Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 TETOR 2014
Në garë për shtet-dashuri dallohen dy palë.
Të parët janë pretendues të pronësisë së patriotizmit – monopolistë tipikë të
tij por që nuk kanë asnjë lidhje me të; e të dytët janë mendimtarë hiperliberalë
që nga nevoja për të shtyrë argumentin e tyre në skajshmëri, humbin rezonin sa
përfshijnë gjithçka patriotike e shtetërore në një thes llumi me të keqen.
-1-
Nuk e
kisha pritur kurrë që një ballafaqim sportiv, në fajin më të pakët të
shqiptarëve, të shndërrohet në arenë debati të brendshëm gjithë shqiptarë –
pikërisht mbi gjetjen e fajit ndër-shqiptarë. Në esencë, një debat të tillë do
ta prisja natyrshëm në anën tjetër të ballafaqimit pra, palën serbe pra; por ta
themi se së paku intelektualisht dhe për kah mendimi i lirë, Kosova dhe Shqipëria
– pavarësisht bindjeve të mëparshme – janë me vjet përpara Serbisë. Për këtë
nuk do të na duhej konfirmimi i “The Economist” që kishte cilësuar këtë javë
shoqërinë serbe si të mbyllur e pa liri shprehje. Këtu tek ne megjithatë
shprehen; pale çfarë shprehje se.
Këtu tek
ne ende pa konsoliduar mirë diplomacinë tonë që të shpërfaqë më së thjeshti e më
së miri para botës racizmin, fashizmin e shovinizimin e palës serbe – me gjithë
propagandën mediale e institucionale që i vjen pas – ne hapëm e gjetëm kohë për
të shpallur tjetrin diku primitiv e mesjetarë – sepse ndjente për simbolet kombëtare
– e diku tjetër si projugosllav e tradhtarë – sepse ishte i mpirë emocionalisht
ndaj simbolikës. Dhe mirë shumë që diskutime si këto hapen e bëhen këndej;
gjithçka është në frymën liberale të mendimit e shprehjes së lirë.
Gjithsesi,
në këtë garë shtet-dashurie dallohen dy palë. Të parët janë pretendues të pronësisë
së patriotizmit – monopolistë tipikë të tij por që nuk kanë asnjë lidhje me të;
e të dytët janë mendimtarë hiperliberalë që nga nevoja për të shtyrë argumentin
e tyre në skajshmëri, humbin rezonin sa përfshijnë gjithçka patriotike e shtetërore
në një thes llumi me të keqen.
-2-
Të parët
janë të njohur e të zakonshëm tashmë. Janë nacionalistë e atdhedashës të shuar
tashmë. Niveli patriotik i tyre ka arritur kulmin deri në ditën e parë të lirisë
së vendit – kontributi i të cilëve deri në atë ditë ishte jetik, i papërmbledhshëm
e heroik; në ditën e dytë të lirisë, të njëjtit shndërrohen në anti-patriotë,
zaptues, hajna e aty këtu vrasës e kriminelë ordinerë.
Të njëjtit
– dhe me ta fus gjithë përkrahësit e pandreqshëm që kanë – refuzojnë patriotizmin
e mirëfilltë sepse mirëqenien e tyre personale, nëpërmjet zaptimit dhe gjithë
mekanizmit zaptues që vjen me zaptim, e shohin si formë kompensimi për patriotizmin
e dikurshëm të tyre; dhe këtë patriotizmi i mirëfilltë nuk e pranon. Ish-luftëtarë
të shndërruar në anti-patriotë, militantë (mendim djegës, libradjegës e jetëdjegës
shpeshherë), pra shohin patriotizmin jo si nevojë konstante për kontribut, por
si kontribut të njëhershëm dhe pension të përjetshëm – edhe në ligësi.
Këta
turbofolkë nacionalistë, mendja e të cilëve është këputur shumë kohë më parë,
natyrshëm se shohin si rrezik secilin mendim të lirë; e sidomos e shohin në
rrezik mendimin ndryshe që në rrethin shoqëror tonin shihet si i çuditshëm; jo
se janë më pak të çuditshëm dorën në zemër ultraliberalët tanë. Këtë ndarje,
turbofolkët e shuar – pra ish-patriotët e dikurshëm – e bëjnë me shpresë se
duke qenë pjesë e një mendimi shoqëror, ata, si ish-kontribues të dalluar në
luftë, duke dalë në ballë të diskutimit mund të shpërlajnë të bëmat e tyre tash
e 15 vjet. Natyrisht se të njëjtit do të bënin paqe me të tjerët po u falën të
gjitha; tash që këta kanë ndërtuar perandori biznesi, klane zaptuese e forcë
fisi – pse mos ta bënin vallë?
E
rreziku i shtetit tonë, dhe misioni i ri patriotik i joni – si formë evoluuese
pra – është pikërisht largimi nga prirja e të tillëve. Thënë ndryshe, çlirimi
nga çlirimtarët e transforumuar është patriotizmi që duhet bërë sot. Sepse, përderisa
nuk çlirohemi nga çlirimtarët e transformuar në hajna të shtetit, zaptues të
gjithëanshëm e dhunues të së lirës, ky vend nuk ka për të parë hair kurrë. E
sado cinikë e të padurueshëm mbesin ultraliberalët, ata gjithnjë janë më pak të
dëmshëm.
-3-
Në anën
tjetër të mejdanit, në Kosovë e Shqipëri njëjtë, na dalin të renditur
internacionalistë e mendimtarë liberalë që për nga toleranca ndaj mendimit tjetër
duket të jenë më tepër agresivë e ofendues se sa rezonues korrekt e të shëndoshë;
tipike antiliberale – për çfarë dhe vë në dyshim kompliancën e sjelljes së disave
prej tyre me besimet që ata vet prodhojnë; mund të jenë artificialë. Pra, në
vend se të tillët të ndërtojnë argumentet e premisat e besimit të tyre
puro-qytetar dhe joetnik, ata ndërtojnë e krijojnë kategori diskriminuese
qytetare – siç bëjnë kundër patriotëve – që për besimin e tyre dalin të jenë
primitivë.
Tashti,
për tua shpjeguar definicionin e patriotizmit nuk kam ndërmend; janë të lexueshëm
mjaftueshëm sa për ta gjetur vet. Por nëse me patriotizëm – dhe në patriotizëm
– të tillët fusin në një thes gjithë gulçimet turbofolknacionaliste, sjelljet krimorrugaçore,
apetitet shtetozaptuese, e në fund dhe fashistët e racistët e tjerë në mesin
tonë, atëherë them ta lëmë me kaq; janë ose të pakuptueshëm ose cinikë.
Dua ta
besoj të dytën; sepse kuptimin e kanë të shpërfaqur mirë e guximshëm
gjithandej, sa herë që interesat vendore – të sjelljes së mirë e së mbarë janë
cenuar ndonjëherë. Pra unë i shoh të tillët patriotë, në një version e kontekst
paralel të ekzistencës sonë; por në të tanishmin i shoh si cinikë që patriotizmin
e fusin qëllimshëm në një thes me secilin turbofolk e të ngjashëm sa për ta denigruar
atë në skajshmëri.
Sepse, për
ta kuptuar ata, nëse nuk e kanë kuptuar ende, patriot mund të jetë dhe një
njeri që paguan taksa, bën punë, ushqen familje, respekton rregullin, ndihmon tjetrin
– dhe në fund – as më pak e as më shumë e do vendin, me gjithë simbolet,
historinë, kulturën e mendimin shoqëror që ky vend i tij bartë. Dhe kjo dashuri
ndaj vendit – në paketë pra – nuk derivon në domosdoshmëri urrejtjen ndaj një
patrioti tjetër serb, malazez, maqedon, kroat e slloven – siç nuk derivon
patrioti tjetër urrejtje ndaj patriotit shqiptarë po qenë vërtetë patriotë të
gjithë. Kjo është punë e nacistëve, fashistëve e racistëve të tjerë – që progresin
e vet dhe të vendit të vet e sheh dhe projekton në kurriz të humbjes së tjetrit.
Patrioti do të mbrojë vendin pa cenuar të tjetrin e bindjet patriotike të
tjetrit; përderisa nuk cenohet nga tjetri për bindjet patriotike që ka. Ky lloj
patriotizimi, i shtetit, vendit, etnisë e në fund familjes, sot është i
përhapur gjithandej nëpër botë, në secilin vend e secilin shtet. Në të vërtetë,
nuk ka shtet që në vete nuk mbanë frymën patriotike; në të kundërtën nuk do të
ishte shtet.
-4-
Pra ky
lloj patriotizmi nuk është primitivizëm, është po aq modern sa secila pritje e
tjetër e jona për mirësi. Rrjedhimisht, është e pakuptimshme atakimi automatik
i secilit mendimtarë të lirë – që në frymën liberale të veprimit – ndjenë
respekt, mirënjohje e në fund dhe nderë për një flamur apo simbol tjetër që
vendi e rrethi i tij mund të përfaqësojë.
Është
poashtu e pandershme që secili që ndjenjë diçka për simbolet kombëtare, për
kombin e vet pra, të konsiderohet i paditur. Është jashtëzkonisht kundër intuitës
njerëzore, është kundër përpjekjeve evropiane e perëndimore; të cilët ndonëse të
bashkuar ekonomikisht, politikisht e ushtarakisht, mbajnë diferencat kombëtare
me gjithë simbolet që vijnë me to si të shenjta e të paprekshme. Kështu duhet të
sillen dhe shqiptarët.
Sepse,
po humbëm nevojën për të respektuar simbolet, të shkruar në hekur, teneqe, pëlhurë
apo harrne nuk ka rëndësi, humbim dhe njerëzoren tonë, ndjenjën ndaj tjetrit me
të cilin ndajmë diçka bashkë – gjuhë, kulturë, histori, problematikë e hall.
Njerëzit janë të prirë të ngjizen në grupe, grupet në familje, familjet në
rrethe e rrethet në popuj. Popujt më pas ndërtojnë aleanca vlerash e kuptimesh;
siç ndërtojnë sot shqiptarët me perëndimin me NATO-n, e serbët me Rusinë e
Putinin. Dhe në gjithë këto grupizime e aleanca, individët nëpërmjet ndjekjes së
interesit personal për mirëqenie dhe me shpresë për mirësi, ndërtojnë dhe
interesin madhor të të tjerëve. Kësaj i thonë patriotizëm pra. Ky angazhim ka
emër, ka simbol dhe njerëz që – për vlerat më fundamentale të tij, siç mund të
jetë liria – japin dhe jetë. Proporcionalisht me kauzën, nga jeta deri tek
mbrojtja e simboleve gjithçka bëhet për një qëllim; i thonë patriotizëm dhe atdhedashuri.
Nuk ka asgjë më të bukur se kaq.
No comments:
Post a Comment