Wednesday, 31 December 2014

KATËR AKTE DHE NJË VIT

Letra nga limbo 2015
28 DHJETOR 2015

Kur mbijetesa, ikja e luksi shkrihen në një vend


Mbijetesa

Më ndiqni për pak. Në Kosovë, një bukë e bardhë treqindgramëshe, 35 centë; një litër vaj gatimi 1.12 centë; një litër qumësht tetrapak, 92 centë; tablo me tridhjetë kokrra vezë 2.94 euro; një kilogram patate, 50 centë; një kilogram domate joorganike, 1 euro; një kilogram fasule e bardhë, 2.80 euro; një kilogram oriz, 1.32 centë; një kilogram sheqer, 65 cent; një kilogram mish pule 2.70 euro; një kilogram mish viçi, 7.27 euro; një kilovat rrymë, 7.4 centë. Kostoja e përgjithshme e kësaj shporte, 21 euro e 64 centë.

Më ndiqni edhe pak. Në Angli, një bukë e bardhë (polake) treqindgramëshe, 50 centë; një litër vaj gatimi 1.25 centë; një litër qumësht tetrapak, 95 cent; tridhjetë kokrra vezë 3.15 euro; një kilogram patate, 75 centë; një kilogram domate joorganike, 1.89 euro; një kilogram fasule e bardhë, 3.1 euro; një kilogram oriz, 50 cent; një kilogram sheqer, 87 cent; një kilogram mish pule, 3.10 euro; një kilogram mish viçi, 9.77 euro; një kilovat rrymë, 12 centë. Kostoja e përgjithshme e kësaj shporte, 25 euro e 85 centë.

Një kosovar me pagë mesatare prej 260 eurove, për një shportë të njëjtë produktesh, shpenzon vetëm 4 euro më pak se sa një anglez që ka pagë mesatare prej 2786 euro; dhjetëfish më të lartë. Plot 580.000 kosovarë jetojnë me më pak se 1.75 euro në ditë. Çdo e treta familje jeton me më pak se 260 euro në muaj. Ikja, s’ka se si të mos jetë e natyrshme.

Ikja

Një emigrues potencial kosovar ka këtë profil: është mashkull, shqiptar, i moshës 25-32 vjeçe, me edukim nën-universitar, i papunë – rrallëherë me punësim të shkurtë e pa siguri – dhe me të ardhura mujore nën 260 euro për familje. Kosova sot ka rreth 100.000 individë që i përshtaten një profili të tillë. Kaq mund të largohen në vitet në vijim; nga një për secilën familje që jeton sot në prag të varfërisë.

Një emigrues potencial kosovar e di mirë se çmimet – dhe me të – standardi i jetës s’kanë për t’u ulur e përmirësuar kurrë. Çmimet në fund të fundit janë refleksion i kostove që nuk varen nga ai, rrethi e vendi i tij – një kilogram oriz i prodhuar në Kinë ka për të kushtuar njëjtë në Kosovë e njëjtë në Angli. Një emigrues potencial kosovar e di mirë se për të përmirësuar jetën e tij, për ta bërë të përballueshme atë, i duhen vetëm të ardhura më shumë – shumë më shumë. Për të pasur të ardhura më shumë atij i duhet pagë dhe punë më shumë. Për të pasur pagë dhe punë më shumë, mjaftueshëm sa për të pasur një kulm, tryezë, shëndet e arsim, vendi i tij duhet të pesëfishojë performancën ekonomike. Vendi i tij, ndërsa, rritë ekonominë nga 2.5% në vit. Me ritmin e tanishëm vendit të tij do ti duhen plot 50 vite për të arritur një mesatare të standardit evropian; që sërish mbetet sa gjysma e atij anglez.

Në dreq të mallkuar; një emigrues potencial kosovar nuk pret pesëdhjetë vjet për të përballuar një çmim orizi, patateje e domate. Pse të mos udhëtojë në kohë – ecë pesëdhjetë vjet para – e ikë drejt Perëndimit. Kështu, njëjtë sikurse 30, 20 e 10 vite më parë, me autobusë e nga i njëjti stacion ikin kontingjente të tëra force pune. Gjenerata e tretë e mërgatës është në bërje e sipër.

Luksi

Në Paris pra të qojnë dy rrugë; njëra është e ikësve ilegalë me autobusë, tjetra është e shërbyesve publikë që bëjnë luks. 260 milionë euro – çdo vit – kushton mirëmbajtja dhe mbarëvajtja e mekanizmit të shtetit – pa paga pra; kosto shtesë pra, dreka e darka e naftë e telefona e mëditje pra. Këtu hynë edhe ato  206 euro për ditë – gati sa paga mesatare e një kosovari pra – që merr sot secili zyrtar, qatip e politikan kosovarë që bën një ditë udhëtim në Paris – për vikend, ditë pune, ditë qejfi e çka jo tjetër.

Vendi i ikësve, ndërsa, udhëhiqet nga politikanë që jetojnë në luks. Nga një qeveri me 21 ministra, 70 zëvendës ministra, qindra këshilltarë, administrues, shoferë e bodigardë, për të administruar me qeverinë e vendit më të varfër evropian. Dhe luksi nuk ka filluar ende.

Një Parlament me 120 deputetë – që nuk arrin të mbajë në vend 100.000 ikësit kosovarë – i kushton vendit më të varfër plot 28,498 euro në ditë. Një qeveri me karvan ndjekësish i kushton vendit 19.178 euro në ditë. Një televizion publik që propagandon ikjen dhe anti-ikjen i kushton vendit 32,672 euro në ditë.


Rrjeti 1976

Nuk kam urim për ju bashkëqytetarë. Durimi juaj është mbresëlënës – larg prej së mbari natyrisht. Asgjë nuk ka ndryshuar në këto 15 vite jetë. Jemi po aq të varfër, po aq në ikje e po aq të pasigurtë – jemi në shoqërim të po të njëjtëve fytyra politike që na topitin ditën me po të njëjtat fjalë, po të njëjtat ide, po të njëjtat lukse; e jeta me gjithë netët e fundviteve si këto tani, na kalon si në asgjë. Prandaj nuk ka urim për ju e veten. Kam vetëm një përmbledhje fjalësh (të adoptuara) e të thëna nga karakteri Hoëard Beale në filmin “Rrjeti 1976” i po të njëjtit vit.


Ato nisin e mbarojnë kështu: “Nuk kam pse t’iu them se gjërat janë keq. Të gjithë e dinë se gjërat janë keq. Është krizë pra. Secili është pa punë apo në frike të humbjes së punës. Sot një euro s’mund të blejë asgjë, këtu madje as bankat nuk mund të jetojnë. Dyqangjinjtë mbajnë pushkët nën banak, përderisa rrugaçët bredhin rrugëve të egër e të lirë thuajse s’ka kush t’i ndalë e s’ka kush të dijë se çfarë duhet të bëjmë; dhe kjo punë nuk ka fund. Ne e dimë që ajri është i papastër për ta marrë e ushqimi ynë është i ndytë për ta ngrënë; dhe ne sërish ulemi para televizioneve tona derisa një spiker lokal na thotë se sot kishim pesëmbëdhjetë vrasje e gjashtëdhjetë e tre krime dhune, sikurse kjo është mënyra se si gjërat do të duhej të shkojnë këndej. Ne e dimë që gjërat janë keq – shumë më keq se keq. Kjo është çmenduri. Sikur gjithçka gjithkund po merr çmendinë, prandaj dhe nuk dalim jashtë më. Ulemi në shtëpitë tona dhe ngadalë bota në të cilën jetojmë na zvogëlohet e tkurret, dhe e tëra çfarë themi është: Ju lutem na leni rahat në dhomat tona; na leni të kemi TV-të tona, radiot tona, shtretërit tanë e s’do të them e bëj asgjë; vetëm na leni të qetë! E po s’kam për t’iu lënë të qetë. Dua që të nervozoheni! Nuk dua që të protestoni, nuk dua që të rebeloheni, nuk dua që t’i shkruani politikanëve sepse nuk do të dija t’iu them se çfarë duhet t’iu shkruani. Nuk di çfarë të them për krizën e për çmimet e për krimet në rrugë. Krejt çfarë dijë është se ju duhet të nervozoheni një herë. Duhet të thoni: Jam qenie njerëzore, për atë Zot! Jeta ime ka vlerë! Këtë nuk mund ta pranoj më!”

Monday, 29 December 2014

MBI FINANCAT TONA

KOHA DITORE, 26 DHJETOR 2014
Lumir Abdixhiku

Një vështrim gjeneral mbi buxhetin e ri

-1-

E kam thënë vazhdimisht se diskutimet buxhetore, ndonëse esenciale në çdo rrethanë, do të ishin më pak determinuese sikur vendi ynë të varej shumë më shumë nga sektori privat se sa nga shpenzimi ose jo i një miliardë e gjysmë eurove në vit nga sektori publik. Gjithsesi, për vet nomenklaturën ekonomike tonën, për vet varësinë tonë pra në sjelljen e publikes, diskutimet buxhetore bëhen më esenciale; bëhen pra më përcaktuese të rrjedhave ekonomike.

Dhe kështu rrjedhat ekonomike të viteve të fundit – të marrim të tre viteve të fundit – shënojnë njëkohësisht edhe rekordet më të ulëta zhvillimore që i ka pasur Kosova që nga paslufta. Rritja jonë ekonomike pra, në këto tre vitet e fundit, në mesatare është rrumbullakuar në vetëm 2.7%. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova kishte rritje ekonomike në vitin 2012 prej 2.5%; po aq në vitin 2013; ndërsa rritja ekonomike në vitin 2014, këtë të fundit pra, parashihet të jetë vetëm 3%.

Gjithsesi se kontribuues esencial në këtë performancë ekonomike tonën rekord-ulëse në tre vitet e fundit është edhe sjellja e politikave publike, ku bën pjesë dhe buxheti i Republikës. Dhe ky i sivjetmi, fatkeqësisht, përngjanë në skajshmëri me buxhetet paraprake që kanë sjellë pikërisht stagnimin ekonomik tonin që rrumbullakon në vetëm 2.7% rritje.

Është fatkeqe ideja se do të duhet të kalojmë edhe një vit sikurse paraprakët; dhe është edhe më fatkeqe ideja se një qeverisje e re replikon në identitet perfekt sjelljen financiare të paraprakes – për të përfunduar kështu pra në numra zeroimpresiv të prosperitetit tonë ekonomik.

-2-

Për lexuesit e kësaj kolumne buxheti i vitit 2015, në numra të përgjithshëm pra, parasheh një inkasimi prej 1.57 miliardë eurosh kundrejt një shpenzimi prej 1.66 miliardëve. Pra edhe këtë vit do të shpenzojmë më shumë se që kemi mbledhur, për të krijuar një diferencë (pa interes) prej 106 milionëve; pjesa më e madhe e të cilës do të mbulohet nga borxhi publik – përkatësisht huazimi i brendshëm. Fakti se çdo vit marrim nga 100 milionë hua na dëshmon mjaftueshëm për një trend rritës të borxhit të jashtëm i cili megjithatë duhet të ketë një limit; në të kundërtën mbulesa nëpërmjet huamarrjes që nuk ka kthim është tmerrësisht e rrezikshme.

Dhe ky deficit krijohet – në radhë të parë – për shkak niveli të ulët të inkasimeve; pra për shkak të nivelit të ulët të të hyrave. Ato këtë vit rriten për vetëm 8% (nga 1.45 miliardë në 1.57 miliardë); madje rriten më pak se sa ishin rritur një vit më parë – plot 11% (nga 1.31 miliardë në 1.45 miliardë). Kështu nga një trend rritës të të hyrave dyshifrore, këtë vit ne kalojmë paradoksalisht në një trend rritës një shifrorë. Dhe lajmi më i keq është se trendi i projektuar i të hyrave do të zvogëlohet edhe më shumë në vitet në vijim – së paku sipas parashikimeve të vet propozuesve të buxhetit.

Kështu në vitin 2016, të hyrat priten – besoni ose jo – të shënojnë rënie, nga 1,576 në 1,573 miliardë euro. Do të jetë viti i parë që nga paslufta, sipas parashikimeve, që inkasimet buxhetore shënojnë rënie. Ato do të rriten lehtësisht në 1.59 miliardë euro në vitin 2017, vetëm 1% rritje në dy vjet. Pra buxheti në fjalë na thotë se të hyrat buxhetore për tre vitet e ardhshme do të rriten me vetëm 1% dhe se premtimet e idetë për një buxhet mbi dy miliardësh (menjëherë pas vitit të parë qeverisës) do të jenë të harruara tashmë.

Stagnimi i të hyrave buxhetore – deri në vitin 2017 – do të nënkuptojë se Kosova do të ballafaqohet edhe me stagnim të shpenzimeve; te cilat për dallim nga vitet paraprake do të ngurtësohen jo vetëm këtë vit por edhe në vitet vijuese.

-3-

Niveli i tanishëm dhe i projektuar i të hyrave derivon dy konkluzione të dhimbshme. E para, se ky buxhet (që reflekton një qëllim qeverisës) nuk e ka për plan luftimin e informalitetit dhe evazionit fiskal fare; në të kundërtën me çfarë logjike zvogëlohen të hyrat e projektuara në të ardhmen. Them se kjo qeverisje e re do të duhej së paku deklarativisht e nëpërmjet buxhetit me plot guxim t’i shpallte luftë evazionit fiskal e informalitetit duke paraparë themelimin e – le të themi – policisë financiare; dhe kështu rritjes së të hyrave – të cilat më pas do të reflektoheshin dhe në buxhet. Mosreflektimi nënkupton mungesë të intencës për veprim.

E dyta, se ky buxhet nuk e ka për plan as transformimin e mbledhjes së tatimeve nga pikat doganore në brendi të Republikës. Pra me fjalë të tjera, ideja e zhbërjes së mbledhjes së TVSH-së në kufi – ende pa filluar procesimi i punës nga tatimdeklaruesit – do të mbetet barrë edhe për plot vite në vijim. Kështu nëpërmjet buxhetit i thuhet sektorit privat se edhe një vit (e sipas projeksioneve edhe tre vite madje) ata do të ballafaqohen me pengesën më të rëndë të mundshme – të ngarkesës financiare në kufi – si asnjë vend tjetër rajonal.

Pra sado që idetë e reja do të mund të futen në të ardhmen, ato mbesin të papërfshira në këtë buxhet dhe në projeksionet e tij. Përfshirja e tyre në të ardhmen natyrshëm se është e mundshme, por se çdo ripërfshirje na sjell më pas në problemin esencial të qeverisjeve të deritanishme – e që është mungesa e planifikimit dhe veprimet e zakonshme të atypëratyshme. Nëse asgjë tjetër, Kosova ka më së shumti nevojë për një vizion e ide të qartë ekonomike, financiare e biznesore.

-4-

Buxheti – nëpërmjet vijave të trasha – nuk parasheh as ndonjë program masiv kursimi. Kujtoj se kur kryeministri britanik David Cameroon kishte marrë qeverisjen, në muajt e parë të tij kishte urdhëruar një plan gjeneral kursimi që kishte shkurtuar jo vetëm administratën publike por edhe luksin publik. Buxheti i sivjetmë i yni parasheh plot 220 milionë euro shpenzime në mallra dhe shërbime (pa përfshirë mëditjet). Ka një mal të tërë shpenzimesh të pakontrolluara në dreka, darka, udhëtime, telefona e lukse tjera publike që meritojnë shkurtime. Dhe këto shkurtime nuk do të ishin vetëm deklarative sa për të dhënë një imazh të mirëmenaxhimit, por do të ishin kursime të njëmenda.

Buxheti i sivjetmë gjithashtu parasheh traditën e vjetër të investimeve kapitale në një projekt të vetëm, në autostradën e Shkupit, duke mos lënë mundësi për forma alternative të financimit të projekteve kapitale. Pra obligimi kontraktual për rrugën e Shkupit mund të jetë trashëgimi e qeverisjes së kaluar, por alternativa e financimit të tij mbetet e kësaj të tanishmes.

Mbi të gjitha, buxheti i sivjetmë nuk parasheh ndonjë ndryshim radikal të shpërndarjeve buxhetore që do të sillte edhe ndryshim madhor në ecjen tonë ekonomike. Përkrahja për gjyqësor, sektor privat, shëndetësi e arsim mbetet identike me vitet paraprake. E identiteti me vitet paraprake, siç dhe argumentova më lartë, sjell hiç më shumë se sa numra të thatë e stagnues të performancës sonë ekonomike.

-5-

Lajm i mirë, megjithatë, mbetet mosrritja e mëtutjeshme e pagave dhe kështu futja në një spirale të çmendurisë financiare për sektorin e madh publik në kurriz të sektorit privat. Nëse asgjë tjetër, sektori publik është dyfish më i paguar se ai privat dhe secila rritje tjetër – në përmasat e 25% madje – do të ishte e papërballueshme financiarisht për buxhetin e vendit dhe jo vetëm aq.

Jo vetëm aq meqë do të ishte tërësisht e padrejtë që shërbyesit publik të vazhdonin të merrnin shpërblesa e rritje të mëtutjeshme pa një rritje të gjithmbarshëm ekonomike. Pra ky vend nuk guxon të shpërndajë arkën e vet për një grup të privilegjuar njerëzisht – që qëllojnë të jenë punonjës publik – por se duhet që të ecë bashkazi duke ndarë prosperitetin për të gjithë. Nëse vazhdojmë të kemi një pasurim të publikes në kurriz të privates, atëherë shumë shpejtë do të përfundojmë edhe pa publiken por edhe pa privaten.

Prandaj i gjej të paarsyeshme thirrjet e sindikatave të pangopura e akterëve politik profiterë të krizave që provojnë të kërkojnë edhe më shumë ngritje të pagave për publikët. Janë të paarsyeshëm, janë të padrejtë dhe janë të kushtueshëm në secilën rrethanë.


Monday, 22 December 2014

IDENTITETI I HUMBUR I SË DJATHTËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 DHJETOR 2014

Mbi strukjen dhe tjetërsimit e besimit ekonomik të djathtë


-1-

Është fakt tashmë; e djathta kosovarë është në krizë identiteti. Sepse flet por nuk beson, kur beson nuk bën, dhe kur bën shkon herë majtë e herë ultramajtë; në të dyja rastet – për argumentin tim – mbrapshtë. Dhe ky mazohizëm u jep të tjerëve kundërshtarë të majtë atë momentin e krekosjes e ngritjes e pështymështyrjes për të gozhduar secilin argument të djathë – filozofik pra – pavarësisht se asnjë argument i djathtë nuk zen vend në promovuesit politik tanë. Kështu besimi i djathtë shndërrohet në një thes goditje nga secili antibesues i djathtë.

Por është luftë besimesh kjo, dhe e tillë ka për të ngjarë gjithmonë. Kosova, si asnjëherë tjetër bëhet vend i mbledhjes dhe përmbledhjes së dy rrymave, të djathtëve që qeverisin tani dhe të majtëve që ndodhen pjesërisht në opozitë. Ky ballafaqim, ndërsa, nuk ka qenë asnjëherë ballafaqim orientimesh, as programesh – sepse nuk kishte sosh – por ballafaqim rrethesh shoqërore të bëra në grupe partiake; tipike kosovare.

Kështu, në mungesë të ideve e bindjeve e besimeve – kryesisht të djathta – sepse të majtit gjenden mirë të formuar, identiteti i djathtë mbrohet sot nga të majtë të natyralizuar në të djathtë, e të cilët përgjatë procesit të natyralizimit kanë humbur disa mësime e besime thelbësore të bërjes së djathtizmit siç e do rendi. Kështu, dy parti të djathta ushqejnë një aparat të majtë; e të majtit që kritikojnë politikat quasi të djathta, në fakt e paradoksalisht, kundërshtojnë një aparat pikërisht të majtë.

-2-

Sepse është fakt se një mega-qeverisje në përbërje dhe ndikim është pjesë kruciale e një aparati të majtë; siç është dhe fakt se prezenca e publikes në biznes është poashtu element i majtë. Krijimi apo lejimi i këtyre dy elementeve të majta, nga të djathtit, përzier me një sërë politikash hiperpublike, anti-private, tatim-progresive, monopoli e anti-rregullative bëjnë gjithë aparatit shtetëror në Kosovë të majtë sa nuk bëhet më.

Atëherë, çfarë të majtit propozojnë në Kosovë përbëjnë dy alternativa; e para që këtë mekanizëm të majtë ta përditësojnë vetëm me kapacitete humane – që ata argumentojnë që i kanë më të mira; pra të zëvendësojnë njerëzit që drejtojnë mekanizmin por jo vet mekanizmin – e që është mu problemi; dhe e dyta që ta “majtojnë” më shumë mekanizmin duke e bërë më publik, më progresiv më anti-privat. Në këtë rrethanë ne do të kishim dy alternativa; një të majtë dhe një më të majtë. Kjo, fatkeqësisht përbën dhe gjendjen e tanishme në vend.

-3-

Pra, ne sot nuk kemi një ide të djathtë që promovon zvogëlimin e qeverisë në dy drejtime; në madhësinë dhe ndikimin e saj, por kemi një të djathtë që rritë madhësinë dhe rritë ndikimin. Të majtit nuk kërkojnë ndërsa zvogëlimin e qeverisë – të madhësisë dhe ndikimit – sepse do të bëhej kundërperceptive për ta – por kërkojnë njerëz më të mirë në një organizëm të tillë gjigand. Pra ne sot kemi një mekanizëm të majtë, të drejtuar nga një organizëm i djathtë. Ec e bjeri në fije.

Ne sot kemi po ashtu një sektor publik që ushqehet majmë – dhe nuk ngopet madje – me rritje të vazhdueshme të pagave, sa që sektori privat, pra kontribuesi i vet taksave pra, mbetet dyfish prapa në termat e shpërblimit. Kështu, një pagë publike bëhet dy herë më e madhe se sa ajo private, e një vend pune privat bëhet shumëherë më i pasigurt se sa ai publik. Dhe në gjithë këtë pabarazi të ngjizur e shtyrë nga “majtizmi i djathtë”, ne ende flasim se si duhet rritur më tutje pagat e sektorit publik – të financuar nga sektori privat. Çfarë ka më të majtë se kaq?

Më të majtit se të majtit – që megjithatë janë më të majtë se kaq, kërkojnë më tepeër progresivitet, taksa shtesë, kontirbute pensionale për të tjerët shtesë, kontribute shëndetësore shtesë, hiperinspeksione shtesë, kontribute të lindjes shtesë, kontribute të pushimit shtesë e çka jo tjetër shtesë. Këta kërojë më shumë rëndesë për të ushqyer e mbajtur majmë një aparat të tërë të majtë.

-4-

E djathta kosovare, e vetë-deklaruar si e tillë pra, përveç rritjes së luksit së mekanizmit publik, ka kaluar dy mandatet e shkuara – dhe sipas të gjitha gjasave do të kalojë edhe këtë tani – në herë në fuqizim të publikes e herë në degradim të saj; gjithsesi me marrje të publikes por jo me privaten

Menaxhimi publik pra, si dëshmi e alternativës tjetër (minus resurse humane brilante – hipotetikisht) është në të shumtën e rasteve më shumë dëshpërues edhe se vet privatizimi i stilit allishverish kosovar. Merreni të gjitha ndërmarrjet publike – ato ekzistojnë vetëm falë një monopoli të garantuar nga një mekanizëm i majtë i drejtuar nga të djathtit e vetëdeklaruar. Heq monopolin dhe jep konkurrencën – në gjithë kuptimin e saj – dhe ke një pasqyrë të qartë të derexhesë gjithënacionale që ky vend do të merrte sikur majtizmi të ishte gjithëpërfshirës.

Merreni edukimin dhe të gjitha universitetet publike që mekanizmi i majtë ka prodhuar. Ato jo vetëm që janë shndërruar në vende të prodhimit të antidijes – së kompenzuar me para të sektorit privat pra – por janë shndërruar në mbajtëse dhe ushqyese të zaptuesve; problematikëve kryesor të shoqërisë sonë. Pra mekanizmi i majtë jo vetëm që prodhon defekte dhe humbje financiare (çfarë mund të jetë në rastin më të keq edhe defekti i një politike të djathtë privatizuese) por se prodhon edhe ushqim sistematik për degraduesit; pra shkon një nivel më shumë për nga rëndesa.

Mekanizmi i majtë i drejtuar nga të djathtit e vetëdeklaruar ka prodhuar anomali edhe në shëndetësi, gjyqësi, siguri dhe përkujdes social. Ka prodhuar më shumë anomali në media publike, shërbime publike e çka jo tjetër publike.

-5-

E djathta kosovare duhet të çlirohet nga beteja me të majtën. Fillimisht jo duke bartur betejën mbrojtëse tek denigruesit e së djathtës që kanë prodhuar një mekanizëm të majtë – pra që nuk dinë çfarë e djathta vërtetë është – por duke u distancuar nga idetë frankenshtanje të shitura si të djathta. I vetmi argument automativ që lidhë klasën tonë politike pra me të djathtit është vetëm vetë-deklarimi. Pra i faturojmë dëmet nga e djathta për shkak të vetë-deklaruarëve të tyre si të djathtë; pavarësisht se s’janë fare si të tillë.

E djathta më pas duhet të shtrojë para vetes një platformë të ideve koncesuale të djathta; duke nisur nga tërheqja automative nga sektori i biznesit me logjikën se shteti është faktor por jo aktor në treg; pra shteti bën politikë e jo biznes në treg. Duke vazhduar më pas me politika të sheshta fiskale, me lehtësime e hiperlehtësime fiskale, me zvogëlim të mekanizmit në madhësi e prezencë, me forcim të rendit dhe rregullimit – si motor të ruajtjes së drejtës autoriale e shtimit të konkurrencës.

E djathta pra duhet të ketë guxim të besojë në principet e veta, jo pse janë më pak populliste por sepse janë të drejta dhe sepse sjellin – si të vetme – alternativën e daljes nga kjo ngufatje e majtë. Tek pasi të kenë besuar, sepse binden jo sepse duhet, atëherë e djathta kosovare do të ketë zërin e vet të merituar në Kosovë. Jo duke u përfaqësuar nga të majtë të natyralizuar, nga të paditur të kamufluar, por nga njdekës e promovues njëmend, që dinë çfarë flasin dhe dinë çfarë bëjnë.



Monday, 15 December 2014

MBI TË PAMUNDURËN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 DHJETOR 2014

Një paravlerësim i kompozicionit qeverisës dhe hapave të parë të tij

-1-

Nuk ka dyshim se bërja e qeverisë – në çdo rrethanë – është më e mirë se sa mosbërja e saj dhe shkuarja përfundimisht për në dreq të mallkuar; siç dhe nuk ka asnjë dyshim se bërja e kësaj qeverie – në konstalacionin e tanishëm – është zgjidhja më e keqe e mundshme nga të gjitha alternativat në tavolinë; siç dhe kishin vetëdeklaruar protagonistët e saj deri në ditën e bërjes.

Prandaj, si rrallëherë, një qeveri e re, e presupozuar të nisë me entuziazëm e eufori, nisë punën në defensivë e nervozizëm; të gjitha produkt i një deficiti moral. Deficiti moral është i natyrshëm kur ndryshohet diskursi i qëndrimeve e rrjedhimisht bëhet pikërisht e kundërta e promovimit të mosbërjes përgjatë gjithë ngritjes politike. Sepse, bashkimi i LDK-së me rivalin e përjetshëm politik PDK-në, përkundër një kauze të votuar për mosbashkim, nënkupton edhe ndryshim kursi politik për këtë parti. Në këtë ndryshim kursi, kundërshtarët e akuzuar për vrasje bëhen partnerë; alternativat e akuzuara për krim e korrupsion bëhen burime të vullnetit të mirë; e secili tjetër që mendon ndryshe nga sot – njëjtë si gjithherë – bëhet kundërshtarë e dashakeq. Natyrisht se ndryshimet e kurseve politike kanë për t’u matur e vlerësuar ndonjëherë; më së largu katër vjet nga sot; e kur të ndodhë ashtu do të kemi kohë mjaft e gjatë për të matur e peshuar vlerën e vendimeve të tilla.

Tani për tani mbetet fakt deficiti moral; dhe nga ky fakt buron edhe mbrojtja e vendimit për qeverisje që karakterizon ditët e para të qeverisë së re. Si në pishman e si në kërkim-falje ndonjëherë, aty-këtu nga disa edhe pa qarë kokën fort, qeveria e re megjithatë futet në rrethanat më të vështira të mundshme politike që një qeveri mund t’i ketë; dhe ky është vetëm fillimi.

-2-

Seanca e parë parlamentare dha pikërisht këtë përshtypje; përshtypjen e një tensioni të vazhdueshëm që do të drejtohet ndaj partnerit të vogël të koalicionit, LDK-së pra, nga jashtë dhe nga brenda partisë, përgjatë katër viteve të ardhshme (nëse ka mandat qeverisës për aq kohë). PDK në këtë rrethanë mbetet gjithsesi më e relaksuar; pak ngase ka një imunitet të vazhdueshëm ndaj kritikës për keqbërje – sikur kritikët janë mësuar me të, është PDK pra, s’pritet më mirë (sic) – pak ngase ka një nivel më të ulët të demokratizimit partiak prandaj dhe uniteti i pakontestueshëm për çfarëdo vendimi; dhe pak ngase për dallim nga të gjitha, megjithatë ka treguar gjithmonë konsistencë – ajo nuk ka refuzuar asnjë parti deri në bërje.

Dhe në këtë relaksim, PDK gjen kohë e luks për të mbrojtur rivalin e vet nga kritikat e para parlamentare dhe shoqërore – paramendojeni këtë. Në gjithë atë hallakamë akuzash për krim, spiunazh e zaptim nga “shikizmi”, PDK gjen kohë të mbrojë partnerin e saj në vend të vetës. Në stilin e keqardhjes të përcjellë me spekulim madje, stil tanimë i zakonshëm i provincialitetit politik që e kanë mbjellë këndej, ish-kryeministri, tash zëvendëskryeministër, mbron LDK-në duke provuar t’i vë të gjithë në një rang të njëjtë – duke i bërë pra të gjithë të ligë. Kështu ai nxjerrë disa letra të bardha në foltore – jep dy a tri spekulime – për t’u larguar më pas nën qeshjet cinike të zakonshme të vetëkënaqësisë prej të pandershmes e manipulimit.

Kjo mbrojtje, dhe të tjerat që do të vijnë më pas, nuk i bëjnë hair LDK-së. LDK duhet të kuptojë se ditën që PDK i mbron ata, ditën që PDK ndjenë keqardhje për ta, dhe ditën që PDK jep argumente satisfakcioni për ta, i kanë punët keq e rëndë; jashtëzakonisht rëndë madje; nëse ka ku të shkohet më keq e rëndë se sa është sot gjithsesi.

-3-

Fotografia e parë e qeverisë së re të jep një përshtypje të një përbërje kryesisht akademike; për çka edhe u ritheksuan në vazhdimësi termat “doktor” gjatë prezantimit. Qeveria e re gjithashtu të jep përshtypje për një ekspoze bukur të detajuar të aktiviteteve të planeve – të cilat – dorën në zemër, po u bënë do të bëjnë mrekullinë.

Por mrekullitë qeverisëse në realitetin e tanishëm janë pothuajse të pamundura; sidomos kur në to ke pikërisht promovuesit e antimrekullisë (prandaj dhe kundërshtimi shoqëror). Kjo për disa arsye të rëndësishme; e para, për përbërjen e vet qeverisë. Pra kjo qeveri e re, që i bën bashkë në një dy rivalë që nga natyra do të duhej të ishin pra dy, do të ketë sfidë të veçantë funksionimin si një organizëm unik dhe pa çarje. Fillimisht sepse në të gjenden dy kryeministra – varësisht se nga cili kënd i vëzhgon njëri është mbi tjetrin – e më pas sepse në të, rivaliteti i natyrshëm dhe historik do të dominojë mbi nevojën për unifikim. Ky paralelizëm është provuar të zbutet nëpërmjet mos përfshirjes së individëve nga të dyja palët që kanë ngjallur averzion për palën tjetër – një lloj mirëkuptimi i dyanshëm – gjithsesi, tensioni dhe nevoja për dominim ndaj tjetrit është aty.

E dyta, sepse kjo qeveri ka të gjithë ministrat e PDK-së, pra gjysmën e saj, njerëz tashmë të provuar, të cilët me të gjitha politikat e tyre ekonomike, politike e sociale, kanë sjellë stagnim, migrim e desintegrim. Gjysma tjetër e ministrave të LDK-së, ndërkaq, janë njerëz po ashtu të provuar dhe larg nga premtimi i përgjithshëm për reformë qeverisëse. Pjesa e mbetur, ndërsa, jo e provuar, megjithatë nuk përbën ekipin e ëndrrave që kjo parti ka në vete; në disa raste ata  madje janë tërësisht anonimë. Ekonomistë, juristë e njohës të sigurisë – nga më të mirët madje – mbeten jashtë; shumë nga ta për shkak të një idealizmi e konsistence që vazhdojnë ta mbajnë, e pak nga ta për shkak të mbajtjes së inatit për mospërfshirje qeverisëse.

E treta, sepse kjo qeveri merr timonin në situatën më të rëndë shoqërore në të cilën është gjendur Kosova ndonjëherë. Gjykata speciale, asociacioni i komunave serbe, dialogimi me Serbinë përbëjnë vetëm disa nga temat me të cilat kjo qeveri e re do të nisë ditët e para të saj – dhe këto nuk janë zgjedhjet e saj madje. Zgjedhjet e sajë do të orientohen nga vala e migrimeve, rritja e pagave, privatizimet e aseteve, papunësia (e premtuar në margjinat e panatyrshmes) e varfëria e skajshme. Për t’i dhënë rend pra këtyre temave, kjo qeveri përbërjen e saj do të duhej ta kishte në nivelet e saja të ekselancës; e që nuk e ka.

-4-

Natyrisht do të ishte interes i vendit që një qeverisje e re të superperformojë; të realizojë të gjitha ato pika e premtime në plotni. Pra do të ishte interes nacional performanca e mirë e qeverisë; kjo nuk ka dyshim. Zakonisht qeverive të reja u jepen njëqind ditë e para për të bërë matjen e parë; por kjo qeverisje nuk i ka aq. Kjo qeverisje për më tepër pra, nisë rrugëtimin me deficit. Dhe në këtë deficit, në vend të shpërthimit, bën hapat e parë tërësisht gabim. Jo shumë për nga përbërja e qeverisë sa për nga madhësia e saj.

Si qeveria më e madhe në Evropë – ajo e shkuara pra – meritonte shkurtim; jo zgjerim siç na ndodhi këtë herë. U deshën karrige shtesë parlamentare për të akomoduar besoni ose jo plot 21 ministri. Do të duhen para shumë për të akomoduar dhe nga dy a tre zëvendësministra, plot këshilltarë politik, administrues e shoferë të tjerë. Një vit nga sot, në një kolumne si kjo, kisha prezantuar idenë e jo më shumë se dhjetë ministrive; aq sa mund të grumbullohen të gjitha sot. Sepse, përveç funksionalitet më të mirë, e kursimit më të madh, një qeverisje e tillë do të jepte shenjat e para se reformimin e kanë njëmend.

E reformimi nuk nënkupton vetëm sjelljen e një çerek njerëzve më ndryshe në qeveri, por ndryshimin e vet modelit të qeverisë e qeverisjes. Prandaj, themeli mbi të cilin është ndërtuar ky bashkim – dhe hapat e parë të tij – janë larg nga e nevojshmja dhe e domosdoshmja për të cilën aq shumë kishim nevojë. Gjithsesi kanë katër vjet kohë të na dëshmojnë ndryshe.



Monday, 8 December 2014

TË NGECUR NË KORRUPSION

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 DHJETOR 2014

Këtë vit, gjithmonë sipas organizatës më prestigjioze për matje të korrupsionit “Transparancy International”, Kosova dhe Shqipëria renditen të dyja njëjtë në vendin e 110 (nga gjithsejtë 174 shtete); disproporcionalisht ma keq e më rëndë se gjithë regjioni e Evropa. Renditemi në nivel të njëjtë me Etiopinë e Malavin, më keq se Xhibuti e Moldavia, më mirë se Bjellorusia e Tanzania. – renditemi mjerueshëm. Pra Kosova renditet sivjet në po të njëjtin vend, në vendin e 110-të sikurse katër vite më parë; për të shpërfaqur kështu dhe gjithë trendin e (mos)ecjes sonë në katër vite të plota.

-1-

Saktësisht katër vite më parë, kur për herë të parë matej percepcioni i nivelit të korrupsionit në Kosovë nga – pa diskutim – organizata më kredibile ndërkombëtare për matje të tij, “Transparancy International” pra, Kosova renditej në vendin e 110 nga gjithsejtë 175 shtete. Në vitin e parë të matjes, kur nuk kishim ndonjë bazë krahasuese me vetveten, ndonëse i trishtë, lajmi për një nivel të tillë megjithatë mbetej pa një storie përcjellëse. Sepse, nëse përpjekjet për të reduktuar nivelin e trishtë të korrupsionit ndodhnin, atëherë trendi eventual pozitiv mund të zbuste pretendimet për më tepër angazhim. Në këtë kohë lindën qëndrimet deklarative të “tolerancës zero ndaj korrupsionit” që kryeministri – dhe i gjithë kabineti i tij përcjellës – i shqiptonin si në përmendësh.

Në vitin e dytë të matjes, Kosova kishte humbur 2 vende; po renditej në vendin e 112; duke provuar kështu bindjen e përgjithshme se të gjithë deklaruesit e “zero tolerancës” ishin pikërisht promovuesit e toleruesit e vetëm të korrupsionit. Se nga institucionet publike, nga vet menaxhuesit e parasë publikë, buronte keqpërdorimi i pasurisë publike.

Në vitin e tretë të matjes, pra në vitin 2012, Kosova kishte lëvizur për plot 7 vende në luftimin e korrupsionit; duke u renditur kështu në vendin e 105-të nga gjithsejtë 175 shtete. Ndonëse alarmant niveli në mbi njëqindtësh, konferencat për shtyp, promovimet mediatike e gjuetitë e tjera për merita nuk kishin të sosur. Ministra, zëvendësministra, e çka jo tjetër, po renditeshin njëri pas tjetrit për të marrë nga pak hisen e vet të vëmendjes. Në këtë lëvizje, dhe hiç më shumë, të gjithë, pa përjashtim, gjenin motivin e një quasi-zhvillimi ekonomik, të një qeverisje të pastër që “zero toleruesit” na e thonin në vazhdimësi – ishim të marrë e të mjerë që nuk po e shihnim ne.

-2-

Natyrisht se nuk kishte përmirësim të angazhimit kundrejt korrupsionit; nuk ishte nisur asnjëherë. Prandaj dhe në vitin vijues, në vitin 2013, Kosova renditej në vendin e 111-të. Të gjithë ato tryeza, takime ndërministrore, këshille anti-korruptive nga Presidentja, të gjitha pra ato qëndrime e bindje kundërkorrupsion, ishin kthyer në hiçgjë; ne sapo kishim shënuar rekordin personal më të rëndë të rangimit korruptiv nëpër botë.

Si përgjigje ndaj rangimit – dhe këtu fillon perla e budallakisë tonë politike – në vend të pranimit e luftimit të paaftësisë kundërkorrupsion, lindën gjykime mbi percepcionin, si kut i matjes së nivelit të korrupsionit. Kështu, qatipë e mendimtarë brutal qeveritarë, po edukonin njërën ndër metodologjitë më të zakonshme botërore të matjes së korrupsionit; pikërisht pra percepcionin. Të gjithë ato punime, analiza, kritika e reflektime metodologjike të matësit të korrupsinit – që zënë vend e komfort të mjaftueshëm mes shkencës e edukitimit e politikës – po kontestoheshin nga disa thatanikë të mendjes allakosovarë që me stilin e “rabushit” e “tahminit” po jepnin versionin e tyre të shkencës.

Gjithsesi, kjo kishte pak rëndësi. Rëndësi kishte gjithmonë se të gjitha paraqitjet kozmetike nga pjesëmarrës tryezash e diskutimesh ishin një akt farse e shfaqje teatrale para një publiku që po zhvatej e thahej vazhdimisht nga po të njëjtit aktorë. Mbaj mend të kem thënë asokohe se e vetmja formë e parandalimit të korrupsionit në Kosovë do të ishte sikur pjesëmarrësit e po atyre tryezave e promovimeve anti-korrupsion të mbaheshin përgjegjës për korrupsion.

-3-

Këtë vit, gjithmonës sipas organizatës më prestigjioze për matje të korrupsionit “Transparancy International”, Kosova dhe Shqipëria renditen të dyja njëjtë në vendin e 110 (nga gjithsejtë 174 shtete); disproporcionalisht ma keq e më rëndë se gjithë regjioni e Evropa. Renditemi në nivel të njëjtë me Etiopinë e Malavin, më keq se Xhibuti e Moldavia, më mirë se Bjellorusia e Tanzania. – renditemi mjerueshëm. 

Pra Kosova renditet sivjet në po të njëjtin vend, në vendin e 110-të sikurse katër vite më parë; për të shpërfaqur kështu dhe gjithë trendin e (mos)ecjes sonë në katër vite të plota. Pra për katër vite të tëra, politikanët tanë që ishin gjithnjë me gojë plot nuk kanë bërë asgjë serioze për parandalimin dhe zvogëlimin e korrupsionit që buron mu nga institucionet që i drejtojnë ata. Dhe nuk do të bëjnë asnjëherë asgjë përderisa njerëzit e njëjtë, që mbajnë hajninë e vjedhjen në stad të njëjtë, shpërfaqen si protagonistë të kundërhajnisë e ligjit. Ky shtet ka mbetur në nivel të njëjtë në katër vjet; prandaj dhe migrimi, prandaj dhe mosliberalizimi, prandaj dhe ngecja. Janë plot katër vite të humbura për ne.

Janë të humbura, sepse, sjellja korruptive e bërë tashmë si normë e zakonshme shoqërore prodhon jo vetëm imazh të rëndë e frikësues për investitorët të jashtëm, sikurse ishte rasti i një fabrike gjermane që i kërkohet hise në pronësi nga politikanët tonë për të përfunduar kështu në Maqedoni me 4000 vende të reja pune, por prodhon edhe fuqizim të kapjes së shtetit nëpërmjet mbajtjes në fuqi të po të njëjtëve që prodhojnë korrupsionin.

Pra janë individë e grupe të njëjta që jo vetëm se nuk parandalojnë aktivitetet korruptive në vend ndaj gjithçkaje që është publike, por i nxisin dhe stimulojnë ato edhe sikur ato vetvetiu të ndaleshin; që nuk kanë për t’u ndalur kurrë. Për më tepër, këta individë e grupe, që nëpërmjet korrupsionit kanë ndërtuar perandori biznesore, jo vetëm që dëmtojnë shëndetin ekonomik të Kosovës nëpërmjet ofrimit të konkurrencës së padrejtë, por edhe bëhen barriera të pathyeshme për rimëkëmbjen ekonomike tonën.       

Prandaj na duhet një dorë e hekurt; një që thenë këtë cikël ngatërrues me veten dhe ngufatës me progresin tonë ekonomik. Një dorë e pastër që nuk kapet nga mbas e që guxon t’i vë në rend për në burg secilin që ka mbajtur dhe mbanë peng fatin e një vendi të tërë. Këtë dorë nuk kanë për të na dhënë të huajt; na duhet ta gjejmë vet.