Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 DHJETOR 2015
E pasja e
shtetit bën brengën time më të madhe sa herë që neo-fashistë e shpifës zyrtarë
serb parakalojnë këndej. Vijnë, provokojnë, ofendojnë dhe kthehen sërish pa
asnjë konsekuencë; as edhe një veprim. Thuajse këtu nuk ka shtet. Thuajse ky
shtet nuk ka ndjeshmëri. Thuajse kjo tolerancë e jonë është borxh ndaj tyre. Më
nuk e di e nuk mund të dalloj se kush është viktimë e kush kriminel.
-1-
Vladimir
Lazareviq, ishte dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte të kryera ndaj
shqiptarëve në Kosovë me 10 vite burgim. Javën që shkoj, pas përfundimit të
dënimit, Lazareviq ishte kthyer në Serbi – si hero kombëtar. Kriminelin e dënuar
e kishin pritur me ceremoni zyrtare Ministri i Drejtësisë Aleksandar Vulin, që
qëllon të jetë një neo-fashist e shëtitës i zakonshëm i rrugëve të Kosovës;
urrejtje-nxitës pa takt. Ky ministër, i një shteti kandidat evropian – në i
thoshin ashtu – shoqërohej nga kryegjenerali i ushtrisë së një shteti kandidat;
e që qëllon të jetë sërish i akuzuar me një dosje 400 faqëshe për krimet në
Kosovë – dhe i dekoruar së fundmi me medaljen e Urdhrit të Lartë presidencial në
Serbi. Shoqërimi i të dyve sigurohej edhe nga Ministri i Mbrojtjes, prefekti i
Komunës së Nishit dhe nga përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe – një kombinim
i zakonshëm historik, gjithsesi fatal, i qindra mijëra jetëve në Ballkan.
Kështu,
Serbia, një vend kandidat i BE-së, bëri të pabërën – jo për herë të parë tanimë.
Ajo, si asnjë vend tjetër këndej, nëpërmjet heroizimit zyrtar të krimineleve të
luftës, u solidarizua e u bashkua me vrasësit. U bë një. Nuk u pendua, nuk u
distancua, u bashkua. I trajtoj heronj kombëtarë. Cili vend evropian, cili
shtet normal sillet kështu? Dhe nuk po flas për solidarizim individual; po flas
për solidarizim e pritje shtetërore – për trajtim zyrtarë pra.
Reagimi?
As edhe një. Bashkimi Evropian, që rëndom tregon ndjeshmëri të tepruar edhe
ndaj vjedhjeje të ndonjë biçiklete në një fshat serb diku në Kosovë, nuk dha as
edhe një mendim, as edhe një shënim, as edhe një deklaratë për një akt që
ndodhte zyrtarisht në një vend kandidat të saj. Tregoj sërish, disbalancin e gërditshëm
që në vazhdimësi po mbanë kur bëhet fjalë për relacionet Kosovë-Serbi.
Në
anën tjetër, Qeveria e Kosovës vazhdoj me të njëjtin avaz – me mos bërjen e gjëje
prej gjëje. Tregoj e ritregoj se ajo tashmë ka humbur ndjenjën e reagueshmërisë
e sensit për gjithçka që ndodhë këndej; është e pa energji. Nuk ka as më të
voglën ide si të sillet rrjedha që prekin sovranitetin e integritetin e
popullit të vet. Nuk ngriti as edhe një notë protestë, nuk alarmoj asnjë
mekanizëm evropian, nuk reagoj as vet; e kaloj, një skandal që prekte pra
viktimat e saj – një pjesë ende të pagjetur e të zhdukur madje – si hiçgjë.
-2-
Dhe
si hiçgjë u trajtua edhe vizita e përfaqësuesit të të njëjtit shtet në Gorazhdec
– Marko Gjuriq. Drejtori i Zyrësë për Kosovën, e trajtoj një sulm, për të cilin
asnjë konfirmim zyrtarë nuk kishte dalë ende, si sulm terrorist. Për këtë akt
terrorist, i njëjti, i mbante përgjegjës politikanët kosovarë.
Në
secilin vend e shtet tjetër, minimalisht normal, me minimalisht integritet
nacional, me pak mburrje e shumë guxim, një zyrtarë i tillë, nuk do të shkelte
më në Kosovë. Një trajtim madje i tillë, as që do të ndodhte në rend të parë.
Sepse, në rend të parë, në vendin e ngjarjes do të duhej të ishin prokurorë,
policë e politikanë tjerë kosovarë; do të duhej të ishin njerëz që i trajtojnë
fillimisht qytetarët serb si të tyre, e më pas një rast kaq të paqartë me plot
seriozitet.
Sepse,
të mbesim të sigurt, se një rast si ky do të përmendet për vite të tëra në
secilën mbledhje të Këshillit të Sigurimit, e në secilin fjalim të neo-fashistëve
zyrtarë serb. Do të përmendet siç vazhdon të përmendet një mbishkrim në muret e
një manastiri serb; ani pse nuk ka asnjë provë se të njëjtin mbishkrim e ka bërë
ndonjë shqiptarë. Nëse asgjë, gjëja më e lehtë është të shkruash në murin tënd.
Do
të përmendet pra secili rast i paqartë, me mundësi të zakonshme edhe inskenimi,
përderisa të tanët nuk do të përmendin asnjëherë, nuk do ta bëjnë të madhe asnjëherë
një pritje zyrtare të një krimineli, një dekorim tjetër të një tjetri, e një shëtitje
të lirë e përplot urrejtje të të tretit. Po dhe në mos qoftë e inskenuar, po në
u bëftë nga shqiptarët trushpëlarë e nacionalistë pa takt, t’i gjejmë e dënojmë
ata. Kështu së paku tregojmë se këndej ka shtet.
-3-
E
pasja e shtetit bën brengën time më të madhe sa herë që neo-fashistë e shpifës
zyrtarë serb parakalojnë këndej. Vijnë, provokojnë, ofendojnë dhe kthehen sërish
pa asnjë konsekuencë; as edhe një veprim. Thuajse këtu nuk ka shtet. Thuajse ky
shtet nuk ka ndjeshmëri. Thuajse kjo tolerancë e jonë është borxh ndaj tyre. Më
nuk e di e nuk mund të dalloj se kush është viktimë e kush kriminel.
Dhe
nuk po flas më për bllokadat e kërcënimet e zakonshme të katër pesë vetëvë në
Veri që bllokojnë një pikë kufitare sa herë që dojnë – ankohen për pagesë të
doganës – shih ti zotërinjtë. Nuk po flas as për ura dheu, që u thonë parqe
paqesh. Spo flas pra për gjëra që sot, pas 16 viteve status-quo, duken vështirë
të arrira. Po flas për një sovranitet e integritet shtetëror gjithandej në
Kosovë. Po flas për një shtet që duhet të tregojë se është gjallë, ka gjak e
energji, dhe në fund është i zot i vetës para një vrasësi të djeshëm e të
papenduar. Dhe nuk duhet shumë mend, punë e angazhim, për të treguar forcën e
Republikës; atë që të zbardhë fytyrën sepse është. Duhet vetëm vullnet. Duhet
pra dëshirë për të shfaqur këtë Republikë e për të mos ecur, në shtëpinë tënde,
me kokë të ulur kurrë.
Për
të gjitha arsyet e mësipërme, relacionet e Kosovës me Serbinë nuk duhet të
vazhdojnë asnjëherë siç kanë ecur deri më tani. Jo se dy-tri ngjarje të fundit
bëjnë ndonjë përndritje të argumentimit, por se ato tashmë nuk po nxisin asnjë
reagim. As politik, as qytetar e tragjikisht as edhe shoqëror. Thuajse nuk
ndodhin fare, thuajse janë të zakonshme e të pritshme. Pse të jenë?
Ky
vend është i topitur ndaj secilit relacion me Serbinë; e merr si të qenë nënshtrimin.
Një dëm si ky duhet të ndërprehet, para se i njëjti të ndërprejë Republikën tonë
– çka do që ka mbetur nga ajo. Tek pasi të ndërpremë ecjen e tanishmë, tek atëherë
mund të konsolidojmë veten, dërgojmë një zë tjetër jashtë – të vetërespektit
dhe domosdoshmërisë për respekt nga ta – dhe tek atëherë mund të vazhdojmë
tutje. Tamam si shtet pra.
No comments:
Post a Comment