Monday, 6 July 2015

MITET RRETH ANTI-SPECIALES

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 KORRIK 2015

Ky vend mund të kalojë dhe pjesën tjetër të kohës në sharje e ofshamje për mundësitë e humbura, të bëhet pra pishman, të çirret e dridhet deri në çmendi – për çfarë dhe mund të ketë të drejtë – por nuk do të mund asnjëherë të ndryshojë gjë prej gjëje nga fati që e pret. Ky fat është i thjeshtë. Për të bërë edhe një hap të vetëm para, duhet të adresojë pretendimet botërore për krime në radhët e veta. Këtë adresim, s’mund ta bëj vet – sepse ka humbur të drejtën pra kaherë – por do ta bëjnë të tjerët për të.


-1-

Kosova, për fatin tonë të keq, vazhdon të prodhojë momente e ditë kur vendimet e marra zgjedhin ecjen zi ose gri; asnjëherë bardh. Kosova vazhdon të krijojë realitete të mbrapshta; trajtimi dhe më i mbrapshtë i të cilave mund të përcaktojë dhe më shumë mbrapshti – mund të përcaktojë pra, për së mbrapshti, fatin e një gjenerate të tanë. Për këtë, faj dhe përgjegjësi plot, pa dallim, bartin të gjithë ngasësit e pushtetit këndej. Një vend normal do të duhej kaherë t’i largonte e poshtëronte me refuzim secilin që sjellë vendimmarrjen në dy rezultate, zi ose gri.

Për fatin tonë dhe më të keq, në këto realitetet të reja të zgjedhjeve jo të mira, do të shfaqen gjithnjë individë, grupe, sekte e parti që do të mendojnë jashtë realitetit – për të përfunduar natyrisht në zi e më zi. Kështu ata do të prodhojnë utopi; patetizëm deri në fyt gjithsesi – dhe në fund, pra, zi. Një realitet i ri ishte edhe Gjykata Speciale. Një mbrapshti trajtuese ishte edhe adresimi çështjeve rreth saj. Në këtë fushë u gjendën edhe partitë e sektet opozitare këtë javë.
                                                                                                           
Ato, në kombinim të çuditshëm me deputetët më kontrovers e më zaptues të pushtetit, prodhuan skenën më të rrezikshme të Kosovës – refuzuan trajtimin gjykues, përgjithësuan individët e akuzuar me gjithë shoqërinë, dhe për fund nuk dhanë alternativë – natyrisht se gjatë gjithë kohës shanë e fyen gjithë ndërkombëtarët në Kosovë – dhe jashtë saj. Konspiracione sa të habitshme aq edhe të gërditshme. Paradoksalisht, këta i bënë të duken mirë fajtorët e vetëm të gjithë rëndesës sonë – arsyen e parë të Speciales dhe derexhesë sonë kolektive. Ky kombinim i çuditshëm, prodhoj mite. Ti trajtojmë këto mite një nga një.

-3-

Miti i parë, i krijuar nga refuzuesit e Speciales pra, mbështetë pafajësinë absolute të palës sonë, rrjedhimisht, refuzimin absolut të gjyqësisë ndaj neve. Pra, sipas kësaj logjike, secili shqiptar në periudhën e luftës dhe pas luftës, është i pastër në tërësi, dhe, për më tepër, secila tendencë e gjykimit të shqiptarëve është përlyerje e gjithë luftës çlirimtare.

Në këtë pikë kundërshtuesit kanë krijuar katër premisa. E para, se shqiptarët, të gjithë pra, qenkan popull engjëllor, tërësisht i pastër – gjynah sa s’bëhet më. Natyrisht se nuk është e vërtetë. Jemi si çdo popull tjetër. Në mesin tonë kemi njerëz të mirë, të ligë, të hairit e kriminelë – për këtë madje, kemi brumë deri në fyt për këto gjashtëmbëdhjetë vjet liri. Dhe, si në çdo popull tjetër, dhe në mesin tonë, mund të gjejmë lehtë individë të padrejtë, mendjeprishtë, johumanë – kriminelë; që vranë civilë – serb e shqiptarë. Për këtë, natyrisht se do të bëhet gjyqësi. Mu për këtë është bërë dhe shteti.

Premisa e dytë, që ndërtuan këta, është se secili gjykim potencial i ndonjë shqiptari në Kosovë për krime gjatë dhe pas luftës, ndynë gjithë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë pikë, të njëjtit ndërlidhin individin me gjithë lëvizjen e përpjekjen kosovare për liri. Për ta pra, individët janë vet lëvizja. Natyrisht se nuk janë. Lëvizjet profetike kanë mbaruar kaherë, e heroizmat të superfuqive individuale – si mbrojtje e përfaqësim të tërësisë –  i gjenë vetëm në filmat e “Marvelit”. Ç’është e vërteta, në asnjë proces, në asnjë rast të vetëm UÇK nuk është vënë në kandar të matjes së krimit as si organizatë e as si lëvizje – dhe kjo s’ka për të ndodhur asnjëherë. Është thënë madje nga vet ngritësit e akuzës – po kujt t’i thuhet se. Individë ndërsa, për vepra krejtësisht vetanake po akuzohen e gjykohen këtu. Natyrisht se ndërlidhja e individit me gjithë organizatën është e qëllimshme, dhe bëhet nga të njëjtit të vënë në kandar matjeje. Kështu, ua merr mendja atyre, mund të shpëtojnë disi.

Premisa e tretë ndërlidhej me selektivitetin e  gjyqësisë – si parim pra. U tha se gjykimi ishte selektiv e etnik, dhe mbi të gjitha jo-proporcional. Ç’është e vërteta, selektivja – pra Specialja – ishte bërë për të adresuar një raport ndërkombëtar që kërkonte hetimin e çështjeve të pahetuara deri më tani. Ky raport, dhe hetueshmëria e thirrjeve të tij, nuk përjashtonte hetimet tjerat; por ama specifikonte trajtimin e këtyre. Pra, sistemi gjyqësor i joni mund ende të ngrisë padi, të kërkojë kriminelë; të bëjë drejtësinë kuantitative deri në fundin e saj. Pse nuk e bëjnë pra?!

Premisa e katërt, ndërsa, ishte se krimet e bëra këndej ishin joproporcionale, rrjedhimisht trajtimi i çfarëdo krimi tonë ishte i pavend. Natyrisht se krimet ishin joproporcionale. Nuk kemi nevojë për asnjë rikujtim. Joproporcionalja është pikërisht motivi i intervenimit humanitar ndërkombëtar në Kosovë. Por ama, joproporcionalja nuk nënkupton amnistimin e krimeve të palës së rënduar. Sepse nuk ka krime të tilla; ka vetëm një krimbërës dhe një viktimë – fotografia e madhe, në trajtimin individual të tyre, humbë pastaj. Edhe nëse mijëra krimet ç’njerëzore të bëra ndaj nesh mbesin padrejtësisht të paadresuara, adresimi i krimit tonë – nëse e dimë se është bërë dhe mund ta bëjmë gjyqësinë – duhet bërë. Dhe kjo, për gjithë ata me shpirt në fyt, nuk do të thotë se ne duhet hequr dorë në ndjekjen e krimeve ndaj nesh. Ndërlidhja, madje, është paradoksalisht e gërditshme. Sikur të thuhet, nuk gjykoj këtë vrasës për një vrasje, sepse është një tjetër i lirë i pagjykuar për dy a tri.

-5-

Miti i tretë mbetet ai i ekzistencës së alternativës. U tha se Gjykata Speciale ka alternativë; duke aluduar kryesisht tek sistemi vendor, i cila edhe sot e kësaj dite vazhdon ti mbajë të burgosurit herë në spitale e herë në restorante – pjesën më të madhe natyrisht se të lirë. Pra alternativë e saj u bë pikërisht burimi i Speciales; arsyeja e vet imponimit të saj.

Formimi i Gjykatës Speciale nuk ka qenë asnjëherë i lehtë; as edhe i drejtë. Në të vërtetë, me gjithë formatin e prezantuar, ka qenë një ndër ngjarjet më të rënda të shtetësisë së Kosovës në këto pak vjet. Dhe sado që fajësinë e ngjyrosjen me përgjegjësi mund ta ndajmë lehtë, me gisht drejt dhe pa hezitim tek zaptuesit e pas-luftës që nuk gjykuan krimbërësit rreth vetës asnjëherë, ardhja e një platforme të tillë nuk kishte më alternativë. Ishte vonë tashmë. Koha pra, që ta kuptojnë refuzuesit e saj, me ligjet e këtij universi nuk kthehet pas.

Në këtë frymë do të duhej të trajtohej edhe Gjykata Speciale; në të tashmen pra. Ky vend kishte shpenzuar kohë shumë, sikurse në gjithçka tjetër, për të mos dhënë asgjë në gjyqësi. Rrjedhimisht, e drejta e adresimit të të bërave që megjithatë nuk fshihen sikurse mundësitë nga koha, na ishte marrë. Ne ishim vënë në zgjidhje aspak të mirë; paradoksalisht nga njerëzit e njëjtë që na mbajnë ligjërime për drejtësi sot.

Ky vend mund të kalojë dhe pjesën tjetër të kohës në sharje e ofshamje për mundësitë e humbura, të bëhet pra pishman, të çirret e dridhet deri në çmendi – për çfarë dhe mund të ketë të drejtë – por nuk do të mund asnjëherë të ndryshojë gjë prej gjëje nga fati që e pret. Ky fat është i thjeshtë. Për të bërë edhe një hap të vetëm para, duhet të adresojë pretendimet botërore për krime në radhët e veta. Këtë adresim, s’mund ta bëj vet – sepse ka humbur të drejtën pra kaherë – por do ta bëjnë të tjerët për të.

Humbja e të drejtës pra, dhe krijimi i një realiteti të ri, nuk është asgjë e re për Kosovën. Është pikërisht baza mbi të cilën ka lindur dhe shtetësia e Kosovës; së paku e argumentuar kështu në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë gjatë interpretimit të pavarësisë sonë. Serbia, siç argumentonte GJND, për shkak të ndërmarrjeve e mosndërmarrjeve të së shkuarës kishte humbur të drejtën qeverisëse e pronësore mbi Kosovë – prandaj dhe pavarësia. Ne ndërsa, kemi humbur të drejtën për gjykim, prandaj dhe Specialja. Dhe në të njëjtën logjikë, humbja e mëtejme e të drejtave për të ndërmarrë, do të krijojë realitete të reja; gjithmonë më të rënda se këto të tanishmet pra.

-6-

Miti i fundit, dhe më i rrezikshmi, ishte i ndërlidhjes së partneritetit ndërkombëtar në automatizëm me servilitet; rrjedhimisht në nevojë për refuzim me krenari. Këtu frynë natyrisht më së shumti sekte politike që në fundament kanë koncepte anti-ndërkombëtare të tipit të NATO-s dhe vendeve përcjellëse pas saj. Këto lëvizje ekstreme, herë supermajtiste, herë nacionaliste, shpeshherë fashiste – siç ishte rasti i kërcënimit të 2 milionë maqedonasve me ngufatje në fyt nga 7 milionë tanët javë më parë – kanë problem me modelin e Republikës sonë dhe ndërlidhjen e saj strategjike me partnerët aktual ndërkombëtarë. Këta hipokritë që në njërën anë nuk njohin Kushtetutën e Kosovës, që proklamojnë zhbërjen e Republikës, ofendojnë e përlyejnë simbolet e shtetit – thirren në anën tjetër si gardianë të Republikës, shpëtimtarë nga, siç e thonë të shkretët, serviliteti i pushtimit ndërkombëtar. Refuzohen me urrejtje plot, të njëjtit që kanë ndihmuar, për fatin tonë të madh, ndërtimin e pjesës më të madhe të themeleve tona shtetërore – të vet kësaj Republike. Ishte ky momenti i shpërthimit dhe ndryshimit të percepcionit kosovar ndaj një aleance ekzistenciale – publikisht, me gëzim. Paradoksalisht, garantuesit e sovranitetit, u kritikuan nga mosnjohësit e këtij sovraniteti, si pengues të sovranitetit.

Kosova nuk e ka për të fshehtë relacionin ndërkombëtar. E ka publik madje. Dhe me mburrje madje. Sepse, është vetëm falë një relacioni të tillë, të drejtë e të mençur, që ky vend ka ndërtuar shpëtimin – lirinë pra. Dhe është fakt, se vetëm falë kësaj lidhje Kosova sot ruan sovranitetin e vet. Janë mu këta ndërkombëtarë e forca ndërkombëtare që garantojnë për këtë vend të vogël sigurinë ushtarake, mbështetjen ndërkombëtare, e shpeshherë dhe ndihmën financiare.

Natyrisht se kjo nuk i jep të drejtë zaptuesve të thirren në përkrahje blanko në përjetësi; as edhe sjelljeve për dëgjueshmëri servile të tipit “mos shko në toalet”. Hiq se hiq amnistimit të korrupsionit, hajnisë e mjerimit politik të bërë shpeshherë nën këtë ombrellë mbështetëse. Por nuk i jep të drejtë as supersovranëve fallco – që s’respektojnë e s’njohin sovranitetin pra – të kalojnë në ekstremin tjetër; shkëputjen e plotë pra. Në të vërtetë, përtej bindjeve filozofike të mbrapshta, një propozim i ecjes solo, pra tërësisht sovran dhe pa brengë ndaj lëvizjeve ndërkombëtare, është amatorizëm politik – axhami e fëmijë janë këta.

Shtete shumë më të mëdha, më ekonomikisht të fuqishme e më pak të rrezikuara ekzistencialisht, veprojnë në vullnet të plotë në përputhje me aleancat strategjike – i ndjekin ato pa u pyetur fare madje. Lundrimi i anijeve në kah të njëjtë përbën pikërisht mjeshtërinë e ngritjes nacionale.

-7-

Unë nuk pres nga individë që kërkojnë doeomos protagonizëm – pavarësisht kostove – të reflektojnë. Për mua, këta kanë humbur shansin duke dëshmuar me kokëfortësi se janë veçse një sekt i pandryshueshëm, i rrezikshëm në skajshmëri, që, siç e thanë dhe vet, nuk mërziten për konsekuenca edhe sikur “ato të sillnin fundin e botës”. E mendojnë pra kështu. E përderisa ata nuk mërziten as për fundin e botës, e as për fundin e Kosovës, siç e thanë dhe vet, pres të tjerët të ndërtojnë mërzinë për rrugën tonë.

Pres megjithatë, që Kosova të tregojë maturi në konsolidimin e dëmit të madh. Jo nëpërmjet kokëfortësisë e futjes në qorrsokak, as nëpërmjet shpërthimeve kundër ambasadave e lëvizjeve ndërkombëtare këndej, por nëpërmjet largimit nga skena politike e të gjithë atyrëve që kanë sjellë këtë vend të zgjidhje të rënda – të pakthyeshme; dhe të tjerëve që nga këto zgjidhje të pakthyeshme zgjedhin theqafjen dhe “fundin e botës”. Pra të nisen nga të njëjtit që sot na shpërfaqen si pro-perëndimorë e problem-zgjidhës, arsyeja e parë e gjithë kësaj hallakame, e të përfundojnë tek të fundit, rrezikuesit e mëtejshëm pra.

Pres që kosovarët t’i japin fund marrive që zanafillë kanë në ballafaqimet e 1999-ës; betejave personale për kush kishte të drejtë; kush ka ende. Pres që kosovarët të nisen nga sot, për të dhënë zgjidhje jo vajtuese, as çirrëse – ta bëjnë pallavaragjitë këtë – por të japin vizione të ecjes sonë nga sot për nesër. Sepse, si të ngecur në këtë gjendje limbo, e tëra çfarë po bëjmë e prodhojmë është mbrapshti – deri në theqafje.


No comments: