Letra nga limbo
KOHA DITORE, NUMRI FESTIV 2015
Republika, siç
do duhej të ishte nga nesër.
Në
ditën e parë të punës të vitit të ri, partitë politike kosovare ishin ulur në
tavolinë. Uljes i kishin paraprirë dy procese. I pari ishte interpretimi i
Gjykatës Kushtetuese që i parashihte si kundër kushtetuese disa nga parimet e
marrëveshjes; rrjedhimisht kërkonte me domosdoshmëri ridefinimin e tyre gjatë
hartimit të statutit. Paralel me interpretimin e Kushtetueses, palët kishin kërkuar
mendim edhe nga Komisioni i Venedikut. Vetëm një përputhje e dy mendimeve do
t’i jepte validitet të plotë interpretimit përfundimtar; në të kundërtën, do të
shkohej në zgjedhje – kosovarët do të vendosnin vet. Në të dytin, Qeveria
kishte shkarkuar Komisionin për Demarkacion; në krye të tij kishte lënë vend
hapur për një kandidat koordinimi prej opozite. Pas uljes, palët ishin marrë
vesh – lehtë – rreth përplasjeve.
Në
ditën e dytë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte dalë publikisht
me qëndrim ridizajnues të platformës negociuese me Serbinë. Kishte marrë vendim
se nga tash e tutje, bisedimet do të bëheshin nga një grup i përbashkët e gjithëpërfshirës
kosovar. Gjithçka e arrirë me unitet në procesin dialogues të Vjenës, mund të
vazhdohej e konkretizohej sërish dhe vetëm me unitet në Bruksel. Grupi i ri
negocioues, do të ndërtonte një agjendë të re dialogimi. Në rendet e para të kësaj
agjende nuk do të ishte më riorganizimi i brendshëm i Kosovës nga një pëlqyeshmëri
e Serbisë, por zgjidhja e problemeve dyshtetërore në fushën e të zhdukurve,
pensioneve, dëmeve të luftës, e qëndrimeve politike përballë njëri tjetrit. Kosova
do të shfrytëzonte përfundimisht ngutinë dhe domosdoshmërinë e Serbisë për
anëtarësim në BE, e nuk do të shërbente më si platformë koncesionimi për ecjen
e saj – do të bëhej e kundërta; s’kishte çfarë të humbiste më.
Në
ditën e tretë të punës së vitit të ri, Parlamenti i Kosovës kishte nxjerrë
vendim reciprociteti në relacion me Serbinë. Nga atëherë e tutje, secili
refuzim i pasaportave të Kosovës do të trajtohet me refuzim. Secili
kërkim-ndryshim i targave të veturave do të merrte të njëjtin trajtim. Secili
ndalim për vizitë i politikanëve kosovarë atje, do të ishte ndalim për
politikanë serb këndej. Kosova, në asnjë rrethanë nuk do të pranonte trajtim
gjysmak të shtetësisë së saj; sidomos jo nga një shtet që pretendon aneksimin e
zhbërjen e saj.
Në
ditën e katërt të punës së vitit të ri, një fond investiv për veriun ishte
krijuar. Fondi do të menaxhohej nga serbët lokal dhe do të shërbente për
riintegrimin aktual të veriut. Një pjesë e madhe e mjeteve ndërkombëtare që
vinin në Kosovë, do të derdheshin poashtu andej. Pjesë e aktivizimit ekonomik
të veriut ishte edhe ringritja e Trepçës dhe zhvillimi i zonave turistike rreth
Liqenit të Gazivodës. Banorët lokal, për herë të parë pas gjashtëmbëdhjetë
viteve, do të merrnin përfitimet e para financiare të një shteti të ri – të
presupozuar si i tyre. Rezistenca e grupeve të vogla kriminale-biznesore, të
udhëhequra nga një shtet i huaj e cenues i sovranitetit të Republikës, do të
trajtohej nga forcat e sigurisë të Kosovës; që megjithatë kishin kapacitet të amortizojnë
grupe të tilla lehtë.
Në
ditën e pestë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte dalë me plan një
mujor për përmbushjen e tetë kritereve teknike të liberalizimit të vizave. Të
gjitha agjencitë, organizatat, institucionet legjislative e ekzekutive të ndërlidhura
me tetë kriteret në fjalë, kishin marrë memo të zgjatjes së orarit të punës –
deri në përmbushjen e kritereve. Lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë do të bëhej
domosdo gjatë gjysmës së parë të vitit të ri.
Në
ditën e gjashtë të punës së vitit të ri, Kosova do të kishte përfunduar
negociatat për themelimin e Gjykatës Speciale. Secili pretendim për gjykim të
krimeve të luftës ndaj viktimave civile këndej, do të merrte trajtim meritor.
Në të njëjtën ditë, ndërsa, Kosova do të niste ngritjen e padive ndaj
kriminelëve serb në Kosovë; ndaj individëve e strukturave militare që sot ende
vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike në Serbi.
Në
ditën e shtatë të punës së vitit të ri, një Gjyaktë e re Speciale do të bëhej
këndej; ajo e luftimit të krimit korruptiv e ekonomik në vend. Profilet e larta
të politikanëve kosovarë, ministrave e zëvendësve të tyre padallim – kushërinjve,
halleve, tezave e dajave që bëjnë për ta biznes, do të trajtoheshin një nga
një. Arsyeshmëria e pasurisë do të ishte pjesë esenciale e rasteve të tilla.
Pas përfundimit të procesit, amnestia nacionale do të merrte vend. Kosovarët,
për herë të fundit, do të deklaronin – pa pasojë dhe shpjegim – pasuritë e tyre
në xhirollogaritë bankare. Amnestia do të shërbente për një nisje të re, për
kriijim dhe investim të një kapitali të fshehur kaherë – që në të kundërtën
vazhdon të ikë e do të ikë përherë nga këndej.
Në
ditën e tetë të punës së vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për
bërjen e Ushtrisë. Secili partner i koalicionit që do të refuzonte votimin e
një elementi kushtetues e republikan të Kosovës, do të përjashtohej nga
partneriteti; do të zëvendësohej me tjetrin. Një akt kundër interesave të
Republikës nuk mund të buronte nga institucionet e Republikës. Pëlqyeshmëria
për bërjen e ushtrisë, në rast të mos marrjes së votave minoritare, do të
sigurohej nëpërmjet referendumit. Ushtria do të bëhej përfundimisht këtë vit.
Në
ditën e nëntë të punës të vitit të ri, Qeveria e Kosovës kishte vendosur
shkurtimin; shkurtimin e vetes. Të njëzet e një ministritë, me dyzet e kusur
zëvendës ministra, aq shoferë, asistentë e ku me ditë çka tjetër nuk do të
ishin më. Në vend të tyre do të krijoheshin vetëm dhjetë. Ndër të tjerash, Ministria
e Shtetit dhe Punëve të Jashtme do të bashkonte Ministrinë e Integrimeve, të
Diasporës dhe të Jashtme. Të tri ministritë që merreshin deri dje paradoksalisht
ndaras me punë të jashtme, përfundimisht bëheshin një. Ministria e Ekonomisë
dhe Zhvillimit, do t’i bënte bashkë katër të tjera, atë të Tregtisë dhe
Industrisë, Bujqësisë e Zhvillimit Rural, Infrastrukturës, dhe vet Zhvillimit
Ekonomik. Një sistem i tërë kompleks, më i madhi në Evropë e më i komplikuari
ndonjëherë, do të thjeshtohej.
Në
ditën e dhjetë të punës së vitit të ri, Parlamenti i Kosovës kishte nxjerrë një
rezolutë në të cilën kërkohej themelimi i Fondit Shëndetësor të Kosovës. Fondi,
i cili do të themelohej nga huazimi i parave të privatizimit, do të shërbente për
ringritjen, mirëthemelimin dhe dhënien e shërbimeve shëndetësore – falas – për
të gjithë qytetarët e Kosovës. Të dyqind milionët e parë – aq sa duheshin për të
nisur këtë fond – do të përcilleshin me kontribuuim të të punësuarve; nga një e
dhjeta e të ardhurave të secilit. Kosovarëve më të varfër në rajon – nëse asgjë
tjetër – do t’iu jepej një kujdes shëndetësor i denjë. Radhëve të pafundme të
pritjes, kërkimeve të lëmoshave për shërim e jetë, milionave të derdhurave
jashtë përvjet, do t’u vinte fundi.
Në
ditën e njëmbëdhjetë të punës së vitit të ri, ishte marrë vendim për
verifikimin dhe kualifikimin e mësimdhënësve fillorë, të mesëm e të lartë në
vend; reforma nacionale në arsim i thonin. Fabrika e paditurisë në Kosovë,
konsumuese e miliona eurove përvjet, prodhues i analfabetëve të papërdorshëm e
të papunë, do të bëhej subjekt inspektimi e vlerësimi nacional. Mos-plotësuesit
e kritereve do të detyroheshin të merrnin një pensionim të parakohshëm; vendet
e tyre do të mbusheshin me mësimdhënës të rinj. Zyrtarët publik me nga tre deri
në pesë vende pune, e që rëndom del të jetë një vend dhe në universitet, do të
largoheshin në grup; plot 800 sosh.
Në
ditën e dymbëdhjetë të punës së vitit të ri, ishte marrë vendimi për themelimin
e Policisë Financiare të Kosovës. Një trupë e re me dy mijë inspektorë të rinj
e të reja do të përbente forcën e ardhshme të formalitetit financiar në vend. Të
punësuarit e rinj do të kujdeseshin që evazioni fiskal dhe informaliteti i
fuqisë punëtore të mos ishte më. Të gjashtëdhjetë mijë bizneset aktive në vend do
të ishin pjesë e inspektimeve e vështrimeve të përhershme të tyre. Të hyrat
shtesë të gjeneruara nga kjo forcë, mjete të rritjes buxhetore në vend, do të
shërbenin për rritjen e shërbimeve publike në vend.
Në
ditën e trembëdhjetë të punës së vitit të ri, paralelisht me nisjen e luftës
anti-korrupsion ndaj strukturave paralele e kriminale në vend, ishte marrë
vendim për kalim në prokurim elektronik. Të gjithë tenderët, kontratat e fondet
publike tash e tutje do të kalonin nëpërmjet një procesi transparent dhe mbi të
gjitha të pamanipulueshëm. Bizneset me rekorde korruptive e të manipulimit, do
të përjashtoheshin nga proceset konkurruese të ardhshme. E prioritet në
shpenzimin e parasë publike në vend do të kishin produktet vendore.
Në
ditën e katërmbëdhjetë të punës së vitit të ri, paketa e re investuese do të
aprovohej. Në të, lehtësimet e lirimet doganore e tatimore do të parashiheshin
për secilin investim të ri; të brendshëm, të jashtëm, nga diaspora – pa dallim.
Kohë e lirë tatimimi për shumë vjet për secilin që investon e krijon punë në
Kosovë.
Në
ditën e pesëmbëdhjetë të punës së vitit të ri, do të themelohej fondi investiv,
një platformë që do të barazonte secilin investim-kontribut privat me një euro
publike; një bashkëdyzim i secilës para që ndonjë biznes kosovar apo i huaj
mendon ta shkrijë në Kosovë me paratë e taksapaguesve kosovar. Biznesmenë të
brendshëm, individë nga diaspora e donatorë të tjerë do të do merrnin pjesë në
një fond të tillë. Paratë nga aty do të investoheshin me prioritet në miniera,
në telekom e në hidrocentrale; në të gjitha asetet që mbanë sot ky vend.
Në
ditën e gjashtëmbëdhjetë te punës së vitit të ri, do të kuptohej se ishte bërë
më shumë për gjashtëmbëdhjetë ditë se sa çfarë ishte bërë për gjashtëmbëdhjetë
vjet rresht – që nga çlirimi i vendit e këndej. Do të kuptohej se dita e
shtatëmbëdhjetë do të ishte më e lehtë, më e drejtë, më e këndshme, më meritore
për urim.