Monday, 27 January 2014

IMPROVIZIMET

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 JANAR 2014

Mësime nga një javë se si nuk shkohet në Evropë


-1-

Në dhjetor të 2013-ës, kur ishin bërë 3 vite nga deklarimi famoz i Kryeministrit mbi një pesëmbëdhjetë muajsh dhe një liberalizim vizash pas tij, provova të grumbulloj e ti rikujtoj qëndrimet e tij nëpër  vite rreth procesit në fjalë. Sa herë që lexoni deklaratat e tij, do të mahniteni nga paaftësia e artikulimit të një vizioni, e nga aftësia e devijimit të qëndrimit nëpër kohë. Të njëjtat i kisha publikuar në Facebook atëherë; po i risjell dhe këtu.

Pra e para, dhe më e famshmja, ishte e vitit 2010, kur Kryeministri deklaronte se “...për pesëmbëdhjetë muaj do të ndodhë liberalizimi i vizave”. Madje, në një konferencë për shtyp i njëjti deklaronte se këtë parashikim e bënte sepse mbante kontakte të rregullta me zyrtarë evropian dhe se lidhjet e tija personale (hajde de) në Bruksel i kishin siguruar atij një informacion të tillë. Në të vërtetë, për gjithkënd me veç pak dije më shumë rreth procesit, një deklarim i tillë ishte veçse një premtim elektoral; sepse liberalizmi i vizave për një vend nuk ishte dhuratë që bëhej në shenjë të një relacioni – qoftë edhe personal – por ishte një triumf, pra një përfundim, i një rruge me shumë prova rreth suksesit. Pjesa më e madhe e provave kishte të bënte madje me arrestimin, ndalimin dhe parandalimin e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të vet Kryeministrit, me të njëjtët që ai po garonte në zgjedhje nacionale. Ishte një muhabet koti, asgjë më shumë.

Kur u bënë gati pesëmbëdhjetë muaj, diku kah fundi i vitit 2011, Kryeministri në një adresim kabinetit të tij ishte shprehur se “...viti 2012 është vit i procesit të liberalizimit të vizave”. E kur 2012-a po merrte fund, në një shfaqje të re të tij, tha se “liberalizimi ende nuk ka ndodhur; por ne kemi deklaruar vitin 2013 si vit të liberalizmit, pra 2013-a është vit i liberalizimit të vizave”. Kjo pjesa e dytë e qëndrimit, kur “hera e tretë por e vërtetë” theksohet si noveliste dhe e re, më thotë shumë për injorancën dhe paqëndrueshmërinë e një politikani tipik alla-ballkanas i viteve të 90-ta. E kur u pa se as e treta nuk ishte “e vërteta”, pra një muaj më parë, Kryeministri po përmbyllte ciklin  e deklarimeve me “...muajt në vijim janë vendimtar për procesin e liberalizmit të vizave”. Kaq prej tij, sa din, sa parasheh dhe sa keqinformon – qëllimisht apo për shkak të paditurisë nuk ka rëndësi – në tre se sa vite pushtet.

Këtë javë, Ulrike Lunacek, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, mund ti ketë këputur shpresat e një grumbulli kosovarësh që megjithatë mbanin për fjalë Kryeministrin; shpresoj të janë të pakët gjithsesi të tillët që ende besojnë në pallavrat e tij. Ajo na tha se “...sivjet nuk do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët. Shpresoj që do të bëhet brenda dy apo tri vitesh”. Tha gjithashtu se lufta e provuar ndaj krimit, kriminelëve, manipuluesve e gjithë parazitëve tjerë publik është parakusht – bashkë me një zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik e demokratik të vendit – për të ecur lirshëm në Evropë. Pra thënë ndryshe, ecja e lirë në Evropë është rezultat vetëm i një produkti të brendshëm, pra e një prodhimi politik e ekonomik të pëlqyeshëm nga Kosova – prodhim ky që përkundër qëndrimeve të qeveritarëve e qatipëve proqeveritarë se po krijohet, nuk është askund; përndryshe do të ecnim në Evropë.
-2-

Pamjet e së premte mbrëma nëpër Prishtinë, aq pompoze e aq mediake, më shqetësuan shumë – ishin të pazakonta. Një grumbull policësh, ca të maskuar e ca jo, po marshonin në rend nga ty për të, siç deklaronin vet ata “treguar vendosmërinë dhe pamëshirshmërinë ndaj grupeve kriminale”. Dhe ku ishin këto grupe kriminale? Mysafirë nëpër të gjitha kafenetë dhe klubet e Prishtinës. Çfarë ofendimi.

Tani, unë kam çdo respekt e konsideratë për Policinë e Kosovës e cila në vete mbanë shumë individë e shërbyes të denjë; siç është edhe ky polici i lagjes në të cilën gjendet zyra e Riinvestit, afër Qafës, e i cili nuk kalon javë pa mbajtur një takim së paku me ne e gjithë banorët e tjerë të lagjes – për të marrë përshtypje, organizuar rendin e treguar përkushtimin. Mahnitem nga vullneti i tij. Pra Policia ka individë e shërbyes të tillë mjaftë. Policia gjithashtu ka detyrë e obligim të siguroj rend dhe ligj; por ama, këtë rend e ligj nuk duhet ta bëj nëpërmjet mbështetjes për muri, zgjerimit të këmbëve e kontrollimit detaj të secilit mysafir të kafeneve të Prishtinës – e që të premten thuhet se ishin dy-tre mijë.

Pra individë që vendosin të çlodhen në mbrëmje me mik apo familjarë, që pas një dite të lodhshme e ashtu të mundimshme vendosin të kenë pak momente harrese – nuk janë kriminelë e nuk meritojnë ofendim të tillë. Siç edhe nuk meritojnë një kontroll një për një udhëtarët e trenit Prishtinë-Pejë të cilët njashtu ishin tmerruar nga hyrjet e shpejta e bombastike e me maske e të gjitha të përcjella me kamerë.

Nëse policia synon të parandalojë narkotikët nëpër kafene – ani pse në fund pas gjithë operacionit nuk gjetën ama bash asgjë – më e udhës do të ishte të vepronte siç bënë secila forcë policore moderne – të fusë dy a tre detektivë civilë e të tregojnë kështu efiçencë në kapjen e përdoruesve pa nevojën e maltretimit të mijërave të tjerëve. E për më tepër, nëse duan të parandalojnë krimin e narkotikëve apo armëve, do të ishte e udhës të ndalin burimin e tyre, që megjithatë nuk gjenden në kafene.

Shfaqjet teatrale sa për të thënë se po bëjnë punë janë më tepër paraqitje të thata të udhëheqësve policorë e potencialisht dhe liderëve politik, të cilët nën presionin e nevojës për luftë kundër krimit duket të kenë vendosur publicitet – siç vendosin zakonisht në çdo relacion tjetër. As kështu nuk shkohet në Evropë.

-3-

E në Evropë më së paku shkohet me një Universitet Publik që ofron mundësi që edhe punimet e Filan Fistekut të konsiderohen si të denja për promovim. Një hulumtim i shkëlqyeshëm i gazetarëve të “Kohës Ditore” shpërfaqi më së miri gjithë defektin e “shkencës” dhe “nivelit shkencor” të UP-së, bashkë me gjithë gradimet e mësimdhënësve aty, kryesisht politikanë apo të lidhur me politikanë – gjak apo jarani – që si hobi marrin shkencën.

Sepse si hobi edhe e konsiderojnë shkencën. Pra, injorantët e të paditurit kanë guxim më shumë të merren me gjëra të mëdha jo sepse janë trima, por sepse injoranca dhe padituria e tyre ulë kriteret e marrjes me gjëra; për ta shkenca është punë e lehtë.

Në këtë vijë janë certifikuar e certifikohen edhe sot një pjesë bukur e madhe e mësimdhënësve të Universitetit Publik, që më pas provojnë të edukojnë gjenerata të tërë analfabetësh modern; të paaftë plotësisht për punë dhe të padobishëm për kërkesat e reja. Nga një tollovi si këto, vetëm studentët që kanë vetiniciative dhe që studiojnë e mësojnë sepse kanë vetë-regjim, filtrohen e përfundojnë më tutje.

Pra, një sistem edukativ i zaptuar si ky, që prodhon doktor shkencash e profesorë pa fije kriteri logjik, ka prodhuar një anarki edukative ku vetë-selekcionimi e jo shtytja është derivat ecjeje. Pasojat e një defektimi si ky do ti bartim për shumë vite. Doktor shkencat e thata, profesorët fallco e hulumtuesit pa hulumtime, do ti kemi në qafë për vite të tërë. Në të vërtetë, largimi i tyre nga sistemi kosovar do të jetë lufta e re e vendit; në mes së mirës dhe së keqes. Mund më vjen nga shkatërrues të tillë.


No comments: