte marrë vlerësimi e parë për nivelin e korrupsionit, një pjesë e Qeverisë së atëhershme, nga ku kulmonte zëvendëskryeministri i sodit Kuqi, arsyetohej se rangimi, ndonëse i rëndë paraqet progres meqë atë vit (pra 2010) ishte hera e parë që bëhet një matje e tillë; dhe se po të krahasohej me vitet paraprake matja do të ishte shumë më përparimtare. Si për të përforcuar komentet e tij, kryeministri Thaçi me plot bindje e mburrje thoshte se “institucionet e vendit do të vazhdojnë të jenë të pakompromis ndaj korrupsionit” dhe se sipas tij, “rezultatet e para janë veç janë të dukshme” (26 Tetor 2010). Rezultatet e paralajmëruara, çfarëdo qofshin ato, janë më së paku të pakompromista. Pakompromisi nuk sjell rënie e rëndesë në rangim, prandaj çfarëdo qofshin bërjet e udhëheqësve tanë, aman mos ti bëjnë. Të paktën ndoshta mbesim aty ku jemi.
Toleranca jonë është e pakuptimtë, por jo dhe luksi që vjedhësit e parasë publike kanë. Atyre u japim çdo arsye të vazhdojnë me këtë avaz. Realisht vjedhja e publikes tashmë është bërë një normë shoqërore, tërësisht e tolerueshme dhe e pranueshme. Në Kosovë, si në Rusi, vjedhja e votave na jep pjesëmarrje 140% (Komisioni Evropian 2011), në Kosovë si në Moldavi, Senegal e Vietnam vjedhja e parasë publike na jep rangim trishtues (CPI 2011), në Kosovë si në Iran e Venezuelë ryshfeti largon çdo investitorë potencial (Banka Botërore 2011), në Kosovë si askund tjetër ne durojmë.
***
E derisa durojmë pothuajse çdo anomali tranzitore, derisa normojmë defektet e zhvillimit e shtetndërtimit, një tjetër anomali po vjen; kjo prek rrënjët e demokracisë së brishtë kosovare. Mocioni i Parlamentit të Republikës vazhdon të shpërfillet me një kreativitet në alternativa refuzuese. Kur thirrjet e para për gjoja ekzistencë aktuale të marrëdhënieve reciproke me Serbinë nuk pinë ujë (kjo po se po ishte komike), kreatorët qeveritarë riprovuan kthimin e pakuptimtë të votave. Ishte shpresa e fundit e pushtetit, në fjalën e kryeparlamentarit Krasniqi, që mbrojti dinjitetin e një parlamentari dhe me këtë tonën, pra votuesve të tyre. Megjithatë, deformimi i strukturës vendimmarrëse institucionale nga fillimisht zëvendëskryeministri Kuqi, e më pas nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian Feith, rrezikojnë për herë të parë kuptimin e Parlamentit të vendit.
Tendencat për të amortizuar mocionin e të zgjedhurve të vendit si rekomandim e jo si obligim kushtetues sjell në vete dhe tendencën për të amortizuar vet rolin e Parlamentit. Nëse vendimet e deputetëve të Kosovës janë rekomanduese, atëherë çfarë është roli dhe nevoja e pasjes së vet Parlamentit? Nëse Parlamenti është zgjedhës dhe shpërbërës i Qeverisë, atëherë si mundet që vendimet e zgjedhësit të jenë joobligaitve për të zgjedhurin? Nëse Parlamenti na paska rol rekomandues, atëherë ku qëndron logjika e respektimit të ligjeve të nxjerra në Parlament; apo dhe më shumë të vet Kushtetutës? A mos janë dhe ligjet e kushtetuta rekomandime? Nëse mocioni, vota e deputetëve, përfaqësuesve të kosovarëve, merret si rekomandim, atëherë çfarë merret si obligative? Kush mbron kosovarët nga Qeveria sot e diktatura nesër?
Praktika refuzuese e shpërfillëse si këto sjellin për herë të parë në vend dritat e pare të një mini-diktature; aty ku paria bën ama bash çfarë të dojë. Për mos ti dhënë një hasta-la-vista Parlamentit,Qeveria duhet të dalë e para si mbrojtëse e saj. Së pari, ajo në sensin më të thjeshtë e më logjik do të duhej me plot vullnet të pranonte idenë e reciprocitetit si parim absolut në marrëdhënie me jashtë; meqë vetëm marrëdhëniet reciproke sjellin fryte bahskëpunimi, drejtësi ekonomike, politike e tregtare. Së dyti, në vend të tjetërsimit, Qeveria duhet të jetë shembull i demokracisë në vend, nëse ka një të tillë. Kur George Washington, themeltari i kombit amerikan, kishte përfunduar mandatin e dytë presidencial, ithtarët e tij po i kërkonin kandidaturën e tretë. Përgjigja e vizionarit të Amerikës së sotme ishte e thjeshtë “kur unë sot respektoj ligjet e parimet, të tjerët nesër kanë pak vend për refuzim”. Nëse Qeveria refuzon një mocion kaq të rëndësishëm, atëherë ajo krijon precedent që në të ardhmën të mos njoh kufij e refuzojë dhe më shumë. Së treti, nëse Qeveria do të ndryshojë mocionin, le të hedh një të ri. Por unë do të isha shumë kureshtar të shihja kush ka vullnetin, vizionin e dëshirën për të propozuar e votuar marrëdhënie joreciproke, pra pranimin e trajtimit shpërfillës.
Sa për përkrahjen që ndërkombëtarët i japin Qeverisë në amortizimin e rolit të Parlamentit, them se të njëjtit duhet fillimisht të shohin drejt zanafillës së tyre dhe diskutimet e sodit parlamentare në Francë, Spanjë, Angli, Poloni, Sllovaki e Itali, rreth kornizës së përbashkët fiskale në eurozonë dhe çfarë roli obligativ kanë vendimet parlamentare. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë qeveri evropiane që mund të refuzojë vendimet e parlamenteve respektive. Megjithatë, nëse asgjë tjetër, deklaratat e z. Feith tregojnë për ndarjen e politikëbërjes në Kosovë. Sikur ka një koncenzus në mes të huajve dhe të tanëve për përgjegjësitë e secilit. Derisa të huajt marrin politikën tonë të jashtme, për kompromis japin kontroll të plotë të tanëve në çështje të brendshme. Ky kontroll i plotë padyshim se prodhon rangim dhe degradim katastrofal në raporte të korrupsionit, si ai i Transperency International; të tanët për hir të kompromisit bëhen të paprekshëm. E kur të huajt na bëjnë punët tona (për hir të stabilitetit rajonal) negociata e vendime si ato të rrënimit kushtetues të kufijve (marrëveshja IBM) bëhen tërësisht të pritshme. Për më tepër, në mungesë të homogjenitetit tek ndërkombëtarët, besimi i plotë ndaj vendimmarrjes së tyre mund të na sjell tulifar outputi; mu si këto të sodit. Në gjithë këtë vorbull anomalish, shpresa për rimëkëmbje është aq e largët sa edhe fundi i durimit të Protestuesit kosovar.
No comments:
Post a Comment