Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 NËNTOR 2015
Mbi parandalimin e një rruge të nisur keq
-1-
Para se të nisë me
këtë shkrim, dua ti bëjë të qarta disa shtylla mbi të cilat ndërtohet tutje
argumentimi im këtu. Shtyllat nuk pres të përbihen nga militantë partiakë e
idhnakë shpërthyes nga të dyja palët; por ç’është e vërteta, më së paku mërzitem
për ta. Shtyllat pres t’i shërbejnë diskutimeve të tjera, të kokave të ftohta,
tek të cilët kam njëmend shpresë se mund të kapërcejnë këtë moment të rëndë për
vendin. Të njëjtat shtylla, natyrisht, do të duhej të shërbenin në secilin
diskutim tjetër publik që bëhet sot rreth krizës e përplasjeve të fundit
politike në vend.
Dhe shtylla e
parë, më e rëndësishmja, është se vlerësimi e kritika ndaj njërës palë, nuk
nënkupton domosdo rreshtimin me palën tjetër. Shtylla e dytë, se vlerësimi e
kritika e dhënë ndaj të dyja palëve, nuk nënkupton neutralitet; nënkupton
refuzim të të dyja palëve. Shtylla e tretë, se vlerësimi e kritika e dhënë ndaj
njërës apo të dyja palëve, mbanë fuqi sipas argumentit të shtuar e jo sipas
paragjykimeve mbi motivet e kritikëdhënësit.
Thënë kështu,
kritika ndaj opozitës nuk është rreshtim ndaj pozitës; siç dhe s’është rreshtim
ndaj opozitës kritika e dhënë ndaj pozitës. Gjithashtu, mund të jetë normale, shumë
normale madje, se të dy rrugët e zgjedhura nga pozita e opozita janë të gabuara,
rrjedhimisht si të gabuara që janë duhet të refuzohen; jo për të bërë një
referim mesi, por të kërkuar një rrugë të tretë. Dhe, po aq e rëndësishme, se
një argument i mirë mund të shtrohet edhe nga një individ puro partiak, nga një
gazetarë, intelektual apo mendimtar – rrjedhimisht, i njëjti duhet të trajtohet
vetëm si argument i mirë pavarësisht se kush e jep. Deri më tani, më shumë janë
marrë me argument-dhënësit se sa me vet argumentin.
-2-
Mbi shtyllat
diskutuese më lartë, dua të ndërtojë dhe disa bindje të mija; që vijojnë pak a
shumë diskutimet e deritanishme që i kam bërë mu në këto kolumne.
E para, dhe më e rëndësishmja,
se Asociacioni i Komunave Serbe, përbën një autonomi të gjerë për minoritetin
serb në Kosovë; autonomi që mund të përdoret për të parandaluar zhvillimin
politik e ekonomik të Republikës. Kjo për faktin se minoriteti serb këtu, i përfaqësuar
nga struktura e tanishme politike – e që në thelb është Qeveria e Beogradit –
nuk ka intencë të pranimit, trajtimit e kontributit të e ndaj Republikës (as
pas marrjes së kësaj autonomie) por ka intencë të zhbërjes së saj. Mbi të
gjitha, trajtimi etnik i pozitave publike, që derivon nga “Marrëveshja e
Prillit”, nuk ka gjasë të trajtohet brenda kornizës së vlerave evropiane,
rrjedhimisht nuk ka gjasë të kalojë nëpër asnjë gjykatë evropiane po u drejtua
si lëndë ndonjëherë. Në momentin që një pozitë publike është përjashtuese për
një etni tjetër – në një sistem multietnik – atëherë kemi të bëjmë me trajtim
racist e anti-evropian. Precedenti është krijuar tashmë në rastin e Bosnjës, saktësisht
në rastin “Sejdic dhe Finci kundër Bosnje e Hercegovinës”; trajtuar në Dhomën e
Lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut. Për trajtim të mëtutjeshëm
të asociacionit dhe relacioneve minoritare me Kosovën, kam shkruar – së fundmi
– në dy kulumnat e muajit gusht, përkatësisht në temat “Mbi serbët dhe Republikën”
dhe “Mbi Asociacionin dhe postasociacionin”.
E dyta, dhe po aq
e rëndësishme, se i gjithë procesi dialogues i Kosovës, në formatin e bërë deri
më tani, nuk ka sjellë produkte që fuqizojnë Republikën; as si shtrirje
territoriale e juridike brenda territorit, por as në subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
Çfarë procesi i deritanishëm ka bërë, është se ka shtyrë për një afat të
pacaktuar adresimin e problemeve etnike e integruese në vend – veçanërisht ato
të veriut – si kompensim i një Asociacioni autonom që në esencë mbetet me qëllime
kundër-Republikane. Dhe se, njëkohësisht, nuk ka avancuar pozitën e Kosovës në
arenën ndërkombëtare. Stagnimi i vet Serbisë përballë Kosovës, dhe stagnimi i
Kosovës përballë institucioneve ndërkombëtare, është tregues i mjaftueshëm për
dobësitë e gjithë këtij formati. Ngjarjet e fundit dhe zërat evropian madje që
kërkojnë rishqyrtim, i kanë hapur një derë të riformatizimit të dialogut për Qeverinë
e Kosovës; mosshfrytëzimi i cilët për mua mbetet me plot habi. Për dialogun,
natyrën dhe rezultatet e tij, kam shkruar shumë tash e katër-pesë vite.
E treta, se
identifikimi i problemit, nuk nënkupton me automatizëm dhe përshtatjen e secilës
zgjidhje ndaj tij. Sepse, ka zgjidhje që jo që nuk zhbën problemin, por përkundrazi
fuqizon burimet e tij. Në këtë frymë, për mendimin tim, bien dhe të gjitha
aktet e dhunshme, jodemokratike e të pamatura të opozitës që po zhvillohen në
Parlament e rrugë në të njëjtën kohë. Bllokimi i Parlamentit, sulmet ndaj
deputetëve, dhunimi i policisë, kërcënimi me komandantë – e në fund dhe mobilizimi
i huliganëve për të sulmuar të gjithë, përfshirë dhe qytetarë në rrugë e në punë;
jo që nuk ka për të bërë zgjidhje, por ka për të fuqizuar dhe më shumë klasën
politike që ka sjellë Kosovën në këtë momentum. Opozitarët vazhdojnë të na shpërfaqin
dhunën e tyre si alternativë më pak të dëmshme ndaj marrëveshjeve; por, ç’është e vërteta, efektet e saja janë parë vetëm në
largimin e frikësimin e qytetarëve dhe në konsolidimin e klasës aktuale që
formalisht ose joformalisht ka dërguar vendin në rrugën për në theqafje. Pra, në
fund të ditës, dhuna veçse ka legjitimuar reagimin e pozitës, ka legjitimuar
insistimin për Asociacion, dhe me gjithë refuzimin qytetar, ka ringritur në
numra të pabesueshëm më parë të njëjtët njerëz përgjegjës për shumëçka këndej.
Sot, fitues në gjithë këtë ballafaqim, mbetet ish-kryeministri Thaçi. Përfundimisht,
po u vazhdua kështu, dhe kur e gjithë kjo përballje të përfundojë, sido që të përfundojë,
nuk do të ketë as ndryshim të marrëveshjes, as ndryshim të akterëve politik, e
për më keq fuqizim të fajtorëve kryesorë që kanë shkaktuar gjithë këtë hallakamë.
E katërta, se
zgjidhja e problemit, çfarëdo qoftë ai, duhet të bëhet duke respektuar dy
parime të panegociueshme. Parimi i parë, duke respektuar gjithë rrugën
institucionale që të njëjtat parti kanë ndërtuar tash e sa vjet; pa kalimin e kësaj
rruge, asnjë formë tjetër nuk merr legjitimim. Nëse tash pas sa viteve bashkë-parlamentarizëm
na dalin na thonë se asnjë institucion publik nuk ka vlerë, se secila votë e
tyre për të bërë ligje e trupa publik është e papeshë – atëherë i bie se për
gjithë kohën të njëjtit kanë zhvilluar një farsë parlementarizmi, një lojë të
kushtueshme shumë. I kuptoj sinqerisht të gjithë kur shpërfaqin hezitim mbi
kapjen e institucioneve. Jam avokues vet i një kapjeje të tillë, madje, siç dhe
kam argumentuar më parë, vetëm pak muaj më parë të njëjtat institucione shërbyen
në sjelljen e vendimit më jodemokratik të mundshëm; të suprimimit të shumicës
nga pakica – në rastin PDK versu VLAN. Por them gjithashtu, se për shkak të një
rasti në të shkuar, nuk mund të refuzojmë secilin institucion ne të ardhmen. Kështu
nuk do të kishte më asgjë kuptim; asgjë prej shteti natyrisht. Parimi i dytë,
ndërsa, se vendimet këndej, në një shtet të lirë e demokratik – dhe kjo ka shumë
rëndësi për ata që qëllimisht ose jo e krahasojnë kohën e Republikës me kohërat
e regjimeve serbe në Kosovë – pra, një shtet i tillë, vendimet i merr me shumicë.
Veç me shumicë. Dhe shumica ka shumë kuptime. Nuk po flas vetëm për shumicën
parlamentare që pozita ka qejf ta theksojë shpesh. Shumica mund të jetë e
parlementarëve, vendimarrësve në Kushtetuese apo dhe qytetarëve. Ka mekanizma
mjaftueshëm për të matur këtë shumicë. Nga vota në Parlament e deri tek përkrahja
në një protestë – deri tek vota në fund; si mjet përfundimtarë.
-3-
Mbi shtyllat dhe
bindjet e dhëna, do të nxjerrë disa përfundime.
Të gjithë ata që
shohin Asociacionin si të dëmshëm dhe dhunën – e secilin mjet tjetër të mundshëm
– si mjet të vetëm; madje dhe habiten se si të tjerët nuk ndjekin një rrjedhë të
tillë konkludimi, janë rrënuesit më të mëdhenj të kauzës. Të tillë, euforik, përjashtues
të secilës formë tjetër janë njëkohësisht dhe bartësit e kësaj rënie opozitare;
largues të gjithë përkrahjes qytetare, dhe në fund, mbështetës të pavetëdije të
vet Asociacionit. Se si nuk i shohin këto, të tjerë koka të ftohta aty, është përtej
aftësisë shpjeguese të mija. Pra, dhuna ka alternativë, dhe dërgimi i procesit
deri në fund, deri në matjen e pajtueshmërisë mbi Asociacionin ose jo, ka gjithashtu
alternativë. Sepse ky duhet të jetë dhe qëllimi; matja e pajtueshmërisë
qytetare mbi këtë problem. Në fund të ditës, vetëm mendimi qytetarë ka për të bërë
verdiktin final. Arritja deri tek kjo matje është e mundur; do të flas më vonë
për këtë.
Të gjithë ata që e
shohin Asociacionin si jo të dëmshëm, por që numrat parlamentarë si zgjidhje të
trajtimit të kësaj problematike, sërish e kanë gabim. Në shoqëritë demokratike,
momentumet e reja, të rëndësisë kushtetuese pra, kërkojnë pajtueshmëri
nacionale e cila sigurohet me votë të re ose me mendim referendumi. Dhe mos të
harrojmë, vetëm vota e re, mund të legjitimojë edhe një vendim për
Asociacionin. Nëse pas të gjitha argumentimeve, qytetarët e këtij vendi
vullnetarisht, pra me mendim të lirë, konsiderojnë Asociacionin si të përballueshëm,
atëherë insistimi për refuzim nga opozita mbetet i pakuptimtë; e insistimi për
vazhdim nga pozita bëhet plotësisht legjitim. Në ndërkohë, pa këtë votë, dhe me
këtë momentum të ri post-nënshkrues; veçanërisht me një pakënaqësi opozitare që
duhet megjithatë të ketë trajtim, insistimi për refuzim dialogimi dhe vazhdimi
i përballjes deri në fund, është shkatërrues për Republikën. Në fund, pasi të
ketë përfunduar gjithçka, mund të mos ketë opozitë, por do të mbetet më së paku
Republikë.
Të gjithë ata që
mendojnë se përkrahja ndërkombëtare e Kosovës është e parëndësishme për vendin,
sikurse të gjithë ata që mendojnë se mendimi ndërkombëtar është i ngurtësuar përjetësisht,
kanë ide minimalisht të relacioneve e rrjedhave politike. Pra ka një mes në
sjelljet me ndërkombëtarët, përfshirë dhe kërkesat e tyre të “shkopit e karrotës”;
por të cilat mund të maksimizohen vetëm me një unitet nacional. Përderisa përballë
tyre, në gjithë këtë proces shtetëformues, mbesim të ndarë, do të marrim më së
paku.
-4-
Dhe zgjidhja nisë
nga refuzimi i të dy rrugëve; zgjidhja nisë në rrugën e tretë. Në momentin e
parë që Presidentja ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, dhe për më tepër,
në momentin që po kjo Gjykatë ka pezulluar marrëveshjen mbi Asociacionin;
opozita do të duhej ta kishte kuptuar arritjen e fitores së parë; jashtëzakonisht
të madhe madje. Mbi këtë fitore, kjo opozitë do të duhej të kishte ndërprerë
dhunën, do të kishte konsoliduar percepcion publik, e mbi të gjitha, do të
kishte hapur derë për një rrugë të re debati me palën tjetër për parandalimin e
ndonjë konfrontimi eventual në të ardhmen. E gjitha, do të bëhej në kohën që
Asociacioni do të mbetej i pezulluar; pa humbur asgjë. Mosshfrytëzimi i kësaj
mundësie, i kësaj rruge të tretë, nga gjitha atë që vetëm dhunën shohin si
alternativë, mbetet i pashpjegueshëm.
Sërish,
kredibiliteti i një Gjykate që vetëm një vit më parë kishte parandaluar shumicën
të bëjë qeverinë, mbetet i ulët; por së paku, shterrja e gjithë rrugëve
institucionale forcon argumentin opozitarë. E forcimi i argumentit ka shumë rëndësi,
sepse, siç dhe shihet tashmë, pa një të tillë opozita mbetet në rrugë me një
grusht militantë; pa qytetarë e pa përkrahës të tjerë që megjithatë kanë të njëjtat
brenga.
Në po këtë moment,
pozita gjithashtu do ta kishte parë një mundësi të re rishqyrtimi edhe të
zgjidhjes së problemit; por, pse jo, pas gjithë rrjedhave ndërkombëtare e
refuzuese për anëtarësimet e Kosovën, të ndërtojë një koncenzus nacional që do
të shërbente si mjet i ri negociues me ndërkombëtarët fillimisht, e më pas dhe
me Serbinë. Natyrisht se në rast të verdiktit refuzues, pozita do të merrte një
goditje të rëndë publike; por kjo është brenga më e vogël që vendimmarrësit
duhet të kenë aty.
Por çfarë ndodhë
sikur refuzimi i Asociacionit – siç është tani – të mos ndodhë nga
Kushtetuesja? Çka nëse Kushtetuesja, për shkak të kapjes, apo thjeshtë për
shkak të një argumentimi që kundërshton bindjet refuzuese, përfshirë dhe ato që
i provova ti shtroj këtu, konsideron të trajtoj Asociacionin si Kushtetues.
Këtu ka tri
alternativa. E para, që pozita të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, për
t’i ikur përplasjeve të mëtutjeshme; dhe për të shfrytëzuar refuzimin qytetar
ndaj mjeteve të opozitës. Këtu, veçse, do të krijohej një precedant i ri, ku
dhuna parlamentare e pakicës, përkundër një teme që merr legjitimitet të
organeve më të larta kushtetuese, dëshmohet mjet i suksesshëm; alternativë e
mirë për secilin rast tjetër.
E dyta, që opozita
të vazhdojë me dhunë – me të gjitha mjetet. Në këtë pikë, të gjithë përkrahësit
ndërkomëbtarë, ata diplomatik nëpërmjet ambasadave dhe ata ushtarak nëpërmjet
KFOR-it, do të shtyjnë përfaqësuestit e Republikës në arrestimin e ndalimin e
secilit dhunues të institucioneve. Me këtë do të testohet edhe aftësia e
institucioneve në ekzekutimin e vendimeve ndaj njerëzve të fuqishëm në vend. I
gjithë ky proces natyrisht se do të shtojë përplasjet; deri në bërjen e viktimës
së parë. Pjesa tjetër nuk ka më rëndësi. Do të jetë lëmsh.
E treta, që opozita,
përkundër refuzimit të Kushtetuesës, të argumentojë mbi motivet e kapjes e të kërkojë
përkrahje qytetare. Kjo përkrahje duhet të bëhet jo me dhunë, por duke bërë pikërisht
të kundërtën e dhunës; me shumë qetësi.
Tubimet e qeta dhe të pandërprera, refuzimet e pjesëmarrjeve Parlamentare, pra
bojkotimet e jo bllokimet, konsolidimi i refuzuesve e shfaqja e një fytyre
krejt tjetër, më të sigurtë për qytetarët, më bindëse për votuesit, mund të
nxisë përkrahje – nëse përkrahjen kanë ndonjëherë qëllim këta. E nëse përkrahja
nuk vjen as atëherë, dhe kjo ka shumë rëndësi, atëherë kauza mbetet e humbur përkohësisht,
por mund të adresohet sërish; kur kjo opozitë të vjen në pushtet. Atëherë të
angazhohet për ndërtimin e alternativës politike, që përbën edhe rishikimin e
marrëveshjes gjithsesi, të angazhohet për zgjedhje të reja; që janë vetëm dy
vjet larg.
Por pikënisja e
tanishme, gjithsesi, është pranimi i trajtimit nga Kushtetuesja nga të dyja palët;
dhe ulja për një koncensus nacional se si të vazhdohet më tutje, pas vendimit të
saj.
No comments:
Post a Comment