Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 KORRIK 2015
Tregimi për një vend të nxënë keq në lëmshin e vet
-1-
Truku më i
madh që kapsit e shteti kanë nxjerrë nga mangët ndonjëherë, është
mosvotimi Gjykatës Speciale dhe marrja e
duartrokitjes opozitare për këtë. Do ta kenë menduar gjatë e mirë – siç rëndom
i mendojnë gjërat mbrapshtë këta – për të provuar bindjen e gjithandejme se ndërvarësit
e SHIK-ut, shërbëtorët e pakontestueshëm tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, na u
paskan bërë me një copë integritet, për të dalë faktorë në mosbërjen e
obligimit më të përfolur ndërkombëtarë të Kosovës; Gjykatës Speciale pra. E
secili që beson se kjo Gjykatë nuk është votuar për shkak të ndonjë fitoreje
opozitare, të shikojë refuzuesit e saj nga pushteti njëherë. Shihni njerëzit që
refuzojnë, të nënshtruar e dëgjues të pakontestueshëm ndonjëhërë; me përvojë
ndaj të njëjtëve që bëhen sikur të dëshpëruar nga mosvotimi – dirigjentët e
vetëm në gjithë këtë tregim.
Kështu, siç
dhe ndodhë rëndom tash e sa kohë, relacionet kosovare me perëndimin vazhdojnë të
mbesin peng i kërcënimeve për stabilitet nga një grusht zaptuesish, të cilët, në
përpjekje dëshpëruese, por me plot durim, vazhdojnë të ngrenë pazarin lartë për
veten e vet.
Gjykata do të
bëhet, s’ka se si të mos bëhet sinqerisht, por formësimi i saj, sot për sot,
mbetet ekskluzivisht në qejfet e zaptuesve; të duartrokitur natyrisht nga një
opozitë gjysmë axhami, gjysmë idhnake. Këta zaptues do të rifaktorizojnë vetën
sërish, si përcaktues të vetëm të mundshëm të proceseve politike në vend. Sërish,
të njëjtit, do të arrijnë që nëpërmjet kërcënimit e bllokimit të gjithë vendit,
të shpërfaqin veten si shpëtimtarë të tij. Fuqizimi i tyre, ndërsa, përbën
lajmin më të keq për vendin. Ky fuqizim veçse zgjatë për më shumë gjithë
ngecjen tonë.
-2-
Se mbetemi
të varur nga pazaret individuale të kapësve, kjo më nuk bën risi. Ngecja si
produkt i kapjes është më se evidente tashmë. Këtë javë, në këtë formë, u dha
edhe Raporti i Progresit, i cili, nëse asgjë tjetër, për një vit matje
konfirmoj status-quo-në. Ngecje në ekonomi, ngecje në gjyqësor, ngecje në
demokraci e ngecje në ecjen Evropiane.
Një vit i tërë
për të bërë asgjë, është pikërisht qëllimi i kapësve të sotshëm. Sepse kapësit,
nisë nga pozicioni që kanë, nuk kanë as më të voglin motiv e nxitje për të
ndryshuar gjërat; as për mirë e as për mbrapshtë. Janë mirë të akomoduar, bëjnë
të vetmën gjë dinë të bëjnë – pra kapjen; rahatojnë fmailjarë, miq e militantë;
pasurohen e ndërtojnë perandori biznesesh që sot qëndrojnë mirë në këmbë – dhe
nuk i japin as edhe pesë pare për ecjen e Kosovës në, dhe për, Evropë.
Kapësit, ç’është
e vërteta, mund ta mbajnë Kosovën në këtë formë për vite të tëra, siç dhe kanë
mbajtur tash e sa kohë. Përveç nëse, ka një reaksion.
