Letra nga limbo
KOHA DITORE, 2 GUSHT 2013
Në
mesatare, sipas FMN-së, Kosova që nga publikimi i Planit Bansko ka pasur rritje
ekonomike prej vetëm 3.3%, apo dy herë e gjysmë më pak se e planifikuara 7-8%.
Në të vërtetë, po sipas FMN-së, Kosova nën udhëheqjen e kësaj qeverie nga viti
2008 e deri më sot, ka pasur rritje ekonomike mesatare prej vetëm 3.9%. Kjo
rritje është, besoni ose jo, edhe më e vogël se sa rritja e realizuar në pesë
vitet para ardhjes së saj, kur Kosova arrinte 4.6%
Më
14 Prill të vitit 2011, ministra e zëvendësministra, bashkë me disa politikanë
ndërkombëtarë gjysmë-diplomatë-gjysmë-regjisorë, ishin mbledhur për katër ditë
pune në një qytezë turistike; i thonë Bansko e Bullgarisë. Jo për të skijuar,
siç edhe mund të ketë ndodhë më pas, por për të bërë, besoni ose jo, shtyllat e
strategjisë nacionale të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Në të vërtetë, katër
ditët e dedikuara nuk do të mjaftonin as për një punim seminarik studentor, e
nuk do të mjaftonin as edhe për një biznes plan modest të një kioske modeste –
prandaj pretendimi për diçka që përmban “strategji”, “nacionale” e “zhvillim
ekonomik” në një vend ishte veçse një tallje publike, mesiguri e para e
qeverisë. Rrjedhimisht, pritshëm, në pamundësi për të prodhuar diçka serioze,
në ditën e tretë të njëjtit kishin zgjedhur skijimin, saunat e pushimin. Në
kthim me vete kishin sjellë një “Power-Point” dokument, me 23 faqe, dy prej të
cilave ishin me tituj.
Prezantimi,
që qysh në faqe të dytë kishte 7 gabime drejtshkrimore, në të vërtetë ishte një
përmbledhje kotësirash e tekesh të aty-për-atyshme, të dhëna mesiguri nga
përtesa e pjesëmarrësve për të bërë punë në vend të skijave, saunave e
pushimit. Një prej këtyre kotësirave, për shembull, gjendej në faqen 19, kur në
pyetjen e vetë-bërë se “çfarë mbështetje duhet” për të arritur një objektiv të
dhënë, përgjigja ishte “mbështetje më e madhe” apo “koordinim më i mirë”.
Hajgare hesapi.
***
Po
të shikosh me kujdes pikat e vëna si qëllime të qeverisjes (asokohe) së re,
diçka si për shembull: sundimi i ligjit, transparenca, gjyqësori i pavarur,
respektimi i të drejtave të njeriut, siguria, përkujdesi shëndetësor apo dhe
zhvillimi i kapitalit njerëzor; e kupton se në këto dy vitet e fundit nuk është
bërë ama bash asnjëra nga to. Në të vërtetë është bërë mu e kundërta. Kosova në
këto dy vite as nuk ka siguruar sundim të ligjit, as nuk ka treguar
transparencë, as nuk ka ndërtuar gjyqësor të pavarur – përderisa të drejtat e
njeriut, përkujdesi shëndetëros, siguria e edukimi kanë mbetur lukse të
paarritshme për kosovarët.
Por
përtej këtyre gjeneralisimëve, Plani i Banskos kishte edhe disa pika të tjera -
më të veçuara - që autorët i quanin si synime themelore. Anash tyre, në
prezantim, dikush dhe ishte kujtuar të vendosë një animacion primitiv, me një
palë shkallë e një njeri në ngjitje e sipër – për të simbolizuar natyrshëm
zhvillimin e prosperitetin. Mund të marr me mend nivelin kreativ të ideatorit.
Sidoqoftë,
ndonëse rikujtimi i synimeve themelore më shpërfaqë sinqerisht paditurinë e
naivitetin e hartuesve, kthimi në to më rikujton edhe paaftësinë e kësaj
qeverie për të bërë një gjë ekonomikisht të hairit përgjatë gjithë kësaj kohe.
Nga dhjetë synimet themelore të dhëna, një njeri objektiv e pa ngjyrime
puro-militante, mund në rastin më të mirë të argumentojë pro vetëm në njërën.
Në këtë, dhe shkrimin vijues (të javës tjetër), do të provoj të argumentojë se
pse është kështu.
***
Synimi
i parë i Banskos thoshte “rritje ekonomike 7-8% vjetore”. Kosova që nga dita e
hartimit të Planit nuk ka arritur asnjëherë rritje më të lartë se 4.9%, por ka
arritur rritjen më të ulët vitin që shkoj në vetëm 2.3% dhe do ta ketë
këtë vit vetëm 2.6% (gjithmonë sipas burimit më kredibil, FMN-së). Në mesatare,
sipas FMN-së, Kosova që nga aprovimi i Planit Bansko ka pasur rritje ekonomike
prej vetëm 3.3%, apo dy herë e gjysmë më pak se e planifikuara. Në të vërtetë,
po sipas FMN-së e Bankës Botërore, Kosova nën udhëheqjen e kësaj qeverie, nga
viti 2008 e deri më sot, ka pasur rritje ekonomike mesatare prej vetëm 3.9%.
Kjo rritje është, besoni ose jo, edhe më e vogël se sa rritja e realizuar në
pesë vitet para ardhjes së kësaj qeverie, kur Kosova kishte rritje mesatare
vjetore prej 4.6%. Thënë ndryshe, kjo qeveri jo vetëm se nuk ka shënuar rritje
ekonomike sa ka planifikuar, por në mesatare ka norma më të ulëta se sa pesë
vitet para saj. E habitshme? Aspak. Ky disastër ekonomik me shpërthime sociale
azil-kërkuesish, papunësi konstante e inflacion në rritje, nuk ka tjetër
përfundim logjik.
Synimi
i dytë i Banskos kishte të bënte me, dhe këtu plani fillon të bëhet me të
vërtetë qesharak, “uljen e papunësisë 8-10% vjetore”. Ta shoshitim pakëz këtë
konstatim brilant në dukje; gjithsesi naiv në bërje. Ulja e papunësisë vjetore
në 10%, nëse është thënë në idenë e pikëve të përqindjes, që rëndom është formë
e shprehurit “kosovarçe”, nënkuptonte se në 4 vitet e ardhshme kjo qeveri do të
zhbënte 40 përqindëshin e famshëm në një normë natyrore të papunësisë prej
4-5%. Kjo, nëse është menduar kështu, do të bënte joseriozitetin e
joserioziteteve në një dokument ashtu kështu joserioz.
Interpretimi
tjetër, ashtu siç duket në numër dhe pa presupozime si ky i imi, pra interpretimi
i uljes së papunësisë nga 10 për qind prej 40%, i bie se në mesatare Kosova çdo
vit do ta ulë papunësinë nga 4-5 pikë të përqindjes. Pra në vitin 2011 do ta
ulë nga - nëse është 40% - në 36%, në vitin 2012 do ta ulë në 32%, në vitin
2013 në 29%, e në vitin e ardhshëm (kur edhe përfundonte koha e planifikimit)
ne do të ishim më mirë se disa vende evropiane. Dy vite e sa pas Planit,
regjistrimi civil tregoj se papunësia ishte rrumbullakuar rreth 45%, madje më e
lartë për 5 pikë të përqindjes se sa i paramenduari. Kjo papunësi u zhbë me një
trik matematikor një vit më pas, me një anketë të manipuluar ku nga forca
punëtore u zhdukën 100 mijë kosovarë. Kujtoj se vetëm një vit më parë, kur bëhej
regjistrimi i popullsisë, Agjencia e Statistikave e Kosovës bazuar në të dhënat
e regjistrimit kishte llogaritur me shumë gjenerozitet mbi 55.3% të popullsisë
së moshës së punës si jo aktive. Shprehur në numër të banorëve i binte plot
620.000 kosovarë. Një vit më pas i njëjti institucion – për të përmbushur
mesiguri artificialisht profecinë e Banskos - llogaritë si joaktivë plot 63.2%
të popullsisë në moshë të punës, apo plot 720.000 kosovarë, apo gati 10% më
shumë se një vit më parë. Kështu, duke mbajtur numrin e të punësuarve të
pandryshueshëm (por duke zhdukur mijëra ta papunë nga tregu i punës – pra duke
i llogaritur si të papunë por që nuk duan punë), Kosova u bë vendi i parë dhe i
vetëm në botë që zhbënte papunësinë me formula matematikore.
Synimi
i tretë i Banskos kishte të bënte me reduktimin e barrierave për bërje të
biznesit. Në këtë synim ishin bërë dy gabime, i pari tragjik e i dyti komik.
Gabimi tragjik ishte se qeveria me hartuesit e saj, kishte zgjedhur një rangim
biznesor si matës së barrierave të të bërit biznes. Tragjedia fillon kur ky
rangim bëhet preokupimi kryesor ekonomik i një ministrie të tërë (MTI-së) në dy
vitet në vijim – për të prodhuar asgjë. Pse? Sepse barrierat e një rangimi “të
bërit biznes” ishin barriera procedurale. Ndonëse të nevojshme për tu adresuar,
ato nuk ishin top problemet e bizneseve kosovare; ishin thjeshtë vetëm një
listë e çështjeve burokratike, por assesi qenësore e jetike për bizneset; diçka
për shembull si informaliteti, korrupsioni, evazioni, kosto e kapitalit, haraçi
e hajnia.
Gabimi
komik, në anën tjetër, kishte të bënte me synimin qeverisës; që, deri në vitin
2014, Kosova të rangohej në Top 40-shen e botës. Kosova që nga atëherë vazhdon
të jetë në pozitën e 98, e në mesatare lëviz nga pesë vende në vit. Në fjalë të
tjera, në vitin 2014, me trendin e tanishëm Kosova mund të arrijë diku nga
vendi i 90. Top 40, me këtë trend, mund ta arrijë vetëm në vitin 2024; diku
dhjetë vite pas planifikimit – ndoshta mu si gjithçka tjetër.
- (Pjesa e dytë e “Ku mbeti Bansko” në kolumnen e
javës së ardhshme)
No comments:
Post a Comment