Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 TETOR 2014
Do
të më duhet kohë shumë për të gjetur të arkivuar diku – e ndoshta s’do ta gjejë
kurrë – një ndjenjë briliance, madhështie e përfundimisht çlirimi sikurse ajo
që pata në momentet e valëvitjes së flamurit shqiptar në stadium. Sikur gjeta
disi një përgjigje ekuivalente për të gjitha brohoritjet provokuese e
çnjerëzore të stadiumit që bënin thirrje
për therje e kasapim të shtatë milion shqiptarëve.
-1-
Janë të rralla momentet që inspirojnë një komb të
tërë; që bëjnë bashkë në një palë sy e vesh burra, gra, djem, vajza, pleq e
fëmijë. E ballafaqimi i kombëtares shqiptare me atë serbe në Beograd nuk ishte
aspak më ndryshe; ishte pra inspirues për një komb të tërë – të tonin pra.
Sepse, ndonëse për pak, shqiptarët gjithandej – të bashkuar pra – zëvendësuan
hallet e përditshme me një ndjenjë shprese e mburrje për atë çfarë janë e çfarë
e shkuara e tyre mbanë. Mbi të shkuarën e të tashmen, djemtë shqiptarë të bërë
bashkë në një kombëtare futbolli, po projektonin të ardhmen tonëpër në Evropë;
vitin 2016.
Ky projektim do të duhej të kalonte fillimisht nëpër
ferr. Sepse – për shqiptarët – Beogradi ishte bërë ferr. Për dallim nga secili
vend e shtet tjetër i civilizuar evropian, të pacivilizuarit e zakonshëm në
pretendim për t’u bërë evropian, kishin ndaluar secilin shqiptarë të merrte
pjesë në një ngjarje futbollistike që sot luhet – tek të civilizuarit pra – me
plot sportivitet e relaks; dhe hiç më ndryshe. Për të mos mjaftuar ndalesa,
autoritetet zyrtare beogradase kishin paralajmëruar me arrest policor secilin
që bën tifo për shqiptarët e secilin që bartë një element të vetëm shqiptar me
vete. Akt më racist, më jocivilizues e më të parafinuar në secilin kandar të
njerëzores vështirë se dikush mund të gjejë sot nëpër Evropë. Serbët pra, të
shtyrë nga lunatizimi i zakonshëm i tyre që duket se nuk merr fund kurrë, kishin
shndërruar një ngjarje të zakonshme sportive në një mjet diskriminimi racor. Një
ballafaqim nacionalesh pa përkrahje e elemente nacionale për njërën palë – viti
2014, në Evropë – çfarë tjetër mund të jetë më e trishtuar e më bizare se kaq?!
Ndoshta pjesëmarrja e 4000 policëve serb në 100
metra katrorë fushë mund të mundte – për nga çmenduria pra – histerinë ultanacionaliste
e raciste të parandeshjes në Beograd; ndoshta disa serbë dinin se çfarë llumi lunatik
kanë në mesin e vet prandaj dhe 4000 policët gjithandej. Ky lunatizëm racist e
i ndyrë, i ndaluar me pjesëmarrje fillimisht e më pas dhe përkrahje, ju shpërfaq
shqiptarëve dhe Evropës gjithandej me këngë e thirrje “vritni shqiptarët” për
njëzet minuta rresht, nga 36.000 spektatorë në një vend. Thirrjet e tilla – për
vrasje e therje të gjithë shqiptarëve pra – të bëra para syve të organizmave që
në thelbin e angazhimit të vet kanë pikërisht anti-racizmin, do të mjaftonin, në
rrethana normale, si argumente bindëse për ndërprerje të ndeshje e zbrazje të
stadiumit; stadiumet janë zbrazur për një hedhje të bananes – simbol racizmi –
pale për thirrje çnjerëzore si vrasja e therja e gjithë shqiptarëve. Dhe më e rënda,
më e trishta, nuk kishte ardhur ende. Evropa, ngadalë por sigurt do të shihte
anën e vërtetë të Serbisë.
-2-
Në momentin më të mirë të lojës shqiptare, një
flamur shqiptar, një hartë me trojet e banuara shqiptare – të bëra në një – një IsmailQemajl e Isë Boletin nga të dyja anët
dhe një mbishkrim “autochthonous”, që në shqip do të thoshte “autokton”, po valëvitej
përgjatë stadiumit – pjesë e një fluturake të njohur si “drone”; për të provuar
uljen më pas mu në mes të fushës, dhe për të simbolizuar kështu megjithatë
prezencën shqiptare – tëtë gjithë shqiptarëve – në mes të të pamundurës. Do të
më duhet kohë shumë për të gjetur të arkivuar diku – e ndoshta s’do ta gjejë
kurrë – një ndjenjë briliance, madhështie e përfundimisht çlirimi sikurse ajo që
pata në momentet e valëvitjes së flamurit shqiptar në stadium. Sikur gjeta disi
një përgjigje ekuivalente për të gjitha brohoritjet provokuese e çnjerëzore të
stadiumit që bënin thirrje për therje e kasapim të shtatë milion shqiptarëve. Sikur
gjeta një përgjigje meritore, të ideuar me shumë mend e inteligjencë, përballë
urrejtjes antishqiptare; në mes të urrejtësve; mu në zemër të tyre. Sikur gjeta
prekjen e forcave që bëjnë drejtësi, që me një gjest të vetëm – të qetë e
paqësor – mbyllin në heshtje lunatikën e më pas nxjerrin në thjeshtësi
errësorren e fqinjëve tanë që nuk ka për ta shuar kurrë.
Në rrethana normale, flamuri shqiptar nuk do të
përdhosej nga futbollistët serb; sepse, në fund të fundit, e drejta e një
kombëtareje për të pasur elemente kombëtare në ndeshje futbolli është e
pakontestueshme dhe thjeshtë civilizuese. Në rrethana normale, edhe sikur këto
elemente të ishin provokuese për vendasit, do të duhej intervenimi i zyrtarëve
të UEFA-s e jo provincialëve të tërbuar e shpellarë që duan të vënë rend e ligj
vet, sepse kështu mendja e tyre e thatë ua thotë, se mund të bëjnë çfarë të
donë pra.
Por nuk mundën; s’kanë për të mundur asnjëherë.
Futbollistë shqiptarë, të rritur e ushqyer nga familje që respektimin e
elementeve kombëtare ua mësojnë në fëmijëri, që fjalët e himinit “rreth
flamurit të përbashkuar” ua thonë me njëmendësi e jo sharlatanizëm, bënë gjënë
e vetme logjike të mundshme; mbrojtjen e flamurit pra. Në këtë pikë, jo për hatër
burrërie e trimërie, por për hatër civilizimi e shenje qytetarie, mbrojtja e
flamurit nga futbollistët tanë nga përdhosja serbe ishte akti më i bukur dhe më
domethënës që dikush mund ta presë ndonjëherë. E mbrojtjen e simboleve shtetërore
do ta bënin edhe kombet tjera po të provokoheshin ashtu; është reagim natyral që
vjen me sjellje minimialisht njerëzore.
-3-
Serbët e vjetër, urryes e të papërmbajtur ndaj të
tjerëve, do të rishfaqeshin mu aty. Evropa do të shihte e lexonte mirë gjithë
mendjen tonë që ua hapnim tash e sa vjet. Kjo është Serbia. Tifozë që futen në
fushë për të sulmuar lojtarët shqiptarë – paramendoni; pjesëmarrës të sigurimit
që u bashkohen me plot mllef; një stadium i tërë që egërsohet menjëherë; dhe
dhunë gjithandej.
Vetëmbrojtja e futbollistëve shqiptarë, për aq sa
munden, dhe largimi i tyre për në tunel – dhe kështu siguri – ishte lajmi më
qetësues në gjithë këtë hallakamë. Në një ambient të tillë dhune e kaosi në
dhunë e tribunë, e vetmja gjë që të bie në mend është fati mbi jetën e futbollistëve
profesionist që të vetëm – pas asnjë mbështetës – vetëm lojë kishin shkuar për
të bërë. Ata bënë lojën për aq sa mundën, mbrojtën flamurin me zëmër kur u
dashtë, u vetëmbrojtën në grup mu si një ekip, dhe u larguan në fund për të mos
u kthyer në këtë çmenduri.
Në këtë hallakamë brenda fushës, tri elemente të
bien në sy. E para, se policia serbe, me apo pa qëllim, përkundër 4000 forcave
prezente në stadium, nuk po arrinte të siguronte futbollistët shqiptarë nga
dhuna e tifozëve që shpërthente lehtësisht gjithandej. E dyta, se tifozët e
pjesëtarë të sigurimit, të prirë nga individë që vetëm dy vite më parë (në
skandalin me Italinë) ishin të dënuar për jetë larg futbollit (dhe me burg
madje) ndodheshin brenda në fushë. Ata po ushtronin dhunë. E pakapshme, e
pakuptueshme, e paparë nëpër Evropë, që zyrtarët e sigurisë tu bashkërendohen
huliganëve në dhunë; UEFA ka gjithë kohën e botës për të marrë përgjigje se pse
individë të tillë janë në fushë e tribunë. E treta, dhe ana e vetme e mirë në
gjithë këtë përzierje, ishte reagimi i një pjese të vogël të futbollistëve
profesionistë serb, që të shtyrë mesiguri nga kultura e sjellja evropiane që
kanë marrë në klubet ku ata bëjnë lojë, bënin përpjekje për të parandaluar këtë
çmenduri.
-4-
Çmenduria e ultranacionalizmi urryes i atyshëm serb,
kaloj shpejtë nga fusha në gjithçka publike – në një propagandë të gërditshme që
serbët me mjeshtëri por turpshëm e zotërojnë gjithëherë. Fillimisht mediat
serbe, të prira nga një sharlatanizëm paragjykimi, cilësonin, besoni ose jo,
fluturimin e një fluturake, në një stadium pa tifozë shqiptarë, si arsye
kryesore e brutalitetit. Sikur donin të arsyetonin të njëjtit brutalitetin dhe
egërsinë e shfaqur në një ballafaqim sportiv; që në Evropë e gjithandej pra
zhvillohet vetëm me sportivitet. Pra serbët, që në vitin 2014 kishin nxjerrë
4000 policë për më pak se 40 shqiptarë në Beograd; që kishin kërcënuar me
arrest secilin shqiptarë që pretendonte ti afrohej stadiumit; që kishin ndaluar
flamujt shqiptarë në një kompeticion nacionalesh; që kishin thurur këngë e
thirrje raciste për vrasje e therje të shqiptarëve pandërprerë; që kishin
djegur flamurin e NATO-s në tribunë; që kishin shënuar gjithandej “Kosova është
Serbi”, po e cilësonin fluturimin e një harte gjithëshqiptare si provokim;
rrjedhimisht si arsyetim i mjaftueshëm për brutalitet. Hipokritë. Në këtë pikë
kam humbur respektin për mediat serbe që deri vonë i konsideroja pjesë të një
opozite intelektuale serbe kundër shovinizmit e fashizmit serb nga periudha
Millosheviqiane. Mediat serbe, të gjitha pa përjashtim, ishin shndërruar në vegla
propagande të regjimit, që me një orkestrim të paparë po nxirrte shpifje, alibi
të gërditshme e paragjykime patetike, gjithmonë raciste; pak a shumë në derexhe
të njëjtë sikurse njëzet e sa vite më parë. Regres enorm shoqëror për Serbinë.
Këtë hipokrizi patetike, serbët e kaluan shpejtë
nga mediat në politikë; kur ish kryeministri serb Dacic, tani ministër i jashtëm
i Serbisë, përveç që fajësoj gjithë shqiptarët për incident – për rikujtim, në
një fushë që nuk kishte shqiptarë në tribunë – filloj të thurte skenario
konspiracioni se gjoja vëllai i kryeministrit të Shqipërisë Rama, i ndodhur në
VIP tribunë, mund të ketë komanduar fluturaken. Një prentendim i gërditshëm si
ky kishte për të marrë meritën e vet natyrshëm; sapo të dilinin në pah organizatorët
e vërtetë. Por për aq sa serbet mërzitën, për aq sa propagandës së tyre u
intereson, asgjë më nuk ka rëndësi. Rëndësi për propagandën serbe ka vetëm fajësimi
i të tjerëve, edhe në rastet kur ata bëjnë lëmsh gjithçka. Është sjellje tipike
e tyre – e diskursit publik pra – e nisur nga Lufta e Parë Botërore, tek
regjimi i Millosheviqit, bombardimet e NATO-s e deri tek dhuna në një stadium të
përmbushur me ta plot (dhe askush tjetër) – ku e gjithë bota, ama bash e gjithë
(përjashto Putinin e ndonjë diktator tjetër nga Kina, Kuba e Korea e Veriut)
janë fajtorë. Pra edhe pse tash e tri ditë nga bërja publike e iniciatorit të fluturakes,
me video rekordim e me faktim kohor të planifikimit, të gjithë politikanët serb
e të gjitha mediat serbe, vazhdojnë nën propagande të gërditshme të thurin
konspiracione që me qëllim provojnë të përfshijnë Qeverinë dhe Federatën
Shqiptare që ishin në tribunë. As edhe njëri nga ta nuk ka përmendur – me emër
apo fotografi – iniciatorin e fluturakes; asnjëri.
Dhe kështu, për rrumbullakim, politika serbe e ushqyer
nga një propagandë e orkestruar që duket se ka kapur atje gjithçka, arrin
kulmin e hipokrizisë. Sot, në Serbi kemi një kryeministër serb që fajëson shqiptarët
për incident, në fushën e shtetit të vet; një ministër të punëve të jashtme që
thotë se serbët nuk janë përgjegjës për dhunë, në një stadium të mbushur
eksulzivisht me serb; një ministër serb që kërkon nga Shqipëria kërkimfalje
drejt Serbisë; një Federata e Futbolli Serb që kërkon nga UEFA plot tre pikë,
dhe në fund një President serb, që i quan shqiptarët të çmendur e Shqipërinë
vend jo normal për shumë vjet. Me këtë mendësi, Serbia pretendimin evropian e
ka veçse farsë. Serbët me këtë mendje, me këtë sjellje nuk e kanë vendin në
Evropë. Kaq për ta; me mend si këto janë të pandreqshëm.
-5-
E rëndësishme – për anën tonë – është ruajtja e
qetësisë dhe trajtimi me dinjitet i një provokimi të tillë dhune në Beograd. E
rëndësishme për anën tonë që renditja e të gjitha fakteve para UEFA-s. Nuk ka
asnjë dyshim se Shqipëria do të marrë 3 pikët në tavolinë po argumentuam mbarë;
dhe kjo, mbi të gjitha, në këtë ecje tonën futbollistike ka shumë rëndësi. Nuk
ka asnjë dyshim se shteti serb do të dënohet e mbahet përgjegjës për mosaftësi
të përmbushjes së kritereve bazike të sigurisë për mbajtje të një loje
futbolli. Nuancat e dënimit do të përcaktohen varësisht lehtësirave apo rëndesave
që UEFA do t’i ketë për Serbinë. Po u trajtua si repeticion, pas ndërprerjes së
njëjtë të lojës në Itali, po nga i njëjti shtet, dy vjet më parë, atëherë
Serbia rrezikon përjashtimin nga gara.
E përtej sfondit sportiv, një ngjarje e tillë ka
konsekuenca politike. E para, një pamje e tillë dëshmon se sa larg pajtimit është
Ballkani dhe sa lehtë mund të nxehen gjakrat e mendjet këndej. Mjafton një
ballafaqim sportiv për të nisur pakënaqësi e konflikte nacionale. E dyta, për të
gjithë politikanët shqiptarë që kanë besuar se politika serbe dhe përkrahja
ultranacionaliste serbe është moderuar, gjithçka ka mbetur në stad të njëjtë.
Janë po të njëjtit njerëz, me po të njëjtit pretendime e me po të njëjtat mend.
E treta, Evropa duhet të kuptojë mbarë e mirë se politikat e trajtimit të lehtë
të ultranacionalistëve serb nuk kanë për të prodhuar stabilitet asnjëherë në
Ballkan. Këto politika të përkëdheljes vetëm kanë për grumbulluar gjithë vrerin
serb e urrejtjen perëndimore, që nisë me djegie të flamurit të NATO-s në vend të
pendesës për regjim brutal, e përfundon me orientime proruse – kur gjithë qytetërimi
perëndimor distancon. Serbët dhe qeveria e tyre me bindje të tilla nuk kanë
vend në perëndim.
Dhe në këtë frymë, janë tërësisht të pamenduara,
jokorrekte dhe irrituese deklaratat e Brukselit nëpërmjet një zëdhënëse terciare,
është e baroneshës Ashton, që vlerëson – për çudi e habi – si profesionale e
korrekte angazhimin e institucioneve serbe dhe forcave policore në Serbi; një vlerësim
në kundërshtim të plotë me akuzat e UEFA-s ndaj Serbisë. Në një gjendje të
tillë njeriu fillon të pyes vetës e çfarë realisht do të konsiderohej si
joprofesionale përtej goditjeve me ulëse, dhunës së tifozëve, kontributit në
dhunë të forcave të sigurisë ndaj lojtarëve profesionistë të futbollit të një
vendi me statut kandidat për në BE; Shqipërisë pra? Kush është tjetër është
përgjegjës për lejimin e dhunës në një stadium qind për qind serb nëse jo
vetinstitucionet e Serbisë? A do të duhej që dhuna fizike të përfundojë në
viktima për të ngritur nivelin e cilësimit të Brukselit ndaj institucioneve serbe
si të papranueshme? Patetizmat e tillë që provojnë të vënë bilanc edhe në
situatat kur përgjegjësi është i qartë, i bëjnë më së miri hair regjionit. Ky
vend nuk ka nevojë për trajtim përfundimtar të barabartë pavarësisht shkaktarëve.
Ky vend ka nevojë për bërje me gisht dhe mbajtje përgjegjës të secilit shtet,
popull e qeveri që shpërfaqë urrejtje e dhunë; e s’ka çfarë të jetë më keq se
dhuna material paralajmërues gjithçka tjetër përtej dhunës do të ishte tejet
vonë.
Shqiptarët ndërkaq, do të tregojnë civilizim.
Përkundër të gjithave, ne megjithatë do të bëjmë futboll për aq sa na lejohet
të luajmë; do të bëjmë patriotizëm sa herë që duhet; e do të tregojmë mend për
të kaluar provokime e situata të urrejtjes. Ky shekull është megjithatë i yni;
i vlerave demokratike, të tolerancës e prosperitetit tonë. Nuk kemi për ta
humbur këtë shansë për asnjë teke të çmendjes, lunatizmit e racizimit që
fqinjët tanë – fatkeqë – mund ta kenë.
-6-
Për fund fare, nuk kam si të mos flas për disa bashkëpatriotë
të mi. Në gjithë këtë valë zhvillimesh, më të padurueshmit, më të paarsyeshmit,
e më të papërtypurit, dalin të jenë cinikët tanë quasi-internacionalë, që
pretendojnë se shohin primitivizëm e turp në mbrojtjen e simboleve dhe
ndjenjave kombëtare.
Të njëjtit që na shiten 'françuzë' e neutralë,
s'kanë për të kuptuar kurrë se marre e turp nuk ka kur ndjehesh shqiptar - me
gjithë simbolikën që kjo përkatësi bartë. Se flamurin e simbolikën kombëtare e
mbrojnë me ngulm e mund secili komb tjetër; amerikan, gjerman, anglez, rus e
kinez - në tokë e deri në hanë, në luftë e në paqe, në sport e në rrugë, e
bëjnë të gjithë pra. Prandaj çlirohuni nga komplekset e ndihuni siç ndihen
gjithë popujt e tjerë; lirshëm e me plot krenari. Nuk ka marre në të qenit autokton;
është fakt, të tillë pra jemi. Autokton dhe kryelartë për gjithçka që mbajmë e
gjithçka që e shkuara jonë përfaqëson.
No comments:
Post a Comment