Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 MAJ 2014
Refuzoj që kursimet e mia individuale të vihen në
dispozicion të cilido kujt tjetër pa pëlqimin tim. Një gjë e tillë veçse do të
rrumbullakonte themelet e një plaçke nacionale si asnjëherë më parë. Pensioni
im nuk është taksë; për qëllime të shoqërisë e të mirësisë së Kosovës unë – dhe
të tjerët – paguajmë taksa. Pensionet i paguajmë për veten tonë.
-1-
Mëngjesi i së mërkurës i erdh
Kosovës me një nismë arrestimesh dhe përndjekjesh rreth – potencialisht –
institucionit më të korruptuar të Kosovës, Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Ç’është e vërteta, mëngjese të tilla rreth AKP-së do të mund ti ndodhnin
Kosovës për dhjetë vjet të tjera rresht; por nuk u bënë asnjëherë. Nuk u bënë
as kur u falën pronat e Kosovës, as kur u dogjën dokumentet e shitjes, e nuk u
bënë as kur pjesëmarrësit në krim – si viktimë apo si nxitës të tij – u
deklaruan publikisht për krimbërje.
E siç ndodh rëndom këndej sa
herë që bëhet fjalë për arrestime e përndjekje, në listë të emrave doli të jetë
dhe një deputet. Tashmë listat e krimit pa një emër deputeti në to nuk janë më
as lista të zakonshme. Ndonjëherë nuk arrij të dalloj se a bëhen kriminel këta
para se të marrin pushtet, apo vijnë në pushtet si krimbërës. Jo se ka dallim në
të dyja rastet; veçse nëse del të jetë e para atëherë del të kemi një pushtet të
tërë krimbërës; nëse del e dyta, atëherë del të jetë se kemi një milet që nuk
dallon krimbërësit andaj i promovon. E deputeti i përndjekur del të jetë nga
opozita në kërkim pozite, pra LDK, e cila në vend se të pastrojë partinë nga
mangupë të tillë që i din e njeh gjithkush gjithandej, promovon alternativë me
hajna. Nëse hajnat e krimbërësit si ky janë alternativë e këtij vendi, e
Kosovës së vitit 2020, jo më 1990, atëherë preferoj të mbes me këtë qeveri dhe
me hajnat e sotshëm. Së paku këta gjatë rrugës kanë mësuar edhe zanatin e punës
aty-këtu.
-2-
Më 21 mars të këtij viti, në një
kolumnë të përjavshme të titulluar “Ku është opozita?”, kisha shkruar kështu: “Goditje anti-kriminale LDK do të marrë edhe
nga EULEX-i, që duket se më në fund po bën punën që është dashtë të bëj kaherë.
Në LDK ka shumë ish-pushtetarë e individë të tjerë që kanë fjetur me krimin
gjerë e gjatë; e të cilët në vend se të largohen nga partia janë mbajtur e
kamufluar diku mes gjithë të tjerëve. Kostoja e kamuflimit do të paguhet
megjithatë nga të gjithë – kurdo që antikrimi të shpërthejë.” LDK sot duhet
të kuptojë se antikrimi sapo ka shpërthyer dhe se grimcat e shpërthimit të
ndryrë do të bien të gjitha në oborr të saj. I gjithë çmimi i mosreagueshmërisë
dhe mospastrimit të partisë nga individë të tillë – mangupë, hajna e
dallavergjinjë superprofesionalë – tashmë do të paguhet nga të gjithë në parti;
shumë shtrenjtë madje.
-3-
Nëse AKP është krim, tentimkrim
është fondi i programuar për punësim i qeverisë në ikje e në kërkim të mandatit
të tretë, i njohur si Fondi i Punësimit. Për secilin me jo shumë dije për idenë
e përgjithshme të Fondit, fjala është për mbledhjen e parave të privatizimit
dhe trustit në një vend dhe kështu dhënien e tyre si kredi për bizneset
kosovare.
Tashti, ideja e vënies në
shfrytëzim të parave të privatizimit është thjeshtë e domosdoshme; në të
vërtetë, bllokimi i tyre tash e sa vjet në jashtë tregut të tharë të Kosovës
ishte tërësisht absurde. Por paratë e privatizimit janë vetëm gjysma e tregimit
të gjithmbarshëm mbi Fondin, sepse, paradoksalisht, propozimi parasheh edhe
inkuadrimin e kursimeve individuale të kosovarëve po në këtë fond.
Unë identifikoj tri probleme me
idenë e futjes së parave të pensioneve në këtë fond. Problemi i parë ka të bëjë
me trajtimin e kursimit individual si para të gjithë shoqërisë – rrjedhimisht
si e drejtë ekskluzive e një qeverie të bëjë çfarëdo me to. Pra për ta vënë
rekordin drejtë, paratë e Trustit janë para të 300.000 kontribuesve kosovarë –
e askujt tjetër – dhe se secili ka të drejtë individuale në hisen përkatëse të
tij. Qëllimi i vetëm i fondit pensional është rritja e profitit, vlerës së
fondit dhe kështu sigurimit të një pleqërie të denjë për kontribuuesit dhe përfituesit
e tjerë. Për arsye si kjo, Fondi duhet të ndjekë vetëm tregjet që ofrojnë
përfitime më të mëdha dhe siguri shtesë. Çdo devijim prej këtij qëllimi është
ndërhyrje flagrante në pasurinë individuale të kosovarëve kontribuues. Është njëjtë
sikur të obligosh një individ se ku duhet ti mbajë kursimet (bankare ose kesh)
të veta.
Problemi i dytë ka të bëjë me përcaktimin
e të zotit të fatit fondit; e që natyrisht se nuk është qeveria. Nëse qeveria
beson se ka individë që preferojnë investimet e fondeve pensionale në Kosovë –
për çfarëdo qëllimi – atëherë le të bëjë një portofolio opcionale ku
kontribuuesit mund të zgjedhin se ku dëshirojnë paratë e tyre të jenë. Të
zgjedhin se a dëshirojnë të jenë këto para nëpër tregje që sjellin fitime më të
më dha, pra kanë interes më të lartë (e më të sigurt gjithashtu) – dhe kështu
gjatë pensionit të marrin më shumë para – apo dëshirojnë që nëpërmjet një
qeverie afatshkurte – si kjo ose si cilado tjetër – t’u japin fondet e veta me
interes në Kosovë. Le të zgjedhin votuesit e Kryeministrit investimin sipas
listës së dëshirave të tij më pas; nëse bash i besojnë.
Problemi i tretë ka të bëjë me
kredibilitetin e menaxhimit të 1.5 miliardë eurove nga një qeveri si kjo. Mos të
harrojmë, kjo qeveri dhe kjo qeverisje njihet si më e korruptuara në gjithë
Evropën. Pasi ka shterë e tharrë gjithë pasurinë publike, falë asete e
shpenzuar çmendurisht gjithë buxhetin – madje pasi dhe ka marrë borxh – ajo i’u
është vënë kursimeve të kosovarëve si mjet i fundit i paprekur në vend –
gjithmonë për të vazhduar politikat e tyre të deritanishme që përveç se kanë
pasuruar individë – të biznesit e politikës – të lidhur ngushte me pushtetin
kriminal, nuk ka bërë asgjë tjetër hiç.
E për arsye si këto, refuzoj që
kursimet e mia individuale të vihen në dispozicion të cilido kujt tjetër pa pëlqimin
tim. Një gjë e tillë veçse do të rrumbullakonte themelet e një plaçke nacionale
si asnjëherë më parë. Pensioni im nuk është taksë; për qëllime të shoqërisë e
të mirësisë së Kosovës unë – dhe të tjerët – paguajmë taksa. Pensionet i
paguajmë për veten tonë.
No comments:
Post a Comment