Saturday, 31 May 2014

MËSIME TË REJA PARAZGJEDHORE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 MAJ 2014

Mbi sjelljet parapartiake në kohë zgjedhjesh



-1-

Kam vendosur të mos përcjell më paraqitje zgjedhore. Janë të cekëta, të mangëta dhe të paartikuluara fare; në fund më japin shumë dëshpërim. Dhe ky dëshpërim nuk më buron nga paraqitja e thatë por e kamufluar mirë e partisë në pushtet, ky dëshpërim më vjen nga opozita e cila nuk e di se me çfarë takti futet kaq e papërgatitur në zgjedhje. Kur shoh cektësinë e ideve që japin, në përzierje me një eufori të pashpjegueshme karshi gjendjes reale, vë në pyetje se çfarë në të vërtetë kanë bërë opozitarët tash e tre vite në opozitëbërje? Si është e mundur se gjithë ai njeri, gjithë ajo strukturë, gjithë ato ide, të mos prodhojë as edhe një plan të stërdetajiuzuar qeverisës për secilin sektorë e secilën temë – jo një broshurë çfarë na japin? Si është e mundur të mos na paraqesin një kabinet me individë të parapërcaktuar për qeverisje , për të treguar kështu se kush janë ministrat e ardhshëm të qeverisë që do të bëjë namin – siç e paraproklamojnë ata?

Janë kapur të gjithë rreth dy-tri ideve, për një shtet që ka nevojë për njëmijë e një sosh. Një palë kapet me progresivitet – e implikimet buxhetore të çfarëdo ndryshimi tatimor nuk mund të jenë më të mëdha se 20 milionë; apo 0.01% e buxhetit të gjithmbarshëm të vendit. A ja vlenë sinqerisht të shpenzohet e gjithë fushata në terma promilësh? Pala tjetër kapet me një fond bujqësie; nga 100 milionë për çdo vit dhe jo më shumë – por premton mrekulli në punësim prej 120 mijë vendeve të reja pune; thuajse punësimi krijohet me subvencion. Një palë e tretë kapet me një termocentral dhe dy a tre mijë megavat prodhim; për të premtuar rritje të pagave në sektorin publik – madje nga 1000 euro paga; thuajse problem janë 85.000 të punësuarit në sektorin publik; por jo 250.000 të tjerë në sektorin privat, apo 700.000 të tjerë të papunë.

Të gjithë premtojnë pra rritje ekonomike 15-20 e 25%, pa ofruar as edhe një mundësi reale që ushqen një rritje të tillë. Me vullnet të mirë nuk arrihet dyfishimi i ekonomisë në katër vjet; vullneti i mirë, ç’është e vërteta, është vetëm parakusht që shtron rrugë për ide të mira. Natyrisht se pa vullnet të mirë nuk do të ketë zhvillim; siç dhe nuk kemi pasur në shtatë-tetë vitet e shkuara, por kjo nuk do të thotë se posa të vendosim njerëz të mirë – rrjedhimisht krijojmë vullnet të mirë – do të kemi dhe zgjidhje të mira. Janë idetë ato që numërohen; e idetë nuk janë askund – të gjithë kërkojnë votë në besë.

-2-

Partitë opozitare kanë një tjetër garë; them unë. LDK, e cila nuk po shpërthen se nuk po shpërthen, tashmë ka vënë gjithë bastin në aktivën e vet, në elektoratin që pret të zgjohet tash e tetë vjet. Në tetë vjet, ndërsa, kosovarë të ri votues janë shtuar rreth 240.000; skena politike është pasuruar me alternativa të reja – siç është kjo e VV-së – duke bërë kështu insistimin e LDK-së për konzervatizëm rreth bazës së vet një ide tejet të bajatshme. E bajatshme shumë duket edhe shija e fushatës pa shije të LDK-së. Sikur nuk kanë fare sy për një paraqitje skenike që ngjallë fuqi e shpresë, jo një qyqarllëk të pashpjegueshëm. Përballë PDK-së që nuk ka brumë por ka skenë briliante, LDK ka brumë por skenë katastrofale.  Sikur u është këputur filmi në vitin 1994 e nuk janë njëzet vjet më vonë, në vitin 2014. Janë mu degët e partisë që janë vjetërsuar në shije; prandaj dhe prodhojnë një paraqitje të frikshme që bëjnë njerëzit të pyeten a janë vërtetë këta alternativa e keqalternativës?

E deri sa LDK të këndellet – nëse këndellet ndonjëherë – e të kuptojë se shkuarja para me njerëz që s’i do kosovari i dekadës së dytë të shekullit të njëzetë e një, të mileniumit të tretë, partia tjetër opozitare, VV vazhdon të insistojë në ideologji të panevojshme dhe distancim të stërtepruar nga secila oponencë tjetër; duke rrezikuar kështu të paraqesë veten si alternativë të izoluar – rrjedhimisht të pamjaftueshme – për këto zgjedhje nacionale. Në vend se të bëhen praktik e pragmatikë, kapen për ide të barazisë utopike, në vend se të ofrojnë mundësi bashkëpunimi me opozitë, përjashtojnë gjithçka të bërë në katërmbëdhjetë vjet përpjekje. E kuptoj nevojën e distanicmit në kohë fushate, por duke njohur anën parimore të VV-së, them se këto distancime vetëm se do të forcojnë edhe më shumë ecjen e vetme të saj – ecje kjo që mund të mos jetë e mjaftueshme asnjëherë në Kosovë. Tashti, nuk pres nga VV afrim me opozitë, por pres që gjithë betejën ta bëjë me partinë në pushtet, jo me opozitë. Sepse duke sulmuar opozitën e njëjta rrezikon shumë që të forcojë pozitën – e me të edhe shkuarjen tonë në dreq të mallkuar.

Ndoshta dhe ky është qëllimi final i tyre, që duke rrënuar gjithë opozitën të shpërfaqen vetë si alternativë e denjë për zgjedhjet e ardhshme dhe jo këto. Ndoshta këtë dhe e meriton opozita jonë, që nuk arriti asnjëherë të shpërfaqet oponencë serioze përballë një strukturë degraduese në pushtet që gjatë gjithë kohës krijon mundësi për t’u rrëzuar; por që nuk rrëzohet asnjëherë. Ndoshta të gjithë meritojmë keqqeverisje e regres e shkuarje në dreq; sepse nuk mblodhëm mend asnjëherë.

-3-

Pjesa më komike e fushatës del të jetë jo PDK-ja, por AKR-ja; dhe atë jo me paraqitjet e propozuesit të kumbullave për ngrohje e kërpudhave për 40.000 vende të reja pune, por me idenë se kjo qeveri meriton rënie, pa e kuptuar – të paditurit – se janë vet qeveri. Madje, për hipokrizinë më të madhe të mundshme në vend, e njëjta nën moton garuese “na kryjmë punë” arsyetohet se megjithatë gjatë qeverisjes së shkuar nuk ka mundur “të kryjë punë”. Pra këta nuk kanë mundur “të kryjnë punë” por duan votë sepse “kryjnë punë”. Përndryshe, për hir të korrektësisë, në gjuhën shqipe megjithatë shkruhet “kryejmë” e jo “kryjmë”; kaq janë munduar të shkretit.

Sinqerisht, kjo parti dhe lideri i saj, meriton pensionim të përjetshëm nga politike. Janë skandaloz në ide, pa fije kurrizi në qëndrime dhe tejet kundërthënës në paraqitje. Deri dje ishin krah të djathë të njeriut që sot akuzojnë për krim, ishin mbështetës të secilit propozim, secilës ide devalvuese nacionale e plot sherr; sot na shpërfaqen si kritikues pa takt dhe vetëpranues të padenjë. Për rikujtim, jo më larg se gjashtë muaj, lideri i AKR-së kishte deklaruar se “Hashim Thaçi, për kontributin e tij në qeverisje meriton Çmimin Nobel”; pak më herët se kjo, se “qeveria e tanishme është më e mira që ka pasur Kosova ndonjëherë”. Si është e mundur që në më pak se gjashtë muaj të konsiderojnë qeverinë më të mirë në qeveri kriminale? Hipokritë.

-4-

Largimi nga skena i individëve që deri dje ndërtuan kryeministrin dhe gjithë regresin e tij në shtatë vite tregon shumë. Së pari, individë të tillë njëmend nuk meritojnë skenë – pjesa më e madhe e tyre skenën e vetme e meritojnë në gjykatë dhe në rrugë për burg. Por ama, distancimi në tendencë e kaq i lehtë nga individë të tillë që kryeministri pretendon të bëjë është i pakuptueshëm dhe thjeshtë i papranueshëm. Sepse, deri dje, me individë të njëjtë kishte qeverisur; sepse deri dje po këta individë përballeshin me lulëzimin e mbetjeve të qeverisjes së tij.

Misioni i ri, sado që provon të rrumbullakohet e paketohet më ndryshe, mbetet po ai i njëjti pra. Sepse individë të tillë mund të largohen nga skena – në kohë fushate – por ata nuk mund të largohen nga lista zgjedhore, dhe sigurisht me kontrollin e degëve partiake që kanë nuk do të mund të largohen as nga Parlamenti nesër.

Kryeministri – gjarpër – mund ti djegë këta në kohë fushate, por do ti mbajë po këta pas zgjedhjeve e do të djegë të aderuarit e ri që poashtu me pakurrizorizmin e tyre meritojnë djegje. Përderisa mbahet në pushtet dhe fiton zgjedhje, gjithkush është i djegshëm e gjithkush do të digjet.



Monday, 26 May 2014

MBI PARADOKSET E REPUBLIKËS SË KAPUR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 MAJ 2014

Kur sistemi i drejtësisë vetërrënohet duke propozuar alternativë anti-republikanizmin, kur i njëjti më pas negocion me individë duke i bërë ata të barabartë sa shteti, atëherë e kupton se këtu më së paku ka shtet. Në këtë vijë, shkatërruesit e shtetit – të burgosurit dhe propozuesit e Veriut – ballafaqohen për mbajtje ose jo të shtetit. Dhe kjo është nëna e paradokseve të paradokseve them unë

-1-

Përderisa ministri i drejtësisë mbante fjalim për rendin dhe ligjin – si pjesë e premtimit elektoral në konventën e PDK-së – pra të asaj se çfarë do të bënte nëse kosovarët i besonin të bënte, sërish madje, një i akuzuar për krime lufte kishte marrë arratinë; jo nga burgu, por nga dhoma VIP e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Në klinikë, i akuzuari, po qëndronte tash e sa muaj – jo i vetëm, por me të gjithë bashkëpartiakët e tjerë të ministrit. Sepse në burg nuk guxonte ta mbante kush. Në spital, ndërkaq, mjekët servilë e të frikësuar deri në palcë, i siguronin leje qëndrimi për sëmundje të zemrës, tensionit, frymëmarrjes, veshkave, fytit, temperaturës e fruthit; vetëm malarien, SIDA-n e H1N1-shin kishin mangu këta. Kaq për rendin e ligjin e konventën e PDK-së.

Pra, i akuzuari, i zgjedhur kryetar komune nga PDK – nga burgu – po sfidonte rendin dhe ligjin duke u arratisur nga spitali, pasi kishte qëndruar në spital e jo në burg ditën që PDK premtonte ligj. Sa shumë pjesë të këtij përshkrimi duken gabim; sinqerisht.

E sepse qëndronte në spital e jo në burg, misioni ndërkombëtar i drejtësisë – e vetmja shpresë për drejtësi në një vend ku i akuzuari sfidon shtetin – urdhëronte bartjen e tij në Veri; në një burg të kontrolluar nga sistemi paralel serb atje. E këtu tash, bëhen gjërat edhe më gabim; në shumë nivele madje.

E sepse misioni ndërkombëtar kishte zgjedhur një burg paralel anti-republikan si alternativë të burgjeve republikane, për të akuzuarit për krime lufte që qëndronin në spital e jo burg, të akuzuarit bashkë me përkrahësit e tyre kryesisht klientalistë, po negocionin me rendin dhe ligjin – me vet shtetin – nën zërat e brohoritjet e kërcënimit dhe djegies së gjithçkaje çfarë ju del para po nuk u bo si ua thotë mendja atyre. Dhe këtu, gjërat arrijnë kulminacionin e gabimit; nuk ka si të bëhet më zi.

-2-

Kalimi i paraburgimit në spital e jo në burg, është marri. Transferimi në Veri është edhe mosvet. E para, sepse, bartja e një kosovari në një burg paralel do të nënkuptonte se burgjet tjera të kosovarëve ishin të padenja për të bërë drejtësi; prandaj, pse mundohemi të mbajmë drejtësi?! E dyta, sepse, bartja e një ish luftëtari të UÇK-së në një burg paralel serb, pavarësisht arsyeve, do të thoshte mundësi hakmarrje të pastër nga individë që deri dje ishin fashistë të ndryrë e antihumanë; dhe kjo nuk bën. E treta, sepse, bartja e një kosovari në një burg paralel të kontrolluar nga anti-republikanët minoritarë do të nënkuptonte funksionimin e antirepublikanizmit kundrejt Republikës; dhe kjo nuk bën edhe më hiç. Por këtu nuk qëndron fija e lëmshit të problemit; kjo fije ka zanafillë në ikjen e të paraburgosurve nga burgu e në spital. Ku ishte shteti atëherë?!

Po të qëndronin në burg e jo spital, të akuzuarit për krime lufte,  i gjithë paradoksi i transferimit të Veri do të ishte i paqenë. Po të qëndronin në burg e jo spital, të akuzuarit për krime lufte, as Tribunalin e veçantë për Kosovën nuk do ta kishim në derë. Sepse duke qëndruar në spital e jo burg – siç e thotë ligji  i barabartë për të gjithë – këta individidë i dëshmuan botës se këtu nuk ka shtet, pra ka individë mbi shtet. E kur ka individë mbi shtet, vjen diçka si Tribunali që është mbi individë e mbi shtet e mbi secilin tek e ves tjetër; veçse gjatë bërjes rrënon gjithçka që kemi ndërtuar na e këta bashkë për pesëmbëdhjetë vjet rresht.

E po të qëndronin në burg, e jo spital, të akuzuarit për krime lufte, as negociatat shtet-individ nuk do të ndodhnin. Nuk do të kishim kështu një skenë hajgare të kërcënimit kanunor ndaj një misioni evropian që me aq shumë zell e vullnet e mbajmë në gojë nëpër konventa e ligjërata patetike paraelektorale. Sepse Evropa nuk është parajsë tekesh e vesesh e kërcënimesh, por është standard, është kriter, është vlerë e formë e jetesës që këta as vullnet nuk kanë për ta kapur. Prandaj dhe prodhojnë paradokse vazhdimisht në një shtet të kapur. Në një situatë të tillë paradoksesh, një mosqëndrim burgu prodhon një propozim mjerues dhe në fund një negociim trishtues për gjithë vendin. Kur sistemi i drejtësisë vetërrënohet duke propozuar alternativë anti-republikanizmin, kur i njëjti më pas negocion me individë duke i bërë ata të barabartë sa shteti, atëherë e kupton se këtu më së paku ka shtet. Në këtë vijë, shkatërruesit e shtetit – të burgosurit dhe propozuesit e Veriut – ballafaqohen për mbajtje ose jo të shtetit. Dhe kjo është nëna e paradokseve të paradokseve them unë.

-3-

Këtu ka një grumbull paradoksesh aksidentalë të individëve që mendojnë mbretërinë si formë kontrolli e zotësie ndaj të tjerësh – sepse munden. E po t’u mos ndalohej nga një grumbull tjerësh gjoksagjinjë ndërkombëtarë dhe do ta bënin; do të sundonin mbretërisht gjithçka deri në palcë. 

Në këtë shtet paradoksesh, të vetmit që duhet mbajtur përgjegjës janë pjesëtaret e PDK-së, që po shkatërrojnë secilin element shtetërorë sa herë që iu vjen rendi për të bërë një gjë të tillë. Këta pra nuk e kanë asnjë qëllim për shtet-ndërtim për të gjithë, këta kanë për qëllim shtet-ndërtimin për ta, kur ata bëjnë çfarë të duan, si të duan, sa herë të duan; të tjerët pra duhet të jenë të ndëgueshëm dhe asgjë më shumë.

Në këtë shtet paradoksesh duhet mbajtur përgjegjës PDK-në që me mosaftësinë e saj për të krijuar shtet jep sinjale gjithandej botës se këtu na duhen ndërkombëtarët; sepse pa ta as të paraburgosurit nuk mund t’i mbajmë në burg – lërë më shumë. Në këtë shtet paradoksesh duhet mbajtur përgjegjës PDK-në që ka kapur shtetin kaq keq e kaq mbrapshtë sa që na mbanë të gjithëve peng për të bamunat e tyre; nëse duhet rënë do të biem të gjithë na thonë. Ky shtet i kapur meriton zë force e fuqie ndaj secilit kërcënues e shantazhues, vendor e ndërkombëtar. Ndaj atyre (vendorë) që refuzojnë shtetin dhe atyre (ndërkombëtarë) që propozojnë mbajtjen e disa ish-çlirimtarëve, tash zaptues, nëpër burgjet anti-republikane serbe.



Monday, 19 May 2014

ÇUDIRA ZGJEDHORE


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 MAJ 2014

Nëse ka pasur ndonjë skenarë për të devalvuar prurjet, ka dhënë sukses; nëse ka pasur ndonjë skenarë për të devalvuar idetë dhe premtimet; ka dhënë sukses; nëse ka pasur ndonjë skenarë për t’i shpërfaqur të gjithë njëjtë, ka pasur sukses. Sepse sot, prurjet, premtimet e superpremtimet po japin vetëm çudi


-1-

Janë zgjedhjet lexues. E me zgjedhje, në e nga zgjedhjet, burojnë edhe çudirat me ngjyra plot. Kështu është Kosova sot; në të vërtetë, kështu ka qenë tash e sa kohë. Por në vend të zhbërjes së të bërave të pabëra, ky vend po bën edhe më shumë të pabëra. Sikurse nuk ngopet me anomalitë që bën në vazhdimësi. Sikurse nuk ka marre, konsideratë e vetërespekt për të vetat që i bën; por që – pra – nuk do të duhej ti bënte; në asnjë rrethanë, për asnjë çmim; asnjëherë; as atëherë kur ka zgjedhje.

Është kohë e çudirave, lexues. Aderimet, prurjet, ikjet ulën poshtë shumë pazarin. Servilizmi dhe nevoja për përkëdhelje partiake po merr formë të vlerës së pranueshme; sikurse nuk i bëhet vonë kujt pse servilon. Ky transferim vlerash ka zhvlerësuar gjithçka gjithandej; sa që më askush nuk habitet nga një antivlerë – dhe ky, kam përshtypjen, është suksesi më i madh i antisuksesit nga mbizotërimi i antivlerave ndaj vlerave. Kur gjithçka është e pranueshme, të pavlerët marrin terren; siç dhe ndodhë tani. Nëse ka pasur një strategji të dikujt për të topitur risitë dhe grumbullimet partiake, e ka arritur me plot kuptim.

-2-

Është kohë e çudirave, lexues. Mund të kem pritur gjithçka, gjithandej, por pjesëmarrjen e institucioneve biznesore – pra të atyre organizmave që përfaqësojnë vet bizneset kosovare – në një promovim paraelektoral partiak – siç ishte ai i PDK-së – këtë nuk e kam pritur asnjëherë. Për më tepër lavdet glorifikuese e supervlerësuese për një kandidat zgjedhjes, përveç se ishin të turpshme, përbënin edhe kulminacionin e hiopokrizisë.

Asosciaconet e bizneseve nuk janë biznese, të cilët në fund të fundit kanë legjitimitet të financojnë dhe anojnë për parti politike, por janë institucione të pavaruara e përfaqësuese të bizneseve. E si përfaqësues të të gjithë bizneseve apartiake, ato nuk duhet të ushqejnë servilitetin partiak që po ngjizë gjithandej; nuk kanë të drejtë dhe nuk bëjnë mirë. Sepse mediat, institucionet e pavarura e publike, përfshirë dhe asociacionet e bizneseve, e kanë obligim – jo zgjedhje – paanshëmrinë gjatë fushatave elektorale. Favorizimet partiake në fund të fundit vetëm se zhbëjnë reputacionin e tyre; nëse do të mbetet diçka për t'u zhbërë. Ndërkaq thirrjet e çirrjet glorifikuese gjatë fjalimeve të tyre më gërditin në lukth për faktin se ky vend u jep hapësirë shprehje-mendjesh edhe atyre që marrin titullin “doctor honoris causa” nga një tyxharë indian.

Kapja e bizneseve është e trishtueshme; politizimi i tyre është ngufatës, varësia jonë në të tillë është tragjedi. Ky partiakizëm enorm i bizneseve, kam përshtypjen, se nuk bëhet për qejf të tyre – bëhet nga halli, nga shantazhi dhe nga frika e sanksionimit. Sepse pushteti, lexues, është sot faktor i ekzistencës ose jo të biznesve. Jo me politikat të tija – siç do të duhej të ishte normalisht – por me paret dhe fondet që ai ndanë, për kë të dojë si të dojë. Prandaj dhe i kapë për hundësh secilin që guxon të mendojë për biznes e për krijim vlere.

-3-

Është kohë e çudirave, lexues. Pas dy mandatave keqqeverisje, hajnie, zhvlerësimi e regresi, Kryeministrit i bie në mend të krijojë ekonominë – punën pra; atë për të cilën hallegjinjtë kosovarë kishin nevojë tash e dy mandate – së paku. Dhe kështu, “misioni i ri” – që megjithatë u interpretua me briliancë si “milioni i ri” – fillon të premtojë punë. Pale çfarë pune se; plot 200.000 vende të reja në katër vjet. Paradoksalisht numri i njëjtë – veçse me shumë më pak finesë e stil – u replikua edhe nga AAK.

Premtimi për 200.000 vende të reja punë për vetëm katër vjet mandat, kalon secilën çudi paraelektorale, secilin kuptim ekonomik dhe secilën tendencë talljeje publike; është i pakapërcyeshëm kur vjen puna tek bërja e hajgares publike. Sa për rikujtim, për të krijuar 200.000 vende të reja pune për vetëm katër vjet, përkatësisht nga 50.000 vende të reja pune çdo vit, Kosova duhet të ketë – minimalisht – rritje ekonomike vjetore prej 20%; apo shtatë herë më shumë se sa çfarë ka pasur gjatë dy mandateve të shkuara nën qeverisjen e po të njëjtit Kryeministër.

A e dini cili shtet ka pasur rritje ekonomike prej 20% në katër vjet rend, në gjithë historinë e njerëzimit? Asnjëri; hiç, kurrë, asnjëherë. As atëherë kur kanë zbuluar naftë, as atëherë kur kanë shkuar në hënë e as atëherë kur kanë thyer imagjinatën e arritjeve teknologjike; asnjëherë hiç. Pra për të bërë një tallje të tillë realitet, Kryeministri në largim jo vetëm se duhet të shtatëfishojë performancën e tanishme të tij dhe Kosovës, por duhet të thyej secilin rekord ekonomik botëror të vënë ndonjëherë nga ndonjë shtet.

Hallëgjinjtë mund dhe ti besojnë; ngase janë të shkretit në hall; porse nuk kuptoj ekspertët partiak, individët me pak kredibilitet dhe gjithë të tjerët që kanë guxim të bëjnë këso hesape patetike në Kosovën e vitit 2014. Në secilin shtet tjetër Evropian një deklarim i tillë do të shndërrohej në anti-tallje publike; në një skeç komik – nga komikët për komikët;  në Kosovën e vitit 2014 talljet si këto duartrokiten me mburrje.

-4-

Futja në grackë të premtimeve – kam përshtypjen – së është menduar shumë më mirë se çfarë perceptohet rëndom. Sepse, nëpërmjet premtimeve e supermpremtimeve me apo pa bazë, devalovehet secili premtim tjetër opozitar; në sy të votuesve të gjitha premtimet – edhe nëse janë të mira – do të shihen njëjte. Përveç se devalvohen alternativat opozitare, superpremtimet kanë efektin e shtyrjes së partive për të bërë garë. Pra kur partia në pushtet thotë se do ti rrisë pagat për 25% çdo vit, del një parti tjetër opozitare që nga halli se s’i ta mundë idetë, premton edhe më çmendurisht – pagë prej 1000 eurove. Kur partia në pushtet i premton 200.000 vende pune; del një parti tjetër opozitare që sërish nga halli premton njëjtë; edhe ne plot 200.000 – në mos më shumë. Kur partia në pushtet premton anëtarësim në BE dhe NATO për katër vjet; del një parti tjetër opozitare që premton dhe Kombe të Bashkuara. Kështu të gjithë bëhen pjesë e një shfaqje komike ku asgjë më nuk merret seriozisht; pra të gjithë bëhen të njëjtë.

E bërja e të gjithëve njëjtë është favorizuese vetëm për një individ, Kyreministrin e tanishëm, i cili është mësuar të notojë mirë shumë në një ambient çmendurishë e deliresh euforike.

Prandaj, nëse ka pasur ndonjë skenarë për të devalvuar prurjet, ka dhënë sukses; nëse ka pasur ndonjë skenarë për të devalvuar idetë dhe premtimet; ka dhënë sukses; nëse ka pasur ndonjë skenarë për t’i shpërfaqur të gjithë njëjtë, ka pasur sukses. Sepse sot, prurjet, premtimet e superpremtimet po japin vetëm çudi.



Monday, 12 May 2014

MBI TË VETËSHPËRBËRIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 MAJ 2014

Erdhën me vota të vjedhura, qëndruan pa dinjitet, ikën me faqe të zezë

-1-

Deputetë që votuan amnistinë, autonominë, faljen e distribucionit, zhvlerësimin e PTK-së, derepublikanizmin, luksin qeveritar, tolerancën korruptive dhe çka jo tjetër, po ikin më në fund. Të njëjtit që recitonin fjalime mbi zogj, mbushnin fjalëkryqe, vidhnin mëditje, nuk dinin lexim, e merrnin leje nga ndërkombëtarët për tualet – po ecin ma në fund në shtëpi; ku edhe e kishin vendin që nga fillimi; në të vërtetë disa edhe në burg. Këtë javë, nëpërmjet vetëshpërbërjes morri fund përbërja më e dobët parlamentare në historinë e Kosovës. Erdhën me vota të vjedhura, qëndruan pa dinjitet, ikën me faqe të zezë. Mos paçim punë me të tillë më kurrë!   

Vetëshpërbërja mesiguri ka qenë epilogu më meritor për përbërjen parlamentare më të dobët në historinë e Kosovës. Në të vërtetë, përgjatë 3 viteve ekzistencë, puna më e mirë e këtij Parlamenti del të jetë vetëshpërbërja. Këta deputetë asnjëherë votë më të mençur e më meritore nuk kanë dhënë se sa kjo e shkarkimit të vetvetes. Deri në “kurrë më sërish”, lamtumirë sjellepshtjelljanë, analfabetë universitarë, struca e cuba zaptues të tjerë.

-2-

Kjo përbërje e vetëshpërbërë, që i dha vetes reputacionin më të keq të mundshëm gjatë katër vite kuvendbërje, tregoj se ka më së paku dinjitet kur ndryshonte votat sepse “kishin votuar gabim”; se ka më së paku dije kur në vend të ligjbërjes bënin komedi me qëndrime dhe ide të shpërfaqura marrëzisht aty; se ka më së paku pavarësi kur shumica lëshonte sallën paradoksalisht; e se ka më së paku atdhedashuri kur ngrinin dorën për të votuar ide që vet i konsideronin si të liga për atdheun – një grup individësh të strukur, pa fije respekti për veten dhe atdheun po ikën. Dhe ky është lajmi i mirë.

Ishte i kotë debati se a duhet shpërbërë parlamentin apo qeverinë; them të dyja – cilën do mundemi, çfarëdo mundemi. Në fund të fundit ky Parlament, me këtë përbërje, ishte i tëri në shërbim e servisim të qeverisë; edhe atëherë kur këta të fundit pra e prisnin më së paku – prandaj ku është diferenca?

Në të vërtetë që të dy palët do të duheshin të shpërbëheshin kaherë; qysh pas vjedhjeve industriale të votave – cilësim i dhënë nga Parlamenti Evropian. Shpërbërja e atëhershme do të na kursente së paku nga votimet e zhvotimet e presidentëve katastrofalë; do të na kursente nga kërcënimet e cubave ndaj deputetëve për të dhënë ose jo votë; do të na kursente nga zarfi dhe poshtërimi diplomatik; do të na kursente së paku 3 vite me Presidenten që nuk mëson se nuk mëson shkrim lexim ende; do të na kursente nga marrëveshjet më destruktive që ka pasur Kosova ndonjëherë – e që gjithnjë e më shumë dalin të jenë megjithatë frymë ngushtuese për ecjen tonë; do të na kursente pra nga papërgjegjësia institucionale e individëve që në rrethana normale foltoren më të afërt do ta kishin për mundësi në gjyq e jo parlament.    

E ne nuk u kursyem fare nga asnjëra, dhe për më tepër, po futemi në proces zgjedhor pa reformë – ani pse na thuhej nga pozita e opozita e secili përfaqësues ndërkombëtar se një gjë e tillë nuk do të lejohej. Për këtë kam përshtypjen se përgjegjës duhet mbajtur gjithë ata që tre vite më parë nënshkruan një marrëveshje politike që i zgjati jetë – përtej secilës pritmë tonën – kësaj Qeverie dhe këtij Parlamenti. Në këmbim nuk morën pra as reformën – për çfarë dhe arsyetoheshin për zgjatje – as garanci për mirëqeverisje. Madje, mu për shkak të marrëveshjes ne pranuam secilin vendim destruktiv të vendit nga një qeverisje lehtë e shantazhuar; dhe një Presidente që ende nuk mëson shkrim-lexim. Listat nuk u pastruan, zonat nuk ndryshuan, vjedhësit nuk u dënuan – në të vërtetë gjithçka mbeti e njëjtë siç ishte dhe tre vite më parë.


-3-

Lajmi i keq në anën tjetër është mosmiraitmi i FAK-ut; dhe për më tepër – dëshmimi se Kosova është peng i konstalacionit të vet minoritar edhe kur elementet më bazike shtetërore të Kosovës duhet të themelohen. Pra, situata e tanishme e përbërjes politike të Kosovës, sanksionon vet shtetin me mospasje të ushtrisë nëpërmjet mekanizmave shtetëror – një paradoks i rëndë për t’u përbirë.

Sepse, nëse minoritarët pranojnë institucionet e Republikës – dhe me këtë pranim, ripranojnë të gjitha përfitimet kushtetuese pro mbipërfaqësimit të tyre minoritarë brenda Republikës – atëherë është bukur anti-republikane dhe rrjedhimisht anti-kushtetuese qëndrimi kundër vet Republikës; nëpërmjet, pra, shfrytëzimit të vet Republikës.

Me ose pa pakica, Kosova herdokurdo duhet të bëjmë shtetin me ushtri. Minoritetet me dispozitat kushtetuese më të favorshme evropiane, nuk guxojnë të na kushtëzojnë me asgjë elementet e shtetit e mbrojtjes së atdheut; në të kundërtën ne duhet kushtëzuar gjithçka që kanë fituar ata - përfshirë edhe të drejtën e tyre për mbipërfaqësim. Ose e pranojnë shtetin e atdheun me të gjitha elementet e tij ose e bëjmë shtetin vet; kushtëzimet për tema kaq thelbësore nuk duhet pranuar assesi, asnjëherë. E zërat shqiptarë që promovojnë dhënien e vendeve të rezervuara si këmbim, tregojnë se sa disfatistë në mendësi janë disa. Të tillët e shohin suksesin e shtetit tonë si një borxh që duhet larë gjithsesi ndaj diçkaje si antishtet. Për ta çdo sukses duhet pasuar me një dështim. Kjo ecje-ngecje e tyre vetëm se na mbanë në status-quo e në stagnim. Shteti nuk çohet përpara nëse për çdo fitore duhet zgjedhur gjithsesi edhe një humbje. Shteti çohet përpara kur për çdo fitore i bëjmë dhe dy e tri të tjera rend; pra kur arrijmë diçka pa sakrifikuar diçka tjetër - siç bën secili shtet e secila qeveri tjetër gjithandej!

Thënë këtë, ka qenë esenciale këmbëngulja jonë që për një të mirë bazike si ushtria të rrënojmë një shtyllë edhe më bazike siç është e drejta dhe mbarësia. Ka qenë thjeshtë esenciale që Kosova të mbajë qëndrim të pakompromistë rreth refuzimit kushtëzues minoritar; sepse po lëshuam pe këtë herë do ti kemi në qafë përnjëherë. Në këtë pikë ne duhet të bëjmë të qartë se kështu nuk mund të vazhdojë shtetbërja më. Ose ecim pra bashkë – ata me ne – ose ecim vet.

Pavarësisht të gjithave, çfarë megjithatë nuk arrij të kuptoj në këtë temë, është se si të paditurit e vetëshkarkuar nuk ditën të kushtëzojnë formimin e FAK-ut me themelimin e Tribunalit? Si është e mundur të mos mendojnë fare? Të vënë para një presioni me ndërkombëtarë, pazari i formimit të ushtrisë do të ishte fare i lehtë – i lehtë sidomos kur edhe vet atë insistojnë në bërje të tillë.




Friday, 2 May 2014

PLAÇKA NACIONALE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 MAJ 2014

Refuzoj që kursimet e mia individuale të vihen në dispozicion të cilido kujt tjetër pa pëlqimin tim. Një gjë e tillë veçse do të rrumbullakonte themelet e një plaçke nacionale si asnjëherë më parë. Pensioni im nuk është taksë; për qëllime të shoqërisë e të mirësisë së Kosovës unë – dhe të tjerët – paguajmë taksa. Pensionet i paguajmë për veten tonë.

-1-

Mëngjesi i së mërkurës i erdh Kosovës me një nismë arrestimesh dhe përndjekjesh rreth – potencialisht – institucionit më të korruptuar të Kosovës, Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ç’është e vërteta, mëngjese të tilla rreth AKP-së do të mund ti ndodhnin Kosovës për dhjetë vjet të tjera rresht; por nuk u bënë asnjëherë. Nuk u bënë as kur u falën pronat e Kosovës, as kur u dogjën dokumentet e shitjes, e nuk u bënë as kur pjesëmarrësit në krim – si viktimë apo si nxitës të tij – u deklaruan publikisht për krimbërje.

E siç ndodh rëndom këndej sa herë që bëhet fjalë për arrestime e përndjekje, në listë të emrave doli të jetë dhe një deputet. Tashmë listat e krimit pa një emër deputeti në to nuk janë më as lista të zakonshme. Ndonjëherë nuk arrij të dalloj se a bëhen kriminel këta para se të marrin pushtet, apo vijnë në pushtet si krimbërës. Jo se ka dallim në të dyja rastet; veçse nëse del të jetë e para atëherë del të kemi një pushtet të tërë krimbërës; nëse del e dyta, atëherë del të jetë se kemi një milet që nuk dallon krimbërësit andaj i promovon. E deputeti i përndjekur del të jetë nga opozita në kërkim pozite, pra LDK, e cila në vend se të pastrojë partinë nga mangupë të tillë që i din e njeh gjithkush gjithandej, promovon alternativë me hajna. Nëse hajnat e krimbërësit si ky janë alternativë e këtij vendi, e Kosovës së vitit 2020, jo më 1990, atëherë preferoj të mbes me këtë qeveri dhe me hajnat e sotshëm. Së paku këta gjatë rrugës kanë mësuar edhe zanatin e punës aty-këtu.

-2-

Më 21 mars të këtij viti, në një kolumnë të përjavshme të titulluar “Ku është opozita?”, kisha shkruar kështu: “Goditje anti-kriminale LDK do të marrë edhe nga EULEX-i, që duket se më në fund po bën punën që është dashtë të bëj kaherë. Në LDK ka shumë ish-pushtetarë e individë të tjerë që kanë fjetur me krimin gjerë e gjatë; e të cilët në vend se të largohen nga partia janë mbajtur e kamufluar diku mes gjithë të tjerëve. Kostoja e kamuflimit do të paguhet megjithatë nga të gjithë – kurdo që antikrimi të shpërthejë.” LDK sot duhet të kuptojë se antikrimi sapo ka shpërthyer dhe se grimcat e shpërthimit të ndryrë do të bien të gjitha në oborr të saj. I gjithë çmimi i mosreagueshmërisë dhe mospastrimit të partisë nga individë të tillë – mangupë, hajna e dallavergjinjë superprofesionalë – tashmë do të paguhet nga të gjithë në parti; shumë shtrenjtë madje.

-3-

Nëse AKP është krim, tentimkrim është fondi i programuar për punësim i qeverisë në ikje e në kërkim të mandatit të tretë, i njohur si Fondi i Punësimit. Për secilin me jo shumë dije për idenë e përgjithshme të Fondit, fjala është për mbledhjen e parave të privatizimit dhe trustit në një vend dhe kështu dhënien e tyre si kredi për bizneset kosovare.

Tashti, ideja e vënies në shfrytëzim të parave të privatizimit është thjeshtë e domosdoshme; në të vërtetë, bllokimi i tyre tash e sa vjet në jashtë tregut të tharë të Kosovës ishte tërësisht absurde. Por paratë e privatizimit janë vetëm gjysma e tregimit të gjithmbarshëm mbi Fondin, sepse, paradoksalisht, propozimi parasheh edhe inkuadrimin e kursimeve individuale të kosovarëve po në këtë fond.

Unë identifikoj tri probleme me idenë e futjes së parave të pensioneve në këtë fond. Problemi i parë ka të bëjë me trajtimin e kursimit individual si para të gjithë shoqërisë – rrjedhimisht si e drejtë ekskluzive e një qeverie të bëjë çfarëdo me to. Pra për ta vënë rekordin drejtë, paratë e Trustit janë para të 300.000 kontribuesve kosovarë – e askujt tjetër – dhe se secili ka të drejtë individuale në hisen përkatëse të tij. Qëllimi i vetëm i fondit pensional është rritja e profitit, vlerës së fondit dhe kështu sigurimit të një pleqërie të denjë për kontribuuesit dhe përfituesit e tjerë. Për arsye si kjo, Fondi duhet të ndjekë vetëm tregjet që ofrojnë përfitime më të mëdha dhe siguri shtesë. Çdo devijim prej këtij qëllimi është ndërhyrje flagrante në pasurinë individuale të kosovarëve kontribuues. Është njëjtë sikur të obligosh një individ se ku duhet ti mbajë kursimet (bankare ose kesh) të veta.

Problemi i dytë ka të bëjë me përcaktimin e të zotit të fatit fondit; e që natyrisht se nuk është qeveria. Nëse qeveria beson se ka individë që preferojnë investimet e fondeve pensionale në Kosovë – për çfarëdo qëllimi – atëherë le të bëjë një portofolio opcionale ku kontribuuesit mund të zgjedhin se ku dëshirojnë paratë e tyre të jenë. Të zgjedhin se a dëshirojnë të jenë këto para nëpër tregje që sjellin fitime më të më dha, pra kanë interes më të lartë (e më të sigurt gjithashtu) – dhe kështu gjatë pensionit të marrin më shumë para – apo dëshirojnë që nëpërmjet një qeverie afatshkurte – si kjo ose si cilado tjetër – t’u japin fondet e veta me interes në Kosovë. Le të zgjedhin votuesit e Kryeministrit investimin sipas listës së dëshirave të tij më pas; nëse bash i besojnë.

Problemi i tretë ka të bëjë me kredibilitetin e menaxhimit të 1.5 miliardë eurove nga një qeveri si kjo. Mos të harrojmë, kjo qeveri dhe kjo qeverisje njihet si më e korruptuara në gjithë Evropën. Pasi ka shterë e tharrë gjithë pasurinë publike, falë asete e shpenzuar çmendurisht gjithë buxhetin – madje pasi dhe ka marrë borxh – ajo i’u është vënë kursimeve të kosovarëve si mjet i fundit i paprekur në vend – gjithmonë për të vazhduar politikat e tyre të deritanishme që përveç se kanë pasuruar individë – të biznesit e politikës – të lidhur ngushte me pushtetin kriminal, nuk ka bërë asgjë tjetër hiç.

E për arsye si këto, refuzoj që kursimet e mia individuale të vihen në dispozicion të cilido kujt tjetër pa pëlqimin tim. Një gjë e tillë veçse do të rrumbullakonte themelet e një plaçke nacionale si asnjëherë më parë. Pensioni im nuk është taksë; për qëllime të shoqërisë e të mirësisë së Kosovës unë – dhe të tjerët – paguajmë taksa. Pensionet i paguajmë për veten tonë.