Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 JANAR 2014
Mbi takimin e Prizrenit, përkujtimet e masakrave, grupeve
siriane e vendet e rezervuara
-1-
Sikur të mos bëhej për
fotografi, për simbolikë dhe për dorë-shtrëngime tashmë “më tha të thash”,
takimi i parë në mes të dy qeverive shqiptare në Prizren do të mbahej mend për
nismën e mbarësisë kombëtare. Do të mbahej mend si takim ku problemet
energjetike, të tregtisë, të investimeve e përparësive krahasuese në mes dy
shteteve do të merrnin udhë. Jo pse disa grupe nacionaliste thirren e çirren rëndom
për akte të tilla, por sepse bashkërendimi në mes të dy vendeve është një përfundim
natyral. Pra, është natyrale që dy tregje me gjuhë të njëjtë, kulturë të njëjtë,
pak a shumë histori të njëjtë – dhe në fund me vullnet politik të njëjtë – të bashkërendojnë.
A e shoh takimin si nismë të denjë
për të trajtuar problemet në fjalë? Aspak. Jo sepse nuk dua unë e nuk munden
ata, por sepse të dy grupacionet qeverisëse qysh në start prodhuan vetëm një shfaqjeje
komerciale që mund të shitet nëpër tregjet nacionaliste gjithandej. U takuan, u
fotografuan, u ngopën mirë dhe nuk na thanë gjë; as edhe një vendim të vetëm
pas 6 vjet bashkëpunimi ndërshtetëror – thuajse të dyjat fillonin nga viti
zero. Madje provuan të shesin shfaqjen dhe në tregun e Luginës, por ja që
potenca e shitjes prej një fondi 100.000 eurosh tregoj edhe brishtësinë e
sinqeritetit të dy qeverive. Dhe as që dua të argumentojë denjësinë e fondit,
as intencën e palëve e hiç se hiç dëshpërimin e shqiptarëve më të palirë sot në
Evropë, atyre pra të Luginës; dua vetëm të shpreh pakënaqësi me tregtimin e
nevojave serioze nacionale për marketing e poena politik nga Kryeministri Thaçi
e Kryeministri Rama. Ani pse veprime shumëherë më domethënëse se të paraardhësit
Berisha, akte si këto nuk mjaftojnë me vlerësimin se janë më mirë se paraprakët.
Mendësia e bërit më mirë se parapraku do të na ngujojë përjetësisht në kërkim të
simbolikave qeverisëse; siç edhe jemi të ngujuar tash e sa vite gjithandej ku
ka shqiptarë.
-2-
Në përvjetorin e pesëmbëdhjetë
të masakrës së Reçakut, fillova të gjurmojë deklaratat e zyrtarëve serb në
lidhje me rastin të dhëna nëpër vite. Gjeta, ndër shumë të tjera, dhe dy mjaft
interesante, nga kryeministri i tanishëm serb. E para, ishte bërë më 15 Janar
1999, në ditën e masakrës së Reçakut. Zëdhënësi i atëhershëm i Millosheviq
thoshte: "SPS në plotni dhe me vendosmëri përkrahë organet shtetërore të
Serbisë dhe gjithë aktivitetet e tyre për të luftuar terrorizmin në Kosovë dhe
për të zhbërë të gjitha grupet terroriste atje". Dhjet vite më pas,
më 23 mars 2009, në përvjetorin e dhjetë të bombardimeve të NATO-s, i njëjti thoshte:
"Bombardimet e NATO's ishin pasojë e akuzave fallce rreth masakrës së
montuar të Reçakut, dhe për gjoja fajësinë e forcave serbe në Reçak".
A është befasues një qëndrim si
ky? Aspak. Sinqerisht nuk pres shumë moral e njerëzim nga një trashëgimtar i
Millosheviqit. Por çfarë megjithatë pres nga qeverisja ime, e shtetit tim dhe
vendit tim, i cili megjithatë themelet i ka mu në vrasjet e masakrat si kjo e
Reçakut, është dinjitet në relacion me individë që mendojnë kështu. Për të qenë
më i qartë, një shtet si i yni nuk do të duhej të shfaqte asnjë shenjë
tolerance – përfshirë edhe tolerancën e vizitave të tij nëpër Kosovë
gjithandej, plot 21 herë – pa pranimin e pendesës (së paku) të individëve që
dikur e potencialisht dhe tash mendojnë ashtu. Me të tillë nuk do të duhej të
kishim punë, siç nuk kanë shtetet moderne e perëndimore sot punë me individë
terroristë e dashakqijë.
