Wednesday, 31 December 2014

KATËR AKTE DHE NJË VIT

Letra nga limbo 2015
28 DHJETOR 2015

Kur mbijetesa, ikja e luksi shkrihen në një vend


Mbijetesa

Më ndiqni për pak. Në Kosovë, një bukë e bardhë treqindgramëshe, 35 centë; një litër vaj gatimi 1.12 centë; një litër qumësht tetrapak, 92 centë; tablo me tridhjetë kokrra vezë 2.94 euro; një kilogram patate, 50 centë; një kilogram domate joorganike, 1 euro; një kilogram fasule e bardhë, 2.80 euro; një kilogram oriz, 1.32 centë; një kilogram sheqer, 65 cent; një kilogram mish pule 2.70 euro; një kilogram mish viçi, 7.27 euro; një kilovat rrymë, 7.4 centë. Kostoja e përgjithshme e kësaj shporte, 21 euro e 64 centë.

Më ndiqni edhe pak. Në Angli, një bukë e bardhë (polake) treqindgramëshe, 50 centë; një litër vaj gatimi 1.25 centë; një litër qumësht tetrapak, 95 cent; tridhjetë kokrra vezë 3.15 euro; një kilogram patate, 75 centë; një kilogram domate joorganike, 1.89 euro; një kilogram fasule e bardhë, 3.1 euro; një kilogram oriz, 50 cent; një kilogram sheqer, 87 cent; një kilogram mish pule, 3.10 euro; një kilogram mish viçi, 9.77 euro; një kilovat rrymë, 12 centë. Kostoja e përgjithshme e kësaj shporte, 25 euro e 85 centë.

Një kosovar me pagë mesatare prej 260 eurove, për një shportë të njëjtë produktesh, shpenzon vetëm 4 euro më pak se sa një anglez që ka pagë mesatare prej 2786 euro; dhjetëfish më të lartë. Plot 580.000 kosovarë jetojnë me më pak se 1.75 euro në ditë. Çdo e treta familje jeton me më pak se 260 euro në muaj. Ikja, s’ka se si të mos jetë e natyrshme.

Ikja

Një emigrues potencial kosovar ka këtë profil: është mashkull, shqiptar, i moshës 25-32 vjeçe, me edukim nën-universitar, i papunë – rrallëherë me punësim të shkurtë e pa siguri – dhe me të ardhura mujore nën 260 euro për familje. Kosova sot ka rreth 100.000 individë që i përshtaten një profili të tillë. Kaq mund të largohen në vitet në vijim; nga një për secilën familje që jeton sot në prag të varfërisë.

Një emigrues potencial kosovar e di mirë se çmimet – dhe me të – standardi i jetës s’kanë për t’u ulur e përmirësuar kurrë. Çmimet në fund të fundit janë refleksion i kostove që nuk varen nga ai, rrethi e vendi i tij – një kilogram oriz i prodhuar në Kinë ka për të kushtuar njëjtë në Kosovë e njëjtë në Angli. Një emigrues potencial kosovar e di mirë se për të përmirësuar jetën e tij, për ta bërë të përballueshme atë, i duhen vetëm të ardhura më shumë – shumë më shumë. Për të pasur të ardhura më shumë atij i duhet pagë dhe punë më shumë. Për të pasur pagë dhe punë më shumë, mjaftueshëm sa për të pasur një kulm, tryezë, shëndet e arsim, vendi i tij duhet të pesëfishojë performancën ekonomike. Vendi i tij, ndërsa, rritë ekonominë nga 2.5% në vit. Me ritmin e tanishëm vendit të tij do ti duhen plot 50 vite për të arritur një mesatare të standardit evropian; që sërish mbetet sa gjysma e atij anglez.

Në dreq të mallkuar; një emigrues potencial kosovar nuk pret pesëdhjetë vjet për të përballuar një çmim orizi, patateje e domate. Pse të mos udhëtojë në kohë – ecë pesëdhjetë vjet para – e ikë drejt Perëndimit. Kështu, njëjtë sikurse 30, 20 e 10 vite më parë, me autobusë e nga i njëjti stacion ikin kontingjente të tëra force pune. Gjenerata e tretë e mërgatës është në bërje e sipër.

Luksi

Në Paris pra të qojnë dy rrugë; njëra është e ikësve ilegalë me autobusë, tjetra është e shërbyesve publikë që bëjnë luks. 260 milionë euro – çdo vit – kushton mirëmbajtja dhe mbarëvajtja e mekanizmit të shtetit – pa paga pra; kosto shtesë pra, dreka e darka e naftë e telefona e mëditje pra. Këtu hynë edhe ato  206 euro për ditë – gati sa paga mesatare e një kosovari pra – që merr sot secili zyrtar, qatip e politikan kosovarë që bën një ditë udhëtim në Paris – për vikend, ditë pune, ditë qejfi e çka jo tjetër.

Vendi i ikësve, ndërsa, udhëhiqet nga politikanë që jetojnë në luks. Nga një qeveri me 21 ministra, 70 zëvendës ministra, qindra këshilltarë, administrues, shoferë e bodigardë, për të administruar me qeverinë e vendit më të varfër evropian. Dhe luksi nuk ka filluar ende.

Një Parlament me 120 deputetë – që nuk arrin të mbajë në vend 100.000 ikësit kosovarë – i kushton vendit më të varfër plot 28,498 euro në ditë. Një qeveri me karvan ndjekësish i kushton vendit 19.178 euro në ditë. Një televizion publik që propagandon ikjen dhe anti-ikjen i kushton vendit 32,672 euro në ditë.


Rrjeti 1976

Nuk kam urim për ju bashkëqytetarë. Durimi juaj është mbresëlënës – larg prej së mbari natyrisht. Asgjë nuk ka ndryshuar në këto 15 vite jetë. Jemi po aq të varfër, po aq në ikje e po aq të pasigurtë – jemi në shoqërim të po të njëjtëve fytyra politike që na topitin ditën me po të njëjtat fjalë, po të njëjtat ide, po të njëjtat lukse; e jeta me gjithë netët e fundviteve si këto tani, na kalon si në asgjë. Prandaj nuk ka urim për ju e veten. Kam vetëm një përmbledhje fjalësh (të adoptuara) e të thëna nga karakteri Hoëard Beale në filmin “Rrjeti 1976” i po të njëjtit vit.


Ato nisin e mbarojnë kështu: “Nuk kam pse t’iu them se gjërat janë keq. Të gjithë e dinë se gjërat janë keq. Është krizë pra. Secili është pa punë apo në frike të humbjes së punës. Sot një euro s’mund të blejë asgjë, këtu madje as bankat nuk mund të jetojnë. Dyqangjinjtë mbajnë pushkët nën banak, përderisa rrugaçët bredhin rrugëve të egër e të lirë thuajse s’ka kush t’i ndalë e s’ka kush të dijë se çfarë duhet të bëjmë; dhe kjo punë nuk ka fund. Ne e dimë që ajri është i papastër për ta marrë e ushqimi ynë është i ndytë për ta ngrënë; dhe ne sërish ulemi para televizioneve tona derisa një spiker lokal na thotë se sot kishim pesëmbëdhjetë vrasje e gjashtëdhjetë e tre krime dhune, sikurse kjo është mënyra se si gjërat do të duhej të shkojnë këndej. Ne e dimë që gjërat janë keq – shumë më keq se keq. Kjo është çmenduri. Sikur gjithçka gjithkund po merr çmendinë, prandaj dhe nuk dalim jashtë më. Ulemi në shtëpitë tona dhe ngadalë bota në të cilën jetojmë na zvogëlohet e tkurret, dhe e tëra çfarë themi është: Ju lutem na leni rahat në dhomat tona; na leni të kemi TV-të tona, radiot tona, shtretërit tanë e s’do të them e bëj asgjë; vetëm na leni të qetë! E po s’kam për t’iu lënë të qetë. Dua që të nervozoheni! Nuk dua që të protestoni, nuk dua që të rebeloheni, nuk dua që t’i shkruani politikanëve sepse nuk do të dija t’iu them se çfarë duhet t’iu shkruani. Nuk di çfarë të them për krizën e për çmimet e për krimet në rrugë. Krejt çfarë dijë është se ju duhet të nervozoheni një herë. Duhet të thoni: Jam qenie njerëzore, për atë Zot! Jeta ime ka vlerë! Këtë nuk mund ta pranoj më!”

No comments: