Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 DHJETOR 2015
Po të kishim pak
vullnet për unitet e mbarësi, që nga nesër një ekip i ri uniteti do të krijohej
në Kosovë – për të bartë tutje me një
platformë të re për secilin negocim ndërshtetërorë me Serbinë.
-1-
Siç
dhe ishte pritur, siç dhe ishte thënë shumë herë, disa nga parimet e marrëveshjes
për Asociacionin, kishin prekur në thelb karakterin multietnik të Kosovës – e
tha Gjykata Kushtetuese e Kosovës këtë. Njëetniciteti i paraparë me marrëveshje
pra, ishte kundërkushtetues. Me të, kundërkushtetues do të jetë secili veprim i
shkuar apo i tashëm që mbështetet në marrëveshjen në fjalë – siç është nënshkruar
pra.
Një
verdikt i tillë bën dy lajme të mira për vendin. I pari, se, pavarësisht
insistimit e garancisë blanko (natyrisht të gabuar) të shtytësve të padëgjueshëm
e kokëfortë të pozitës, një marrëveshje e tillë – në formatin e dhënë të saj – është
e gabuar, kundërkushtetuese pra, rrjedhimisht nuk mund të jetësohet asnjëherë. Dhe
kjo bën një lajm të mirë për vendin; lajm jashtëzakonisht të keq për
kredibilitetin e mbështetësve të saj që për katër muajt e fundit nuk reshtën së
shprehuri se secila shkronjë e secila frymë e marrëveshjes ishte Kushtetuese.
Megjithatë nuk është.
I
dyti, se, pavarësisht insistimit apriori e paragjykues të revolucionarëve anti-Kushtetues
këndej; të atyre që Kushtetutën dhe interpretimin e saj e shohin si meny
ushqimi e zgjedhjes, zgjidhja e problematikës së krijuar erdhi pastër nga një
institucion i Republikës – nga vet Kushtetuesja; jo nga rruga, jo nga gazi, jo
nga përmbysja. Thjeshtë, pastër, siç do të duhej të vinte gjithëherë –
institucionalisht pra.
Kështu,
në skenarin më të mirë të mundshëm, përkundër të gjitha gjasave, u ngjall –
ringjall më mirë të themi – një mekanizëm sigurie që një vit më parë, gjatë
verdiktit për të drejtën e pushtetit kishte vdekur. Dhe kjo ringjallje erdh në
kohën më të nevojshme të mundshme të vendit; në parandalimin e një trupi
antievropian; antirepublikan.
-2-
Për
rrëzimi e parimeve të marrëveshjes mbi bazën e njëetnicitetit nga Kushtetuesja
– e jo ndryshe – kisha shkruar shpeshherë. Saktësisht një muaj para vendimit,
pra më 23 Nëntor të këtij viti, në po këtë kolumne të përjavshme (shih
“Theqafja”) kisha shprehur bindjen se parimet e marrëveshjes ishin racistë; dhe
se, pavarësisht natyrës së marrëveshjes, zgjidhja e vetme mbetet pritja e
interpretimit.
Për
të parën kisha thënë se “...mbi të gjitha, trajtimi etnik i pozitave publike,
që derivon nga Marrëveshja, nuk ka gjasë të trajtohet brenda kornizës së
vlerave evropiane, rrjedhimisht nuk ka gjasë të kalojë nëpër asnjë gjykatë
evropiane po u drejtua si lëndë ndonjëherë. Në momentin që një pozitë publike
është përjashtuese për një etni tjetër – në një sistem multietnik – atëherë
kemi të bëjmë me trajtim racist e antievropian. Precedenti është krijuar tashmë
në rastin e Bosnjës, saktësisht në rastin “Sejdic dhe Finci kundër Bosnjë e
Hercegovinës”, trajtuar në Dhomën e Lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejta
të Njeriut."
Për
të dytën ndërsa se "...zgjidhja e problemit, çfarëdo qoftë ai, duhet të
bëhet duke respektuar gjithë rrugën institucionale që të njëjtat parti kanë
ndërtuar tash e sa vjet; pa kalimin e kësaj rruge, asnjë formë tjetër nuk merr
legjitimim. Pikënisja e tanishme, gjithsesi, është pranimi i trajtimit nga
Kushtetuesja nga të dyja palët dhe ulja për një konsensus nacional sesi të
vazhdohet më tutje, pas vendimit të saj."
-3-
Interpretimi
kushtetues trason një kornizë të re zhvillimesh, që duhet të rrjedhin natyrshëm
në muajt në vijim. Në relacion me Asociacionin, Qeveria është e obliguar që
secilin zhvillim statutor të saj ta zbatojë jo konform një marrëveshje që përmban
elemente e frymë kundër-kushtetuese, por kundër një listë të re parimesh që
largohen nga parapraket. Për këtë, javët dhe muajt e tjerë rreth hartimit të
statutit të saj janë vendimtare. Sepse, do të jetë natyra e këtij statutit që
do të përcaktojë edhe natyrën e Asociacionint e interferencës së tij me rendin
tonë.
Ky
element, kaq i rëndësishëm, prek në thelb problematikën e Asociacionit. Sepse,
Asociacioni nuk ka qenë asnjëherë problematik për ekzistencën e tij konfrom
rregullativës së tanishme Kushtetuese; madje është paraparë si i tillë edhe me
Pakon e Ahtisaarit; Pako e inkuadruar tashme në Kushtetutë. Problematikë ka qenë
kapërcimi i këtyre të drejtave mbi bazën e thyerjes së karakterit multietnik të
Kosovës. Dhe në momentin e parë që Gjykata Kushtetuese nuk lejon thyerjen e
multietnicitetit, atëherë secila alternativë tjetër është më e sigurtë – domosdo
më e lehtë. Asociacioni, sikur Qeveria të dojë tani, mund të kthehet njëmend në
një institucion tërësisht irrelevant për rrezikun kushtetues të vendit. E TËRA Çfarë
duhet bërë është shmangja nga parimet e nënshkruara që nuk janë Kushtetuese.
Këtu
duhet pasur parasysh se pavarësisht vendosjes së kornizës së re, Kushtetuesja
nuk detyron Qeverinë të rinegociojë marrëveshje të re në Bruksel. Sheh, sipas
interpretimit të saj, disa parime e elemente të tjera – nëse termi “disa”
mbetet masë – brenda frymës Kushtetuese të Kosovës.
-4-
Në
relacion me skenën politike vendore, interpretimi Kushtetues – në një ambient
normal natyrisht – do të duhej të shërbente si derë e hapur për palët, për të
kapërcyer përplasjet e gërditshme, të rënda e të dëmshme politike tash e gjysmë
viti.
Interpretimi
natyrisht vë në dyshim kredibilitetin e Qeverisë. Pyetje të reja do të ngrihen
në ditën në vijim, fillimisht për kredibilitetin e saj për të implementuar
tutje Asociacionin, e më pas edhe për të negociuar tutje me. Çfarë sigurie mund
të ketë nga nënshkrimi i marrëveshjeve me parime kundër-kushtetuese në fund të
ditës. Dhe jo, marrëveshja nuk është paraparë të dërgohet asnjëherë në
Kushtetuese pra; Statuti i Asocociacionit e Dekreti Qeveritar për formimin e
tij po. Sikur marrëveshja nuk do të dërgohej në Kushtetuese nga Presidentja,
Kosova do të mund të përfundonte me një trup konform parimeve kundërkushtetuese
lehtë.
Por
pavarësisht të gjithave, them se verdikti i ri hapë rrugë për marrëveshje të re
politike; do të ishte absurde tanimë vazhdimi i përplasjeve për Asociacion.
Verdikti gjithashtu hapë rrugë për ridizajnim të politikës së jashtme të Kosovës
ndaj Serbisë – veçanërisht pas një agresioni të gjithëanshëm të palës tjetër për
të penguar Republikën tonë, e pas një dështimi total të politikës sonë të
jashtme për të marrë përfitime nacionale nga një proces i tillë. Po të kishim
pak vullnet për unitet e mbarësi, që nga nesër një ekip i ri uniteti do të
krijohej në Kosovë – për të bartë tutje
me një platformë të re për secilin negocim ndërshtetërorë me Serbinë.
No comments:
Post a Comment