Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 SHTATOR 2016
Në këtë pikë, më s’di as cila e vërtetë do të jetë e mirë. Ajo, që s’është
larg mendsh, se kemi një shtet inskenues e diktatorial, apo tjetra, sërish jo
larg mendsh, se s’kemi një opozitë më – se e njëjta është shndërruar në SHIK të
ri, në të njëjtin SHIK që vite më parë me zolla, granata e armë kërcënonte
jetën e kundërshtarëve politik njësoj.
-1-
Tashmë është e qartë se Kosova po futet në një cikël të
ri dhune. Kjo vjeshtë e hershme, zëvendësuese e nisjes së shkollës, është
vjeshtë e paralajmërimeve të përplasjeve. Dhe ky paralajmërim vjen për shkak të
pamaturisë së palëve në proces; të të dyjave pa përjashtim – ndonëse me
intensitet të ndryshëm përgjegjësie. Në njërën anë, Kosova ka një qeveri
arrogante dhe të paaftë për të bashkuar e afruar ide. Në të vërtetë është mu për
shkak të arrogancës së tyre se pse Kosova ka përfunduar në rend të parë në këtë
gjendje. I gjithë procesi do të mund të udhëhiqej me shumë qetësi e rezon sikur
kundërshtarët e demarkimit të dëgjoheshin qysh në fillim. Por s’u dëgjuan; u
injoruan.
Në anën tjetër, Kosova ka një opozitë që ka apetit të
pashpjegueshëm për dhunë e përplasje. Ky apetit shtohet e formohet në veçanti
nga komisarë ideologjikë nga Tirana, qëllimi i së cilëve është dobësimi i
Republikës e rrënimi i gjithçkaje që kemi provuar të ndërtojmë tash e sa kohë. Ata,
në fund të ditës, kanë dhe një atdhe të parë. Në këtë agjendë të tyre, mirë e
gjejnë vetën ideologët revolucionarë dhe naivët liberalë.
Dhe në mes të dyve janë “prontoistët”, konvertuesit më të
mëdhenj të benefiteve të dhunës e përplasjes në favore të vete. Nën hijen e një
Gjykate që po afron, të njëjtit janë në zonën e tyre të konfortit – në paqartësi
e rrezik. Është ambient perfekt për notimin e tyre.
-2-
Pra, Kosova në njërën anë ka njerëz të paaftë për shtyrë
përpara interesat nacionale, dhe në anën tjetër ka të paaftë për ta mbrojtur atë
nga të paaftët e parë. Çfarë Kosova ka është një klasë politike tërësisht e papërgjegjshme
dhe tërësisht jokokëçarëse për pasojat që përplasja e tyre mund të japë. Një
klasë të rrezikshme pra. Problemi është se të dyja palët mendojnë se bëjnë mirë;
se kanë qëllime të mira. Qëllimet e mira të tyre, po qese merren si të mirëqena,
po japin rezultate të theqafjes. Sot, nëse asgjë tjetër, s’ka gjë për t’u mburrur
me rezultate si këto; përkundrazi, secili që ndahet nga flakavënësit e Republikës
është në rrugë të mbarë. Dhe në këtë rrugë vendosën të jenë qytetarët e Kosovës
këtë javë kur refuzuan pjesëmarrjen në skenarët e dhunës dhe përçarjes nga
politikanët e papërgjegjshëm.
Por përtej idesë se frikshme se fati i Kosovës sot është
në duar të arrogantëve, revolucionarëve e prontoistëve, ka dhe një element
shtesë që bën gjithë skenën tonë dhe më të tmerrshme. Sot, pothuajse në të
gjitha proceset politike e nacionale, fati përfundimtarë varet nga vullneti
politik i Beogradit dhe politikës anti-republikane serbe, të shtyrë nëpërmjet
Listës Serbe.
Në këtë vijë kishte rënë dhe çështja e demarkacionit.
Pra, në një përplasje ndër-shqiptare, janë politikat e Beogradit ato që
vendosin për rrugëtimin e vendit tonë. De në këtë pazar shantazhi pra, ka një
çmim për t’u paguar. Në kthim të mbështetjes së tyre Kosova duhet të japë diça
kundër-republikane. Kjo pagesë është e mundshme vetëm pse shqiptarët e Kosovës
janë të ndarë për çështjet me interes nacional. Se nuk janë të aftë të merren
vesh për një çështje që duhet të ketë vetëm një të vërtetë.
Kosova sot, në secilin vendim të madh të saj, nisur nga
demarkimi e deri tek formimi i ushtrisë, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare
– apo dhe vet zgjedhjen e Presidentit – është e varur nga vullneti politik i
Beogradit. Ky fakt s’është për festë; është për vajtim e trishtim.
-3-
Në gjithë këtë përplasje mbi demarkacionin, s’ka se si të
mos ndalemi në çështjen e sulmit ndaj Kuvendit dhe arrestimet e ndodhura këtë
javë. Pra ka një element thelbësor që duhet zbardhur sa më parë. Sepse, në këtë
rast, ne kemi dy qëndrime, mirë të theksuara, të palëve të përfshira. Të parët,
janë zyrtarët policorë që këmbëngulin, me fakte ende ta pathemeluar mirë, se
sulmi terrorist ndaj institucioneve të Republikës ka qenë sulm i organizimit
partiak. Të dytët ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, qëndroje në gjithë kapacitetin
e tyre politik se sulmi është pjesë e një inskenimi.
Përgjimet kanë dëshmuar se në Kosovë ka një shtet të
kapur. Ky shtet i kapur, që prekë prokurori e polici, mund dhe të inskenojë
ndaj të pafajshmëve. Mund pra, të shfrytëzojë të gjithë strukturën
institucionale për të dëmtuar kundërshtarë politik. E inskenimi ndaj të
pafajshmëve kalon secilin parashikim rrezikshmërie në Kosovë; i jep fund shpresës
– nëse ka mbetur diçka prej saj më. Inskenimi, po qe i tillë, e shndërron pa
asnjë mëdyshje më, Kosovën në një vend diktatorial, të tipit të Putinit në Rusi
e Erdoganit në Turqi.
Por ama, fundi i shpresës është i garantuar edhe sikur të
arrestuarit të dalin njëmend të fajshëm. Sikur, pra, Lëvizja Vetëvendosje,
njëmend të ketë organizuar sulmet terroriste në fjalë. Jo se shpresa është e
rrumbullakuar vetëm rreth Lëvizjes Vetëvendosje, por se rrënimi i opozitës – e
me terrorizëm ky rrënim është i garantuar – forcon “Pronton”. Pra, aktet
terroriste të zollave e bombave nga struktura paramilitare partiake, po qenë të
vërteta, veçse kanë për të forcuar e zgjatur jetën e kapësve këndej. Në mes
kapësve e granatahedhësve, kosovari do të zgjedh asnjërin, dhe duhet të zgjedhë
asnjërin.
Në këtë pikë, më s’di as cila e vërtetë do të jetë e
mirë. Ajo, që s’është larg mendsh, se kemi një shtet inskenues e diktatorial,
apo tjetra, sërish jo larg mendsh, se s’kemi një opozitë më – se e njëjta është
shndërruar në SHIK të ri, në të njëjtin SHIK që vite më parë me zolla, granata
e armë kërcënonte jetën e kundërshtarëve politik njësoj. Është gjithsesi e
domosdoshme që kosovarët të kërkojnë zbardhjen e secilit argument.
No comments:
Post a Comment