Letra nga limbo
KOHA DITORE 1 GUSHT 2014
Për kohë shumë është thënë e goditur ideja se distancimi
i kosovarëve nga shteti buron nga një praktikë e kahershme e refuzimit të
institucioneve dhe vet shtetit sepse shteti dhe institucionet nuk ishte asnjëherë
të tyre. Në vitin e pesëmbëdhjetë pas luftës kosovarët janë bërë me shtet, por
jo dhe me besim në shtet – për çfarë dhe mbajnë distancën ende.
-1-
Në qershor të këtij viti, siç
dhe kishte ndodhur një vit më parë, në kuadër të Riinvest po bënim matjen e
percepcionet kosovar në pesë tema; përkatësisht po matnim besimin në
institucione, transparencën, participimin publik, llogaridhënien dhe përdorimin
e teknologjisë. Anketa me një mijë kosovarë ishte pjesë e një matje regjionale
– përfshinte shtatë vende të tjera fqinje të Kosovës. Ndonëse krahasimi i
gjetjeve këtu me ato rajonale do të prodhonte një fotografi mjaft interesante,
them të mos lodh lexuesit me krahasime të tilla, e të rrumbullakojë këtë shkrim
me vetëm gjetjen e brendshme.
Sepse, janë mu gjetjet e
brendshme mbi percepcionet kosovare ato që na japin një fotografi të qartë të
relacionit qytetar shtet dhe reflektimin e secilës grimcë të një relacioni me
sistemin e kompliancës që provojmë të ndërtojmë. Në fund të fundit, çfarëdo
sistemi që nuk merr aprovimin qytetar, mbetet i kalbur në rrënjë e themel – dhe
si i tillë është i predispozuar të zhbëhet.
Do të zhbëhet jo sepse
mosbesimi është i pashërueshëm, por se zgjatja e tij e shndërron mosbesimin në
normë shoqërore, pra në sjellje të zakonshme e në rutinë qytetare. E është mu
rutina qytetare e refuzimit të sistemit që ka bërë vazhdimisht distancën e
kosovarëve me shtetin. Jo vetëm sepse, siç dhe ka logjikë, kosovarët kanë qenë
gjithmonë në ballafaqim me shtetin (që dikur nuk ishte i tyri), por sepse
mosbindjen e zhvilluan si normë shoqërore (kur ai u bë i tyri). Si normë e
zhvilluan pra edhe mosbindjen ndaj pagesës së tatimeve, të faturave të
energjisë, të mbledhjes së mbeturinave, barazimit me ujësjellësin e çka jo
tjetër – refuzuan gjithçka derisa pagesa, pra komplianca, u bë normë e
pazakontë shoqërore.
-2-
Pjesa kryesore e anketës, të përsëritur
pra në dy vite, ndërlidhej me percepcionin e kosovarëve me institucionet nëpër
Kosovë; pra besueshmërinë e tyre ndaj akterëve kryesorë publik në vend. Sipas
rezultateve të anketimit, KFOR-i, Bashkimi Evropian, OJQ-të dhe mediat janë
institucionet e organizatat që kanë kredibilitetin më të lartë në Kosovë; ato
pra besohen më së shumti. Dhe ka një patern interesant në renditjen e besueshmërisë
kështu; të gjitha këto grupacione kalojnë përqindjen 60; nga gjithsejtë 100, për
të shpërfaqur kështu një diferencim të dallueshëm me institucionet tjera. E në
ndërtimin shtetëror të vendit, bëhet mjaftë i trishtë fakti se percepcioni i
besueshmërisë dhe kredibilitetit nuk renditë lartë institucionet politikëbërëse
të vendit. Ç’është e vërteta, ato jo vetëm se nuk renditen diku në mes nga të
parat, pro mbajnë bindshëm fundin e rangimit. Parlamenti, Gjyqësori, Qeveria,
Presidenca e krejt në fund partitë politike (të gjitha me 22 deri në 30 përqind)
përbëjnë trupat më pak të besueshëm në vend. Në mes të listës renditëse, mbesin
institucionet tjera si EULEX, Policia e Kosovës, institucionet religjioze,
shërbimet publike dhe kryetarët e komunave. Për më tepër, janë mu grupacionet e
mesit që kanë shënuar përmirësimet më të mëdha të besueshmërisë për një vit
matjeje; prinë EULEX me gati dyfishim të besimit dhe kryetarët e komunave me
rritje (të përqindjes) nga 42 në 55; gati 30%.
Pra gjuha e kosovarëve, e matur
me përfaqësim të një mijë respondentëve, na thotë se ka diçka që shkon mbrapshtë
në institucionet vendimmarrëse, siç ka edhe diçka që shkon mirë – prandaj dhe
besimi – me katër institucionet e para. Për dy të parat, pra KFOR dhe BE, kosovarët
mund të kenë dhënë besim blanko. Sepse janë të huajat, janë pra ndërkombëtare,
janë mike (për më tepër) e kanë një sistem vetërregullimi – sepse janë pra ndërkombëtare.
Për ty të dytat nga të parat, pra organizatat jo qeveritare dhe mediat,
kosovarët mund të kenë dhënë besim si reflektim oponencial ndaj pesë të fundmet
– institucionet vendimmarrëse. Në fund të fundit, siç dhe ndodh rëndom, ka një
ballafaqim të drejtpërdrejtë në mes të institucioneve vendimmarrëse e politike
në vend (në njërën anë) dhe organizatave joqeveritare e medieve (në anën
tjetër) – ballafaqim që duket ta kenë fituar (po u matën me kredibilitet) këto
të fundit.
Interesante po ashtu mbetet
rritja e besimit në EULEX dhe kryetarët e komunave. Përderisa për të fundit
renditja natyralizon me konstatimin e përgjithshëm të zgjedhjeve lokale, pra
ndryshimin e ngjizur gjithandej, për të parët kam përshtypjen se ka një refleksion
ndaj angazhimit të tyre kundër krimeve ekonomike që megjithatë bën diferencën për
një vit. Gjithsesi, me 54 e 55 përqind përkrahje, të dy kategoritë mund të
gjejnë bukur kënaqësi.
-3-
Për kohë shumë është thënë e
goditur ideja se distancimi i kosovarëve nga shteti buron nga një praktikë e
kahershme e refuzimit të institucioneve dhe vet shtetit sepse shteti dhe
institucionet nuk ishte asnjëherë të tyre. Në vitin e pesëmbëdhjetë pas luftës
kosovarët janë bërë me shtet, por jo dhe me besim në shtet – për çfarë dhe
mbajnë distancën ende.
Në qendër të refuzimit ose
pranimit të institucioneve – dhe rrjedhimisht shtetit – mbetet gjithnjë besimi.
Pra percepcioni individual i kosovarëve ndaj organizatave publike e akterëve
tjerë institucional – i matur me besim – përcakton një linjë thelbësore të
frymëmarrjes së shtetit; dhe kjo linjë është e djegur. Është paradoksale që
institucionet e thirrura në përfaqësim qytetar të kenë besim kaq të ulët
nacional – në mesatare prej 25%. Partitë politike, parlamenti, qeveria,
presidenca e gjyqësori – të gjitha të thirrura në popull e nga populli – nuk
arrijnë të gëzojnë mbështetjen e as të një nga tre kosovarëve. Në të vërtetë
çfarë përfaqësojnë?!
Dhe ka dy shpjegime racionale
prapa një relacioni të tillë. I pari, që zë vend logjik shumë, se këto
institucione – pa përjashtim – janë shndërruar në grupe klanore e fisnore që
përfaqësojnë ngushtë gjahun e përfitimit grupor në dëm të gjithçkaje – dikush
më shumë e dikush më pak, të gjithë me koncept fisnor, klanor e sektar. E sepse
janë shndërruar në të tillë, rrjedhimisht shpjegimi i dytë, ka një ndarje
gjithënacionale në mes të gjithkujt nga gjithkush. Kështu, në vend të një
uniteti nacional, ne kemi ndërtuar – kryesisht për shkak të bindjeve politike –
një ndarje të re shtresash në Kosovë. Dhe këto shtresa nuk janë në mes të
pasurve e të varfërve, intelektualëve e agrarëve, mendimtarëve e përcjellësve –
janë shtresa bindjesh politike që krijojnë ndarje, përçarje e distancime – aq
shumë sa që vetëm neutralët (mediat, OJQ-të e ndërkombëtarët) për aq sa mund të
jenë edhe atë – kanë kredibilitet; e thonë kosovarët.
Do të ishte element normal i
demokracisë trazimi i preferencave poli-partiake – them unë; por se, një bartje
e ndjenjave partiake në secilin relacion tjetër tonin, familjarë, shoqëror e
shtetëror – sepse nuk dimë ta ndajmë politikën nga jeta – na sjellë në një
situatë ku pesëmbëdhjetë vite më parë – kur nuk kishim shtet – kishim njëri
tjetrin si vend; dhe sot, kur kemi shtet, mbesim pikë e pesë me tjetrin.
Kosova ka nevojë për unitet
nacional, para së gjithash. Defektet tona nacionale janë enorme dhe ato po
thellohen sa më shumë që koha na shkon. Sepse me kohë, të gjitha anomalitë
individuale e grupore – siç është koncepti i partiakizimit fisnor e klanor – po
bëhen norma të zakonshme shoqërore, aq të zakonshme sa që zhbërja e tyre bëhet
koncept i pazakonshëm. Për të kthyer një unitet, aq sa normalja demokratike
mund të krijojë, na duhet një mendësi e re qeverisëse, e cila – nisur nga
partitë, e përfunduar në shtet – pranon interesin e qytetarit si parimorë e
primarë para klanit, fisit e sektit. Kështu ndërtojmë fillimisht besimin, për
të ndërtuar në fund vet shtetin.
No comments:
Post a Comment