Friday, 30 August 2013

DY ANËT E KOSOVËS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 GUSHT 2013

Tregimi mbi të mirën e të keqen, mbi të drejtën e të gabuarën, e mbi alternativën e anti-alternativën


Kosova din të bëj mirë e mbarë. Pas përmbylljes së “Dokufest” e pas fitores simpatike - gjithsesi brilante - të Majlinda Kelmendit në Rio të Brazilit, Kosova provoj se mund të prodhoj diçka të bukur, diçka botërore. Në të vërtetë, që të dy ngjarjet janë shembuj të një performance jashta-institucionale në vend, ngjarje që i rezistojnë anomalive e ngufatjeve socio-politike e që gufojnë në triumf pavarësisht refuzimit ndaj tyre. E janë mu ngjarjet e sukseset si këto që na theksojnë e ritheksojnë në vazhdimësi se mbarësia e mirësia mund të vijë me e pa shtet.

Përderisa “Dokufesti” tashmë na shpërfaqet rregullisht si një ngjarje që duhet të ndezë mbarë e mirë, suksesi i Majlindës ishe më pak publik. Në të vërtetë, ishte vetëm fitorja e saj që e vuri vëmendjen e publikut kosovar drejt saj; ndoshta sa për të përshkruar kështu edhe trendin e interesimit që ne shfaqim përballë ecjeve e arritjeve individuale të kosovarëve. Gjithsesi, fitorja e Majlindës është shumë më tepër se sa një triumf individual në një tournament të një sporti më pak të popullarizuar se “luajtja me top”. Është po ashtu shumë më tepër se sa një lajm i radhës e një gëzim “i platosë së Boro e Ramizit”, siç edhe janë këto trofe-ngritjet e sportistëve të getoizuar (fatkeqësisht) kosovarë. Shpërfaqja e fitores së saj në pothuajse të gjitha gazetat e portalet sportive botërore, mu për shkak të asaj që Majlinda përfaqësonte, pra Kosovën dhe arritjen simpatike të Kosovës, është dhurata më e mirë që një individ mund ti bëj promovimit të vendit. Në Majlindën këta reporterë sportiv japin gjithashtu edhe tregimin e shtetit më të ri kosovar, përpjekjet për të kaluar të gjitha barrierat politike, e për të përfunduar kështu në triumf përkundër të gjitha gjasave.

Në kundërpeshë të këtij promovimi, gjithsesi, janë këto anomalitë e zakonshme në vend që burojnë me hajni, plaçkitje, haraç, kërcënim, korrupsion e frikësim të gjithçkaje të mirë në vend. Në kundërpeshë të një “Dokufesti” e një “Majlinde” individuale, janë me mijëra individ zaptues, të pa ngirë e të paturp që na prodhojnë politikë të gërditshme, pa kurriz, e skajshmërish klanore.   

***

Një pjesë më pak e dëmshme e anomalive turbo-tranzitore të Kosovës, është edhe pjesa e alternativë-dhënies qeveritare. Më pak e dëmshme jo për shkak të efekteve që bartin, por për shkak të natyrës komike të vet ideizimit të tyre. Në këtë frymë hyn edhe propozimi i fundit i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që, besoni ose jo, ndërton një “Strategji” për punësimin e kosovarëve në Katar.

Të mundohem ti jap një ton serioziteti këtij alamet propozimi. Pra, një dikaster i tërë qeveritar është i angazhuar që të zgjidhë problemin e 30.000 të papunëve (të rinj çdo vit), 400.000 tjerëve të papunë në vazhdimësi, e kush e di sa të tjerëve në vitet në vijim, pra provon ti jap zgjidhje bërthamës së telasheve tona ekonomike, nëpërmjet hartimit të një dokumenti - që e quajnë si rëndom strategji - e që parasheh dërgimin e disa (edhe në rastin më të mirë) qindra kosovarëve në një vend të Lindjes për punë.

Profecia e zëvendës-kryeministrit të tanishëm, i cili gjatë fushatës zgjedhore premtonte punësime të ngjashme - në Kazakistan - si duket po përmbushet. Këtë herë, megjithatë, nuk është një pallavër elektorale e odave e kafehaneve të Marevcit, por është një dokument nacional i promovuar e ndërtuar nga një Qeveri. Është një program qeveritar që problemin më të rëndësishëm ekonomik e trajton me tallje.

Gjithsesi, përderisa politikat qeveritare, kryesisht të udhëhequra mu nga premtuesit e Kazakistanit “e 80.000 vendeve të punës në mandat”, e që tashti na filtrohen nëpër zgjedhje komunale thuajse e kanë bërë namin në vend, kanë ngufatur çdo shpresë për të krijuar punë në vend. Tashti përtej shpresës nuk na mbetet tjetër veçse të bëjmë gjueti nëpër tregje të Kararit e Burmës, Xhibutit e Sibirit. Po të kishin pak seriozitet këta alamet propozues e ideatorë, sikur Qeveria me parinë e saj të kishte vetëm pak ide ekonomike, privatizimet do të bëheshin me më shumë seriozitet, kontratat me më pak korrupsion, rritjet me më shumë kapital privat e rrjedhimisht zhvillimi me më shumë mend.
***

Fatkeqësisht aspak më serioze nuk na jepen alternativat opozitare. Ndonëse LDK e AAK ka kohë që nuk mërziten të ofrojnë as edhe një ide të vetme konkrete për të zhbërë gjithë këtë ngërç ekonomik, pra kanë ngecur e janë ngufatur në prodhim fjalësh gjenerale, “Vetëvendosje” këtë javë publikoj një dokument përmbledhës të quajtur alternativë qeverisëse. Dokumenti, ndër të tjerash (dhe këtu fokusohem unë këtë herë) provon të jep një rrugëdalje ekonomike - pra jep një alternativë përballë ofertës qeveritare për punësim në Katar.

Dokumenti, pjesa ekonomike, ndonëse ka një sërë orientimesh gjenerale mjaft të pëlqyeshme, fatkeqësisht jep dy premisa të rrezikshme ekonomike, e të cilat po u provuan - apo edhe më keq, po u ekstrapoluan më tutje - na dërgojnë të gjithëve në Katar e përtej Katarit. Do të provoj shkurtimisht të flas përse.     

Propozimi i parë ndërlidhet me progeresivitetin e taksave dhe marrjen e një të tretës së pasurisë për gjithkënd që qeveria e ardhshme e sheh si tepër të pasur. Pra në radhë të parë kjo alternativë na jep një rend të ri rregulluesish që duhet ti tregojnë kosovarëve se çfarë është shumë e çfarë pak. Provoj ti parafytyrojë njerëzit që do të bëjnë një rregullim të tillë; a thua si duken? Si duket dikush që një punëtori të lodhshëm, inovativ, të vyeshëm e të ndershëm i tregon se sa mund të marr e fitoj, se çfarë është shumë e çfarë pak për të dhe familjen e tij – apo në fjalë të alternativës, çfarë është e mirë e domosdoshme dhe e panevojshme; si e përcaktojnë vallë të panevojshmen këta; kush ua jep atë të drejtë? Tatimimi kaq i rreptë më duket më tepër një instucionalizim i haraçit, ku puna dekurajohet e dembelia inkurajohet. Në fund të gjithë do të jemi të barabartë - na thotë alternativa. Alternativa na thotë se - për dallim prej gjithë Evropës - këtu nuk bën askush të bëj më shumë se 500 euro në javë meqë për çdo euro shtesë një e treta do ti merret. Çfarë motivimi për zhvillim; thuajse zhvillimi është mëkat e punëtori është mëkatar.

Fatkeqësisht, alternativa nuk kupton - ose nuk do të kuptojë - se çdo taksë progresive në të ardhura, do të rrisë kostot e biznesit të cilët ashtu kështu kanë një mijë e një probleme sot. Alternativa nuk kupton se një taksë e tillë ose do të mbysë bizneset ose do të përkthehet në çmime më të larta, inflacion më të lartë e rrjedhimisht varfëri më të tepërt. Alternativa nuk kupton se në një ekonomi të tharë prej keshit, siç është kjo e Kosovës, rritja e taksave është goditje e dyfishtë për thatësim të mëtutjeshëm. Në vend të “tërheqjeve” siç janë taksat, qeveritë normale në raste të tilla e stimulojnë qarkullimin e parasë, me “prurje”. Alternativa nuk e kupton as katastrofën potenciale (nëse ka mbetur vend për katastrofë pas kësaj qeverisje) në relacion me investitorët e jashtëm po aplikuam trefishin e taksave (në fitim) me vendet e rajonit. Me çfarë mendojnë të zhvillohen këta? Me përralla të popullarizimit e vrullit të adoleshentëve “facebookian” anti neo-liberalë që na plasën me konstatime fajësuese  për kapitalizmin. Tmerrohem të parafytyrojë një Kosovë të tillë; sinqerisht. Dhe kjo nuk ka lidhje me bindje ekonomike, as filozofike - ka të bëjë me një pragmatizëm ekonomik.         
      
Propozimi i dytë, dhe ky është më tepër i rrezikshëm, ofron një lloj nacionalizimi të pronave strategjike të Kosovës. Pra, nga ajo çfarë mund të kuptohet, alternativa e re ofron një qasje “chaveziane” ku prona private nacionalizohet - për më tepër, kur shërbimet publike të reja krijohen nga kapitali publik. Pavarësisht se sa i dëmshëm është procesi i tanishëm privatizues në vend - e kam fjalën për ndërmarrjet publike – ai nuk mund të jetë i kthyeshëm. E tëra çfarë një qeveri e ardhshme mund të bëjë është hetimi dhe mbajtja përgjegjës e njerëzve nëse një transaksion ka pasur afera korruptive në të. Por në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë një parti a lëvizje serioze nuk duhet të mendojë një goditje ekstreme si nacionalizimi i privates. Një hap i tillë jo vetëm se do të shkatërronte reputacionin e Kosovës jashtë, dhe kjo ka rëndësi, por do të na vinte në një vijë me Putinin e Chavezin, me Rusinë e Venezuelën përballë trajtimit të investimeve private (të brendshme a të jashtme) - për të na dhënë kështu izolimin e rrënimin e fundit ekonomik.

Natyrisht se nuk mund të lakmoj asnjë propozim të majtë e më origjinë marksiste, siç është progresiviteti i taksave (i majtë) e nacionalizimi i pronës (marksist). Në të vërtetë ndjej keqardhje e dëshpërim njëkohësisht se pas gjithë evidencës e ecjes së “nacionalizimit” gjatë Jugosllavisë së Titos e Shqipërisë së Xhaxhit, ende ka kosovarë - të rinj madje - që mendojnë në kthimin e saj.

Fatkeqësisht me “alternativa” të tilla kosovarët do të vazhdojnë të mbesin pa alternativë. Një opozitë ose inekzistente ose me propozime ekstreme nuk është alternativë as e hajgareve për Katar. Rrjedhimisht hajgaret e tipit Katar, për fatkeqësinë tonë të madhe, do të vazhdojnë të jenë këndej për shumë gjatë.


Monday, 26 August 2013

DRAMA RRETH PTK-së

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 GUSHT 2013

Po të shikosh me vëmendje gjithë procesin e shitjes së PTK-së, e kupton se në çdo hap të transakcionit, prej idesë e deri të përmbyllja e tij, ka pasur bërje të dy-trefishtë të aktiviteteve. Pra për çdo punë të paraparë është bërë një gabim dhe një përsëritje; eventualisht edhe një ri-përsëritje. Këto gabime natyrshëm kanë një kosto. E kostoja e gjithmbarshme për Kosovën është se ne kemi mbetur me një aset në zhvlerësim e sipër dhe me një investitor “më pak të keq” nga të mbeturit “e ligshtë”, që oferton pa konkurrencë dhe që negocion më pas çmimin e vet-ofertuar


Nuk e di cili do të ishte përkthimi më adekuat i thënies në anglisht “from bad to worse”, me siguri diçka si “nga keq në mosvet”; gjithsesi me një thënie si kjo do të rrumbullakoja gjithë procesin e privatizimit të PTK-së. I ideuar mbrapshtë, i ekzekutuar mbrapshtë, në tendencë përfundimi edhe më të mbrapshtë, shitja e asetit publik të telekomunikacionit duket se po bëhet një ankth ekonomik. Një proces regresiv në vazhdimësi, aq regresiv sa që çfarëdo alternative e tanishme do të prodhonte një output të ri edhe më regresiv, gjithsesi më të mundimshëm e të pasigurt në skajshmëri.

Po të shikosh me vëmendje gjithë procesin e shitjes së PTK-së, e kupton se në çdo hap të transakcionit, prej idesë e deri të përmbyllja e tij, ka pasur bërje të dy-trefishtë të aktiviteteve. Pra për çdo punë të paraparë është bërë një gabim dhe një përsëritje; eventualisht edhe një ri-përsëritje. Kujtoj se PTK është shitur (nëse mund të konsiderohet së paku si e tillë transferimi i asetit) vetëm pas përpjekjes së dytë; në të parën investitorët si “Deutsche Telekom” ishin tërhequr për shkak, siç thonin vet ata, aferave korruptive brenda asetit. E përpjekja e dytë, si në çdo punë tjetër serioze, domosdoshmërish sjellë rezultate më pak serioze, rrjedhimisht investitorë më pak serioz. Përpjekja e dytë na solli biznese e fonde anonime; na solli një konkurrencë të ligshtë për një aset multimilionësh. Pra përderisa në herën e parë ne mund të zgjidhnim më të mirin prej më të mirëve, në të dytin u dashtë të zgjidhim më pak të keqin nga këta të mbeturit.

Ri-përsëritje pat edhe në afatet e ofertimit. Kujtoj se dorëzimi i ofertave, të procesit të dytë, u bë vetëm në përpjekjen e tretë pas dy shtyrjeve të panevojshme (gjithsesi natyrale kur ke të interesuar si “të mbetur”). Në të dy herët paraprake investitorët gjithnjë më pak serioz në një proces joserioz nuk kishin arritur të ndërtonin një ofertë serioze me premtime po aq serioze. Pra në përsëritje të afatave për dorëzim ne jo vetëm se kemi dërguar mesazhe tolerance e joseriozitetit, pra kemi treguar haptazi se mund të pranojmë çfarëdo që na vjen, por ne kemi rrezikuar seriozisht edhe filtrimin e konkurrencës në mes të investitorëve (ani pse joseriozë të gjithë), proces ky që në parimet e ekonomisë së tregut (çfarë na e promovojnë anti-tregtarët e sotshëm) do të sillte investitorin më kredibil dhe më të qëndrueshëm për asetin.

Dhe tani në fund të procesit fare, pasi kemi zgjedhur pas herës së tretë të procesit të dytë një investitor anonim, pa eksperiencë e jokredibil, kemi ri-përsëritje të afateve të nënshkrimit dhe rrjedhimisht marrjes së parave të premtuara. Shtyrja e afatit për shitje, pas dy datave paraprake, tregon se sa i komplikuar është bërë një proces që në çdo rrethanë normale mund të përfundonte thjeshtë dhe mirë.

Në një rrumbullakim të procesit, pra pas përsëritjes së privatizimit, tri afateve të dorëzimit dhe tri afateve tjera të nënshkrimit, ne praktikisht kemi mbetur me një investitor më pak të keq nga të mbeturit e ligshtë (pra “të fortit” ishin larguar qysh në procesin e parë), që oferton pa konkurrencë (prandaj dhe çmimi i ulët) dhe që negocion më pas çmimin e vet-ofertuar meqë e di se pozicioni ynë pas gjithë kësaj katrahure është thjeshtë i ngurtësuar. Ky investitor joserioz bën lojë joserioze vetëm pse e di se ngatërrimi i procesit të privatizimit nuk lë shumë vend për ç’ngatërrim dhe se çdo situatë e re, për ne është bukur më e vështirë, më e rëndë dhe potencialisht më e pasigurt. Në fund të fundit privatizimi i një aseti nuk është lojë që mund ta përsëritësh e ri-përsëritësh sa herë që diçka shkon mbrapshtë me të; është punë të rriturish jo fëmijësh. Paramendoni një proces të tretë privatizmi, pas dy herëve të dështuara, tri shtyrjeve për ofertime e dy tjerave për nënshkrime. Pramendoni kredibilitetin e Kosovës për negociata dhe nxjerrje të çmimit të ri më të mirë në një rrethanë të tillë me një raund të ri “të mbeturish” edhe më të ligë.

Në të vërtetë, siç edhe do të argumentojë më vonë, një skenar i tillë mund edhe të duket më mirë se me çfarë kemi mbetur tani; gjithsesi me një pauzë rikonstruktive në mes të “së tretës të vërtetës” dhe ndërprerjes së të tanishmes.

***

Në ndërkohë, përderisa procesi përsëritej e ri-përsëritej, PTK është vënë shtrënguar aq fortë sa që çdo zhvillim i saj ka qenë thjeshtë i pamundur. Të ndodhur në frymën e transferit të pronës PTK jo vetëm që ka ndaluar çdo investim serioz, për shembull invesitmet në “3G”, televizion kabllor, e shërbime tjera të internetit, por ka treguar edhe nivelin e zhvatjes tipike kosovare të pronës publike – së shpejti për tu bërë private – mu si kjo kontrata e fundit kur një objekti privat i parapaguhet qiraja për 3 vitet e ardhshme; e gjitha në avans. Në të njëjtën frymë janë menaxhuar edhe sportelet, shitjet, rritjet, brendimet, reklamat, dhënia e fuqisë operatorëve virtual e punësimi i stafit të ri. Anarki totale në një institucion ashtu kështu anarkik edhe para procesit të privatizimit.

E në rrethana si këto edhe çmimi i tanishëm i paranegociuar mund të duket si luks (assesi pse është i tillë). Dhe kjo jo sepse disa naivë ose të ditur mbrapshtë besojnë se “Viber” apo thirrjet falas të internetit i humbin vlerën kompanive të telekomunikimt. Po të ishte ashtu kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit si “British Telecom” e “Deutche Telecom” nuk do të kishin rritje enorme e rekorde të vlerës, përkundrazi do të shuheshin. Po të ishte kështu Carlos Slim, pronari i kompanive të telekomit si “Telmex” e “Aamerica Movil”, nuk do të ishte njeriu më i pasur i botës që nga viti 2010.

Të tillët që besojnë se kompanitë e telekomit, sikurse PTK, janë vetëm për telefonata dhe se ofrimi i një programi “smartphone” si “Viber” do të falimentojë atë, tregojnë më shumë mosdijen rreth operimit modern të kompanive të telekomunikimit e të cilat qe tash e sa vite ofrimet e komunikimit telefonik i kanë ashtu kështu falas, madje ofrojnë edhe pajisje telefonike falas. Pra për kompanitë e tilla të hyrat nga thirrjet mund dhe të jenë zero; as një as dy as treqind milionë dollarë e euro – janë zero. Pasuria e vërtetë e kompanive të telekomunikimit është mu në ofrimin e internetit e pakove televizive kabllore. Mjafton të shikoni operatorin tjetër privat në Kosovë “Ipko” për të kuptuar se nga vijnë të ardhurat e vërteta të një kompanie të telekomunikimit. Investime si këto jo që nuk janë bërë asnjëherë në PTK, por me ose pa qëllim as që janë menduar të bëhen ndonjëherë.

Prandaj, jo, çmimi dhe vlera e telekomunikacionit nuk është në rënie; është në rritje po u bënë investimet si duhet. Rrjedhimisht, po, ka një alternativë nga dalja prej procesit të tanishëm. E dhimbshme, e vështirë, e pasigurt gjithsesi, por që vlen çdo moment të bëhet.

***

Alternativa e një situate ku një investitor i PTK-së, si i mbeturi nga një garë pa konkurrencë me një çmim simbolik dhe me tendencë të negocimit të po këtij çmimi simbolik, pra alternativa e gjithë kësaj, kërkon kthimin në pikën zero - nga ku kemi filluar gjithçka. Kërkon pas kthimit edhe rikonsolidimin e asetit në tërësi, sidomos në profilimizim e tij për fushën e telekomunikimit, e nga këtu procesimi me një privatizim me prag minimal e me negocim “një me një” edhe me investitorë serioz që kanë fonde, kanë emër dhe më e rëndësishmja, kanë eksperiencë (më shumë se ne) për të menaxhuar një sektor kaq vital për vendin.

Në esencë në do të bënim të njëjtën gjë çfarë pretendon ta bëjë ky fond investiv në 4-5 vitet e ardhshme. Kujtoj se fondi i tanishëm investiv, përtej faktit që është anonim e pa përvojë në telekomunikim, ka një qëllim të vetëm, të bëjë atë çfarë rezymeja e fondit tregon vet: të marrë qëndrim refugjati në një aset të zhvlerësuar por me potencial, ta vlerësoj atë lehtësisht, të kthejë invesitmet në ndërkohë e të shesë asetin për një vlerë neto edhe më të bollshme.

Në një rrethanë të tillë ne në vazhdimësi të një joserioziteti të treguar nga një investitorë serioz i cili kërkon të ulë çmimin e na vë madje edhe kushte, mund të ndërprejmë të gjithë procesin pa konsekuencë ligjore; përkundrazi penalizojmë joseriozittin e ofertuesit. Më pas ne do të kontraktonim, pse jo, një kompani të huaj menaxhuese që pastron mbarë e mirë të gjitha elementet nepotike, korruptive e politike (kryesisht të stilit “SHIK”), investon në fushat moderne të telekomunikimit nga ku edhe normalisht gjenerohen sot të hyrat kryesore të ndërmarrjeve të ngjashme dhe e përgatite asetin për transfer (gjithsesi për një shumë bukur më të majme financiare) për privatizim të ri. Në gjithë këtë kohë ne kemi marrë dividentën e tanishme aq sa çmimi i tanishëm i ofruar - madje për 4-5 vitet e ardhshme edhe e tejkalojmë atë.

Alternativa e gjithë kësaj është vazhdimi i një rruge të mbrapshtë e pa vizion, me teke të vazhdueshme nga fonde anonime e të pasigurta, për një përfundim edhe më anonim e më të pa sigurt. Alternativa e një interesi nacional është një interes i pakuptueshëm, me siguri individual, bukur i pagueshëm por tejet i dëmshëm për vendin; mu si gjithçka tjetër që shkon e vjen në Kosovë sot.


Friday, 16 August 2013

KU MBETI BANSKO (3)

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 GUSHT 2013

Gjatë dy javëve të shkuara provova të vlerësoj zbatueshmërinë e Planit të Banskos nëpërmjet krahasimit të objektivave të vëna aty në vitin 2011 me të dhënat zyrtare të sotme, pra dy vite e gjysmë më pas. Në të dy kolumnet e fundit argumentova se rritja e realizuar (në mesatare) gjatë këtyre dy-tre viteve nuk ka qenë as sa gjysma e planifikuar prej 7-8%; se papunësia nuk është ulur për nga 8-10% në vjet, siç parashihej, por se e njëjta kishte mbetur e pandryshuar gjatë gjithë kësaj kohe; se Kosova dy vite më pas nuk është ranguar e as nuk është afër objektivit rangues të Top 40-shin në të bërit biznes, është në vendin e 98; se privatizimi i aseteve publike përveçse ka humbur çdo afat kohor (nëse është dashur të ketë një të tillë) ka prodhuar rezultate dekurajuese në frymën e tërheqjes së investitorëve serioz; se planifikimet për partneritet publiko-privat në investime infrastrukturore kanë qenë zero - as edhe një; dhe se rritja e stabilitetit makrofiskal është përkthyer në improvizime të çastit e në stil kontabiliteti për të transferuar e transformuar kështu një kolaps financiar në një kolaps ekonomik.

Në shkrimin e kësaj jave, të tretin dhe të fundit për këtë temë, do të provoj të argumentoj për arritshmërinë dhe zbatueshmërinë e katër “synimeve themelore” të mbetura nga Plani. Do të provoj të vlerësoj ecjen rreth politikave fiskale, zvogëlimit të ekonomisë joformale, zhvillimit të tregjeve financiare dhe përfundimisht revitalizimit të bujqësisë – siç është paraparë të ndodhë me Planin e Banskos.

***

Plani i Banskos, në mes tjerash, parasheh – ndonëse pa dhënë shumë ide se si e çfarë – edhe ofrimin  e politikave të favorshme fiskale. Në të vërtetë, në vizionin “power-point” njeriu nuk mund të gjejë as edhe një fjalë shtesë se çfarë në të vërtetë mendohet me “politika më të favorshme fiskale”. Po mendoj, gjeneralizimi i termave në strategji-bërje nuk ka vend, është i panevojshëm dhe pa mëdyshje naiv. Bën të duket një qeveri të tërë si një student që nuk di gjë prej gjëje, por megjithatë është i aftë të llomotitë dy a tri fjalë gjeneralë që sinqerisht kanë vend edhe në ekonomi, edhe në juridik e edhe në mjekësi. Në këtë frymë po ju jap një strategji që tani: “Kosova ka nevojë për politika më të mira, më të duhura, më adekuate e më të favorshme në ekonomi”. Në esencë ky rresht i ka të gjitha; ka politikat më të mira të mundshme – çfarëdo që ju bie në mend veçse e thashë; ka politikat më të duhura, më adekuate më të favorshme – pra mban perfeksionizmin në vete.

Në të vërtetë nuk ka asgjë; ka, njëjtë sikurse edhe Plani Bullgar, vetëm pallavra. E pasja e pallavrave në politikë fiskale, në mjetin më të fuqishëm ekonomik që një vend mund ta ketë, është sinqerisht ecje vetëvrasëse. Por edhe sikur “politika më të favorshme fiskale” të kishte mundësi kuantifikimi, më lejoni t’ju rikujtoj se në këto dy vite e gjysmë që nga publikimi i vizionit Qeveria nuk ka ndërmarrë as edhe një reformë serioze fiskale. Bizneset tona vazhdojnë të paguajnë TVSH-në ende në kufi duke rënduar si asnjë precedent tjetër rrjedhën e parasë; vazhdojnë të kenë kostot të lartë të “kompliancës” me taksa – deri në atë pikë sa që evazioni bëhet më i lirë; e vazhdojnë të kenë një administratë tatimore totalisht të pareformuar e të paedukuar që trajton taksapaguesit si skllevër e jo punëdhënës.

E kreativitetet tjera stimuluese si për shembull lirimet për teknologji e lëndë të parë (ndër të tjerash) as që janë menduar ndonjëherë. Të pamenduara kanë mbetur edhe stimujt atraktivë për investitorë të huaj, si lirimet e tërësishme për një periudhë të dhënë kohe – përderisa të njëjtit krijojnë punë - siç edhe ka ndodhur në të gjitha vendet e rajonit e konkurrenca e të cilëve ka bërë vendin tonë të duket një shkret fiskal. Në vend të këtyre politikave, vendi ynë ka pasur një qeverisje mekanike e cila me automatizëm, pra si një makinë, ka ditur vetëm të bëjë përllogaritjen shabllon (gjithsesi me diferencime dallaveresh) për obligimet e taksave. Në këtë proces natyrshëm një grumbull i madh biznesesh me e pa lidhje kanë prodhuar nivele alarmante të evazionit fiskal – objektivi tjetër i Planit të Banskos.

***

Për evazionin fiskal në Kosovë veçse kam shkruar mjaftë më parë; ndoshta sepse është fusha në të cilën notoj më lirshëm –sepse e studioj. Gjithsesi evazioni fiskal, siç edhe ndodh me secilin vend tjetër në transicion, përbën problemin qenësor në bërje të biznesit. Ky fakt na është shpërfaqur në të gjitha studimet e sektorit privat në vend. Dhe jo, evazioni nuk targetohet me lista të të bërit biznes apo dhe rangime të tjera patetike, objektiva e angazhime të vetme të resorëve biznesorë në vend (madje edhe pse të vetme të parealizueshme). Evazioni nuk targetohet as edhe me një rresht të vetëm të një “synimi themelor”, diçka si për shembull “kalimi nga ekonomia joformale në formale” (besoni ose jo kaq është analiza në vizion).

Rrjedhimisht, është disi e vështirë të matësh një performancë kur nuk ka numra e tregues të matshëm e të krahasueshëm. Pra me një rresht si objektiv “kalimi nga ekonomia joformale në formale” nuk mund të konkludosh se për sa duhet të jetë ky kalim, si duhet të bëhet e kur duhet të bëhet. Nëse është menduar për të gjithë ekonominë, kujtoni sa larg jemi sot. Nëse është menduar për gjysmën e saj, kujtoni sa pak kanë bërë në këtë drejtim. E nëse është thënë për pak kalim, pra për një mini-kalim, atëherë them se nuk është bërë as aq.

Pak pas hartimit e prezantimit të vizionit, UNDP në një publikim mbi sektorin privat, kishte vlerësuar nivelin e evazionit fiskal në vend rreth 39%. Pra dhënë ndryshe, në përgjithësi, pa përfshirë Veriun gjithsesi, në Kosovë rreth 39% e shitjeve nuk deklaroheshin për obligime fiskale. Këtë vit, në kuadër të Riinvestit kemi replikuar teknikën e njëjtë matëse. Rezultatet e reja jo vetëm se rikonfirmojnë gjetjet paraprake por në marzha të gabimeve standarde statistikore shërbejnë edhe seriozitetin e mbledhjes së të dhënave në dy periudha kohore si dhe trendin e dukurive. Kosova, sipas të dhënave ende të papublikuara nga ne, ka një evazion fiskal prej plot 37%, apo vetëm 2 pikë të përqindjes më pak se dy vite më parë.

Dhe kujtoj se gjatë kësaj kohe Qeveria ka instaluar (hezitoj t’i jap këtë emërtim sinqerisht) arkat fiskale, e ka vënë në kontroll pikat kufitare në Veri. Rezoni thelbësor prapa ngurtësimit në numër është mosshtrirja territoriale jashtë Prishtinës. Me qindra vendbanime e oaza biznesesh, militantë e jomilitantë vazhdojnë t’u shmangen taksave në mënyrat më kreative të mundshme. E dini se, sipas ATK-së Prishtina kontribuon me 70% të taksave të gjithëmbarshme në vend, ndërkaq Skenderaj vetëm me 0.7%? Pjesa tjetër është anarki; dhe jo, proporcioni kontribuues nuk lidhet vetëm me fuqi ekonomike të regjioneve, është sistem klientelist taksambledhës.

***

Synimi i parafundit (në trajtim) i Planit të Banskos, ka të bëjë me “zhvillimin e tregjeve financiare” në vend. Secili me pak dije bazike në fushën e tregjeve financiare mund ta ketë kuptuar dy vite më parë joseriozitetin e një objektivi të tillë, jo se është i pamundur, porse për dy-tri vite kohë, sa ka shtrirje vizionare plani, as korniza ligjore nuk do të mund të kompletohej – është një çështje tepër serioze për t’u trajtuar shkel e shko. E tëra se çfarë qeveria jonë ka bërë në këto vite është lëshimi i fletobligacioneve të para në relacion me Trustin Pensional; pra “zhvillimi” si masë matëse është hiperkonstatim në relacion me outputin e dhënë. Në këtë kohë Qeveria jonë nuk ka marrë ende as rangimin kreditor për të zgjeruar burimet e financimit. E nëse me zhvillim të tregjeve financiare është nënkuptuar edhe përmirësimi i ambientit kreditdhënës në vend, ju kujtoj se normat e interesit që nga publikimi i Planit e deri më sot vazhdojnë të mbesin të pandryshuara – ndoshta sa për të reflektuar edhe vlerësimin mbi angazhimin në këtë drejtim.  Për më tepër ato mbesin ende të papërdorshme për të shpresuar në çfarëdo rigjenerimi ekonomik.

Në fund fare, dhe këtë renditje e lashë qëllimisht, është një synim që thekson “revitalizimin e bujqësisë”.  Them se e lashë me qëllim për të argumentuar në favor të ecjes në këtë drejtim. Kujtoj se në shkrimin e parë të kësaj serie mbi Planin e Banskos kisha argumentuar se nga 10 synimet themelore të vëna në plan, dikush mund të argumentojë pro realizmit të njërës; dhe kjo njëra është mu ky synim. Ndoshta për shkak se diferenca në një fushë të rrënuar mund të bëhet lehtë; ndoshta sepse angazhimi i donatorëve ndërkombëtarë në bujqësi ka qenë enorm; apo ndoshta sepse thjesht është bërë punë e mbarë, them se bujqësia e Kosovës është në rrugë të mbarë (ndonëse është larg prej revitalizimit).

Këtë javë derisa po ateroja në Aeroportin e Prishtinës u mahnita për së miri me pamjet e tokave të punuara në vend. Në këto 14 vitet e fundit nuk kam arritur të shoh asnjëherë aq shumë punë bujqësore në Kosovë; zakonisht ka qenë “therra” gjithandej. Ndonëse vazhdoj të besoj se ka shumë për t’u bërë, shumë më shumë për të ngritur bujqësinë, nuk kam se si të mos shpreh admirimin tim për ecjen e deritanishme në këtë drejtim. Madje them se sikur të gjitha synimet tjera të kishin këtë trend, sot Planin e Banskos do ta vlerësoja si kryevepër të planifikimit e angazhimit.

Fatkeqësisht të njëjtin e shoh si një dështim të gjerë të qeverisë së tanishme dhe të stilit qeverisës në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.  Plani i Banksos rrumbullakon në vete më së miri gjithë ecjen, gjendjen dhe perspektivën ekonomike tonën. Joserioziteti i tij në planifikim, joserioziteti i tij në fokusim, dhe në fund joserioziteti e mbrapshtia e tij në zbatim, kanë bërë gjithë planin, rrjedhimisht gjithë ecjen tonë ekonomike, të jetë veçse një aventurë koti; gjithsesi të rrezikshme e fatkeqe për standardin e jetesës sonë.

Monday, 12 August 2013

KU MBETI BANSKO (2)

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 9 GUSHT 2013

Në shkrimin e kësaj jave do të provoj të argumentoj për ngecjen serioze – rrjedhimisht për paaftësinë tonë për të menduar ekonomikisht me kohë – dhe për pasojat e një joseriozitetit të tillë. Këtë javë do të argumentoj në vijë me synimet e mbetura themelore të privatizimit, partneritetit publiko-privat e stabilitetit makrofiskal; përtej rritjes ekonomike, papunësisë e të bërit biznes të cilat veçse i kam mbuluar në shkrimin e shkuar.


Javën e kaluar, në pjesën e parë të këtij shkrimi, në përpjekje për të vlerësuar shkallën e  (pa) implementueshmërisë së Planit të Banskos – atij që na e quanin “vizionar”, “zhvillimor” e “strategjik”, të gjitha në një titull – provova të argumentojë se nga dhjetë synimet themelore të dhëna, një njeri objektiv e pa ngjyrime puro-militante mund në rastin më të mirë të argumentojë pro vetëm njërës. Në të vërtetë, përtej ilustrimeve grafike “me shkallë e ngritje”, përtej gabimeve drejtshkrimore qysh në faqen e dytë, e përtej kotësive të atypëratyshme dhe zgjidhjeve briliante (aspak) kryesisht sasiore e cilësore (më shumë e më mirë), Plani Bullgar ishte veçse një dokument prezantues joserioz, gjithsesi tragjik për bazamentin e planifikimit ekonomik të vendit.

Rrjedhimisht, në vazhdimësinë e hajgare-bërjes me plane e orientime strategjike, vitet vijuese nuk prodhuan as për së afërmi objektivat e vëna nga vet hartuesit joserioz. Javën e kaluar argumentova se rritja ekonomike vjetore, e planifikuar (sipas Planit) të jetë 7-8% në mesatare ka qenë sa gjysma e saj; përveç kësaj, sipas të dhënave të Bankës Botërore e FMN-së, rritja e post-Banskos dhe përgjithësisht e kësaj qeverisje (e qeverie) ishte më e ulët se, besoni ose jo, rritja e realizuar në pesëvjeçarin paraprak gjatë kohës së UNMIK-ut. Njëtrajtësisht, objektivat dy dhe tre, ato për papunësinë dhe ambientin biznesor, ishin veçse një listë dëshirash; diçka për shembull si ulja e papunësisë çdo vit për nga 8-10%; apo edhe vendosja e Kosovës në Top 40 e të bërit biznes deri ën vitin 2014. Vetëm sot, në retrospektivë, mund të kuptojmë larg-ndodhjen tonë në relacion me dëshira kotësish si këto. Natyrisht, kur si përgjigje për një objektiv kaq impresiv (në dukje) jep zgjidhje “më shumë punë” e “angazhim më të mirë” – pra përderisa punon me ide “më shumë” e “më “mirë” në vend të akcioneve, planeve e veprimeve saktësisht të detajuara e të ndërkoordinuara – stagnimi ynë thjeshtë output natyral.

Në shkrimin e kësaj jave do të provoj të argumentoj për ngecjen serioze – rrjedhimisht për paaftësinë tonë për të menduar ekonomikisht me kohë – dhe për pasojat e një joseriozitetit të tillë. Këtë javë do të argumentoj në vijë me synimet e mbetura themelore, përtej rritjes ekonomike, papunësisë e të bërit biznes të cilat veçse i kam mbuluar në shkrimin e shkuar.

***

Pika e katërt e Planit të Banskos ngërthen vetëm një qëllim ultim, shumë gjeneral; privatizimin e aseteve publike. E ndoshta mu ky ngërthim e gjeneralizm që nuk lë vend për më tepër alternativa në atë se si, kur e pse duhet privatizuar, dhe rrjedhimisht nuk merr e vjelë më të mirën e një procesi konkurrues të privatizimit, tregon dhe rrjedhën e gjithë privatizimit post-Banskos; tregon “aftemathin” e një rreshti të vetëm. E është mu ky qëllim në vete që ka paralizuar përfitimet kosovare nga transformimi i pronës shoqërore e publike në private. Siç edhe mund të kem argumentuar në përsëritje e teprim më parë, ekzistenca e prezenca e privatizimit si një qëllim në vete, pra jo si mjet në realizimin e një qëllimi më madhor ekonomik, ka qenë gabimi dhe njëkohësisht kostoja më e madhe e vendit në këtë relacion. Nga ky koncept derivojnë edhe konsekuenca tjera në falje e zhvlerësim.

Përndryshe, futur në detaje të planit dhe afatet e dhëna, pra edhe sikur privatizimi të duhej të ndodhte kështu, objektivat kohore aty tregojnë edhe një herë se sa të paaftë në planifikim (apo në bërje  nëse planifikimi na qenka në rregull) janë qeveritarët tanë. Kujtoj se sipas planit, PTK planifikohej të privatizohej në vitin 2011; jemi në vitin 2013 dhe ende nuk kemi përmbyllur transaksionin. Po sipas planit, ndërtimi i termocentralit të ri Kosova e Re planifikohej asokohe të fillonte qysh në vitin 2012. Është e pashpjegueshme, tani për tani, se sa larg jemi prej nisjes – në të vërtetë jemi shumë shumë larg prej publikimit serioz të kërkesës e shpalljes së fituesit – shumë larg. Me ritmin e shpërfaqur nëpër këto vite ne kemi humbur secilën gjasë për të siguruar pak stabilitet energjetik në vend, përderisa varësia jonë prej një termocentrali të vjetër, si ai i Kosovës A, është në shumë nivele i gabueshëm, i paqëndrueshëm dhe në fund i kushtueshëm. Rrjedhimisht, në mungesë të furnizimit të plotë e të lirë, energjia elektrike është shfaqur barriera e pestë në Kosovë në bërjen e biznesit. Për bizneset në fushën e prodhimit ajo është padiskutueshëm thelbësorja. E kur jemi tek energjetika, në Plan ka një planifikim prej një rreshti, që ndoshta edhe tregon më së miri paditurinë e hartuesve rreth informacioneve edhe më bazike. Bëhet fjalë për parashikimin e Hidrocentralit të Zhurit prej 300 megavateve në vit. Paramendoni, në kohën e hartimi, hartuesit as që e kanë ditur se hidrocentralet nuk mund të prodhojnë energji me kapacitet të njëjtë gjatë gjithë vitit (sa verës sa dimrit); as që e dinë se 300 megavatet e Zhurit janë maksimumi i energjisë, por jo tërësia e saj në një vit.

Në vija të ngjashme si këto bëhen edhe një sërë  planifikimesh për privatizim e infrastrukturë. Rasti i Brezovicës, për shembull, përshkruan më së miri joseriozitetin në ekonomi-bërje të shpërfaqur në një plan. Kujtoj se si pjesë e veprimeve të parapara, është planifikuar që në rastin e Brezovicës, procesi i revitalizimit/privatizimit “të fillojë sa më parë”. Do të jetë me siguri ky rasti i vetëm në strategji e vizione ekonomike ku veprimet nuk maten me data, afate apo edhe planifikime të resurseve, por, sërish në frymën e njëjtë si në rastet tjera, me kategorizime cilësore e sasiore. “Sa më parë” nënkupton asgjë. Në të vërtetë, nëse është menduar që procesi të filloj qysh në vitin 2011, pra në kohën e hartimit dhe “sa më parë të jetë e mundshme”, atëherë them se hartuesit janë dy-tre vite larg; janë aq larg sa që koha planifikuese e vizionit po mbaron.

Plani, në fushën e privatizimit, arrin me pak sukses të parashikoj një gjë të vetme, privatizimin e Distribucionit (ndonëse me një vit vonesë). Në këtë pikë skam se si të mos rikujtoj faljen në vend të privatizimit, për PTK-në (sa kthimi katërvjeçarë i investimit) dhe Distribucionin (sa një e dhjeta e aseteve). Në të vërtetë, në një vlerësim më serioz privatizimi i supozuar i këtyre aseteve as që është privatizim – është thjeshtë një proces falës me siguri korruptiv e denigrues për potencialet tona. Ne sot kemi sjellë hajgare-investitorë, grupe të panjohura, e fonde nga më të papërvojat për të menaxhuar e zhvilluar ato që deri vonë shiheshin si burime të ripërtëritjes – së paku të ripërtëritjes së imazhit ekonomik në vend. E me investitorë e falje si këto, rritja ekonomike 7-8% vjetore e ulja e papunësisë 8-10% vjetore, siç na është thënë në plan, është natyrshëm e pamundur. Prandaj në vënien e politikave të tilla është bukur esenciale ndërlidhja, së paku logjike – e objektivave me politikat përcjellëse; atë që plani nuk e kishte asnjëherë.

***

Pika e pestë e Planit Bullgar parasheh – ndonëse me ngjyrim të njëjtë dëshirë-dhënës – zhvillimin e infrastruktruës përmes partneritetit publiko privat (PPP) dhe kapitalit privat. Nuk kujtoj, e besoj se nuk mund të kujtoni as ju, as edhe një rast të vetëm që nga publikimi i planit e deri më sot që Kosova ka ndërtuar infrastrukturë (rrugore apo tjetër) në partneritet me sektorin privat, apo tërësisht nga kapitali privat. Nëse asgjë tjetër rrugët janë ndërtuar njëqind-për-qind me kapital publik të taksapaguesve – as edhe një cent nga investimet private. Jo pse nuk dinin ndryshe, por se interesimi i investitorëve privat (vendorë e të huaj) për tu bërë partner me një qeveri si kjo ishte zero; kush guxon të hyjë ortakë me këta?!

E mosaftësia e nxjerrjes së burimeve alternative të financimit të rrugëve, pra financimi i super-stradave me para të buxhetit në kurriz të gjithçkaje tjetër, është edhe shkaku i një stagnimi të tërësishëm ekonomik. Pra fokusimi ynë që gjithë potencialin financiar të taksapaguesve ta orientojmë vetëm në rrugë e në kurriz të gjithçkaje tjetër, ka bërë që fushat tjera filluar nga sektori privat, gjyqësia, arsimi e shëndetësia, të jenë të padobishme për rritje e zhvillim ekonomik. Ndoshta sikur kjo qeverisje të kishte pak kredibilitet e seriozitet edhe interesimi i kapitalit privat në partneritete të tilla – përfshirë edhe ndërtimin e rrugëve të mëdha – do të ishte shumë më substancial. Njëkohësisht ky interesim përveçse do të forconte iniciativën private edhe do ti mundësonte qeverisë që me paratë e “kursyera” të adresojë mu ato fusha e sektorë që tani konsiderohen si të padobishme për rritje e zhvillim.

Këtu dua të lidhem me pikën e fundit (për nga renditja jo për nga trajtimi) të planit, atë të “ruajtjes së stabilitetit makrofiskal”. Janë disa faqe të planit që vënë shumë theks e diskutim në këtë drejtim. Kjo sepse në kohën e hartimit të planit Kosova kishte rrënuar marrëveshjen e sapo nënshkruar me FMN-në për shkak të rritjes zgjedhore të pagave në sektorin publik. Ajo çfarë ndodhi në vitin 2011 me buxhet është praktika më e çuditshme menaxhuese financiare në vend; është transferimi i krizës financiare në krizë ekonomike – rrjedhimisht stagnim në punësim, inflacion, deficit tregtar në rritje e rënie drastike të investimeve.

Bizneset, që asokohe e quanin gjahun e organizmave tatimorë si “haraç” ndaj tyre, gjatë vitit 2011 përjetuan ngarkesën më të rëndë fiskale e dënuese në Kosovë që nga përfundimi i luftës. Parapagimet, dënimet, ngufatjet e destimulimet fiskale, gjithmonë si nevojë për të mbushur boshllëkun buxhetor të kohës – pra për të mbushur buxhetin e shtetit që kishte rritë shpenzimet përtej kapaciteteve të tij – bënë që bizneset tona jo vetëm të stagnojnë, që investimet private (bashkë me investimet e huaja) të bien – madje në nivele rekordesh negative - por bënë që edhe çmimet e produkteve e shërbimeve të rriteshin duke shkaktuar inflacion rekord të Kosovës, plot 8% brenda një viti. Në fund të fundit rëndesa buxhetore e reflektuar në biznese u bart tek konsumatorët, siç edhe do të ndodhte rëndom në çdo situatë tjetër. Në një rast të tillë, bashkë me inflacionin vijues nëpër vite, ata që përjetuan rritje të pagave sot kanë standard të njëjtë (për shkak të inflacionit) me kohën e para rritjes së tyre. Kriza buxhetore nuk u reflektua vetëm me kaq. Përveç efekteve ngufatëse në relacion me të hyrat, u reduktuan të gjitha investimet kapitale në gjithçka tjetër veçse autosdradë (aty nuk mund të ndërhynin). E në rrethana si këto, kur në njërën anë ti shtrëngon sektorin privat e në anën tjetër mbyllë kuletën publike, një krizë e nisur financiare përfundon domosdoshmërish në një krizë ekonomike. Kosova shpëtoj një kolaps financiar buxhetor në kurriz të një kolapsi ekonomik, siç edhe e kemi sot.






Friday, 2 August 2013

KU MBETI BANSKO (1)

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 GUSHT 2013

Në mesatare, sipas FMN-së, Kosova që nga publikimi i Planit Bansko ka pasur rritje ekonomike prej vetëm 3.3%, apo dy herë e gjysmë më pak se e planifikuara 7-8%. Në të vërtetë, po sipas FMN-së, Kosova nën udhëheqjen e kësaj qeverie nga viti 2008 e deri më sot, ka pasur rritje ekonomike mesatare prej vetëm 3.9%. Kjo rritje është, besoni ose jo, edhe më e vogël se sa rritja e realizuar në pesë vitet para ardhjes së saj, kur Kosova arrinte 4.6%


Më 14 Prill të vitit 2011, ministra e zëvendësministra, bashkë me disa politikanë ndërkombëtarë gjysmë-diplomatë-gjysmë-regjisorë, ishin mbledhur për katër ditë pune në një qytezë turistike; i thonë Bansko e Bullgarisë. Jo për të skijuar, siç edhe mund të ketë ndodhë më pas, por për të bërë, besoni ose jo, shtyllat e strategjisë nacionale të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në të vërtetë, katër ditët e dedikuara nuk do të mjaftonin as për një punim seminarik studentor, e nuk do të mjaftonin as edhe për një biznes plan modest të një kioske modeste – prandaj pretendimi për diçka që përmban “strategji”, “nacionale” e “zhvillim ekonomik” në një vend ishte veçse një tallje publike, mesiguri e para e qeverisë. Rrjedhimisht, pritshëm, në pamundësi për të prodhuar diçka serioze, në ditën e tretë të njëjtit kishin zgjedhur skijimin, saunat e pushimin. Në kthim me vete kishin sjellë një “Power-Point” dokument, me 23 faqe, dy prej të cilave ishin  me tituj.

Prezantimi, që qysh në faqe të dytë kishte 7 gabime drejtshkrimore, në të vërtetë ishte një përmbledhje kotësirash e tekesh të aty-për-atyshme, të dhëna mesiguri nga përtesa e pjesëmarrësve për të bërë punë në vend të skijave, saunave e pushimit. Një prej këtyre kotësirave, për shembull, gjendej në faqen 19, kur në pyetjen e vetë-bërë se “çfarë mbështetje duhet” për të arritur një objektiv të dhënë, përgjigja ishte “mbështetje më e madhe” apo “koordinim më i mirë”. Hajgare hesapi.

***

Po të shikosh me kujdes pikat e vëna si qëllime të qeverisjes (asokohe) së re, diçka si për shembull: sundimi i ligjit, transparenca, gjyqësori i pavarur, respektimi i të drejtave të njeriut, siguria, përkujdesi shëndetësor apo dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor; e kupton se në këto dy vitet e fundit nuk është bërë ama bash asnjëra nga to. Në të vërtetë është bërë mu e kundërta. Kosova në këto dy vite as nuk ka siguruar sundim të ligjit, as nuk ka treguar transparencë, as nuk ka ndërtuar gjyqësor të pavarur – përderisa të drejtat e njeriut, përkujdesi shëndetëros, siguria e edukimi kanë mbetur lukse të paarritshme për kosovarët.

Por përtej këtyre gjeneralisimëve, Plani i Banskos kishte edhe disa pika të tjera - më të veçuara - që autorët i quanin si synime themelore. Anash tyre, në prezantim, dikush dhe ishte kujtuar të vendosë një animacion primitiv, me një palë shkallë e një njeri në ngjitje e sipër – për të simbolizuar natyrshëm zhvillimin e prosperitetin. Mund të marr me mend nivelin kreativ të ideatorit.

Sidoqoftë, ndonëse rikujtimi i synimeve themelore më shpërfaqë sinqerisht paditurinë e naivitetin e hartuesve, kthimi në to më rikujton edhe paaftësinë e kësaj qeverie për të bërë një gjë ekonomikisht të hairit përgjatë gjithë kësaj kohe. Nga dhjetë synimet themelore të dhëna, një njeri objektiv e pa ngjyrime puro-militante, mund në rastin më të mirë të argumentojë pro vetëm në njërën. Në këtë, dhe shkrimin vijues (të javës tjetër), do të provoj të argumentojë se pse është kështu.

***

Synimi i parë i Banskos thoshte “rritje ekonomike 7-8% vjetore”. Kosova që nga dita e hartimit të Planit nuk ka arritur asnjëherë rritje më të lartë se 4.9%, por ka arritur rritjen më të ulët vitin që shkoj në vetëm 2.3%  dhe do ta ketë këtë vit vetëm 2.6% (gjithmonë sipas burimit më kredibil, FMN-së). Në mesatare, sipas FMN-së, Kosova që nga aprovimi i Planit Bansko ka pasur rritje ekonomike prej vetëm 3.3%, apo dy herë e gjysmë më pak se e planifikuara. Në të vërtetë, po sipas FMN-së e Bankës Botërore, Kosova nën udhëheqjen e kësaj qeverie, nga viti 2008 e deri më sot, ka pasur rritje ekonomike mesatare prej vetëm 3.9%. Kjo rritje është, besoni ose jo, edhe më e vogël se sa rritja e realizuar në pesë vitet para ardhjes së kësaj qeverie, kur Kosova kishte rritje mesatare vjetore prej 4.6%. Thënë ndryshe, kjo qeveri jo vetëm se nuk ka shënuar rritje ekonomike sa ka planifikuar, por në mesatare ka norma më të ulëta se sa pesë vitet para saj. E habitshme? Aspak. Ky disastër ekonomik me shpërthime sociale azil-kërkuesish, papunësi konstante e inflacion në rritje, nuk ka tjetër përfundim logjik.

Synimi i dytë i Banskos kishte të bënte me, dhe këtu plani fillon të bëhet me të vërtetë qesharak, “uljen e papunësisë 8-10% vjetore”. Ta shoshitim pakëz këtë konstatim brilant në dukje; gjithsesi naiv në bërje. Ulja e papunësisë vjetore në 10%, nëse është thënë në idenë e pikëve të përqindjes, që rëndom është formë e shprehurit “kosovarçe”, nënkuptonte se në 4 vitet e ardhshme kjo qeveri do të zhbënte 40 përqindëshin e famshëm në një normë natyrore të papunësisë prej 4-5%. Kjo, nëse është menduar kështu, do të bënte joseriozitetin e joserioziteteve në një dokument ashtu kështu joserioz.

Interpretimi tjetër, ashtu siç duket në numër dhe pa presupozime si ky i imi, pra interpretimi i uljes së papunësisë nga 10 për qind prej 40%, i bie se në mesatare Kosova çdo vit do ta ulë papunësinë nga 4-5 pikë të përqindjes. Pra në vitin 2011 do ta ulë nga - nëse është 40% - në 36%, në vitin 2012 do ta ulë në 32%, në vitin 2013 në 29%, e në vitin e ardhshëm (kur edhe përfundonte koha e planifikimit) ne do të ishim më mirë se disa vende evropiane. Dy vite e sa pas Planit, regjistrimi civil tregoj se papunësia ishte rrumbullakuar rreth 45%, madje më e lartë për 5 pikë të përqindjes se sa i paramenduari. Kjo papunësi u zhbë me një trik matematikor një vit më pas, me një anketë të manipuluar ku nga forca punëtore u zhdukën 100 mijë kosovarë. Kujtoj se vetëm një vit më parë, kur bëhej regjistrimi i popullsisë, Agjencia e Statistikave e Kosovës bazuar në të dhënat e regjistrimit kishte llogaritur me shumë gjenerozitet mbi 55.3% të popullsisë së moshës së punës si jo aktive. Shprehur në numër të banorëve i binte plot 620.000 kosovarë. Një vit më pas i njëjti institucion – për të përmbushur mesiguri artificialisht profecinë e Banskos - llogaritë si joaktivë plot 63.2% të popullsisë në moshë të punës, apo plot 720.000 kosovarë, apo gati 10% më shumë se një vit më parë. Kështu, duke mbajtur numrin e të punësuarve të pandryshueshëm (por duke zhdukur mijëra ta papunë nga tregu i punës – pra duke i llogaritur si të papunë por që nuk duan punë), Kosova u bë vendi i parë dhe i vetëm në botë që zhbënte papunësinë me formula matematikore.

Synimi i tretë i Banskos kishte të bënte me reduktimin e barrierave për bërje të biznesit. Në këtë synim ishin bërë dy gabime, i pari tragjik e i dyti komik. Gabimi tragjik ishte se qeveria me hartuesit e saj, kishte zgjedhur një rangim biznesor si matës së barrierave të të bërit biznes. Tragjedia fillon kur ky rangim bëhet preokupimi kryesor ekonomik i një ministrie të tërë (MTI-së) në dy vitet në vijim – për të prodhuar asgjë. Pse? Sepse barrierat e një rangimi “të bërit biznes” ishin barriera procedurale. Ndonëse të nevojshme për tu adresuar, ato nuk ishin top problemet e bizneseve kosovare; ishin thjeshtë vetëm një listë e çështjeve burokratike, por assesi qenësore e jetike për bizneset; diçka për shembull si informaliteti, korrupsioni, evazioni, kosto e kapitalit, haraçi e hajnia.

Gabimi komik, në anën tjetër, kishte të bënte me synimin qeverisës; që, deri në vitin 2014, Kosova të rangohej në Top 40-shen e botës. Kosova që nga atëherë vazhdon të jetë në pozitën e 98, e në mesatare lëviz nga pesë vende në vit. Në fjalë të tjera, në vitin 2014, me trendin e tanishëm Kosova mund të arrijë diku nga vendi i 90. Top 40, me këtë trend, mund ta arrijë vetëm në vitin 2024; diku dhjetë vite pas planifikimit – ndoshta mu si gjithçka tjetër.

-          (Pjesa e dytë e “Ku mbeti Bansko” në kolumnen e javës së ardhshme)