KOHA DITORE, 30 DHJETOR 2016
Lumir Abdixhiku
Për kurrë më kështu
-1-
Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016 bota do të
ndryshonte kaq shumë. Se britanikët do të nisnin e përfundonin daljen nga
Bashkimi Evropian. Se në SHBA, tradicionalja e politikëbërjes atje, do të zëvendësohej
me një afrim pro-rus; me një politikë sa të paparashikueshme, aq edhe të
frikshme. Pak kush do ta kishte besuar se rezultati i zgjedhjeve amerikane do të
bënte festë ne Veri të Kosovës; frikë në gjithë pjesët tjera të saj.
Pak kush do ta kishte besuar se ekstremistët si Le Pen në
Francë, Ëilders në Holandë, e Hofer në Austri do të ishin pretendentë kryesorë
për udhëheqje; po mos u bëfshin Presidentë këtë herë do të bënin herën tjetër.
Se rusët, në vend të dorëzimit nga sanksionet e Perëndimit, do të forcoheshin
dhe më shumë. Do të bënin veten faktor, të vetëm madje, në Siri, për të
prodhuar tragjedinë më të rëndë të gjeneratës sonë – ferrin e Halepit. Pak kush
do ta kishte besuar, se në vitin 2016, bota do të ishte veç spektator i këtij
ferri.
Pak kush do ta kishte besuar se Parisi, Stambolli,
Brukseli, e qendra të tjera plot do të bëheshin fushëbeteja të individëve pa
tru që s’njohin as fe, as racë as Zot. Të individëve trushpëlarë që shkelin mbi
të gjithë. Që duan zi, frikë e tmerr. Pak kush do ta kishte besuar se kosovarët,
fëmijët e diasporës sonë në Gjermani, do të ishin viktima të një terrori të
tillë. Pak kush do ta kishte besuar se frikë e tmerr nga terrorizmi religjioz do
të nxitej edhe në një ngjarje tinejxherësh në sheh të Prishtinës. Pak kush do
ta kishte besuar se “Neë York Times” në ballinën e saj, do ta paraqiste Kosovën
si “tokë pjellore të ISIS”.
Pak kush do ta kishte besuar se bota, me gjithë shqiptarë,
kishte ndryshuar kaq shumë. Mu para syve tanë, për një vit të vetëm, formë morën
gjithë të çarat e globalizmit, liberalizmit e epokës më paqësore të shënuar
ndonjëherë në botë. Në de-racionalizimin e mendjeve, 2016-ta kishte dërguar
secilin vend e shtet. Në këtë de-racionalizimin po merrte rrugë dhe projekti i
vetëm, më i sigurt i Kosovës dhe shqiptarëve tash e sa kohë; Evropa. Një derë që
na ishte dhënë si e hapur, po mbyllej më shpejtë se që do ta kishim menduar
ndonjëherë.
-2-
Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016 kosovarët
do të ishin të fundit pa viza; edhe atëherë kur kjo e drejtë iu ishte dhënë
ukrainasve e gjeogjianëve – plot 50 milion sosh. Mbetëm, dhe këtë herë, sërish,
të mbyllur në mes të Evropës duke dëgjuar arsyetimet e klasës së njëjtë
politike mbi fajësinë e pafajësinë. Të njëjtit, me shtetësi të dyfishtë, për
vete e familjet e tyre, udhëtimin e lirë e kanë më së paku problem.
Pak kush do ta kishte besuar, se në vitin 2016, President
i vendit do të zgjidhej njeriu më përçarës në vend. I njëjti përgjegjës që
kthej izolimin, papunësinë, mungesën e të drejtave bazike njerëzore në arsim,
shëndetësi e gjyqësi – si çështje krejtësisht të zakonshme kosovare – ishte
vendosur si President; me votat e një Liste që s’i njihte shtetin e vet.
Kosova, pas 17 viteve çlirim, nuk po çlirohej nga kapësit e vet. Njerëzit rreth
tij, miqtë, bashkëpartiakët e partnerët në krim, ishin herë të dënuar e në
burg, herë të përgjuar me materiale për burg.
Pak kush do ta kishte besuar se gjithë vitin 2016 do ta
kalonim në trajtim të pashpjegueshëm, të lodhshëm e të mundimshëm, rreth
demarkimit të kufirit me Malin e Zi. Një përplasje e gjatë, e përkthyer përfundimisht
në izolim, kishte marrë një vit të tërë të diskutimit publik. Nuk kishim folur
as për shëndetësi, as për arsim, as për gjyqësi.
