Friday, 31 October 2014

MBI DËSHPËRIMET TONA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 TETOR 2014

Në kohën kur i njëjti kryeministër kishte shënuar rritje ekonomike katër herë më të vogël se sa e pritshmja – pra 2.5%; kur kishte rritur deficitin tregtar nga 1.5 në 2.3 miliardë euro në vit; që kishte shtyrë borxhin publik nga zero në plot 1 miliardë euro; që kishte mbajtur të punësuar vetëm 300.000 kosovarë nga plot 800.000 sosh sa janë të aftë e në kërkim për punë; që kishte rritur korrupsionin në institucione publike, krimin e organizuar në prokurimin publik, zhvlerësimin e aseteve publike në skajshmëri; gjente, besoni ose jo, rangimin në një listë matje procedurash si pasqyrim zhvillimor ekonomik.

-1-

Dëshpërimi ka emër; dhe nuk fillon nga trajtimi getoizues që BE u bën kosovarëve në lëvizjen e lirë me mos heqje të vizave; as me heshtjen e tyre politike që nuk dënon racizmin serb për vrasje e therje të shqiptarëve gjithandej – mendojeni reagimin eventual evropian e botërorë sikur një stadium i tërë të thërriste “vrisni e therni gjithë hebrenjtë”; nuk fillon as me një vendim politik sportiv sikurse ai i dënimit për moskthim në një fushë dhune që një asociacion evropian futbolli merr; por dëshpërimi fillon me misionin evropian të sundimit të ligjit në Kosovë, me EULEX, aferat korruptive të të cilit filluan të shpërfaqen e shpërthejnë tmerrësisht keq këtë javë.

Paramendojeni, një mision panevropian, i vlerave, parimeve e standardeve të mirësisë, drejtësisë e mbarësisë respektivisht, bëhet vend i bashkëjetesës korruptive të korruptuesve kriminelë kosovarë dhe të të korruptuarve – deri dje – me vlera, parime e standarde – evropiane. Çfarë martese e trishtuar del të jetë kjo. Bashkim fatal i së ligës vendore me të paprekshmen evropiane.

Tashti, për të hequr petkun e trajtimit utopik të prezencës evropiane, asnjë nga rastet e përmendura në të përditshmen “Koha Ditore” mund të mos na kapin në befasi. Për secilin me pak interaksion evropian, nga një vizitë turistike e deri tek një lidhje politike e shoqërore atje, korrupsioni evropian është po aq i pritshëm e i pabefasueshëm sa edhe ai kosovar – ndoshta në përmasa më të vogla relative (hiç se hiç absolute). Për më tepër, në një mision mishmashi me individë prezentë nga të gjitha kombet evropiane, prezenca e “kalëruesve të lirë” është më se e natyrshme. Ky natyralitet humbë megjithatë, po që se kjo prezencë ka orkestrim të organizuar; dhe këtu fillon dëshpërimi im.

Sepse, nëse EULEX provohet të ketë pasur dijeni për aferat korruptive – të orkestruara pra – brenda vetës, dhe për më tepër këtë prezencë nuk e ka trajtuar por e ka fshehur disi, atëherë një zinxhirë vendimesh, përpjekjesh e mundimesh – të sinqerta ose jo pa paragjykim – bien poshtë njëra pas tjetrës duke na lënë kështu pa shpresë se ky vend, nën trajtimin ndërkombëtar, do të marrë udhë të mbarë.

-2-

Kosovarët kanë kohë që kanë humbur besimin në gjykatat tona. Në secilën anketë e matje të percepcioneve me biznese apo individë, besueshmëria në gjykatës, prokurorë e ligjvënës të tjerë prekë pragjet më të ulëta të mundshme. Të vetmin besim – dhe në rritje madje – kosovarët vazhdojnë ta shpërfaqnin përballë misionit evropian në Kosovë, përfshire edhe atij ligjëvënës.

Natyrisht se në një vend të vogël, me kaq prezencë të lartë të informalitetit, kriminalitetit e korrupsionit, vendorët kanë gjasa të pakta – në mos të pamundura – për të bërë një luftë të denjë. Prokurorët vendorë janë ose të frikësuar, ose të ndikuar ose të painteresuar për të bërë mbarësi. Ata të pakëtit që megjithatë shtyhen nga një idealizëm i pashoq i institucionbërjes e shtetbërjes, janë të margjinalizuar vazhdimisht, jo vetëm nga keqbërësit politikë e apolitikë, por edhe nga një rreth kulturor që nuk arrin ti ngrisë ata si heronj; siç edhe sinqerisht janë.

Sepse, në secilin ballafaqim me keqbërësit eventual, në secilin ballafaqim të mundshëm, mediat tona – të shtyra nga një sharlatanizëm i pashpjegueshëm profesional –  bëjnë rast për avokatët mbrojtës të të akuzuarve – potencialisht keqbërësve – por nuk bëjnë asnjë rast të vetëm për prokurorët që i ndjekin ata. Vetëm në Kosovë avokatët mbrojtës marrin fame, bëjnë rast, e mbrojnë keqbërësit në minuta publike mediatike – të gjitha falas; në kurriz të padukshmërisë së prokurorëve. Vetëm këtu, të njëjtit vënë diskursin publik në gjendje të keqardhjes e aty këtu bindjes publike për të akuzuarit. Ditën që do të shoh një prokuror duke bërë rast mediatik – dhe jo një avokat të keqbërësit në vend të tij – do të fillojë të ndërtojë shpresën për ndërtimin e heronjve modern tanë.

Pra ne mbesim pa heronj të tillë; prandaj tash e gati shtatë vjet jemi në pritje të një mbifuqie evropiane; këtë herë qëllon ta ketë emrin EULEX. Në këto gati shtatë vite pavarësie, ne kemi shpresuar vazhdimisht për  një ndërhyrje të jashtme që nëpërmjet guximit të paprekshmërisë evropiane do të adresojë të gjitha anomalitë që i krijojmë vet e që nuk arrijmë t’i riparojmë vet; pak a shumë pritje jofer, gjithsesi e gjitha me shpresë plot. Por nëse kjo paprekshmëri evropaine na shndërrohet tani jo vetëm në katalizatorë jofunksional, por edhe në barrierë vetanake për të riparuar sistemin korruptiv tonin, atëherë do të mbesim të mallkuar sa s’bëhet më.

Dhe nuk dyshoj në riparimin e shpejtë të EULEX-it nga evropianët, nëse pretendimet korruptive dalin të sakta. Së paku një riparim i tillë është shumë më i mundshëm dhe më i shpejtë se sa një shpresë riparuese vendore. Pra, dua të them, se nuk kemi shumë alternativë në luftën kundër së keqes. Përkundër të gjitha anomalive e defekteve që mund të burojnë në një mision evropian të sundimit të ligjit, i njëjti mbetet shpresa e vetme afatshkurte për bërje të zgjidhjes. Sepse, po kuptuam se EULEX-i është i pariparueshëm – sikurse UNMIK-u i dikurshëm – dhe se të gjitha shpresat do t’i varim në fuqitë tona të brendshme, atëherë ecja jonë shtetëndërtuese do të jetë e pashpresë për vite me radhë.

-3-


Në ditën e parë të bërjes publike të rangimit “Doing Business” nga Banka Botërore, ministra, ish-ministra e ish-kryeministra, tani deputetë e çka jo tjetër, provuan të marrin meritat e suksesit; thuajse na është bërë nam. Rangimi i Bankës Botërore kishte shtyrë përpara Kosovën, për 6 vende, nga vendi 81 në vendin e 75. Këtë shtyerje, ish-kryeministri, tani deputet, provonte ta katapultonte si sinjal të zhvillimit të tij ekonomik.

Në kohën kur i njëjti kryeministër kishte shënuar rritje ekonomike katër herë më të vogël se sa e pritshmja – pra 2.5%; kur kishte rritur deficitin tregtar nga 1.5 në 2.3 miliardë euro në vit; që kishte shtyrë borxhin publik nga zero në plot 1 miliardë euro; që kishte mbajtur të punësuar vetëm 300.000 kosovarë nga plot 800.000 sosh sa janë të aftë e në kërkim për punë; që kishte rritur korrupsionin në institucione publike, krimin e organizuar në prokurimin publik, zhvlerësimin e aseteve publike në skajshmëri; gjente, besoni ose jo, rangimin në një listë matje procedurash si pasqyrim zhvillimor ekonomik.

Për t’i kujtuar secilit tjetër, ndonëse një përmirësim i lehtë i tillë është lajm i mirë, ai mbetet hiçgjë. Sepse, katër vite më parë, nëpërmjet planit bullgar të Banskos, Qeveria e Kosovës, me po të njëjtit ministra, kishte planifikuar që në fund të vitit 2014, pra mu sot, Kosova të rangohej në top 40-shen e parë. Jemi në vendin e 75; gati dy herë më larg. Për më tepër, për ti shtuar njohuritë modeste të ish-kryeministrit për ekonomi, rangimi në fjalë nuk matë as për së afërmi ambientin biznesor në një vend; pra nuk bën matjen e problemeve si korrupsioni, informaliteti, përkrahja fiskale apo funksionimi i gjyqësorit. Çfarë rangimi në fjalë matë ndërlidhet kryesisht me procedura burokratike biznesore.

Thënë ndryshe, ky rangim ndër të tjerash, mund të matë sa kohë i duhet një biznesi të regjistrohet, por nuk matë përpjekjet e këtij biznesi për të ekzistuar. Kosova në këtë rangim, për shembull, ka shënuar përmirësim për plot 58 vende në hapje të biznesit; pra tek ne biznesi mund të hapet shpejtë. Po punë e madhe po u hap shpejtë. Për atë arsye kemi 120.000 biznese të regjistruara e vetëm 60.000 aktive, nga të cilat 20.000 performojnë me fitim. Pra problemi ekonomik i një vendi nuk është sa lehtë një shtet mundë të hapë biznes, por sa lehtë mund ta mbajë gjallë të njëjtin biznes.
Kosova, për ndryshe, arrin të përmirësoj këto 6 vende vetëm falë kërcimit masiv në shpejtimin e hapjes së biznesit, për plot 58 vende. Në 10 indikatorët që “Doing Business” bën matjen, vetëm në 5 Kosova ka shënuar përmirësim; në 5 të tjera ka rënie. Pra ka shënuar përmirësim (masiv) në regjistrim të biznesit, në leje doganore (mesiguri për importet e tepërta, sepse eksporte nuk kemi shumë ashtu-kështu), në procedurat e bankrotimit të bizneseve (shih për çfarë arritje bëhet fjalë) e në forcimin e kontratave. Por shënon rëndesë në furnizim me energji elektrike, në marrjen e kredisë, në pagesën e taksave e në tregtinë me jashtë. Në pikat kyqe të matjes, Kosova pra shënon regres; dhe vetëm falë një superprogresi të parëndësishëm në regjistrim të bizneseve, arrin të mbulojë këtë ngecje – dhe kështu paradoksalisht të na vendosë disi 6 vende më mirë se një vit më parë. Jemi sinqerisht larg.


-4-

Dhe po ecim më larg sa herë që kriza politike në Kosovë stagnon më shumë. Në këtë vijë stagnimi e paqartësie se si të dilet e ecjet tutje, natyrisht se ka një orë që ecën shpejtë shumë. Është ora e të drejtës për të shpërndarë paranë publike, buxhetin pra.

Në këtë pikë vazhdoj të habitem se si zyrtarët publik, ministrat e këshilltarët e tyre, nuk e bëjnë as më të voglën lodhje për të kuptuar se kur përfundon e drejta e Qeverisë për të shpërndarë buxhetin; dhe kështu dalin me deklarata kuturu në publik. Për secilin me interes, Neni 24 i “Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike”, përcakton qartë kohën e tolerancës të shpërndarjes së parasë publike; dhe me këtë përcakton edhe urgjencën e bërjes së institucioneve. Ky ligj, qartë dhe pa lënë asnjë fije dyshimi, e përcakton se Qeveria e Kosovës, kjo në largim pra, ka të drejtë të shpërndajë (pagat e shpenzimet tjera publike) vetëm për Janarin e vitit 2015 – dhe për asnjë muaj më shumë. Do të kishte të drejtë ta bëjë për dy muajt e parë – siç po e keqkuptojnë këta zyrtarë e ministra që pritojnë të lexojnë ligjin – vetëm nëse në katër muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal janë mbajtur zgjedhjet – e që nuk është këtë rasti këtë herë.

Pra Kosova, siç dhe kam paralajmëruar më parë, ka vetëm edhe 90 e sa ditë kohë për të ndërtuar institucionet, në të kundërtën, nga 1 Shkurti i vitit 2015, asnjë shërbyes civil, asnjë shpenzim publik e asnjë punë shtetërore nuk mund të kompensohet pa konsolidim të Parlamentit. Në Nenin 24 të ligjit në fjalë, thuhet se e drejta për shpërndarje buxhetore ka dy skenario. I pari, “a) nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e kuvendit janë mbajtur më pak se katër (4) muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal: (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar dy (2) muajt e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me gjashtëmbëdhjetë dhe dy të tretat e përqindjes (16.67 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”. Dhe i dyti “b) nëse nuk ka pasur zgjedhje të tilla brenda afatit kohor (i) thuajse është zgjatur për të mbuluar muajin e parë të vitit të tillë fiskal; dhe (ii) thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me (8.33 %) të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”.

Ky ligj, i cili paradoksalisht nuk lexohet nga të vetmit që do të duhej ta lexonin, ministrat e qeveritarët pra, përcakton qartë dhe kufirin ultim të bërjes së institucioneve; në të kundërtën ndërprerjen e menjëhershme të secilit aktivitet publik të qeverisë. Dhe përderisa koha e bërjes së institucioneve nuk duket që ka fund, fatkeqësisht, dëshpërimet e reja, të pafalshme e të pamatshme duket se po na shfaqen shpejtë shumë.



Sunday, 26 October 2014

MBI PATRIOTIZMIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 TETOR 2014

Në garë për shtet-dashuri dallohen dy palë. Të parët janë pretendues të pronësisë së patriotizmit – monopolistë tipikë të tij por që nuk kanë asnjë lidhje me të; e të dytët janë mendimtarë hiperliberalë që nga nevoja për të shtyrë argumentin e tyre në skajshmëri, humbin rezonin sa përfshijnë gjithçka patriotike e shtetërore në një thes llumi me të keqen.


-1-

Nuk e kisha pritur kurrë që një ballafaqim sportiv, në fajin më të pakët të shqiptarëve, të shndërrohet në arenë debati të brendshëm gjithë shqiptarë – pikërisht mbi gjetjen e fajit ndër-shqiptarë. Në esencë, një debat të tillë do ta prisja natyrshëm në anën tjetër të ballafaqimit pra, palën serbe pra; por ta themi se së paku intelektualisht dhe për kah mendimi i lirë, Kosova dhe Shqipëria – pavarësisht bindjeve të mëparshme – janë me vjet përpara Serbisë. Për këtë nuk do të na duhej konfirmimi i “The Economist” që kishte cilësuar këtë javë shoqërinë serbe si të mbyllur e pa liri shprehje. Këtu tek ne megjithatë shprehen; pale çfarë shprehje se.

Këtu tek ne ende pa konsoliduar mirë diplomacinë tonë që të shpërfaqë më së thjeshti e më së miri para botës racizmin, fashizmin e shovinizimin e palës serbe – me gjithë propagandën mediale e institucionale që i vjen pas – ne hapëm e gjetëm kohë për të shpallur tjetrin diku primitiv e mesjetarë – sepse ndjente për simbolet kombëtare – e diku tjetër si projugosllav e tradhtarë – sepse ishte i mpirë emocionalisht ndaj simbolikës. Dhe mirë shumë që diskutime si këto hapen e bëhen këndej; gjithçka është në frymën liberale të mendimit e shprehjes së lirë.

Gjithsesi, në këtë garë shtet-dashurie dallohen dy palë. Të parët janë pretendues të pronësisë së patriotizmit – monopolistë tipikë të tij por që nuk kanë asnjë lidhje me të; e të dytët janë mendimtarë hiperliberalë që nga nevoja për të shtyrë argumentin e tyre në skajshmëri, humbin rezonin sa përfshijnë gjithçka patriotike e shtetërore në një thes llumi me të keqen.

-2-

Të parët janë të njohur e të zakonshëm tashmë. Janë nacionalistë e atdhedashës të shuar tashmë. Niveli patriotik i tyre ka arritur kulmin deri në ditën e parë të lirisë së vendit – kontributi i të cilëve deri në atë ditë ishte jetik, i papërmbledhshëm e heroik; në ditën e dytë të lirisë, të njëjtit shndërrohen në anti-patriotë, zaptues, hajna e aty këtu vrasës e kriminelë ordinerë.

Të njëjtit – dhe me ta fus gjithë përkrahësit e pandreqshëm që kanë – refuzojnë patriotizmin e mirëfilltë sepse mirëqenien e tyre personale, nëpërmjet zaptimit dhe gjithë mekanizmit zaptues që vjen me zaptim, e shohin si formë kompensimi për patriotizmin e dikurshëm të tyre; dhe këtë patriotizmi i mirëfilltë nuk e pranon. Ish-luftëtarë të shndërruar në anti-patriotë, militantë (mendim djegës, libradjegës e jetëdjegës shpeshherë), pra shohin patriotizmin jo si nevojë konstante për kontribut, por si kontribut të njëhershëm dhe pension të përjetshëm – edhe në ligësi.

Këta turbofolkë nacionalistë, mendja e të cilëve është këputur shumë kohë më parë, natyrshëm se shohin si rrezik secilin mendim të lirë; e sidomos e shohin në rrezik mendimin ndryshe që në rrethin shoqëror tonin shihet si i çuditshëm; jo se janë më pak të çuditshëm dorën në zemër ultraliberalët tanë. Këtë ndarje, turbofolkët e shuar – pra ish-patriotët e dikurshëm – e bëjnë me shpresë se duke qenë pjesë e një mendimi shoqëror, ata, si ish-kontribues të dalluar në luftë, duke dalë në ballë të diskutimit mund të shpërlajnë të bëmat e tyre tash e 15 vjet. Natyrisht se të njëjtit do të bënin paqe me të tjerët po u falën të gjitha; tash që këta kanë ndërtuar perandori biznesi, klane zaptuese e forcë fisi – pse mos ta bënin vallë?

E rreziku i shtetit tonë, dhe misioni i ri patriotik i joni – si formë evoluuese pra – është pikërisht largimi nga prirja e të tillëve. Thënë ndryshe, çlirimi nga çlirimtarët e transforumuar është patriotizmi që duhet bërë sot. Sepse, përderisa nuk çlirohemi nga çlirimtarët e transformuar në hajna të shtetit, zaptues të gjithëanshëm e dhunues të së lirës, ky vend nuk ka për të parë hair kurrë. E sado cinikë e të padurueshëm mbesin ultraliberalët, ata gjithnjë janë më pak të dëmshëm.

-3-

Në anën tjetër të mejdanit, në Kosovë e Shqipëri njëjtë, na dalin të renditur internacionalistë e mendimtarë liberalë që për nga toleranca ndaj mendimit tjetër duket të jenë më tepër agresivë e ofendues se sa rezonues korrekt e të shëndoshë; tipike antiliberale – për çfarë dhe vë në dyshim kompliancën e sjelljes së disave prej tyre me besimet që ata vet prodhojnë; mund të jenë artificialë. Pra, në vend se të tillët të ndërtojnë argumentet e premisat e besimit të tyre puro-qytetar dhe joetnik, ata ndërtojnë e krijojnë kategori diskriminuese qytetare – siç bëjnë kundër patriotëve – që për besimin e tyre dalin të jenë primitivë.

Tashti, për tua shpjeguar definicionin e patriotizmit nuk kam ndërmend; janë të lexueshëm mjaftueshëm sa për ta gjetur vet. Por nëse me patriotizëm – dhe në patriotizëm – të tillët fusin në një thes gjithë gulçimet turbofolknacionaliste, sjelljet krimorrugaçore, apetitet shtetozaptuese, e në fund dhe fashistët e racistët e tjerë në mesin tonë, atëherë them ta lëmë me kaq; janë ose të pakuptueshëm ose cinikë.

Dua ta besoj të dytën; sepse kuptimin e kanë të shpërfaqur mirë e guximshëm gjithandej, sa herë që interesat vendore – të sjelljes së mirë e së mbarë janë cenuar ndonjëherë. Pra unë i shoh të tillët patriotë, në një version e kontekst paralel të ekzistencës sonë; por në të tanishmin i shoh si cinikë që patriotizmin e fusin qëllimshëm në një thes me secilin turbofolk e të ngjashëm sa për ta denigruar atë në skajshmëri.

Sepse, për ta kuptuar ata, nëse nuk e kanë kuptuar ende, patriot mund të jetë dhe një njeri që paguan taksa, bën punë, ushqen familje, respekton rregullin, ndihmon tjetrin – dhe në fund – as më pak e as më shumë e do vendin, me gjithë simbolet, historinë, kulturën e mendimin shoqëror që ky vend i tij bartë. Dhe kjo dashuri ndaj vendit – në paketë pra – nuk derivon në domosdoshmëri urrejtjen ndaj një patrioti tjetër serb, malazez, maqedon, kroat e slloven – siç nuk derivon patrioti tjetër urrejtje ndaj patriotit shqiptarë po qenë vërtetë patriotë të gjithë. Kjo është punë e nacistëve, fashistëve e racistëve të tjerë – që progresin e vet dhe të vendit të vet e sheh dhe projekton në kurriz të humbjes së tjetrit. Patrioti do të mbrojë vendin pa cenuar të tjetrin e bindjet patriotike të tjetrit; përderisa nuk cenohet nga tjetri për bindjet patriotike që ka. Ky lloj patriotizimi, i shtetit, vendit, etnisë e në fund familjes, sot është i përhapur gjithandej nëpër botë, në secilin vend e secilin shtet. Në të vërtetë, nuk ka shtet që në vete nuk mbanë frymën patriotike; në të kundërtën nuk do të ishte shtet.

-4-

Pra ky lloj patriotizmi nuk është primitivizëm, është po aq modern sa secila pritje e tjetër e jona për mirësi. Rrjedhimisht, është e pakuptimshme atakimi automatik i secilit mendimtarë të lirë – që në frymën liberale të veprimit – ndjenë respekt, mirënjohje e në fund dhe nderë për një flamur apo simbol tjetër që vendi e rrethi i tij mund të përfaqësojë.

Është poashtu e pandershme që secili që ndjenjë diçka për simbolet kombëtare, për kombin e vet pra, të konsiderohet i paditur. Është jashtëzkonisht kundër intuitës njerëzore, është kundër përpjekjeve evropiane e perëndimore; të cilët ndonëse të bashkuar ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht, mbajnë diferencat kombëtare me gjithë simbolet që vijnë me to si të shenjta e të paprekshme. Kështu duhet të sillen dhe shqiptarët.

Sepse, po humbëm nevojën për të respektuar simbolet, të shkruar në hekur, teneqe, pëlhurë apo harrne nuk ka rëndësi, humbim dhe njerëzoren tonë, ndjenjën ndaj tjetrit me të cilin ndajmë diçka bashkë – gjuhë, kulturë, histori, problematikë e hall. Njerëzit janë të prirë të ngjizen në grupe, grupet në familje, familjet në rrethe e rrethet në popuj. Popujt më pas ndërtojnë aleanca vlerash e kuptimesh; siç ndërtojnë sot shqiptarët me perëndimin me NATO-n, e serbët me Rusinë e Putinin. Dhe në gjithë këto grupizime e aleanca, individët nëpërmjet ndjekjes së interesit personal për mirëqenie dhe me shpresë për mirësi, ndërtojnë dhe interesin madhor të të tjerëve. Kësaj i thonë patriotizëm pra. Ky angazhim ka emër, ka simbol dhe njerëz që – për vlerat më fundamentale të tij, siç mund të jetë liria – japin dhe jetë. Proporcionalisht me kauzën, nga jeta deri tek mbrojtja e simboleve gjithçka bëhet për një qëllim; i thonë patriotizëm dhe atdhedashuri. Nuk ka asgjë më të bukur se kaq.


Thursday, 16 October 2014

AUTOKTONË E KRYELARTË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 TETOR 2014

Do të më duhet kohë shumë për të gjetur të arkivuar diku – e ndoshta s’do ta gjejë kurrë – një ndjenjë briliance, madhështie e përfundimisht çlirimi sikurse ajo që pata në momentet e valëvitjes së flamurit shqiptar në stadium. Sikur gjeta disi një përgjigje ekuivalente për të gjitha brohoritjet provokuese e çnjerëzore të stadiumit që  bënin thirrje për therje e kasapim të shtatë milion shqiptarëve.

-1-

Janë të rralla momentet që inspirojnë një komb të tërë; që bëjnë bashkë në një palë sy e vesh burra, gra, djem, vajza, pleq e fëmijë. E ballafaqimi i kombëtares shqiptare me atë serbe në Beograd nuk ishte aspak më ndryshe; ishte pra inspirues për një komb të tërë – të tonin pra. Sepse, ndonëse për pak, shqiptarët gjithandej – të bashkuar pra – zëvendësuan hallet e përditshme me një ndjenjë shprese e mburrje për atë çfarë janë e çfarë e shkuara e tyre mbanë. Mbi të shkuarën e të tashmen, djemtë shqiptarë të bërë bashkë në një kombëtare futbolli, po projektonin të ardhmen tonëpër në Evropë; vitin 2016.

Ky projektim do të duhej të kalonte fillimisht nëpër ferr. Sepse – për shqiptarët – Beogradi ishte bërë ferr. Për dallim nga secili vend e shtet tjetër i civilizuar evropian, të pacivilizuarit e zakonshëm në pretendim për t’u bërë evropian, kishin ndaluar secilin shqiptarë të merrte pjesë në një ngjarje futbollistike që sot luhet – tek të civilizuarit pra – me plot sportivitet e relaks; dhe hiç më ndryshe. Për të mos mjaftuar ndalesa, autoritetet zyrtare beogradase kishin paralajmëruar me arrest policor secilin që bën tifo për shqiptarët e secilin që bartë një element të vetëm shqiptar me vete. Akt më racist, më jocivilizues e më të parafinuar në secilin kandar të njerëzores vështirë se dikush mund të gjejë sot nëpër Evropë. Serbët pra, të shtyrë nga lunatizimi i zakonshëm i tyre që duket se nuk merr fund kurrë, kishin shndërruar një ngjarje të zakonshme sportive në një mjet diskriminimi racor. Një ballafaqim nacionalesh pa përkrahje e elemente nacionale për njërën palë – viti 2014, në Evropë – çfarë tjetër mund të jetë më e trishtuar e më bizare se kaq?!

Ndoshta pjesëmarrja e 4000 policëve serb në 100 metra katrorë fushë mund të mundte – për nga çmenduria pra – histerinë ultanacionaliste e raciste të parandeshjes në Beograd; ndoshta disa serbë dinin se çfarë llumi lunatik kanë në mesin e vet prandaj dhe 4000 policët gjithandej. Ky lunatizëm racist e i ndyrë, i ndaluar me pjesëmarrje fillimisht e më pas dhe përkrahje, ju shpërfaq shqiptarëve dhe Evropës gjithandej me këngë e thirrje “vritni shqiptarët” për njëzet minuta rresht, nga 36.000 spektatorë në një vend. Thirrjet e tilla – për vrasje e therje të gjithë shqiptarëve pra – të bëra para syve të organizmave që në thelbin e angazhimit të vet kanë pikërisht anti-racizmin, do të mjaftonin, në rrethana normale, si argumente bindëse për ndërprerje të ndeshje e zbrazje të stadiumit; stadiumet janë zbrazur për një hedhje të bananes – simbol racizmi – pale për thirrje çnjerëzore si vrasja e therja e gjithë shqiptarëve. Dhe më e rënda, më e trishta, nuk kishte ardhur ende. Evropa, ngadalë por sigurt do të shihte anën e vërtetë të Serbisë.

-2-

Në momentin më të mirë të lojës shqiptare, një flamur shqiptar, një hartë me trojet e banuara shqiptare – të bëra në një – një  IsmailQemajl e Isë Boletin nga të dyja anët dhe një mbishkrim “autochthonous”, që në shqip do të thoshte “autokton”, po valëvitej përgjatë stadiumit – pjesë e një fluturake të njohur si “drone”; për të provuar uljen më pas mu në mes të fushës, dhe për të simbolizuar kështu megjithatë prezencën shqiptare – tëtë gjithë shqiptarëve – në mes të të pamundurës. Do të më duhet kohë shumë për të gjetur të arkivuar diku – e ndoshta s’do ta gjejë kurrë – një ndjenjë briliance, madhështie e përfundimisht çlirimi sikurse ajo që pata në momentet e valëvitjes së flamurit shqiptar në stadium. Sikur gjeta disi një përgjigje ekuivalente për të gjitha brohoritjet provokuese e çnjerëzore të stadiumit që bënin thirrje për therje e kasapim të shtatë milion shqiptarëve. Sikur gjeta një përgjigje meritore, të ideuar me shumë mend e inteligjencë, përballë urrejtjes antishqiptare; në mes të urrejtësve; mu në zemër të tyre. Sikur gjeta prekjen e forcave që bëjnë drejtësi, që me një gjest të vetëm – të qetë e paqësor – mbyllin në heshtje lunatikën e më pas nxjerrin në thjeshtësi errësorren e fqinjëve tanë që nuk ka për ta shuar kurrë.

Në rrethana normale, flamuri shqiptar nuk do të përdhosej nga futbollistët serb; sepse, në fund të fundit, e drejta e një kombëtareje për të pasur elemente kombëtare në ndeshje futbolli është e pakontestueshme dhe thjeshtë civilizuese. Në rrethana normale, edhe sikur këto elemente të ishin provokuese për vendasit, do të duhej intervenimi i zyrtarëve të UEFA-s e jo provincialëve të tërbuar e shpellarë që duan të vënë rend e ligj vet, sepse kështu mendja e tyre e thatë ua thotë, se mund të bëjnë çfarë të donë pra.

Por nuk mundën; s’kanë për të mundur asnjëherë. Futbollistë shqiptarë, të rritur e ushqyer nga familje që respektimin e elementeve kombëtare ua mësojnë në fëmijëri, që fjalët e himinit “rreth flamurit të përbashkuar” ua thonë me njëmendësi e jo sharlatanizëm, bënë gjënë e vetme logjike të mundshme; mbrojtjen e flamurit pra. Në këtë pikë, jo për hatër burrërie e trimërie, por për hatër civilizimi e shenje qytetarie, mbrojtja e flamurit nga futbollistët tanë nga përdhosja serbe ishte akti më i bukur dhe më domethënës që dikush mund ta presë ndonjëherë. E mbrojtjen e simboleve shtetërore do ta bënin edhe kombet tjera po të provokoheshin ashtu; është reagim natyral që vjen me sjellje minimialisht njerëzore.

-3-

Serbët e vjetër, urryes e të papërmbajtur ndaj të tjerëve, do të rishfaqeshin mu aty. Evropa do të shihte e lexonte mirë gjithë mendjen tonë që ua hapnim tash e sa vjet. Kjo është Serbia. Tifozë që futen në fushë për të sulmuar lojtarët shqiptarë – paramendoni; pjesëmarrës të sigurimit që u bashkohen me plot mllef; një stadium i tërë që egërsohet menjëherë; dhe dhunë gjithandej.

Vetëmbrojtja e futbollistëve shqiptarë, për aq sa munden, dhe largimi i tyre për në tunel – dhe kështu siguri – ishte lajmi më qetësues në gjithë këtë hallakamë. Në një ambient të tillë dhune e kaosi në dhunë e tribunë, e vetmja gjë që të bie në mend është fati mbi jetën e futbollistëve profesionist që të vetëm – pas asnjë mbështetës – vetëm lojë kishin shkuar për të bërë. Ata bënë lojën për aq sa mundën, mbrojtën flamurin me zëmër kur u dashtë, u vetëmbrojtën në grup mu si një ekip, dhe u larguan në fund për të mos u kthyer në këtë çmenduri.

Në këtë hallakamë brenda fushës, tri elemente të bien në sy. E para, se policia serbe, me apo pa qëllim, përkundër 4000 forcave prezente në stadium, nuk po arrinte të siguronte futbollistët shqiptarë nga dhuna e tifozëve që shpërthente lehtësisht gjithandej. E dyta, se tifozët e pjesëtarë të sigurimit, të prirë nga individë që vetëm dy vite më parë (në skandalin me Italinë) ishin të dënuar për jetë larg futbollit (dhe me burg madje) ndodheshin brenda në fushë. Ata po ushtronin dhunë. E pakapshme, e pakuptueshme, e paparë nëpër Evropë, që zyrtarët e sigurisë tu bashkërendohen huliganëve në dhunë; UEFA ka gjithë kohën e botës për të marrë përgjigje se pse individë të tillë janë në fushë e tribunë. E treta, dhe ana e vetme e mirë në gjithë këtë përzierje, ishte reagimi i një pjese të vogël të futbollistëve profesionistë serb, që të shtyrë mesiguri nga kultura e sjellja evropiane që kanë marrë në klubet ku ata bëjnë lojë, bënin përpjekje për të parandaluar këtë çmenduri.

-4-

Çmenduria e ultranacionalizmi urryes i atyshëm serb, kaloj shpejtë nga fusha në gjithçka publike – në një propagandë të gërditshme që serbët me mjeshtëri por turpshëm e zotërojnë gjithëherë. Fillimisht mediat serbe, të prira nga një sharlatanizëm paragjykimi, cilësonin, besoni ose jo, fluturimin e një fluturake, në një stadium pa tifozë shqiptarë, si arsye kryesore e brutalitetit. Sikur donin të arsyetonin të njëjtit brutalitetin dhe egërsinë e shfaqur në një ballafaqim sportiv; që në Evropë e gjithandej pra zhvillohet vetëm me sportivitet. Pra serbët, që në vitin 2014 kishin nxjerrë 4000 policë për më pak se 40 shqiptarë në Beograd; që kishin kërcënuar me arrest secilin shqiptarë që pretendonte ti afrohej stadiumit; që kishin ndaluar flamujt shqiptarë në një kompeticion nacionalesh; që kishin thurur këngë e thirrje raciste për vrasje e therje të shqiptarëve pandërprerë; që kishin djegur flamurin e NATO-s në tribunë; që kishin shënuar gjithandej “Kosova është Serbi”, po e cilësonin fluturimin e një harte gjithëshqiptare si provokim; rrjedhimisht si arsyetim i mjaftueshëm për brutalitet. Hipokritë. Në këtë pikë kam humbur respektin për mediat serbe që deri vonë i konsideroja pjesë të një opozite intelektuale serbe kundër shovinizmit e fashizmit serb nga periudha Millosheviqiane. Mediat serbe, të gjitha pa përjashtim, ishin shndërruar në vegla propagande të regjimit, që me një orkestrim të paparë po nxirrte shpifje, alibi të gërditshme e paragjykime patetike, gjithmonë raciste; pak a shumë në derexhe të njëjtë sikurse njëzet e sa vite më parë. Regres enorm shoqëror për Serbinë.

Këtë hipokrizi patetike, serbët e kaluan shpejtë nga mediat në politikë; kur ish kryeministri serb Dacic, tani ministër i jashtëm i Serbisë, përveç që fajësoj gjithë shqiptarët për incident – për rikujtim, në një fushë që nuk kishte shqiptarë në tribunë – filloj të thurte skenario konspiracioni se gjoja vëllai i kryeministrit të Shqipërisë Rama, i ndodhur në VIP tribunë, mund të ketë komanduar fluturaken. Një prentendim i gërditshëm si ky kishte për të marrë meritën e vet natyrshëm; sapo të dilinin në pah organizatorët e vërtetë. Por për aq sa serbet mërzitën, për aq sa propagandës së tyre u intereson, asgjë më nuk ka rëndësi. Rëndësi për propagandën serbe ka vetëm fajësimi i të tjerëve, edhe në rastet kur ata bëjnë lëmsh gjithçka. Është sjellje tipike e tyre – e diskursit publik pra – e nisur nga Lufta e Parë Botërore, tek regjimi i Millosheviqit, bombardimet e NATO-s e deri tek dhuna në një stadium të përmbushur me ta plot (dhe askush tjetër) – ku e gjithë bota, ama bash e gjithë (përjashto Putinin e ndonjë diktator tjetër nga Kina, Kuba e Korea e Veriut) janë fajtorë. Pra edhe pse tash e tri ditë nga bërja publike e iniciatorit të fluturakes, me video rekordim e me faktim kohor të planifikimit, të gjithë politikanët serb e të gjitha mediat serbe, vazhdojnë nën propagande të gërditshme të thurin konspiracione që me qëllim provojnë të përfshijnë Qeverinë dhe Federatën Shqiptare që ishin në tribunë. As edhe njëri nga ta nuk ka përmendur – me emër apo fotografi – iniciatorin e fluturakes; asnjëri.

Dhe kështu, për rrumbullakim, politika serbe e ushqyer nga një propagandë e orkestruar që duket se ka kapur atje gjithçka, arrin kulmin e hipokrizisë. Sot, në Serbi kemi një kryeministër serb që fajëson shqiptarët për incident, në fushën e shtetit të vet; një ministër të punëve të jashtme që thotë se serbët nuk janë përgjegjës për dhunë, në një stadium të mbushur eksulzivisht me serb; një ministër serb që kërkon nga Shqipëria kërkimfalje drejt Serbisë; një Federata e Futbolli Serb që kërkon nga UEFA plot tre pikë, dhe në fund një President serb, që i quan shqiptarët të çmendur e Shqipërinë vend jo normal për shumë vjet. Me këtë mendësi, Serbia pretendimin evropian e ka veçse farsë. Serbët me këtë mendje, me këtë sjellje nuk e kanë vendin në Evropë. Kaq për ta; me mend si këto janë të pandreqshëm.

-5-

E rëndësishme – për anën tonë – është ruajtja e qetësisë dhe trajtimi me dinjitet i një provokimi të tillë dhune në Beograd. E rëndësishme për anën tonë që renditja e të gjitha fakteve para UEFA-s. Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria do të marrë 3 pikët në tavolinë po argumentuam mbarë; dhe kjo, mbi të gjitha, në këtë ecje tonën futbollistike ka shumë rëndësi. Nuk ka asnjë dyshim se shteti serb do të dënohet e mbahet përgjegjës për mosaftësi të përmbushjes së kritereve bazike të sigurisë për mbajtje të një loje futbolli. Nuancat e dënimit do të përcaktohen varësisht lehtësirave apo rëndesave që UEFA do t’i ketë për Serbinë. Po u trajtua si repeticion, pas ndërprerjes së njëjtë të lojës në Itali, po nga i njëjti shtet, dy vjet më parë, atëherë Serbia rrezikon përjashtimin nga gara.

E përtej sfondit sportiv, një ngjarje e tillë ka konsekuenca politike. E para, një pamje e tillë dëshmon se sa larg pajtimit është Ballkani dhe sa lehtë mund të nxehen gjakrat e mendjet këndej. Mjafton një ballafaqim sportiv për të nisur pakënaqësi e konflikte nacionale. E dyta, për të gjithë politikanët shqiptarë që kanë besuar se politika serbe dhe përkrahja ultranacionaliste serbe është moderuar, gjithçka ka mbetur në stad të njëjtë. Janë po të njëjtit njerëz, me po të njëjtit pretendime e me po të njëjtat mend. E treta, Evropa duhet të kuptojë mbarë e mirë se politikat e trajtimit të lehtë të ultranacionalistëve serb nuk kanë për të prodhuar stabilitet asnjëherë në Ballkan. Këto politika të përkëdheljes vetëm kanë për grumbulluar gjithë vrerin serb e urrejtjen perëndimore, që nisë me djegie të flamurit të NATO-s në vend të pendesës për regjim brutal, e përfundon me orientime proruse – kur gjithë qytetërimi perëndimor distancon. Serbët dhe qeveria e tyre me bindje të tilla nuk kanë vend në perëndim.

Dhe në këtë frymë, janë tërësisht të pamenduara, jokorrekte dhe irrituese deklaratat e Brukselit nëpërmjet një zëdhënëse terciare, është e baroneshës Ashton, që vlerëson – për çudi e habi – si profesionale e korrekte angazhimin e institucioneve serbe dhe forcave policore në Serbi; një vlerësim në kundërshtim të plotë me akuzat e UEFA-s ndaj Serbisë. Në një gjendje të tillë njeriu fillon të pyes vetës e çfarë realisht do të konsiderohej si joprofesionale përtej goditjeve me ulëse, dhunës së tifozëve, kontributit në dhunë të forcave të sigurisë ndaj lojtarëve profesionistë të futbollit të një vendi me statut kandidat për në BE; Shqipërisë pra? Kush është tjetër është përgjegjës për lejimin e dhunës në një stadium qind për qind serb nëse jo vetinstitucionet e Serbisë? A do të duhej që dhuna fizike të përfundojë në viktima për të ngritur nivelin e cilësimit të Brukselit ndaj institucioneve serbe si të papranueshme? Patetizmat e tillë që provojnë të vënë bilanc edhe në situatat kur përgjegjësi është i qartë, i bëjnë më së miri hair regjionit. Ky vend nuk ka nevojë për trajtim përfundimtar të barabartë pavarësisht shkaktarëve. Ky vend ka nevojë për bërje me gisht dhe mbajtje përgjegjës të secilit shtet, popull e qeveri që shpërfaqë urrejtje e dhunë; e s’ka çfarë të jetë më keq se dhuna material paralajmërues gjithçka tjetër përtej dhunës do të ishte tejet vonë.

Shqiptarët ndërkaq, do të tregojnë civilizim. Përkundër të gjithave, ne megjithatë do të bëjmë futboll për aq sa na lejohet të luajmë; do të bëjmë patriotizëm sa herë që duhet; e do të tregojmë mend për të kaluar provokime e situata të urrejtjes. Ky shekull është megjithatë i yni; i vlerave demokratike, të tolerancës e prosperitetit tonë. Nuk kemi për ta humbur këtë shansë për asnjë teke të çmendjes, lunatizmit e racizimit që fqinjët tanë – fatkeqë – mund ta kenë.

-6-

Për fund fare, nuk kam si të mos flas për disa bashkëpatriotë të mi. Në gjithë këtë valë zhvillimesh, më të padurueshmit, më të paarsyeshmit, e më të papërtypurit, dalin të jenë cinikët tanë quasi-internacionalë, që pretendojnë se shohin primitivizëm e turp në mbrojtjen e simboleve dhe ndjenjave kombëtare.

Të njëjtit që na shiten 'françuzë' e neutralë, s'kanë për të kuptuar kurrë se marre e turp nuk ka kur ndjehesh shqiptar - me gjithë simbolikën që kjo përkatësi bartë. Se flamurin e simbolikën kombëtare e mbrojnë me ngulm e mund secili komb tjetër; amerikan, gjerman, anglez, rus e kinez - në tokë e deri në hanë, në luftë e në paqe, në sport e në rrugë, e bëjnë të gjithë pra. Prandaj çlirohuni nga komplekset e ndihuni siç ndihen gjithë popujt e tjerë; lirshëm e me plot krenari. Nuk ka marre në të qenit autokton; është fakt, të tillë pra jemi. Autokton dhe kryelartë për gjithçka që mbajmë e gjithçka që e shkuara jonë përfaqëson.




Monday, 13 October 2014

MBI RREZIKUN E MBYLLJES SË SHTETIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 TETOR 2014

Deputetët tanë kanë pak më shumë se 100 ditë kohë për të dhënë zgjidhje institucionale e për të krijuar Parlament. Në të kundërtën, vendi ynë për herë të parë do të kalojë në gjendje të “mbylljes".


-1-

Nuk parapëlqej paralajmërimet e emergjencave, sidomos jo të atyre që mund të mos ndodhin asnjëherë; gjithsesi, për hir të rrezikshmërisë së lartë që bartë veçanërisht njëra, më duhet ti them disa fjalë. Bëhet fjalë për vazhdimin e ngërçit për pak më shumë se 100 ditë të tjera dhe kështu sjelljen e Kosovës në një gjendje të pushimit; i thonë “mbyllje e shtetit” (në anglisht government/state shutdo2n).

Sa për rikujtim, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, më 31 janar të vitit 2015 përfundon e drejta e institucioneve të tanishme të Kosovës për të ekzekutuar shpenzime nga arka e shtetit, pra nga buxheti. Pas kësaj dite, asnjë ekzekutim financiar – i pagave, shërbimeve publike, investimeve kapitale apo mbarëvajtjes së aparatit shtetëror – nuk mund të ndodhë pa miratim të ri buxhetor. Pas kësaj date, funksionimi i mekanizmit shtetëror pushon.

Deputetët tanë kanë pak më shumë se 100 ditë kohë për të dhënë zgjidhje institucionale e për të krijuar Parlament. Në të kundërtën, vendi ynë për herë të parë do të kalojë në gjendje të “mbylljes". "Mbyllja e shtetit" ndodhë atëherë kur legjislatura e një vendi nuk aprovon financimin e qeverisë, agjencive publike dhe praktikisht të gjitha shërbimeve tjera publike që ndërlidhen me buxhet. Në mungesë të financimit, të gjitha institucionet shtetërore do të futen në gjendje të detyrueshme të pushimit; secili aktivitet do të jetë thjeshtë vullnetar.

Praktikat ndërkombëtare njohin disa raste të “mbylljes së shtetit”; e fundit ishte në SHBA në fillim të këtij viti kur qeveria dhe agjencitë qeveritare atje ishin “mbyllur” për dy javë rresht mu për shkak të mos aprovimit të buxhetit federal nga Kongresi.

-2-

Më duhet të shënoj këtu se paralajmërimet për kohë deri në muajin mars të 2015-ës nga zyrtarë publik janë keqkuptuese – potencialisht si rrjedhojë e mungesës së njohurisë së tyre me Ligjin në fjalë. Do të ishte muaji mars (siç dhe kishte ndodhur në vitin 2011) nëse zgjedhjet do të mbaheshin vetëm katër muaj para skadencës së afatit për aprovim buxhetor, e që është dita e fundit e vitit 2014. Por meqë zgjedhjet janë mbajtur shumë më herët se kaq, atëherë kufiri i fundit i tolerancës, i paraparë pra me Ligj, përfundon me fundin e janarit.

E drejta e shpenzimit të buxhetit për dy muajt e parë – si refleksion vetëm në rast të mbajtjes së zgjedhjeve pra – na sjellë në një skenar të ri të afatit ultim për mbajtje të zgjedhjeve. Thënë ndryshe, nëse “mbyllja e shtetit” ndodhë si rezultat i vazhdimit të ngërçit politik për pak më shumë se 100 ditë – dhe se kjo kohë e ditëve është kohë e patjetërsueshme për gjetje të zgjidhjes – atëherë edhe mbajtja e zgjedhjeve për të prodhuar zgjidhje, si alternativë potenciale, duhet të bëhet brenda një kornize kohore të kufizuar. Përkatësisht, për t’u shmangur nga “mbyllja e shtetit” më 1 mars të vitit 2014, zgjedhjet duhet të mbahen domosdoshmërish para përfundimit të vitit 2014. Marrë në konsideratë festat e fundvitit, zgjedhjet e jashtëzakonshme – nëse janë në agjendë gjithsesi – duhet të mbahen në dy javët e para të dhjetorit. Pas kësaj datë, asnjë alternativë tjetër – përveç marrëveshjes politike – nuk do të mund të shpëtojë vendin nga “mbyllja eventuale”. Sepse, pas kësaj date, edhe sikur të mbahen zgjedhjet menjëherë, koha e nevojshme për konsolidim e certifikim nuk do të mjaftonte për t’i shpëtuar “mbylljes”.

-3-

Skenari i mbylljes, sado alarmues, ka kohë të mjaftueshme për t’u shmangur. Njëqind e sa ditë janë më shumë se mjaftueshëm për të bërë zgjidhje kushtetuese nga situata e re e krijuar. Për më tepër, skenari i mbylljes, sado alarmues pra, është vetëm një pjesë e një fotografie të gjerë të humbjeve ekonomike që vendi i shënon në këtë periudhë – dhe të gjitha së bashku, si mbyllja e si humbjet – duhet të mjaftojnë për të arsyetuar domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjes së menjëhershme.

Sepse, ndikimet ekonomike të ngërçit, nëse asgjë tjetër, do të shprehen në ekonomi; ato veçse kanë marrë hov. Kjo sepse ekonomia, përkatësisht sektori privat dhe i gjithë aktiviteti ekonomik që buron nga aty, ndërlidhet ngushtë me veprimet e politikat qeveritare. Lidhshmëria e institucioneve me sektorin privat, pra me ndërmarrësit, me punëtorët e me blerësit – pra me vet qytetarët – është ekzistenciale.  Rrjedhimisht, në mungesë të institucioneve që krijojnë, implementojnë e kontrollojnë politika ekonomike, gjendja në vend vetëm se do të rëndohet dukshëm. E për dallim nga fushat tjera, konsekuencat ekonomike do të marrin kohë për t’u rikuperuar. Mos të harrojmë se vendi ynë ka kohë që nuk arrin të ndërtojë mirëfilli bazat e shëndosha të zhvillimit ekonomik, madje as edhe atëherë kur kishte institucione funksionale. Mungesa e tyre sot veçse është një rëndesë e dyfishtë mbi një ekonomi bukur fragjile.

Sa për rrumbullakim, ngërçi politik i Kosovës prodhon katër efekte regresive ekonomike. I pari ka të bëjë me ndërprerjen e investimeve kapitale në vend; dhe kjo ndërprerje ndodhë pikërisht në kohën kur Kosovës i duhej një iniciativë e re dhe rifreskuese e investimeve kapitale në infrastrukturë, energjetikë, telekom e miniera. Pra të gjitha sektorët e rëndësishëm ekonomik që meritojnë vëmendje sot janë lënë në sfond të dytë; dhe kjo ka për ta na kushtuar shumë. Efekti i dytë ka të bëjë me prokurimin publik, përkatësisht me shpërndarjen e parasë publike tek bizneset. Stagnimi institucional nënkupton edhe stagnim të kontraktimit të bizneseve; rrjedhimisht rëndesë e aktivitetit biznesor në vend. Kjo rëndesë do të përkthehet tek secili biznes e individ tjetër në një cikël të tërë multiplikimi ekonomik, nga qarkullimi e deri tek aftësia për të shpenzuar apo investuar. Efekti i tretë ndërlidhet me ndërprerjen e politikave jokapitale nga qeveria, siç mund të jetë ndër të tjerash, subvencionimi i agrobizneseve, apo procedimi me reforma fiskale, të operimit, gjenerimit të kapitalit e të ngjashme. Të gjitha së bashku do të rëndojnë edhe më tutje ambientin e rëndë biznesor, e do të ulin aftësinë konkurruese të sipërmarrësve tanë. Efekti i katërt, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me imazhin e pasigurt që ngërçi politik mund të përçojë jashtë tek investitorët e huaj. Sepse, në fund të fundit, askush nuk parapëlqen një vend me risk politik - siç dhe del të jetë ky i yni.

Si pasojë e ngecjeve ekonomike, Kosova do të shënojë një rritje ekonomike dukshëm më të ulët se të vitit paraprak, dhe konsiderueshëm më të ulët se çfarë ka planifikuar një vit më parë. Pra, duke parë rrjedhat e fundit politike, vendi as që mund të llogarisë në një rritje ekonomike prej 4% sa kishte planifikuar – përgjysmimi i saj në rastin më të mirë të mundshëm do të jetë një output i mjaftueshëm. E mosaftësia e vendit tonë për të shënuar rritje ekonomike në afërsi të 8-10% nënkupton se edhe për disa kohë ne nuk do të mund t’i akomodojmë të papunët që i kemi tani dhe të tjerët që do të futen gradualisht në treg; se për sa kohë nuk mund të konkurrojmë me rajon, e nuk mund të përmirësojmë standardin e jetesës sonë. Me pasoja evidente do të përballen edhe bizneset tona, të cilat do të shënojnë stagnim në potencialin e tyre rritës dhe humbje të aftësisë konkurruese me bizneset rajonale. E gjitha në fund do të përkthehet me më pak vlerë të shtuar, më shumë papunësi dhe më shumë rritje të çmimeve e varësi në importe.


-4-

Kushdo që provon të bëjë zgjidhje ka para vetës një orë që ecën shpejtë dhe një kufi që do të afrohet shpejtë. Presidentja, Kushtetuesja, komuniteti ndërkombëtar, ndërmjetësuesit e pavarur apo vet partitë politike duhet të kenë të qartë se neglizhenca e tyre, paqartësia interpretuese e indeferenca politike mund të sjellë Kosovën më shpejtë se sa që mendojmë në prag të potencialeve destabilizuese – përfshirë dhe protestat e kosovarëve gjithandej.

Nuk mund ta parafytyrojë një Kosovë në shkurt të 2015-ës pa Parlament, pa buxhet dhe me 80.000 shërbyes civil pa paga. Është mu stabiliteti i mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve e secilit shërbyes tjetër publik qendror e lokal që ka shmangur trazirat sociale në vend. Sepse janë mu kategoritë si këto – dhe askush tjetër – që mund të gjenerojë protesta e krizë në shkallë të paimagjinueshme. Ndërprerja e kompenzimeve për ta do të shpjerë vendin në një situatë të fragjilitetit gjithënacional, të shprehjes së pakënaqësisë në rrugë dhe potencialisht devijimit të kësaj pakënaqësie në skenarë tmerrësisht të dëmshme për gjithë vendin – dhe gjithë ecjen tonë, sado të ngadaltë, shtetformuese.

Prandaj, për të parandaluar këtë gjendje – dhe sidomos për t ëparandaluar ecjen e vetëdijshme të disave drejt një gjendje të tillë – na duhet një zgjidhje sa më shpejtë. Konsekuencat ekonomike do të kalohen; do të humben një e dy vite, por ato do të kalohen. Konsekuencat tjera sociale që i kemi në prag – dhe jo më shumë se 100 ditë larg – do të jenë të parikuperueshme.




Monday, 6 October 2014

PENG TË ZAPTIMIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 TETOR 2014

Blloku VLAN ka dy alternativa. E para që të insistojë me ngulm  tek Presidentja për zgjidhje të menjëhershme të situatës – përfshirë edhe kërkesën e re të saj për qartësim kushtetues rreth çështjes së kryeparlamentarit dhe nenit 12. E dyta, që të gjejë rrugë ligjore të ç’zaptojë foltoren e Parlamentit, rrjedhimisht të zgjedhë institucionet e të lë më pas PDK-në të merret me Presidente dhe Kushtetuese. Në secilën rrethanë, blloku nuk ka asnjë llogari të vazhdojë ecjen në rrugë të shtyrjeve. Shtyrjet do të detyrojnë bllokun në kompromis


-1-

Ky ngërç politik, që derivon jo nga balancat e mospajtimeve (sepse balanca do të nënkuptonte barazpeshë) por ekskluzivisht nga zaptimi, na lë të kuptojë – ndoshta për herë të parë kaq qartë e kaq mirë – se sa pak institucione e sa shumë paradokse kemi ndërtuar si shtet tash e shtatë vjet. Për të mos thënë fare, në shtatë vjet ekzistencë ky vend i vogël e me shumë telashe, ka vendosur të lë gjithë fatin e fragjilitetin e të tij në një parti politike, pakicë parlamentare, që për fat dhe asgjë më shumë ndodhë të ketë më të moshuarin në radhët e veta. Dhe për shkak të këtij fati dhe jo më shumë, ky vend vazhdon të mbetet pa institucione tash e njëqind e sa ditë. Sepse e moshuara që me fat pra ndodhë të jetë caktuar si bartëse e  ceremonisë së nisjes, vendosë të suspendojë, shtyjë e bllokoj një shtet të tërë – kur nuk ka aq kompetencë. Arti ynë i të bërit sepse mundemi, tipik pra i anëve tona – ka qenë dhe si duket vazhdon të jetë burim kryesor i ngecjes sonë. Integritet fare, sens dhe më pak – mundësi gjithmonë – prandaj dhe bërja.

Natyrisht se në këtë proces komplikues kontribuojnë dhe tre fajtorë të tjerë. I pari, dhe më i rëndësishmi, Gjykata Kushtetuese, e cila me ose pa qëllim vendosë të prodhojë interpretime kushtetuese që mundësojnë dualizma të tjerë interpretues. Në gjendjen më të rëndë politike të mundshme të vendit që nga pas shpalljes së pavarësisë, Gjykata Kushtetuese ka luksin e nxjerrjes së vendimeve të paqarta; thujse gjuha shqipe qenka aq e komplikuar sa për të mos dhënë një verdikt të prerë – nëse ka të tillë gjithsesi – se kujt dhe vetëm kujt – nëse është ashtu pra – i takon pozita e kryeparlamentarit.

Fajtori i dytë – shtesë pra – është edhe insistimi i pakuptueshëm i bllokut që të vazhdojë ecjen në rrugën e trasuar nga bllokuesit e PDK-së. Është pikërisht kjo rrugë që zaptuesit dëshirojnë të tjerët t’i vihen pas; dhe është pikërisht pazari për një pozitë të parëndësishme – sikurse kryeparlamentari – niveli në të cilën zaptuesit dëshirojnë të mbajnë të tjerët.

Fajtori i tretë – dhe fatmirësisht në pakësim – është ndikimi ndërkombëtar në vend; që megjithatë duket të mbajë në dorë çelësin e zgjidhjes politike për Kosovën. Këtë herë jo me zarf, siç paradoksalisht e trishtueshëm filluan përfoljet e javës që lamë pas, por me mjete plotësisht institucionale – diçka për shembull si Presidentja.

-2-

Faktori ndërkombëtar në Kosovë është megjithatë decisiv; për këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Secili veprim, secili bashkim e secila ndarje do të bëhet vetëm me aprovim të ndërkombëtarëve. Dhe këtë aprovim ndërkombëtarët e kanë siguruar me mjeshtëri nëpërmjet tre proceseve plotësisht institucionale; gjithsesi të ndërlidhura ngushtë në mes veti.

I pari ka të bëjë me përzgjedhjen e Presidentes – përzgjedhje kjo që fatkeqësisht ishte bërë me një ndërhyrje brutale, plot anonimitet e anomali institucionale tre vjet më parë. Gjithsesi, Presidentja deri në bërje anonime, mësoj shpejtë, u mbështet shumë, dhe në fund del të jetë faktor përcaktues i zgjidhjeve kaq të rënda politike – kur dikush më së paku e pret atë.

Në këtë bërje esenciale mbetet po ashtu edhe vizita e saj në SHBA – procesi i dytë përcaktues pra – vizitë kjo që për fatin tonë të mirë si shtet konfirmon një aleancë të fatit shumë; se nuk kemi bërë shumë ndryshe për ta merituar atë. Kjo vizitë, kjo pritje dhe kjo mbështetje, e kthen Presidenten e Kosovës në një autoritet të pakontestueshëm mes partive politike; të pakontestueshëm sa nuk bëhet më. Për gallatë e zbavitje Presidentja me fuqinë e percepcionet që ka sot, do të mund të prodhonte vet një emër të ri rrugës për kthim në shtëpi; vë bast se nuk do ta kontestonte askush emrin nga pritësit tanë. Pra në rrethana normale, relacione të tilla forcimi e mbështetje duhej të kishin liderët tanë politik; por ja që duket se të gjithë – pa përjashtim – të kenë gabuar diku. Rrjedhimisht anonimiteti i transformuar në determinues.

Procesi i tretë përcaktues, vazhdon të mbetet vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese, e cila në interpretimin për mandatar të qeverisë i jep diskrecion të plotë Presidentes. Pra është Presidentja e vendit, e vendosur dhe mbështetur nga faktori ndërkombëtar pra, që ka të drejtën e fjalës së fundit e të pakontestueshme madje. Dhe kjo e drejtë, me gjithë mbështetjen që merr, do të jetë vendimtare për zgjidhje. Në gjithë këto procese, vendimtarët e vetëm mbesin ndërkombëtarët, ata që vendosën, mësuan dhe mbështetën Presidenten – autoritetin e vetëm Kushtetues për të dhënë zgjidhje.

-3-

Ndërhyrja ndërkombëtare, tashmë e institucionalizuar dhe e paketuar si këshillë miqësore, më duhet të them se është fatkeqësisht alternativa e vetme e daljes nga ngërçi i tanishëm institucional. Sado e dhimbshme, sado treguese e papjekurisë politike tonën dhe mungesës absolute të institucioneve të pavarura e me integritet, ndërhyrja ndërkombëtare – e institucionalizuar tashmë pra – prodhon megjithatë zgjidhje.

Dhe ndoshta ky ka qenë dhe qëllimi i vetëm i zaptuesve të Kosovës, ata që kontrollojë foltoren por jo Parlamentin; që duan Qeverinë por që nuk kanë votat. Ndoshta me vonesat, shtyrjet e improvizimet tjera, këta zaptues dhe kanë kërkuar intervenim politik ndërkombëtar në vend. Sepse intervenimi ndërkombëtar do të nënkuptonte kompromise në mes të partive politike; e janë mu kompromiset çfarë zaptuesit duan.

Prandaj dhe vazhdimisht insistimi i shtytësve të bllokut VLAN për heqje dorë nga një pozitë – me ose pa të drejtë – për të marrë nën zotim qëllimin ultim të vet zgjedhjeve, Qeverinë pra. Sepse, secila vonesë formëson ngërçe, secili formësim prodhon ngecje; e secila ngecje kërkon intervenim. Intervenimi rrjedhimisht duhet të krijojë situatë ku humbin e fitojnë të gjithë nga pak.

Presidentja e Kosovës – me gjithë mbështetjen ndërkombëtare që ka – do të vazhdojë të jetë përcaktuesi i fundit i daljes eventuale nga gjendja e tanishme. Deri më tani ajo nuk ka mbajtur anë. Mosmbajtja e anëve, në parim, nënkupton se ajo – me gjithë ndërkombëtarët që i rrinë pas – do të duhej të gjejnë një zgjidhje që kënaqë të gjitha palët në këtë kontest – prandaj dhe mosmbajtja e anëve. Pra do të duhej një “zero sum game” zgjidhje.

Nevoja për gjetje të zgjidhjeve shumë lehtë mund t’i shndërrojë takimet individuale me palëve në kontest në takime të përbashkëta. Në momentin e parë që palët pranojnë uljen e përbashkët – do të pranojnë dhe kompromisin. E kompromisi i pranuar paraprakisht – si derivat pra i uljes në takime të përbashkëta – transformon bllokun VLAN rrënjësisht.

Për të mos ndodhur kjo, blloku VLAN ka dy alternativa. E para që të insistojë me ngulm  tek Presidentja për zgjidhje të menjëhershme të situatës – përfshirë edhe kërkesën e re të saj për qartësim kushtetues rreth çështjes së kryeparlamentarit dhe nenit 127 (që blloku e sheh si favorizues për ta). E dyta, që të gjejë rrugë ligjore të ç’zaptojë foltoren e Parlamentit, rrjedhimisht të zgjedhë institucionet e të lë më pas PDK-në të merret me Presidente dhe Kushtetuese. Në secilën rrethanë, blloku nuk ka asnjë llogari të vazhdojë ecjen në rrugë të shtyrjeve. Shtyrjet do të detyrojnë bllokun në kompromis.