Letra nga limbo
16 DHJETOR 2016
Shqiptarëve u duhet një platformë që komunikon jashtë nën një zë. Që i
paraqet vendet tona si aleate të vetme – në tërren – të principeve e mendjeve
perëndimore. Dhe kjo platformë, duhet të shpjegojë, se ekzistenca durimit
shqiptar nuk është e përhershme.
-1-
Në natën e zgjedhjeve të Maqedonisë, shqiptarët shpallën
fitore – secili pas tjetrit. Disa sepse ishin dalë të parët, disa sepse kishin
fituar vota për herë të parë, e disa sepse të parët, kundërshtarët e tyre,
s’kishin dalë të parë në rritje, por me rënie – ani pse ishin ende të parë, ani
pse vet ishin mosvet. Tipike shqiptare; festë e humbësit për humbjen e tjetrit.
Në të vërtetë, zgjedhjet në Maqedoni treguan se humbës
kishte veç një. Se shqiptarët, për shkak të ndarjes, kishin marrë deputet më
pak. E sepse ishin të ndarë në lista e parti, kishte dhe shqiptarë pjesëmarrës
në zgjedhje më pak. Sa për krahasim, përderisa në Kosovë serbët marrin pjesë në
zgjedhje nën një listë, në Maqedoni shqiptarët po garonin me 4 parti. Si
rrjedhojë s'fituan gjë. Shqiptari, ky armik i shqiptarëve; andej, këndej,
gjithandej.
Humbës shqiptarët po mbesin edhe pas shpalljes së
rezultateve përfundimtare. Mosaftësia e tyre për të kapërcyer inate partiake –
si ndodhë rëndom ku ka shqiptarë – po i jep mundësi reale qeverisë së
Gruevskit, një ndër antishqipëtarët më të mëdhenj në Ballkan, të ketë jetë më
shumë. Renditja e bllokut shqiptar në krah të opozitës së deridjeshme, nën të
cilën kishn garuar dhe zgjedhur si deputetë dhe disa shqiptarë, do të prodhonte
një Maqedoni më ndryshe; shumë më të favorshme për secilin prej nesh.
-2-
Por, a s’janë kështu shqiptarët gjithandej? A nuk u bë që
në Kosovë, mu për shkak të inateve e përplasjeve politike të humbej logjika e
trajtimit të demarkimit – e me të dhe e drejta e lëvizjes së lirë për në Evropë?
Edhe atëherë kur 50 milionë ukrainasë e gjeorgjianë fituan këtë të drejtë?
A nuk u bë që në Shqipëri për shkak të përplasjeve
partiake primitive, që prej se e mbajmë demokracinë mend atje, të mos rrezikoheshin,
e të mos rrezikohen edhe sot, secili hap drejt anëtarësimit në BE? Është
mrekulli – krejt joshqiptare – pajtimi për anëtarësim në NATO atje.
A nuk sillemi njejtë dhe në Luginë? Kur s’arrijmë as edhe
një herë të renditemi bashkë për të ndërtuar një listë të vetme, veç shqiptare,
për të mbrojtur zërin e pakicës atje. Madje, në Luginë, për çmendinë më të
madhe, koalicione me lëvizje antishqiptare ndodhin përpara bashkimeve ndërshqiptare.
Shembull të gjithë duhet të kenë Malin e Zi. Shqiptarët
atje u bënë bashkë një herë. Dhe në këtë bashkim të tyre kapërcyen pengesën
ruse e serbe të influencës. Drejtuan, një vend fqinj tonin, tokat e tyre, drejt
NATO-s e BE-së.
-3-
Se jemi brenda pikë e pesë, kjo më s’bën lajm. Se po
trajtohemi padrejtësisht nga forcat e mëdha, kjo po që po formësohet
gradualisht. Shihni për pak në rajon e në Evropë. Banorët e Ukrainës e
Gjeorgjisë në secilin standard të mundshëm, në secilën madje të mundshme do të
meritonin më pak secilin vendim për lëvizje të lirë se sa kosovarët – të fundit
e mbyllur në Ballkan. Po, Kosova ka klasë të korruptuar, po Kosova ka probleme
nepotike, të krimit e hajnisë, por, për ta thënë të vërtetën troç, siç është,
klasë, krim e hajni në përmasa dhe më të mëdha ka në Ukrainë e Gjeorgji.
Shihni progresin e Serbisë drejt BE-së. Krhasone të njëjtin
me Shqipërinë. Një Serbi që në secilën rrehtanë të mundshme është e
mentalitetit fashist, e udhëheqëur nga radikalë trashëgues të Millosheviqit, që
ngrenë lavde, dërgojnë lule e bëjnë përmendore të tij gjithandej. Një Serbi që
flirton me forca anti Evropiane e proruse, megjithatë ecë përpara, shumë më
shpejtë se kjo Shqipëri. S’është e mirë kjo Shqipëri, nuk është Kroaci as për
nga reforma, as për nga drejtësia e as për nga rëndësia, por megjithatë është,
në secilën rrethanë të mundshme, shumë më mirë se Serbi. Në aleancë, në
orientim, në mendësi. Megjithatë ecë më ngadalë.
Çfarë Kosova, Shqipëria – e shqiptarët tjerë në Ballkan –
s’kanë, në krahasim me gjithë shtetet që shpërblehen nga forcat përcaktuese në
BE – është kërcënimi. Neve, po dënohemi, kolektivisht, për mungesë kërcënimi.
Serbet ecin në Evropë jo sepse evropianizohen, por sepse kërcënojnë me Rusi. Kërcënojnë
me lidhje tregtare, me influencë financiare e me pajisje militare. Për këtë
Evropa e shpërblen, Gjeorgjia e Ukraina marrin lëvizje të lirë sepse kërcënohen
nga kapërdirja ruse.
-4-
Shqiptarët nuk kanë me çfarë të kërcënojnë. Shqiptarët
nuk kanë as kohë e as vullnet të kërcënojnë. Sepse janë të zënë me kërcënimin e
njëri-tjetrit, e ndarjen e tallit të imët politik në provincat e tyre
respektive. Në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup – janë të njëjtë.
Prandaj në veriun tonë, në Mitrovicë, mëngjeset na çelin
me mure dy metërshe e të cilat quhen nga Bashkimi Evropian, besoni ose jo,
shkallë. Prandaj muri i tolerohet serbëve atje. Prandaj për muri negociohet
atje. Sepse shqiptarët s’janë përcaktues politikash. Shqiptarët janë pranues,
siç aknë qenë gjthëherë, të kërcënimeve të fqinjëve.
Është koha që paradigmën politike tonën ta ridizajnojmë.
Bota po ndryshon. Forcat e mëdha, fatpërcaktuese për ne, po ndryshojnë. Me to
nuk do të thotë të ndryshojë dhe interesi për mbrojtje të aleatëve respektiv,
ku jemi dhe ne, por, me to duhet të ndryshojë dhe pazari jonë. S’them të imitojmë
fqinjët tanë me kërcënim. Por s’them as të mbesim reaktiv. Shqiptarëve u duhet
një platformë që komunikon jashtë nën një zë. Që i paraqet vendet tona si
aleate të vetme – në tërren – të principeve e mendjeve perëndimore. Dhe kjo
platformë, duhet të shpjegojë, se ekzistenca durimit shqiptar nuk është e përhershme.
Jo pse ne domosdo do të ndryshojmë me vullnet – por se ndryshimi i brendshëm
mund të kapërcejë vullnetin politik; në përmasa, që, nga padrejtësia, të
prodhohen ngjarje që destabilizojnë secilën llogaritje të forcave Perëndimore për
Ballkan. Sepse, kur lihen shqiptarët pas, s’mund të ketë as paqe, as stabilitet
në Ballkan.
No comments:
Post a Comment