E përderisa nuk flisnim për to, nxënësit e Kosovës, e së
ardhmes sonë, do të renditeshin si të fundit në botë për nga dija – nga leximi,
shkenca e matematika. Të sëmurit tanë, fëmijët, pleqtë, nënat e vendit më të
mbyllur në Evropë, do të trajtoheshin sërish nëpër spitale pa barna, pa penj,
pa mjek; në mëshirë të batanijeve nga shtëpia, e vajtje-ardhjeve nëpër rajon. Të
tjerë të shkretë, ndërsa, ishin bërë pjesë e kasaphaneve të zemrave. Rrënim
moral i tërë.
Gjyqësia jonë, ajo e njëjta me prokurorë të
parapërcaktuar nga parapolitika, do të ishte mbulojë për kapësit, hajnat e kriminelët
sërish. Në krizë, pa besueshmëri e me amatorizëm plot, ishte treguar edhe në
trajtimin e vdekjes së një të burgosuri politik në vend.
Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, në
Koshare, ish ministra të Republikës do të vënin kurore për “heronjtë e
Serbisë”. Se në Gazimestan do të vinin sërish simbolet shoviniste e fashiste, përfshirë
dhe ato të Millosheviqit; e se në vend të urës do të lindnim mëngjesin me një
mur. I kishin vënë, murit, emrin shkallë.
-3-
Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, një sportiste kosovare me emrin Majlinda Kelmendi, do të bënte lajm Kosovën gjithandej nëpër botë. Një medalje e artë olimpike, në paraqitjen tonë të parë, kishte vendosur atë e shtetin tonë në secilin lajm sportiv olimpik. Muaj më parë, e njëjta kishte renditur gardën ushtarake ruse të nderojë simbolet e shtetit të saj; të Republikës, të vendit tonë të përbashkët. Ishte e bukur.
Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, futbolli
do të ishte madhështia jonë. Fillimisht me Kombëtaren e Shqipërisë, me pjesëmarrje
e festë në Francë; e më pas dhe me pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA – një ëndërr
prej gjeneratave e bërë përfundimisht realitet. Heronj të ri të kësaj
Republike, të mbledhur nga gjithandej, pa asnjë ditë bashkë, por të rritur të
gjithë nën frymën e dashurisë për Kosovës, po bënim atë që secili patriot
modern ka për rend ta bëjë – të mbrojë e përfaqësojë shtetin e vet jashtë. Pak
kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, pas gjithë përpjekjes së mundimshme
për shtet, do të kishte të tillë që këtë arritje rrugëtimi ta trajtonin me përbuzje
e indiferencë. E trajtuan njëjtë, me përbuzje e me sharlatanizëm, në Kosovë e
Shqipëri pa dallim. Qytetarët, atdhedashësit e Kosovës, u dhanë përgjigje në
fushë e jashtë saj. Bashkë, i çuan, në dreq të mallkuar.
Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, një film
kosovar që trajtonte historinë e fundit të luftës në Kosovë, do të nominohej për
Oscar. Filmi nuk morri statujën e artë – jo këtë herë – por morri zemrat e
kujtimet e një vendi të tanë. Kishim harruar për pak gjithë ecjen tonë.
Pak kush do ta kishte besuar se në vitin 2016, Kosova do
të nënshkruante marrëvehsjen e parë kontraktuale me BE-në; atë për tregti të
lirë. Një hap i tillë, me gjithë të metat mospërcjellëse me politika, megjithatë
e vinte vendin tonë në rrugë të drejtë – për aq zgjatë kjo rrugë e drejtë pra.
-4-
Sado më të pakëta për nga numri, sado më të rralla për
nga intensiteti, ngjarjet e mira, të djemve e vajzave të reja që thyenin
megjithatë mbytjen tonë, do të shërbejnë si shembull për të bërë dhe një hap
tjetër, në një vit tjetër. Një hap më të mirë, për një vit më të mirë. Ky vend,
megjithatë, ka njerëz të mirë, patriotë modern, që dinë dhe do të kujdesen për
vendin e vet. Rruga përpara do të jetë e vështirë. Çkapja, drejtësia, dija e
kujdesi për tjetrin, s’kanë për të qenë të lehta asnjëherë. Do të ketë gjithmonë,
fatkeqësisht nga të tanët, të tillë që do të drejtojnë mundin në anën e ligë.
Por shembujt e mirë, të njerëzve që megjithatë kanë bërë shpërthim, do të shërbejnë
për të tjerët plot, për më shumë më mirë. Për një Kosovë që e duam të gjithë, që
na do të gjithë.
Për kurrë më kështu, Gëzuar 2017.