KOHA DITORE, 26 DHJETOR 2014
Lumir Abdixhiku
Një vështrim gjeneral mbi buxhetin e ri
-1-
E kam thënë
vazhdimisht se diskutimet buxhetore, ndonëse esenciale në çdo rrethanë, do të
ishin më pak determinuese sikur vendi ynë të varej shumë më shumë nga sektori
privat se sa nga shpenzimi ose jo i një miliardë e gjysmë eurove në vit nga
sektori publik. Gjithsesi, për vet nomenklaturën ekonomike tonën, për vet
varësinë tonë pra në sjelljen e publikes, diskutimet buxhetore bëhen më
esenciale; bëhen pra më përcaktuese të rrjedhave ekonomike.
Dhe
kështu rrjedhat ekonomike të viteve të fundit – të marrim të tre viteve të
fundit – shënojnë njëkohësisht edhe rekordet më të ulëta zhvillimore që i ka
pasur Kosova që nga paslufta. Rritja jonë ekonomike pra, në këto tre vitet e
fundit, në mesatare është rrumbullakuar në vetëm 2.7%. Sipas Fondit Monetar
Ndërkombëtar, Kosova kishte rritje ekonomike në vitin 2012 prej 2.5%; po aq në
vitin 2013; ndërsa rritja ekonomike në vitin 2014, këtë të fundit pra,
parashihet të jetë vetëm 3%.
Gjithsesi
se kontribuues esencial në këtë performancë ekonomike tonën rekord-ulëse në tre
vitet e fundit është edhe sjellja e politikave publike, ku bën pjesë dhe
buxheti i Republikës. Dhe ky i sivjetmi, fatkeqësisht, përngjanë në skajshmëri
me buxhetet paraprake që kanë sjellë pikërisht stagnimin ekonomik tonin që
rrumbullakon në vetëm 2.7% rritje.
Është
fatkeqe ideja se do të duhet të kalojmë edhe një vit sikurse paraprakët; dhe është
edhe më fatkeqe ideja se një qeverisje e re replikon në identitet perfekt
sjelljen financiare të paraprakes – për të përfunduar kështu pra në numra
zeroimpresiv të prosperitetit tonë ekonomik.
-2-
Për lexuesit e kësaj kolumne buxheti i vitit 2015, në numra të përgjithshëm pra, parasheh një inkasimi prej 1.57 miliardë eurosh kundrejt një shpenzimi prej 1.66 miliardëve. Pra edhe këtë vit do të shpenzojmë më shumë se që kemi mbledhur, për të krijuar një diferencë (pa interes) prej 106 milionëve; pjesa më e madhe e të cilës do të mbulohet nga borxhi publik – përkatësisht huazimi i brendshëm. Fakti se çdo vit marrim nga 100 milionë hua na dëshmon mjaftueshëm për një trend rritës të borxhit të jashtëm i cili megjithatë duhet të ketë një limit; në të kundërtën mbulesa nëpërmjet huamarrjes që nuk ka kthim është tmerrësisht e rrezikshme.
Dhe ky
deficit krijohet – në radhë të parë – për shkak niveli të ulët të inkasimeve;
pra për shkak të nivelit të ulët të të hyrave. Ato këtë vit rriten për vetëm 8%
(nga 1.45 miliardë në 1.57 miliardë); madje rriten më pak se sa ishin rritur
një vit më parë – plot 11% (nga 1.31 miliardë në 1.45 miliardë). Kështu nga një
trend rritës të të hyrave dyshifrore, këtë vit ne kalojmë paradoksalisht në një
trend rritës një shifrorë. Dhe lajmi më i keq është se trendi i projektuar i të
hyrave do të zvogëlohet edhe më shumë në vitet në vijim – së paku sipas
parashikimeve të vet propozuesve të buxhetit.
Kështu në
vitin 2016, të hyrat priten – besoni ose jo – të shënojnë rënie, nga 1,576 në
1,573 miliardë euro. Do të jetë viti i parë që nga paslufta, sipas
parashikimeve, që inkasimet buxhetore shënojnë rënie. Ato do të rriten lehtësisht
në 1.59 miliardë euro në vitin 2017, vetëm 1% rritje në dy vjet. Pra buxheti në
fjalë na thotë se të hyrat buxhetore për tre vitet e ardhshme do të rriten me
vetëm 1% dhe se premtimet e idetë për një buxhet mbi dy miliardësh (menjëherë
pas vitit të parë qeverisës) do të jenë të harruara tashmë.
Stagnimi
i të hyrave buxhetore – deri në vitin 2017 – do të nënkuptojë se Kosova do të
ballafaqohet edhe me stagnim të shpenzimeve; te cilat për dallim nga vitet
paraprake do të ngurtësohen jo vetëm këtë vit por edhe në vitet vijuese.
-3-
Niveli i
tanishëm dhe i projektuar i të hyrave derivon dy konkluzione të dhimbshme. E
para, se ky buxhet (që reflekton një qëllim qeverisës) nuk e ka për plan
luftimin e informalitetit dhe evazionit fiskal fare; në të kundërtën me çfarë
logjike zvogëlohen të hyrat e projektuara në të ardhmen. Them se kjo qeverisje
e re do të duhej së paku deklarativisht e nëpërmjet buxhetit me plot guxim t’i
shpallte luftë evazionit fiskal e informalitetit duke paraparë themelimin e –
le të themi – policisë financiare; dhe kështu rritjes së të hyrave – të cilat
më pas do të reflektoheshin dhe në buxhet. Mosreflektimi nënkupton mungesë të
intencës për veprim.
E dyta,
se ky buxhet nuk e ka për plan as transformimin e mbledhjes së tatimeve nga
pikat doganore në brendi të Republikës. Pra me fjalë të tjera, ideja e zhbërjes
së mbledhjes së TVSH-së në kufi – ende pa filluar procesimi i punës nga
tatimdeklaruesit – do të mbetet barrë edhe për plot vite në vijim. Kështu nëpërmjet
buxhetit i thuhet sektorit privat se edhe një vit (e sipas projeksioneve edhe
tre vite madje) ata do të ballafaqohen me pengesën më të rëndë të mundshme – të
ngarkesës financiare në kufi – si asnjë vend tjetër rajonal.
Pra sado
që idetë e reja do të mund të futen në të ardhmen, ato mbesin të papërfshira në
këtë buxhet dhe në projeksionet e tij. Përfshirja e tyre në të ardhmen natyrshëm
se është e mundshme, por se çdo ripërfshirje na sjell më pas në problemin
esencial të qeverisjeve të deritanishme – e që është mungesa e planifikimit dhe
veprimet e zakonshme të atypëratyshme. Nëse asgjë tjetër, Kosova ka më së shumti
nevojë për një vizion e ide të qartë ekonomike, financiare e biznesore.
-4-
Buxheti
– nëpërmjet vijave të trasha – nuk parasheh as ndonjë program masiv kursimi.
Kujtoj se kur kryeministri britanik David Cameroon kishte marrë qeverisjen, në
muajt e parë të tij kishte urdhëruar një plan gjeneral kursimi që kishte
shkurtuar jo vetëm administratën publike por edhe luksin publik. Buxheti i sivjetmë
i yni parasheh plot 220 milionë euro shpenzime në mallra dhe shërbime (pa përfshirë
mëditjet). Ka një mal të tërë shpenzimesh të pakontrolluara në dreka, darka,
udhëtime, telefona e lukse tjera publike që meritojnë shkurtime. Dhe këto
shkurtime nuk do të ishin vetëm deklarative sa për të dhënë një imazh të mirëmenaxhimit,
por do të ishin kursime të njëmenda.
Buxheti i
sivjetmë gjithashtu parasheh traditën e vjetër të investimeve kapitale në një
projekt të vetëm, në autostradën e Shkupit, duke mos lënë mundësi për forma
alternative të financimit të projekteve kapitale. Pra obligimi kontraktual për
rrugën e Shkupit mund të jetë trashëgimi e qeverisjes së kaluar, por
alternativa e financimit të tij mbetet e kësaj të tanishmes.
Mbi të
gjitha, buxheti i sivjetmë nuk parasheh ndonjë ndryshim radikal të shpërndarjeve
buxhetore që do të sillte edhe ndryshim madhor në ecjen tonë ekonomike. Përkrahja
për gjyqësor, sektor privat, shëndetësi e arsim mbetet identike me vitet
paraprake. E identiteti me vitet paraprake, siç dhe argumentova më lartë, sjell
hiç më shumë se sa numra të thatë e stagnues të performancës sonë ekonomike.
-5-
Lajm i
mirë, megjithatë, mbetet mosrritja e mëtutjeshme e pagave dhe kështu futja në
një spirale të çmendurisë financiare për sektorin e madh publik në kurriz të
sektorit privat. Nëse asgjë tjetër, sektori publik është dyfish më i paguar se
ai privat dhe secila rritje tjetër – në përmasat e 25% madje – do të ishte e
papërballueshme financiarisht për buxhetin e vendit dhe jo vetëm aq.
Jo vetëm aq meqë do të ishte tërësisht e padrejtë që shërbyesit publik të vazhdonin të merrnin shpërblesa e rritje të mëtutjeshme pa një rritje të gjithmbarshëm ekonomike. Pra ky vend nuk guxon të shpërndajë arkën e vet për një grup të privilegjuar njerëzisht – që qëllojnë të jenë punonjës publik – por se duhet që të ecë bashkazi duke ndarë prosperitetin për të gjithë. Nëse vazhdojmë të kemi një pasurim të publikes në kurriz të privates, atëherë shumë shpejtë do të përfundojmë edhe pa publiken por edhe pa privaten.
Prandaj
i gjej të paarsyeshme thirrjet e sindikatave të pangopura e akterëve politik
profiterë të krizave që provojnë të kërkojnë edhe më shumë ngritje të pagave
për publikët. Janë të paarsyeshëm, janë të padrejtë dhe janë të kushtueshëm në
secilën rrethanë.
No comments:
Post a Comment