Monday, 21 December 2015

TË KAPUR DHE NË GETO

Letra nga limbo
KOHA DITORE 18 DHJETOR 2015

Kosovarët e getoizuar ndërsa, duhet të konsiderojnë seriozisht gatishmërinë e tyre për të lënë në duar të kapësve fatin e jetës së tyre që megjithatë ikën shpejtë. Sepse, gjashtë vite më parë, edhe Mali e Zi, edhe Serbia e edhe Shqipëria ishin si ne. Sot njëri është në NATO e tjetri në prag; të tre vende kandidate për BE.



-1-

Fillimisht, dua të bëj të qartë se dhënia e liberalizmit të vizave për kosovarët nuk do të zgjidhte as për së afërmi problemet, brengat e hallet me të cilat një familje mesatare sot ka këndej. Gjithashtu, dua të bëjë të qartë se e drejta e lëvizjes së lirë – e marrë si të fundit në rajon – nuk përbën ndonjë arritje. Çfarë arritje do të ishte përfundimi i garës si i fundit.

Liberalizimi i vizave, megjithatë, do të jepte një fije shprese dhe një dozë ecjeje për kosovarët këndej. Do të jepte një trajtim më dinjitoz, më qytetar, më normal që Evropa do të duhej t’i bënte “evropianeve të rinj”; në fund të ditës, qytetarëve të kontinentit të vet. Por nuk e bëri; lëvizje të lirë nuk ju dha. Evropa, ditën e së cilës kosovarët e festojnë paradoksalisht të vetëm përvjet, tash e tetë vjet, u tha të njëjtëve kosovarë se për dallim nga secili vend në rajon, këta ishin të padëshiruar; veç këta.

E shoh si të padrejtë një vendim të tillë. Sidomos kur në të njëjtën javë, e njëjta Evropë u dha kapitull për anëtarësim pritësit e kriminelëve të dënuar në Hagë, fqinjëve tanë në Serbi. Jo reagim, jo dënim, u dha lavdërim. E shoh të padrejtë kur secili fqinj i kosovarëve ka të garantuar këtë lëvizje të lirë tash e sa vjet. Kosovarët pra, nuk kanë merituar asnjëherë këtë getoizim e veçim nga rajoni.

Por nuk e shoh Evropën përgjegjëse burimore të refuzimit të tillë. Reaksionin e evropian e mbajë si simptomë të një sëmundjeje që ka marrë keq vendin tim. Kjo sëmundje ka ngjizë kaherë.

-2-

Në ditën e publikimit të vendimit nga Këshilli i BE-së, Hashim Thaçi, Ministër i Punëve të Jashtme dhe i nominuar për President, kërcënoj me protestë, radikalizëm e përmbytje – nga vendi më i paqetë, më radikal e më i përmbytur në Evropë. Çfarë mund të bëhej më keq? Përveç se fajësoj një Evropë të tërë; shpalli veten kampion të luftës kundër korrupsion, mallkoj, fyeu e fryu zjarr.

Sjellje të tilla nuk janë të reja për të. Në të vërtetë janë identike me ato të vjetshmit, të parvjetshmit e të shumë viteve më parë; sa herë që Kosova merr një trajtim të tillë ai del dhe prodhon një kërcënim të tillë. Kishte nisur në 16 dhjetorin e vitit 2012, tre vite më parë, vetëm pak ditë pas shpërthimit të aferës “Pronto” e një ditë pas ikjes spektakulare nga Kosova të mikut të tij të ngushtë Xhabir Zharkut – kryetar Komune i dënuar me burg. Asokohe Thaçi kishte fajësuar për herë të parë – e që nga atëherë rregullisht përvjet – Brukselin. Tre vite më pas, pak shumë ka ndryshuar. Miku i tij Xhabiri merr ende pjesë në takime zyrtare nëpër diasporë, e Thaçi fajëson ende Brukselin. Miqtë e tij të tjerë, ndërsa, vazhdojnë të kontrollojnë secilën pjesë të rrjedhave shoqërore këndej. Nga paraja tek tenderomania, nga siguria tek media, nga edukimi tek gjyqësia.

