Friday, 31 July 2015

LUKSI I NJË VENDI TË VARFËR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 KORRIK 2015

Jam në pritje ende të një bindje politike që sulmon publiken në rrënjët e kalbura të saj. Që tkurrë gjithë luksin publik për të ofruar një qeveri të vogël, pa alamet vetura, pa alamet mëditje e pa alamet shpërdorime anonimësh.




-1-

Plot 50 milionë ishte vlera e kursimeve të shtesave nga rishikimet buxhetore ketë vit. Kaq u kursyen me një vendim të vetëm. Dhe sado i hairit një kursim i tillë mund të jetë, pyetja e vërtetë që duhet bërë është se pse nuk ishin bërë kaherë shkurtime të tilla. Shtesat ishin kompenzime financiare për punët publike në Kosovë. Pra, një nëpunës publik, për një punë publike, të qartësuar e definuar mbarë e mirë me kontratën e tij publike, kishte marrë shtesë financiare – ani pse nuk kishte bërë asnjë punë tjetër shtesë jashta kontratës e përshkrimit kontraktual që kishte. I jepnin, dhe këtu vjen ironia, për motivim. Në botën moderne, paga përmbledhë motivin.

Shtesë pas shtese ishin bërë 50 milionë në vit; rrafsh sa 625 mijë pensione kosovare, apo 294 mijë paga mesatare, apo përafërsisht njëjtë sa i gjithë buxheti i shëndetësisë këndej. Pra, ky vend, ka mundur tash e shtatë vjet të dyfishojë buxhetin e shëndetësisë me një shkurtim të thjeshtë financiare prej 50 milionëve. Shëndetin tonë po e merrnin si motiv nëpunësit publik tash e shtatë vjet.

Në të njëjtën logjikë, sikurse shtesat, koekzistojnë me publiken edhe mëditjet. Ato, për vizitat në Shqipëri e Maqedoni këndej paguhen plot 209 euro për një kosovar në shërbim publik. Pra një ditë qëndrimi, një apo dy orë larg zyrës, për një zyrtar publik kosovar, kompenzohet me plot 209 euro. Përveç se absurd ky superkompenzim, ai mbetet pothuajse i njëjtë me kompenzimet për një ditë vizite në New York, Dubai apo dhe Londër – tre qytetet më të shtrenjta në botë .

Arsyeja pse sheikët tanë publik vendosin të mbikompenzojnë veten për vizita në Shqipëri e Maqedoni kaq lartë, është sepse i kanë afër, mund të shkojnë shpesh – mbi të gjitha, të shpenzojnë pak e kursejnë shumë. Pothuajse pjesa më e madhe e buxheteve publike mbajnë mëditje të bollshme; ato tanimë janë bërë burime të zakonshme financimi – janë bërë paga shtesë. Një zyrtar publik nuk llogaritë vetëm në rrogën publike kur merr punë, por llogaritë dhe në shtesa, dhe në mëditje – i merr të gjitha pa përjashtim.

-2-

Luksi publik këndej u simbolizua më së miri këtë javë me përcaktimin e plot 28 zëvendësministrave, pa përfshirë ata të komuniteteve e të tjerëve që do të vijnë. Këta 28 zëvendësministra do të kenë nga një shofer, një asistent dhe një zyre shtesë. Dhe sado që Kosova do të mbetej gjeneroze në përmbushjen e disa mija eurove shtesë për ta – sikur t’i kishim njëmend profesional – caktimi i anonimëve e të papërdorshmëve (kryesisht) në poste të rëndësishme publike është deklaratë e keqpërdorimit tipik të parasë publike.

Pra, në këtë formë, kjo qeveri tregon qartë intencën për të përdorur publiken për rahatim. Zëvendësministrat anonim, nuk shërbejnë për zëvendësim të ministrave, shërbejnë për rahatim. Ata nuk shërbejnë për plotësim të ministrave, shërbejnë për rahatim. Rahatimi dhe jo angazhimi, është përpjekja, rrjedhimisht keqmenaxhimi dhe jooptimizimi janë outputet.

Ky stil qeverisës është tashmë mirë i themeluar dhe shërben si model i plaçkës për të gjithë pretenduesit e udhëheqjes publike – të niveleve të ulëta gjithsesi. Kjo plaçkë ofrohet pra si kompensim i gjithë angazhimit partiak nëpër vite. Pra është paga, janë shtesat, janë meditjet. Është edhe pushimi për ditë me lidhje e palidhje, janë veturat, asistentët e këshilltarët – janë të gjitha.
                                                                                                        
Problemi është se një institucion publik nuk guxon të përdoret si plaçkë kompensuese për angazhim partiak. Sepse, qytetarët këndej nuk paguajnë taksa për të kompensuar kontributet partiake, por për të marrë shërbim. Pra sado ligjore dhe e rregullt një politikë e tillë mund të jetë, ajo mbetet e mjerë. Mbetet moralisht e papranueshme. Dhe kjo shoqëri e ky vend, do të përparojë kur politika të përfundojë ofrimin e politikave pa përgjegjësi morale e minimalisht korrekte. Mbetet fukarallëk intelektual një veprim i tillë.

-3-

Jam në pritje ende të një bindje politike që sulmon publiken në rrënjët e kalbura të saj. Që tkurrë gjithë luksin publik për të ofruar një qeveri të vogël, pa alamet vetura, pa alamet mëditje e pa alamet shpërdorime anonimësh. Jam në pritje të një bindje politike të djathtë njëmend, që vendosë sensin e funksionalizimit para kapjes e kompensimit të ulët partiak. Pra jam në pritje të një bindje politike që ka identitet djathtizmin njëmend; jo si këta që nuk kanë ide se çfarë bëjnë.

Dhe nuk po flas për mjerim politik, për paga të ulëta në publiken. Publikja dhe pozitat kyçe këndej meritojnë kompensime të bollshme. Problemi me to është se për kompensimet e bollshme duhet gjetur profile të kënaqshme, njerëz të zot e individë profesional – që dinë çfarë bëjnë e që shtojnë njëmend vlerë.

Nuk po flas as për shkurtim të beneficioneve publike në fushat ekzistenciale për qytetarët taksapagues kosovarë dhe bashkëqytetarët e tyre të pabarabartë. Po flas për efiçencë dhe mirëmenazhim – për qëndrueshmëri. Natyrisht se djathtizmi politik e administrativ do të ofrojë shumë kushte më të mira e më të qëndrueshme për nevojtarët në krahasim me secilin sistem politik të ekstremit të majtë e neokomunist. Ka ofruar gjithandej nëpër botë, do ta bëj edhe këtu. Sepse i njëjti ndërtohet mbi parime të qëndrueshme, jo mbi përralla ideologjike që s’realizohen kurrë. Ndërtohet mbi logjikën e ekzistencës, jo mbi varfërimin e të tjerëve. Ndërtohet mbi motivin e arsyeshmërisë ekonomike.

Pres pra një ide politike që krijon sisteme financiare mirë të qëndrueshme e të vetëqëndrushme në shëndetësi – fillimisht – nga ku marrin të drejtën bazike për kurim e kujdes secili qytetar i Republikës, dhe për edukim – ku mësohen e zhvillohen gjeneratat e ardhshme të vendit. Po flas për sisteme financiare që krijojnë qëndrueshmëri dhe për gjyqësor e për rregullatorë nëpër monopole. Pra po flas për përdorimin e parasë publike jo për lukse e rahatime partiake, por për investim në forcimin e institucioneve që garantojnë më pas lirinë ekonomike, të tregut, të pasjes e të bërjes.
Për të financuar këtë nismë, ky vend duhet të shkurtojë luksin publik. Të heqë shpejtë e lehtë – sikurse hoqi 50 milionë për një ditë – gjithë tjetërsimet publike nga plaçkitës publik e partiak. Pres – për fillim – një plan kursimi nga një vend i varfër sa s’bëhet më. Pres rregull në shfrytëzimin e veturave zyrtare, telefonave zyrtarë, darkave e drekave zyrtare – të nisim nga më të voglat pra. Pres kursime në punë të mëdha publike, ku shpenzohet taksa njëmend. Pres, mbi të gjitha, reformim e shkurtim të aparatit publik i cili në vend se të përdoret si strehimore sociale e rahatim partiak, duhet të transformohet në mekanizëm nxitës të zhvillimit. Puna, në fund të fundit, duhet të krijohet vetëm në sektorin privat.




No comments: