Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 JANAR 2014
Diskutim
mbi një organogram të ri qeverisje
Nuk kam qenë asnjëherë ithtar i qeverive të mëdha;
asnjëherë. Janë financiarisht të kushtueshme, politikisht të korruptuara e funksionalisht
joefiçente – të gjitha të financuara nga sektori efiçent privat. Qeveritë e
mëdha, në organizim apo prezencë, janë zakonisht produkt i nevojës për menaxhim
efiçent. Për partinë në pushtet rritja e vazhdueshme e ministrive nuk është bërë
asnjëherë me një orientim apo ide të dhënë; është bërë sa për të akomoduar aty
këtu partnerë koalicionesh, partiak të tepruar, minoritetet të lazdruara e ide
të tjera bukur të banalizuara.
Kosova sot, besoni ose jo, ka plot 20 ministri; një
prej të cilave është pa portofol – numri i saktë i zëvendësministrave,
këshilltarëve politik e shërbyesve tjerë politik mbetet i panjohur madje edhe
për vet Kryeministrin. Pra në esencë, Kryeministri para vetes ka një organogram
menaxhues për fundin e të cilit as që ka ide. Ky organogram është marrë si i
qenë dhe është trashëguar nga administrata e UNMIK-ut, e cila si rëndom me
politikat paraprake ka prodhuar mishmashe organizative. Për të mos mjaftuar
kjo, gjatë kohës secila qeveri kosovare kishte shtuar ministri nën idenë se çdo
çështje e rëndësishme duhet të trajtohet me një ministri të rëndësishme.
Ç’është e vërteta, një logjikë e vazhduar si kjo do të nënkuptonte se Kosova me
1001 probleme duhet të kishte plot 1001 ministri.
Numri i ministrive ishte bërë aq i madh,
rrjedhimisht aq i pamenaxhueshëm nga kreu i qeverisë, saqë një ide edhe më e
komplikuar po formësohej në zgjedhjet e kaluara; bëhej fjalë për krijimin e një
niveli të ri në mes të Kryeministrit dhe Ministrave – një grumbull
zëvendëskryeministrash. Pra në esencë, zëvendëskryeministrat do të ishin përgjegjës
për grumbuj ministrish të fushave të ngjashme duke provuar kështu thjeshtëzimin
e komunikimit në mes të kryeministrit dhe ministrave. Ndonëse Qeveria e fundit
kishte prodhuar një grumbull zëvendëskryeministrash, ideja e ndërmjetësimit nuk
ishte funksionalizuar asnjëherë. Dhe ky është lajm i mirë them unë – pse të
komplikojmë më tej.
Në këtë shkrim do të provoj të argumentoj në favor
të një organogrami më të thjeshtëzuar qeverisës, i cili nuk mbanë në vete 4
zëvendëskryeministra, 20 ministra e plot zëvendësministra, por mban vetëm 10
ministri. Thjeshtëzimi si ky nuk nënkupton mbylljen e ministrive dhe kështu
shuarjen e prioriteteve, nënkupton vetëm riorganizmin e tyre dhe adresimin më të
lehtë dhe më efikas të po të njëjtave prioritete. Pra në thelb, ky organogram,
unë argumentoj, hedh poshtë idenë se çdo problem zgjidhet me një ministri të
vecantë për vet problemin dhe njëkohësisht forcon kontrollin e udhëheqësit të
qeverisë dhe bashkëveprimin ministror nëpërmjet thjeshtësisë; përveç kësaj
kursen fonde të mëdha për parazitët “zëvendës”.
***
Në modelin e tanishëm, Kosova paradoksalisht ka
krijuar plot 3 ministri që merren me punë të jashtme; ka Ministrinë e Punëve të
Jashtme, Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe Ministrinë e Diasporës. Dy
ministritë e fundit do të mund të ishin lehtësisht departamente – mjaft funksionale
madje e të kontrolluara – të (1) Ministrisë së Shtetit dhe Punëve të Jashtme. Në
konstalacionin e tanishëm bëhet bukur e komplikuar kur tre individë merren me
detyra të jashtme; e në rastin e bisedimeve madje komplikohen edhe më shumë nga
një zëvendëskryeministër plus. Paramendoni një konstalacion të ri, në të cilin
një ministër i punëve të jashtme ka diplomacinë, integrimet, diasporën dhe
negociatat në portofolin e vet – paramendoni dhe kredibilitetin e një pozite të
tillë dhe rrjedhimisht kërkesën për kualitet në përfaqësim ndërkombëtar.
Problemet ekonomike të Kosovës në modelin e tanishëm
qeverisës adresohen nga 4 ministri: nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik;
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe
Zhvillimit Rural; dhe nga Ministria e Infrastrukturës. Në të vërtetë, për dy
nga këto katër ministri e kam vështirë të kuptoj arsyen e ekzistencës ndarazi
nga një trup unik. Pse duhet infrastruktura të trajtohet si ministri e ndarë
nga një koncept e vizion i përbashkët zhvillimor ekonomik? Apo pse duhet
mbajtur një Ministri të Zhvillimit Ekonomik e cila përveç privatizimeve nuk
merret me asgjë tjetër; ama bash hiç. Në vend të këtij grumbulli aksidental,
them të krijohet (2) Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit, pjesë e së cilës do
të ishin departamentet (dhe rrjedhimisht udhëheqësit kredibil) të tregtisë, të
investimeve (pavarësisht se a bëhen në rrugë, shkolla apo ku tjetër), të
bujqësisë, të prodhimit, të mjedisit, të energjisë dhe të telekomit – të gjitha
pjesë e një orientimi.
Vis-à-vis Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit
duhej të qëndronte (3) Ministria e Financave dhe Thesarit, e cila në esencë do
të merrej me gjenerimin dhe planifikimn e financave të shtetit, pra në radhë të
parë do të koordinonte mbledhjet doganore, mbledhjet e taksave të brendshme,
menaxhinin e thesarit dhe në fund planifikimet makroekonomike të vendit. E
njëjta do të merrej me luftim të informalitetit e evazionit fiskal nëpërmjet
policisë financiare – një lloj i “Guardia di Finanza” alla-kosovarçe.
E kujdesi për krijimin e një ambienti të ligjshëm e
të drejtë do të ishte pjesë e (4) Ministrisë së Ligjit dhe Drejtësisë, puna e së
cilës do të orientohej drejt krijimit të parakushteve për gjyqësi dhe prokurori
të guximshme e të drejtë; dhe për qendra rehabilituese e të burgosurish siç e
do rendi i standardeve evropiane. Për arsim, shkencë dhe teknologji – pa
përfshirë infrastrukturën dhe investimet në to – pra vetëm me pjesën softuerike
të dijes, do të merrej (5) Ministria e Edukimit dhe Shkencës. Këtu do të duhej
të grumbulloheshin akademikë që nuk kanë nevojë të dinë shumë për sasinë e
çimentos e armaturës në një shkollë, por sasinë e dijes ose jo të një lënde
mësimore.
Shëndeti, politikat sociale e kujdesi pensionale
(jashtë Trustit) do të mund të trajtoheshin brenda (6) Ministrisë së Shëndetit
dhe Kujdesit Njerëzor, e cila pra nuk do të merrej vetëm me menaxhim të
qendrave klinike e shtëpive të kujdesit shëndetësor, por me një kujdes të
gjithmbarshëm human në vend – nga lindja, rritja e deri tek plakja.
Njëtrajtësisht, sporti e kultura – pa rini gjithsesi nuk ka kuptim trajtimi i
rinisë ndarazi nga një vend që 70% të banorëve i ka rini – do të ishin pjesë e
(7) Ministrisë së Sportit dhe Kulturës.
Siguria e brendshme dhe nacionale do të ishin pjesë
e dy trupave. Në radhë të parë, (8) Ministria e Rregullit të Brendshëm do të
merrej me krijimin e kushteve dhe
politikave për polici, zjarrfikës e trupa të tjerë emergjent të pavarur e të qëndrueshëm.
Karshi saj, për rregullin shtetëror do të krijohej (9) Ministria e Mbrojtjes
deh Sigurisë Kombëtare e cila do të përkujdesej për formësimin dhe funksionalizimin
e ushtrisë – jo vetëm në kuptimin fizik e militar të saj por edhe në nevojën për
të krijuar qendra të inovacionit e dijes brenda ushtrisë. Shërbimet e inteligjencës
do të ishin pjesë e objektivit për siguri nacionale të kësaj ministrie.
Në fund fare, do të riorganizohej (10) Ministria e
Administratës Shtetërore, e cila përveç se do të shkrijë në vete edhe gjithë
kompetencat e ministrisë së tanishme që merret me pushtet lokal, do të kishte për
obligim furnizimin, reformimin, rekrutimin, ngritjen profesionale dhe sigurimin
e cilësisë të gjithë administratës shtetërore – një lloj superderpartamenti i
resurseve humane në Qeveri.
No comments:
Post a Comment