Monday, 12 December 2016

TË PADITUR, DREJT THEQAFJES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 DHJETOR 2016

Mjerimi arsimor është mbjellë me kohë, saktësisht prej kur kapësit ua mësynë me gjoks shkollave – tash prodhohen analfabetë, të paditur, të rinj e të reja pa hiçgjë; që na dërgojnë krejt bashkë, drejt theqafjes.


-1-

Të tretit në botë, nga fundi, për nga leximi, shkenca e matematika. Kështu u ranguan nxënësit kosovarë në një test që përfshinte plot 72 shtete në botë. Plot 5,161 nxënës 15 vjeçar, të shpërndarë nëpër gjithë Kosovën, treguan nivelin e mjerimit arsimor në Kosovë. Mjerimi arsimor është mbjellë me kohë, saktësisht prej kur kapësit ua mësynë me gjoks shkollave – tash prodhohen analfabetë, të paditur, të rinj e të reja pa hiçgjë; që na dërgojnë krejt bashkë, drejt theqafjes.

Testi PISA, s’tregonte asgjë më shumë se sa një dije kolektive, që, me pak mund, mund ta shijoje gjithandej. Shihni për pak nivelin e shkrimit “facebookian”. Shihni për pak komentet në portale; gjithë ato klithma prej tastiere që bëjnë lëmsh e llom. S’po flas për gabime drejtshkrimore e sintaksore. Po flas për garnizone të tëra të paditurish, analfabetë që emrin e shtetit të vet e shkruajnë “Kosov”. Grupe të tëra të rinjsh e të rejash, që një argument të vetëm s’dinë ta ndërtojnë mirë; e që lajmet satirike, në absurditetin më të madh të mundshëm, i marrin si të qena e mirëqena sepse kaq kanë kapacitet kritik. Janë të gjitha pasojë e mungesës së leximit e ndërtimit të një baze diskutuese për jetë.

Kështu të paditur, analfabetë jokokëçarës, njerëz që gabojnë e s’kuptojnë dot gabimin, i ka shtjelluar sistemi ynë arsimor. Ai i njëjti që në shkollë fillore i mbanë me mësime përmendsh, që në shkollë të mesme u jep kotësi teorike e kalime sa për sy e faqe, e që në universitet u shet copa letra –  u thonë diplomë – të cilët, pjesa më e madhe e analfabetëve, i mbajnë për mburrje ani pse e njëjta vlen më pak se kostoja e shtypjes së saj.

-2-

Sistemi ynë edukativ është i kalbur që nga shkolla fillore. Aty, kur për herë të parë, si në kasaphane, futen fëmijët kosovarë, për të dalë, që në fillim, të papërdorshëm tërësisht për nivelet e tjera edukative. Konsideratë gjithmonë për përjashtimet, për fëmijët e dalluar; por pjesa më e madhe e tyre kalojnë tetë vite pa mësuar shkrim lexim. Mësojnë vjersha përmendsh, recitime patetike, por s’mësojnë asnjë mjet që i bën të gatshëm për të qenë të rritur.

Përgjatë gjithë viteve të para, këtë nxënës do të duhej, në rastin më të thjeshtë të mundshëm, të mësonin një a dy gjuhë të huaja si bazë e mjaftueshme për të rritur hapësirën për lexim. Pra të komunikojnë me botën jashtë. Do të duhej të mësonin përdorimin e aplikimeve kompjuterike. Nuk po flas për përdorimin e aplikacioneve “Candy Crash” a “Temple Run”, me të cilat mbahen të zënë në shtëpi mjaftueshëm nga prind jokokëçarës; po flas për përdorime të mjeteve serioze, të kohës, që u japin platformë përdoruese jo argëtuese.

Mbi të gjitha, do të duhej  të lexonin libra, libra aq shumë, sa që leximi të bëhej praktikë e zakonshme për ta. Do të habiteni se sa studentë – po, studentë pra – pas gjithë viteve shkollë fillore e të mesme, e gjejnë të vështirë leximin e një libri 150 faqesh – hiç më shumë. U bëhet sikur të kenë marrë lajm morti. Një libër 150 faqesh, në mesataren më të thjeshtë, mund të lexohet për 3 ditë. E gjejnë të vështirë sepse leximi për ta është një botë aliene. Sepse libri për ta është objekt i panjohur.

Libri për ta është i panjohur sepse i panjohur i njëjti ka qenë për mësuesit e tyre në rend të parë. Sërish, konsideratë shumë për përjashtimet, për mësuesit e mësueset që në kushtet më të rënda mbajnë një ideal gjallë; por, për ta thënë të vërtetën troç, pjesa më e madhe e tyre janë po aq analfabetë sa nxënësit që prodhojnë sot. Pjesa më e madhe e tyre do të duhej të ishin në banka shkollore, jo të mbanin mësim para bankave shkollore. Janë pra, fajtorët kryesorë në këtë mes. Sepse, këta studentë, të fundit në botë, dalin mu nga duart e tyre. Po të ishte ndryshe, një i paditur s’mund të gatuhej si i paditur nga një i ditur. I padituri prodhon të paditurin.

-3-

Dhe kur krahason nivelin e lëshimit të sotshëm me idealin që mësuesit kishin në të 90-tat, e kupton dhe nivelin e rrënimit intelektual e shoqëror që ka ndodhë në Kosovë. Në kushte shumë më të vështira, infrastrukturore, të vendimmarrjes e të intelektit – të lirisë e shprehjes – edukatorët tanë megjithatë kanë mbajtur një nivel. Sot ky nivel është – shprehur në terma rangues – në treshen e fundit të botës. Dhe kur kujton se kërkesa e vetme e mësimdhënësve të bashkuar, në sindikata e trupa të tjera, ka qenë vetëm rritja e pagave, kurrë përmirësimi i cilësisë, e kupton dhe korrupcionin financiar që ka kompromituar moralin e idealin e edukatorëve. Veç paga sot ka rëndësi për ta; asgjë tjerë pas saj.

Ky moral e ideal është i humbur sepse shkollat janë kapur në rend të parë. Janë kapur mësuesit që zgjidhen mbi baza partiake, drejtorët e udhëheqësit e tjerë që janë militantë elektoralë. Janë kapur edhe ato fillore, edhe të mesme edhe të larta. Janë kapur edhe ministritë, agjencitë e trupat e tjera, që marrin miliona – miliona euro për vit – për të siguruar minimalisht kualitet; në kthim po na japin maksimalisht analfabetë. Edhe ata nga sektori publik, edhe ata nga sektori privat. Këta të fundit madje, konsideratë për përjashtimit, janë bërë tregje shitblerjesh diplomash; diploma që, sërish, s’vlejnë asgjë në një treg tjetër, shumë më të rëndësishëm – atë të punës.

Pra i gjithë sistemi është i kompromituar. Nga mësuarja përmendsh e deri tek mësuarja nga skriptat. Nga toelranca për kopjim, deri tek kërkesa për kalim me intervenim. E kemi devalvuar të vetmin burim që mund t’i jap rigjenerim e rilindje vendit tonë.

-4-

Ky nivel i paditurisë u konvenon kapësve. Ata mbahen gjallë kështu. Veç një popull i paditur e mbanë çiftin e Ramizit me shokë herë si profesor doktor, herë si ambasador, e herë si kryetar komune – gjithmonë mbi vete, tash e tetëmbëdhjetë vjet rresht. Prandaj kapësit i mirëmbajnë fabrikat e paditurisë. Prandaj ata prodhojnë padituri. Prandaj ata kanë mbushur shkollat me vëllezër, motra, gra e akraba të paditur që shkollojnë e prodhojnë gjenerata analfabetësh që sot renditet në treshen e fundit në botë.

Kapësit këtë punë kanë. Por këtë punë s’bën ta kenë prindërit që me heshtje marrin në qafë ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Çka doni të bëni me këta fëmijë nesër? Kush do t’i merr në punë? Si do ta sigurojnë jetën, për veten, për juve, për vendin?

Po shkojmë krejt, bashkë, në dreq të mallkuar.


No comments: