Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 TETOR 2014
Deputetët tanë kanë pak më shumë se 100
ditë kohë për të dhënë zgjidhje institucionale e për të krijuar Parlament. Në
të kundërtën, vendi ynë për herë të parë do të kalojë në gjendje të “mbylljes".
-1-
Nuk
parapëlqej paralajmërimet e emergjencave, sidomos jo të atyre që mund të mos
ndodhin asnjëherë; gjithsesi, për hir të rrezikshmërisë së lartë që bartë veçanërisht
njëra, më duhet ti them disa fjalë. Bëhet fjalë për vazhdimin e ngërçit për pak
më shumë se 100 ditë të tjera dhe kështu sjelljen e Kosovës në një gjendje të
pushimit; i thonë “mbyllje e shtetit” (në anglisht government/state shutdo2n).
Sa për
rikujtim, sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, më 31 janar të vitit
2015 përfundon e drejta e institucioneve të tanishme të Kosovës për të
ekzekutuar shpenzime nga arka e shtetit, pra nga buxheti. Pas kësaj dite, asnjë
ekzekutim financiar – i pagave, shërbimeve publike, investimeve kapitale apo
mbarëvajtjes së aparatit shtetëror – nuk mund të ndodhë pa miratim të ri
buxhetor. Pas kësaj date, funksionimi i mekanizmit shtetëror pushon.
Deputetët
tanë kanë pak më shumë se 100 ditë kohë për të dhënë zgjidhje institucionale e
për të krijuar Parlament. Në të kundërtën, vendi ynë për herë të parë do të
kalojë në gjendje të “mbylljes". "Mbyllja e shtetit" ndodhë
atëherë kur legjislatura e një vendi nuk aprovon financimin e qeverisë,
agjencive publike dhe praktikisht të gjitha shërbimeve tjera publike që
ndërlidhen me buxhet. Në mungesë të financimit, të gjitha institucionet shtetërore
do të futen në gjendje të detyrueshme të pushimit; secili aktivitet do të jetë
thjeshtë vullnetar.
Praktikat
ndërkombëtare njohin disa raste të “mbylljes së shtetit”; e fundit ishte në
SHBA në fillim të këtij viti kur qeveria dhe agjencitë qeveritare atje ishin “mbyllur”
për dy javë rresht mu për shkak të mos aprovimit të buxhetit federal nga
Kongresi.
-2-
Më duhet
të shënoj këtu se paralajmërimet për kohë deri në muajin mars të 2015-ës nga
zyrtarë publik janë keqkuptuese – potencialisht si rrjedhojë e mungesës së
njohurisë së tyre me Ligjin në fjalë. Do të ishte muaji mars (siç dhe kishte
ndodhur në vitin 2011) nëse zgjedhjet do të mbaheshin vetëm katër muaj para
skadencës së afatit për aprovim buxhetor, e që është dita e fundit e vitit
2014. Por meqë zgjedhjet janë mbajtur shumë më herët se kaq, atëherë kufiri i
fundit i tolerancës, i paraparë pra me Ligj, përfundon me fundin e janarit.
E drejta
e shpenzimit të buxhetit për dy muajt e parë – si refleksion vetëm në rast të
mbajtjes së zgjedhjeve pra – na sjellë në një skenar të ri të afatit ultim për
mbajtje të zgjedhjeve. Thënë ndryshe, nëse “mbyllja e shtetit” ndodhë si
rezultat i vazhdimit të ngërçit politik për pak më shumë se 100 ditë – dhe se
kjo kohë e ditëve është kohë e patjetërsueshme për gjetje të zgjidhjes – atëherë
edhe mbajtja e zgjedhjeve për të prodhuar zgjidhje, si alternativë potenciale,
duhet të bëhet brenda një kornize kohore të kufizuar. Përkatësisht, për t’u
shmangur nga “mbyllja e shtetit” më 1 mars të vitit 2014, zgjedhjet duhet të
mbahen domosdoshmërish para përfundimit të vitit 2014. Marrë në konsideratë
festat e fundvitit, zgjedhjet e jashtëzakonshme – nëse janë në agjendë
gjithsesi – duhet të mbahen në dy javët e para të dhjetorit. Pas kësaj datë,
asnjë alternativë tjetër – përveç marrëveshjes politike – nuk do të mund të shpëtojë
vendin nga “mbyllja eventuale”. Sepse, pas kësaj date, edhe sikur të mbahen
zgjedhjet menjëherë, koha e nevojshme për konsolidim e certifikim nuk do të
mjaftonte për t’i shpëtuar “mbylljes”.
-3-
Skenari
i mbylljes, sado alarmues, ka kohë të mjaftueshme për t’u shmangur. Njëqind e
sa ditë janë më shumë se mjaftueshëm për të bërë zgjidhje kushtetuese nga
situata e re e krijuar. Për më tepër, skenari i mbylljes, sado alarmues pra, është
vetëm një pjesë e një fotografie të gjerë të humbjeve ekonomike që vendi i shënon
në këtë periudhë – dhe të gjitha së bashku, si mbyllja e si humbjet – duhet të
mjaftojnë për të arsyetuar domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjes së menjëhershme.
Sepse, ndikimet
ekonomike të ngërçit, nëse asgjë tjetër, do të shprehen në ekonomi; ato veçse
kanë marrë hov. Kjo sepse ekonomia, përkatësisht sektori privat dhe i gjithë
aktiviteti ekonomik që buron nga aty, ndërlidhet ngushtë me veprimet e
politikat qeveritare. Lidhshmëria e institucioneve me sektorin privat, pra me
ndërmarrësit, me punëtorët e me blerësit – pra me vet qytetarët – është
ekzistenciale. Rrjedhimisht, në mungesë të institucioneve që krijojnë,
implementojnë e kontrollojnë politika ekonomike, gjendja në vend vetëm se do të
rëndohet dukshëm. E për dallim nga fushat tjera, konsekuencat ekonomike do të
marrin kohë për t’u rikuperuar. Mos të harrojmë se vendi ynë ka kohë që nuk
arrin të ndërtojë mirëfilli bazat e shëndosha të zhvillimit ekonomik, madje as
edhe atëherë kur kishte institucione funksionale. Mungesa e tyre sot veçse
është një rëndesë e dyfishtë mbi një ekonomi bukur fragjile.
Sa për
rrumbullakim, ngërçi politik i Kosovës prodhon katër efekte regresive
ekonomike. I pari ka të bëjë me ndërprerjen e investimeve kapitale në vend; dhe
kjo ndërprerje ndodhë pikërisht në kohën kur Kosovës i duhej një iniciativë e
re dhe rifreskuese e investimeve kapitale në infrastrukturë, energjetikë,
telekom e miniera. Pra të gjitha sektorët e rëndësishëm ekonomik që meritojnë
vëmendje sot janë lënë në sfond të dytë; dhe kjo ka për ta na kushtuar shumë.
Efekti i dytë ka të bëjë me prokurimin publik, përkatësisht me shpërndarjen e
parasë publike tek bizneset. Stagnimi institucional nënkupton edhe stagnim të
kontraktimit të bizneseve; rrjedhimisht rëndesë e aktivitetit biznesor në vend.
Kjo rëndesë do të përkthehet tek secili biznes e individ tjetër në një cikël të
tërë multiplikimi ekonomik, nga qarkullimi e deri tek aftësia për të shpenzuar
apo investuar. Efekti i tretë ndërlidhet me ndërprerjen e politikave jokapitale
nga qeveria, siç mund të jetë ndër të tjerash, subvencionimi i agrobizneseve,
apo procedimi me reforma fiskale, të operimit, gjenerimit të kapitalit e të
ngjashme. Të gjitha së bashku do të rëndojnë edhe më tutje ambientin e rëndë
biznesor, e do të ulin aftësinë konkurruese të sipërmarrësve tanë. Efekti i
katërt, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me imazhin e pasigurt që ngërçi
politik mund të përçojë jashtë tek investitorët e huaj. Sepse, në fund të
fundit, askush nuk parapëlqen një vend me risk politik - siç dhe del të jetë ky
i yni.
Si
pasojë e ngecjeve ekonomike, Kosova do të shënojë një rritje ekonomike dukshëm
më të ulët se të vitit paraprak, dhe konsiderueshëm më të ulët se çfarë ka
planifikuar një vit më parë. Pra, duke parë rrjedhat e fundit politike, vendi
as që mund të llogarisë në një rritje ekonomike prej 4% sa kishte planifikuar –
përgjysmimi i saj në rastin më të mirë të mundshëm do të jetë një output i
mjaftueshëm. E mosaftësia e vendit tonë për të shënuar rritje ekonomike në
afërsi të 8-10% nënkupton se edhe për disa kohë ne nuk do të mund t’i
akomodojmë të papunët që i kemi tani dhe të tjerët që do të futen gradualisht
në treg; se për sa kohë nuk mund të konkurrojmë me rajon, e nuk mund të
përmirësojmë standardin e jetesës sonë. Me pasoja evidente do të përballen edhe
bizneset tona, të cilat do të shënojnë stagnim në potencialin e tyre rritës dhe
humbje të aftësisë konkurruese me bizneset rajonale. E gjitha në fund do të
përkthehet me më pak vlerë të shtuar, më shumë papunësi dhe më shumë rritje të
çmimeve e varësi në importe.
-4-
Kushdo që
provon të bëjë zgjidhje ka para vetës një orë që ecën shpejtë dhe një kufi që
do të afrohet shpejtë. Presidentja, Kushtetuesja, komuniteti ndërkombëtar, ndërmjetësuesit
e pavarur apo vet partitë politike duhet të kenë të qartë se neglizhenca e
tyre, paqartësia interpretuese e indeferenca politike mund të sjellë Kosovën më
shpejtë se sa që mendojmë në prag të potencialeve destabilizuese – përfshirë dhe
protestat e kosovarëve gjithandej.
Nuk mund
ta parafytyrojë një Kosovë në shkurt të 2015-ës pa Parlament, pa buxhet dhe me
80.000 shërbyes civil pa paga. Është mu stabiliteti i mësuesve, mjekëve, policëve,
zjarrfikësve e secilit shërbyes tjetër publik qendror e lokal që ka shmangur
trazirat sociale në vend. Sepse janë mu kategoritë si këto – dhe askush tjetër –
që mund të gjenerojë protesta e krizë në shkallë të paimagjinueshme. Ndërprerja
e kompenzimeve për ta do të shpjerë vendin në një situatë të fragjilitetit
gjithënacional, të shprehjes së pakënaqësisë në rrugë dhe potencialisht
devijimit të kësaj pakënaqësie në skenarë tmerrësisht të dëmshme për gjithë
vendin – dhe gjithë ecjen tonë, sado të ngadaltë, shtetformuese.
Prandaj,
për të parandaluar këtë gjendje – dhe sidomos për t ëparandaluar ecjen e vetëdijshme
të disave drejt një gjendje të tillë – na duhet një zgjidhje sa më shpejtë.
Konsekuencat ekonomike do të kalohen; do të humben një e dy vite, por ato do të
kalohen. Konsekuencat tjera sociale që i kemi në prag – dhe jo më shumë se 100
ditë larg – do të jenë të parikuperueshme.
No comments:
Post a Comment