Monday, 26 December 2016

SHUL E VEK

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 DHJETOR 2016

Mbi kontratat që do të dërmojnë Kosovën keq


-1-

Në lojën “cic-mic”, mbërrihet një pozitë që, për aq sa kujtoj unë, i thonë “shul e vek”. Lojtari i vënë në pozitë të tillë, do të poentohet me humbje në secilën lëvizje të kundërshtarit të tij. Në të dyja anët e gurëve të renditur, i zëni në “shul e vek” humbë. Humbë keq.

Në “shul e vek” është vënë, dhe do të vihet për një kohë të mirë, Kosova. Kontratat që po shpërthejnë me skandale arbitrazhi e dënime multimilionëshe, janë të tipit të tillë.

Skema është e thjeshtë. Shteti, nëpërmjet ndërmarrjeve e institucioneve publike, bën kontrata me biznese që i zgjedhë vet. Kontratat, e përzgjedhura, në formën më të thjeshtë të mundshme, janë disfavorizuese për vendin, favorizuese për të kontraktuarin. Janë me parashikime të fitimit multimilionësh fare lehtë. Po u respektua kontrata, përfituesi i tyre është i garantuar. Para e lehtë. Kësaj i thonë “shul”.

Këto kontrata, më pas, shteti i shkelë vet. Bizneset e zgjedhura, ndërsa, dërgojnë shtetin në gjyq. Marrin dëmshpërblim milionësh si përfundim. Kësaj i thonë “vek”. Në të dyja anët, në secilin zgjedhje të mundshme, milionat janë të transferuara lehtë.

Kështu, paratë e shtetit, me miliona e miliona pra, nëpërmjet rrugëve krejtësisht ligjore kalojnë tek privatët si në hiçgjë. Këtë herë, në këso skeme pra, 30 milionë euro para publike kaluan në llogari private.

Dënimet e arbitrazhit janë forma të sofistikuara të legalizimit të korrupsionit. Janë përdorur nga oligarkët në plot shtete të ish Bllokut Sovjetik. Po përdoren edhe sot në Kosovë. Janë përdorur me të madhe në Rusi, janë përdorur në Moldavi. Janë përdorur në Ukrainë, Gjeorgji, Republikat e “staneve” – Kazakistan, Kyrgystan; Armeni e Azerbajxhan. Kanë nisur së fundmi të aplikohen dhe në Shqipëri; në skandalet e hidrocentraleve atje, e skanerëve dogonorë.

-2-

Rasti i PTK-së është një. Në rastin e PTK-së, ndërmarrje e udhëhequr në vazhdimësi nga individë të devotshëm e anëtarë të PDK-së, kontratat janë vendosur nga urdhrat e partisë. Menaxheri i ndërtimit të kontratës, ka qenë i partisë. Menaxheri i shkëputjes së kontratës, ka qenë i partisë. Menaxheri i dorëzimit para arbitrazhit, është i partisë. Paratë, në fund të ditës, do të jenë të partisë. Pazar i pastër dhe i thjeshtë.

Por PTK nuk ka veç një rast. Rasti tjetër, dhe më i madh, na pret në derë. I thonë “Axos”. Kujtoni marrëveshjen për shitjen e PTK-së në vlerën hajgare prej 276 milionë euro. Vlera, ishte, në rastin më të lehtë, kthim i investimeve për 3-4 vjet. Nënshkrimi i shitjes për 276 milionë euro ishte kontratë favorizuese. Po u ekzekutua një kontratë e tillë, biznesi i përzgjedhur (për rekord, ishte fondacion fantom), do të merrte për lirë një ndërmarrje që kthen profitin për vetëm 3 a 4 vjet punë. Kontrata e nënshkruar, nuk ishte ekzekutuar. Mosekzekutimi i kësaj kontrate ka bërë që “Axos” të ngre padi; pra të kaojë në anën tjetër të fitimit. Po u realizua padia, do të merr nga 50 deri në 100 milionë euro fitim, të pastër. Sërish, një skemë e njëjtë, e ekzekutuar me ide e hapa të njëjtë. Akterë të njëjtë, fitues të njëjtë; humbës të ndryshëm – qytetarët e Republikës.

-3-

Sofistikimi i korrupsionit është duke ndodhur. Klasikja e marrjes së 10% fitim mbi tender ka evoluar në forma të ndryshme korruptive; shumë më të avancuara. Më 10% është pazar jo atraktiv. Sepse kërkon shumë ekspozim, shumë risk, pak përfitim. Përfitimet e sofistikuara kanë kaluar në ndryshime ligjore e urdhëresa administrative që japin monopole veprimesh e përfitimesh me kontrata që s’lejojnë ndryshim. Merreni për shembull rastin e homologimit. Një monopol i garantuar që s’guxon të ndryshohet. Po u ndryshua, dënimi qindra milionësh – pa arbitrazh – me paraparje të kontratës pra, është i garantuar. Dy vjet më parë, qeverisja e re kishte provuar të ndryshojë një vendim të tillë. Ndryshimi ishte ndërprerë pikërisht nga dëmi që priste vendin pas ndërprerjes.

Dhe në momentin e tanishëm, tash që komunikojmë për skema si këto, plot e përplot të tjera janë duke u ekzekutuar, për të dhënë rendiment korruptiv vite nga sot. Në rrethana të tilla, janë dy alternativa. E para, që vendi të dorëzohet; që secili gjenerim financiar i tij të kapet e peshkohet nga partia. Herë nëpërmjet tenderëve e herë nëpërmjet skemave që bëhen më të sofistikuara secilën ditë. Do të mbërrijmë shpejtë – poqëse s’kemi mbërri ende – në skema të “Panama Papers”,

E dyta, që të godasim fort pjesëmarrësit në to. Që nënshkruesit e kontratave, mbikëqyrësit e tyre, të mbahen individualisht e penalisht përgjegjës për korrupsion. Në kornizën ligjore të tanishme, atë të menaxhimit të ndërmarrjeve publike, bordet e ndërmarrjeve janë vënë në mirëbesim. Pra, nga ta, s’pritet përgjegjësi ligjore sepse s’ka targete e synime të vëna për ekzekutim. Kjo duhet të ndryshojë. Që menaxhuesit e tyre të jenë dhe përgjegjës me përgjegjësi të pakufizuara mbi ndërmarrjet që udhëheqin. Që pasuria e tyre, koha e lirë e tyre, të transformohet në larje të dënimit. Le të ndodhë më pas një humbje multimilionëshe po që kanë llogari. Le të shohim më pas sa individë do të dalin përpara për menaxhim partiak të publikes.

Shteti, ndërsa, po që pat shtet e po qe i tillë pak, duhet t’i shpallë “public enemies” secilin përfitues të skemave si këto. Të ndërpresë bashkëpunimin me ta, të urdhërojë sanksione ndaj tyre. Të jetë aktiv, proaktiv, në parandalimin e secilit peshkues financiar të vendit më të varfër në Evropë. Do të habitemi se sa pak të tillë peshkues do të mbesin në vend. Në fund të ditës, ka shumë më shumë biznese që duan rregull se sa lidhje favoresh.

Për të bërë një gjë e tillë na duhet vullnet. Vullnet politik që jep guxim, jep shembull e jep mbështetje. Guxim para kapësve, shembull para qytetarëve e mbështetje para prokurorisë që mbetet në gjumë ende.

No comments: