Letra nga Limbo
KOHA DITORE, 9 SHTATOR 2016
KOHA DITORE, 9 SHTATOR 2016
Duket se Lëvizja është futur në një rrugë që s’di nga të dalë. Sepse
s’arrinë të kuptojë një fakt tërësisht të thjeshtë – se Kosova është e
kosovarëve. Se kosovarët s’e shohin Republikën e tyre si imponim, por si
produkt të vetin – madje më të suksesshmin.
-1-
Mjaftoj një ndeshje futbolli, e Kombëtares së Kosovës, për
të kuptuar madhësinë e urrejtjes ndaj Republikës nga projektuesit
anti-republikanë. Në ditën më të rëndësishme të historisë së futbollit kosovar,
në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në kualifikimet për Botëror, lideri i partisë
më të madhe opozitare në vend, i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte zgjedhur ndasinë
dhe provokimin. Kishte nisur me injorimin e tërësishëm të ngjarjes, kishte
vazhduar me trajtimin e pavarësisë së Kosovës si diçka provinciale, e kishte përfunduar
në vogëlsinë e axhamillëkut – e gjitha për t’i ushqyer pak militantë
revolucionarë; për të hidhëruar përplot votues potencial. Një vetëvrasje e tillë
politike ishte munduar të përmbyset shpejtë nga bashkëpartiakët, kryesisht ish
FER-istë që provonim megjithatë të shfaqnin të natyrshëm – gëzimin dhe ndjenjën
e triumfit për shumë gjenerata kosovarësh.
Në esencë, reagimi futbollistik do të mbetej tërësisht i
parëndësishëm, sikur pas këtij reagimi të mos ndodhej një platformë shpërbërëse
e Republikës që artikulohet nga një kanal opozitar; pra një ide që pavarësinë e
Kosovës, të vetmen gjë që na bën krenarë sot, e sheh si diçka provinciale.
-2-
Dhe ka diçka të tmerrshme në këtë llogaritje hesapesh nga
projektuesit anti-Republikanë; të cilën do ta provojë ta dekonstruktojë në disa
hapa. E para, në strukturën logjike të mendimit, u promovua ideja e bashkëngjitjes
së lojtarëve kosovarë në Kombëtaren e Shqipërisë; dhe si rrjedhojë lënien në mëshirë
të Kombëtares së Kosovës. U tha, më mirë një fitore se sa dy barazime. Në të vërtetë,
më mirë do të ishte dy fitore se sa një; por, poqese, në logjiken e ndarjes,
maksimumi do të ishte vetëm një fitore – sepse jemi të ndarë – atëherë sërish
s’bëhet mirë. Më mirë se një fitore e një humbje janë dy barazime. Këtë s’po e
them unë, e ka thënë John Nash. I thonë “Nash Equilibrium”. Për këtë është
nderuar me Çmimin Nobel e autorit që nga atëherë i kanë vënë emërtimin “mendja
e bukur”. Pra, në ekuilibrin “Nash” për të dy pjesëmarrësit bashkë, po që se u
panë të dy të barabartë, zgjidhja optimale është përbashkësia e grupit – ndaras
– e jo përfitimi veç i njërës palë.
Por këtu, e dyta pra, dhe qëndron problemi. Sepse në idenë
e bashkimit të anti-Republikanëve tanë, nuk qëndron trajtimi i pabarabartë me
Kosovës dhe Shqipërisë. Komisarët trushpëlarës nga Tirana e eurokrem patriotat
axhami tanë edhe i kuptoj – ani se nuk i mirëkuptoj. Të parët vuajnë nga
domosdoshmëria e nënshtrimit kosovar; të fundit nga nevoja për t’u nënshtruar
nga llafazanë që flasin bukur shqip. Por ama, pabarazia në bashkim s’është rrugë
për bashkim. Është rrugë për aneksim. Këta pra promovojnë aneksimin e Kosovës.
Bashkimi do të nënkuptonte afrim të barabartë në mes të ndarëve. E barazia do të
nënkuptonte se të dy palët kanë të drejtë të thirren në patriotizimin e përfaqësimit.
Pra, në rast të barazisë, do të ishte shumë normale dhe thirrja për bashkëngjitje
të lojtarëve nga Shqipëria në Kombëtaren e Kosovës.
E treta, kush nuk donë Kosovën s’mund t’i dojë
shqiptarët. Arritjet e Kosovës plotësojnë arritjet e shqiptarëve. Nuk ka
zgjedhje në mes të Kosovës dhe shqiptarëve – janë sinonime; janë të njëjta. Përgjatë
gjithë diskursit politik në vend thuajse bëhet garë në mes të “kuq e zi” e
“verdh e kaltër”; se po qe me njërën nuk je me tjetrën. Shoqëria jonë ka
treguar në vazhdimësi aftësinë e lundrimit nëpër ekstreme – ja me njërin ja me
tjetrit. Por rasti i Kosovës dhe flamurit “kuq e zi” s’mund të trajtohen si përjashtuese.
Kjo sepse themelet e Kosovës janë mu mbi ngjyrimet “kuq e zi”. Se Kosova, nëse
asgjë tjetër edhe me rregullim Kushtetues të mëparshëm, të vitit 1974 ka pasur
flamurin “kuq e zi” si të vetin. Se edhe në Kushtetutën e sotshme, definohet si
shtet i shqiptarëve - dhe komuniteteve të tjera. Pra, Kosova është shtet i
shqiptarëve. Shqiptarët kanë simbolet e tyre kombëtare. Por shqiptarët kanë dhe
dy shtete. Rrjedhimisht dhe dy identitete shtetërore. Në këtë vijë, identiteti
shtetëror “verdh e kaltër” është pronësi e “kuq e zi”. Pra është derivat i
tjetrës; e zgjedhje në mes derivatesh s’mund të ketë.
E katërta, një parti serioze, inkurajon të rinjtë e të
rejat që të bëjnë sa më shumë për vendin e vet. U thotë triumfoni; punoni;
bëhuni më të mirët – s’u thotë mos luani për shtetin tuaj. Kërkesa për
braktisje të përfaqësuesen sonë e lëshimin e saj në mëshirë të kundërshtarëve
të jashtëm, të hurit e të konopit, është sa e trishtë aq edhe e pamend.
Fatmirësisht Kosova ka vajza e djem që s’lejojnë një gjë të tillë të ndodhë
asnjëherë. Mbi të gjitha, sot është akt patriotik forcimi i shtetit të Kosovës;
jo kërkimi për zhbërje të tij. Ky shtet sot po luftohet mjaftueshëm nga
kundërshtarë shumë më të fortë se ne – nga brenda e jashtë padallim. Sot shteti
ynë nuk njihet nga pesë vende të BE-së, e refuzohet nga dhjetëra të tjera. Për
këtë arsye është e rëndësishme dalja jonë në arenën ndërkombëtare sa më shpesh
e sa më mirë.
E pesta, disa ditë pas skandalit të parë, një zyrtarë i
lartë i kësaj partie, po përdorte, besoni ose jo, argumentin e njëjtë që
regjimi i Millosheviqit kishte përdorur kundër idesë fillestare të pavarësisë së
Kosovës. Ky zyrtarë, në të njëjtën logjikë, argumentonte se Kosova nuk mundë të
mbijetojë ekonomikisht si e pavarur; se nuk ka bukë e ujë për vete po qe e
pavarur. Dhe se, sipas të njëjtës logjikë mbytëse, ajo do të përfundojë ose nën
Serbi ose nën Shqipëri. Një ide e tillë, kaq e prishtë, kaq e ndyrë e kaq e pavërtetë,
mbi të gjitha kaq asociuese me idetë e Millosheviqit duhet sot të luftohet nga
secili intelektual, patriot e secili dashamirë i Republikës, pavarësisë e përpjekjes
së gjeneratave të tëra për shtet. Sepse
s’ka asgjë më të pavërtetë se sa paqëndrueshmëria ekonomike e Kosovës. Nëse
asgjë tjetër, Kosova ka secilin resurs e mjet të mundshëm për të ekzistuar e
pavarur.
-3-
Projekti i zhbërjes së Republikës do të jetë pengesa
kryesore në mes të qytetarëve kosovarë dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Pa definim e
pajtim në këtë drejtim, s’do të ketë kurrë afrim e ngritje të tyre për në
vendimmarrje. Rasti i fundit, dhe reagimi kolektiv, ishte dëshmi e pastër për
secilin që ka sy e mend pak – e që s’është ultra-militant.
Përkundrazi, sepse identiteti i Kosovës shtet është i joni, sentimenti pro Republikan veçse po rritet. Shihni trendet e tetë viteve të fundit. Shiheni dashurinë e përkushtimin për këtë shtet, për pavarësi – që Lëvizja e sheh mjerueshëm si provinciale – nga të rinj e të rejat kosovare. Sa më shumë që internacionalizohet ky identitet, me pjesëmarrje e me medalje, aq më shumë ka për t’u rritur ky sentiment. Pra ka një lundrim në kah të kundërt me sukseset që më të mirët e këtij vendi po synojmë sot. Suksesi i këtyre të mirëve është në korrelacion negativ me platformën e Lëvizjes. Është formulë që destinon dështimin për Lëvizjen; sepse në secilën rrethanë ky vend do të prodhojë sukses. Dhe duket se Lëvizja është futur në një rrugë që s’di nga të dalë. Sepse s’arrinë të kuptojë një fakt tërësisht të thjeshtë – se Kosova është e kosovarëve. Se kosovarët s’e shohin Republikën e tyre si imponim, por si produkt të vetin – madje më të suksesshmin.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se në kohë të aferës
“Pronto”, në kohë të mbytjes së shtetit nga kapja, krimi e amoraliteti politik,
në kohë të mbylljes sonë me jashtë, është luksoze dhe në veçanti e padrejtë
trajtimi i një lëvizjeje opozitare. Dhe me të drejtë pjesëmarrësit e saj mund
dhe të ndihen të frustruar. Njëkohësisht, jam po aq i bindur – siç dhe kam
shkruar tash e gjashtë vjet rresht – se zgjidhja politike për Republikën time e
tonën, nuk është në vazhdimin e stilit qeverisës të tanishëm. Është në krijimin
enjë opozite e alternative funksionale dhe pro-Republikane. Kjo alternativë, ka
gjasën më të madhe të krijohet – siç dhe e pret mendja – në opozitë. Pra s’mund
të presësh që pozita të transformojë veten. E përderisa opozita mbanë
diskrepancë me dëshirat e qytetarëve, përderisa opozita bën betejën e mullinjve
“donkishotianë”, përderisa ajo nuk artikulon zërat e qytetarëve në vend por
artikulon bindjet filozofike të individëve, atëherë ne s’kemi opozitë. Dhe
rrjedhimisht, kapja e “prontoizimi”, si padyshim e keqja më e madhe dhe më e domosdoshmja
për t’u luftuar nga të gjithë, do të vazhdojë.
Opozitarët mund të vazhdojnë avazin e vjetër, të
deritanishëm, të pasuksesshëm. Dhe, sërish, sikurse herëve të tjera, do të
mbahen përgjegjës nga qytetarët e vet. Do të mbahen sërish në opozitë. Ata mund
dhe të vazhdojnë, përkundër këtij verdikti, të ecin në rrugë të njëjtë, siç kanë
ecur deri më tani, siç pra s’kanë dëgjuar qytetarët tanë. Mund të vazhdojnë me njerëz
të njëjtë, me ide të njëjta, me politika të njëjta. Por kanë për të mbetur përherë
të vegjël e në opozitë, s’kanë për të arritur asgjë. Ata mund dhe të nisin
beteja me kritikët e jashtëm, sikurse atëherë kur bënë koalicion me hajnat e 80
milionëve e shisnin moral për anti-korrupsion (ku mbetën hajnat tash?) nën
arsyetimin e interesave “më të mëdha”. Mund pra të vetëkënaqen në ciklet e tyre
inceste të mendimit sa herë të donë. Por, nëse brenda këtyre zërave ka pak logjikë,
nëse ka pak sens e vullnet për ndryshim të vendit, atëherë duhet t ëketë dhe
vullnet për ndryshim rrënjësor të vetes.
Në thelb të këtij ndryshimi, është pranimi i Republikës
me gjithë historinë e saj. Është gëzimi për pavarësi si diçka thelbësore e jo
trajtimi i saj si ide provinciale. Është pranimi i simboleve e rendit
Kushtetues, përderisa të njëjtat janë votuar nga përfaqësuesit shumicë –
përderisa s’ka ndryshim tjetër, përderisa s’bëjmë ndryshim tjetër. Për të bërë
një gjë të tillë nuk pres që liderët e deritanishëm të Lëvizjes të ndryshojnë
mendje. S’ka për të ndodhur asnjëherë. Pres, megjithatë, të ndërrohen këta
liderë. Koha e tyre s’është më.
abdixhiku@facebook.com
No comments:
Post a Comment