Kërcënimi për revoltë është gjuha më e zakonshme e tij përballë ndërkombëtarëve. Është vetëm falë kërcënimit për jostabilitet që i njëjti njëri është mbajtur faktor në skenën politike këndej. Është mu për shkak të tij, dhe miqve të tij, se pse një vend i tanë mbetet peng i premtimeve të vizave tash e 6 vjet rresht.

“Kampionllëku” në korrupsion i tij, nuk ka vënë në pranga asnjë ministër, as edhe një politikan me nam tash e gjashtëmbëdhjetë vjet. I vetmi proces antikorruptiv që zhvillohet sot, është kundër ish nënkryetarit të partisë së tij për pesëmbëdhjetë vjet rresh; i cili sot një ditë kalon në protestë si alternativë qeverisëse e një ditë tjetër nëpër gjykatore – përshkrim për ndryshe, i mjerimit alternativ të zgjedhësve kosovarë.

Gjykatat e shpejta të tij dhe të partnerëve të tij pa dallim, kanë qenë superefikase në trajtimin e rasteve të kundërshtarëve politik, gazetarëve e refuzuesve të kapjes; por kanë qenë të padëgjueshme ndaj njerëzve të afërt të tij. Njerëzit e afërt të tij, sikurse Xhabir Zharku, ose kanë ikur pasi janë dënuar, ose janë dënuar e kanë vazhduar të mbajnë pozita publike, ose – në rastet e burgimeve – kanë kaluar kohë nëpër dhomat VIP të spitaleve nëpër Kosovë. Në një rast të dhënë, një i burgosur, i presupozuar të ishte në burg, kishte qerasur me drekë një Ministër Drejtësie në Kosovë.

-3-

Një kapje si kjo ka prodhuar stagnim. Stagnim të plotë madje. Ky stagnim, për kthim, ka prodhuar ikje masive e migrim. Sot kosovarët, pas sirianëve e afganistanasve, përbëjnë numrin më të madh të refugjatëve nëpër Evropë. Zyrat Evropiane që kanë trajtuar rastin e liberalizimit të vizave për kosovarët, janë të njëjtat zyra që kanë trajtuar rastet e plot 120 mijë refugjatëve kosovarë atje. Në të njëjtën tavolinë të kërkim-mëshirës pra është shtruar dhe kërkesa për liberalizim.

Stagnimi në anën tjetër ka prodhuar dhe radikalizëm. Kosova, për kokë banori vazhdon të dërgojë më së shumti luftëtarë terroristë në Lindje. Vazhdon pra të shpërfaqet botërisht si vend i pasigurt, i paqetë, i frikshëm.

Gjëja e fundit që një ministër evropian do të donte është liberalizim vizash për një vend të korruptuar, me një klasë politike të gjykuar për krime lufte, me një vend top tre në botë për refugjatë, e top pesë për terroristë për kokë banori. Dhe kjo nuk është tragjedia më e madhe këndej.

Tragjedia më e madhe që kjo shoqëri e jona krijon – apo ka për të krijuar dhe tutje – është paaftësia për t’u çliruar nga njerëzit e njëjtë që në vitin 2010 i premtuan liberalizim vizash e anëtarësim në NATO, e në vitin 2016 i kërkojnë protestë kundër-evropiane. Po këta njerëz, dhe këtu fillon lajmi i keq i yni, do të mbesin në pushtet për një kohë të gjatë. Mbetja e tyre në pushtet do të thotë për secilin tjetër mbetje larg Evropës. Dhe ka dy arsye pse të njëjtë njerëz mbesin në pushtet. E para, për shkak të një LDK-je që nëpërmjet nënshtrimit e interesave rehatuese u zgjati me koalicion artificial vetëm një vit më parë jetën. E dyta, për shkak të një VV-je që me format më të çoroditura të mundshme po arrin paradoksalisht t’i shpërfaqë kapësit e njëjtë si alternativë më pak të rrezikshme.

Kosovarët e getoizuar ndërsa, duhet të konsiderojnë seriozisht gatishmërinë e tyre për të lënë në duar të kapësve fatin e jetës së tyre që megjithatë ikën shpejtë. Sepse, gjashtë vite më parë, edhe Mali e Zi, edhe Serbia e edhe Shqipëria ishin si ne. Sot njëri është në NATO e tjetri në prag; të tre vende kandidate për BE. E ne?

\

No comments: