Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 DHEJTOR 2015
Kosova në dy dekadat e
fundit nuk ka arritur të shfrytëzojë as për së afërmi një përkrahje kaq fondamentale.
As në vitet e para të post-çlirimit, kur elitat tona politike u dhanë mbas
kapjes së vendit në vend të bërjes së tij; as pas pavarësisë kur të njëjtat
elita vazhduan konsolidimin e perandorive të tyre biznesore e ekonomike – për të
prodhuar në fund ngecje, papunësi e varfëri; për të krijuar kështu një Kosovë që
njihet për eksport të refugjatëve në Perëndim e terroristëve në Lindje.
-1-
Më shumë për fat
të mirë se sa meritë, Kosova në dy dekadat e fundit ka arritur të ketë afër
vetes një nga përcaktuesit më të mëdhenj të lirive dhe rrjedhave botërore,
qeveritë e njëpasnjëshme të SHBA-ve. Nga administrata e Bushit të vjetër, tek
ajo e Klintonit, Bushit të ri e së fundmi dhe Presidentit Obama, Kosova vazhdon
të shihet si një projekt i përbashkët i shtetëndërtimit. Ç’është e vërteta, vetëm
falë ndërhyrjeve qenësore – dhe të përsëritshme – të administratës amerikane,
Kosova me mrekulli është shndërruar nga një krahinë autonome në ish-Jugosllavi,
në një shtet të pavarur – në një Republikë; e gjitha për më pak se 20 vite. Kjo
përkrahje nuk amortizon përpjekjet e shqiptarëve nëpër vite; por, thënë të vërtetën
siç është, pa një të tillë përpjekjet tona do të ishin të pafundme, me kosto të
paparashikueshme jetë njerëzish, dhe me gjasën e një topi bore në ferr për të përfunduar
me gjithçka që kemi sot – çfarëdo qoftë ajo. Dhe këto ndërhyrje, siç është
rasti i vijës së kuqe gjatë konflikteve jugosllave, bombardimeve mbi forcat
serbe, e vet deklarimit për pavarësisë – “mjaftë është mjaftë, Kosova duhet të
jetë e pavarur” – shpërfaqin mesiguri përkrahjen më të madhe që ndonjë shtet në
rajon, dhe më shumë, mund të ketë marrë ndonjëherë.
Dhe, më shumë për
fat të keq se sa meritë, Kosova në dy dekadat e fundit nuk ka arritur të shfrytëzojë
as për së afërmi një përkrahje kaq fondamentale. As në vitet e para të
post-çlirimit, kur elitat tona politike u dhanë mbas kapjes së vendit në vend të
bërjes së tij; as pas pavarësisë kur të njëjtat elita vazhduan konsolidimin e
perandorive të tyre biznesore e ekonomike – për të prodhuar në fund ngecje,
papunësi e varfëri; për të krijuar kështu një Kosovë që njihet për eksport të
refugjatëve në Perëndim e terroristëve në Lindje. Imazhi i vendit tonë jashtë,
i krijuar nga një ngatërresë e vazhdueshme politiko-ekonomike brenda, në kohën
më të papërshtatshme të mundshme – pra gjatë shtetndërtimit – i dha hapësirë
dhe komfort shumë edhe një ish të bombarduari për ne, Serbisë pra, që të
konsolidojë veten e të kthejë përkundër të gjitha gjasave përkrahjen e vëmendjen
e shumë qeverive perëndimore.
Kosova do të
vazhdojë të ketë interesin e qeverive amerikane – natyrisht jo me intensitetin
e as nivelin diplomatik të viteve të para të çlirimit e shtetësisë sonë. Kosova
e as Ballkani nuk përbëjnë më as për së afërmi prioritetet e politikëbërjes ndërkombëtare.
Janë regjione të tëra, shtete të tëra me konflikte aktuale e me rrezikshmëri tjera
shpërthimi gjithandej nëpër botë që kanë këtë vëmendje. Natyrisht se gjëja e
fundit që neve do të na duhej është vëmendja për shkak të konfliktit e
rrezikshmërisë. Kosova është me fat pra që ka kaluar një periudhë të tillë. Por
gjëja e parë që na duhet, është që të kemi vazhdimësi të kësaj mbështetje. Dhe
këtu bëhet i rëndësishëm konfirmimi i saj nga sekretarit amerikan i shtetit
Kerry gjatë vizitës së kësaj jave. Mos të harrojmë, për Kosovën që ende gjendet
në hapat e saja të para të republikanizmit, rikonfirmimi i sovranitetit dhe
shtetësisë është fondamental. Është fondamental jo vetëm për ekzistencën e
shtetit tonë por edhe për konsolidimin ndërkombëtar të saj – nëpërmjet anëtarësimeve
pra; ku dhe, siç u rikonfirmua sërish, do të fokusohet tutje politika e jashtme
e SHBA-ve në relacion me Kosovën.
-2-
Vizitat dhe
pritjet që palët qeveritë amerikane i kanë bërë politikanëve kosovarë, këndej
janë parë rëndom në dy dioptri. Në të parën, janë futur gjithnjë ata që kanë
qenë në pushtet, e të cilët, për qëllime ekskluzivisht elektorale, e kanë
transformuar mbështetjen institucionale e Republikane në mbështetje individuale
e partiake. Një fotografi me ta andej, një mijë të zeza e veprime
antidemokratike këndej. Hiq ndryshe nuk ndodhi as këtë herë. Në ditën e dytë
pas takimit përplot mesazhe për luftim të korrupsionit, zëvendësministër u
emërua një ish i shkarkuar për korrupsion.
Në të dytën, janë
futur rëndom opozitarët, të cilët pak nga padituria e shumë nga bindjet
ideologjike, kanë ndërlidhur vazhdimisht pushtetin me shtetin – dhe kështu, një
përkrahje shtetërore kanë provuar ta devalvojnë duke e ndërlidhur atë me klasën
politike lokale. Rrjedhimisht, rreshtimin me politikën amerikane e kanë
emërtuar si kolonializëm e neoliberalizëm, ndërsa përkrahësit e këtij rreshtimi
si servil. Kaq dinë.
Por përtej dy
pikëpamjeve si këto, them se qëndrimet specifike të diplomacisë amerikane duhet
shtruar në një platformë të tretë – në një platformë të ecjes sonë të
mëtutjeshme – siç dhe do të duhej të ishte gjatë gjithë kohës normalisht. Pjesë
e kësaj platforme ishin edhe mesazhet specifike të dhëna gjatë vizitës në fjalë;
jashtëzakonisht specifike madje. Nga to, do të provoj t’i rrumbullakojë tre
sosh.
I pari, dhe më i
rëndësishmi, se siguria dhe sovraniteti i pavarësisë sonë mbeten të garantuara
nga një forcë kryesore e rrjedhave globale. Rrjedhimisht, të gjitha paranojat
që i dëgjon njeriu shpesh këndej mbi rrezikun luftarak të Kosovës – paranoja që
më pas bëhen arsye për zhbërje të Republikës dhe bashkimin e saj me një shtet
tjetër – mbesin të paqena; është investuar shumë për ta lënë në rënie të lirë u
tha. Një konfirmim i sovranitetit dhe sigurisë sonë do të duhej të na jepte jo
rahati për të bërë punët tjera shkel e shko, as për të pritur mrekulli nga jashtë,
e edhe më pak për të vazhduar me avazin e vjetër, por do të bënte një bazë të
mirë mbi të cilën projektohet më pas zhvillimi i shtetit dhe shtetësisë sonë.
I dyti, se pa një
luftë të hapur, të drejtë dhe të papardon ndaj korrupsionit, keqpërdorimeve e
vet kapjes, Kosova nuk do të ketë asnjëherë bazë për tërheqjen e investimeve
nga jashtë; përfshirë dhe kthesën – siç u tha – në orientimet ekonomike drejt
Perëndimit e krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë. Kërkesa
si këto, ndonëse duken të rëndomta e të shpeshta, përbëjnë padyshim një
standard të ri të vënë para shoqërisë kosovarë që domosdo duhet kapërcyer një
ditë.
I treti, dhe shumë
aktual, se për aq kohë sa arrijmë të kërkojmë ruajtje të sovranitetit dhe për
aq kohë sa arrijmë të dëshmojmë se marrëveshjet me Serbi nuk janë brenda këtij
sovraniteti, do ta kemi një aleat të fuqishëm në krah. Për këtë pikë na duhet
dialog e unitet; na duhet, mbi të gjitha, përafrim të qëndrimeve.
-3-
Mesazhi i tretë
ishte pra i ndërlidhur me marrëveshjet e fundit të Kosovës me Serbinë dhe me
Malin e Zi, si dhe me refleksionin opozitar ndaj tyre. Siç dhe pritej, siç dhe
kishim diskutuar vazhdimisht këndej, mjetet e zgjedhura të opozitës mbeteshin të
papranueshme. Dhuna, gazi e kërcënimi në parlament, nuk kishin vend në
perceptimet e politikës zyrtare amerikane. Dhe janë mu qëndrimet si këto që i
japin validitet predikimeve se me një opozitë si kjo, pushtetet e deritanishme
do ta kenë gjatë. Para anarkisë edhe pushtetet më të dobëta mbesin të
preferuara. Një opozitë e dhunshme si kjo, e bindur marrëzisht në qëllime të
axhamive revolucionarë – një grusht sosh madje – e vendosë një kauzë tërësisht
valide në plan të dytë. Në plan të parë mbetet tash gazi lotësjellës. Alamet
arritje.
Por kritika ndaj
opozitës, nuk guxon të përkthehet në dhënie zemër për pozitën dhe rrjedhimisht
vazhdim me avazin e vjetër; përkundrazi. Nëse asgjë tjetër, kërkesa për dialog të
brendshëm dhe përafrim të qëndrimeve vë në nivel krejtësisht të ri qasjen kosovare
për dialog të jashtëm. Pra mesazhi i sekretarit Kerry e vë si domosdoshmëri pajtueshmërinë
e brendshme dhe vet unitetin politik, si parakusht për relacione të jashtme –
diçka tërësisht e neglizhuar nga liderët kosovarë në procesin negociues deri më
tani.
Nëse gjetja e
gjuhës së përbashkët, nëpërmjet dialogut, është kërkesë – atëherë e njëjta
duhet të vlejë dhe për trajtimin e mëtutjeshëm të marrëveshjeve në fjalë. Mbi këtë
bazë, një pushtet i përgjegjshëm do të trajtonte jo vetëm pikëpamjet e kundërshtarëve
partiak, por edhe të të gjithë zërave jashta-opozitarë. Pra ka një pjesë të
madhe të shoqërisë sonë, që me argumente plot kanë ngritur shqetësimet mbi marrëveshjet
e arritura si cenuese të sovranitetit për të cilin morëm garancë. Dhe trajtimi
i një pushteti të përngjeshëm ndaj brengave si këto, ka vetëm një rrugë; mosinfluencimin e
interpretimit kushtetues të tyre.
Dhe ky
mosinfluencim natyrisht nuk bëhet nëpërmjet dërgimit në Kushtetuese të një
militanti partiak nga lista zgjedhore – e pritjes së verdiktit të tij e saj –
por nëpërmjet dialogimit për gjetjen e kandidatëve profesionalë e të pandikuar
politikisht për të dhënë një verdikt profesional të kushtetueshmërisë së marrëveshjeve
në fjalë. Në përgjigje të kësaj përgjegjësie, një opozitë po aq e përgjegjshme
do të pajtonte kthimin në Parlament, zgjedhjen me dialog të anëtarëve të mbetur
të Kushtetueses – dhe pritjes përfundimtare të vendimit të saj.
Sepse është
interes edhe i pozitës edhe i opozitës, që mbi një kornizë mbështetëse si kjo e
vënë qartë këtë javë, të gjejmë zgjidhje që ruajnë funkcionalitetin kushtetues
dhe republikan tonin. Është në interes të të dyja palëve, që një përballje të
brendshme ta përkthejmë në një fitore të përbashkët. Zgjidhja e kontesteve, edhe
një herë pra, fillon me interpretimin profesional, të pavarur dhe apartiak nga
Kushtetuesja.
No comments:
Post a Comment