-3-
Reaksion
evolutiv, jo revolucion, siç mund të ngazëllehen revolucionarët neo-komunistë që
kemi këndej shpeshheërë. Por i cili megjithatë nuk vjen. Nuk vjen sepse në këtë
vend ende festohet me valle, këngë e hallakamë për një copë asfalt, e bëhet
lajm nacional vënia e semaforëve në qytetin e pestë më të madh në vend, të
dytin mesiguri për nga aktiviteti ekonomik. Këtë nivel të mjerimit shoqëror, vështirë
mund ta shpjegoj – sinqerisht. Me reagues të tillë, natyrisht se kapësit
ndjejnë komfort për të mos dhënë gjë e për të mbajtur vendin në status-quo.
Ata, si këmbim ndaj kotësisë gjithë-shoqërore që feston për Asfalt e semaforë në shekullin 21, do të japin edhe një Universitet. Sërish kapësit i servojnë vëzhguesve të kapjes menynë standarde tashmë, pak gurë, pak rrugë, edhe një Universitet për secilën mëhallë. Kjo menye pashijshme duartrokitet e merret si e qenë. Kështu, kualitetit të dobët arsimor në vend, i shtohet dhe sasia. E një kuantitet pa kualitet natyrisht se nuk sjellë progres. Sjellë pra ngufatjen shoqërore në kozmetikë e në sipërfaqësore; kjo ngufatje këndej shihet si pasuri, jashtë nga ky vend mbetet e pavlerë.
Shkollat, që
ta dinë këta, nuk bëhen me hapje të parvjetshme të universiteteve në një vend që
nuk mund të bëjë as edhe një siç duhet – me plot katërdhjetë e kusur vjet përvojë
– e as me infrastrukturë tenderësh; prej të cilëve, meqë ra fjala, ndërtohen
perandoritë e kapësve sërish. Shkolla, që ta dinë këta, ka një mjeshtëri, i
thonë mend. Ajo bëhet me njerëz, profesionistë e të dalluar në kategori më të
larta se muhabeteve me apo pa semaforë. Dhe këso njerëz, jo që nuk kemi
mjaftueshëm, por as që mërzitemi t’i ndërtojmë ndonjëherë.
-4-
E kur ngecja
në aksion të kapësve e reaksion të të kapurve është çfarë ky vend prodhon, atëherë
njerëz me maska e më një flamur të zi, në një liqen uji të pijshëm dhjetë
kilometra nga Prishtina shpërfaqen lehtësisht. Ekstremizmi individual e grupor
i bindjeve të keqkuptuara fetare ka kohë që po shënon fitore këndej.
Ishte për
marre e turp anulimi i festimeve në shesh nga frika e sulmeve si këto; tregon
se ky vend është në mbrojtje e defanzivë; terroristët ndërsa kanë marrë
shembull se mund të triumfojnë. Dhe kështu nuk bën. Ky vend që krenohet me
forcën më kredibil policore në rajon, me inteligjencë të re e me përkushtim për
aksion, të reagojë për të dhënë siguri; alternativisht të lëshojë rrugë për
dikë që një gjë të tillë mund të bëjë.
Në ndërkohë,
mbetet fakt se Kosova, me gjithë fukarallëkun e vet shoqëror që ka, do të prodhojë
– jo vetëm strehojë – ekstremistë të tillë e terroristë. Do të shfaqen
trushpëlarët e pistë në mendje që besojnë se xhirimet e prerjeve të kokave, e
skllavërimeve e masakrimeve janë veçse shpikje hollivudiane. Të njëjtit do të
shëtisin rrugëve e lagjeve tona, do të kalojnë për ditë nga shkollat e fëmijëve
tanë, e do të marrin një ditë udhë për të vrarë civilë. Me të tillët kompromisi
është i paarritshëm; por ama, për të parandaluar nismat e tjera, ky shtet duhet
të ecë fillimisht. Duhet të krijojë punë e mirëqenie, duhet të krijojë progres,
që fëmijët e së sotshmes i largon nga bindjet ekstreme religjioze. Fatkeqësisht,
as progresi e as puna nuk kanë për tu bërë asnjëherë me këta kapës e zaptues që
kemi këndej. Sepse, siç dhe kemi parë kaherë, këta vetëm ngecjen dinë të bëjnë.
No comments:
Post a Comment