Letra nga limbo
KOHA DITORE, 8 GUSHT 2014
Blloku – deri dje –
opozitar, ka secilën mundësi që të kthejë Kosovën në rrugë të mbarë; por jo
duke vazhduar i ndarë. Sepse ndarja eventuale e tyre do t’i mundësojë
strukturës –deri dje – në pushtet të rikonsolidohet shpejtë e të vijë sërish si
alternativë më pak e keqe se të këqijtë e rinj; sikurse dhe kishin ardhur këta.
-1-
Përderisa “pleqnarët” do të pleqnojnë kontestin politik në mes të – deri
dje – pozitës dhe –deri sot – pozitës së pezulluar, dhe për aq sa i gjithë
mekanizmi shtetëror mbetet në gjendje stagnimi e varësie nga “pleqnarët”, them
se alternativë-dhënësit për mandatin e ri kanë kohë të mjaftueshme,
fatkeqësisht për ta, për të matur mbarë e mirë modelin qeverisës që do të ndërtojnë.
Sepse, përderisa arsyetimi i tyre i vetëm për bashkim joparimor ka qenë
parandalimi i regresit nën qeverisjen e shkuar, ai nuk do të mjaftojë për të
kredituar veten sa herë që bëjnë gabime e akte tjera joparimore. Në fund të
fund, secila alternativë – ndaj secilës të keqe – duhet të ketë mirësinë e
mbarësinë në vete; përndryshe ndonëse më pak e keqe se tjetra, gjithsesi mbetet
e keqe – dhe për të keqen kosovarët nuk kanë nevojë.
Pra blloku deri dje opozitar – tash pozitë e pezulluar – ka sjellë
preferencën publike ndaj tyre në kufirin e tolerancës dhe pajtueshmërisë. I
ndërtuar në afeksion e nevojë urgjente për të ndjekur e mbuluar humbjen, ky
bllok ka bërë kompromise joparimore në mes veti qysh në fillim; siç është rasti
kur udhëheqja e qeverisë së re bëhet jo nga lideri – deri dje opozitar – as nga
pasuesi i tij, por nga i fundit pretendent për kryeministër.
Ta themi e ta pranojmë se ky ka qenë çmimi i plotësimit të një kushti. Atëherë,
premisa e parë që del nga një konstatim i tillë është se ky bashkim nuk ka qenë
fillimisht as fer e as i pakushtëzuar. Pra, qëllimi primar i bashkimit të –
deri dje – opozitës nuk na qenka parandalimi i një të keqe më të madhe për hir
të bindjeve të barabarta opozitare – por qenka shfrytëzimi i pozitës negociuse (rrjedhimisht
kushtëzuese) brenda bllokut; kushtëzuestit në rast të mosplotësimit të kushteve
do të bashkoheshin me të keqen tjetër në skenarin tjetër. Këtu rrjedh dhe ideja
se, nëse treshja është ndërtuar fillimisht pas kushtëzimeve e plotësimit të
kushteve, secili bashkim tjetër më i gjerë opozitarë duhet të ndërtohet poashtu
me kushte; pra kushtet nuk janë e nuk na paskan qenë ide heretike.
-2-
Por ta themi se kompromisi e kushtëzimi janë çmime të pranueshme për të
mundur atë të keqen e madhe (që gjithsesi dhe gjithmonë mbetet e keqe keqe
pavarësisht kombinimeve e arsyeve të bllokut), ndarja e posteve ministrore pa
një plan e model të ri qeverisës është gabim që blloku nuk duhet t’ia shtojë
qerres së gabimeve që bartë me vete. Në vend që kjo qeverisje e re, që promovon
shpresën, të ristrukturojë qeverinë më të madhe në rajon – siç dhe e kanë
konsideruar shpeshherë vet – dhe rrjedhimisht ta reduktojë në pak ministri e
disa dikastere tjera qeveritare, ajo e bën
të kundërtën – merr modelin e vjetër të themeluar nga të këqijtë në ikje, dhe përshtatë
veten ndaj saj.
Ta themi se përshtatja me model të vjetër është imim që sërish duhet
pranuar sa për të larguar të keqen e madhe – sepse (siç dhe e kanë thënë vet) kënaqësia
e secilit anëtar të bllokut kërkon pozita akomoduese shumë. Atëherë premisa e
dytë që del nga konstatimet tona është se blloku që shpërfaqet si alternativë
por që merr modelin e vjetër për të ndërtuar qeverisjen e vet, nuk na qenka
ndërtuar sinqerisht për alternativë por për – siç edhe e thonë vet – për
akomodim. Dhe është mu për interes akomodimi që pushteti në ikje kishte shtuar
në vazhdimësi ministri; në atë përmasë sa që ndërtimi i qeverisë ishte bërë
komik.
Nëse asgjë tjetër, si shenjë të parë të shpresës që pretendojnë ta ngjizin,
ky bllok do të duhej të ndërtonte mu thelbin e konceptit në ikje; valutën e
pushtetit dhe pozitës qeveritare si të pakontestueshme e të patjetërsueshme.
Kjo alternativë do të duhej të godiste sistemin në ikjë në thelbin regresiv të
saj; me një model të ri qysh në fillim.
-3-
Ndërtimi jo fer, e me një nuancë hipertolerance – gjithsesi të ligë në
konstatim – edhe ndjekja e modeleve të vjetra, mund të arsyetohen. Çfarë nuk
mund të arsyetohet në asnjë rrethanë është ndarja e bllokut – deri dje –
opozitar në dysh. Pra i gjithë koncepti i përbirjes së ndërtimit jo fer, i
kushtëzimeve apo i ndjekjes së komfortit të pushtetit mund dhe të përbihen; por
jo mosunifikimi në një i opozitës së deridjeshme.
Dhe ndarja duket se po formësohet si alternativë gjithnjë. Në vend të një
partie – kryesisht nacionaliste – shqiptare, fillohet të preferohet një parti
ultranacionaliste serbe. Përderisa e para kushtëzon privatizimin e Trepcës e
Brezovicës për motive të përfitimit shoqëror, e dyta e kundërshton privatizimin
e tyre për motive nacionaliste – gjithsesi antishqiptare. Përderisa e para
kushtëzon bisedimet për Veri për motive të funksionimit shtetëror, e dyta
promovon bisedime për motive nacionaliste – sërish antishqiptare.
Pra, sado që kushtëzimet e VV-së përballë bllokut LDK-AAK-NISMA mund të
jenë të gabuara – kryesisht këto të privatizimeve që ndërlidhen me bindje jo të
sakta e jo të shëndosha filozofike – ato gjithsesi mbesin më të favorshme se
kushtëzimet e Listës Serbe; në secilën rrethanë – sot e pesëqind vjet.
-4-
Nëse blloku – deri dje – opozitar ka vendosur kushte ndaj vetës përgjatë
themelimit, them se duhet ti adresojë dhe të tjerat për zgjerim; siç dhe
pretendentët e zgjerimit duhet ti bëjnë
pragmatike bindjet e tyre që nuk mund të gjejnë kompromis. Kjo sepse, vetëm si
të bashkuar dhe si një, blloku i gjerë mund të konsiderohet si alternativë.
Blloku i deritanishëm pra, nuk duhet të rëndojë ecjen e tyre fragjile me
gabime të mosbashkimit – përtej jokorrektësisë në themelim dhe ndekjes së verbët
të pushtetit. Në të kundërtën, nëse politikat e Kosovës mbesin në strukturë dhe
filozofi të njëjtë si ato parapraket, atëherë çfarë dallimi bën kjo gjysmë
alternativë me parapraken?! Në cilën pikë pra, e keqja e re – si alternativë më
pak e keqe se paraprakja – bëhet e keqe e papranueshme?!
Blloku – deri dje – opozitar, ka secilën mundësi që të kthejë Kosovën në
rrugë të mbarë; por jo duke vazhduar i ndarë. Sepse ndarja eventuale e tyre do
t’i mundësojë strukturës –deri dje – në pushtet të rikonsolidohet shpejtë e të
vijë sërish si alternativë më pak e keqe se të këqijtë e rinj; sikurse dhe
kishin ardhur këta.
Në rrethanat e tanishme, PDK me një opozitë të bërë pozitë falë Listës
Serbe, mund të kthehet në kohë dhe më të shkurtë, dhe gjithmonë e pareformuar,
në sy të kosovarëve si forca më serioze (sado e keqe) e Kosovës; dhe për aleancë
rrënimi të bllokut do të ketë dhe një pjesë të opozitës së deridjeshme. E
pozita e re, me një bllok joparimor, ka pak gjasë që me një model të vjetër e njerëz
të ri të bëjë ndryshimin për të cilën kosovarët kanë kaq shumë nevojë.
No comments:
Post a Comment