Letra nga limbo
KOHA DITORE, 29 GUSHT 2014
Zgjedhjet
e reja nuk garantojnë fitues me pesëdhjetë plus një përqind të votave; por
garantojnë ecje dhe zhbllokim të gjendjes së tanishme ku vetëm me interpretime
e asgjë tjetër një vend i tërë merret. Zgjedhjet e reja do të garantonin
pastrimin e shumë dyshimeve, legjitimitetin e aleancave e në fund dhe
ndryshimin e pazareve në mes të partive në fjalë. Zgjedhjet e reja mund të mos
jenë alternativë e pëlqyeshme, por gjithsesi mbesin shumëherë më të mira se
çfarë po shohim tash e çfarë potencialisht mund të na servohet në ditët në
vijim.
-1-
Ka një defekt serioz në interpretimin e
interpretuesve të kërkesë-shtruesve për interpretim; ka një defekt serioz në përgjigjën
që deputetët si kërkesë-shtrues i bënë Kushtetueses si interpretues, për të bërë
interpretimin e kërkesës së shtruar nga ta. Në ditën e parë të verdiktit, të
pakënaqurit me gjithë mllefin që në vete kishin, u shpërfaqën pa pardon –
kryesisht me fyerje, pak nga ta me rezon.
Por as fyerja e as rezoni nuk kishin më kuptim.
Fyerjet e drejtuara ndaj Kushtetueses nga blloku opozitar, deri në ironizimin e
ndërlidhur me tualet, ishin patetike. Një mendësi ku fillimisht shprehë besim
për interpretim e më pas fyen interpretuesin është tipike gjuhë e humbësve –
aso nga më të ligtë madje.
Të paktët nga Blloku, të cilët përdorën pra
rezonin, mund të mbanin të drejtë për shprehje mospajtueshmërie, por sërish
ishte e kotë në tendencën për të ndryshuar diçka; secila mospajtueshmëri do të
duhej të adresohej – nëse kishte të tilla gjithsesi – para marrjes së
verdiktit. Të thuhej pra se kjo Gjykatë është e kapur, vendimi i saj do të jetë
politik, si i tillë i papranueshëm për ne. Por nuk e bënë, ju drejtuan
institucionalisht – me të drejtë – siç dhe do të duhej t’i drejtoheshin me po
aq institucionalitet kur u bë interpretimi – në fitore apo humbje.
Gjykata Kushtetuese mund të jetë e kapur; po
shikuam me lenset më militante të mundshme të një kahu – siç dhe mund të jetë
jo e kapur po shikuam me sy të palës tjetër militante. Në mes janë ndërkombëtarët
që vazhdimisht insistojnë në respektimin e plotë dhe pa zhurmë të vendimeve
institucionale. Nëse ka qenë e kapur, atëherë kapja është bërë shumë më herët –
dhe në asnjë rrethanë deri më tani, asnjë nga partitë politike në vend nuk kanë
adresuar idenë e ç’kapjes së saj – nëse ka qenë e kapur; as atëherë kur
vendimet e saja ishin në përputhje ose jo me ato – deri dje – opozitare. Unë
them se nuk kemi shumë zgjedhje sinqerisht. Them se vendimet e Kushtetueses
duhet të respektohen në plotni, edhe atëherë kur provojnë mendim ndryshe. Në të
kundërtën asnjë element i shtetit nuk bartë më kuptim. Nëse është e kapur – e që
dhe mund të jetë – atëherë duhet të zgjedhim rrugët institcuioonale të
ç’kapjes, të instalimit të mekanizmave të mirëfilltë të shtetit – jo me ofendim
sharje e fyerje të institucioneve që presupozohen se janë të ndërtuara si të
pavarura, por me kulturë të mirëfilltë shtetërore. Në fund të fundit vet
kultura e sjelljes shtetërore është pjesë e ndërtimit të vetë shtetit.
-2-
Blloku mund të mos mbajë hatër me Kushtetuesën, për
vetë faktin se pjesa e dytë e vendimit mbi interpretimin e Kryeministrit është
në favor të tyre. Pra e njëjta Kushtetuese, muaj më parë, i kishte dhënë të
drejtë Bllokut që në raundin e dytë të nominimeve – nëse bindin Presidenten se
kanë numrat – të nominojnë kryeministrin nga rradhët e veta. Rrjedhimisht,
sipas dy interpretimeve të deritanishme të Kushtetueses, del se Blloku ka
humbur përfundimisht të drejtën për Kryeparlamentar; këtë të drejtë e ka PDK. Por,
njëkohësisht, Blloku mbanë të drejtën për nominim të kryeministrit.
Në rast se numrat dhe preferencat partiake mbesin
siç janë deri më tani, pra qëndrimet partiake nuk ndërrojnë – dhe me mos ndërrim
nënkuptoj se LDK-AAK-NISMA janë kategorik kundër PDK-së; nuk pajtohen me VV-në
por me vete marrin minoritetet – pra nëse balancet e forcave mbesin si sot, atëherë
sipas interpretimit Kushtetues skenari i qeverisjes së ardhshme është lehtë i përcaktueshëm.
Fillimisht, në seancën e parë konstituive – pra në
ripërtëritjen e saj me verdikt kushtetues – PDK merr të drejtën e nominimit të
udhëheqësit të Parlamentit. Blloku ka dy alternativa këtu. E para, të mosvotojë
dhe kështu të hapë rrugë ose për marrëveshje për qeverisje gjithëpërfshirëse
ose për mosmarrëvehsje për gjithëpërfshirje por marrëveshje për zgjedhje të
reja. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes PDK-së, LDK-së, AAK-së e NISMA-s do
të ishte tmerr në vete; nuk do të kishte zgjidhje më të keqe. Marrëveshja për
mosmarrëveshje dhe zgjidhje të reja, ndërsa, do të ishte një dhuratë e këndshme
për të dalë nga ky mishmash.
Rruga e dytë e Bllokut ndërkaq, përfshinë
improvizimin. Blloku do të duhej të votojë kandidatin e PDK-së, pra të
improvizojë, dhe të hapë rrugë kështu për formimin e qeverisë nga ta – në
raundin e dytë nominues. Pretendimet e deritanishme të Bllokut se në raundin e
dytë të zgjedhjes së Kryeparlamentarit do të shkohet me kandidat të tyre, janë jo
fort të menduara mirë. Një rast i tillë do të hapte rrugë të re për interpretim
të ri kushtetues – pra edhe më shumë humbje kohe – dhe në rastin më të mundshëm
interpretimi i ri i Kushtetueses pas humbjes së kohës do të ishte sërish në
favor të PDK-së. Kjo sepse verdikti i fundit i tyre e bën të qartë “substancën”
e procesit të shkuar dhe të drejtën e pakontestueshme – sipas Kushtetueses – të
nominimit dhe zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit nga grupi më i madh
parlamentarë para zgjedhjeve. Blloku e ka humbur këtë të drejtë me
interpretimin e fundit Kushtetues.
-3-
Votimi i anëtarit të PDK-së do të hapte rrugë për
formimin e qeverisë. Këtu më pas do të kthehej në vëmendje vendimi i parë i
Kushtetueses, nëpërmjet të cilit PDK-së i jepet e drejta e parë për nominim; e
dyta ndërkaq i jepet diskrecionit të Presidencës dhe matjes së fuqisë
parlamentare nëpërmjet takimeve.
Nëse Blloku LAN do të mbetej i bashkuar – dhe më
tepër do të siguronte votat e minoriteteve – atëherë raundi i parë i nominimit
të kryeministrit do të prodhonte vota të pamjaftueshme për të nominuarin e
PDK-së. Si reflekcion Presidentja do të mbante takime me të gjitha palët për të
nominuar – me gjithë logjikë – Bllokun LAN si grupacionin e vetëm që ka votat.
Raundi i dytë i zgjedhjes së Kryeministrit do të
prodhonte zgjidhje dhe dalje nga ngërçi politik. Në këtë rrethanë, Kosova do të
kishte një Parlament që ka kryefolësin nga radhët e PDK-së, por një PDK që
është teknikisht në opozitë. Do të kishte qeverinë e formuar nga Blloku LAN dhe
minoritetet, por me udhëheqësin e bllokut paradoksalisht pa post ushtrues. Do
të kishte një opozitë tjetër, Vetëvendosjen; dhe një garë të nxehtë opozitare
në Parlament – dhe në fund do të kishte Presidenten që përfaqëson gjithçka me
pozitën e saj dhe asgjë me kredibilitetin e saj.
Një alternativë me e lehtë dhe gjithsesi më e pëlqyeshme
e skenarit më lartë do të ishte një qeverisje me Bllokun LAN dhe VV-në në të;
pra një qeverisje me shumicë shqiptare. Për këtë natyrshëm duhet të thyhen e
kapërcehen dallimet që nuk u thyen e nuk u kapërcyen tash e sa muaj rresht.
-4-
E në gjithë këtë përzierje politike që të gjithë kontribuuan
me nga pak, them se zgjidhja më e keqe për vendin do të ishte një mishmash
institucional e qeverisë; ku PDK pra udhëheqë me Parlamentin, Blloku joshumicë
shqiptare me Qeverinë, e VV në një opozitë të vetme e shumë të brishtë. Një
përzierje e tillë ku gjithkush udhëheqë me pak por askush në të vërtetë s'ka
zë, do të prodhojë vetëm stagnim. E për stagnim e mishmash kemi më së paku
nevojë. Them të shkojmë në zgjedhje të reja; ashtu kështu po humbet kohë e po
improvizohet shumë. Në fund të fundit s'ka çfarë del ma keq; s'mund të përzihet
asgjë më shumë se kaq.
Natyrshëm që zgjedhjet e reja mund të prishin më
shumë balance politike tek partitë që garojnë; e sipas të gjitha gjasave PDK do
të dalë më pak humbësja nga të gjithë. Sepse do të garojë njëjtë, potencialisht
me shtesë të AKR-së që do të marrë një dhuratë si nga qielli. Blloku na anën
tjetër do të humbiste më shumë. Fillimisht sepse jo të gjithë votuesit e
partive pjesëmarrje të bllokut ndajnë ndjesinë e bashkimit të tillë, sidomos jo
votuesit e LDK-së që asnjëherë nuk janë ndjerë konfort me vënien e partisë nën
diktatit e një kryeministri nga një parti tjetër. Problem shtesë do të ishte
dhe lista me kandidatë të përzier; gjithsesi me më pak kandidatë
proporcionalisht për secilën palë. Në fund, VV do të ecte e vetme me shpresë se
do të shpërfaqej si alternativë e vetme nga të gjithë. Pra natyrshëm që
zgjedhjet e reja prishin diku balanca e ndreqin diku tjetër.
Mbi të gjitha, zgjedhjet e reja nuk garantojnë
fitues me pesëdhjetë plus një përqind të votave; por garantojnë ecje dhe
zhbllokim të gjendjes së tanishme ku vetëm me interpretime e asgjë tjetër një
vend i tërë merret. Zgjedhjet e reja do të garantonin pastrimin e shumë
dyshimeve, legjitimitetin e aleancave e në fund dhe ndryshimin e pazareve në
mes të partive në fjalë. Zgjedhjet e reja mund të mos jenë alternativë e
pëlqyeshme, por gjithsesi mbesin shumëherë më të mira se çfarë po shohim tash e
çfarë potencialisht mund të na servohet në ditët në vijim.
No comments:
Post a Comment