Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 JANAR 2014
Katër
vite më parë ne kishim një aset që vlente bukur shumë. Më pas gjetëm një
“agjent shitjesh” i cili mori asetin, parandalojë çdo mirëmbajtje të tij,
zgjodhi një treg teneqesh e hekurishtesh për të gjetur një shitës, dhe na u
kthye prapa - pas katër viteve - me një blerës “fullirant” dhe pa asnjë pare në
xhep; na tha në fund të vendosim në favor të shitjes meqë aseti - pas katër
vitesh, pas mosmirëmbajtjes e pas vendosjes në treg teneqesh e hekurishtesh -
nuk vlente më asgjë.
Në stil të
“photo-finish”, komisioni ndërministror për privatizimin e PTK-së kishte
zgjedhur datën 31 Dhjetor për të dhënë lajmin se aseti megjithatë nuk do të
privatizohej. Si një lobues i mos-shitjes alla-pronto - tash e pothuajse katër
vite - u ndjeva i lehtësuar. I lehtësuar sepse presioni publik, organizimi
opozitar dhe thirrja në rezon e sens nga gjithkush tjetër në proces, kishin ndërprerë
njërin ndër aktet më të shëmtuara politike në vend. Si i kontrabanduar, i devalvuar
dhe i mbyllur nga publiku, procesi nuk meritonte assesi shitjen. Në të vërtetë
si i tillë ai në rrethana normale nuk do të meritonte as nisjen.
Por ja që e nisën
mbrapshtë, e vazhduan mbrapshtë dhe natyrshëm përfunduan mbrapshtë. Këtu, ata,
mund dhe të prodhojnë e krijojnë lajme të humbjeve marramendëse nga mosshitja,
por nuk ka e nuk do të kishte asnjëherë humbje më të madhe se sa transferi i
asetit për: (një) shumën e gjithmbarshme sa kthimi katërvjeçar i investimit;
(dy) tek një fond investiv që normalisht pretendon rishitjen; (tre) shitjen
gjatë një procesi jo-konkurrencial dhe të komprometuar nga afera korruptive e
një procesi të anuluar paraprak; dhe (katër) daljen në treg me një aset të
cilit u janë ndërprerë të gjitha investimet për sa vite, për ta mbytur vetëm në
shërbime telefonike.
***
Nuk ka asnjë dyshim se ndërprerja e dytë radhazi e procesit do të ketë kosto për vendin, për asetin dhe për “të tretën të vërtetën” kurdo që të ndodhë. Shitja nuk është punë fëmijësh - e aq më pak punë (në stilin standard komunikues të shefit të shefave) matrapazësh korruptiv që devalvojnë e zhbëjnë gjithçka që prekin; për të dalë të gjithë në fund fare me thirrje se të tjerët janë fajtorë për dështim.
Në gjuhë të
secilit tjetër me rezon, e vërteta është se katër vite më parë ne kishim një
aset që vlente bukur shumë. Më pas gjetëm një “agjent shitjesh” i cili mori
asetin, parandalojë çdo mirëmbajtje të tij, zgjodhi një treg teneqesh e
hekurishtesh për të gjetur një shitës, dhe na u kthye prapa - pas katër viteve
- me një blerës “fullirant” dhe pa asnjë pare në xhep; na tha në fund të
vendosim në favor të shitjes meqë aseti - pas katër vitesh, pas mosmirëmbajtjes
e pas vendosjes në treg teneqesh e hekurishtesh - nuk vlente më asgjë.
Si pronarë të
asetit do të mallkojmë ditën që dhamë asetin në duar të një agjenti më
“fullirant” se blerësi, që pranuam ndërprerjen e investimeve në shërbime të
kabllorit, gjeneratës së tretë e katërt apo në shërbime të internetit - të
gjitha mund të ndodhnin katër vite më parë - që nuk morëm vet asetin në
menaxhim, për të zhbërë të gjitha ndikimet politike a partiake në të, që nuk
zgjodhëm një kohë të mirë, një gjuajtje të vetme dhe një përfundim të vetëm,
apo që nuk morëm vlerën reale të tij plus një investitorë që na mëson e na kthen
shërbime më mirë se sa ti bënim vet.
Tash, kur
mallkimi ose jo ka pak rëndësi, do të duhet të provojmë ta mbajmë rekordin
drejtë. Për fillim të mbajmë përgjegjës “agjentin” tonë, pra qeverinë dhe gjithë
të tjerët e involvuar në të, të cilët bënë të pabërën përgjatë dy përpjekjeve të
dështuara. Më pas, të japim në menaxhim asetin ose tek një kompani e përkohshme
që përfundon të gjitha investimet e parapara tash e katër vite, ristrukturon
dhe pastron PTK-në nga të gjithë të punësuarit politik e partiak që nuk i kanë
dy lidhje mend, e të zgjedhë një prag minimal nën të cilin nuk pranojmë asnjë
ofertë. Madje, kur zgjedhim pragun minimal shitjen mund ta bëjmë fare hapur, me
negociata një me një me investitorë serioz e kompani me eksperiencë.
***
A mund të bëjë
një gjë të tillë qeveria e tanishme? Absolutisht jo; nuk ka as ide, as sy e as
vullnet për të bërë ekonomi. Në të vërtetë, sa më parë që largohet ky grup
qeverisësish, aq më parë fillojmë mbarësimin ekonomik të vendit. Këta kanë
ngufatur secilin potencial gjenerues në vend. Aty ku kanë mundur kanë
përvetësuar, diku tjetër kanë zaptuar e gjithçka tjetër kanë zhvlerësuar. Sepse
të njëjtit nuk kanë as edhe një haber për ekonomi; fjalë shumë, ekonomi zero.
Madje për të kuptuar edhe nivelin e ekonomi-bërjes në vend, skam se si të mos
marr shembull tri deklarata të bëra të njëjtën ditë - me 30 dhjetor të vitit që
sapo lamë pas - nga tri institucione të ndryshme.
Më 30 dhjetor
2013, Kryeministri i Kosovës gjatë fjalimit përmbyllës po deklaronte kështu:
“Kosova edhe këtë vit e ka shënuar një rritje ekonomike mbi 5%. E gjithë kjo
rritje ka qenë e mundur duke u bazuar në planifikimet tona të mirëfillta dhe
zbatimin e këtyre planëve”.
Më 30 dhjetor
2013, Ministria e Financave, e cila bën përndryshe matjen e rritjes ekonomike në
vend, gjatë përmbylljes vjetore po deklaronte kështu: “Kosova sivjet ka rritje
ekonomike prej 3.2%”.
Më 30 dhjetor
2013, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport përmbyllës për Kosovën të
publikuar të njëjtën ditë me dy deklaratat paraprake, thoshte kështu: “Gjatë
vitit 2013, rritja ekonomike në Kosovë ka qenë 2.5%”.
Morali i
tregimit? Fillimisht, Kosova ka një Kryeministër që nuk e di as rritjen
ekonomike të vendit të vet (elementi i injorancës); tani paramendoni dijet
tjera të tij për ekonomi, rrjedhimisht potencën e qeverisjes së tij për të bërë
diçka më mirë. Së dyti, Kosova ka një Kryeministër që prodhon një pasaktësi
lehtësisht, madje dhe thotë se ka pasur plane për të realizuar të njëjtën
pasaktësi - dhe se - ka zbatuar ato me përpikëri për të arritur në një numër - të
pasaktë - rritjeje (elementi i futkotizmit). Së treti, Kosova ka një Kryeministër
që përgënjeshtrohet të njëjtën ditë nga Ministria e tij - të cilën së paku
ishte dashur ta konsultonte - dhe për më tepër nga institucioni më kredibili ndërkombëtar,
pra FMN, matjet e së cilës kanë qenë më të sakta gjithnjë (elementi i marres).
E kur injoranca,
futkotizmi e marrja bëhen një, dështimet e ndërprerjet e proceseve - gjithmonë të
mbrapshta meqë nuk kanë se si të dalin më ndryshe - janë lajmet më të mira që
mund ti marrim ndonjëherë.
No comments:
Post a Comment