Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 DHJETOR 2014
Mbi strukjen dhe tjetërsimit e besimit ekonomik të djathtë
-1-
Është
fakt tashmë; e djathta kosovarë është në krizë identiteti. Sepse flet por nuk
beson, kur beson nuk bën, dhe kur bën shkon herë majtë e herë ultramajtë; në të
dyja rastet – për argumentin tim – mbrapshtë. Dhe ky mazohizëm u jep të tjerëve
kundërshtarë të majtë atë momentin e krekosjes e ngritjes e pështymështyrjes për
të gozhduar secilin argument të djathë – filozofik pra – pavarësisht se asnjë
argument i djathtë nuk zen vend në promovuesit politik tanë. Kështu besimi i
djathtë shndërrohet në një thes goditje nga secili antibesues i djathtë.
Por është
luftë besimesh kjo, dhe e tillë ka për të ngjarë gjithmonë. Kosova, si asnjëherë
tjetër bëhet vend i mbledhjes dhe përmbledhjes së dy rrymave, të djathtëve që
qeverisin tani dhe të majtëve që ndodhen pjesërisht në opozitë. Ky ballafaqim,
ndërsa, nuk ka qenë asnjëherë ballafaqim orientimesh, as programesh – sepse nuk
kishte sosh – por ballafaqim rrethesh shoqërore të bëra në grupe partiake;
tipike kosovare.
Kështu,
në mungesë të ideve e bindjeve e besimeve – kryesisht të djathta – sepse të
majtit gjenden mirë të formuar, identiteti i djathtë mbrohet sot nga të majtë të
natyralizuar në të djathtë, e të cilët përgjatë procesit të natyralizimit kanë
humbur disa mësime e besime thelbësore të bërjes së djathtizmit siç e do rendi.
Kështu, dy parti të djathta ushqejnë një aparat të majtë; e të majtit që
kritikojnë politikat quasi të djathta, në fakt e paradoksalisht, kundërshtojnë
një aparat pikërisht të majtë.
-2-
Sepse është
fakt se një mega-qeverisje në përbërje dhe ndikim është pjesë kruciale e një
aparati të majtë; siç është dhe fakt se prezenca e publikes në biznes është
poashtu element i majtë. Krijimi apo lejimi i këtyre dy elementeve të majta,
nga të djathtit, përzier me një sërë politikash hiperpublike, anti-private,
tatim-progresive, monopoli e anti-rregullative bëjnë gjithë aparatit shtetëror
në Kosovë të majtë sa nuk bëhet më.
Atëherë,
çfarë të majtit propozojnë në Kosovë përbëjnë dy alternativa; e para që këtë
mekanizëm të majtë ta përditësojnë vetëm me kapacitete humane – që ata
argumentojnë që i kanë më të mira; pra të zëvendësojnë njerëzit që drejtojnë
mekanizmin por jo vet mekanizmin – e që është mu problemi; dhe e dyta që ta
“majtojnë” më shumë mekanizmin duke e bërë më publik, më progresiv më
anti-privat. Në këtë rrethanë ne do të kishim dy alternativa; një të majtë dhe
një më të majtë. Kjo, fatkeqësisht përbën dhe gjendjen e tanishme në vend.
-3-
Pra, ne
sot nuk kemi një ide të djathtë që promovon zvogëlimin e qeverisë në dy
drejtime; në madhësinë dhe ndikimin e saj, por kemi një të djathtë që rritë
madhësinë dhe rritë ndikimin. Të majtit nuk kërkojnë ndërsa zvogëlimin e
qeverisë – të madhësisë dhe ndikimit – sepse do të bëhej kundërperceptive për
ta – por kërkojnë njerëz më të mirë në një organizëm të tillë gjigand. Pra ne
sot kemi një mekanizëm të majtë, të drejtuar nga një organizëm i djathtë. Ec e
bjeri në fije.
Ne sot
kemi po ashtu një sektor publik që ushqehet majmë – dhe nuk ngopet madje – me
rritje të vazhdueshme të pagave, sa që sektori privat, pra kontribuesi i vet
taksave pra, mbetet dyfish prapa në termat e shpërblimit. Kështu, një pagë
publike bëhet dy herë më e madhe se sa ajo private, e një vend pune privat bëhet
shumëherë më i pasigurt se sa ai publik. Dhe në gjithë këtë pabarazi të ngjizur
e shtyrë nga “majtizmi i djathtë”, ne ende flasim se si duhet rritur më tutje
pagat e sektorit publik – të financuar nga sektori privat. Çfarë ka më të majtë
se kaq?
Më të
majtit se të majtit – që megjithatë janë më të majtë se kaq, kërkojnë më tepeër
progresivitet, taksa shtesë, kontirbute pensionale për të tjerët shtesë, kontribute
shëndetësore shtesë, hiperinspeksione shtesë, kontribute të lindjes shtesë,
kontribute të pushimit shtesë e çka jo tjetër shtesë. Këta kërojë më shumë rëndesë
për të ushqyer e mbajtur majmë një aparat të tërë të majtë.
-4-
E
djathta kosovare, e vetë-deklaruar si e tillë pra, përveç rritjes së luksit së
mekanizmit publik, ka kaluar dy mandatet e shkuara – dhe sipas të gjitha
gjasave do të kalojë edhe këtë tani – në herë në fuqizim të publikes e herë në
degradim të saj; gjithsesi me marrje të publikes por jo me privaten
Menaxhimi
publik pra, si dëshmi e alternativës tjetër (minus resurse humane brilante –
hipotetikisht) është në të shumtën e rasteve më shumë dëshpërues edhe se vet
privatizimi i stilit allishverish kosovar. Merreni të gjitha ndërmarrjet
publike – ato ekzistojnë vetëm falë një monopoli të garantuar nga një mekanizëm
i majtë i drejtuar nga të djathtit e vetëdeklaruar. Heq monopolin dhe jep
konkurrencën – në gjithë kuptimin e saj – dhe ke një pasqyrë të qartë të
derexhesë gjithënacionale që ky vend do të merrte sikur majtizmi të ishte gjithëpërfshirës.
Merreni
edukimin dhe të gjitha universitetet publike që mekanizmi i majtë ka prodhuar.
Ato jo vetëm që janë shndërruar në vende të prodhimit të antidijes – së kompenzuar
me para të sektorit privat pra – por janë shndërruar në mbajtëse dhe ushqyese të
zaptuesve; problematikëve kryesor të shoqërisë sonë. Pra mekanizmi i majtë jo
vetëm që prodhon defekte dhe humbje financiare (çfarë mund të jetë në rastin më
të keq edhe defekti i një politike të djathtë privatizuese) por se prodhon edhe
ushqim sistematik për degraduesit; pra shkon një nivel më shumë për nga rëndesa.
Mekanizmi
i majtë i drejtuar nga të djathtit e vetëdeklaruar ka prodhuar anomali edhe në
shëndetësi, gjyqësi, siguri dhe përkujdes social. Ka prodhuar më shumë anomali
në media publike, shërbime publike e çka jo tjetër publike.
-5-
E
djathta kosovare duhet të çlirohet nga beteja me të majtën. Fillimisht jo duke
bartur betejën mbrojtëse tek denigruesit e së djathtës që kanë prodhuar një
mekanizëm të majtë – pra që nuk dinë çfarë e djathta vërtetë është – por duke u
distancuar nga idetë frankenshtanje të shitura si të djathta. I vetmi argument
automativ që lidhë klasën tonë politike pra me të djathtit është vetëm vetë-deklarimi.
Pra i faturojmë dëmet nga e djathta për shkak të vetë-deklaruarëve të tyre si të
djathtë; pavarësisht se s’janë fare si të tillë.
E
djathta më pas duhet të shtrojë para vetes një platformë të ideve koncesuale të
djathta; duke nisur nga tërheqja automative nga sektori i biznesit me logjikën
se shteti është faktor por jo aktor në treg; pra shteti bën politikë e jo
biznes në treg. Duke vazhduar më pas me politika të sheshta fiskale, me lehtësime
e hiperlehtësime fiskale, me zvogëlim të mekanizmit në madhësi e prezencë, me forcim
të rendit dhe rregullimit – si motor të ruajtjes së drejtës autoriale e shtimit
të konkurrencës.
E
djathta pra duhet të ketë guxim të besojë në principet e veta, jo pse janë më
pak populliste por sepse janë të drejta dhe sepse sjellin – si të vetme –
alternativën e daljes nga kjo ngufatje e majtë. Tek pasi të kenë besuar, sepse
binden jo sepse duhet, atëherë e djathta kosovare do të ketë zërin e vet të
merituar në Kosovë. Jo duke u përfaqësuar nga të majtë të natyralizuar, nga të
paditur të kamufluar, por nga njdekës e promovues njëmend, që dinë çfarë flasin
dhe dinë çfarë bëjnë.
No comments:
Post a Comment