-3-
E kur jemi tek individë
terroristë e dashakëqij, lajmi i shfaqjes së një grupi shqiptarë me flamuj të “Al-Qaedas”
diku nëpër vend luftimet e Sirisë, ishte sinqerisht lajmi më shqetësues që
shqiptarët do të mund të merrnin në kohë si këto. Kërcënimet e prerjes së
kokave amerikane nga disa që folin shqip, tregojnë më së miri edhe shkallën e
infiltrimit terrorist, antinacional dhe në fund të fundit çnjerëzor e antifetarë
– gjithandej Kosovës nga grupe ekstremiste që punojnë lirshëm tash e 14 vite në
vend; gjithmonë pas çlirimit me ndihmesën e po të njëjtëve amerikan.
Dhe jam i ngopur me secilin që kundërshton gisht-treguesit e terroristëve me idenë e një “islamofobizmi”; në ato përmasa sa që nuk bën askush të flas për ta sepse në definicion e me automatizë, shndërrohet disi në “islamofob”. Në fund të fundit sot kundërshtarët më të mëdhenj grupeve radikale, terroriste e pa tru janë pikërisht shumica e besimtarëve islam. Në fund të fundit beteja e pastrimit të religjionit dhe shtetit nga grupacioneve të tilla është beteje e brendshme e besimtarëve të fesë sonë (islame pra). Do të duhet vet ne ta pastrojmë oborrin nga elemente të tilla që sot kërcënojnë amerikanë e përkrahës amerikanë me kokë-prerje.
Ngjarjet e videot si këto, do të
duhet të shërbejnë në Kosovë për nisjen e hetimeve publike e të hapura për
lidhjet eventuale të këtyre grupeve me Kosovë dhe rrjedhimisht me ndjekjen
penale për terrorizëm e veprimtari kriminale të secilit që ka ndikim në mendime
e ecje si këto. Dhe më nuk duhet të presim nga BIK-u e përfaqësues të tjerë
fetarë ndërhyrje të penalizimeve nëpër objekte të zaptuara fetare, por duhet të
presim ndërhyrje të pastra të inteligjencës, forcave policore e prokurorisë
para se bomba e parë të shpërthejë diku në Kosovë. Këta kanë kaluar secilin
kufi!
-4-
E në vlugun e gjithë telasheve
politike në vend, vendi ballafaqohet me një kërkesë të padrejtë për ndryshim të
kushtetutës, dhe – kjo më e rëndësishmja – e hapjes së Pakos së Ahtisaarit; të
asaj pakoje që jemi zotuar se nuk do ta hapim kurrë. Qëndrimet e LDK-së dhe
VV-së deri më tani janë sinqerisht për tu lakmuar; siç janë për tu trishtuar qëndrimet
e kryetarit të AKR-së i cili nga paditunia ekstreme – si në çdo relacion tjetër
politik tashmë – propozon 130 e kusur vende në parlament e mandate shtesë, sa për
ti hyrë në qejf ndonjë diplomati të huaj; ani pse e lë vendin në hallakamë për
katër vjet me një parti që refuzon shtetësinë e Kosovës e potencialisht me 30
deputetë në Parlament – teorikisht edhe mandatuese e Qeverisë së re.
Mendimet si këto, pra të
servilitetit enrom, të paditunisë e naivitetit– të kombinuara me këmbënguljen e
ligshtë të PDK-së që ka humbur më secilin kredibilitet e legjitimitet, janë
mendime e qëndrime që rrezikojnë qenësinë e shtetësisë së vendit. Për më tepër,
grupimet e ideve si këto, gjenerojnë vetvetiu domosdoshmërinë e zhbërjes së
tyre. Rrjedhimisht, akti i vetëm patriotik që kanë kosovarët sot dhe partitë opozitare
në vend, para se të sakatojmë e gjymtojmë brishtësinë ashtu kështu të shpërfaqur
në vend, është rrëzimi i qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje nacionale – me shpresë
të lira dhe pa prodhime kriminale e naive.
No comments:
Post a Comment